ATV

Category: Lajme

  • Në Institutin për Krime të Luftës dorëzohen dokumentet e para

    Në Institutin për Krime të Luftës dorëzohen dokumentet e para

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Janë dokumente të cilat pasqyrojnë krimet që Serbia i kreu në Kosovë në fund të viteve të 90-ta. Pikërisht në 16 vjetorin e pavarësisë, ato u dorëzuan në Institutin e rifunksionalizuar për Krime Lufte.

    Kryeministri Albin Kurti tha se nga sot secili mund të dorëzojë materiale të mbledhura mbi krimet gjatë luftës, e që Instituti do t’i arkivojë.

    “Qëllimin e kemi të përbashkët për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive. Dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon në parandalimin e përsëritjes së tyre në të ardhmen. Na ndihmon të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më paqësore, e po ashtu shërben si një dëshmi e rëndësishme për brezat e ardhshëm të cilët do të vijnë pas nesh”, tha Kurti.

    Dokumentet të cilat njëherësh janë të parat që dorëzohen në Institutit, për drejtorin Atdhe Hetemi, tregojnë faktin se paqja dhe drejtësia janë vlerat që mbron Kosova.

    “Ceremonia e sotme e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para nënkupton jo vetëm një hap të rëndësishëm në dokumentimin e krimeve të luftës, por edhe një zotim për të mos harruar kurrë viktimat dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në bazë të së vërtetës, drejtësisë dhe paqes së qëndrueshme”, tha Hetemi.

    Megjithatë, shumë dëshmi e fakte të krimeve të kryera nga shteti serb u tha se kanë humbur.

    “Shumë dëshmi e fakte na kanë humbur duke u bartur nga njëri vend në tjetrin vend, duke i ndërruar zyrat, në pamundësi për t’i ruajtur. Por tash zyra jonë do të ofron tërë materialin që e ka për Institutin e Krimeve të Luftës, Gjykatës Speciale dhe gjithëve me rend. Edhe kolegët e mi, të gjithë të cilët kanë mbledhur materiale apeloj që të gjitha organizatat, të gjithë individët, të gjithë qytetarët që kanë fotografi, incizime, e materiale t’i deponojnë në këtë institut, sepse më mirë nuk ruhet dhe punohet askund”, tha kryetari i Këshillit të Familjeve të të Zhdukurve, Ahmet Grajqevci.

    Teksa kryeministri Albin Kurti, përmendi padinë për gjenocid, në luftën në Kosovë mbi 10.000 civilë besohet se janë vrarë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Seanca solemne për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë

    Seanca solemne për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përkujtoi veprimtarët që u angazhuan për pavarësinë e Kosovës. Gjatë seancës solemne të Kuvendit komunal, Rama kërkoi unitet siç tha ai për të ndërtuar një Kosovë me të ardhme evropiane.

    “Sot nuk po shënojmë vetëm një përvjetor, por po e festojmë edhe një ngadhënjim të madh. Le t’i kujtojmë sot heronjtë e mëdhenj, të cilët me dekada të tëra, me gjithë shtypjen, represionin, burgosjet, keqtrajtimet dhe vrasjet, guxuan me ëndërruar. Le t’i kujtojmë studentët që marshuan në protestat e vitit 1968, ata të vitit 1981 dhe 1997. Udhëheqësit tanë kulturor dhe politik në krye me presidentin tonë historik, Ibrahim Rugova që e ngritën gjithmonë zërin kundër padrejtësive. Veprimtarët e lëvizjes ilegale që kurrë nuk e lanë shpresën me u fikë. Patjetër luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të frymëzuar nga komandanti legjendar Adem Jashari. Le të kujtojmë secilin dhe secilën që guxoi me besua”, tha Rama.

    Në anën tjetër, kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Pëllumb Bajçinovci, tha se 17 shkurti është një datë historike që u bë themel lirie, paqe dhe dashurie.

    “Bashkoi zemrat e secilit në një të vetme, atë të popullit shqiptar…E veçanta e luftës tonë për liri nuk është vetëm arritja e objektivit të saj, por edhe mënyra si u lufta. Nën udhëheqjen e njerëzve vizionarë dhe të jashtëzakonshëm lëvizja jonë kombëtare u animua nga një grup i liderëve unik të cilët ringjallën shpirtin e Kosovës”, theksoi ai.

