ATV

Category: Lajme

  • Parlamenti Evropian miraton rezolutë për Serbinë, kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet

    Parlamenti Evropian miraton rezolutë për Serbinë, kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet

    Me një rezolutë urgjente që ka miratuar të enjten, Parlamenti Evropian (PE), i ka dënuar parregullsitë që janë raportuar gjatë zgjedhjeve të fundit në Serbi, ka kërkuar hetim ndërkombëtar dhe ka bërë ftesë që të kushtëzohet vazhdimi i procesit të negociatave të anëtarësimit me respektimin e standardeve demokratike të BE-së.

    Serbia ka mbajtur zgjedhjet lokale, parlamentare dhe krahinore më 17 dhjetor 2023.

    Rezoluta mori një mbështetje të fuqishme gjatë votimit. Në favor të rezolutës votuan 461 deputetë, nga 557 sa ishin të pranishëm, kundër ishin vetëm 53, ndërsa abstenuan 43.

    Në tekstin e rezolutës, i cili ishte rezultat i bisedimeve të disa grupeve politike të PE-së, shprehet keqardhje për faktin se Serbia nuk ka siguruar zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve dhe normave ndërkombëtare, si dhe për shkak të refuzimit të autoriteteve të Serbisë që të pranojnë se kanë ndodhur parregullsi në zgjedhje.

    “Bëjmë thirrje për hetime të pavarura nga ekspertë dhe institucione të respektuara ndërkombëtare për parregullsitë në zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale , me kujdes të posaçëm në zgjedhjet për asamblenë e qytetit të Beogradit”, thuhet në rezolutë.

    Deputeti i Parlamentit Evropian, Andreas Schieder, i cili ka qenë edhe anëtar i misionit vëzhgues evropian gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi, ka thënë se me këtë rezolutë i dërgohet mesazh i qartë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe partisë në pushtet, se duhet t’i respektojnë standardet demokratike ndërkombëtare dhe të marrin përgjegjësi për parregullsitë sistematike në procesin e zgjedhjeve.

    Me këtë rezolutë, Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje Komisionit Evropian që të shqyrtojë dërgimin e një misioni ekspertësh në Serbi, për të vlerësuar situatën dhe zhvillimet pas zgjedhjeve të fundit dhe të bëjë përpjekje për të lehtësuar një dialog shoqëror, i cili do të çonte deri te kthimi i besimit në institucione.

    Parlamenti Evropian dënon mungesën e pluralizmit politik gjatë procesit zgjedhor, favorizimin e partisë në pushtet nga ana e mediave gjatë fushatës, fushatat e shumta të dezinformimit, në të cilat, sipas tekstit, ishin përfshirë mediat pro- qeveritare në Serbi, por edhe media dhe organizata nga Rusia.

    Ndër parregullsitë më të shpeshta në zgjedhjet në Serbi të zhvilluara më 17 dhjetor të vitit 2023, Parlamenti Evropian përmend votimin e shtetasve nga vendet tjera, posaçërisht nga Bosnja e Hercegovina në zgjedhjet lokale, sjelljen në mënyrë të organizuar të votuesve në vendvotime nga partia në pushtet, shlyerjen e votuesve nga regjistri në disa raste, joshjen e paligjshme të votuesve dhe forma tjera të shkeljeve të parimeve të zgjedhjeve të lira.

    Në tekstin e rezolutës dënohet edhe përdorimi i tepruar i forcave policore në Serbi ndaj demonstruesve gjatë protestave kundër parregullsive në zgjedhje.

    Po ashtu, deputetët e Parlamentit Evropian dënojnë edhe sulmet verbale nga përfaqësuesit e pushtetit në Serbi ndaj vëzhguesve nga BE-ja, si dhe pohimet se vende të BE-së ishin përfshirë në organizimin e protestave pas zgjedhjeve, pohime të cilat nuk janë dëshmuar në asnjë rast.

    “Parlamenti Evropian ka shprehur edhe keqardhje për atë që e ka quajtur ‘mungesë e kritikave të zëshme nga Komisioni Evropian’, posaçërisht nga komisionari për zgjerim, në një varg dyshimesh për mashtrime zgjedhore në Serbi dhe bën ftesë që Komisioni t’i adresojë pa vonesa këto çështje që sollën deri te dyshimet”, thuhet në tekst.

