Autoritetet e sigurisë nuk kanë arritur deri tash ta sigurojnë praninë e Dejan Raçiqit, andaj ndaj tij Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë për gjykim në mungesë. Organi i akuzës e ngarkon atë, se gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka kryer dhunë seksuale ndaj një gruaje të nacionalitetit shqiptar.
Por, gjykimi ndaj tij dështoi të fillojë të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për shkak të mungesës së prokurorit.
Ky është gjykimi i dytë në mungesë që pritet të fillojë, pas rastit të parë vitin e kaluar ndaj Çedomir Aksiqit. Monitorues nga Fondi për të Drejtën Humanitare thonë se gjykimet në mungesë janë sfidë për sistemin gjyqësor në Kosovë, duke konsideruar shembujt në shtetin e Kroacisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës vitin e kaluar, ka ngritur tetë aktakuza në mungesë për krime lufte. Ftesa dhe aktakuza ndaj Dejan Raçiqit, nga komuna e Klinës, ishte bërë publike në nëntor të 2023-s.
Gjykata, sipas kodit të ri të procedurës penale, kishte bërë thirrje që çdo informacion mbi vendndodhjen e tij t’i komunikohet Policisë së Kosovës.
Për të disatën herë brenda 15 vjetësh, makineritë e rënda u rikthyen në rrugën Prishtinë – Mitrovicë. Punimet do të zhvillohen në segmentin nga Lumi i Madh deri në Gojbulë.
Teksa kompania kontraktuese ka nisur gërryerjen e zhavorrit për siç thanë nivelimin e pjesëve të caktuara, qytetarët kanë mendime të ndryshme për dinamikën e punimeve.
Sidoqoftë, vlera e kontratës për zgjerimin e rreth 10 kilometrave është 25 milionë euro. Punimet për këtë segment ishin ndërprerë vitin e kaluar, ndërkaq, sipas kontratës, duhet të përfundojë brenda një viti kalendarik.
Zgjerimi i magjistrales Prishtinë – Mitrovicë ka nisur tash e 15 vjet, ndërkaq nga 38 kilometra sa është gjatësia e kësaj rruge, gjatë gjithë kësaj periudhe kanë përfunduar mbi 20 kilometrat e para nga kryeqyteti.
Qytetarë hyjnë e dalin në objektin komunal të Leposaviqit, për të marrë shërbime.
Por njëri e alarmoi udhëheqësinë e komunës më veriore të Kosovës, javën që shkoi.
Dikush arriti të hyjë në njërën nga zyrat dhe dyshohet se krijoi dëm në sistemin kompjuterik. Për këtë, kryetari Lulzim Hetemi e njoftoi menjëherë policinë.
Zyrtarë nga Komuna nuk pranuan të prononcohen për këtë situatë, duke thënë se ka qenë vetëm dyshim dhe se tanimë sistemi është në rregull. Mirëpo, ata nuk u përgjigjën se si një person civil u la të ketë qasje në kompjuterin e komunës.
Me këtë rast u mor departamenti i krimeve kibernetike në Polici. Por as ky departament nuk ktheu përgjigje të martën për ATV-në, se çfarë ka qenë rezultati i hetimit.
Kompjuteri në të cilin punoi ai, ishte i një zyrtareje të etnisë serbe, e angazhuar me kontratë mbi vepër.
Vetë e kishte caktuar datën, por ministri i Infrastrukturës nuk erdhi.
Liburn Aliu nuk u paraqit këtë të martë në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave, që u mblodh për ta shqyrtuar raportin e auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara në vitin 2021, në dikasterin që e udhëheq”.
Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, tha se ministri është treguar joserioz.
Kërkesa e deputetit të PDK-së, që raporti i auditorit të hetohet nga Prokurori i Shtetit, ngjalli debat.
Ndonëse e quajti papërgjegjësi, deputeti tjetër i Vetëvendosjes kërkoi që ministrit Aliu t’i jepet edhe një mundësi.
Sidoqoftë, deputetët u pajtuan që ministrit Liburn Aliu të vijë në komision më 27 shkurt, e më pas raporti i auditorit të diskutohet në Kuvend. Sipas raportit që nuk u shqyrtua, vlera e kontratave të lidhura me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë gjatë vitit 2021, ishte mbi 5.7 milionë euro.
Përveçse me partnerët ndërkombëtarë, mospërputhje qëndrimesh lidhur me rregulloren e re të BQK-së ka edhe ndërmjet krerëve të shtetit.
