ATV

Category: Lajme

  • Dy vjet nga pushtimi rus i Ukrainës, katër liderë perëndimorë bëhen bashkë në Kiev

    Dy vjet nga pushtimi rus i Ukrainës, katër liderë perëndimorë bëhen bashkë në Kiev

    Lufta në Ukrainë prej dy vitesh ende nuk është ndaluar duke sjellë një numër të lartë viktima dhe shkatërrime të mëdha për vendin.

    Numrat zyrtar i civilëve të vrarë që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022 janë shumë larg së vërtetës, sepse deri tani nuk është publikuar asnjë një raport me të dhëna të sakta.

    Gjatë pushtimit rus të Ukrainës, autoritetet thonë së që nga qershori 2023, kanë qenë në gjendje të numërojnë 10,368 civilë, trupat e të cilëve janë gjetur.

    “Ne vlerësojmë se numri ka të ngjarë të jetë pesë herë më i lartë. Prandaj dyshojmë se mund të kemi rreth 50,000” viktima, deklaronte në atë kohë Oleg Gavris, këshilltari kryesor i shefit të kabinetit të presidentit Volodymyr Zelensky.

    Edhe OKB gjithashtu se numri i viktimave të jetë më i lartë se shifrat zyrtare të publikuara.

    Autoritetet ukrainase vlerësojnë se vetëm rrethimi i Mariupolit (nga shkurti deri në maj 2022), një qytet port i madh në Ukrainën jugore aktualisht nën kontrollin rus, kushtoi jetën e të paktën 25,000 njerëzve, të cilët u varrosën në varre masive.

    Ndërkohë sot në Kiev pritet të mbërrijnë katër liderë perëndimore, përfshirë Presidenten e Komisionit Europian.

    Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe kryeministri belg Alexandre De Croix udhëtuan së bashku në kryeqytetin ukrainas gjatë natës me tren nga Polonia, thuhet në një deklaratë të qeverisë italiane.

    Meloni pritet të mbajë një konferencë sot nga Kievi me liderët e G7, dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është ftuar gjithashtu të bashkohet me diskutimin.

  • Vazhdon konferenca “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”

    Vazhdon konferenca “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”

    Në Kuvendin e Republikës së Kosovës sot vazhdon punimet konferenca rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”.

    Konferenca nis në orën 10:00 dhe është organizuar nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përmes fascilitimit të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), nëpërmjet përkrahjes së Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Kosovë, si dhe Ambasadës Kanadeze në Kroaci dhe Kosovë. i

    Agjenda:

    10:00-11:30 Tryezë e rrumbullakët “Zbatimi i Rezolutës 1325 në nivelin lokal”, moderuar nga Eliza Hoxha, anëtare e Grupit të Grave Deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    • Majlinda Bufi, Kryebashkiake e Bashkisë së Roskovecit, Republika e Shqipërisë
    • Katarina Adjancic, Zëvendës-Kryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Republika e Kosovës
    • Teuta Arifi, Ish-Kryetare e Komunës së Tetovës, Republika e Maqedonisë së Veriut.
  • Kurti dhe Murati udhëtojnë drejt Londrës, marrin pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor

    Kurti dhe Murati udhëtojnë drejt Londrës, marrin pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

    Ai, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, do të marrë pjesë në Samitin për Investime në Ballkanin Perëndimor 2024.

    Ky samit është organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

    Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media.

    Samiti do të mbahet të hënën më 26.02.2024, ka njoftuar Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

    “Ngjarja do t’i bëjë bashkë 6 kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe investitorët ndërkombëtarë meqëllim për të nxjerrë në pah investimet potenciale dhe mundësit biznesore në regjion, dhe të promovohen projektet rajonale ndërkufitare”, thuhet në komunikatën e BERZH-it.

  • Florida miraton një ligj që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Florida miraton një ligj që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç

    Legjislativi i kontrolluar nga republikanët në Florida miratoi një projekt-ligj që ndalon mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç, një lëvizje që mbështetësit thonë se do t’i mbrojë të miturit nga rreziqet në internet për shëndetin e tyre mendor.