    Shumë deputetë të Parlamentit Evropian, duke komentuar rezolutën e miratuar, kanë thënë se nga një shtet kandidat për anëtarësim në BE, siç është Serbia, duhet të respektojë vlerat e përbashkëta të demokracisë, e zgjedhjet e lira janë një prej standardeve themelore.

    Rezolutat e Parlamentit Evropian nuk e kanë fuqinë obliguese për BE-në, por paraqesin një qëndrim politik të këtij institucioni të BE-së.

    Raportet e organizatave monitoruese vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), tregonin se kishte parregullsi zgjedhore në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi. SNS-ja në pushtet dhe udhëheqja shtetërore i kanë hedhur poshtë këto akuza.

    Më 18 dhjetor, Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) njoftoi se zgjedhjet u përcollën me parregullsi, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti i shtetit Aleksandar Vuçiq, fushata negative dhe përhapje frike. /rel

  • ​Nënshkruhet kontrata për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, Aliu: Projekti më i stërzgjatur i ministrisë

    ​Nënshkruhet kontrata për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, Aliu: Projekti më i stërzgjatur i ministrisë

    Ministri i Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se sot është nënshkruar kontrata për nisjen e punimeve në zgjerimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë. Ai tha se për këtë projekt janë ndarë 25 milionë euro huamarrje nga Fondi Opec për Zhvillim dhe ai Saudit për Zhvillim.

    Në një konferencë për media, Aliu tha se projekti Prishtinë-Mitrovicë është njëri ndër projektet më të stërzgjatura të ministrisë.

    “Nënshkruam sot kontratën për zgjerimin dhe përfundimin e rrugës që e lidh Prishtinë me Mitrovicën, projekt ky i cili ka qenë temë diskutimi për një kohë të gjatë me probleme të shumta. Një ndër projektet më të stërzgjatura por që jemi duke shkuar drejt përfundimit të tij, meqë sot arritëm të nënshkruajmë kontratën… Bëhet fjalë për një projekt 25 milionë euro që është huamarrje nga fondi Opec për Zhvillim ndërkombëtar dhe në bashkëfinancim me fondin Saudit për Zhvillim. Projekt ky i cili ka procedura të tjera dhe i njëjti ka qenë në të dyja autoritetet dhe jemi detyruar të shkëpusim para një viti. Tash një vit është shkëputur kontrata edhe është paraprirë nga një proces i auditimit. Natyrisht për të filluar procedurë të re dhe për të angazhuar kompani mbikëqyrëse dhe për të arritur kontratën është procedurë që zgjatë një vit. Krahas këtij projekti jemi edhe në fazë të përmbylljes që kemi pas nga e kaluar me çështjen e shpronësimeve nga 180 milionë euro kemi arritur t’i dërgojmë në përfundim. Nga 400 milionë euro projekte të trashëguara me 70 milionë euro buxhet po arrijmë të hapim rrugë projekte të reja. Për projektin të cilin nënshkruam sot, kontratën dua të ju njoftoj që gjatësia është 9.78 kilometra dhe bëhet fjalë për segmentin nga Lumi i madh deri në Gojbulë”, tha Aliu.

    Ndërkaq,zëvendësministri Hysen Durmishi tha se afati kohor për përfundimin e projektit është një vit.

    “Sot jemi në ditën kur e kemi nënshkruar kontratën dhe jemi kujdesur që plani dinamik i punës të jetë i shkurtër, që nga sot janë 12 muaj kalendarikë jo ditë pune, pra sot një vit kontraktori e ka për obligim që të dorëzojë punishten e përfunduar, komplet këtë projekt. Do të kujdesemi që në fazën e parë të punojmë në segmentin kryesor deri në Vushtrri, dhe në pjesën e dytë deri bajpasin në Vushtrri që është më pak i ngarkuar në komunikacion, pra që në kohën kur vijnë mërgimtarët rruga pjesa kryesore të jetë e përfunduar në korrik-gusht, dhe mandej të vazhdojmë me segmentin tjetër”, tha Durmishi.

