ATV

Category: Lajme

  • Mjekë e profesorë, “të painteresuar për deklarim të pasurisë”

    Mjekë e profesorë, “të painteresuar për deklarim të pasurisë”

    Më pak se 100 profesorë universitarë iu përgjigjen thirrjes për deklarim të pasurisë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Përveç 800 profesorëve, janë edhe mbi 1000 mjekë që për herë të parë duhet ta bëjnë deklarimin e pasurisë.

    Megjithatë, vullnet ka pak meqë nga 11 shkurti, vetëm mbi 100 mjekë nga 1000 e përfunduan këtë proces.Sidoqoftë ata kanë edhe disa ditë kohë që ta bëjnë këtë.

    Megjithatë, disa nga profesorët që mbajnë edhe pozita të tjera janë të liruar nga ky detyrim.

    Por hezitimin e profesorëve për ta deklaruar pasurinë,njohës të fushës po e arsyetojnë me mungesë të fushatave vetëdijesuese.

    Nga 1 marsi, deklarimit të pasurisë do t’i nënshtrohen zyrtarë të tjerë publikë, të cilët kanë kohë deri më 31 mars./atvlive.tv/

     

  • Ndonëse kaloi një vit që nga miratimi i Ligjit për Paga në sektorin publik, zyrtarët nuk morën shtesat e premtuara

    Ndonëse kaloi një vit që nga miratimi i Ligjit për Paga në sektorin publik, zyrtarët nuk morën shtesat e premtuara

    Shtesat e premtuara nuk i morën asnjëherë.

    Tash e një vit zyrtarët publikë vazhdojnë të jenë pa shtesa, të cilat u premtuan se do t’i marrin pas miratimit të Ligjit për Paga në sektorin publik.

    Sipas Ali Sefajt nga Sindikata e shërbyesve civilë, ekzekutim i shtesave në veçanti asaj të tregut duhet të bëhet sa më parë pasi ndryshe paralajmëron ikje të punëtorëve.

    Por, edhe pse me 10 muaj vonesë, shtesat i morën pjesëtarët e Policisë ndonëse sipas Kryetarit të Sindikatës shuma e ndarë është e vogël ndërkaq shtesa për rrezikshmëri, e padefinuar.

    Andaj sipas Imer Zeqirit, kjo do të jetë njëra prej kërkesave në takim e së hënës që do ta mbajnë në Ministrin e Punëve të Brendshme.

    Pas miratimi të ligjit për paga më 5 shkurt të viti të kaluar, punëtorëve të sektorit publik iu premtua se shtesat në pagat do t’i marrin në formë retroaktive./atvlive.tv/

  • Dy investime kapitale në vlerë rreth 90 milionë euro të parapara të kryhen këtë vit në Kosova B janë shtyrë

    Dy investime kapitale në vlerë rreth 90 milionë euro të parapara të kryhen këtë vit në Kosova B janë shtyrë

    Investimet kapitale vlerë të përgjithshme afër 200 milionë euro, të parapara për këtë vit, në termocentralet Kosova A dhe B do të vonohen, përkatësisht shtyhen.

    Projekti për reduktimin e ndotjes, përmes fondeve të BE-së në vlerë 38.5 milionë euro, si dhe ai për modernizimin e turbinave, përmes kontratës në vlerë 56 milionë euro – me General Electric, nuk do të nisin para vitit 2025.

    Shtyrja e realizimit investimeve nuk ndërlidhet me masat ndëshkuese të BE-së.

    “Kontrata për masat për reduktimin e pluhurit dhe oksideve të azotit, në Termocentralin Kosova B tashmë është duke u realizuar, prandaj ajo nuk ndikohet nga masat e BE-së. Masat e BE-së ndikojnë vetëm projektet e reja për të cilat procesi i prokurimit dhe kontraktimit është pezulluar”, thuhet nga Zyra e BE-së në Prishtinë.

    Edhe pse, sipas Ministres së Ekonomisë, KEK-u dhe General Electric janë gati për investime në Kosovën B, shtyrja është e pashmangshme.

    “Për shkak të vonesave në zinxhirin e furnizimit në tregjet globale aktualisht, konsorciumi dhe disa çështje të brendshme të konsorciumit të kontraktuar nga BE-ja, na është komunikuar se konsorciumi nuk mund ta  realizojë projektin gjatë vitit 2024, siç ka qenë e planifikuar. Kjo do të thotë që përveç atij projekti, duhet të shtyhet detyrimisht edhe ky i modernizimit dhe të tjerat, në mënyrë që mos të i ndalim blloqet dy herë’, deklaroi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Vonesa pritet të ketë në investimin për rehabilitimin e thellë të njësisë prodhuese A5, në vlerë 105 milionë euro, pasi ende nuk është shpallur tenderi.

