Është dënuar me 4 vjet burgim Arsim Limani, i cili akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gazetarit te RTK-së, Alban Selimi. Trupi gjykues ka thënë se i llogaritur edhe koha e paraburgimit.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 4 vjet burgim Arsim Limani, i cili akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gazetarit te RTK-së, Alban Selimi , duke llogaritur edhe kohën e paraburgimit.
Në seancën ku është mbajtur fjala përfundimtare ndaj të akuzuarit Arsim Limani, nga Prokuroria e Shtetit kanë thënë se tashmë është vërtetuar se i akuzuari, Arsim Limani ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.
Prokurorja Javorka Perlinçeviq i ka propozuar gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
Edhe Kujtim Kerveshi, avokati mbrojtës i gazetarit, ka thënë se me vënien e zjarrit i akuzuari kishte për qëllim ta ndalojë atë në kryerjen e punës së gazetarit.
Ndërsa, i dëmtuari Alban Selimi, kishte thënë se i akuzuari është një recedivist me të kaluar kriminale dhe se gjykata nuk duhet që ta pranojë pendesën e tij pasi ajo nuk është e sinqertë.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Fanol Krasniqi, kishte deklaruar se rasti është i ndikuar kryekëput nga mediat.
Gazetari i ATV-së, Fatlum Jashari, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Tirana në emisionin A LIVE, zbuloi agjendën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, gjatë qëndrimit të tij sot në Shqipëri.
Gazetari tregon se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tashmë është në Tiranë në një vizitë tejet të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë, për të dhënë mesazhet e tij pikërisht nga Shqipëria për gjithë Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm, pasi sekretari amerikan do të japë mesazhet e tij në mbështetje të Ukrainës.
Agjenda e vizitës së sekretarit Antony Blinken në Tiranë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mbërritur në Tiranë para rreth gjysmë ore, ndërkaq në orën 13:35 minuta, ai do të qëndrojë në Ambasadën Amerikane në Tiranë ku do të ketë takim me stafin e ambasadës dhe familjarët e tyre dhe do të vazhdojë me një vizitë tek afganët të cilët janë të strehuar në Shqipëri dhe tutje në orën 15:05, do të ketë takimin me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, që do të përcillet nga takimi i radhës me një grup të rinjsh studentë, kryesisht bursistë të ndihmuar nga SHBA-ja. Në këtë diskutim me të rinjtë, do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama edhe përfaqësues të tjerë të Qeverisë së Shqipërisë ku do të jepen opinionet dhe pikëpamjet e këtyre bursistëve që pasi janë ndihmuar nga SHBA-ja synojnë të kontribuojnë për Shqipërinë në lëmitë që kanë studiuar.
Në orën 16:15 do të ketë një takim, pra takimi kryesor i vizitës së sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, takimi me kryeministrin Edi Rama.
Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, do të ketë një ceremoni të nënshkrimit të dy memorandumeve të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë, ndërsa në fund, në orën 18:10, pritet të mbahet konferenca e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken.
Është folur edhe për mundësinë e një darke jo formale ndërmjet sekretarit Blinken dhe kreut të Prokurorisë Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani, për të diskutuar për reformën në drejtësi dhe arritjen që ka bërë SPAK-u, por edhe rrugën përpara të këtij institucioni dhe institucioneve të tjera të rëndësishme të Shqipërisë, sigurisht në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Kjo vizitë e sekretarit Blinken vjen në një kohë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi Shqipëria ka marrë lavdata nga SHBA-ja për rolin e saj udhëheqës, kryesues në OKB, veçmas në raport me Ukrainën dhe kjo pritet të jetë nga falënderimet që do t’ia bëjë kryeministrit Rama.