  • ​Marrëveshjet ndërkombëtare shkaktojnë debat mes pozitës e opozitës

    ​Marrëveshjet ndërkombëtare shkaktojnë debat mes pozitës e opozitës

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan ndryshimin e rendit të ditës me 61 vota për, 23 kundër dhe asnjë abstenim, ku si pikë të 12 futën çështjen e “shqyrtimit të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e BE-së, Evropa digjitale për periudhën 2021-2027”.

    Deputetja e LVV-së Jeta Statovci ishte e para që e bëri propozimin për futjen në rend dite të kësaj pike.

    Ajo u shpreh se miratimin e Projektligji synohet se marrëveshja ndërkombëtare për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë program të hyjë në fuqi.

    “Ky program ka për qëllim të rris qasjen digjitale të qytetarëve, të bizneseve dhe institucioneve përmes garantëve strategjike që avancojnë katër fusha kryesore, resurset kompjuterike, inteligjencën artificiale, shkathtësitë e avancuara digjitale dhe përshpejtimin dhe shfrytëzimin më të mirë të kapacitetet digjitale”, tha Statovci.

    E sa i përket këtij propozimi, kundërshtime pati nga ana e partive opozitare në Kuvend, PDK dhe LDK.

    Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se ky propozim është i palogjikshëm pasi që në rend dite janë 50 pika të rendit të ditës, dhe se LDK do të votojë kundër kësaj pike.

    “Propozimi i rendit të ditës është i pa logjikshëm sepse i kemi në rendë dite hiç më pak se 50 pika të rendit të ditës, e dyta është i pa arsyeshëm sepse deputete nuk e kanë parë materialin dhe nuk kanë pasur kohë ta shqyrtojnë e treta është e pa nevojshme sepse do të jetë joefektive, ju e dini se Kosova është nën sanksione nga BE kotë e miratojmë me procedurë të përshpejtuar këtë marrëveshje kur kjo nuk do të zbatohet, prandaj kjo për ne është e pa logjikshme, e pa nevojshme që kjo të hyje në procedura të përshpejtueseje dhe ne do të votojmë kundër”, tha Gashi

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri theksoi se miratimi i kësaj marrëveshje është i kotë kur sot Kosova është ende nën sanksione nga BE-ja.

    “Projekti Evropa digjitale periudhën 2021/2027 është një projekt shumë i rëndësishëm dhe do të ishim shumë me fat si Kosovë do të mund të marrim pjesë ne këtë projekt, miratimi i kësaj marrëveshje është më se e kotëm, sepse Kosova ka sanksione dhe pikërisht është e përjashtuar edhe nga ky projekt andaj nuk e di pse duhet me dal në votim sot kjo marrëveshje, ku Kosova nuk mund të jetë pjesë e saj. Është mirë të fokusoheni që këto masa të vendosura nga BE-ja të largohen sa më parë”, tha Tahiri.

    E ndaj kësaj reagoi shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ajo tha se argumenti që janë 50 pika në rend të ditës nuk është i logjikshëm.

    “Në argumentimin se janë 50 pika, një numër i konsiderueshëm i të cilave janë pika apo shqyrtime në lexim të dytë ose shqyrtime në lexim të parë që sipas gjasave shumë vështirë do të arrimë ti përfundojmë 8 marrëveshjet ndërkombëtare janë në pjesën e parë të ditës, andaj e konsiderojmë edhe praktike dhe natyrisht edhe tepër të rëndësishme përfshirjen e kësaj pike bashkë me 8 marrëveshje tjera. Secili deputet që ka postë zyrtare elektronike e ka materialin për këtë marrëveshje”, tha ajo.

    Ajo shtoi se argumenti se nuk e votojmë për shkak se Kosova është nën masa nga BE-ja, nuk qëndron. Pas kësaj pati sërish reagime nga ana e opozitës.

    Abelard Tahiri nga PDK tha se në korrik të vitit të kaluar, Komisioni Evropian e ka revokuar ftesën për këtë që po flasim.