    Krahas kësaj seance solemne, Komuna e Prishtinës në kuadër të aktiviteteve kulturore për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë, edhe këtë vit mbajti një koncert nga ora 18:00 në bulevardin “Xhorxh Bush”.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kuvendi me seancë solemne për 16 vjetorin e Pavarësisë

    Kuvendi me seancë solemne për 16 vjetorin e Pavarësisë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ashtu siç e do zakoni, deputetët u mblodhën në sallë për të mbajtur seancë solemne më rastin e 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. E ftuara e veçantë në këtë seancë ishte Presidentja Vjosa Osmani më fjalimin e së cilës filloi seanca.

    Para deputetëve e mysafirëve të shumtë, Osmani tha se 17 shkurti është e arritura më e madhe historike për vendin.

    Edhe për kryetarin e Kuvendit, 17 shkurti është datë më ndryshe. Duke e quajtur ditë frymëzimi ai tha se për lindjen e Republikës u desh mund e sakrificë.

    Krimet Serbe ndaj Kosovës nuk mbetën pa u përmendur nga Kryeministri, Albin Kurti. Para ambasadorëve të akredituar në vend Kurti tha Serbia po ndjek rrugën e konfrontimit me Kosovën.

    Pas liderëve, radha për fjalime u takoi grupeve parlamentare.

    Ani pse udhëheqësit aktual të institucioneve nuk i përmenden, krerët e dikurshëm të Kosovës u kujtuan nga bashkëpunëtorët e tyre. Partitë opozitare patën edhe mesazhe për kryeministrin duke thënë vendi nuk mund të bahet pa miq.

    Pavarësia e Kosovës u shpall mu në këtë institucion më 17 shkurt 2008 në ora 15:39. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të asaj dite morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Komandanti Adem Jashari, përjetësohet në bronz në Mitrovicë

    Komandanti Adem Jashari, përjetësohet në bronz në Mitrovicë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Në sheshin që mban emrin e tij, jeta dhe vepra e komandantit Adem Jashari, u përjetësua në bronz në Mitrovicë, në 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
    Gjatë përurimit, në mesin e qindra të pranishmëve ishin edhe familjarë të tij përfshirë vëllanë, Rifatin.

    “Sot jemi këtu e kemi festen e 16-vjetorit të shtetit të Kosovës. Urime se pari Pavarësia të gjithëve dhe gjithë shqiptareve kudo qe gjenden brenda dhe jashtë Kosovës dhe urime edhe shtatorja, t’i gëzojmë së bashku”, tha Rifat Jashari.

    I pari i Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se themelet e shtetit qëndrojnë me aleatët, e që sipas tij askush nuk duhet t’i rrënojë ato.

    “Familja e Shaban Jasharit ranë dëshmorë për Lirinë e Kosovës duke u përballur me policinë serbe. Më 5, 6 dhe 7 mars familja Jashari shënuan nismën më të lavdishëm Epopenë. Sakrifica e familjes Jashari vuri në lëvizje lirinë në dy drejtime në rrafshin ndërkombëtar dhe kryeqytetet e botës demokratike. Sado që ikin vitet emocionet e një ngjarje të tillë sikur ajo e 7 marsit jo që zbehen por bëhen edhe më të fuqishme për të cilën ishin bërë aq shumë. Janë shumë të panumërta ata që rreshtuan drejt vlerave perëndimore garantoi suksesin e veçante”, tha Hamza.

    Shtatorja e heroit Adem Jashari u punua nga skulptori Sabri Behramaj.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Jasharët e Prekazit, gurëthemeli i Pavarësisë

    Jasharët e Prekazit, gurëthemeli i Pavarësisë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Para 25 vjetësh në këtë oborr qetësia thyhej vetëm nga pushkët që shkrepeshin për çlirim. Jasharët e Prekazit, arritën qëllimin, andaj tash, tek kullat e tyre heshtja u prish nga qytetarët që erdhën për t’i nderuar, në përvjetorin e 16 të pavarësisë.

    Para se të arrinin tek shtëpitë, vizitorët mes të cilëve ishin edhe krerët e shtetit, ndaleshin për homazhe tek varret e të rënëve për liri.

    Kryeministri Kurti, Presidentja Osmani e kryeparlamentari Konjufca nuk folën gjë.

    Por, kështu nuk veproi Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike, i cili krahas nderimeve, kritikoi Qeverinë.

    Kurorë lulesh tek varri i komandantit Adem Jashari, u vendosen edhe nga vizitorë që erdhën nga Shqipëria.

    Megjithatë, qytetarët shprehën shqetësim për gjendjen e kullave.

