ATV

Category: Lajme

  • ​Szunyog: Sulmet e Qeverisë ndaj Prokurorisë minojnë pavarësinë institucionale

    ​Szunyog: Sulmet e Qeverisë ndaj Prokurorisë minojnë pavarësinë institucionale

    Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në fjalën e tij në konferencën vjetore të prokurorëve, ka deklaruar se ata luajnë një rol jetik në sistemin e drejtësisë.

    Ai theksoi se prokuroria është shtylla e shtetit ligjor dhe një nga themelet e funksionimit të demokracisë.

    Duke folur për rolin e një prokurori, Szunyog tha se puna e tij ka të bëjë me sigurimin e dënimeve dhe në të njëjtën kohë me mbrojtjen e sistemit ligjor, duke respektuar parimin se “Askush nuk është mbi ligjin” dhe duke dëshmuar se drejtësia është e verbër ndaj pushtetit.

    Ai gjithashtu përmendi edhe sulmet e Qeverisë në drejtim të Prokurorisë duke thënë se këto sulme tentojnë të ushtrojnë ndikim të padrejtë dhe të njëjtët minojnë pavarësinë e institucioneve.

    “Prokuroria është një shtyllë e shtetit ligjor dhe është një nga gurët e themelit të funksionimit të demokracisë, kjo sigurisht që është e vërtetë. Por duhet të kujtojmë se kjo nuk është vetëm një deklaratë ceremoniale, kjo është diçka që çdo prokuror duhet ta ketë parasysh çdo ditë, në punën e përditshme. Puna e një prokurori ka të bëjë me sigurimin e dënimeve, por në të njëjtën kohë ka të bëjë me mbrojtjen e sistemit ligjor, duke respektuar parimin ‘Askush nuk është mbi ligjin’, duke demonstruar se drejtësia është e verbër ndaj pushtetit, privilegjit apo pozitës. Në këtë aspekt, pavarësia e prokurorisë është e panegociueshme, duke garantuar që vendimet të bazohen vetëm në ligj dhe në themelet e rastit, pa asnjë ndikim apo ndërhyrje, qoftë të jashtme apo të brendshme. Kohët e fundit, për fat të keq, kam vërejtur deklarata të qeverisë në media që sulmojnë prokurorët dhe gjyqtarët. Unë e kam kritikuar publikisht këtë, duke nënvizuar rëndësinë themelore të pavarësisë së prokurorisë dhe gjykatave. Sulmet që tentojnë të ushtrojnë ndikim të padrejtë, apo minojnë autoritetin e institucioneve janë të papranueshme dhe duhet të largohen”, tha ai.

    Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë tha se prokuroria duhet të jetë e hapur pasi ajo është pjesë e sistemit kushtetues, ku kompentencat e institucionit janë të balancuara.

    “Prokuroria është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë, duhet të jetë e hapur dhe transparente. Për më tepër, prokuroria është pjesë e sistemit kushtetues, ku kompetencat e institucionit tonë janë të balancuara dhe të kontrolluara nga organe të tjera kushtetuese. Kjo është një ndërveprim i pavarësisë dhe llogaridhënies shërben si garanci për integritetin e sistemit juridik dhe të demokracisë. Përfundimi është se pavarësia kushtetuese nuk është privilegj, është përgjegjësi; përgjegjësi për të respektuar të gjitha aspektet e sistemit kushtetues dhe për të vepruar gjithmonë në interesin më të mirë të qytetarëve dhe shoqërisë”, shtoi Szunyog.

    Duke folur për zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit, Szunyog tha se kjo çështje nuk duhet të zgjatet dhe se kjo po ndikon negativisht në sistemin prokurorial.

    Ai përmendi edhe reformën e drejtësisë për të cilën tha se synon vlerat e sundimit të ligjit e llogaridhënien si dhe efikasitetin.

    “Dëshiroj të përmend zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Me gjithë respektin për ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit të shtetit, kjo zgjidhje e përkohshme nuk duhet të zgjatet. Situata aktuale po ndikon negativisht në sistemin prokurorial dhe KPK duhet të marrë përgjegjësinë e saj për t’u siguruar që funksionet e duhura të menaxhimit janë në vend. Deklarata e përbashkët e angazhimit për reformën në drejtësi është një shembull i situatës ku bashkëpunimi në interesin më të mirë të qytetarëve duhet të jetë në qendër. Është një reformë thelbësore, që synon në thelb vlerat e sundimit të ligjit, llogaridhënien, profesionalizmin, efikasitetin”, theksoi ai.

