ATV

Category: Lajme

  • Sot mblidhet Kuvendi, në rend dite nëntë marrëveshje ndërkombëtare për t’u ratifikuar

    Sot mblidhet Kuvendi, në rend dite nëntë marrëveshje ndërkombëtare për t’u ratifikuar

    Kuvendi i Kosovës do të mblidhet edhe sot.

    Në këtë seancë parlamentare pritet të shqyrtohen tri propozim-amandamente Kushtetuese (28. 29, 30).

    Në rend të ditës po ashtu janë edhe 17 pika, brenda tyre ratifikimi i nëntë marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Rendi i ditës:

    1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
    5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
    7. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
    8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,
    9. Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,
    10. Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,
    11. Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,
    12. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
    13. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
    14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës,
    15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave,
    16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-277 për sport,
    17. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile.

  • Bislimi raporton për dialogun në Komisionin për Punë të Jashtme

    Bislimi raporton për dialogun në Komisionin për Punë të Jashtme

    Sot do të mblidhet Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

    Aty do të raportojë zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, në lidhje me dialogun e Kosovës me Serbinë.

    Ndryshe dje zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, përmes platformës ‘X’ ka kritikuar përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për qasje jo të drejtë në procesin e normalizimit ndërmjet dy vendeve.

  • Blinken sot në Tiranë, kjo është agjenda

    Blinken sot në Tiranë, kjo është agjenda

    Dy marrëveshje do të nënshkruhen mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë vizitës që do ta ketë sot në Tiranë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken.

    Këshilli i ministrave, ka miratuar në parim marrëveshjet të cilat kanë të bëjnë me një program të shkëmbimit akademik “Fullbright” si dhe memorandumi i bashkëpunimit Shqipëri-SHBA kundër manipulimit të informacionit të shtetit të huaj, që ka të bëjë me bashkëpunimin në mbrojtjen nga sulmet kibernetike.

    Agjenda e Blinken

    Vizita e tij 10-orëshe pritet të startojë të enjten në orën 11:00 kur do të zbresë në aeroportin “Nënë Tereza” dhe nga ku do të nisë edhe turin e takimeve.

    Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama pritet të jenë zyrtarët më të lartë shtetërorë, të cilët do të zhvillojnë takime kokë më kokë me kreun e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku mesazhet që do të përcillen do të jenë për të ardhmen e Shqipërisë, Ballkanit Perëndimor dhe Europës, gjatë një deklarate të përbashkët ndërmjet Ramës e Blinken.

    Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Blinken do të ketë pjesë të delegacionit edhe ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila tashmë ka një detyrë më të lartë në DASH.

    Agjenda e Blinken në Tiranë do të mbyllet me një takim me rreth 100 të rinj që kanë qenë pjesë e programeve mbështetëse të ambasadës amerikane.

  • Zëdhënësi i DASH-it: SHBA-ja është e përkushtuar që në mënyrë diplomatike të zgjidh çështjen e dinarit serb

    Zëdhënësi i DASH-it: SHBA-ja është e përkushtuar që në mënyrë diplomatike të zgjidh çështjen e dinarit serb

    Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka deklaruar se SHBA-ja është e përkushtuar që në mënyrë diplomatike të zgjidh çështjen e dinarit serb në Kosovë.

    Në një konferencë për media, Miller ritheksoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Ne kemi për qëllim të jemi aktivë në përdorimin e mjeteve diplomatike për të adresuar këtë problematikë. Dëshirojmë që palët të rikthehen në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe, përveç kësaj, nuk do të dëshiroja të bëj parashikime për veprime të veçanta nga pozita ime,” u shpreh Miller.

    Gjithashtu, ai është pyetur në lidhje me vizitën e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë dhe nëse do të ketë ndonjë mesazh për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që do të transmetohet përmes Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

    “Ju lutem, më lejoni të them se cili do qoftë përmbajtja e komunikimit të Sekretarit me kryeministrin Rama, preferoj të presim dhe të dëgjojmë prej tyre në mënyrë private. Sekretari do të ketë një konferencë për shtyp më vonë në Shqipëri, ku pritet të flasë rreth asaj takime”, u shpreh Miller.

