ATV

Category: Lajme

  • Azemi: Komuna e Prishtinës nesër del me ofertë për rritjen e pagave për punëtorët teknikë

    Azemi: Komuna e Prishtinës nesër del me ofertë për rritjen e pagave për punëtorët teknikë

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka theksuar se të mërkurën Komuna e Prishtinës do t’i bëjë një ofertë për rritje të pagës për punëtorët teknikë që janë futur në grevë.

    Ai ka thënë se pas kësaj të gjithë anëtarët e Sindikatës do të njoftohen dhe së bashku do ta vlerësojnë nëse është e pranueshme.

    “Nesër pritet që Komuna e Prishtinës të më ofroi ofertën për rritjen e pagës për punëtorët që janë në grevë, dhe pas kësaj oferte të gjithë anëtarët e sindikatës do të ftoheni dhe do vlerësojmë këtë se a do të jetë e pranueshme për ne apo jo ,greva vazhdon ,deri në një vendim tjetër”, ka shkruar Azemi në Facebook.

    Qindra punëtorë teknikë në institucionet arsimore në Prishtinë kanë hyrë në grevë të hënën. Këta punëtorë, të cilët janë të angazhuar nga kompanitë private kërkojnë që të paguhen njëjtë si kolegët e tyre të cilët marrin paga nga buxheti i shtetit, meqë thonë se e kryejnë punën e njëjtë.

  • Avokatja Fehmije Bytyqi: Këtu nuk jemi shtet arab dhe nuk lejohet as gruaja e dytë, as e treta e as e katërta

    Avokatja Fehmije Bytyqi: Këtu nuk jemi shtet arab dhe nuk lejohet as gruaja e dytë, as e treta e as e katërta

    Avokatja Fehmije Bytyqi ishte e ftuar në emisionin A LIVE në ATV, për të diskutuar lidhur me ndryshimet e Kodit Penal në Shqipëri, që në media u ndërlidh me tradhtinë bashkëshortore.

    Po në këtë emision, gazetari nga Shqipëria e sqaroi se ndryshimet në Kodin Penal kanë të bëjnë me bigaminë dhe assesi me tradhtinë bashkëshortore.

    Edhe avokatja Fehmije Bytyqi e sqaroi se bigamia nuk lejohet as në Kosovë me Ligjin për Familjen.

    “Bigamia nuk lejohet edhe ligji mbi familjen lejon që të lidhet kurora ligjërisht vetëm me një grua, e sa ndodhin në praktikë këto, tani unë nuk di. Këtu nuk jemi në shtetet arabe, ne jemi në Evropë dhe nuk lejohet as gruaja e dytë, as e treta as e katërta”, tha Bytyqi. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • “Tradhtia bashkëshortore në Kodin Penal?”, gazetari nga Shqipëria sqaron keqkuptimin që u prezantua në media ditëve të fundit

    “Tradhtia bashkëshortore në Kodin Penal?”, gazetari nga Shqipëria sqaron keqkuptimin që u prezantua në media ditëve të fundit

    Gazetari nga Shqipëria, Isa Myzyraj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, tha se raportimi se Shqipëria dëshiron ta futë tradhtinë bashkëshortore në Kodin Penal, është një keqkuptim pre e të cilës kanë rënë shumë media.

    Ai sqaroi se gjithçka që ka të bëjë me këtë amandamentim në Kodin Penal ka të bëjë me bigaminë.

    “Me sa e kam parë edhe unë, edhe mediat në Shqipëri ka një keqkuptim sa i përket këtij ligji. Me ose pa dashje, gazetarët në media kanë thënë që do të futet në Kodin Penal tradhtia bashkëshortore, e cila nuk është e vërtetë deri në këto momente. Sipas draftit të ri i cili është duke u përgatitur, gjithçka ka lidhje me bigaminë pra me martesat e dyfishta, pra nuk ka lidhje me tradhti pasi që ajo është akt më shumë moral se sa ligjor dhe praktikisht deri diku është e pamundur për tu vërtetuar jashtë pretendimit të palëve”, tha Myzyraj.

    Ai tha se amandamentimi i Kodit Penal sa i përket bigamisë ka ardhur për shkak të rasteve të shumta të këtij fenomeni në Shqipëri.