Në komunikatën zyrtare të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, në njoftimin e vizitës në Tiranë të sekretarit Blinken, Shqipëria është cilësuar si partnere kyçe e SHBA-së në rolin e saj për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. /atvlive.tv
Pas raportimit të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, deputetet Arbëreshë Kryeziu-Hyseni dhe Ariana Musliu-Shoshi kanë dalë me deklarata kontradiktore lidhur me raportimin e tij për dialogun. Derisa mbledhja e këtij Komisioni u mbajt me dyer të mbyllura, kryetarja Kryeziu-Hysnei tha se kjo për shkak të shpalosjes së dokukemnteve konfidenciale. Por, një gjë të tillë e mohoi deputetja e PDK-së, Musliu-Shoshi.
Deputetja nga radhët e pushtetit Arbëreshë Kryeziu – Hyseni tha se deputetët kanë marrë informacione që kanë qenë të nevojshme sidomos për deputetët e opozitës, të cilët i ka akuzuar për deklarime të pavërteta për procesin e dialogut.
“Vetë fakti që kemi vendosur ta mbajmë një takim të mbyllur është se zëvendëskryeministri na ka paralajmëruar se do të ndajë me ne disa dokumente të cilat janë konfidenciale dhe nuk preferohet të ndahen me opinionin për shkak se procesi është shumë fragjil në fazën që është… Kemi folur për procesin e dialogut në faza të ndryshme…, por fokusi ka qenë te çështja e Banjskës dhe kemi folur shumë edhe për atë se çfarë pritet të ndodhë në procesin e dialogut tash e tutje. Kemi marrë informacione që besoj se kanë qenë shumë të nevojshme të ndahen në veçanti për deputetët e opozitës të cilët herë pas here i shohim që nxjerrin në opinionin publik informacione që janë krejtësisht të pavërteta”, ka theksuar Kryeziu-Hyseni.
Ky raportim, sipas saj, “ka ndihmuar që të paktën këtë të mos e bëjnë tash e tutje”.
Porse ndryshe deklaroi Musliu-Shoshi, e cila madje e ka akuzuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për sulm personal.
“Mora një sulm personal, i cili nuk është aspak për t’u vlerësuar. Por nëse zëvendëskryeministri e vlerëson, atëherë ato sulme personale mund edhe t’i bëj publike, sepse vlerësoj se jam faqebardhë në çdo aspekt. Sulmet ishin të nivelit profesor-student, gjoja se jam kapur në plagjiaturë në kohën sa kam qenë studente në AUK, por kjo nuk qëndron pasi kam qenë studente me A-ja dhe kam qenë bursiste. Prandaj, të gjitha këto janë lehtë të qasshme dhe më vjen keq që në nivelin akademik dhe atë që përfaqëson sot, kemi ardhur në pikën ku në vend se të raportojë për atë çka po ndodh dhe rrugën që po ndjek në dialog, shteti jonë në kohën kur nuk e kemi asnjë aleat të vetëm i cili sot na përkrah në këtë drejtim, lëshohet në një nivel kaq të ulët personal me mua dhe deputetët e tjerë”, tha Musliu Shoshi.
Musliu Shoshi, para gazetarëve ka thënë se nuk ka pasur asnjë dokument konfidencial që është shfaqur në Komision i cili ishte i mbyllur për media.
“Jemi gjithmonë transparent sepse e vlerësoj që dialogu ka njëfarë mase të konfidencialtetit, por disa gjëra kryesore duhet të dihen nga ju si media. Në këtë mbledhje, nuk pat as edhe një informatë të vetme të cilën e konsiderojmë konfidenciale. Krejt ajo çka provon pushteti të bëjë është të ngre drama në publik se gjoja po flitet diçka konfidenciale. Nuk pat asgjë më shumë se ajo çfarë keni parë dhe dëgjuar nga Bislimi. Ajo çfarë kërkova ishte të na tregojë nëse SHBA-ja dhe BE-ja nuk janë partnerë me të cilët bashkëpunojmë, nëse Borrelli e Lajçaku nuk janë kredibil në përfaqësim. Atëherë në çfarë rruge po shkojmë, kush janë partnerët tanë me të cilët duhet të ecim përpara? Pse çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës duhet të shndërrohen në instrumente për t’u diskutuar në organizata ndërkombëtare, siç ishte ajo në Këshillin e Sigurimit. Çka është duke munguar në këtë linjë të komunikimit me aleatët tanë ndërkombëtarë?”, shtoi Musliu-Shoshi.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka arritur në Shqipëri për vizitën e tij të parë në këtë shtet, derisa u prit nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe nga përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë.
