ATV

Category: Lajme

  • Presidentja ​Osmani uron presidentin e ri Hungarisë

    Presidentja ​Osmani uron presidentin e ri Hungarisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Tamas Sulyok, për zgjedhjen e tij si President i Hungarisë.

    Osmani në X, i ka uruar suksese në rrugëtimin e shenjtë të udhëheqjes së vendit të tij, duke theksuar se mezi pret të punojë me të për të shtuar bashkëpunimin Kosovë-Hungari.

    Kandidati i përbashkët i Fidesz dhe KDNP siguroi 134 vota pro tij. Tamás Sulyok është presidenti i shtatë i Republikës që nga ndryshimi i regjimit.

    Mes mesazheve të urimit për të, është edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. “Urime, Tamás Sulyok, për zgjedhjen si President i Hungarisë! Mezi pres të punojmë së bashku, të forcojmë partneritetin dhe bashkëpunimin midis vendeve tona”, shkruan Presidenti në profilin zyrtar në platformën X.

  • Ministri Peci mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar Bujqësor në Paris

    Ministri Peci mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar Bujqësor në Paris

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci me ftesë të autoriteteve franceze, ka marrë pjesë në edicionin e 60-të të Panairit Ndërkombëtar Bujqësor të Parisit (Salon International de l’Agriculture – SIA) në Paris – Porte de Versailles.

    Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Peci ka marrë pjesë edhe në diskutimin ministror që në fokus kishte temën “Ndryshimet klimatike dhe kushtet sanitare për blegtorinë”.

    “Në diskutimin ministror, i cili është organizuar gjatë kësaj vizite, potencova rolin dhe ndikimin e faktorëve klimatik në sektorin blegtorisë, si dhe përpjekjet dhe idetë bashkëpunuese për të adresuar sfidat brenda këtij sektori”, ka thënë Ministri Peci.

    Krahas pjesëmarrjes në panair dhe diskutimit ministror, Ministri Peci ka vizituar edhe Ekspozitën Ndërkombëtare Bujqësore, e cila shërbeu si një platformë për të eksploruar bashkëpunime të mundshme, për të ndarë praktikat më të mira, si dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e bujqësisë.

  • Bislimi: Ende pa zbatim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit

    Bislimi: Ende pa zbatim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi në një vjetorin e Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel më 27 shkurt, ka akuzuar Serbinë se po refuzon ta nënshkruaj dhe ta zbatojë.

    Ai ka dhënë detaje duke thënë se në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke.

    “Kur do të duhej të ishim në rrugën e drejtë të zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes së Brukselit, shënojmë një vit nga dita kur u dakordua ajo, dhe Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen. Përkundrazi, përgjatë kësaj periudhe një vjeçare jemi përballur me shkeljet e Serbisë, eskalimet e saj në terren, refuzimin verbal dhe zyrtar të marrëveshjes dhe qasjes së vazhdueshme destruktive. Me 27 shkurt në Bruksel, me 18 mars në Ohër, me 14 shtator në Bruksel, me 26 tetor në Bruksel, me 8 shkurt në Neë York, plot pesë herë u ofrua dhe publikisht nënshkrimi i marrëveshjes, por u refuzua. Përtej kësaj, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe nene të Aneksit Implementues. Pas dakordimit të Brukselit dhe Ohrit, shantazhuan e kërcënuan serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të prillit, sulmuan një muaj më pas institucionet tona, KFOR-in dhe gazetarët, rrëmbyen brenda territorit tonë tre zyrtarë policorë, sulmuan veriun e shtetit tonë me 24 shtator në aktin e agresionit të Banjskës, afruan trupat ushtarake përreth kufirit tonë dhe si kërcënim i qartë dhe i hapur deklaruan se nuk do ta njohin sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe zyrtarisht me shkrim konfirmuan refuzimin e Marrëveshjes së Brukselit përmes letrës së kryeministres Brnabiq në dhjetor. Në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke. Kosova nga ana e saj, qëndron konstruktive dhe e angazhuar në këtë rrugëtim, në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i saj Implementues, duhet të zbatohen sa më parë. Rajoni ka nevojë për zhvillim e prosperitet, harmoni e marrëdhënie të mira fqinjësore mes të gjitha shteteve të rajonit”, ka shkruar ai.

  • ​Baza e NATO-s në Kuçovë, Rama: Infrastrukturë e avancuar për avionët luftarakë

    ​Baza e NATO-s në Kuçovë, Rama: Infrastrukturë e avancuar për avionët luftarakë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përcolli sot pamje nga transformimi rrënjësor i Aeroportit Ushtarak të Kuçovës.