    “Ajo që po e thotë Kusari-Lila nuk ka logjikë sepse në qoftë së se kishë qenë projektet që kanë qenë implementim e sipër nuk do të pezullohen masat atëherë i bien që vetëm ato të tashmë do të pezullohen, ne pikërisht 300 milion euro të viti të kaluar kanë qenë projektet e miratuara të cilat nuk kemi mundur të implementimit dhe nuk kemi mundur me i thith ato fonde, prandaj ajo që e tha Kusari-Lila është e pavërtetë”, tha Tahiri.

    Kundër replikë pati sërish nga deputetja Mimoza Kusari-Lila.

    “Këto masa që po i referoheni e të cilat po duket se po duan t’i mbështesin edhe deputetët e Kuvendit ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, janë thënë se ato nuk do të jenë subjekt i këtyre masave, e kjo ka të bëjë edhe me marrëveshjen në fjalë. Andaj me mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare qytetarët po sanksionohen jo vetëm nga BE-ja por edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha Kusari-Lila.

    Arben Gashi i LDK-së me replikë ai u shpreh se gjuha që po përdorë shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila është pafytyrësi.

    “Kjo gjuhë që po e përdor zonja Kusari është pafytyrësi. Të thuash që deputetët e Kuvendit po i mbështesin sanksionet ndaj Kosovës është poshtërsi. Që 227 ditë janë bërë që Kosova është në sanksione dhe nuk del kryeministri, shefi i Mimozës me tregu çfarë po bëhet, dhe del flet pa lidhje këtu. Është poshtërsi e zonjës Kusari-Lila në emër të LVV-së”, tha Gashi.

    Sërish kishte replikë nga Mimoza Kusari-Lila pas kësaj deklarate të deputetit Gashi, e cila tha se ajo vetëm ishte duke argumentuar atë ishte faktike.

    “Nuk e di çfarë gjuhe përdora dhe sinqerisht në asnjë mënyrë apo formë nuk dua t’i jap rast askujt këtu e aq më pak me ofru mundësi e me dështua mbështetja për marrëveshjet ndërkombëtare. Po argumentoj me atë që është faktike. Nuk përdora as fjale poshtërsi dhe as fjalë të cilat munden me u marrë si shkas për të thënë se mënyrën se si po i trajton deputetët tjerë. Unë mënyrën më demokratike dhe të civilizume po kërkoj mbështetje për marrëveshjet me të cilat përfiton një prej sektorëve më të rëndësishëm aktualisht dhe ai është sektori i Teknologjisë Informative”, tha ajo.

  • “Shuma me të cilën blihet makina e një biznesmeni shkon drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit” – Lulzim Tafa flet për paragjykimet kundrejt biznesmenëve

    “Shuma me të cilën blihet makina e një biznesmeni shkon drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit” – Lulzim Tafa flet për paragjykimet kundrejt biznesmenëve

    Lulzim Tafa në emisionin “LIBERO” foli edhe për një anë tjetër të karrierës së tij profesionale, atë të sipërmarrëesit.

    Ai tregoi për punën e tij si menaxher dhe themelues i institucioneve të ndryshme arsimore dhe mediale, duke cekur edhe paragjykimet me të cilat përballet si ndërmarrës.

    “…Paraja për biznesin është mjet pune kurse te të tjerët është mjet jetese… Të ardhurat në buxhetin e Kosovës i sjellë sektori privat dhe biznesmenët, njerëzit kur shohin në rrugë një makinë me vlerë të lartë e paragjykojnë mirëpo ajo shumë me të cilën është blerë makina shkon drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit…”, tha Tafa.

    Vlen të ceket se Lulzim Tafa është bashkëthemelues i “British School of Kosova”, si dhe i Televizionit “ATV”.

    Për të ndjekur intervistën e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • ​Zemaj: Qeveria Kurti po bën krim, tinëz i dha leje KELKOS-it për operim në Grykën e Deçanit

    ​Zemaj: Qeveria Kurti po bën krim, tinëz i dha leje KELKOS-it për operim në Grykën e Deçanit

    Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj e quan veprim tinëzar e krim të madh të qeverisë Kurti dhënien e lejes të kompanisë KELKOS për punime në Grykën e Deçanit. Ai tha se ministri i mjedisit, Liburn Aliu në mënyrë fshehur, pa konsultime me publikun e duke mos respektuar sipas tij as standardet minimale të transparencës plasoi me leje operimi kompaninë Tel Kos pa asnjë pengesë.