Derisa kryeministri përsërit se Kosova është shtet demokratik dhe qeveria nuk ndërhyn në BQK, presidentja beson se zgjidhja për heqjen e dinarit bëhet përmes diskutimit të Qeverisë me aleatët.
Duke thënë se ka disa detyra shtëpie për të cilat duhet pyetur aleatët dhe disa jo, në një intervistë, kryeparlamentari pranoi rreziqet nga veprimet e pakoordinuara dhe theksoi se e kupton hidhërimin e amerikanëve në raport me to.
Pasi situatës iu referua si katrahurë dhe nonsens shtetëror e diplomatik, profesori Dritëro Arifi thekson se Qeveria duhet ta kuptojë politikëbërjen si proces e jo si akt.
“Mendoj që Qeveria nuk po e thotë të vërtetën, është e pavarur. Në praktikë është, edhe me ligj është, por ne e dimë se në politikë nuk ka asgjë të pavarur, sepse po të ishte kështu siç po pretendojmë, atëherë do të ishte dashur që të gjitha vendimet e gjykatave të zbatohen, e specifikisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Pra, ne e kuptojmë demokracinë e kuptojmë në mënyrë selektive. Një shtet demokratik nuk funksionon kështu”, tha Arifi.
Teksa vlerësoi se Kosova nuk humb nëse dëgjon kërkesën amerikane për shtyrje të zbatimit, Arifi kritikoi rolin e presidentes në këtë situatë.
“Mendoj se më shumë po sillet si një OJQ dhe si notere sesa si presidente, sepse ajo do të duhej të paktën të jepte alternativë, jo të jap këshilla. Për këshilla dhe kritika jemi ne dhe OJQ-të. Presidentja duhet të ketë qëndrim shtetëror. Mendoj se ajo është duke folur nga një orbitë jashtë tokës, nuk është duke e kuptua çka po ndodh ose nuk po dëshiron ta kuptojë, sepse po vërehet se është me qëndrimin e Qeverisë”, tha Arifi.
Krahas vlerësimit se rregullorja e BQK-se është e drejtë, por se strategjia e zbatimit ishte e pakoordinuar dhe e gabuar, politologu Fidan Ukaj përmendi domosdoshmërinë që kjo të trajtohet vetëm si çështje e brendshme.
“Temat e brendshme, institucionet e Kosovës nuk duhet t’i lejojnë të jenë pjesë e procesit dialogues. Ne duhet të përqendrohemi në zbatimin e dakordimit që kemi arritur në Bruksel në Ohër. Dhe, assesi nuk duhet të lejojmë që temat ditore ose preferencat e Serbisë apo presidentit Vucic të jenë pjesë e procesit dialoguese në Bruksel”, tha Ukaj.
Përkundër demantit nga ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, kryeministri Albin Kurti këmbëngul se raportet e Qeverisë me SHBA-në janë të mira.
Humbja eventuale e 5.7 milionë eurove të Telekomit të Kosovës mund ta çojë këtë ndërmarrje publike në krizë financiare.
Telekomi rrezikon t’i humbë këto para pas aktvendimit të Gjykatës Komerciale që la në fuqi urdhrin përmbarimor të vitit 2019, që derivon nga vendimi i Arbitrazhit të 2016-s me kompaninë “Dardafon”.
Sipas njohësve të ekonomisë, nëse kjo ndodh, punëtorëve mund t’iu rrezikohen edhe pagat.
Ndërkaq, dalja në një konferencë dhe paralajmërimet e djeshme të përfaqësuesve të Telekomit të Kosovës po konsiderohen veprime për ta mbuluar paaftësinë e tyre.
Telekomi i ka paguar afro 40 milionë euro Z-Mobile-t, bazuar në dy vendime të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Vendimi i parë ndërlidhet me marrëveshjen mes “Dardafonit” dhe Telekomit, nga janari i 2009-s, ku Telekomi obligohej që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit. Z-Mobile e pati fituar edhe rastin e dytë në Arbitrazh, pas mosvazhdimit të kontratës, për të cilin ndërmarrja ishte detyruar që t’i paguante 11 milionë euro shtesë.
Tani përfaqësues të kësaj ndërmarrjeje kanë paralajmëruar se do të kërkojnë drejtësi edhe në gjykatat ndërkombëtare, pasi pretendojnë se gjykatës të caktuar brenda gjykatës komerciale ndikohen nga kompania “Dardafon”.