    Më 1 shkurt 2024 ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës e cila thekson se valuta e vetme në Kosovë është euro.

    Kjo ka ngjallur edhe reagimin e faktorit ndërkombëtar.

    BE dhe SHBA ka kërkuar një periudhë tranzicioni për zbatimin e kësaj rregulloreje.

  • Nga 25 marsi Japonia i heq vizat për kosovarët që kanë pasaporta diplomatike

    Nga 25 marsi Japonia i heq vizat për kosovarët që kanë pasaporta diplomatike

    Nga 25 marsi Japonia do t’i heq vizat për shtetasit e Kosovës që posedojnë pasaporta diplomatike dhe zyrtare.

    Kjo u bë e ditur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Japonisë, me rastin e ditëlindjes së perandorit.

    “I shprehim mirënjohjen e sinqertë Qeverisë japoneze për vendimin e saj për të hequr kërkesat për viza për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, duke filluar nga 25 marsi , një moment historik i rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe”, tha ai.

    Numri një ka vlerësuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, duke shpresuar në thellimin e tyre.

  • “Zemër ke dështu!” – Rinia e LDK së me performancë simbolike për 14 Shkurt

    “Zemër ke dështu!” – Rinia e LDK së me performancë simbolike për 14 Shkurt

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Trevjetorin e Qeverisë, Kurti 2 e shënoi edhe rinia e LDK-së. Me një aksion simbolik të mërkurën, forumi rinor i kësaj partie e kritikoi qeverinë për një mori dështimesh.

    “Sot në ditën e të dashuruarve, jemi mbledhur këtu me një aksion simbolik për t’ia rikujtuar qeverisë se po u përfundon mandati me dështime në përmirësimin e jetës së qytetarëve në Kosovë, në çdo fushë. Në vitin e saj të katërt, kjo qeveri po vazhdon me dështime në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, në marrëdhënie ndërkombëtare, në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, në energji, dhe në secilën sferë tjetër”, tha Paris Guri nga Forumi Rinor i LDK-së.

    Shtrenjtimi i produkteve bazë, shtrenjtimi i çmimit për rrymë e shumë arsyeje të tjera po detyrojnë të rinjtë të largohen nga Kosova thanë nga LDK-ja.

    “Çdo dite qindra te rinj po nisen drejt Evropës sepse vendin ku linden nuk po e shohin me si alternativë ndërsa perspektiven për realizimin e potencialit te tyre po e kërkojnë jashtë vendit”, tha Guri.

    Aktiviteti i të rinjve të LDK-së nuk ishte paralajmëruar në Polici andaj forcat e rendit dolën për ta mbikëqyrur situatën. njëkohësisht për aktivistët u shqiptuan gjoba.

    Të rinjtë e LDK-së kanë shpërndarë edhe fletushka në formë të zemrës për qytetarët.

  • Drejtori i “Telekom Srbija” bën kallëzim penal ndaj kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi

    Drejtori i “Telekom Srbija” bën kallëzim penal ndaj kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi

    Përgatiti: Haris Ademi

    Kompania e telefonisë mobile “Telekom Srbija” thotë se ka arritur të gjejë rrugë dytësore për ta rikthyer sinjalin tek pesë mijë përdorues, serbë të veriut.

    Valët u ndërprenë për shkak të prishjes së stacionit bazë në çatinë e komunës së Leposaviqit, për çka punëtorët e MTS ishin ankuar se nuk i ka lënë të intervenojnë, kryetari Lulzim Hetemi.

    Për këtë veprim, drejtori i Telekom Srbija, Vladimir Luçiq, e akuzoi Hetemin për pengim të punës në baza etnike.

