ATV

Category: Lajme

  • ​Samiti për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, Policia me masa të forta sigurie

    ​Samiti për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, Policia me masa të forta sigurie

    Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Rebani Jaupi njoftoi sot në një konferencë për shtyp mbi masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit, për mbarëvajtjen e Samitit për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.

    Në datat 28 dhe 29 shkurt, në Tiranë, do të zhvillohet Samiti për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrje të shumë delegacioneve me nivel të lartë përfaqësimi nga Europa Juglindore, Ukraina dhe vendet e rajonit. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Gardën e Republikës dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, ka hartuar një plan të detajuar masash, për garantimin e rendit publik, para, gjatë dhe pas aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre 2 ditëve.

    Në zbatim të detyrave ligjore, si dhe duke shfrytëzuar përvojën pozitive të fituar gjatë planifikimit, organizimit dhe menaxhimit të situatës së rendit dhe sigurisë publike, gjatë aktiviteteve të tjera ndërkombëtare të zhvilluara më parë në Tiranë, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat, duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, rrugëkalimet e delegacioneve dhe ambientet ku do të zhvillohen aktivitete gjatë Samitit për Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor, që zhvilllohet më datë 28 dhe 29 shkurt.

    Për sa i përket qarkullimit të automjeteve, masat kufizuese do të jenë si më poshtë: Më datë 27.02.2024, do të ketë bllokime të rrugëve me afat të shkurtër kohor, për qëllime sigurie në rrugëkalimin e delegacioneve që vijnë nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe pikat e tjera të kalimit kufitar në drejtim të Tiranës, në varësi të kohës së lëvizjes së tyre; Më datë 28.02.2024, nga ora 07:00 deri në largimin e delegacioneve pjesëmarrëse në aktivitetet e organizuara për Samitin, do të ketë ndalim pushimi dhe qëndrimi, duke filluar nga aeroporti “Nënë Tereza”, rruga e Rinasit – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e madhe perëndimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Papa Gjon Pali II” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit; Më datë 28.02.2024, do të ketë ndalim qarkullimi për automjetet, në fashat orare 08:00-11:00 dhe 15:30-17:30, nga aeroporti i Rinasit deri te ish-sheshi “Shqiponja dhe anasjelltas – Unaza e madhe perendimore, Rruga e Elbasanit, rrugët “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Ismail Qemali”, “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, “Jul Variboba” dhe “Fatmir Haxhiu”; Më datë 29.02.2024, nga ora 12:00 deri në orën 14:00 do të ketë ndalim qarkullimi, në Rrugën e Elbasanit, Unaza e madhe perëndimore – ish-sheshi “Shqiponja” – Qafë Kashar – Rinas-aeroporti “Nënë Tereza”;

    Rrugët që përfshihen në perimetrin e sigurisë së aktiviteteve dhe takimeve të pjesëmarrësve në Samit, do të kenë ndalim qarkullimi nga ora 08:00 e datës 28.02.2024 deri në orën 16:00 të datës 29.02.2024, konkretisht: Rruga “Dervish Hima” nga Rruga e Elbasanit deri tek Coin; Rruga “Papa Gjon Pali II”, nga RTSH deri tek Coin; Rruga “Abdyl Frashëri”, nga kryqëzimi i Librit Universitar deri tek Presidenca; Rruga “Ukraina e lirë”, nga Gjykata Kushtetuese deri tek Vila 30; Rruga “Themistokli Gërmenji”, nga Rruga e Elbasanit deri tek rruga “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Faik Konica”, nga degëzimi i Ambasador 3 deri tek rruga “Dervish Hima”; Rruga “ Gjergj Filipi”, sheshi “Italia”, nga rruga “Faik Konica” deri tek hotel “Mariot”; Blevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e ish-hotel Dajtit deri tek sheshi “Nënë Tereza”;

    Për qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 28 dhe 29.02.2024, gjatë fashës orare të bllokimit të rrugëve, do të ndjekin përkatësisht drejtimin: Vorë – Fushë Prezë – Rinas dhe kthim; Fushë Krujë – Valias – Rinas dhe kthim; Nga Juglindja dhe Tirana, do të ndjekin Unazën lindore – Farmacia 10 – Stacioni i Trenit – Bulevardi i Ri – Paskuqan – Kamëz – Valias – aeroporti “Nënë Tereza” dhe kthim në të njëjtin itenerar.