  • Haradinaj kujton Agron Haradinajn: Jeta për të nuk ishte aspak e e lehtë, por ai qëndroi gjithmonë i palëkundur

    Haradinaj kujton Agron Haradinajn: Jeta për të nuk ishte aspak e e lehtë, por ai qëndroi gjithmonë i palëkundur

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar bashkëluftëtarin e tij, Agron Haradinaj në përvjetorin e ndarjes nga jeta.

    Haradinaj ka thënë se Agroni një jetë ia kushtoi lirisë së atdheut.

    “Agroni një jetë të tërë ishte në shërbim të Atdheut, para lufte, në luftë e në paqe. Jeta për të nuk ishte aspak e e lehtë, por Agroni qëndroi gjithmonë i palëkundur. Qysh si i ri ai ndoqi rrugën e atdhedashurisë të cilën e kishte trashëguar nga babai, Smajl Haradinaj. Ishte një nga të burgosurit politik më të ri në moshë, kurse gjatë luftës çlirimtare një nga ushtarët e parë të UÇK-së”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se jeta e vepra e Agronit do të kujtohen si sinomin i guximit dhe përkushtimit për liri.

    “Sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Agronit, nderuam kujtimin për të dhe veprën që la ai pas. Vepra e tij jetësore në shërbim të Atdheut do të kujtohet e nderohet përherë si sinonim i guximit dhe përkushtimit për liri”, është shprehur Haradinaj.

    I pari i AAK-së ka vizituar familjen Halilaj pas ndarjes nga jeta të bashkëluftëtarit Brahim Halilaj.

    “Po ashtu sot, në Gllogjan i shpreha ngushëllime familjes Halilaj pas shkuarjes në përjetësi të bashkëluftëtarit Brahim Halilaj, njëherësh vëlla i dëshmorit Hasim Halilaj. Do ta kujtojmë gjithmonë me krenari si një njeri me vlera të larta njerëzore e i respektuar gjatë gjithë jetës”, ka thënë Haradinaj.

    “Sot shënojmë gjithashtu shënojmë përvjetorin nga jeta edhe të bashkëluftëtarit nga Carrabregu, Beqë Mustafë Likaj.

    I përjetshëm kujtimi për Beqën!”, ka përfunduar Haradinaj.

  • Krasniqi takon Lajçakun: I kërkova që të luajë rol ndihmues për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

    Krasniqi takon Lajçakun: I kërkova që të luajë rol ndihmues për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka takuar të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalisë.

    Përmes një shkrimi në Facebook, Krasniqi njoftoi se gjatë takimit me Lajçakun, i kishte kërkuar atij që të luaj rol ndihmues për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.

    “Bashkë diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë. Emisarit Lajçak i shpreha shqetësimin për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe kërkova nga ai që të luaj rol ndihmues për heqjen e tyre”, ka shkruar Krasniqi.

    “Orientimi euro-atlantik i qytetarëve dhe shtetit tonë është i paalternativë dhe i pakthyeshëm”, shkroi mes tjerash Krasniqi.

  • Kurtishi: Për dy muaj 180 raste të reja me kancer në Kosovë

    Kurtishi: Për dy muaj 180 raste të reja me kancer në Kosovë

    Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka folur për rritjen e rasteve të kancerit.

    Ai tha se vetëm në vitin e kaluar janë regjistruar mbi dy mijë e 100 raste të sëmundjes me kancer.

    “Vitin 2023 kemi regjistruar mbi 2100 raste të reja të tumoreve solid, me dominim të kancerit të gjirit, kemi regjistruar 463 femra me kancer të gjirit dhe 5 meshkuj, pas kancerit të gjirit dominon kanceri i mushkërive te meshkujt “, tha ai për “Gazeta Blic”.

    Kurtishi tha se vetëm për dy muaj janë regjistruar 180 raste të reja me kancer.