    “Kemi bërë kallëzim penal kundër Lulzim Hetemit, sepse e ka keqpërdorur pozitën zyrtare. Ai ka dëmtuar pronën private dhe me dashje ka ndërprerë sinjalin në celularët e qytetarëve, vetëm sepse janë serbë. Dhe ai në fakt ndërpret sinjalin dhe merr pajisje, vetëm sepse ne jemi kompani serbe. për këtë i kemi informuar edhe ambasadat dhe bashkësinë ndërkombëtare”, tha Luçiq.

    Nga komuna e Leposaviqit nuk dhanë komente për ATV-në lidhur me këtë çështje.

    Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje më 2013 lidhur me komunikacionin, në të cilën përmendet autorizimi i përkohshëm i një kompanie, deri sa të bëhet licencimi i plotë nga autoritetet e Kosovës.

    Në këtë rast, politologu Fidan Ukaj vlerëson se marrëveshja e Brukselit nuk është jetësuar.

    Ukaj thotë se synimi i Serbisë është që ta shtojë këtë temë në diskutimet në Bruksel.

    Pas ardhjes së Hetemit në pozitën e kryetarit, në komunën më veriore të Kosovës është përforcuar sinjali i operatorit të telefonisë mobile “Vala”.

  • Kurti: Kosova s’ka aleate dhe mike më të rëndësishme se SHBA-në

    Kurti: Kosova s’ka aleate dhe mike më të rëndësishme se SHBA-në

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përkundër qortimit publik dhe paralajmërimit nga Ndihmës Sekretari i Shtetit, James O’Brien, kryeministri Albin Kurti është i bindur se partneriteti i Qeverisë së tij me SHBA-në nuk është vënë në pikëpyetje.

    I pyetur për deklaratën e O’Brien se SHBA-ja nuk do ta trajtojë si partnere Qeverinë e Kosovës nëse ajo nuk e trajton SHBA-në si të tillë, Kurti përsëriti qëndrimin paraprak lidhur me dinarin.

    “Republika e Kosovës nuk ka partner aleat dhe mik sikurse SHBA-në, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e rregullores së saj”, tha Kurti.

    Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, theksoi qeveria duhet t’i marrë shumë seriozisht porositë e O’Brien.

    “Pozicioni i tij është shumë i rëndësishëm dhe Kosova duhet të bëj kujdes… Amerikanët nuk kërkojnë lëshime, amerikanë kërkojnë Kosovën me vizion euro-atlantik, pra një Kosovë e mençur që di ta ecë agjendën e saj politike deri në NATO. Dhe, bëjnë vërejtje për veprime tona të njëanshme dhe për këto fitoret e vogla ditore që po i shkaktojnë pasoja synimit tonë strategjik”, tha Haradinaj.

    Pasi tha se qasja e Qeverisë në raport me SHBA-në është e papranueshme, ish-zëvendëskryeministri Driton Selmanaj vlerësoi se ky është qortimi më i rëndë diplomatik ndaj Kosovës.

    “Qortimin amerikan nuk e shoh në kontekst vetëm për këtë veprim, janë një sërë veprimesh të kësaj qeverie në tre vjet që ka ardhë deri te qortimi i rëndë nga aleati ynë strategjik. Ata nuk po thonë që nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë, që Kushtetuta jonë nuk e thotë këtë, ata po na thonë që veprime të tilla duhet të merren të koordinuara. Dhe unë mendoj se po të mos ishin veprimet e koordinuara nuk do ta kishim as pavarësinë e Kosovës”, tha Selmanaj.

    Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brien, e vlerësoi të pamjaftueshme periudhën tre mujore dhe 10 masat e prezantuara nga BQK-ja, si dhe kërkoi pezullimin e rregullores dhe angazhim për zgjidhjen e problemit.

  • Marrëveshja me Danimarkën për burgje të enjten në rend dite në Kuvend

    Marrëveshja me Danimarkën për burgje të enjten në rend dite në Kuvend

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Në burgun e Gjilanit, të dënuarit danez do ta vuanin dënimin, nëse Marrëveshja me Danimarkën për shfrytëzimin e hapësirave të burgut, do të votohej me kohë edhe nga opozita.