Këto plagë iu shkaktuan derisa po tentonte ta fikte zjarrin, i cili mëngjesin e së martës kishte përfshirë banesën e një familje 6-anëtarëshe në Ferizaj.
Rreth orës 8.30 kur shpërtheu zjarri, brenda banesës ndodheshin 3 familjarë, përfshirë një fëmijë 3 vjeç. Të parët që reaguan ishin fqinjët. Viktima nuk pati, por vetëm dëme materiale.
Më pas zjarrfikësit, me të marrë informacionin për shpërthimin e zjarrit dolën në vend të ngjarjes.
“Ne posa kemi marrë telefonatën kemi dalë në vendin e ngjarjes, bashkë me policinë arritëm ta lokalizojmë zjarrin, dëme ka pasë edhe në kate sipër…”, tha shefi i ndërrimit në brigadën e zjarrfikësve, Danish Qosa.
Sipas autoriteteve, dyshohet se zjarri shpërtheu për shkak të rrymës.
“Po tash në ballkon ishin klima, frigoriferi dhe kishte lagështi, dyshimet e para janë nga rryma, por ekipet përkatëse le t’i bëjnë konstatimet për më sigurt…”, tha Qosa.
Hetimet rreth shkaqeve të zjarrit ende po vazhdojnë, ndërkaq, gjatë intervenimit lëndime të lehta ka pësuar një zjarrfikës.
Derisa edhe pak ditë do të duhej t’i merrnin pagat e muajit shkurt, punëtorët e sigurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës nuk kanë marrë as pagat e muajit janar.
Për pagat e ulëta e kushtet e rënda të punës, Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në KEK, protestoi duke i bërë thirrje qeverisë që të marrë masa.
E nëse pagat nuk ekzekutohen as për këtë muaj, ata paralajmërojnë se nuk do të vazhdojnë më punën.
“Ne deri më të 30 e presim dhe më nuk do të veshim asnjë uniformë të kompanive private. Kjo është e fundit, le të na largojnë prej punës se boll jemi lodhur më. Njerëzit për muajin janar nuk e kanë marrë pagën, sot më kanë thirr disa persona, kanë thënë ‘Nuk i kam dy euro me ardhë në punë”, tha përfaqësuesi i punëtorëve të sigurimit fizik në KEK, Nexhat Murati.
Si përfundim, protesta afër njëorëshe e tyre nuk solli rezultat, pasi as pas takimit që mbajtën me shefen e kabinetit të KEK-ut nuk arritën ndonjë marrëveshje.
Dhoma e shkrumbuar dhe shiriti që rrethon objektin, e karakterizuan shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë, një ditë pasi u përfshi nga zjarri. Por sipas autoriteteve, nga ky incident nuk pati të lënduar.
Edhe zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku, tha se sipas të dhënave të para, zjarri u shkaktua nga pakujdesia e banorëve të kësaj shtëpie.
“E tëra kjo ka ndodhur për shkak të pakujdesisë nga personat që banojnë brenda, pra nga humani njeri ka ndodhur kjo, po shyqyr s’ka pasur të lënduar, por nuk ka pasur kujdes”, tha Lushaku.
Sidoqoftë, Banorët e Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë, për disa ditë do të qëndrojnë në njërin prej hoteleve të kryeqytetit.
Derisa hetimet për të zbuluar shkakun e saktë për zjarrin po vazhdojnë, autoritetet komunale kanë njoftuar se objekti i Shtëpisë fillimisht do të dezinfektohet e më pas banorët do të kthehen aty.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se në Kosovë së shpejti do të aplikohet Sistemi i Rimbursimit të Depozitave në Kosovë.
“Tashmë kemi hapur zyrtarisht thirrjen për Administrator të Sistemit të Rimbursimit të Depozitave (SRD-së)”, ka njoftuar ministri, duke shtuar se të interesuarit mund të aplikojnë.
Aliu ka njoftuar se Sistemi i Rimbursimit të Depozitave do të ulë ndjeshëm ndotjen nga shishet plastike, shishet e qelqit dhe kanaçet e aluminit.
“Ky sistem njëherit është një mekanizëm ku konsumatorët paguajnë një depozitë për produkte si shishe plastike apo të tjera dhe pastaj e marrin këtë depozitë përsëri kur e kthejnë produktin e zbrazët”, ka thënë tutje ai.