ATV

Category: Lajme

  • Grabitje brenda bankës në Tiranë, policia në kërkim të autorit

    Grabitje brenda bankës në Tiranë, policia në kërkim të autorit

    Një grabitje ka ndodhur brenda një banke të nivelit të dytë në Tiranë, ku një person që dyshohet se ka qenë i armatosur i ka marrë një klienti të bankës një shumë parash që ai po depozitonte.

    Sipas informacioneve paraprake, autori i maskuar ka hyrë në ambientet e bankës dhe, dyshohet se në kërcënimin e një sendi në dukje armë, i ka marrë paratë qytetarit, duke u larguar më pas nga vendi i ngjarjes.

    Forca të shumta policore kanë mbërritur në zonë dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

    Njoftimi i policisë

    “Rreth orës 12:26, në rrugën “Gjin Bue Shpata”, një shtetas i maskuar ka hyrë në ambientet e një banke dhe, dyshohet se në kërcënimin e një sendi në dukje armë, ka marrë një shumë parash.

    Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë ngritur pika kontrolli dhe janë orientuar të gjitha shërbimet policore, për identifikimin dhe kapjen e autorit, shkruan Euronews.al.

    Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e rastit”, njofton policia.

  • Haxhiu pret në takim ambasadorin e Gjermanisë, diskutojnë për partneritetin strategjik mes të dyja vendeve

    Haxhiu pret në takim ambasadorin e Gjermanisë, diskutojnë për partneritetin strategjik mes të dyja vendeve

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.

    Haxhiu e falënderoi Ambasadorin Rudolph për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Republikës së Kosovës, në shtetndërtim, zhvillim demokratik dhe integrim evropian.

    Në takim u theksua rëndësia e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe roli i veçantë që Gjermania ka pasur në momente kyçe për vendin.

    Haxhiu vlerësoi se Gjermania mbetet një nga aleatët më të rëndësishëm të Kosovës dhe theksoi përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë integrimin evropian, ekonominë, sigurinë, sundimin e ligjit, arsimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

    Ajo ritheksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, demokracisë dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, ndërsa vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë si të rëndësishme për avancimin e mëtejshëm të Republikës së Kosovës në proceset evropiane dhe ndërkombëtare.

  • Apeli ia vërteton dënimin me kusht Erden Atiqit

    Apeli ia vërteton dënimin me kusht Erden Atiqit

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ish-kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq e kishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht për akuzën se në shtator të vitit 2016 ndërpreu transmetimin e seancës së Kuvendit të Kosovës në Radio Televizonin e Kosovës (RTK).

    “REFUZOHET si e pa bazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Erden Atiq, av. Xhevdet H. Shala, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, …, datë 20.11.2024 VËRTETOHET”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Vendimi i Apelit i përpiluar më 20 maj 2026, është marrë nga kolegji i gjyqtarëve i përbërë nga Mehmet Ndrecaj- kryetari i kolegjit, Ferit Osmani dhe Ali Kutllovci– anëtarë.

    Gjykata Themelore në Prishtinë përmes vendimit të 20 nëntorit 2024, për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike”, e kishte dënuar Atiqin me 6 muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse i njëjti në periudhën e veritikimit prej 1 viti nuk kryen vepër tjetër penale.

    Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj vendimit të Themelores ka paraqitur mbrojtësi i Atiqit, avokati Xhevdet Shala, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo plotë të gjendjes faktike dhe vendimit mbi sanksionin penal, konfiskimin dhe shpenzimet e procedurës penale, duke propozuar që rasti të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

    Prokuroria e Apelit në anën tjetër përmes parashtresës ka propozuar që ankesa e avokatit Shala të refuzohet si e pabazuar, ndërkaq vendimi i Themelores të vërtetohet.

    Sipas Apelit, aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe as shkelje tjera të procedurës, të cilat kjo Gjykatë i vëren çdo herë sipas detyrës zyrtare, e të cilat do të kushtëzonin anulimin e tij.

    Në vendim, Apeli thekson se vendimi i Themelores është i qartë, konkret dhe përshkruan gjendjen faktike e cila është vërtetuar.

    Shkalla e dytë vlerëson se shkalla e parë provat i ka vlerësuar në pajtim me dispozitat përkatëse ligjore, duke paraqitur në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsye i merr si të provuara ose të paprovuara, raporton Betimi për Drejtësi.

  • Arratiset shqiptari nga burgu i sigurisë së lartë në Greqi

    Arratiset shqiptari nga burgu i sigurisë së lartë në Greqi

    Një 48-vjeçar shqiptar i dënuar për trafik droge ka arritur të arratiset nga burgu i sigurisë së lartë Koridhalos në Greqi.