    “Këtë vit është një trend i lartë i rritjeve të këtyre sëmundjve, ne kemi 180 raste të reja me tumor solid. Sëmundjet malinje, zakonisht i takojnë moshave mbi 50-60 vjet”, tha ai.

    Drejtori i Onkologjisë deklaron se 90% të barnave të listës esenciale i kemi në klinik.

    “Mbi 90% të barnave të listës esenciale i kemi në klinik, vetëm 6,7 produkteve që nuk kanë autorizim marketingu”, u shpreh ai.

    Ai tutje, ka folur dhe për faktorët qe ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundje.

    “Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundje, janë faktorët e brendshëm dhe faktorët e jashtëm, faktorët e brendshëm janë, gjenetik trashëgues, mosha dhe gjinia, fakorët e jashtëm janë, ekspozimi i rrezeve të diellit, ushqimi jo adekuat, infeksionet e ndryshme virale dhe bakteriale”, tha ai.

  • Kryeministri Kurti udhëton për në Itali, merr pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropian

    Kryeministri Kurti udhëton për në Itali, merr pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropian

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Romë të Italisë, ku do të mbahet Kongresi i Partisë së Socialistëve Evropian (PES), i përqendruar rreth zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit 2024.

    Aty, kryeministri Kurti do të takohet me kryetarë të partive simotra anëtare të PES-it, me kandidatë të rinj, si dhe me anëtarë të sotëm të grupit të Parlamentit evropianë Socialistë & Demokratë (PES).

  • Kriptomonedhat, drejt një revolucioni në sistemin financiar tradicional

    Kriptomonedhat, drejt një revolucioni në sistemin financiar tradicional

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Nëse ka një element që të gjithë shkencëtarët janë dakord, është fakti se paraja luan rolin vendimtar të zhvillimit të një tregu, nga lashtësia e deri më sot. Forma e saj ka evoluar me kalimin e kohës, nga gjendja primitive (lëndët e para, produktet bujqësore ose artizanale) në monedha metalike të bazuara në metale të çmuara, në kartë monedha dhe në fund paraja bankare (e quajtur edhe paraja skripturale si depozitat, çeqet, transfertat, etj.). Kohët ndryshojnë. Format e parasë evolojnë. Sot, në kohët moderne, ku zhvillimet teknologjike dhe digjitale janë marramendëse, paraja është kryesisht e dematerializuar dhe ku paraja letër përbën vetëm një pjesë të vogël të ofertës monetare. Një shumëllojshmëri monedhash përdoren në mbarë botën ku krijimi dhe emetimi i tyre kontrollohen dhe rregullohen nga shteti ose institucioni që ushtron autoritetin e tij në zonën e përcaktuar (Banka Qendrore). Këto monedha këmbehen me njëra-tjetrën në kuadër të sistemit monetar ndërkombëtar. Por lindja ekriptomonedhave duket se ka tronditur universin monetar që nga ardhja e Bitcoin-it në vitin 2009. Kjo monedhë digjitale, e krijuar nga një person (ose grup njerëzish) të quajtur “Satoshi Nakamoto”, së bashku me fintech dhe pagesat dixhitale, kanë shënuar një zhvillim të ri, revolucionar, që po i çojnë drejt “fundit financat tradicionale. Ndryshe nga monedhat e zakonshme të emetuara nga vendet e ndryshme, kriptomonedhat përfaqësojnë një monedhë të decentralizuar që funksionon falë teknologjive inovative kompjuterike. Mospasja nevojë për Bankat Qendrore, “duket si një revolucion demokratik”. Që nga krijimi i Bitcoin, kriptomonedha të tjera kanë pushtuar universin monetar si Ethereum, USDT, Ripple, Litecoin, etj. Atopo përdoren nga shumë njerëz anembanë botës për shkak të lirisë financiare dhe anonimitetit që këto kriptomonedha iu krijojnë, duke ofruar kështu dallime të dukshme në krahasim me sistemet tradicionale bankare.

