ATV

Category: Lajme

  • Vëllai ther me thikë vëllanë në Viti

    Vëllai ther me thikë vëllanë në Viti

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të therjes me thikë në Viti.

    Në raportin 24-orësh thuhet se një i dyshuar (mashkull kosovar) është arrestuar pasi ka therur me thikë vëllain e tij, i cili ka pranuar tretman mjekësor.

    Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, me një mjetë të mprehtë (thikë) ka therur vëllain e tij viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • ShBA: Izraeli ka pranuar kornizën për marrëveshjen e armëpushimit në Gazë

    ShBA: Izraeli ka pranuar kornizën për marrëveshjen e armëpushimit në Gazë

    Izraeli ka pranuar kornizën e një marrëveshje për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve dhe tani Hamasi duhet të marrë një vendim për këtë, tha një zyrtar i administratës amerikane të shtunën, një ditë para se në Egjipt të rifillojnë bisedimet për amëpushim.

    Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë punuar për javë të tëra për të arritur një marrëveshje që do të mundësonte ndërprerjen e luftimeve përpara se të nisë muaji i shenjtë i Ramazanit më 10 mars.

    Marrëveshja do t’i hapte rrugën dërgimit të ndihmave humanitare për qindra mijëra palestinezë në veri të Gazës, të cilët, sipas zyrtarëve të ndihmave, rrezikohen nga uria.

    Izraelitët “e kanë pranuar pak a shumë propozimin”, që përfshin 6 javë armëpushim dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi, të cilët konsiderohen si të rrezikuar, duke përfshinë të sëmurët, të moshuarit, të plagosurit dhe gratë, tha zyrtari amerikan.

    “Tani, topi është në anën e Hamasit dhe ne po përpiqemi t’i çojmë përpara përpjekjet për arritjen e një marrëveshje sa më shumë që mundemi”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonomiti, sipas rregullave të vendosura nga Shtëpia e Bardhë, në kuadër të informimit të gazetarëve.

    Zyrtarët nga Izraeli dhe Hamasi nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment nga agjencia e lajmeve Associated Press.

    Një zyrtar i lartë nga Egjipit tha se ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari pritet të marrin një përgjigje nga Hamasi gjatë bisedimeve që janë parashikuar të mbahen të dielën në Kajro.

    Zyrtari foli në kushte anonomiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për bisedimet.

    Bisedimet vijnë në mesin e kritikave në rritje mbi dëshpërimin e qindra mijërave njerëzve që po luftojnë për të mbijetuar në veri të Gazës, e cila ka mbajtur peshën kryesore të konfliktit që filloi kur grupi militant i Hamasit sulmoi Izraelin më 7 tetor. Sipas autoriteteve izraelite në sulmin e militantëve të Hamasit u vranë 1200 njerëz, kryesisht civilë, ndërsa rreth 250 të tjerë u morën peng.

    Avionët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara nisën sot shpërndarjen e ndihmave humanitare në rrugë ajrore, ndërsa ushtritë e Jordanisë dhe Egjiptit thanë se kishin bërë dërgesa të ngjashme.

    Shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian tha të shtunën se shumë nga dhjetra palestinezët që u plagosën dhe u vranë nga kaosi, ndërsa kishin rrethuar një kolonë humanitare, u goditën nga ushtria izraelite, dhe bëri thirrje për hetim ndërkombëtar.

    Banorët në veri të Gazës thonë se po kërkojnë nën rrënoja apo në mesin e mbeturinave për të gjetur ndonjë gjë për të ushqyer fëmijët, të cilët mezi hanë një racion në ditë. Shumë familje kanë filluar të përziejnë ushqimin e kafshëve dhe shpendëve me grurë për të pjekur bukë. Zyrtarët agjencive ndërkombëtare të ndihmave thonë se kanë hasur uri katastrofike.

    Ne po vdesim nga uria,” tha Soad Abu Hussein, një e ve dhe nënë e pesë fëmijëve që strehohet në një shkollë në kampin e refugjatëve Jabaliya.

    Të paktën 10 fëmijë kanë vdekur nga uria, sipas të dhënave spitalore në Gazë, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.

    Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi tha se numri i të vdekurve palestinezë nga lufta ka arritur në 30,320 vetë. Ministria nuk bën dallime mes civilëve dhe luftëtarëve në shifrat e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth dy të tretat e të vrarëve.

    Izraeli dhe Hamasi zbatuan një armëpushim njëjavor në fund të nëntorit. Armëpushimi bëri të mundur lirimin e rreth 100 pengjeve, kryesisht gra, fëmijë dhe shtetas të huaj, në këmbim të rreth 240 palestinezëve të burgosur nga Izraeli, si dhe një ndalese të shkurtër të luftimeve. /voa/

  • Për vetëm dy muaj, Klinika e Kirurgjisë Torakale kreu 76 operacione

    Për vetëm dy muaj, Klinika e Kirurgjisë Torakale kreu 76 operacione

    Për vetëm dy muaj, Klinika e Kirurgjisë Torakale ka arritur t’i kryejë 76 operacione, e cila tash e sa kohë operon me vetëm një sallë operative. Kjo klinikë ka të ndarë sallën e madhe dhe të vogël.

    Këtë e ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolgeci. Ai ka deklaruar se vetëm në sallën e vogël që kryen operacione me anestezion të shkurtër janë kryer 90 operacione, ndërsa në të madhën gjithsej 76.

    Shkaku i komplikimeve dhe vështirësive i operacioneve në Torakale, ka bërë që të ketë numër kaq të vogël të operacioneve. Thotë se ka pasur ditë kur një operacion ka zgjatur tërë ditën.

    “Tashmë jemi vetëm në fillim të vitit 2024 dhe gjatë këtyre dy muajve janë realizuar 76 operacione në sallën e madhe, janë realizuar gjithashtu në sallën e vogël 90 operacione ndërhyrje kirurgjikale me anestezion të shkurt. Kirurgjia torakale zakonisht realizon operacion me orë të tëra edhe kjo është e kuptueshme sepse numri i operacioneve që e thamë 76 është për arsye se ne kemi vetëm një sallë të operacionit edhe këto operacione zgjasin shumë shpeshherë kemi që një ditë shkon me vetëm një operacion prandaj edhe numri 76 nuk është i vogël për kirurgji torakale por është mjaft i konsiderueshëm”, thotë Kolgeci, teksa sfidë të madhe e sheh mungesën e anesteziologëve.

    “Nuk është vetëm vitet e fundit pot edhe më gjatë ka reflektuar mungesa e anesteziologëve në kirurgji sepse numri i anesteziologëve sipas statistikave nuk është i mjaftueshëm ato që i kemi momentalisht në QKUK prandaj edhe mungesa e anesteziologëve ka shkaktuar probleme dhe shpeshherë nuk ka mund me u realizua ato. Anesteziologët kanë qenë gjithmonë problematik për arsye se numri i anesteziologëve është i vogël edhe kjo reflektohet edhe në punën e kirurgëve”, u shpreh Kolgeci.

    Ai ka folur edhe për renovimet që po kryhen në këtë klinikë, me ç’rast shpreson se së shpejti do të bëhen me sallë të dytë operative.

    “Momentalisht është duke u bërë renovimi i sallave që e kemi pas edhe me operatorët në sallën e madhe po tash kemi edhe renovimet e sallës së dytë që do ta shkurtonte komplet numrin e pritjes së operacioneve në kirurgjinë torakale. Deri tani ne jemi qendra e vetme klinike që i referojmë pacientët në klinikën tonë për gjoks dhe kemi pasur vetëm një sallë të operacionit tani presim sallën e dytë të operatorit që ka me e zbut shumë numrin e pacientëve që presin për operacion”, thotë tutje Kolgeci.
    Ndërsa listën e pritjes e sheh si normale pasi të njëjtat thotë se ekzistojnë në tërë botën. E sa i përket numrit të mjekëve, thekson se kanë mjaftueshëm dhe ngjashëm me vendet e rajonit.

