Hapet seanca e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara ku pritet që të adresohen disa çështje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkaq diskutimi pritet të nis çdo minutë, ku fjalën e parë e ka marrë shefja e UNMIK-ut, Karoline Zijade.
Në këtë seancë tashmë janë duke marrë pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Serbia e ka thirrur seancën emergjente për të diskutuar rreth asaj, që ajo e propagandon për “krizë humanitare” dhe “spastrim të heshtur etnik” pas zbatimit të Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës ku ndalohet valuta serbe (dinari).
I gjithi peshon rreth 250 tonë, ndërsa për shkak të kushteve infrastrukturore shpejtësia maksimale me të cilën udhëton, është 60 kilometra në orë.
Ky është i vetmi tren aktiv për transport të udhëtarëve nga Prishtina në Pejë dhe anasjelltas.
Megjithatë, Kosova së shpejti pritet të ketë më shumë binarë e trena të shfrytëzueshëm, pasi dy nga tre fazat për rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Hani Elezit deri në Leshak të Leposaviqit, janë afër përfundimit.
“Atje do të thotë janë dy kontrata, po zhvillohen punimet paralelisht, është para përfundimit pjesa e parë nga Hani Elezit deri në Fushë-Kosovë dhe po zhvillohen punimet me dinamikë shumë të mirë nga Fushë-Kosova në Mitrovicë, për të vazhduar me segmentin e tretë që është nga Mitrovica deri në kufi në Leshak”, tha zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
Hekurudhat e reja të Kosovës, sipas zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, do të jenë dukshëm më moderne.
“Ne do ta kemi edhe një fazë tjetër që është elektrifikimi i komplet linjës hekurudhore, pra ajo po bëhet me standarde të larta, një hekurudhë moderne që i plotëson të gjitha kriteret”, tha Durmishi.
Elektrifikimi i hekurudhës, sipas profesorit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Sadullah Avdiu, nënkupton tren më të shpejtë, por edhe vagonë më komodë, sidomos për udhëtarët.
“Elektrifikimi përjashton edhe këta vagonë që i kemi për udhëtarë, nuk i plotësojnë kriteret e lëvizjeve të shpejta… Projekti që është bërë për Han të Elezit e që vazhdon për Mitrovicë, duhet të jetë 100 deri 120 km/h, që kërkojnë lokomotiva të tjera dhe kërkojnë sidomos vagonë të udhëtarëve”, tha Avdiu.
Avdiu thotë se përdorimi i hekurudhave ofron përparësi mjedisore, si dhe financiare.
Synimi kryesor i institucioneve është lidhja hekurudhore e Kosovës me korridore ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të Infrakosit, hekurudhat e Kosovës shtrihen në tërë territorin e vendit, me një gjatësi prej mbi 335 kilometra.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, të enjten paradite, u ul në bankën e të akuzuarit, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ai po vazhdon ballafaqimin me drejtësinë me akuzat se sa ishte deputet në vitin 2016, hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.
Dëshminë ndaj akuzave për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm gjatë kësaj seance e nisi ish-nënkryetari Sabri Hamiti. Ai duke u përgjigjur në pyetjet e Prokurorisë, tha se përfaqësuesit e Vetëvendosjes ishin ata që kishin hedhur gazin lotsjellës.
E në pyetjet nga ana e mbrojtjes së Konjufcës, se nga gazi lotsjellës a ishte ndier i shqetësuar, Hamiti tha se ndihet i shqetësuar edhe nëse dikush gënjen.
Se ishte pamundësuar vazhdimi i punës në Kuvend, shkaku i gazit treguan edhe dëshmitarët Valdete Bajrami e Slobodan Petrovic. Por ata thanë se nuk e panë se ishte Konjufca ai që hodhi gaz.
Ndërkohë, mbrojtja nuk u pajtua me Prokurorinë, e cila u thirr në procesverbalin e mbledhjes së Kryesisë, të cilin e paraqiti edhe si provë.
Gjatë kësaj seance në plan ishte të dëgjohej në cilësinë e dëshmitarit edhe Pal Lekaj, por ajo u shty me kërkesë të Konjufcës, i cili nga Gjykata ditën e vazhdoi në Kuvendin e Kosovës.
Paditë ndaj Ministrisë së Mbrojtjes për moskompensim të diferencës në pagë, sipas gradës së pjesëtarëve, po shkojnë duke u shtuar. Mirëpo, ky dikaster ka gjasë të mos i marrë parasysh vendimet e gjykatave, meqë nuk e njeh rregulloren që e obligon rritjen e rrogës për ushtarët.
Në një përgjigje për ATV-në, Ministria përmendi një vendim të para një viti e gjysmë.