    TEKNOLOGJIA KRIPTOGRAFIKE DHE PARAJA E MATERIALIZUAR

    Siç ka filluar të njihet dhe të përdoret, kriptomonedhat bazohen në konceptet e Blockchain dhe kriptografisë. Nëse një përdorues dëshiron të dërgojë Bitcoin te një përdorues tjetër, ai krijon një transaksion. Për të garantuar autenticitetin dhe integritetin e këtij transaksioni, përdoruesi e nënshkruan atë në mënyrë elektronike duke përdorur çelësat kriptografikë që ai mban. Ky transaksion i vërtetuar më pas transformohet në një bllok, në mënyrë që ta shtojë atë në Blockchain. Një Blockchain është si një bazë të dhënash rebele dhe e decentralizuar që ruan në mënyrë të sigurt çdo ngjarje që ndodh atje, pra në rastin tonë, transaksionet me Bitcoin. Pasi të krijohet ky bllok transaksioni, ai transmetohet më pas në rrjetin e decentralizuar të “minatorëve” (në anglisht “Miners” ose më konkretisht të kujdestarëve të rrjetit), të cilët konkurrojnë me njëri-tjetrin për të zgjidhur një problem matematikor, i cili zakonisht quhet “prova e punës”. Ky proces garanton vlefshmërinë e transaksionit. Minatori që zgjidh problemin i pari, ndan rezultatin e tij me minatorët e tjerë. Pasi shumica e minatorëve bien dakord me zgjidhjen, blloku i transaksionit verifikohet dhe më pas shtohet në zinxhirin e bllokut. Ky Blockchain i ri shpërndahet më pas në të gjithë rrjetin. Pasi një transaksion regjistrohet në zinxhir, modifikimi i tij është sfidues. Për të bërë një metaforë alegorike, do të ishte sikur të përpiqesh të shuash diellin me një pistoletë uji. Kjo është për shkak të përdorimit të funksioneve të gjurmëve kriptografike dhe faktit që çdo bllok i ri është i lidhur në mënyrë të sigurt me blloqet e mëparshme. Është sikur çdo transaksion të kishte një targë unike, e cila redukton rrezikun e mashtrimit. Në disa vende të botës, kriptomonedhat po bëhen të zakonshme. Mund të përmendet si shteti i parë në botë El Salvadori, i cili vendosi në vitin 2021 të miratojë Bitcoin si mjet ligjor. Një vendim që shkaktoi sa duartrokitje aq edhe frikë. Megjithatë, dy vjet më vonë, përdorimi i kufizuar i tij nga popullsia lokale dhe natyra e tij e paqëndrueshme (Bitcoin humbi më shumë se 65% të vlerës së tij midis janarit dhe dhjetorit 2022) hodhi një sy pesimist mbi këtë vendim. El Salvadori nuk është i vetmi vend që ka flirtuar me këtë ide, pasi mund të përmendet edhe Republika e Afrikës Qendrore që miratoi gjithashtu Bitcoin si mjet ligjor në prill 2022, vetëm për t’u tërhequr një vit më vonë. Shumë vende të tjera, veçanërisht brenda Bashkimit Europian, kanë legalizuar përdorimin e Bitcoin pa e bërë atë si devizë ligjore. Kriptomonedhat kanë gjithashtu një anë të errët. Pavarësisht nga përdorimet e tyre legjitime, ato shfrytëzohen për aktivitete të ndryshme të paligjshme për shkak të karakteristikave të tyre unike si anonimiteti. Transaksionet në kriptomonedha, megjithëse të regjistruara publikisht, fshihen pas adresave të portofolit që duken më shumë si një varg karakteresh alfanumerike sesa një identitet njerëzor. Mjafton të thuhet se identifikimi i pronarit të tyre të vërtetë është një utopi. Individë të ndryshëm mund të lëvizin fondet e tyre midis shteteve pa kaluar kurrë doganën në institucionet tradicionale financiare. Disa studiues shkencorë pohojnë madje se tregjet Darknet favorizojnë kriptomonedhat, veçanërisht Bitcoin, Monero dhe USDT. Disa studiues të tjerë pohojnë për mashtrime të ndryshme si mashtrimet Ponzi, ku individë ose organizata të ndryshme joshin viktimat e tyre me premtimin e kthimeve të larta në kriptomonedha, ndërsa përdorin investimet e pjesëmarrësve të rinj për të shlyer të vjetrat, derisa ata/ato të arratisen me fondet, duke lënë shumë viktima me humbje (mund të përmendet rasti “OneCoin” në vitin 2017si shembulli më ilustrues).