    Krahas vlerësimit se vonesat në investime cenojnë sigurinë e furnizimit, eksperti i energjisë Naim Bujupi tha se punët duhet të nisin më së largu në Maj.

    “Procedurat e prokurimit sigurisht ishte dashtë të fillojnë qysh vitin e kaluar dhe tashmë të ishte dashtë të përfundojnë procedurat e prokurimit dhe kompania e përzgjedhur të fillojë menjëherë me remontet kapitale”, tha Bujupi.

    Me investimet në modernizimin e turbinave parashihet që kapaciteti prodhues i TC Kosova B të rritet për 30 megavat orë.

    Ndërsa, me investimet në vlerë 105 milionë euro, parashihet që kapaciteti prodhues i njësisë A5 të rritet për 50 megavatë orë, nga 130 në 180 megavat orë./atvlive.tv/

  • Arrestohen në Prishtinë tre të dyshuar për shitblerje të narkotikëve

    Arrestohen në Prishtinë tre të dyshuar për shitblerje të narkotikëve

    Policia njoftoi se ka arrestuar tre persona në Prishtinë për trafikim me substanca narkotike.

    Sipas njoftimit, të dyshuarit janë kapur gjatë shitblerjes së narkotikëve.

    “Nga njësiti i DHTN-së janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit janë kapur gjatë shit-blerjes së substancave narkotike”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se gjatë kontrollit në shtëpitë e të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar 782 gramë substance narkotike e llojit marihuanë, një peshore dhe 942.5 euro.

  • Katër të vrarë dhe tetë të plagosur në Odesa nga një sulm rus me dron

    Katër të vrarë dhe tetë të plagosur në Odesa nga një sulm rus me dron

    Të paktën 4 persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën sot pasi një dron rus u rrëzua një bllok apartamentesh në qytetin port në jug të Ukrainës, Odesa.

    Zyrtarët në Odesa thanë se një person u nxor i gjallë nga rrënojat e një prej ndërtesave.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha në një postim në rrjetin social Telegram se nga rrëzimi i dronit ishin shkatërruar 18 apartamente.

    “Rusia vazhdon sulmet ndaj civilëve. Një dron armik goditi një ndërtesë banimi në Odesa”, shkroi ai.

    Zelenskyy njoftoi të premten se kishte firmosur një marrëveshje në fushën e sigurisë me kryeministrin holandez Mark Rutte, që do të bëjë të mundur një ndihmë ushtarake prej 2.2 miliardë dollarësh gjatë këtij viti.

    Presidenti ukrainas njoftoi hollësi mbi planin, pasi dy udhëheqësit u takuan dhe mbajtën bisedime në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës që është vazhdimisht në shënjestër të sulmeve nga Rusia.

    “Marrëveshja mundëson një ndihmë ushtarake prej 2 miliardë eurosh nga Holanda, gjatë këtij viti si edhe ndihmë në fushën e mbrojtjes gjatë 10 viteve në vazhdim”, shkroi Zelenskyy.

    Ukraina paralajmëroi muajin e kaluar se kishte marrë më pak se 1/ 3 e 1 milion predhave të artilerisë që Bashkimi Evropian ishte zotuar se do t’i ofronte dhe se vendi po përballej me vështirësi për t’u mbrojtur.

    Ukraina tërhoqi trupat nga qytetit lindor Avdiivka në muajin shkurt mes vështirësive për të siguruar municione, duke i mundësuar Moskës një fitore të madhe në territor pas më shumë se 1 viti.

    Presidenti Zelenskyy postoi në rrjetin social X video ku ai dhe kryeministri holandez dukeshin duke vizituar qytetin e Kharkivit, përfshirë disa prej 20 mijë ndërtesave që sipas presidentit ukrainas janë shkatërruar si pasojë e sulmeve ruse./VOA

  • Zgjedhjet në Beograd: Vuçiq bën thirrje për zbatim të rekomandimeve të ODIHR-it

    Zgjedhjet në Beograd: Vuçiq bën thirrje për zbatim të rekomandimeve të ODIHR-it

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 2 mars se i ka kërkuar listës zgjedhore të lidhur me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) që të shkojë në zgjedhje të reja në Beograd.

    “E di që e keni shumicën, mirëpo më mirë është të humbësh sesa të përsëritet situata e vitit 2008, kur Partia Demokratike dhe Socialistët kanë kryer vjedhje zgjedhore”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për media në Presidencën e Serbisë.

    Ai i ka bërë thirrje qeverisë për të zbatuar menjëherë rekomandimet e bëra prej Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në raportin e publikuar për zgjedhjet e mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar në Serbi.

    Më 28 shkurt, ODIHR e ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet e 17 dhjetorit.

    Në të është thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi “janë dominuar prej pjesëmarrjes vendimtare të presidentit, i cili, bashkë me përparësinë sistematike të partisë në pushtet, kanë krijuar kushte jo të drejta për pjesëmarrësit”.