    “Por duhet me e dit edhe këta se edhe në shtete të perëndimit është lista e pritjes edhe ne e kemi listën e pritjes dhe çdo kund në botë ekziston lista e pritjes. Absolutisht po sepse deri tash kemi punuar në kushte jo shumë të mira që nuk kanë qenë të favorshme për ne si mjekë, në fakt nuk kanë qenë as të pëlqyeshme për neve po me këto investime që kanë me u bë besoj se ka me qenë krejtësisht një faqë tjetër në kirurgjinë torakale. Ne kemi numrin e mjaftueshëm të mjekëve të mjaftueshëm për Republikën e Kosovës jemi 12 mjek dhe 3 specializantë që është numri i ngjashëm që e kanë edhe shtetet në regjion” , deklaroi Kolgeci.

  • Projektligji për KPK-në po konsiderohet si me të meta

    Projektligji për KPK-në po konsiderohet si me të meta

    Vërejtje dhe parregullsi po evidentohen në draftin aktual të projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Pa përfshirjen e gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, opinionit të Komisionit të Venecias, e rekomandimet e shoqërisë civile, kjo nismë legjislative po kërkohet që të mos kalojë në Kuvendin e Kosovës. Organizatat që monitorojnë sistemin e drejtësisë, thonë se reforma në KPK, nuk mund të bëhet duke anashkaluar këto kërkesa. Ndërkaq, në seancën e 7 marsit, do të jetë në rend të ditës votimi në lexim të parë i këtij projektligji.

    Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Lavdim Makshana thotë për KosovaPress, se pushteti po tenton ta kalojë në parim këtë projektligj pa adresimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

    Pas opinionit të dytë të Komisionit të Venecias, Makshana shton se ka qenë e qartë se si të bëhet reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    Edhe hulumtuesi, Liridon Salihi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë se ky projektligj ka mangësi, pa adresimin në mënyrë të përpiktë të opinionit të Komisionit të Venecias.

    Në anën tjetër, Viona Bunjaku nga “Lëvizja Fol”, nuk pret që reforma në KPK, të përfundojë brenda këtij mandati të qeverisë.

    Në opinionin e fundit, Komisioni e Venecias nuk e përkrah rritjen e përkohshme të numrit të anëtarëve të KPK-së.

  • Rritet interesimi i kompanive në Evropë për punëtorë të kualifikuar në Kosovë

    Rritet interesimi i kompanive në Evropë për punëtorë të kualifikuar në Kosovë

    Kosova po bëhet vend tërheqës për punëtorë të kualifikuar nga kompanitë e ndryshme të Evropës. Ka shënuar ngritje numri punëdhënësve nga shtetet e ndryshme të Evropës që po kërkojnë punëtorë në vendin tonë, përmes konkurseve elektronike. Numri i shpalljes së konkurseve të punës nga kompanitë private dhe institucionet e ndryshme publike në Kosovë, po ashtu po shënon vazhdimisht rritje.

    Kështu bënë të ditur themeluesi i platformës “KosovaJob”, Arion Rizaj, derisa thotë se pritet që vitet e ardhshme konkurrenca e aplikantëve të mos mbetet vetëm në suaza lokale. Ndërkaq, sociologë dhe njohës të burimeve njerëzore po konsiderojnë se shpallja e konkurseve përmes portaleve dhe webfaqeve të ndryshme e kanë përmirësuar dukshëm mënyrën e aplikimit për punë.

    Përveç kësaj, Rizaj potencon se çdo herë e më shumë po rritet numri i konkurseve të shpallura nga kompani të shteteve të ndryshme të Evropës.

    Ndërkaq, njohësi i burimeve njerëzore, Liridon Alidemaj për KosovaPress thotë se pjesa më e madhe e konkurseve vjen nga sektori privat.

    Alidemaj thekson se shpallja e konkurseve përmes portaleve dhe webfaqeve të ndryshme e kanë përmirësuar situatën me punësim, ngase sipas tij falë teknologjisë dhe rrjeteve sociale njerëzit kanë mundësi shumë më lehtë të aplikojnë për një vend pune.

    Ndërsa, sociologia Dhurata Prokshi thekson se pavarësisht rritjes së numrit të shpalljes së konkurseve, sektori privat ende vazhdon të ngec në përmirësimin e kushteve të punës, ngritjes së standardeve dhe zbatimin e kontratave për të drejtat e punëtorëve.