    Gjatë seancës plenare, Zemaj tha se në Grykën e Deçanit, vite më parë u ndërtuan katër hidrocentrale të cilat lanë me pasoja të mëdha natyrën si dhe shkatërruan atë, duke futur Lumbardhin edhe në gypa.

    “Mora fjalën për të ngritur një çështje shumë të rëndësishme që ka të bëjë me mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës. Bëhet fjalë për grykën e Deçanit temë e famshme të ndërtimit të disa hidrocentraleve e kjo temë u ri aktualizua si pasojë e një veprimi tinëzar të pushtetit të Albin Kurtit i cili fshehurazi pa konsultim me publikun pa respektuar as standardet minimale të transparencës plasoi me leje operimi kompaninë KELKOS duke dhënë hapësirë për veprime pa asnjë pengesë…Grykën e bukur të Deçanit vite më parë në emër të një investimi strategjik, jo që çdo kush është kundër investimeve, u ndërtuan katër hidrocentrale të cilat lanë pasojë të mëdha në natyrën e kësaj ane duke shkatërruar natyrën, duke futur Lumbardhin në gypa.”, tha Zemaj.

    Deputeti Zemaj theksoi se ndër më të zëshmit në mbrojtje të Grykës së Lumbardhit atë kohë ishin anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, për kohë sa ishin në ishin në opozitë. Ai shtoi se kundërshtimi i tyre zgjati derisa erdhën në pushtet.

    Zemaj vlerëson se kjo qeveri pajisi me leje vetë shkatërruesit e kësaj grykës. Sipas tij, në përgjigjet që pushteti i ka kthyer anëtarëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve rreth kësaj çështje, është pranuar se respektimi i ligjit është në dëshirën e kompanisë, për çka këtë e quajti “një krim të madh”.

    “Shumë herë reaguam në mbrojtje të Grykës së Lumbardhit bashkë me aktivist vullnetmirë të shoqërisë civile e ambientalisë. Por më të zëmshmit në kundërshtim ishin anëtarët e pushtetit aktual të Lëvizjes Vetëvendosje, kuptohet sepse ishin në opozitë. Kundërshtimi i tyre zgjati derisa erdhën në pushtet sepse të gjitha temat tjera edhe kjo grykës ishte vetëm levë për të ardhur në pushtet, kjo dëshmohet ke faktin se ministri i Ambientit, Liburn Aliu në mënyrë tinëzare, fshehurazi publikut pa asnjë konsultim paraprak me shoqëritë civile me komunën i ka thënë leje kompanisë KELKOS për operim pa asnjë pengesë…Bënë diçka që s’kishte bërë asnjë pushtet më herët pajisën me leje shkatërruesit e grykës siç i quanin edhe vetë ata. Po ashtu, në ditët e fundit, në përgjigjet që i kanë kthyer vetë anëtarëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve rreth kësaj teme, pushteti ka pranuar se respektimi ose jo i ligjit është në dëshirën e kompanisë. Ky është një krim i madh”, theksoi Zemaj.

    Së paku 40 vjet, një pjesë e Lumbardhit të Deçanit do të jetë në gypat e “KELKOS Energy”.

    Për gjithë këtë periudhë, kjo kompani tashmë posedon edhe leje për prodhim të energjisë elektrike nga Lumi, përmes dy hidrocentraleve, Bellaja dhe Deçani, por jo edhe për Lumbardhin II.

  • ​Luzha: Vetëm 3% e grave të Kosovës marrin pjesë direkt në politikë

    ​Luzha: Vetëm 3% e grave të Kosovës marrin pjesë direkt në politikë

    Vetëm tre për qind e grave janë të angazhuara direkt në politikë, ndërkohë që 11 për qind nuk kanë fare interesim për përfshirje. Kështu thonë të gjeturat e hulumtimit të fondacionit “Friedrich Eber”, të cilat u prezantuan nga profesoresha Besa Luzha. Në konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e lirisë së fjalës”, ku nikoqire është Agjencia e Lajmeve KosovaPress ajo tha se beteja e grave për përfshirje në skenën politike e media po vazhdon.