“Jemi në dijeni për disa padi, por kjo rregullore në shtojcën që ka të bëjë me pagat është pezulluar me vendimin e Qeverisë N.10/21 të datës 28.07.2021. Nuk mund të parashohim buxhet për një rregullore që nuk është në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Interpretim të kundërt ka avokati Visar Rrecaj që përfaqëson dhjetëra pjesëtarë të FSK-së. Sipas tij, rregullorja vazhdon të jetë në fuqi.
Veç në rastin e pagës, rregullorja e nënshkruar në kohën e Ramush Haradinajt, sipas avokatit, nuk u zbatua as në raste të tjera.
ATV-ja, javë më parë, kishte raportuar për një aktgjykim ku Gjykata Themelore në Pejë, vendosi në favor të pjesëtarit të FSK-së, teksa rasti është në Gjykatën e Apelit dhe ende nuk është i plotfuqishëm.
Ndryshe, rregullorja parashihte që sipas gradave, pjesëtarët të marrin këto paga: ushtari 525 euro, ushtari i klasës së parë 580 euro, tetari 641 euro, ndërsa rreshteri 708 euro.
25 milionë euro është vlera e kontratës që u nënshkrua me qëllim zgjerimin e rreth 10 kilometrave të magjistrales që e lidh Prishtinën me Mitrovicën.
Punimet për segmentin nga Lumi i Madh deri në Gojbulë ishin ndërprerë vitin e kaluar, ndërkaq, sipas kontratës, duhet të përfundojë brenda një viti kalendarik.
Kontrata e deritanishme për ndërtimin e këtij segmenti u shkëput një vit më parë për, siç tha zëvendësministri i Infrastrukturës, shkak se auditori kishte gjetur “parregullsi”.
Për këtë tender kishin aplikuar 6 konsorciume. Sipas ministrit Aliu, puna iu besua njërit prej tyre, pjesë e të cilit është kompania Ekskavatori, meqë kishte ofertën me çmimet më të ulëta.
Zgjerimi i rrugës në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë ka nisur tash e më shumë se 14 vjet, ndërkaq nga 38 kilometra sa është gjatësia e kësaj rruge, gjatë gjithë kësaj periudhe kanë përfunduar mbi 20 kilometrat e para nga kryeqyteti.
ATV-ja raportoi ekskluzivisht të mërkurën mbrëma, se kontrata për përfundimin e kësaj rruge do të nënshkruhej më 8 shkurt.
8 marrëveshje ndërkombëtare ishin në rend dite në seancën e së enjtes të Kuvendit. Përveç tyre u propozua që të futet edhe një tjetër.
Pavarësisht që votat u mblodhën e propozimi i tillë u miratua, marrëveshjet ndërkombëtare mbetën pa u votuar për shkak të mungesës së kuorumit.
Derisa ishin 50 pika në rend dite, njëra prej tyre ishte edhe themelimi i komisionit hetimor parlamentar lidhur me punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Por, derisa vetë ministrja Gërvalla nuk ishte e pranishme në seancë, kolegët u kujdesën që për punën e dikasterit të saj të thurin lëvdata.
Gërvalla më vonë u deklarua nëpërmes llogarisë së saj në Facebook, duke thënë se opozita ka zgjedhur të diskutojë mbi punën e Ministrisë në ditën kur pritet ballafaqimi me presidentin e Serbisë.
Komisioni për punën e MPJD-së ishte vetëm njëri prej dy komisioneve të propozuara respektivisht ai për përgjegjësitë e Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret në Institutin e Mjekësisë Ligjore e zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit.
Për të dy komisionet nuk pati vota të mjaftueshme të themelohen.
Ndërkohë, pas mungesës prej gati 5 muajsh në seancën e së enjtes u paraqitën edhe deputetët e Listës Serbe, megjithatë vetëm për të siguruar vazhdimin e mandateve. Pas qëndrimit disaminutësh, ata lëshuan sallën.
Ndërkohë, Kuvendi dështoi ta miratojë edhe një rezolutë që kërkon uljen e çmimit të rrymës.
Vendimi për këmbimin e pronave në Badoc, u shfuqizua këtë të enjte nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. Pikërisht këtë vendim e priti Partia Demokratike e Kosovës, për të prishur dhe koalicionin me Lidhjen Demokratike, pas dy vjetëve.
Kryetari i PDK-së, në Prishtinë, Uran Ismajli, përmes një shkrese tha se nuk do të jenë pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik.