    Viteve të fundit, tregu i Kosovës është përballur me mungesa punëtorësh, sidomos sektori privat

  • Një grua u alivanos në autobus urban, mjeku në QKUK konstaton vdekjen e saj

    Një grua u alivanos në autobus urban, mjeku në QKUK konstaton vdekjen e saj

    Një grua është dërguar në QKUK pasi ishte alivanosur në autobus urban e më pas mjeku e ka konstatuar vdekjen e saj.

    “HETIM MBI VDEKJEN- Prishtinë / 02.03.2024 – 12:26. Viktima femër kosovare është dërguar në QKUK pasi që, ishte alivanosur në një autobus urban dhe më pas mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim

    Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim

    Sot na pret mot me intervale kohore me diell e vranësira të herëpashershme lokale. Rrallë në disa vise pasdite priten rrebeshe afatshkurtra shiu, ndërsa temperatura maksimale parashihet të arrijë deri në 17°C.

    Në Shqipëri dhe tërë rajonin tonë pritet të mbajë mot me vranësira e intervale kohore me diell. Pasdite në disa zona parashihen reshje dhe rrebeshe afatshkurtra shiu.

    Të Hënën cikloni nga Italia përfshinë fillimisht Shqipërinë me sistemin e tij të fuqishëm frontal i cili vjen nga deti me dendësim të madh të vranësirave dhe reshje e rrebeshe intensive lokale me vetëtima dhe bubullimë.

    Pasdite vonë ose në mbrëmje reshjet dhe rrebeshet e shiut përfshijnë edhe Kosovën, por para Kosovës perëndimin e Maqedonisë së Veriut.

    Të Martën priten vranësira të dendura e reshje të shpeshta shiu. Në viset malore do të fillojnë reshjet e dendura të borës.

    Nga e mërkura do të vazhdojë moti i paqëndrueshëm, me vranësira e reshje të herëpashershme shiu./MeteoBallkan

  • 10-vjeçari nuk pranoi të vidhte, kërcënohet nga bashkëmoshatarët e tij, tashmë një muaj s’del nga shtëpia

    10-vjeçari nuk pranoi të vidhte, kërcënohet nga bashkëmoshatarët e tij, tashmë një muaj s’del nga shtëpia

    10 vjeçari F.GJ, nxënës i klasës së dytë në shkollën “Selman Riza” në Fushë-Kosovë, ka më shumë se një muaj që nuk po i vijon mësimet.

    Ai thotë se u rrah e u kërcënua nga disa persona të panjohur.

    I mituri nuk pranoi të bëhej pjesë e një vjedhjeje andaj sipas nënës së tij kjo është arsyeja përse djali i saj u rrah disa herë.

    “E kanë thirr disa persona me vjedh në këtë marketin afër ky I ‘u ka thënë nuk guxoj se më bërtet mami, edhe është largua, për disa ditë rresht e kanë përndjek te shkolla e kanë rreth më ka ardhur djali I përgjakur disa herë, e kanë godit me shishe të xhamit, pe njekin me thika, kur e kam parë ashtu më ka rënë të fikët…”, deklaroi Zylhaje Gjenani, nëna e F.Gj.

    Përveç frikës që ndjen sa herë që del nga shtëpia, djaloshi druan se do të mbesë mbrapa edhe në mësime.

    Por, nga drejtoria e shkollës premtojnë se pavarësisht mungesave, 10-vjeçari nuk do të largohet nga regjistri i nxënësve, derisa organet kompetente ta zbardhin rastin.

    Ndërkohë për rastin është e informuar edhe Policia dhe hetimet tashmë kanë filluar.

    “Ju njoftojmë se informata është duke u trajtuar në koordinim me Qendrën për punë sociale. Marrë parasysh se personat e përfshirë janë të mitur dhe ende jemi në fazën fillestare të hetimit, aktualisht nuk mundemi që me ju të ndajnë më shumë detaje”, njoftoi Policia e Kosovës.