    Në panelin e dytë me temën “Hapat e inovacionit në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor”, Luzha tha se janë shqetësuese të gjeturat për gatishmërinë e grave që të punojnë.

    “Ka qenë shqetësuese për ne si hulumtues kur kemi parë një rezultat që rreth 49 për qind e grave që kanë deklaruar që do të punonin vetëm nëse janë detyruara, në kuptimin nëse i kanë kushtet të vështira. Kjo na ka shqetësuar shumë më shumë sesa ndoshta vetë fakti që ka shumë gra të papuna ende”, deklaroi Luzha.

    Profesoreshë e Universitetit të Prishtinës, Besa Luzha në konferencën ndërkombëtare, shtoi se beteja e grave për tu përfshirë në skenën politike e në media po vazhdon.

    “Në fillim ka qenë sfidë për të rritur pjesëmarrjen dhe angazhimin e gruas në jetën politike, ajo besoj që pak a shumë është rritur sepse ne kemi pasur një angazhim, në përgjithësi shoqëria, për të siguruar një herë prezencën përmes kuotës në parlament. Mirëpo, gradualisht gratë që kanë qenë të angazhuara kanë arritur që edhe pa kuotë të fitojnë votat e qytetarëve edhe me qenë prezente. Dhe, kjo është ajo skema që duket kur e fokusojmë tek pjesa e politikës. Është interesant, beteja vazhdon ende sepse derisa ne e shohim atë skenën politike edhe në media, prezencën pak më të madhe se përpara”, tha ajo.

    Në panelin e dytë të konferencën ndërkombëtare “Kufijtë e lirisë së fjalës”, Luzha shtoi se gratë po hezitojnë që të marrin pozita udhëheqëse.

    “Në një studim të fundit që e kemi bërë në fondacionin Friedrich Ebert, kam qenë kryesuese e procesit të hulumtimit, studimi është bërë vetëm për gratë e Kosovës, në të gjitha sferat, është shumë interesant kur tash e hap fokusin në krejt shoqërinë kosovare jo vetëm në skenë, e vëren që angazhimi i grave është ende shumë i vogël në jetën politike. Ne atë 30 për qind, 40 për qind që e shohim në parlament mund të jetë edhe një mashtrim optik në kuptimin që kemi arritur shumë sukses, por rezultati i vërtetë sipas hulumtimit, vetëm 3 për qind e grave të Kosovës janë realisht të angazhuara direkt në politikë. Vetëm 11 për qind e tyre kanë interesim me u marrë me politikë”, u shpreh ajo.

    Në konferencën ku nikoqire është KosovaPress, po marrin pjesë anëtarët e rrjetit më të madh evropian të agjencive të lajmeve EANA (www.newsalliance.org) si dhe atij të Evropës juglindore ABNA SE (www.abnase.com), rrjete këto ku KosovaPress-i është anëtar.

    Enkas për këtë konferencë, nga Kievi ka ardhur edhe Nataliya Kostina, shefe e Departamentit për Marrëdhënieve me Jashtë në Agjencinë Ukrainase të Lajmeve Ukrinform.

    Paneli i parë është fokusuar në sfidat bashkëkohore me të cilat përballen agjencitë e lajmeve dhe mediat në këtë periudhë të ndryshimeve të mëdha globale.

    Në panelin e dytë, folës është presidenti i Bordit të Prishtina MALL, Fatmir Zymberi, udhëheqësi i Kolegjit UBT Edmond Hajrizi, profesoresha universitare Besa Luzha, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Tualant Hodaj nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët do të paraqesin pikëpamjet rreth mundësisë së krijimit të sinergjive për mbështetje të iniciativave inovative që avancojnë prosperitetin shoqëror.