Blinken në vizitën disa orëshe në Tiranë, pritet të takohet me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama si dhe do të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e qeverisë.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Blinken do të takohet edhe me një grup prej rreth 100 të rinjsh, që kanë studiuar në programe të ofruara nga Shtetet e Bashkuara si Fulbright dhe Programi i Vizitorit Drejtues Ndërkombëtar, IVLP.
Po ashtu gjatë vizitës së tij në Tiranë, Blinken do të ketë pjesë të delegacionit edhe ish-ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila tashmë ka një detyrë më të lartë në DASH.
Agjenda e Blinken në Tiranë do të mbyllet me një takim me rreth 100 të rinj që kanë qenë pjesë e programeve mbështetëse të ambasadës amerikane.
“Ne duam të shohim të respektohen vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë . Ne duam të shohim rifillimin e financimit për UNRWA dhe sinqerisht të rritet duke pasur parasysh nevojat në rritje.
“Unë mendoj se çdo shtet anëtar që shet ose transferon armë ka përgjegjësi në lidhje me mënyrën se si ato armë përdoren kudo në botë,” u tha Stephane Dujarric gazetarëve në Nju Jork kur u pyet nëse OKB do t’u bënte thirrje vendeve anëtare të shkurtojnë financat dhe ndihma ushtarake për Izraelin, duke përfshirë ata që shkurtuan fondet për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinë (UNRWA).
Dujarric përsëriti kërkesën e OKB-së për një armëpushim humanitar, lirim të menjëhershëm të të gjithë pengjeve dhe rritje të ndihmës humanitare.
Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA), ndërsa sulmet ajrore që synojnë Rafahun vazhdojnë të intensifikohen, ka pasur raportime për civilë që po largoheshin nga zona drejt Deir al Balah dhe kampit të refugjatëve An Nuseirat.
“Nuk ka ku të shkojë,” tha Dujarric, duke shtuar se zonat e mbrojtura që supozohej të ishin të sigurta, janë sulmuar.
“Të shkosh në veri nuk është e sigurt për shkak të mjeteve të pashpërthyera, për shkak të mungesës së strehimit. Tani, ka njerëz që lëvizin, por unë nuk jam në dijeni të ndonjë lëvizjeje masive të njerëzve”, shtoi ai.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 28,567 njerëz dhe duke plagosur 68,291 të tjerë, ndërsa rreth 1,200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.
Lufta izraelite në Gaza ka shtyrë 85% të popullsisë së territorit në zhvendosje të brendshme mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60% e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Aviv-in të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë, e cila mbahet për tri ditë radhazi në Mynih të Gjermanisë.
Në njoftim thuhet se në margjinat e kësaj konference, e cila mbledh çdo vit përfaqësuesit më të lartë të shteteve dhe ekspertët e sigurisë, Ministrja Gërvalla përveç pjesëmarrjes në panele diskutimi, do të mbajë takime bilaterale me homologë nga shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, eurodeputetë, deputetë nga shtete të ndryshme, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, shoqërisë civile, mediave etj.
“Konferenca e Mynihit, si një prej ngjarjeve më të mëdha rreth sigurisë për rendin global, teknologjinë, qëndrueshmërinë dhe rrjetet e bashkëpunimit, është një mundësi e mirë për të paraqitur qëndrimet, për të diskutuar sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, politikat dhe veprimet që duhet ndërmarrë si dhe koordinimin me shtetet aleate në ruajtjen dhe promovimin e sigurisë në rajon, Evropë dhe botë”, thuhet në njoftim.
