ATV

Category: Lajme

  • “TELEGRAM”, platforma ku po keqpërdoren fotografi dhe video intime të vajzave shqiptare

    “TELEGRAM”, platforma ku po keqpërdoren fotografi dhe video intime të vajzave shqiptare

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Grupe të shumta, me qindra-mijëra pjesëtarë.

    Por mesazhet që shkëmbehen mes tyre nuk janë fare të rëndomta.

    Këtu vazhdimisht shpërndahen të dhëna personale, fotografi e video intime e eksplicite të vajzave kosovare, të cilat në shumicën e rasteve po shantazhohen.

    Eksperti i sigurisë kibernetike, Kastriot Fetahaj, thotë se për veprimtari të tilla po përdoret kryesisht platforma “Telegram”, për t’u fshehur identiteti, meqë kjo konsiderohet edhe vepër penale.

    “Një program si ky mundëson kushte anonimiteti për çka edhe ka marrë hov të zhvillimit në këtë aspekt…”, tha Fetahaj.

    Ka raste nëpër botë, që vajzat kanë kryer vetëvrasje për shkak të grupeve si këto. Andaj, që të mos ketë raste të tilla shantazhi, komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva, kërkon reagim institucional.

    “Kjo nuk është në dorën tonë sado shqetësuese të jetë, të gjithë e dimë sa e rëndësishme është mbrojtja e të dhënave personale, por po presim hapa nga policia, prokuroria…”, tha Sogojeva.

    Në një përgjigje për ATV-në, duke mos dhënë shumë detaje, nga prokuroria themelore në Prishtinë thuhet se rasti është në shqyrtim e sipër.
    Por deri në një afat të pacaktuar prej kur do të përfundonte frika për keqpërdorimin e fotografive të vajzave, apelohet për kujdes gjatë shfrytëzimit të aplikacioneve.

    “Të mos postojnë shumë fotografi, të mundohen sa më tepër të kenë kujdes kur japin të dhëna sidomos personale gjatë blerjeve, pasi ato mund të shpërndahen…”, tha Sogojeva.

    “E vetmja gjë që mund të bëhet në këtë rast është që të jemi të vëmendshëm me kë komunikojmë, çfarë lloji të fotografive kemi, dhe t’i shmangemi sidomos përdorimit të tepërt të teknologjisë në aspekte kur aplikacionet që përdorim janë të dyshimta”, tha Fetahaj.

    Aktualisht ka grupe duke filluar prej 20 mijë e deri në më shumë se 100 mijë pjesëmarrës, të cilët janë aktiv nga viti 2022.

  • Aktakuzë kundër dy personave për pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi

    Aktakuzë kundër dy personave për pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi

    Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve me inicialet R.P dhe D.O. të nacionalitetit serb.

    Prokuroria Speciale njofton ekziston dyshimi i bazuar mirë se të lartcekurit në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit.

    Me këto veprime të pandehurit R.P dhe D.O. akuzohen për veprën penale ‘’Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • Kryeministrja e Estonisë: Mbështesim plotësisht rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s

    Kryeministrja e Estonisë: Mbështesim plotësisht rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s

    Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas, e ka pritur në takim kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca.

    Pas takimit, Kallas tha se vendi i saj i mbështet plotësisht përpjekjet e Kosovës në rrugëtimin drejt BE-së dhe NATO-s.

    “Dialogu dhe integrimi evropian do të ndihmojnë në sigurimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

    Kreu i Kuvendit po e zhvillon një vizitë zyrtare në Estoni.

    Më herët, Glauk Konjufca, u takua edhe me homologun e tij Lauri Hussar.

  • EULEX-i e zhvendos selinë nga ish-Farmedi në Zonën Industriale

    EULEX-i e zhvendos selinë nga ish-Farmedi në Zonën Industriale

    Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e ka përfunduar sot zhvendosjen e Selisë së tij në Zonën Industriale në Prishtinë.

    Selia i re e EULEX-it do të vendoset në katin e pestë të ndërtesës së Capital Gate, ngjitur me Kompleksin ekzistues të EULEX-it për operacione dhe mbështetje, ku ndodhen elementet kryesore logjistike dhe operacionale të Misionit.

    Kjo zhvendosje, sipas kumtesës nga EULEX-i, po i forcon sinergjitë ekzistuese duke sjellë kështu përfitime të dukshme operacionale, logjistike dhe financiare.