    Masa, e drejtuar tani për nënshkrimin e guvernatorit republikan Ron DeSantis, kërkon që faqet e mediave sociale të mbyllin llogaritë e kujtdo nën moshën 16 vjeç.

    Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi ligjin me 108 vota pro dhe shtatë kundër, pak orë pasi Senati dha miratimin përfundimtar.

    DeSantis, i cili nuk ka thënë nëse do të nënshkruajë masën, ngriti shqetësime muajin e kaluar për shkeljen e mundshme të të drejtave të privatësisë.

    Mbështetësit thanë se ligji do t’i mbronte fëmijët nga efektet e dëmshme të mediave sociale, të tilla si ankthi, depresioni dhe sëmundje të tjera mendore, dhe do të përfitonin ata që mbipërdorin platforma të tilla.

    Kritikët thonë se ligji shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA, i cili garanton lirinë e fjalës dhe se prindërit, jo qeveria, duhet të marrin vendime të tilla.

    Në mars 2023, shteti i Utah u bë shteti i parë amerikan që miratoi ligje që rregullojnë aksesin e fëmijëve në rrjetet sociale, së shpejti do t’i bashkohen Arkansas, Luiziana, Ohio dhe Teksas, sipas një analize të përgatitur përpara ligjit të Floridës. Gjithashtu, analiza thotë se një numër shtetesh të tjera po shqyrtojnë rregullore të ngjashme.

  • Escobar: Jemi të shqetësuar, Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner

    Escobar: Jemi të shqetësuar, Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner

    I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përsëriti se SHBA është e shqetësuar se Qeveria e Kosovës nuk e trajton si partnere, dhe shtoi se është diskutuar mënyra se si qeveria Kurti ka ndryshuar politikën për transaksionet e pagesave që ka të bëjë me dinarin serb, zbatimi i së cilës është diskutuar më herët.

    Në intervistën për Zërin e Amerikës (edicioni në gjuhën serbe), Escobar është pyetur nëse do të ketë pasoja për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi ai shumë herë është kritikuar nga SHBA-ja për mënyrën se si i zbatoi rregullat e reja lidhur me dinarin serb.Nuk dua të hyj në atë se cilat janë të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona në publik flasin mjaft qartë se ku po shkojnë marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike. Jemi shumë të shqetësuar sepse qeveria e Kosovës nuk na trajton si partner, nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe rrezikojnë dialogun – për të cilin SHBA-të janë plotësisht të përkushtuara. Mendoj se ambasadori Hovenier e ka thënë më së miri – kjo e ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën të integrohet në komunitetin transatlantik. Sa herë që flasim për Kosovën me partnerët tjerë, veçanërisht me ata që nuk e njohin, ata shohin se Kosova nuk i përmbush obligimet e saj në dialog nën ombrellën e BE-së, e cila përfaqëson të gjithë BE-. Prandaj, na e vështirëson mbrojtjen e argumenteve të Kosovës në çfarëdo mënyre, përfshirë anëtarësimin në BE dhe NATO, Këshillin e Evropës dhe shumë organizata të tjera”, ka thënë Escobar

    Më tej Escobar ka thënë se në kuadër të dialogut ka dy gjëra të rëndësishme.