  • Sveçla: Siguria e Kosovës është sfiduar nga sateliti i Rusisë, Serbia

    Sveçla: Siguria e Kosovës është sfiduar nga sateliti i Rusisë, Serbia

    EULEX-i ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së medaljeve për shërbim në Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje për Njësinë e tij Policore të Specializuar Rezervë.

    Kjo njësi përbëhet prej 49 pjesëtarëve të Forcës së Xhandarmerisë Evropiane (EUROGENDFORCE) nga Italia, Lituania dhe Franca. Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme në këtë ceremoni tha se siguria po rrezikohet për shkak të etjeve për luftë, ambicieve për pushtim e tendencave për destabilizim e minim të paqes.

    Sveçla tha se edhe siguria e Republikës së Kosovës është sfiduar shumë herë në dy vitet e fundit nga sateliti i Rusisë në rajonin tonë, Serbia.

    Sipas tij brenda kësaj periudhe, kemi pasur 112 sulme ndaj pjesëtarëve dhe aseteve të Policisë së Kosovës.

    “Këto sfida me të cilat vazhdojmë të ballafaqohemi akoma, kulmuan me kidnapimin e tre zyrtarëve tanë policor thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, me sulmet brutale ndaj ushtarëve të KFOR-it e me sulmin terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë zyrtari policor, rreshter Afrim Bunjaku”, deklaroi Sveçla.

    Nderkohë, Giovanni Pietro Barbano, shef i Misionit EULEX në Kosovë tha se ky mision ka për qëllim ofrimin e sigurisë pa dallim përkatësie etnike dhe llogaridhënies pa ndërhyrje politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane./RTK/

  • “Nuk ke nevojë me u ba nervoz”, përplasje mes Muratit e Tahirit për pagën minimale

    “Nuk ke nevojë me u ba nervoz”, përplasje mes Muratit e Tahirit për pagën minimale

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, janë përplasur lidhur me pagën minimale, raporton EO.

    Murati tha se është pikërisht partia e Tahirit që ka bllokuar rritjen e pagës minimale, duke e çuar ligjin në Gjykatën Kushtetuese

    “Sa i përket pagës minimale, më lejoni t’ua rikujtojë se paga minimale ka një vit e ca që ne e kemi sjellë në Kuvend si qeveri dhe është vonuar pikërisht në Kuvend sepse opozita ka penguar votimin e pagës minimale. Megjithatë, vitin e kaluar, në muajin korrik, Projektligji që mundëson rritjen e pagës minimale ka kaluar në kuvend. Mirëpo është një subjekt politik që e ka dërgu në Gjykatë Kushtetuese për me blloku rritjen e pagës minimale dhe është pikërisht subjekti politik i deputetit Besnik Tahiri që e ka bë këtë gjë, pra dhjetë deputetë kanë mbledh nënshkrimet për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe prej asaj kohe, ligji që mundëson rritjen e pagës minimale është i bllokuar në Kushtetuese”, tha Murati.

    Sipas Muratit, nga rritja e pagës minimale do të përfitonin edhe të gjithë të punësuarit meqë do të rritej pragu i pagës që lirohet nga tatimi.

    “Prandaj, para se të kërkojë deputeti Besnik Tahiri që të rritet paga minimale dhe para se ta akuzojë qeverinë pse spo e rrit pagën minimale, duhet t’ju tregojë qytetarëve se është pikërisht ai që ka nënshkruar për me dërgu në Kushtetuese dhe me i lanë mbi 100 mijë qytetarë që përndryshe kishin përfitu nga rritja e pagës minimale dhe të gjithë të punësuarit do të kishin përfitu për shkak se rritet pragu i pagës që lirohet nga tatimi”, tha ministri.

    Muratit i replikoi Tahiri, i cili tha se paga minimale duhet të jetë së paku 450 euro. Në fillim të replikës, ai iu drejtua ministrit duke i thënë “Ministër nuk ke nevojë me u bë nërvoz”.