    “Për më tepër, ajo do të kontribuojë në zvogëlimin e gjurmës mjedisore të EULEX-it, pasi 60 për qind e nevojave totale të energjisë së ndërtesës së Capital Gate plotësohen nga gjenerimi prej paneleve diellore”, thuhet në njoftim.

    Numrat e telefonit dhe adresat e postës elektronike të EULEX-it mbeten të pandryshuara.

    Misioni vazhdon të jetë i përkushtuar për zbatimin e mandatit të tij: t’i mbështesë institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikave më të mirat evropiane.

    Ndërtesa ku ka qenë e vendosur deri tani selia e EULEX-it (e njohur si Farmed) do t’i dorëzohet pronarit të vet.

  • Dogana kap mallra të kontrabanduara në veri

    Dogana kap mallra të kontrabanduara në veri

    Njësitë e Antikontrabandës së Doganës së Kosovës, të mbështetura nga Policia e Kosovës, kanë organizuar ndalesa rrugore dhe kontrolle në lokacione të dyshimta në pjesën veriore respektivisht në afërsi të Zubin Potokut.

    Si rezultat i këtyre aktiviteteve të përbashkëta (3 dhe 4 shkurt) të Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, është arritur zbulimi i katër rasteve me mallra të kontrabanduara, si dhe është sekuestruar malli si në vijim:

    • Birra 30 pako x 24 copë,
    • Majonez– 7 pako x 12 cope x 500ml,
    • 24 komplete x 4 bidone x 5 litra – 580 litra alkool të koncentruar (Origjina Serbi).
    • Pije joalkoolike– 150 komplete x 24 cope x 0.33 litra (Origjina Serbi)
    • Pije joalkoolike– 202 komplete x 24 cope x 250 ml
    • Automjet transportues IVECO me targa të huaja/i pazhdoganuar.

    Ky veprim i përbashkët ka për qëllim zbatimin e ligjit dhe luftimin e kontrabandës në këtë pjesë.

    Aktivitetet e përbashkëta vazhdojnë dhe janë një shenjë e përkushtimit të vazhdueshëm të autoriteteve për sigurinë dhe ligjin në vend.

    Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës vazhdojnë të bashkëpunojnë në përforcimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit në territorin e vendit.

  • Serbia dëbon rusen që ishte kundër luftës, Stradner apelon diplomatët perëndimorë që të reagojnë

    Serbia dëbon rusen që ishte kundër luftës, Stradner apelon diplomatët perëndimorë që të reagojnë

    Analistja amerikane, Ivana Stradner ka reaguar pasi Serbia ka dëbuar nga vendi një shtetase ruse pasi e njëjta ishte shprehur kundër luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë.

    Ajo ka apeluar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë karshi kësaj situate, veçmas.

    “Serbia ka dëbuar një shtetase ruse sepse ka nënshkruar një deklaratë kundër luftës! Ku janë tani diplomatët perëndimorë që avokojnë që Vuçiq të thotë diçka? Në dhjetor, thirra miqtë e mi në Serbi dhe u thashë të largoheshin nga vendi pasi gjërat vetëm do të përkeqësohen”, ka shkruar ajo në X.

    Lidhur me këtë ka reaguar edhe avokati Cedomir Stojkoviq, i cili ka thënë se ka biseduar me rusen e dëbuar nga Serbia, Lena Koposova.

    “Sapo fola me rusen Lena Koposova, të cilën Serbia po e dëbon sepse nënshkroi një deklaratë në Serbi kundër luftës, në shkurt të vitit 2022, kundër agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Prandaj në vitin 2024 u shpall si ‘kërcënim për sigurinë kombëtare’”, ka shkruar ai në X.

  • ​Konjufca në Estoni: Aleanca e vendeve demokratike është përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit rus

    ​Konjufca në Estoni: Aleanca e vendeve demokratike është përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit rus

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në vazhdën e vizitës zyrtare në Estoni, u prit në takim nga Presidenti i Republikës së Estonisë, Alar Karis, të cilin e njoftoi me situatën politike në vendin tonë, me ç’rast potencoi përkushtimin maksimal të institucioneve të Kosovë ndaj sigurisë, posaçërisht pas sulmit terrorist në Banjskë, me vetëdijen e plotë të rrezikut që influenca ruse në Serbi, përbën për rajonin tonë dhe më gjerë.

    Konjufca falënderoi Presidentin Karis për pritjen e ngrohtë dhe i shprehu mirënjohje për mbështetjen e shtetit estonez ndaj Republikës së Kosovës dhe synimeve të saj për integrim në strukturat evropiane e ndërkombëtare.