    Më 5 mars të vitit 1998 shtëpitë e Jasharëve u sulmuan nga Policia. Familja rezistoi, andaj luftimet vazhduan deri më 7 mars. Përgjatë tre ditëve, u vranë 55 njerëz.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Flamuri i Kosovës, ngrihet solemnisht

    Flamuri i Kosovës, ngrihet solemnisht

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Oborri i Qeverisë ishte vendtakimi i krerëve të shtetit këtë 17 shkurt.
    Presidentja Vjosa Osmani se bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca morën pjesë në ngritjen e flamurit para ndërtesës së Qeverisë.

    Presidentja Osmani, tha se për këto 16 vjet, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, teksa kujtoi luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Dua t’iu urojë të gjithë qytetarë e Kosovës sepse gjithsecili prej tyre ka dhënë një kontribut të çmuar që sot ne ta gëzojmë shtetin tonë. Por në veçanti dua t’i kujtoj të gjithë ata që dhanë më të çmuarën qe ne sot të gëzojmë dhe të jetojmë të lirë”, tha Osmani.

    Ndërkaq, për kryeparlamentarin Glauk Konjufca 17 shkurti është dita më e rëndësishme e shtetit të Kosovës.

    “Sot është edhe ditë e festimit, por edhe reflektimit, falënderimit dhe mirënjohjeve…”, tha Konjufca.

    Për nder të shënimit të 16-vjetorit të pavarësisë, krerët e shtetit bënë homazhe edhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova dhe te ai i veprimtarit, Adem Demaçi.

    Presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari me pas u nisen drejt Prekazit, për ta nderuar sakrificën e familjes së komandantit legjendar, Adem Jashari.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kosova feston 16 vjetorin e Pavarësisë

    Kosova feston 16 vjetorin e Pavarësisë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Për dallim prej mbledhjeve të kaluara, salla të shtunën e 17 shkurtit ishte më festive. Me mbledhjen solemne të Qeverisë, nisi shënimi i 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

    Prejardhja e Republikës, është te lufta çlirimtare dhe lëvizjet shekullore te popullit tonë për liri tha kryeministri Albin Kurti.

    “Republika e Kosovës, shteti ynë feston sot përvjetorin e vet të gjashtëmbëdhjetë. Sivjet shënojmë edhe dy përvjetorë të rëndësishëm, 26-vjetorin e epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe 25-vjetorin e çlirimit tonë nga okupimi i Serbisë. Përvjetorë të këtillë ofrojnë raste të përshtatshme për reflektime retrospektive, që rëndom mund të mos kemi kohë t’i bëjmë gjatë ditëve të tjera të vitit”, tha Kurti.

    Kurti shtoi se Kosova është shtëpia e të gjithëve, pa dallim.

    “Ashtu sikurse ditën kur u shpall, gjashtëmbëdhjetë vite më parë, ashtu edhe sot, si dhe çdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj pa dallim. Andaj, sot ne festojmë, e urojmë e përgëzojmë, jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet jo shumicë në Republikën tonë, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, por edhe malazezët, kroatët e të tjerët”, tha Kurti.

    Teksa përmendi viktimat e luftës në Kosovë, shefi i ekzekutivit theksoi se për nder të tyre, duhet të vazhdohet rruga për ndërtimin e shtetit. Kurti falënderoi edhe partneret ndërkombëtar, për siç tha rrugëtimin e përbashkët për konsolidim të shtetit.

    “Teksa festojmë ditëlindjen e shtetit tonë, edhe përkujtojmë secilën jetë njerëzore të dhënë, gjakun e derdhur, përpjekjet e vetëmohimin për të mirën e përbashkët të këtij vendi, për ruajtjen e jetës dhe për jetesën e mirë për të. Përkujtimi është i anasjelltë, sepse ne me rininë dhe popullsinë tonë ecim përpara, por njëkohësisht duke përkujtuar veprimtarinë e atyre që ishin para nesh, ne ia përkujtojmë vetes në kujtesën tonë kolektive rrugën e kësaj vepre që duhet mirëmbajtur dhe rrugën që nuk duhet lëshuar asnjëherë. Lavdia e tyre është e përjetshme e kujtimi ynë për ta është i pashlyeshëm”, tha Kurti.

    Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbi 100 vende të botës e kanë njohur shtetësinë.

    Përgjatë këtyre viteve, Kosova është anëtarësuar edhe në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • OVL-UÇK në Sharr ndan mirënjohje për veteranët e luftës

    OVL-UÇK në Sharr ndan mirënjohje për veteranët e luftës

    Dega në Sharr e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka dhënë disa mirënjohje për ish-luftëtarë të UÇK-së dhe jo vetëm.