    SISTEMI FINANCIAR (MONETAR) TRADICIONAL NË SFIDË ME TË ARDHMEN

    Për shekuj me radhë, besimi ka luajtur një rol vendimtar në pranimin e parasë si mjet këmbimi. Kjo sepse besushmëria dhe paraja janë të lidhura në mënyrë shumë të ngushtë gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Qeveritë dhe institucionet financiare po punojnë vazhdimisht për të ruajtur këtë besim. Megjithatë, krizat ekonomike shpesh kanë shkaktuar kriza monetare, ku humbja e besimit rrjedh nga paaftësia e monedhës për të ruajtur bazat e saj ekonomike. Me fjalë të tjera, besimi në monedhë është i brishtë dhe një dështim mund të çojë në pasoja katastrofike për ekonominë dhe shoqërinë në tërësi. Sistemi aktual monetar mbështetet në një grup vendimmarrësish që kanë diskrecionin për të vendosur politikën monetare. Qeveritë mund të përdorin masa ekstreme për të mbajtur ekonomitë e tyre në këmbë, të tilla si krijimi i parave nëpërmjet shtypjes së parave, duke çuar në një rritje të sasisë së parave në qarkullim. Pasojat e vendimeve të tilla janë të dukshme në përkeqësimin e bankave komerciale, duke përfshirë falimentimin e bankës amerikane Silicon Valley Bank vitin e kaluar. Sidoqoftë, asetet e kriptomonedhave kanë sfiduar rrënjësisht këtë operacion të centralizuar, duke ofruar një formë ekuivalente, apo edhe epërore nëse mund të quhet si e tillë, atë të besimit digjital. Kjo, sepse besimi dhe pranimi nga të gjithë i një monedhe është baza e ekzistencës së saj. Prandaj dhe kriptomonedhat si Bitcoin, shihen shpesh si “pionierët e një revolucioni monetar”. Besimi, pra, mbetet një aspekt thelbësor i çdo monedhe. Në ekonomitë e zhvilluara, monedhat e emetuara nga Bankat Qendrore, si Euro, Dollari apo Yuan-i, përfitojnë nga një nivel pothuajse absolut i besimit të popullatës për shkak të qëndrueshmërisë, besueshmërisë dhe stabilitetit të institucioneve që i mbështesin ato. Megjithatë, në vendet ku besimi në monedhat kombëtare është dobësuar, siç ilustrohet nga rënia drastike e dollarit të Zimbabve ose bolivarit venezuelian, adoptimi i kriptomonedhave përfaqëson një fije shprese për qytetarët që dëshirojnë t’i shpëtojnë inflacionit. Bitcoin në veçanti ofron një alternativë revolucionare. Ai i jep fund detyrimit për të përdorur një monedhë specifike në çdo vend të caktuar. Bitcoin i heq këto barriera, megjithëse ka ende një rrugë për të bërë për adoptim dhe përdorim të gjerë. Kjo vënie në pikëpyetje e sovranitetit monetar dhe rolit të institucioneve tradicionale është një realitet që qeveritë dhe institucionet financiare nuk mund ta injorojnë më. Popullariteti në rritje i kriptomonedhave ngre pyetje në lidhje me të ardhmen e këtij sovraniteti. Shtetet më të zgjuara kanë filluar të rishqyrtojnë sistemet e tyre monetare, ndërsa të tjerët po punojnë në monedhat digjitale të emetuara nga Bankat Qendrore. Kina ishte një hap para të gjithëve me lançimin e Yuan-it të saj digjital. Këto nisma tronditin normat e vendosura dhe paraqesin sfida të mëdha për modelet tradicionale monetare. Përballë kësaj gare të furishme drejt kriptomonedhave, shtetet dhe institucionet bankare duket se ndjejnë një shqetësim të caktuar.