    “Amandamentimi i Kodit Penal është duke ardhur në Shqipëri për shkak të rasteve të shumta. Shqipëria është tronditur javët e fundit. Ne kemi parë se si një mjek në spitalin shtetëror, mjek kirurg ishte i martuar me tre gra dhe ishte duke planifikuar të martohet me një tjetër vajzë 14-vjeç, ishte praktikisht gruaja e tij e katërt dhe nga ky ka lindur i gjithë debati, edhe institucionet kanë menduar për ta riformuluar më qartë edhe Kodin Penal”, tha Myzyraj. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Fermerët spanjollë i bashkohen valës së protestave evropiane

    Fermerët spanjollë i bashkohen valës së protestave evropiane

    Fermerët në Spanjë u janë bashkuar homologëve të tyre evropianë për nisje të protestave mbarëkombëtare.

    Ata janë duke kërkuar më shumë fleksibilitet prej Bashkimit Evropian, kontrolle më të ashpra për prodhimet jashtë vendeve të BE-së, dhe më shumë ndihmë prej qeverive.

    Në disa rajone spanjolle, ata i kanë bllokuar dyert dhe i kanë bllokuar motoristët.

    Një protestë e madhe në qendër të Madridit është planifikuar më vonë gjatë këtij muaji.

    Të martën, fermerët kanë dalë nëpër rrugë me traktorë dhe mjete tjera bujqësore, dhe duke mbajtur flamuj spanjollë nëpër duar.

    “Çmimet, kur është fjala për prodhim të miellit dhe elbit janë shumë të mëdha”, ka thënë Esteban, i cili është identifikuar vetëm me mbiemër.

    “Duhet të paguajmë për pleh, pesticide, naftë – na mbytën këto”.

    Gjendja e vështirë e fermerëve spanjollë është komplikuar edhe më shumë për shkak të thatësisë në atë rajon.

    Spanja është prodhuesja më e madhe e vajit të ullirit në botë, mirëpo çmimet janë rritur shumë, për shkak të prodhimit të vogël.

    Të martën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë së dëshiron të kthejë mbrapsht një plan për të zvogëluar përdorimin e pesticideve, duke e përshkruar si “simbol të përçarjes”.

    Kryeministri belg Alexander De Croo, e ka mirëpritur njoftimin, duke thënë se është “kyçe që fermerët të ndjekin ritmin e një bujqësie më të qëndrueshme në të ardhmen”, duke i përmendur synimet për mbrojtje të natyrës./REL/

  • ​Auditori gjen parregullsi në projektet e tri stadiumeve, Çeku: Kemi marrë masat e duhura

    ​Auditori gjen parregullsi në projektet e tri stadiumeve, Çeku: Kemi marrë masat e duhura

    Probleme me shpronësimin, vonesa në zbatimin e punëve si dhe plotësimin e kushteve kontraktuale janë disa nga të gjeturat e raportit të Zyrës së Auditorit për stadiumin “Adem Jashari në Mitrovicë”, atë të Gjilanit si dhe të Gjakovës.

    Anëtarja e komisionit për mbikëqyrjen e financave Mirlinda Tishukaj-Sadiku duke dhënë detaje nga të gjeturat e këtij raporti ka thënë se për stadiumin “Adem Jashari” problemi kryesor ka qenë shpronësimi.

    “Ministria e Kulturës, RInisë dhe Sportit nuk kishte qenë në dijeni që stadiumi olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë nuk kishte një titullar të vetëm të pronës, për këtë arsye, stadiumi ishte ndërtuar në disa prona të cilat kryesisht i përkisnin kompanive në kuadër të ndërmarrjes ‘Trepça’. Po ashtu, Minsitria e Kulturës nuk ka aplikuar ende për leje ndërtimore sepse nuk i plotëson kriteret për t’u pajisur me një leje të tillë”, ka thënë Tishuka-Sadiku.

    Parregullsi me pronën auditori ka gjetur edhe tek stadiumi i qytetit të Gjilanit, ndërsa vonesa të shumta dhe mos realizim të kontratave janë gjetjet sa i përket stadiumit të qytetit në Gjakovë.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se kanë shkëputur kontrata e operatorëve për shkak se nuk i kishin kryer punimet sipas kontratave të lidhura dhe kanë nisur procedurë të re të prokurimit.