Miratimi së fundmi i Rregullores për Operacione me Para të Gatshme nga Banka Qendrore e Kosovës, ka nxitur reagime të fuqishme nga palët ndërkombëtare të interesit. Derisa Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëkupton nevojën për mbikëqyrje rregullative me qëllim të sigurimit të stabilitetit financiar, është imperativ të konsiderohen edhe implikimet afatshkurta që rregullimi ka në mirëqenien financiare të qytetarëve të Kosovës.
Në njoftimin e OEAK-ut thuhet se rregullorja në fjalë, pa paragjykim ndaj objektivit aktual, në mënyrë jo të duhur, pohon që vetëm euro mund të përdoret për qëllime të pagesave brenda Kosovës, duke përjashtuar në mënyrë të efektshme përdorimin e valutave të tjera në transaksionet ndërmjet palëve. Sidoqoftë, është esenciale të thuhet që përderisa euro mban statusin e mjetit ligjor të pagesave në Kosovë, kjo nuk përjashton përdorimin e valutave të tjera në transaksionet, në rastet kur palët e përfshira arrijnë dakordim reciprok.
“Kështu, pretendimi i rregullores në lidhje me përdorimin ekskluziv të euros mund të keqinterpretohet dhe prandaj kërkon rishikim për qartësi”, thuhet në njoftim.
Po ashtu sipas komunikatës së OEAK, ndikimi i rregullores shtrihet më tej në transaksionet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në mundësimin e transaksioneve që përfshijnë dinarin e Serbisë, Oda Amerikane propozon disa alternativa për të siguruar të drejtën e qasjes, krahas ruajtjes së përputhshmërisë rregullative:
Alternativa 1: Shfrytëzimi i institucioneve të transferit të parave për transferimin e fondeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse konsiderohet si fizibil, ky opsion mund të jetë më pak praktik dhe më i kushtueshëm për individët.
Alternativa 2: Krijimi i një llogarie bankare nga Qeveria e Serbisë në Serbi për transaksione ndërshtetërore me llogaritë përkatëse të denominuara në dinarë në bankat e Kosovës. Kjo metodë ofron një zgjidhje praktike nëpërmjet marrëdhënieve ekzistuese bankare, me gjithë kompleksitet e mundshme logjistike.
Alternativa 3: Transferet direkte të fondeve nga ndonjë bankë të Serbisë në ndonjë bankë të përcaktuar në Kosovë për shpërndarje në llogaritë e përfituesve individualë. Ky opsion thjeshton procesin duke siguruar përputhshmërinë me kërkesat rregullative.
“Në të gjitha alternativat, është e rëndësisë kruciale të adresohet licencimi i institucioneve për importim të valutave, për të siguruar një furnizim adekuat të dinarëve në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Duke qenë një avokuese për një mjedis të favorshëm biznesi dhe zhvillim ekonomik në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson po ashtu rëndësinë e masave të balancuara rregullative, të cilat nxisin gjithëpërfshirjen financiare dhe lehtësojnë aktivitetet ekonomike ndërshtetërore.
“Oda Amerikane kërkon nga të gjithë hisedarët të rishqyrtojnë implikimet e rregullores së miratuar së fundmi dhe të eksplorojnë zgjidhje bashkëpunuese të cilat mbështesin objektivat rregullative si dhe pragmatizmin ekonomik”, thuhet në fund të njoftimit.
Vetëm 15 minuta seancë i mjaftuan mazhorancës socialiste për të kaluar me 72 vota pro ligjin për rihapjen e basteve sportive.
Mes bilbilave dhe kaosit të krijuar nga deputetët e Rithemelimit dhe grupit Bardhi, Kuvendi i Shqipërisë i dha “OK” këtë të enjte projektligjit “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”.
Propozimi u miratua vetëm me votat e socialistëve në tërësi dhe nen për nen (34 nene). Të vetmit që abstenuan nga radhët e socialistëve janë ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe deputeti Erjon Braçe, ndërsa në sallë mungonte kryeministri Edi Rama.