    Hyrja e gazetarëve, e automjeteve të mediave të akredituara nga shërbimet e sigurisë, si dhe e të ftuarve në Samit, do të bëhet nga rruga “Ismail Qemali” – RTSH – bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- porta fundore e kontrollit të shërbimeve të Gardës së Republikës. Për banorët dhe automjetet që gjenden në rrugët dhe blloqet e banimit, brenda perimetrit të sigurisë dhe rrugëve me bllokime të gjata në kohë, në varësi të agjendës së delegacioneve, me miratimin e drejtuesve të shërbimeve, do të lejohen të hynë dhe dalin, përkatësisht nga: a)Blloku i banimit tek “Ambasador 3”, nga rruga “Sheh Ahmet Pazar” ose Faik Konica; b) Blloku i banimit në rrugët “Themistokli Gërmenji”, “Jul Variboba”, “Fatmir Haxhiu” dhe “Papa Gjon Pali II”, në drejtim hyrës dhe dalës drejt Rrugës së Elbasanit; c)Blloku i banimit tek dy kullat në rrugën “Ismail Qemali” dhe “Ukraina e lirë”, në drejtim hyrës dhe dalës të kufizuar nga shërbimet e sigurisë dhe dalje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas kthim i detyruar drejt bulevardit “Bajram Curri”; d)Rruga “Lek Dugagjini” (para Universitetit) duke vijuar në rrugën “Faik Konica” (pas stadiumit), me dalje në Rrugën e Elbasanit, do të jetë e lirë për kalimin e mjeteve dhe qytetarëve (përjashto rastet kur ka kufizim në Rrugën e Elbasanit).

    Për zbatimin e këtyre masave janë angazhuar Forcat Kombëtare të Sigurisë, Forcat Speciale RENEA, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Drejtoria e Policisë Rrugore, në koordinim dhe drejtim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Njëkohësisht, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, me qëllim sundimin e ligjit në territor. Policia e Shtetit shprehu besimin se qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve do të mirëkuptojnë masat e përkohshme kufizuese, do të ndjekin dhe do të zbatojnë udhëzimet e Policisë, pasi masat e marra janë në funksion të rendit, të sigurisë dhe të rritjes së imazhit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

  • ​Biden shpreson për një pauzë të luftimeve në Gazë gjatë Ramazanit

    ​Biden shpreson për një pauzë të luftimeve në Gazë gjatë Ramazanit

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Izraeli do të jetë i gatshëm ta ndalë luftën e tij kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – gjatë Muajit të Ramazanit, nëse arrihet një marrëveshje për lirimin e disa pengjeve që mbahen nga radikalët palestinezë.

    Negociatorët nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari po punojnë për kornizën e një marrëveshjeje sipas së cilës Hamasi do të lironte dhjetëra pengje që mban, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë dhe ndaljen e luftimeve për gjashtë javë. Gjatë kësaj pauze të përkohshme, negociatat do të vazhdonin për lirimin e pengjeve të mbetura, shkruan Rel, transmeton KosovaPress.

    Ende nuk ka ndonjë reagim nga Izraeli lidhur me deklaratat e Bidenit.

    Ramazani nis më 10 mars dhe shihet si një afat jozyrtar për një marrëveshje armëpushimi. Në këtë muaj, besimtarët myslimanë në mbarë botën agjërojnë nga agimi deri në muzg.

    Biden tha se shpreson që një marrëveshje armëpushimi do të hynte në fuqi javën e ardhshme. Gjatë pauzës, negociatat do të vazhdonin për lirimin e pengjeve të mbetura dhe lirimin e më shumë të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.

    “Ramazani po vjen dhe duhet të ketë një marrëveshje nga izraelitët që po ashtu të mos përfshihen në aktivitete gjatë Ramazanit, në mënyrë që të na japin ne kohë për të liruar të gjitha pengjet”, tha Biden gjatë një paraqitjeje në emisionin Late Night With Seth Meyers në NBC.

  • 51 aksidente trafiku brenda 24 orëve në Kosovë, një me fatalitet

    51 aksidente trafiku brenda 24 orëve në Kosovë, një me fatalitet

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për 24 orë kanë ndodhur 51 aksidente në trafik, njëri prej të cilëve ka qenë me fatalitet. Kurse, 12 aksidente të tjera janë raportuar me të lënduar dhe 38 me dëme materiale.

    Policia ka dhënë detaje për aksidentin e së hënës në Prishtinë, duke njoftuar se një veturë e ka goditur një këmbësor në rrugën “Agim Ramadani” dhe për pasojë, 26-vjeçari ka humbur jetën.