    “Po e fillojmë më stadiumin e Gjilanit ku shkëputja e kontratës me operatorin që ka qenë duke i kryer punimet në koordinim me Komunën e Gjilanit është bërë para se të publikohet raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit…Për fat të keq, në këtë stadium ndonëse kishte kontratë për zbatimin e punimeve nuk kishte një projekt zbatues final për kategorinë 4 të këtij stadiumi…Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave e kemi ndarë tashmë buxhetin e nevojshëm që është rreth 15 milionë uro në kornizën afatmesme të shpenzimeve…Kur jemi tek stadiumi i Gjakovës kemi insistuar shumë që operatori që e ka kontratën për ndërtimin e një pjese të stadiumit…që ajo kontratë të zbatohet por operatori ka qenë i papërgjegjshëm. Përkundër insistimeve tona, sigurimit të buxhetit…Në buxhetin e Ministrisë së Sportit në KASH janë rreth katër milionë euro të dedikuara për përfundimin e punimeve në stadiumin e Gjakovës”, ka thënë Çeku.

    Ndërsa për stadiumin “Adem Jashari”, Çeku theksoi se tashmë janë kaluar të gjitha pengesat dhe se janë ndarë rreth 13 milionë euro për renovimin e tij.

    “Rasti më i komplikuar, stadiumi ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, në prill të vitit 2022 inspektorati i ndërpret punimet se[se konstaton që ajo kontratë me një operator për renovimin e tërësishëm të atij stadiumi pa i siguruar disa kushte paraprake siç janë shpronësimet, kushtet ndërtimore, leja ndërtimore, dhe ndërkohë e kemi zbuluar se as shpenzimet e komunalive, rrymë dhe ujë nuk janë ë paguar për vite të tëra…Buxheti është i siguruar për të gjitha stadiume, duke përfshirë edhe ‘Adem Jasharin’. Tashmë jemi në vlerat 12.5 deri 13 milionë për ‘Adem Jasharin’”, ka thënë Çeku.

    I pari i MKRS-së ka theksuar se kjo ministri është e gatshme të paguajë para shtesë për operatorët që kryejnë punët me kohë dhe kanë nevojë për buxhet shtesë për shkak të punimeve që mund të nevojiten.

  • Navalny dërgohet në izolim për herë të 26-të

    Navalny dërgohet në izolim për herë të 26-të

    Sekretarja për media e politikanit të burgosur rus, Aleksei Navalny, ka thënë më 6 shkurt, se kritiku i Kremlinit është dërguar në izolim pesë ditë më parë, për arsye të panjohura.

    Sipas Kira Yarmyshit, Navalny do të qëndrojë në izolim për 10 ditë.

    Kjo është hera e 26-të që ai i është nënshtruar masës së izolimit, prej burgosjes, tre vjet më parë.

    Prej kur është burgosur, ai i ka kaluar 293 ditë në izolim.

    Kjo është hera e tretë që Navalny është në izolim në burgun “Ujku polar” në rajonin rus të Arktikut, ku është transferuar në dhjetor të vitit 2023.

    Navalny, i cili ka qenë afër vdekjes, pasi është helmuar me agjent të tipit Noviçok, më 2020 – për çka i fajëson operativët rusë të sigurisë se kanë vepruar në emër të presidentit rus, Vladimir Putinit – është ndaluar më 17 janar 2021, në aeroportin e Moskës, pasi ka arritur aty prej Gjermanisë, ku është trajtuar pas helmimit.

    Ai është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim për shkelje të rregullave të një dënimi me kusht.

    Kremlini e ka mohuar akuzën e Navalnyt, se është përfshirë në helmimin e tij.

    Akuzat për të cilat është dënuar Navlany konsiderohen gjerësisht si të motivuara politikisht.

    Në mars të vitit 2022, Navalny është dënuar me nëntë vjet burgim me akuzat për përvetësim, të cilat ekipi i tij i ka konsideruar të motivuara politikisht.

    Më vonë, Fondacioni Kundër Korrupsionit, në krye me Nanvalnyn, është shpallur organizatë terroriste dhe i është ndaluar veprimtaria.