    Mes tjerash, është përmendur se “në përgjithësi, liritë themelore janë respektuar në fushatë, mirëpo ato janë minuar prej retorikës së ashpër, paragjykimeve në media, presionit te punëtorët e sektorit publik dhe abuzimeve me burime publike”.

    Përveç raportit të ODIHR-it, edhe vëzhguesit e brendshëm në Serbi, dhe ata të huaj kanë përmendur parregullsi në procesin zgjedhor.

    Ditë më parë, edhe Parlamenti Evropian e ka miratuar një rezolutë që bën thirrje për hetim ndërkombëtar për dyshimet për parregullsi në zgjedhje, si dhe për pezullim të fondeve evropiane, nëse vërtetohet që autoritetet kanë qenë drejtpërdrejt të përfshira në mashtrime zgjedhore.

    Në rezolutë, Parlamenti Evropian ka bërë thirrje që sidomos të hetohen zgjedhjet për qytetin e Beogradit, si dhe dyshimet për bartje të organizuar të votuesve në nivel lokal.

    Ditën e 17 dhjetorit, Serbia i ka organizuar zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore.

    Seanca konstitutive për Asamblenë e qytetit të Beogradit, që është paraparë të mbahet më 1 mars, është shtyrë për herë të dytë për 3 mars, për shkak të mungesës së kuorumit.

    Pjesëtarët e partisë SNS dhe Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) nuk kanë marrë pjesë në seancë./REL/

  • ​Aksident në rrugën Prishtinë-Podujevë, lëndohen pesë persona

    ​Aksident në rrugën Prishtinë-Podujevë, lëndohen pesë persona

    Pesë persona kanë marrë lëndime si pasojë e një aksidenti mes tri veturave sot në rrugën Prishtinë-Podujevë.

    Lajmi e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    “Sot rreth orës 11:00, kemi pranuar informatën për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën Prishtinë -Podujevë. Në aksident janë përfshirë tri automjete, ku pesë persona kanë pësuar lëndime trupore”, tha ajo.

  • Arrestohen dy persona në Obiliq, kishin kryer vjedhje në muajin shkurt

    Arrestohen dy persona në Obiliq, kishin kryer vjedhje në muajin shkurt

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar në Obiliq.

    Arrestimi i tyre ka ndodhur pas hetimeve të zhvilluara.

    Personat e arrestuar dyshohen për një rast të vjedhjes që ka ndodhur në muajin shkurt.

    Njoftimi i plotë:

    Fsh. Milloshevë, Obiliq 24.02.2024 – 19:00. Sot më 01.03.2024 pas hetimeve të zhvilluara janë arrestuar dy meshkuj kosovarë si të dyshuar lidhur me një rast vjedhje. Të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

  • Pahor takohet me presidenten Osmani në Turqi, konstaton se dialogu Kosovë-Serbi është bllokuar

    Pahor takohet me presidenten Osmani në Turqi, konstaton se dialogu Kosovë-Serbi është bllokuar

    Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalisë në Turqi.

    Pahor ka treguar se kanë biseduar për situatën në rajon dhe në mënyrë specifike për atë Pahor e ka cilësuar si ngërç në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

  • ​Osmani falënderon Erdoganin për mbështetjen ndaj Kosovës

    ​Osmani falënderon Erdoganin për mbështetjen ndaj Kosovës

    Presidentja Vjosa Osmani gjatë pjesëmarrjes në Forumin Diplomatik të Antalisë ka takuar edhe homologun e saj turk Recep Tayyip Erdogan.

    Ajo me këtë rast ka falënderuar kreun e shtetit turk për miqësinë, përkushtimin dhe mbështetjen e treguar ndaj Kosovës.

    “Kënaqësi ta rikonfirmojmë punën tonë të përbashkët për thellimin e raporteve bilaterale dhe fuqizimin e lidhjeve ndërmjet vendeve dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

    Ndryshe, Osmani në Forumin Diplomatik të Antalisë ka akuzuar Serbinë se është bërë e dorë e zgjatur e Rusisë për destabilizimin e rajonit.

    “Përtej faktit që jemi fqinjë me Serbinë, që fatkeqësisht jo vetëm tash së voni, por për një kohë të gjatë, është bërë një dorë e zgjatur e Rusisë në përpjekje për të destabilizuar rajonin. Historikisht Rusia është përpjekur të gjejë terren ku do të mund të zgjeronin konfliktin. Gjithmonë e kanë parë Ballkanin Perëndimor si një prej këtyre tokave pjellore për konflikt. Kemi pasur krizë pas krize në rajon për shkak se interesi rus ka qenë që ta kthejë rajonin tonë në të 90-at kur ka pasur luftëra e konflikte”, ka thënë ndër tjera Osmani.