    NJOHJA E BITCOIN NGA KOMISIONI AMERIKAN I LETRAVE ME VLERË DHE I SHKËMBIMEVE

    Autoriteti amerikan i tregjeve “Securities and Exchange Commission” (SEC), ose shqip Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve i dha dritën jeshile ETF Bitcoin spot në 10 janar të këtij viti (2024) të saponisur. Një datë që do të mbetet e gdhendur në historinë kriptomonedhës, e cila pas vetëm pesëmbëdhjetë vitesh ekzistence, është quajtur nga Uashingtoni dhe institucionet financiare amerikane si një aset më vete. Produkti i autorizuar ETF (Exchange Traded Fund), ose shqip Fond i Tregtuar në Shkëmbim, është një fond indeksues që u mundëson investitorëve të përfitojnë nga zhvillimet në Bitcoin pa i investuar drejtpërdrejt paratë e tyre në monedhën digjitale. Konkretisht, ata blejnë aksione të fondit, të cilat mund t’i rishesin në çdo kohë. Vlera e aktiveve të tyre mbetet e shprehur në dollarë, kurse asetet e fondit vendosen në kriptovaluta. Një Bitcoin ETF spot mbështetet nga Bitcoin fizik që mbështesin vlerën e ETF. Nëse vlera e monedhave digjitale që mbështesin ETF rritet, vlera e investimit në përgjithësi mund të pritet të rritet. Me fjalë të thjeshta, nëse çmimi i Bitcoin rritet, investimi rritet gjithashtu. Kur investoni në një ETF, ju merrni një paketë aktivesh që mund t’i blini dhe shisni gjatë orëve të tregut – duke ulur potencialisht rrezikun dhe ekspozimin tuaj, pra duke ndihmuar në diversifikimin e portofolit tuaj. Të lançuara në fillim të viteve 1990, ETF-të u popullarizuan në fillim të viteve 2000, duke tërhequr me thjeshtësinë e tyre, e cila ofron mundësinë e gjurmimit të performancës së arit, naftës, një indeksi aksionesh ose një sektori industrial. Deri më tani, blerja e Bitcoin kërkonte adoptimin e një portofoli digjital ose hapjen e një llogarie në një platformë tregtare kriptomonedhash si Coinbase ose Binance. Ky vendim do të lejojë miliona individë amerikanë dhe fondet e pensioneve të kenë akses më të lehtë në kriptovalutat nëpërmjet ETF. Duket se pranimi i ETF Bitcoin spot është një pikë kthese për asetet digjitale dhe sinjalizon një lëvizje drejt adoptimit dhe legjitimitetit financiar digjital në të ardhmen. Megjithëse ky miratim pritej prej disa muajsh, çmimi i Bitcoin është rritur rreth 70% që nga tetori, me investitorët që spekulojnë se përdorimi i gjerë i ETF-ve Bitcoin do të rriste kërkesën për kriptomonedhën. Ndërsa çmimi kishte rënë në 16,000 dollarë në nëntor 2022 pas falimentimit të shkëmbimit të kriptomonedhave FTX, ai po tregtohej me 46,500 dollarë në orët pas njoftimit të 10 janarit 2024. Edhe nëse Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve merr një qasje shumë të kujdesshme, ETF-të mund të ndihmojnë në stabilizimin e çmimeve të kriptomonedhave duke zgjeruar përdorimin e tyre dhe audiencën e mundshme.