    Në gusht të vitit të kaluar, një gjykatë e ka dënuar Navalnyn me 10 vjet burgim, dhe e ka dërguar në një “regjim special” shumë të ashpër.

    Burgu, “Ujku polar”, ku është dërguar Navalny, konsiderohet një prej burgjeve me sistemin më strikt në gjithë Rusinë./rel/

  • ​Gjykata shtyn ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për këmbim të pronave

    ​Gjykata shtyn ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për këmbim të pronave

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës në “Prishtina e re”, me pronat në Zllatar.

    Departamenti për Çështje Administrative i kësaj Gjykate e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ashtu që ka vendosur që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kësaj Komune në “Prishtina e re”.

    Duke aprovuar kërkesën e IKD për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, Gjykata vendosi se ky vendim nuk do të ekzekutohet, deri në momentin kur Gjykata të vendosë mbi meritat e këtij rasti.

    Më 25 janar 2024, IKD ka parashtruar padi, me kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës nr. 01-20/04-236518/23, i datës 26.12.2023, për këmbimin e pronës komunale, konkretisht parcelës kadastrale, nr. 01998-1, me sipërfaqe të përgjithshme 208318 m2 (Zona Kadastrale në Çagllavicë), dhe kalimin e kësaj prone në pronësi të Rrahman Haradinit dhe Shaban Konxhelit, me pronën, konkretisht parcelat kadastrale, nr. 00578-4, me sipërfaqe 3426 m2 (Zona Kadastrale Zllatar), me pronar Rrahman Haradinit dhe Shaban Konxhelit dhe kalimn e kësaj prone në pronësi të Komunës së Prishtinës.

    Gjykata gjeti se me propozimin për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit, IKD ka ofruar argumente të besueshme se në rastin konkret janë përmbushur në tërësi dhe në mënyrë kumulative të gjitha kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, ashtu që ekzekutimi i këtij vendimi do të sjellte dëm vështirë të riparueshëm. Tutje, Gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe as nuk i sjell dëm të madh palës kundërshtare apo personit të interesuar. Përkundrazi, Gjykata gjeti se pikërisht shtyrja e ekzekutimit të vendimit paraqet interes publik.

    Kështu, Gjykata gjeti se IKD ka argumentuar mjaftueshëm përmbushjen e kushteve ligjore për aprovimin e kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, derisa Gjykata të vendosë përfundimisht lidhur me ligjshmërinë e vendimit të kontestuar përkitazi me padinë e IKD.

    Më 20 janar 2024, IKD kishte reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kësaj Komune në “Prishtina e re”, me pronat në Zllatar, duke e cilësuar këtë vendim si të kundërligjshëm.

  • ​ShBA synon të dyfishojë prodhimin e predhave 155 mm për Ukrainën

    ​ShBA synon të dyfishojë prodhimin e predhave 155 mm për Ukrainën

    Ushtria amerikane synon të dyfishojë deri në tetor prodhimin e raundeve të artilerisë që përdoren në Ukrainë për t’u mbrojtur kundër sulmit të Rusisë.

    Kjo është sipas ‘Defense One’, duke cituar të ketë thënë shefi i blerjes së ushtrisë, Doug Bush, raporton Ukrinform.

    “Ushtria synon të dyfishojë prodhimin e një municioni kyç të përdorur në Ukrainë deri në tetor, tha sot shefi i blerjes së ushtrisë Doug Bush”, thuhet në raportin e postuar më 5 shkurt.

    Prodhimi amerikan i predhave artilerie 155 mm është planifikuar të rritet nga 28,000 tetorin e kaluar – muaji më i fundit për të cilin janë publikuar numra – në afërsisht 37,000 në prill dhe rreth 60,000 në tetor 2024.

    Ushtria më pas shpreson të rrisë me shpejtësi prodhimin në vitin 2025, nga pak më pak se 75,000 predha në prill në 100,000 në tetor.

    Kjo rritje e planifikuar është pjesërisht për shkak të një fabrike të re që ushtria po ndërton në Teksas, e cila “do të ketë një mënyrë krejtësisht të re për të prodhuar predhat, duke përdorur teknologji krejtësisht të re që nuk e kemi përdorur kurrë më parë,” tha Bush.