    Kjo marrëveshje për herë të dytë të enjtën do të jetë në rend dite në seancën plenare. Megjithatë Partia Demokratike e Kosovës, nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me të.

    “Partia Demokratike e Kosovës tashmë disa herë e ka qartësuar pozicionin e saj sa i përket mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ne kemi thënë që nuk do të votojmë asnjë marrëveshje përderisa nuk ka një dakordsi, ose marrëveshje për zgjedhje të reja”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

    As brenda LDK-së nuk ka unanimitet të plotë.

    “Brenda LDK-së është diskutuar gjatë çështja e kësaj marrëveshje, më duhet të them që nuk ka unanimitet të plotë, të them një vendimmarrje unanime të Grupit Parlamentar të LDK-së që të ketë një mbështetje të plotë për shkak të dallimeve që ka brenda grupit për disa arsye”, tha deputetja e LDK-së, Driton Selmanaj.

    Ndryshe nga PDK e LDK, marrëveshja do të votohet nga AAK-ja.

    “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Do të votojë edhe këtë marrëveshje ndërkombëtare. Kemi qenë të informuar kësaj radhe edhe prej ministrit, por edhe më herët për përmbajtjen”, tha deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.

    Por partia në pushtet, mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e quan inat.

    “Për fat të keq, sidomos Grupi Parlamentar i PDK-së, ka vendosur që të mos votojë asgjë në Kuvendin e Kosovës dhe tashmë po mbetet peng. Unë uroj që takimi i përfaqësuesve të Grupit Parlamentar me ministrin danez të Drejtësisë do t’i bëjë që të reflektojnë dhe ta votojnë këtë marrëveshje. Sepse në të kundërtën i lëndojmë raportet bilaterale dhe strategjike me partnerin tonë që është Mbretëria daneze në këtë rast”, tha deputeti i LV-së, Adnan Rrustemi.

    Marrëveshja për burgje ishte ratifikuar në parlamentin danez në vitin 2022. Ndërkaq, Kosova dhe Danimarka në dhjetor të vitit 2021 kanë nënshkruar një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim Danimarkës.

  • Ndonëse nuk pati shumë borë këtë dimër, turizmi malor shënoi rritje krahasuar me vitin paraprak

    Ndonëse nuk pati shumë borë këtë dimër, turizmi malor shënoi rritje krahasuar me vitin paraprak

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Borë nuk pati edhe aq këtë dimër. Por, viset malore të Kosovës qenë mjaft të vizituara këtë sezon. Madje krahasuar me vitin paraprak, sivjet pati rritje të turizmit veçanërisht atij malor.

    “Ka një rritje të numrit të turistëve, çka na gëzon është fakti që pavarësisht klimës, pra borës që nuk ka pasë shumë këtë vit, prapëseprapë kemi një rritje të numrit të turistëve në këto pjesë malore të cilat i ka Kosova”, tha kryetari i Unionit të Turizmit, Baki Hoti.

    Por telashe patën adhuruesit e skijimit.

    “Nuk ka qenë edhe keq, jo ashtu siç jemi mësuar me pa më përpara që në Brezovicë me pasë borë por nuk është edhe keq është një atmosferë e mirë”, tha Visar Asllani, vizitor.

    Përtej borës së pakët, shqetësuese për vizitorët mbetet infrastruktura.

    “Ka mangësi të infrastrukturës, derisa skiliftet dhe teleferiku ka nevojë për riparim që me i dhanë mundësi më të mëdha këtij vendi”, tha Albinot Spahiu, vizitor.

    Megjithatë të kënaqur me vizitorët janë pronarët e bizneseve.

    “Nuk ka qenë keq, jemi të kënaqur me vizitorë. Kemi shumë vizitorë, më shumë nga Shqipëria”, tha Nuredin Hyseni, pronar i një biznesi.

    Sipas unionit të turizmit, rritja e numrit të vizitorëve këtë sezon kaloi 28 për qind më shumë se vitin e shkuar.