    Rama u shpreh se kjo bazë ajrore taktike do të luajë rol kyç në mbështetjen e operacioneve të NATO-s.

    “Baza Ajrore Taktike e NATO-s që hapet së shpejti në Kuçovë do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s, duke shërbyer edhe si një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës” shkroi Rama në rrjetet sociale.

    Komandanti i Forcës Ajrore, gjeneralbrigade Ferdinand Dimo shpjegoi investimin e zhvilluar në aeroportin e Kuçovës.

    “Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës”, tha ai.

    “Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”, u shpreh Komandanti i Forcës Ajrore, i cili ndër të tjera ka sqaruar edhe funksionet që do të kryhen nga kjo bazë.

    “Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”- u shpreh Dino. /ATSH/

  • Atentat në Mal të Zi, raportohet se është vrarë shqiptari që ishte pjesë e një grupi kriminal ‘Skaljari’

    Atentat në Mal të Zi, raportohet se është vrarë shqiptari që ishte pjesë e një grupi kriminal ‘Skaljari’

    Një anëtar i një grupi të organizuar kriminal ka mbetur i vrarë mëngjesin e sotëm nga të shtënat me armë zjarri në Tivar të Malit të Zi.

    Siç raporton mediumi malazez “Vijesti” nga burime brenda policisë, i vrarë në këtë atentat ka mbetur Edmond Mustafa.

    Policia ka bllokuar qytetin dhe është në kërkim të autorëve.

    Dëshmitarët okularë nga lokalet në rrugën ku ndodhi rasti thanë se dëgjuan disa të shtëna dhe se një grua ishte me viktimën.

    Dëshmitarët okularë thanë se sulmuesi është arratisur me motoçikletë, ndërsa viktima është transportuar me autoambulancë.

    Mustafa prej vitesh njihej si pjesëtar i klanit kriminal të Skaljarit.

  • Nesër protestohet në Prishtinë kundër vendimit të Apelit për kthimin në rigjykim të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit

    Nesër protestohet në Prishtinë kundër vendimit të Apelit për kthimin në rigjykim të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë thirrje për protestë në raport me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit me të cilin e kthen në rigjykim rastin e vrasjes së 18-vjeçares nga Ferizaj, Marigona Osmani.

    Protesta është paralajmëruar të mbahet të mërkurën me datë 28.02.2024 në ora 12:00 në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, pranë Gjykatës së Apelit.

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist e ka quajtur vendimin e Gjykatës së Apelit si të pa qartë dhe jo të plotë.

    “Gjykata e Apelit në vendimin e saj bie pre e vetë kritikës së saj sepse nuk është e qartë dhe e plotë në vlerësimin e aktgjykimit” – thuhet në njoftim.

  • Ushtarja britanike që shërbeu në Kosovë thotë se donte të vetëvritej për shkak të abuzimeve seksuale

    Ushtarja britanike që shërbeu në Kosovë thotë se donte të vetëvritej për shkak të abuzimeve seksuale

    Një ish-ushtare britanike e cila ka shërbyer në Kosovë ka deklaruar se donte të vetëvritej për shkak të abuzimeve seksuale e ngacmimeve gjatë asaj kohe.

    Gemma Morgan, e cila tash është 50-vjeçare dhe jeton në Hertfordshire të Anglisë, iu bashkua Ushtrisë më 1996 në moshën 22-vjeçare. Ajo ka shkruar një libër biografik për përvojën e saj në ushtri, i cili do të publikohet të premten.

    Teksa ka folur “ITV” , 50-vjeçarja ka treguar se si puna në ushtri e ka bërë që ta mendonte t’i jepte fund jetës.

    Për pasojë, ajo kishte qëndruar në një klinikë psikiatrike për dy muaj si rezultat i këtyre përvojave të hidhura.

    “Po që se hyje, kjo pjesë vinte me punën dhe natyrisht që s’ishte e sigurt të kërkoje ndihmë ose të ankoheshe sepse sistemi do të të kthehej në agresor. Andaj njerëzit s’ankoheshin sepse në fund dilte se ‘është faji yt, ju ishit në vend të gabuar e ju po pini shumë. E turpëruar dhe në faj… Më shpiu të mendoja t’i jepja fund jetës”, ka treguar ajo.