    Disponueshmëria e municioneve, veçanërisht predhave të mëdha artilerie si 155 mm, e ka mbajtur Ukrainën në avantazh me vëllimin e gjuajtjeve të Rusisë. Aktualisht, forcat ukrainase qëllojnë rreth 2000 predha në ditë, rreth një e pesta e prodhimit rus.

    Përdorimi masiv i municioneve si predha 155 mm mund të shkaktojë një rimendim se sa ka nevojë SHBA-ja në rezervat e veta, tha Bush.

    “Nëse rezervat më të mëdha janë një mënyrë për të zbutur rrezikun për një konflikt të zgjatur konvencional, atëherë kjo duhet të shikohet,” tha ai.

    ShBA-të nuk kanë nevojë të rrisin prodhimin e predhave më të vogla artilerie, predha tankesh ose mortajash për Ukrainën, pasi SHBA-ja ka qenë në gjendje të plotësojë nevojat e Ukrainës pa pakësuar ndjeshëm rezervat e veta, tha Bush.

    Siç është raportuar, Përfaqësuesi i Përhershëm i Estonisë në NATO, Juri Luik, beson se Bashkimi Evropian nuk do të jetë në gjendje t’i sigurojë Ukrainës një milion fishekë deri në mars, por do të jetë në gjendje t’i përfundojë këto dërgesa deri në fund të vitit. /ukrinform/

  • ​6 të vdekur dhe mbi 50 të plagosur nga zjarri në një fabrikë në Indinë qendrore

    ​6 të vdekur dhe mbi 50 të plagosur nga zjarri në një fabrikë në Indinë qendrore

    Të paktën gjashtë persona u vranë dhe mbi 50 u plagosën pasi një zjarr shpërtheu në një fabrikë fishekzjarre në shtetin indian të Madhya Pradesh, thanë zyrtarët të martën.

    Incidenti ka ndodhur në lagjen Harda të shtetit dhe një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar në zonë, sipas zyrtarëve.

    “Ka pasur një shpërthim në fabrikën e fishekzjarreve dhe gjashtë persona janë vrarë dhe mbi 50 janë plagosur”, tha kryeministri i Madhya Pradesh Mohan Yadav.

    Zyra e Yadav tha se kryeministri mbajti një takim urgjent me zyrtarë të lartë dhe ambulancat po dërgohen me urgjencë në Harda nga zonat përreth dhe ushtria indiane është kontaktuar për të rregulluar helikopterët.

    Rishi Garg, një zyrtar i lartë në qark, tha se të shpëtuarit u transferuan në spital dhe operacioni i shpëtimit është ende duke u zhvilluar. /AA/

  • ​Sunak thotë se është i lehtësuar që kanceri i Mbretit Charles u zbulua herët

    ​Sunak thotë se është i lehtësuar që kanceri i Mbretit Charles u zbulua herët

    Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, tha se ai është i lehtësuar që kanceri i mbretit Charles u “zbulua herët”, pasi ai përshkroi se ishte i tronditur dhe i pikëlluar nga lajmi.

    Kur u pyet se si e mori lajmin, Sunak tha për BBC Radio 5 Live: “Natyrisht, si gjithë të tjerët, i tronditur dhe i trishtuar, dhe të gjitha mendimet tona janë me të dhe familjen e tij. Fatmirësisht, kjo është zbuluar herët.”

    Ai tha se të gjithë do të shpresojnë që mbreti “të marrë trajtimin që i nevojitet dhe të shërohet plotësisht”.

    “Kjo është ajo për të cilën ne të gjithë shpresojmë dhe lutemi, dhe sigurisht që jam në kontakt të rregullt me të dhe do të vazhdoj të komunikoj me të si normalisht”, shtoi Sunak.

    Sunak tha se kontaktet e tij me mbretin Charles do të vazhdojnë.

    “Ai do të jetë në mendimet dhe lutjet tona, shumë familje në mbarë vendin duke e dëgjuar këtë do të jenë prekur nga e njëjta gjë dhe ata e dinë se çfarë do të thotë për të gjithë. Pra, ne thjesht do të jemi të gatshëm për të dhe shpresojmë se mund ta kalojmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Sunak.