    EKONOMIA DHE FINANCAT TRADICIONALE PËRBALLË SFIDAVE TË ARKITEKTURËS SË RE FINANCIARE TË SË ARDHMES

    Bitcoin ka potencialin të prishë infrastrukturën aktuale financiare falë sistemit të tij të decentralizuar që eliminon ndërmjetësit tradicionalë. Kjo lejon çdo përdorues që drejton një nyje të plotë për t’u bërë palë e interesuar në procesin e transaksionit, duke shpërndarë fuqi për të gjithë. Transfertat e fondeve në rrjetin Bitcoin bëhen drejtpërdrejt ndërmjet dy palëve, pa kërkuar ndërhyrjen e ndërmjetësve për menaxhimin dhe shpërndarjen e monedhës. Për më tepër, zinxhiri i besimit tani bazohet në një ndërtim algoritmik brenda rrjetit Bitcoin. Çdo transaksion duhet të miratohet nga të gjitha nyjat e plota në rrjet për t’u vërtetuar. Si rezultat, një gabim ose mosmarrëveshje e vetme mund të rezultojë në refuzimin e transaksionit, duke rritur kështu sigurinë dhe besueshmërinë e sistemit. Teorikisht, riorganizimi i operacioneve midis individëve dhe aktorëve ekonomikë në blockchain-in e Bitcoin mund të riorganizojë infrastrukturën aktuale financiare. Në të vërtetë, ky konfigurim i ri i decentralizuar bën të mundur që të bëhet pa qeveritë dhe ndërmjetësit e tyre për menaxhimin dhe rregullimin e politikës ekonomike. Fuqia për të rritur ose ulur ofertën monetare nuk i besohet më një autoriteti të vetëm ose grupi autoritetesh, por është në duart e çdo individi në rrjet. Rritja e kriptomonedhave ka ndezur debate dhe polemika të nxehta, duke sfiduar rolet tradicionale të parasë dhe duke minuar modelin e centralizuar ekonomik. Megjithëse paqëndrueshmëria e Bitcoin u pasua nga kritika të forta fillestare, suksesi i saj në rritje si njësi llogarie, instrument pagese dhe gardiane vlere i kanë bërë kritikët të heshtin. Kriptomonedhat ofrojnë një alternativë revolucionare ndaj monedhës tradicionale dhe mund të ofrojnë një fije shprese për qytetarët e vendeve që vuajnë nga inflacioni dhe humbja e besimit në monedhat e tyre kombëtare. Revolucioni është duke u zhvilluar dhe Bitcoin dhe kriptomonedhat mund të tronditin themelet e infrastrukturës financiare tradicionale, siç e njohim ne. A ka ardhur koha për të përqafuar këto sfida dhe për të eksploruar mundësitë që ato ofrojnë për një menaxhim financiar më të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë? Tashmë që po bëhen 80 vite nga krijimi i sistemit monetar ndërkombëtar, i institucioneve të tij, Fondit Monetar Ndërkombëtar e Bankës Botërore, a do të përfshjinë këtë revolucion në arkitekturën e re financiare të tyre të së ardhmes? Le të presim e të shikojmë se si do të zhvillohet ky revolucion.

  • Brenda 24 orëve, Policia e Kosovës shqiptoi mbi dy mijë gjoba në trafik

    Brenda 24 orëve, Policia e Kosovës shqiptoi mbi dy mijë gjoba në trafik

    Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 2 mijë e 14 gjoba në trafik.

    Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, ku 23 kanë qenë me lëndime, ndërsa 43 me dëme materiale.

    Policia njofton se janë arrestuar 14 persona, ndërkaq 6 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • Murati: Mbi 61 mijë familje përfituan subvencionim të faturave të energjisë

    Murati: Mbi 61 mijë familje përfituan subvencionim të faturave të energjisë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se edhe gjatë këtij muaji po vazhdon subvencionimi i energjisë elektrike në kuadër të pilotimit të programit për mbështetjen e familjeve të cenueshme.

    “Mbi 61 mijë familje që kanë përmbushur kriteret kanë përfituar në kuadër të të dyja grupeve përfituese. Programi mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian, në kuadër të pakos mbështetëse për tejkalimin e krizës energjetike”, shkroi Murati në ‘Facebook’.

  • ​1 vit nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, sfidë zbatimi i saj

    ​1 vit nga marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, sfidë zbatimi i saj

    Një vit pas arritjes së Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, implementimi i saj po vazhdon të shihet si vështirë i arritshëm. Njohësit e procesit të dialogut, thonë se ky proces ka hyrë në një ngërç të ri, derisa kritikojnë ndërmjetësit se nuk kanë qasje serioze në dialog. Sipas tyre, pavarësisht miratimit të rezolutës së Parlamentit Evropian, ku kërkohet dinamikë dhe qasje e re në dialog, zbatimi i ujdisë së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, nuk pritet të ndodh gjatë këtij viti, duke marrë parasysh edhe zgjedhjet në Bashkimin Evropian.

    Politologu, Dritëro Arifi thotë për KosovaPress, se Bashkimi Evropian ka hyrë në një qorrsokak dhe nuk po ka një qëllim si të shkohet tutje në dialog. Megjithatë, ai thekson se Kosova duhet të avancojë në integrimet evropiane, ku forma më e mirë është që jetëson këtë marrëveshje dhe të thyhet izolimi ndërkombëtar i vendit.