    Shoferja e dyshuar është ndaluar, ndërkohë që për rastin ka dhënë një njoftim edhe sot Policia e Kosovës.

    “E dyshuara femër kosovare duke e drejtuar veturën e saj ka goditur këmbësorin mashkull kosovar, i cili si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Ndërsa me vendim të prokurorit e dyshuara është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, kurse trupi i pa jetë është dërguar për obduksion në IML-Prishtinë. Rasti nën hetime”, theksohet në njoftimin e policisë.

    Gjithashtu, policia ka shqiptuar dy mijë e 59 tiketa në trafik.

  • Sot vendoset për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës

    Sot vendoset për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit të Prishtinës

    Kuvendi i Komunës së Prishtinës sot mban mbledhje të jashtëzakonshme me një pikë të vetme të rendit të ditës – shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit, Pëllumb Bajçinovci.

    Këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje me mbështetje të këshilltarëve të AAK-së, një këshilltari të AKR-së dhe një këshilltari të pavarur, kanë iniciuar mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për të shkarkuar me të vetmen pikë kryesuesin e Kuvendit.

    Shefi i këshilltarëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, ditë më parë ka thënë se subjekti i tij politik kërkon shkarkimin e kryesuesit.

    Inicimi për shkarkim të kryesuesit ka ardhur pas prishjes së koalicionit LDK-PDK në nivelin ekzekutiv, duke e lënë në pushtet LDK-në, që tashmë është pakicë në Kuvendin e Komunës.

  • Disa pjesëtarë të KFOR-it kanosen në Prizren, policia jep detaje

    Disa pjesëtarë të KFOR-it kanosen në Prizren, policia jep detaje

    Disa pjesëtarë të KFOR-it, derisa kanë qenë duke qëndruar në një lokal janë kanosur dje nga dy të dyshuar në fshatin Lubiqevë të Prizrenit.

    Policia e Kosovës, në raportin e saj 24-orësh thuhet se pas një pune hetimore janë ndaluar dhe arrestuar të dyshuarit.

    “Pas intervistimit të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

    Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, derisa rasti është nën hetime.

    “Fsh. Lubiqevë, Prizren 26.02.2024 – 09:00. Disa pjesëtarë të KFOR-it, derisa kanë qenë duke qëndruar me një lokal, dy të dyshuar meshkuj kosovarë i kanë kanosur. Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Pas një pune hetimore janë ndaluar dhe arrestuar dy të dyshuarit meshkuj kosovarë. Pas intervistimit të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar pushkë gjuetie. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.

  • Macron: Aleatët janë pajtuar për të furnizuar Ukrainën me raketa

    Macron: Aleatët janë pajtuar për të furnizuar Ukrainën me raketa

    Udhëheqësit evropianë janë pajtuar të krijojnë një koalicion për të furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi dhe bomba, për të mbështetur përpjekjet e Kievit për të luftuar pushtimin e nisur nga Rusia. Kështu tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pas një samiti të liderëve të kontinentit të mbajtur në Paris.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti polak Andrzej Duda, dhe udhëheqësit nga shtetet e Baltikut po ashtu morën pjesë në samit që zgjati deri në hënën mbrëma. Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në samit me diplomatin kryesor për Evropë, James O’Brien, ndërkaq në samit mori pjesë edhe sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron.

    “Ne po ashtu kemi vendosur t’i japim një shtysë të re koalicionit të mbrojtjes ajrore, gjë për të cilën ka bërë thirrje presidenti ukrainas [Volodymyr Zelensky], dhe të krijojmë koalicionin e nëntë këtë mbrëmje, një koalicion për raketa dhe bomba me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, me të cilat mund të kryhen sulme të thella”, tha Macron gjatë një konference për media të mbajtur pas takimit.

    Zelensky, që iu adresua samitit përmes video-lidhjes, u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të sigurohen që presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk mund të shkatërrojë arritjet tona dhe të mos mund të zgjerojë agresionin e tij në shtete të tjera”.

    Ukraina varet shumë nga armët e avancuara dhe furnizimet me municion nga aleatët perëndimorë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, për t’iu bërë ballë sulmeve intensive nga forcat ruse, të cilat nisin pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Trupat ukrainase, që janë më të pakta në numër dhe me mungesë armatimesh, së fundi u detyruan të tërhiqen nga disa pozicione mbrojtëse në lindje, teksa një paketë e ndihmës ushtarake e SHBA-së në vlerë prej 61 miliardë dollarësh mbetet e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.