    Organizimi është bërë për nder të ditës së pavarësisë.

    Mirënjohjet janë ndarë për dhjetëra veteranë të UÇK-së nga komuna e Dragashit, të cilët kanë dhënë kontribut për liri dhe pavarësi.

    “Do të vazhdojmë të i nderojmë edhe veteranët tjerë ku brenda dy vite do tu jepet mirënjohje të gjithë veteraneve të komunës tonë edhe në këto festa:

    5 Maj Dita e Dëshmoreve

    15 Qershor Dita e Çlirimit

    28 Nëntor Dita e Flamurit

    30 Dhjetori Dita e Veteranit” thuhet në njoftimin e OVL-UÇK-së në Sharr.

  • Zbulohet shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari në Mitrovicë

    Zbulohet shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari në Mitrovicë

    Në mesin e qindra qytetarëve, sot në Mitrovicë në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, u inaugurua shtatorja e Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

    Në një fjalë rasti, vëllai i Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rifat Jashari, uroi të gjithë shqiptarët anë e kënd botës festën e Ditës së Pavarësisë, teksa uroi që “këtë shtatore dhe gjithë të tjerat t’i gëzojmë së bashku”.

    Në ceremoninë e inaugurimit, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se sakrifica e familjes Jashari e simbolizon dhe sintetizon historinë e të gjitha familjeve të Kosovës për liri.

    Ai tha se si rrallë herë në historinë e kombeve dhe njerëzimit, familja Jashari qëndruan heroikisht dhe ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës, duke u përballur me ushtrinë dhe policinë serbe.

    Hamza shtoi kjo sakrificë u bë frymëzim dhe forcë mobilizuese për djemtë dhe vajzat e Mitrovicës që me armë në dorë luftuan denjësisht për lirinë e Kosovës.

    “Ditë kurorëzimi i një përpjekje të madhe, ajo kishte bashkuar të gjitha tokat e gjakut të dëshmorëve. Kur po shënojmë inaugurimin e shtatores, përkulemi para gjakut të dëshmorëve”, tha ai.

    Ndërkaq, lidhur me inaugurimin e shtatores së Adem Jasharit, i pari i Mitrovicës tha se kjo shtatore simbolizon realizimin e idealit tonë për liri.

    Në mesin e shumë të pranishmëve, prezent në këtë ceremoni ishte edhe djali i Hamëz Jasharit, Bekim Jashari, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu dhe ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

    Shtatorja e heroit Adem Jashari u punua nga skulptori Sabri Behramaj.

  • Abdixhiku citon Rugovën: Shtëpia nuk mbahet pa miq, nuk mbahej dje, s’mbahet sot, s’do të mbahet as nesër

    Abdixhiku citon Rugovën: Shtëpia nuk mbahet pa miq, nuk mbahej dje, s’mbahet sot, s’do të mbahet as nesër

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në fjalën e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, ka cituar Presidentin Historik, Ibrahim Rugovën, i cili kishte thënë se “Shtëpia nuk mbahet pa miq”.

    Abdixhiku tha aleancat nuk trashëgohen, por se fitohen, mbrohen dhe dorëzohen tek brezat e ardhshëm.

    “Shtëpia nuk mbahet pa miq, nuk mbahej dje, s’mbahet sot, s’do të mbahet as nesër”, citoi fjalët e ish-presidentit Rugova.

    “Sikurse liria, edhe aleancat tonë nuk trashëgohen, ato fitohen, mbrohen, e dorëzohen tek brezat e tjerë. Si gjeneratë politike e sotme , e kemi për obligim, jo si borxh detyrimi por si sjellje fisnike, që këto aleanca t’ua mësojmë breznive që vijnë”, tha kreu i LDK-së.

    Tutje, tha se Kosova u bë shtet i pavarur dhe sovran falë unitetit të brendshëm, lëvizjes paqësore dhe luftës çlirimtare, si dhe mbështetjes ushtarake dhe diplomatike nga jashtë

    “Republika e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran u bë falë unitetit tonë të brendshëm, lëvizjes paqësore dhe luftës çlirimtare, si dhe mbështetjes ushtarake dhe diplomatike nga jashtë. U bë sepse treguam dhe dëshmuam kulturë të brendshme politike, dhamë të gjithë potencialin tonë kombëtar dhe krijuam ura bashkëpunimi mes vete e aleatëve, prandaj edhe kapërcyem sfida të pakapërcyeshme më parë”, deklaroi ai.