    Ajo tutje ka treguar se përvoja e ka traumatizuar dhe mungesa e përkrahjes ia shtoi stresin.

  • Hoti kritikon Qeverinë Kurti për borxhin shtetëror

    Hoti kritikon Qeverinë Kurti për borxhin shtetëror

    Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, vlerëson se asnjëri nga tre indikatorët kryesorë të borxhit shtetëror nuk është përmirësuar gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

    Sipas tij krahasimet duhet të bëhen mes vitit të para pandemisë 2019 dhe vitit 2023.

    “Borxhi shtetëror si përqindje e PBB-së: 17.63% në 2019 dhe 17.19% në 2023; Koha mesatare deri në maturim të borxhit: 5.29 vite në 2019 dhe 5.72 vite në 2023; Norma mesatare e interesit: 2.16% në 2019 dhe 2.44% në 2023”, ka shkruar Hoti.

    Sipas tij disbursimi i mjeteve nga marrëveshjet e borxhit gjatë viteve 2021-2023 ka qenë shumë joefektiv.

    “Vetëm gjatë vitit 2023, janë ratifikuar 8 marrëveshje në vlerë 288 milionë euro, prej të cilave 5 nuk janë as efektive ende. Vonesat në disbursim kanë ekzistuar edhe në të kaluarën, por në këtë mandat ka përkeqësim”.

    Postimi i plotë i tij:

  • ​I përfshirë në së paku dhjetë vjedhje në Gjilan, arrestohet 42-vjeçari

    ​I përfshirë në së paku dhjetë vjedhje në Gjilan, arrestohet 42-vjeçari

    Njësiti i hetimeve të Stacionit Policor Gjilan, pas një pune të shpejtë operative hetimore ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin 42 vjeçar me inicialet D.M.

    Sipas Policisë, arrestimi i tij është bërë pasi që janë gjetur prova të mjaftueshme se i dyshuari ka qenë i përfshirë në së paku dhjetë raste të ‘’Vjedhjeve’’ dhe ‘’Vjedhjeve të rënda’’ të ndodhura në qytetin e Gjilanit.

    I dyshuari pas arrestimit është intervistuar në prani të prezencë të avokatit mbrojtës.

    Ndërkohë, me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal.

  • Aksidenti me fatalitet në Llapashticë të Podujevës: Prokuroria ngre aktakuzë ndaj të dyshuarit

    Aksidenti me fatalitet në Llapashticë të Podujevës: Prokuroria ngre aktakuzë ndaj të dyshuarit

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj një të dyshuari për aksidentin në Llapashticë të Podujevës, ku humbi jetën një person.

    Sipas aktakuzës, ai dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Rrezikim i trafikut publik’.

    “Sipas aktakuzës, më 19 dhjetor 2023, rreth orës 20:00, në rrugën “Qëndresa” në Podujevë, i pandehuri i lartcekur shkakton aksident trafiku me pasojë vdekjeje për tani të ndjerin A.K., si dhe lëndime të rënda trupore të dëmtuarit N.K., në atë mënyrë që derisa i pandehuri ishte duke drejtuar automjetin e tipit “Daimler Cryesles E220” me targa vendore, në rrugën e lartcekur në drejtim të fshatit Llapashticë e Poshtme, në Podujevë, i pandehuri duke qenë i vetëdijshëm se me drejtim të kundërligjshëm të mjetit të tij mund të sjellë në rrezik jetën, integritetin trupor të ndokujt ose pasurinë, në vëllim të madh dhe me vetëdije e ka lejuar ardhjen e pasojës, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës dhe shpejtësinë e lejuar, ashtu që humbë kontrollin dhe kalon në shiritin që shërben për lëvizje në krahun e kundërt dhe me pjesën e parë ballore të anës së majtë të automjetit të tij e goditë automjetin e tipit “VW Golf 1HXO” me targa vendore, të cilin e drejtonte i ndjeri dhe tani i dëmtuari, derisa nga forca e madhe e goditjes automjeti i të ndjerit kthehet mbrapa në drejtim të kundërt dhe përfundon jashtë rruge, me ç ‘rast lëndime vdekjeprurëse pëson tani më i ndjeri, i cili ndërron jetë në vendin e ngjarjes ndërsa lëndime të rënda trupore pëson i dëmtuari dhe një pasagjer në veturë me të pandehurin”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

    Tutje, në komunikatë thuhet se  Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cilat i vihet në barrë, si dhe t’i shqiptohet dënimi plotësues i ndalimit të drejtimit të automjetit.