    Evropa do të ndihmojë Ukrainën “të marrë iniciativën dhe të veprojë së bashku në një kohë kur ka pasiguri në SHBA sa i përket ndihmës”, tha Macron, duke shtuar se në mesin e udhëheqësve që morën pjesë në samit kishte “konsensus të gjerë për të bërë më shumë dhe në mënyrë më të shpejtë”.

    Ai tha se “asnjë konsensus” nuk ekziston për dërgimin e trupave tokësore perëndimore në Ukrainë, por shtoi se “asgjë nuk duhet të përjashtohet për të arritur objektivin tonë. Rusia nuk mund të fitojë luftën”, tha Macron.

    Ndaras, presidenti polak Duda, tha për gazetarët pas takimit se “nuk kishte entuziazëm” në mesin e pjesëmarrësve lidhur me mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë.

    Pjesëmarrësit në takim thanë se ka rritje të mbështetjes nga shtetet evropiane, përfshirë Francën, për një nismë të Çekisë për të blerë municione dhe predha jashtë Bashkimit Evropian dhe për t’i dërguar në Ukrainë.

    Kryeminsitri Mark Rutte tha se Holanda ka vullnet që të ofrojë mbi 100 milionë euro për këtë qëllim./REL/

  • Anulohet seanca e sotme ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Anulohet seanca e sotme ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dje ka vazhduar seancës gjyqësore në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kurse seanca e paraparë për sot është shtyrë më 28 shkurt.

    Dje, në Dhomat e Specializuara e ka dëshmuar dëshmitari i mbrojtur, i 47-ti me radhë, i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Prokurorja Sarah Clanton, në përmbledhjen për dëshmitarin e prezantoi atë si banor të Prizrenit që është ndaluar e keqtrajtuar prej pjesëtarëve të UÇK-së.

    Në seancën e djeshme është folur edhe për ecurinë e çështjes, ku u bë e ditur se seanca e paraparë për sot është shtyrë. Kryetari i trupit gjykues, njoftoi të hënën se dëshmia e dëshmitarit të radhës do të dëgjohet të mërkurën, më 28 shkurt, përmes video-lidhjes.

    Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë ishin paraparë të mbahen tri seanca, por me gjasë do të mbahen vetëm dy, kjo pasi që seanca e 27 shkurtiti është shtyrë për nesër.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill të vitit të kaluar, kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

    Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

  • Del raporti i policisë për vdekjen e 26 vjeçarit në Prishtinë

    Del raporti i policisë për vdekjen e 26 vjeçarit në Prishtinë

    Një i ri ka vdekur dje si pasojë e një aksidenti në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë.

    Sipas policisë lidhur me rasti është arrestuar një grua dhe e njëjta është dërguar në mbajtje.

    Ndërkaq, trupi i të riut është dërguar në IML për obduksion.

    “Rr. Agim Ramadani, Prishtinë 26.02.2024 – 12:50. E dyshuara femër kosovare duke e drejtuar veturën e saj ka goditur këmbësorin mashkull kosovar, i cili si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Ndërsa me vendim të prokurorit e dyshuara është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, kurse trupi i pa jetë është dërguar për obduksion në IML-Prishtinë. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • Gjendet i vdekur një burrë në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali

    Gjendet i vdekur një burrë në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali

    Një person derisa ka qenë në vuajtje të dënimit në Qendra e Paraburgimit në Hajvali të Prishtinës, është gjetur pa shenja jete.

    Rasti është raportuar dje në mëngjes dhe vdekjen e personit e ka konstatuar mjeku kujdestar.

    “Qendra e Paraburgimit Hajvali, Prishtinë 26.02.2024 – 07:51. Derisa ka qenë në vuajtje të dënimit një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete, vdekjen e personit e ka konstatuar mjeku kujdestar. Raportohet se i njëjti ka qenë përdorues i substancave narkotike”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në samitin për Ukrainën në Tiranë

    Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në samitin për Ukrainën në Tiranë

    Sonte në Shqipëri, pritet të arrijë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili do të pritet nga kryeministri Edi Rama.

    Në Samitin e parë mes Ukrainës dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Tiranë, e pranishme do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Kjo është konfirmuar për klan kosova nga presidenca.

    Ndërkohë, pak ditë më parë në një mesazh në platformën “X”, kreu i shtetit të Ukrainës vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe shprehu padurimin për një të ardhme më të sigurt për gjithë Evropën. Shqipëria ka vendosur disa sanksione ndaj Rusisë, ndërsa ka dënuar luftën e saj në Ukrainë.