    Sipas një komunikate të Kuvendit, në takim u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm midis dy shteteve mike, duke ndaluar te nevoja e shqyrtimit të mundësive për të forcuar edhe më tutje raportet mes tyre.

    “Angazhimi për paqen, në kohë si këto, konfirmohet nga gatishmëria për të mbrojtur vlerta tona po aq sa edhe territoret tona, me çdo kusht e me të gjitha mjetet e nevojshme. Kjo është ajo që mbi të gjitha duhet të na sjellë çdoherë e më pranë, gjithnjë e më shumë”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.

    Presidenti Estonisë, Karis, pasi potencoi raportet e ngushta që ekzistojnë midis dy vendeve tona, konfirmoi mbështetjen e Talinit zyrtar për Kosovën edhe në të ardhmen.

    Në fillim të vizitës, kryetari Knjufca, i shoqëruar nga shefi i kabinetit, Ilir Kërçeli dhe këshilltari Donik Sallova, u prit në takim nga Kryetari i Parlamentit të Republikës së Estonisë, Lauri Hussar.

    Konjufca i shprehu homologut estonez mirënjohjen për mbështetjen që Estonia i ka ofruar Republikës së Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe sfidat rajonale. Kreu i Kuvendit tha se me Estoninë Kosovën e bashkon partneriteti strategjik, interesat e përbashkët në shumë sfera, bashkëpunimi i vazhdueshëm, vlerat dhe aspiratat e demokracisë.

    Kryetari i Riigikogut të Estonisë, Hussar, konfirmoi se mbështetja e shtetit të tij për Kosovën do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sikundër edhe bashkëpunimi në shumë sfera të interesit reciprok.

    Bashkëbiseduesit u pajtuan për nevojën e thellimit të mëtejmë të raporteve midis dy vendeve, nëpërmjet shkëmbimit të përvojave parlamentare, investimeve ekonomike, angazhimit për transformime digjitale, bashkëpunimit në lidhje me sfidat e sigurisë dhe në çdo fushë të interesit të përbashkët.

    Në këtë takim të ngrohtë e miqësor kryetarët Konjufca dhe Hussar diskutuan edhe për situatën politike në Kosovë dhe Estoni, duke theksuar se përveç interesave, të dy shtetet ndajnë edhe rrezikun e një Rusie në kërkim të destabilitetit.

    “Aleanca e vendeve demokratike është përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit rus, aleatëve dhe satelitëve të saj, ndërsa vendosmëria jonë në vlerat e demokracisë është garancia e palëkundur e të ardhmes së përbashkët të paqes dhe përparimit”, u potencua në takim.

  • Rama: Pas Banjskës, është thelbësore të ruhet fokusi dhe ndjenja e ekuilibrit

    Rama: Pas Banjskës, është thelbësore të ruhet fokusi dhe ndjenja e ekuilibrit

    Kryeministri shqiptar Edi Rama thotë se të gjithë janë dakord që qeveria e Kosovës duhet të angazhohet, të koordinohet dhe të punojë më ngushtë me aleatët e saj kryesorë, por sipas tij nuk duhet harruar të drejtën e pamohueshme të Kosovës për të zbatuar kushtetutën e saj.

    Në një postim në X, Rama duke iu referuar agresionit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit, tha se është thelbësore të ruhet fokusi dhe ndjenja e ekuilibrit.

    “Ndërsa të gjithë jemi dakord që qeveria e Kosovës duhet të angazhohet, të koordinohet dhe të punojë më ngushtë me aleatët e saj kryesorë, le të mos e harrojmë gjithashtu të drejtën e pamohueshme të Kosovës për të zbatuar kushtetutën e saj. Pas Banjskës, është thelbësore të ruani fokusin dhe ndjenjën e ekuilibrit”, shkroi Rama në X.

  • Nën pretendimet për “terror”, serbët bllokuan rrugën në afërsi të Merdares

    Nën pretendimet për “terror”, serbët bllokuan rrugën në afërsi të Merdares

    Rreth një orë ka zgjatur bllokimi i rrugës në Rudarë të Serbisë, ku serbët kanë pamundësuar qarkullimin e lirë të automjeteve në pikën kufitare në Merdarë. Kjo protestë e tyre vjen gjoja për shkak të “terrorit ndaj serbëve lokalë në Kosovë.”

    Rruga ka qenë e bllokuar nga një kamion i cili është vendosur në mes. Ndërkaq, protestës i janë përgjigjur një numër jo i madh i banorëve serbë.

    Pas një ore është liruar rruga, teksa janë parë veturat duke qarkulluar.