“Pasi shfuqizuam vendimin për Badoc, shkëpusim koalicionin qeverisës në Prishtinë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës sot, PDK-ja mundësoi kuorumin dhe votoi pro shfuqizimit të vendimit për këmbimin e dëmshëm të pronave në Badoc. Sapo dërgova shkresën zyrtare te Përparim Rama për të komunikuar vendimin për shkëputjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë. Drejtorët e drejtorive komunale dhe aksionarët e PDK-së në ndërmarrje publike kanë dhënë dorëheqjet e tyre. Ne nuk do të jemi pjesë e një qeverisjeje që dëmton interesin publik, ku mungon komunikimi, ku puna e mirë nuk vlerësohet dhe meritokracia përbuzet. Duke mos dashur asnjëherë që Prishtina të bllokohet, jemi tërhequr nga të gjitha pozitat për të hapur rrugë për krijimin e një shumice të re në Kryeqytet”, ka njoftuar Ismajli.
Megjithatë, pak para votimit për këtë vendim kryetari i komunës së Prishtinës, paralajmëroi këshilltarët komunalë se barrën e pasojave do ta bartin vetë.
“Ju e dini saktë çka thotë manuali për këmbim të pronave. Prandaj, sot vendimmarrja është në dorën tuaj si organ kompetent, secilin vendim qe do ta merrni mund të ketë pasoja në të ardhmen. Unë si kryetar i kryeqytetit, ashtu siç më obligon ligji, jam i obliguar që t’i zbatojë vendimet e Kuvendit të Kryeqytetit. Mirëpo, përgjegjësia dhe pasojat e mundshme janë tuajat”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Madje, kryetari bashkë me drejtoreshën e pronave, fajin për këtë këmbim ia hodhën qeverisjes së kaluar.
Para votimit, seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit komunal të Prishtinës e braktisën asamblistët e LDK-së.
Filiali i Thesarit të Serbisë në Leposaviq, punoi edhe të enjten. Mirëpo, në kasafortën e këtij institucioni paralel nuk janë 117 milionë dinarët, që u kthyen në kufirin në Jarinjë, një ditë më parë.
Me hyrjen në fuqi të rregullores së BQK-së, që e delegjitimon monedhën serbe, as nuk do të lejohet importi i keshit nga Banka Popullore e Beogradit.
Për më tepër, ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë se institucionet në Prishtinë duhet të urdhërojnë mbylljen e këtij filiali në komunën më veriore të Kosovës, i cili mund të ketë shërbyer edhe për veprimtari të errëta.
Si zgjidhje e mundshme në këtë situatë, të mërkurën, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, e përmendi Zonën e Pagesave Vetëm me Euro, e njohur si SEPA, që aplikohet në Bashkimin Evropian.
Ekonomisti Erton Bega thotë se Bankat Qendrore të Kosovës e Serbisë do të përfitonin nga principet e këtij sistemi të pagesave.
Në këtë skenar, sipas Begajt, nuk do të kishte më nevojë për import të dinarëve, siç ka ndodhur deri tash.
Banka Qendrore dhe Qeveria nuk janë përgjigjur nëse kanë në plan të veprojnë në Thesarin serb brenda Republikës, siç nuk është bërë e ditur nëse ka ndodhur ende komunikimi me Bankën Nacionale Serbe, lidhur me rregulloren që është në ditën e shtatë fuqiplotë.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim një delegacion të përbërë nga deputetë të Bundestagut gjerman. Deputetët gjermanë u shoqëruan në këtë takim dhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Gjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi deputetët gjermanë për vizitën në Kosovë, duke shprehur mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës, progresin dhe zhvillimin e vendit.
Ai i prezantoi më tej deputetët me situatën në vend dhe objektivat e synimet e qeverisë, duke veçuar ato në integrimin evropian si proces me prioritet të lartë për vendin tonë, si dhe të arriturat në rrafshin ekonomik në indikatorë relevantë dhe atë të sundimit të ligjit. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se secilën politikë të cilën po e zbatojmë, e ka vetëm një qëllim, e atë në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve të vendit.
Më tej u cekën dhe tema si arritja e liberalizimit të vizave, bashkëpunimi rajonal, procesi i dialogut dhe akti i agresionit të Banjskës. Mbi këtë të fundit, deputetët Josip Juratovic dhe Thomas Hacker, përgëzuan Policinë e Kosovës për reagimin e matur dhe shfaqën shqetësimin për arsenalin e madh të armatimit të gjetur.
Në përfundim, zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi përsëri deputetët për vizitën si dhe për bisedën e zhvilluar dhe pikëpamjet e ndara.
Kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, deklaroi se perceptimi i shtetasve maqedonas ndaj shqiptarëve atje ka ndryshuar ndjeshëm.
Por ai nënvizoi se vendi fqinj nuk është ende gati për një president shqiptar siç kërkohet nga opozita shqiptare.
Xhaferi shprehu keqardhje për sjelljen e partive opozitare shqiptare në seancën parlamentare ku u votua për kryeministrin e parë shqiptar në historinë e Maqedonisë së Veriut./rtsh/