    “Njëra është se Asociacioni i komunave me shumicë serbe – formimi i së cilit është obligim dhe për sa na takon neve duhet të përmbushet – përfshin zgjidhjen e çështjes së dinarit në mënyrë transparente, elektronike në përputhje me ligjet e Kosovës. Dhe ne e mbështesim atë. Me fjalë të tjera, ky është një problem që do të zgjidhej përmes Asociacionit. Kemi disa shqetësime për këtë: i pari është ndryshimi i papritur i ligjit. Institucionet e përgjegjshme nuk i befasojnë qytetarët e tyre me ndryshime administrative që do të prishin jetën e tyre të përditshme. Imagjinoni që tani Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme në Amerikë(IRS) një ditë vendos të ndryshojë sistemin e taksave, pa lëshuar asnjë udhëzim apo njoftim. Epo, kjo do të kishte pasoja të mëdha për biznesin. Së dyti, ata nuk kanë biseduar me komunitetin lokal, i cili varet nga përfitimet sociale nga Serbia. Së treti, Kosova nuk ka dhënë asnjë alternativë, për shembull një grua është drejtuar në ambasadën tonë e cila është 100% e varur nga përfitimet sociale, sepse kujdeset për djalin e saj me aftësi të kufizuara, ajo nuk ka alternativë. Më pas, Kosova refuzoi asistencën teknike të QUINT-it për të gjetur një mekanizëm pagese që do të ishte transparent dhe elektronik dhe nuk do të prishte jetën e njerëzve. Më në fund në samitin në Shkup (takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në janar 2024), gjashtë vende diskutuan për një sistem pagese që mund të aplikohet në të gjitha vendet. Pra, gjithçka që duhej të bënte Kosova ishte të priste dhe të merrte një sistem transparent”, tha Escobar.

    I pyetur nëse është i kënaqur se si Serbia i përmbush detyrimet e saj në kuadër të dialogut dhe çfarë pritet nga Beogradi në vijim, Escobar tha se nga Beogradi ka pritshmëri të qarta në dialog dhe disa u përmbushën- siç është pranimi i targave dhe dokumenteve doganore të Kosovës.

    Ne duam që Serbia ta bëjë këtë duke e futur në mënyrë të pakthyeshme dhe formale në ligje apo rregullore. Kjo pritet nga Serbia. Por ka disa gjëra të tjera që janë premtuar dhe nuk janë bërë – për shembull nxjerrja para drejtësisë e atyre që janë përgjegjës për pjesëmarrjen në sulmin në Banjskë më 24 shtator. Nuk është pjesë e dialogut, por është shumë e rëndësishme për pajtimin rajonal”, tha Escobar.

    Javën që shkoi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka deklaruar se SHBA-ja është e përkushtuar që në mënyrë diplomatike të zgjidh çështjen e dinarit serb në Kosovë.

    Në një konferencë për media, Miller ritheksoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    “Ne kemi për qëllim të jemi aktivë në përdorimin e mjeteve diplomatike për të adresuar këtë problematikë. Dëshirojmë që palët të rikthehen në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe, përveç kësaj, nuk do të dëshiroja të bëj parashikime për veprime të veçanta nga pozita ime,” u shpreh Miller.

    Më 1 shkurt 2024 ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës e cila thekson se valuta e vetme në Kosovë është euro.

    Kjo ka ngjallur edhe reagimin e faktorit ndërkombëtar.

    BE dhe SHBA ka kërkuar një periudhë tranzicioni për zbatimin e kësaj rregulloreje.

    Kurti, ka ripërsëritur se nuk do të ndërhyjë në vendimin e pavarur të BQK-së. Ai ka theksuar se serbëve në Kosovë do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri.

    “Nuk mund ta kthejmë këtë vendim. Nuk do të kemi asnjë lloj mase ndëshkuese – nuk duam të ndëshkojmë askënd”, ka thënë ai.Kurti ka shtuar se kjo është një periudhë tranzicioni dhe se po punojnë për informacione më të plota.

  • “Dinari”, presidentja beson në zgjidhje në Prishtinë, BE-ja në Bruksel

    “Dinari”, presidentja beson në zgjidhje në Prishtinë, BE-ja në Bruksel

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për presidenten Vjosa Osmani çështja e rregullores së re të BQK-së, respektivisht implikimeve rreth dinarit, mund të zgjidhet brenda pak orësh pa pasur nevojë për diskutime jashtë vendit.

    Ajo theksoi se Kosovës po i kërkohet një plan tranzicioni që merr parasysh nevojat e komunitetit serb, të cilët përfitojnë nga skemat pensionale e sociale nga Serbia.