    “Te paga minimale, ne s’kemi pas rrugë tjetër sepse s’kemi si ju ballafaqojmë juve si ministër dhe qeverinë përveç shfrytëzimit të dokumenteve demokratike. Ju e keni hjek nenin për veteranët UÇK’së dhe keni vendos pagë minimale, pagë e cila nuk ka pagë më të vogël se 250 euro në sektorin privat. Paga minimale duhet me qenë së paku 450 euro, siç ka propozu AAK’ja dhe mbi këtë bazë ka qenë ankimimi jonë në Kushtetuese. Te shohim çfarë vendimi do të merr Gjykata Kushtetuese”, tha Tahiri.

    Murati e mori fjalën sërish ku tha se AAK’ja gjatë fushatës kishte premtuar pagë minimale 1 mijë euro, por se kur e kishin marrë pushtetin i kishin ngritur pagat e tyre.

    “Sa i përket pagës mimimale e propozimit të juaj për 400, mua edhe më kujtohet që ju në fushatë patët premtu pagë minimale 1 mijë euro, por kur keni ardh në pushtet ia keni rrit vetës e jo pagën minimale”, tha Murati.

  • ​Alarmon Haxhiu: Sistemi shëndetësor mund të kolapsojë nga ikja e mjekëve

    ​Alarmon Haxhiu: Sistemi shëndetësor mund të kolapsojë nga ikja e mjekëve

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka ngritur alarmin për ikjen nga vendi të profesionistëvese shëndetësorë.

    Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Haxhiu ka thënë se për tri vite, mbi tre mijë profesionistë shëndetësorë kanë lëshuar vendin.

    Në fjalën e tij, Haxhiu tha se nëse vazhdon ky trend, sistemi shëndetësor do të kolapsojë.

    “Për tri vite, mbi 600 mjekë, mbi 2500 infermierë, fizioterapeutë, teknikë të radiologjisë, teknikë mjekësorë, kanë ikur. Pra, janë më shumë se 3100 profesionistë shëndetësorë që kanë ikur nga Kosova në tri vitet e fundit. Kjo është shumë shqetësuese. Nëse ky trend vazhdon me këto shifra alarmante të ikjes së profesionstëve shëndetësorë, sistemi ynë shëndetësor do të kolapsojë. Prandaj është koha që koka të kthehet nga shëndetësia jonë, sa nuk është bërë tepër vonë”, ka thënë ai.

    Ai gjithashtu kritikoi Qeverinë për mosndarjen e buxhetit për riparim të protezave të invalidëve të luftës, teksa bëri thirrje për reflektim nga ana e deputetëve.

    Kur për 4 vitë qeveria nuk ndanë buxhet për riparim të protezave të invalidëve të luftës, kur një sistem shëndetësor nuk ofron shërbim të kujdesit ndaj invalidëve të luftës për riparim të protezave, cfarë mund tjetër të presim nga kjo qeveri. Qeveria është vonuar, por është detyrë e deputetëve për të reflektuar që gjendja në shëndetësinë tonë për ta përmirësuar”, tha ai.

  • ​Haradinaj: LS po i kthehet Kuvendit në mungesë të aktakuzës për Radojiçiqin

    ​Haradinaj: LS po i kthehet Kuvendit në mungesë të aktakuzës për Radojiçiqin

    Ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj ka reaguar pasi deputetët e Listës Serbe u panë sot në Kuvendin e Kosovës për t’u nënshkruar vetëm sa për të vazhduar mandatin.

    Ajo tha se kjo po ndodh pasi ende ka mungesë të aktakuzës për terroristin Milan Radojiçiq dhe pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka ndarë 360 mijë euro këtij subjekti politik, përmes të cilit Serbia planifikoi agresionin në Banjskë të Zveçanit.

    “Organizata kriminale ‘Lista Serbe’ mbetet e papenguar ligjërisht dhe e pasfiduar politikisht! Mungesa e aktakuzës për (tani-ish) nënkryetarin e organizatës kriminale ‘Lista serbe’ Millan Radojçiq, dhe vazhdimi i financimit të shtetit të Kosovës me 360 mijë euro për këtë organizatë përmes së cilës Serbia planifikoi e ekzekutoi agresionin terrorist në Banjskë (ku mbet i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku) – mundësoi që kjo organizatë kriminale të rikthehet në Kuvendin e Kosovës sot e papenguar ligjërisht dhe e pasfiduar politikisht!”, ka shkruar ajo në X.