Ndryshimet në projektligjin për lojërat e fatit parashikojnë rikthimin e basteve sportive vetëm online pas më shumë se 5 vitesh, nga koha kur qeveria mbylli mijëra pika fizike në të gjithë territorin, shkruan A2 CNN.
E drejta për ta ushtruar këtë aktivitet do t’i jepet vetëm 10 operatorëve dhe përzgjedhja e tyre do të realizohet nëpërmjet një komisioni të veçantë.
Socialistët po ashtu votuan propozimin për të shpallur 22 Nëntorin, një festë zyrtare. Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të jetë ditë pushimi duke nisur nga ky vit. Kongresi i Manastirit shënohet si ngjarja më e madhe historike e kombit tonë dhe vlerësohet për rëndësinë e tij të institucionalizimit të alfabetit të gjuhës shqipe.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken viziton Shqipërinë sot, e enjte për të riafirmuar marrëdhëniet me një partner kyç në Ballkan dhe një aleat në mbështetjen e luftës së Ukrainës kundër pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë.
Blinken do të takohet me zyrtarë të lartë dhe do të fokusohet në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor pasi Shqipëria dhe disa fqinjë kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, sipas zyrtarëve të lartë amerikanë. Uashingtoni ka mbështetur fuqishëm integrimin e Shqipërisë në BE.
ShBA-ja ka vlerësuar lidershipin e Shqipërisë në rajonin e shkatërruar nga lufta dhe rolin e saj të fundit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si një anëtare jo e përhershme. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka dërguar rregullisht njësi të vogla të ushtrisë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare dhe operacionet e NATO-s.
Shqipëria do të presë një samit ndërkombëtar për Ukrainën në fund të këtij muaji, ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti i Ukrainës.
Associated Press shkruan se tensionet mes fqinjëve, Kosovës dhe Serbisë, mund të trajtohen gjatë vizitës së Blinkenit në Tiranë.
“Negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja për të normalizuar marrëdhëniet e tyre kanë pasur progres të ngadaltë, ndërsa incidentet e rastësishme të dhunshme kanë nxitur frikën e destabilitetit. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë shprehur shqetësimin për ndalimin e fundit të Kosovës për dinarin si monedhë në komunat e saj me shumicë serbe”, thuhet tutje.
Blinkeni gjithashtu do të njohë rolin e Shqipërisë pasi talebanët morën pushtetin në Afganistan në gusht 2021, ndërsa trupat e ShBA-së dhe NATO-s u tërhoqën nga vendi. Shqipëria ishte e para që strehoi rreth 3200 afganë të arratisur përpara se të zhvendoseshin për vendosjen përfundimtare në Shtetet e Bashkuara.
Blinkeni pritet të takojë disa nga afganët e mbetur ende në Shqipëri.
Pas ditës së tij në kryeqytetin e Shqipërisë, Blinkeni shkon në Gjermani për Konferencën e Sigurisë në Munich.
Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thirrur mediat në një konferencë të jashtëzakonshme që do ta mbajë nga ora 15:00.
Konferenca do të mbahet para ambasadës amerikane në Prishtinë.
Hovenier ka thënë se SHBA kërkon nga Kosova shtyrjen e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që përjashton dinarin nga përdorimi dhe që të ketë komunikim të mjaftueshëm për qytetarët që preken nga ky vendim.
Një paralajmërim i ashpër për këtë çështje erdhi nga Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, i cili i kërkoi Qeverisë së Kosovës të tërhiqet nga vendimi për dinarin dhe tha se mund të mos e konsiderojnë këtë qeveri si partnere.
“Ai [kryeministri Kurti] kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, tha ai.
Zyrtari amerikan kishte thënë për Zërin e Amerikës se kishte pasur disa kontakte me kryeministrin Kurti para shpalljes së vendimit dhe vetëm një shkëmbim të shkurtër pas shpalljes së tij.