    “Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë, nuk është dashur të bëhet çështje fare. Unë jam e bindur se nëse ka vullnet me një takim i cili mund të zgjatë disa orë mund të ulen të gjitha institucionet relevante dhe të dalin me hapa konkret, duke u bazuar në ligje dhe të marrim edhe përkrahjen e aleatëve për zbatimin e saj”, tha Osmani.

    Pasi paraprakisht tha se marrëdhëniet me SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe shtetet e BE-së duhet të konsiderohen ekzistenciale, presidentja shtoi se dialogu është dëmtuar nga mungesa e balancës nga lehtësuesit evropianë të procesit, duke thënë se pret ndryshime pas zgjedhjeve në BE.

    “Pas zgjedhjeve në BE do të kemi komisionerë të rinj, do të kemi zyrtarë të rinj të cilët do ta marrin përsipër procesin e dialogut, sipas të gjitha gjasave edhe ndërmjetësues të ri, nga ajo që më është thënë nga vetë z. Lajçak, i cili e ka mandatin deri në gusht mos qofsha e gabuar”, tha Osmani.

    Ndryshe nga presidentja e Kosovës, BE-ja zgjidhjen për dinarin e sheh në Bruksel.

    “U kemi dërguar ftesa partnerëve tanë për t’u marrë me një çështje konkrete, tashmë e kemi shpjeguar thellësisht, kështu që tani presim që të dyja palët të pajtohen me të dhe të zgjidhin problemin që është shkaktuar nga një vendim i gjorë dhe i pakonsultuar nga njëra palë, duke afektuar palën tjetër. Ky është roli ynë si lehtësues, nuk jemi komentues të gjithçkaje, ne vetëm përpiqemi t’u ndihmojmë palëve të gjejnë zgjidhje”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Zyrtarë të BE-së nuk komentuan për pasojat eventuale, nëse në takimin e thirrur për 27 Shkurt nuk paraqitet asnjë përfaqësues i Kosovës.

    Koment nuk patën as për videon që shpërfaq festën në Kopaonik, të tashmë të kërkuarit nga Interpoli për sulmin terrorist paramilitar në Banjskë, Milan Radojcic, ku mes fishekzjarrësh shihet mesazhi “urime ditëlindjen komandat”.

  • “Elektroseveri” “diskret” te shqiptarët në veri

    “Elektroseveri” “diskret” te shqiptarët në veri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Banorëve të Suhodollit, në veri të lumit Ibër, të enjten iu shkuan mysafirë të panjohur.

    Disa persona, me një veturë pa ndonjë logo e me targa të Beogradit dhe pa mjete identifikuese, u prezantuan si punonjës të kompanisë Elektrosever.

    Por, ardhja e tyre ngjalli dyshime te banorët, të cilët i thanë ATV-së se i lajmëruan organet e rendit.

    Andaj njohës të sigurisë e vlerësojnë si të drejtë shqetësimin e banorëve, meqë thonë se u cenua siguria e tyre.

    “Ti duhet të identifikohesh me ID që është legale, kur ti i shkon dikujt në shtëpi, atëherë ti je i dyshimtë për organet e shtetit, sepse me këtë thyhet edhe komponenti i dytë që quhet siguri private pra siguria familjare”, tha Arben Dashevci, ekspert i sigurisë.

    Megjithatë, vlerësohet se kjo mund të ketë qenë e qëllimshme.

    Sidoqoftë, Kompania Elektrosever njoftoi se ditëve në vijim do t’i vizitojë fshatrat me shumicë shqiptare për t’i lexuar njehsorët e energjisë.

  • Gjyqtarët zëvendësues, departamenti special do t’i caktojë këtë vit në disa raste

    Gjyqtarët zëvendësues, departamenti special do t’i caktojë këtë vit në disa raste

    Përgatiti: Nora Luta

    14 raste të tjera të korrupsionit janë kthyer në pikën zero vitin e kaluar, për shkak të ndërrimit të anëtarit të trupit gjykues.

    Kjo do të mund të evitohej nëse do të ishte i caktuar gjyqtari zëvendësues, i cili parashihet me Kodin e Procedurës penale.