    Siç kupton ATV-ja, disa nga të miturit të cilët sulmuan F. Gj vijojnë mësimet në të njëjtën shkollë me 10 –vjeçarin./atvlive.tv/

  • Tash e pesë muaj prej se filluan punimet, ende nuk ka përfunduar ndërtimi i mbikalimit në lagjen Veternik

    Tash e pesë muaj prej se filluan punimet, ende nuk ka përfunduar ndërtimi i mbikalimit në lagjen Veternik

    Punimet për ndërtimin e një në mbikalimi, të nisura që nga viti i kaluar, ende nuk kanë përfunduar si rrjedhojë qytetarët të vetmen mënyrë për të kaluar në anën tjetër të rrugës nacionale Prishtinë – Gjilan e kanë duke kaluar mbi barrierat e vendosura në mes të rrugës.

    Por edhe barrierat janë dëmtuar pjesërisht.

    Megjithatë, punimet nuk pritet të përfundojnë edhe të paktën dy muaj. Kështu i kanë thënë ATV-së nga Ministria e Infrastrukturës.

    Por njohësit e komunikacionit, vlerësojnë se Ministria është duke i zvarritur punimet, sepse një projekt i tillë do të duhej të përfundonte brenda muajit.

    “Është dashtë me u krye shpejt, është konstruksion metalik, nuk merr kohë të gjatë, në përjashtim derisa të forcohen këmbët e betonit, diku për një muaj ish dashtë me u krye krejt puna, sepse është gjysmë fabrikale dhe vetëm vjen e montohet”, deklaroi Bekim Ahmeti, njohës i komunikacionit.

    Për shkak të mungesës së vendkalimeve për këmbësorë, shpesh në këtë pjesë të qytetit ka pasur aksidente kur qytetarët janë goditur nga veturat./atvlive.tv/

  • Regjistrimi i popullsisë në veri, kush refuzon do të gjobitet prej 2 mijë deri në 20 mijë euro

    Regjistrimi i popullsisë në veri, kush refuzon do të gjobitet prej 2 mijë deri në 20 mijë euro

    Regjistrimi i popullsisë në vitin 2011 ishte shtyrë për 19 ditë, meqë komuniteti serb nuk kishte shprehur gatishmëri të bëhej pjesë e procesit. Afati shtesë asokohe, nuk kishte kryer punë, andaj ishte konsideruar se regjistrimi ishte bojkotuar.

    Mirëpo, kësaj radhe, Agjencia e Statistikave shpreson që në këtë pjesë të vendit ta kryejë me sukses, regjistrimin. Për këtë madje veç i ka zgjedhur regjistruesit.

    Regjistrimi i secilit qytetar në të gjitha pjesët e vendit, konsiderohet i domosdoshëm nga njohësit e çështjeve ekonomike, për disa arsye.

    “Duhet të bëhen përpjekje maksimale që të regjistrohen qytetarët e të gjitha komunave. Mosregjistrimi eventual mundëson informalitetin ekonomik. Këto janë të dëmshme për ekonominë”, thotë Fidan Qerimi, profesor i ekonomisë.

    Megjithatë, anëtarë të shoqërisë civile në pjesën veriore regjistrimin e popullsisë e konsiderojnë si proces të vështirë në këtë territor.

    “Kujtojmë se para 13 vjetësh procesi I regjistrimit ishte komplet i bojkotuar në këtë pjesë. Por, ne ende kemi tension dhe situate tjera që ngjallin pakënaqësinë e banorëve të veriut me Qeverinë. Andaj, do të jetë vërtetë sfiduese dhe nuk duhet të pritet që ata të bëhen pjesë e këtij procesi të ndjeshëm. Nuk e di nëse ka presion nga Beogradi, por vështirë që të zbatohen proceset e Kosovës sidomos tash pas çështjes së dinarit.”, deklaroi Aleksandar Sljuka, anëtar i shoqërisë civile.

    Sidoqoftë, të gjithë ata që eventualisht refuzojnë të evidentohen si banor të shtetit, mund të gjobiten me shuma të majme të parave.

    “Kushdo që refuzon të deklarohet do të dënohet prej 2 mijë deri në 20 mijë…”, tha Ylli Shala, menaxher i projektit për regjistrimin e popullsisë.

    Procesi i regjistrimit të popullsisë do të fillojë më 5 prill dhe do zgjasë gjithsej 2 muaj. Agjencia e Statistikave ka angazhuar gjithsej 3400 punonjës./atvlive.tv/