    Serbët kanë paralajmëruar bllokim të rrugëve çdo të hënë, në periudhën 12:00 – 15:00, për të kundërshtuar siç pretendojnë ata “terrorin ndaj serbëve lokalë në Kosovë”.

  • Stano: Veprimet e Kosovës të pakoordinuara dhe të njëanshme

    Stano: Veprimet e Kosovës të pakoordinuara dhe të njëanshme

    Bashkimi Evropian ka sqaruar gjatë ditës së sotme se reagimet gjatë fundjavës ndaj disa zhvillimeve në Kosovë kanë pasur për qëllim që t’i shmangin tensionet pas disa veprimeve të autoriteteve të Kosovës që BE-ja i ka quajtur “të njëanshme dhe shqetësuese”.

    Këtë e ka thënë të hënën në një konferencë me gazetarë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë.

    “Përgjatë javës së shkuar kemi parë së paku dy shembuj të veprimeve që kanë nxitur shqetësimin e Bashkimit Evropian. Njëri ishte rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës dhe tjetra operacionet policore ndaj disa entiteteve të udhëhequra nga Serbia. Këta hapa janë shqetësues për shkak se ata nuk kontribuojnë në shtensionimin e situatës“, ka thënë Stano.

    Me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që të përdorë vetëm euron për pagesa, nga 1 shkurti është hequr përdorimi i dinarit serb. Ky vendim i Kosovës u kundërshtua nga Serbia, ndërsa bashkësia ndërkombëtare kërkoi shtyrjen e zbatimit të tij me arsyetimin se ekziston shqetësimi se mund të ketë ndikim negativ te serbët e Kosovës.

    Po ashtu, më 2 shkurt, në një aksion policor, autoritetet kosovare mbyllën tri komuna në Pejë, Istog dhe Klinë, të cilat funksiononin paralelisht në sistemin serb.

    Stano ka theksuar se, “ato veprime, zakonisht, nuk janë të koordinuara, janë të njëanshme dhe pa nivelin e duhur të konsultimeve paraprake për të shmangur ndikimin negativ që mund të kenë ndaj njerëzve në terren. Prandaj, Bashkimi Evropian reagoi ndaj të dyja këtyre zhvillimeve“.

    Sipas zëdhënësit të BE-së, këto deklarata ishin përforcuar edhe nga partnerët tjerë ndërkombëtarë si dhe nga ana e Komisionit Evropian.

    “Natyrisht, se është shqetësuese kur shohim se një varg i hapave të njëanshëm mund të çojë deri te diçka që ne nuk do të donim të shihnim – përkeqësimi i situatës në terren. Sepse, një gjë është e qartë, ato veprime nuk japin kontribut për të qetësuar situatën dhe për të ndihmuar që njerëzit të ndihen se jeta e tyre po bëhet më e mirë. Krejt e kundërta. Prandaj është e rëndësishme të kthehen në dialog“, ka thënë ai.

    Duke iu përgjigjur pyetjeve se a planifikohen takime të shpejta në kuadër të dialogut, zëdhënësi i BE-së ka thënë se po punohet në atë drejtim, porse nuk ka ndonjë datë të paraparë.

    “Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, po punon me partnerët nga të dyja palët në rajon dhe në BE, si dhe me bashkësinë më të gjerë ndërkombëtare, në mënyrë që të mundësohet që të dyja palët të fillojnë të sillen në mënyrë konstruktive, të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojnë çështjet e rëndësishme pa hapa të njëanshëm“, është shprehur Stano.

    “Nuk jam në gjendje të shpall ndonjë datë të ndonjë takimi të radhës. Përfaqësuesi i posaçëm po punon me një ritëm të përditshëm dhe shpresojmë se në një moment do të do të jemi në gjendje të caktojmë një takim të nivelit të lartë të presidentit nga Serbia dhe kryeministrit nga Kosova, ku do të bënim përpjekje për t’u ndihmuar t’i zgjidhin çështjet“, ka thënë ai, por ka përsëritur se “tash për tash nuk ka ndonjë afat kohor të caktuar”.

    “Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen në procesin e konsultimeve dhe të shmangin hapat tjerë të njëanshëm sepse ata hapa kanë vërtet një efekt kundërproduktiv”, ka tëhënë Stano.

    Bashkimi Evropian gjatë fundjavës kishte dhënë një deklaratë duke i kërkuar Kosovës që, çështjen e statusit të komunave që vazhdon t’i administrojë Serbia, t’a zgjidhë përmes dialogut. /rel