    Këtë dispozitë ka vendosur ta zbatojë këtë vit Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    Në planin e punës të paraqitur nga nënkryetari Mentor Bajraktari, në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të enjten, u theksua që brenda këtij viti synohet të zgjidhen 70 raste.

    Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, caktimi i gjyqtarëve zëvendësues do t’i parandalonte zvarritjen e rasteve dhe parashkrimin.

    Aktualisht, Departamenti Special ka në punë 125 raste të rregullta dhe 167 lëndë të procedurës paraprake, të bartura nga viti 2023.

  • Përplasje mes ministrit të financave dhe opozitës në komisionin për buxhet

    Përplasje mes ministrit të financave dhe opozitës në komisionin për buxhet

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Borxhi publik për vitin 2023, kanë përplasur ministrin e Financave, Hekuran Murati, me deputetët opozitarë, derisa po raportonte në Komisionin për Buxhet.

    Diskutimet filluan pasi Murati deklaroi se për herë të parë në Kosovë ka ulje të borxhit publik.

    Kjo ngjalli reagime tek anëtarët e komisionit, të cilët e kundërshtuan deklaratën.

    Debati vazhdoi edhe kur Hoti pyeti ministrin rreth vlerësimit të kreditorëve, madje i kujtoi atij që nuk do të jetë edhe gjatë në këtë pozitë.

    Kritika pati edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Në këtë komision, përpos ministrit raportuan edhe drejtori i ATK-së dhe i Doganës, të cilët po ashtu u kritikuan nga anëtarët e Komisionit për keqmenaxhim.

  • Rregullorja për kujdestari të barnatoreve nuk po respektohet

    Rregullorja për kujdestari të barnatoreve nuk po respektohet

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Fillimisht, komuna e Prishtinës miratoi rregulloren që obligon farmacitë për mbajtjen e kujdestarisë prej orës 22 e deri në 7 të mëngjesit.

    Më pas, për informata shtesë u vendosën edhe barkode. Por sipas qytetarëve, asnjëra prej tyre nuk kreu punë pasi në raste emergjencash, pas orës 22:00 po detyrohen ta presin mëngjesin për t’i blerë medikamentet e nevojshme, apo krejt në tjetër qytet, meqë rregullorja nuk po respektohet.

    “Dje apo pardje më ra rasti vetë mua, asnjë barnatore çel s’e kom gjet, ku di unë t’i shikoj nëpër dyer këtu mu desh të shkoj në tjetër vend krejt…”, tha Ramadan Kajtazi, qytetar.

    “Sëmundja nuk të pyet, patjetër që duhet mu shtua ose t’i shikoj ndokush se a po punojnë a jo”, tha Emin Ademi, qytetar.

    5 deri në 10 barnatore, sa janë paraparë të jenë të hapura pas mesnatës, sipas farmacistëve, nuk mjaftojnë. Madje, ata po kërkojnë plotësim-ndryshim të rregullores për disa arsye.

    “Kemi raste që deri atje te dera bëhet rendi, edhe sipas rregullores parashihet që barnatoret që nuk janë kujdestare për atë natë, të mbyllën në ora 10, bash në atë kohë vijnë pacientët këtu spitalin afër e kemi, s’mund t’i lëmë në gjysmë… ka parregullsi, kërkojmë dëgjim publik…”, tha Arbnor Alidemaj, pronar i njërës barnatore kujdestare.

    Por ky orar, sipas Drejtorisë së Shëndetësisë në Prishtinë, do të ndryshojë.

    “Do ta shqyrtojmë mundësinë që orari të bëhet deri në orën 11, apo kështu disi…”, tha drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku.

    ATV-ja ka kuptuar se të gjitha pakënaqësitë e qytetarëve dhe farmacistëve do të diskutohen gjatë plotësim-ndryshimit të Rregullores për kujdestarinë e barnatoreve, që do të mbahet ditët në vijim në Kuvendin Komunal të Prishtinës.