    “Vështirë të shohim implementimin e marrëveshjes së Brukselit, respektivisht aneksit të Ohrit. Palët janë të fortifikuara në qëndrimet fillestare, pavarësisht çka ka ndodhur pas asaj marrëveshje, unë mendoj se palët nuk janë të gatshme. Kosova po kërkon sekuencimin, Beogradi po kërkon diçka tjetër, ndërkaq BE-ja, është në mes të këtij zjarri pa një qëllim sesi të shkohet tutje. Mendoj se duhet të thyhet izolimi i Kosovës. Kosova duhet të avancohet tutje në integrime dhe besoj se kjo do të ishte forma më e mirë që kjo marrëveshje të jetësohet dhe të thyhet komplet izolimi. Në këtë formë mund të ketë një ecje përpara të dialogut, pasi përndryshe e shoh shumë të cunguar, të kufizuar dhe pa ndonjë qasje serioze”, thekson ai.

    Skeptik për zbatimin e ujdive të Brukselit dhe të Ohrit është analisti politik, Arbnor Sadiku, i cili thotë se e njëjta do të implementohet vetëm pas zgjedhjeve në BE, madje sipas tij, edhe pas zgjedhjeve në Kosovë.

    “Miratimi i rezolutës nga ana e Parlamentit Evropian për Kosovën është një ultimatum që të zbatohet dialogu i Brukselit dhe të njëjtën kohë të kemi një implementim të shpejtë të marrëveshjes bazë. Sa i përket implementimit të kësaj marrëveshje konsideroj se kjo nuk mund të implementohet jo vetëm pas zgjedhjeve që do të mbahen në BE, por edhe pas zgjedhjeve që do të mbahen në Kosovë, pasi dihet se ky është vit zgjedhor dhe praktikisht deri në viti 2025 s’do të ketë zbatim të marrëveshjes”, deklaron Sadiku.

    Në anën tjetër, politologu, Arifi konsideron se si mundësi për të pasur diçka konkrete në dialog është fundi i muajit mars. Siç thotë ai, nëse deri në këtë periudhë nuk ka diçka konkrete, sidomos në themelimin e Asociacionit, do të jetë e pamundur të zbatohet marrëveshja gjatë këtij viti.

    “Deri në fund të marsit nëse s’ka lëvizje me draft-statutin s’do të ketë këtë vit (zbatim) të marrëveshjes. Koha është aq shumë e kufizuar dhe për implementuar diçka, saqë e shoh të pamundur, duke ditur se që nga fundi i marsit të gjitha institucionet e BE-së janë në zgjedhje apo rizgjedhje, pasi në qershor janë zgjedhjet për parlament, pastaj derivon komisioni dhe kështu me radhë. Kështu që e shoh të pamundur që të realizohet diçka në këtë afat kohor”, thotë ai.

    Parlamenti Evropian më 29 shkurt ka miratuar një rezolutë me të cilën kërkon qasje të re në procesin e dialogut dhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

  • Hovenier: Puna e prokurorëve është jetike për të ardhmen e Kosovës

    Hovenier: Puna e prokurorëve është jetike për të ardhmen e Kosovës

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffery Hovenier në konferencën vjetore të Prokurorit të Shtetit, tha se puna e prokurorëve është jetike për të ardhmen e Kosovës dhe roli i prokurorisë ka peshë e ndikim të konsiderueshëm për atë se kush jep llogari dhe kush përfiton kompensim sipas ligjit si në ShBA, po ashtu edhe në Kosovë.

    “Pushteti, ndikimi dhe autoriteti që keni, gjithashtu sjellë edhe një përgjegjësi të madhe për të kërkuar drejtësi në bazë të ligjit dhe jo në bazë të interesave të ndonjë grupi, apo qeverive të caktuara”, tha diplomati amerikan.

    Ambasadori Hovenier ka vlerësuar të arriturat e sistemit prokurorial në Kosovë. Ai ka kërkuar që prokurorët të ruajnë pavarësinë e tyre.

    Kurse shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, tha se prokuroria është gurthemeli i një demokracie funksionale. Ai tha se pavarësia e prokurorisë është e panegociueshme.