    Edmond Taga ka shfrytëzuar momentin kur është hapur porta në momentin që do të nxirreshin jashtë mbeturinat e burgut dhe ka arritur të largohet me vrap.

    Forca të shumta policore janë vënë në ndjekje të tij por ende nuk kanë arritur ta kapin, shkruan Abcnews.al.

    Dyshohet se shqiptari është larguar përmes rrugica ndërsa ende nuk dihet nëse ka qenë plan i organizuar apo arratisje spontane. Po vijon ndërkohë hetimi për rrethanat e ngjarjes.

  • Rusia kryen sulme vdekjeprurëse në Ukrainë

    Rusia kryen sulme vdekjeprurëse në Ukrainë

    Një sulm në shkallë të gjerë gjatë natës me dronë dhe raketa nga Rusia në Kiev la të vrarë të paktën katër persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, përfshirë fëmijë, thanë zyrtarët ukrainas.

    Sulmet vijnë disa ditë pasi Moska paralajmëroi për sulme të reja ndaj kryeqytetit ukrainas, përfshirë edhe ndaj atyre që i quajti “qendra të vendimmarrjes” në Ukrainë dhe u bëri thirrje shtetasve të huaj dhe diplomatëve që të largoheshin nga qyteti.

    Rusia lëshoi 73 raketa dhe 656 dronë gjatë natës, teksa sulme janë regjistruar në 38 lokacione në mbarë Ukrainën, kryesisht në Kiev, thanë Forcat Ajrore ukrainase më 2 qershor.

    Sipas kryetarit të Kievit, Vitali Klitschko, sulmet e kombinuara të Rusisë në Kiev më 2 qershor vranë të paktën katër persona dhe plagosën 58 të tjerë, përfshirë fëmijë.

    Klitschko raportoi për dëme në ndërtesa banimi, në një klinikë, një pompë benzine, makina dhe infrastrukturë tjetër në disa pjesë të kryeqytetit, si dhe për shpërthimin e disa zjarreve, shembjen e ndërtesave dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

    “Rusia vazhdon terrorin ndaj civilëve në Ukrainë”, tha Avokati i Popullit në Ukrainë, Dmytro Lubinets, përmes një postimi në X.

    “Bota duhet të veprojë. Këto sulme duhet të ndalen. Çdo ditë vonesë kushton jetë njerëzish”.

    Forcat ruse po ashtu kanë sulmuar qytetin lindor ukrainas të Dnipros, duke vrarë të paktën pesë persona dhe duke plagosur 25 të tjerë, përfshirë fëmijë, sipas autoriteteve lokale.

    “Njëzetetre janë hospitalizuar, përfshirë një vajzë 13-vjeçare. Tre persona të plagosur janë në gjendje serioze”, shkroi në Telegram më 2 qershor guvernatori në Dnipro, Oleksandr Hanzha.

    Hanzha po ashtu publikoi fotografi që shfaqën dëmin ndaj një lagjeje pas sulmeve.

    Në Harkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, sulmet ruse me dronë dhe raketa balistike plagosën të paktën gjashtë njerëz, përfshirë një vajzë 11-vjeçare, dhe shkaktuan zjarre e dëme në shtëpi, makina dhe ndërtesa të tjera, sipas kryetarit Ihor Terekhov.

    Një ditë pasi Moska sulmoi rajonin e Kievit më 24 maj me qindra dronë dhe me atë që zyrtarët rusë thanë se ishte një raketë e re hipersonike, Ministria e Jashtme ruse tha se kryediplomati Sergei Lavrov, gjatë një bisede telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se Moska po planifikonte të kryente “sulme sistematike” ndaj caqeve ushtarake ukrainase në Kiev dhe ndaj “qendrave të rëndësishme të vendimmarrjes”.

    Lavrov po ashtu këshilloi shtetasit amerikanë dhe diplomatët që të evakuoheshin nga Kievi.

    Ministria e Jashtme e Ukrainës e dënoi paralajmërimin rus të cilin e cilësoi si “shantazh të turpshëm” që ka për qëllim të frikësojë diplomatët e huaj dhe organizatat ndërkombëtare që gjenden në Kiev.

    “Rusia dëshiron frikë. Panik. Izolimin e Ukrainës”, tha Katarina Maternova, ambasadorja e Ukrainës në Bashkimin Evropian përmes një postimi në Facebook. “Kjo nuk do të funksionojë”.

    Edhe diplomatët e huaj kundërshtuan këtë paralajmërim.

    Rusia i ka arsyetuar kërcënimet e saj në rritje duke iu referuar një sulmi ndaj një konvikti në rajonin ukrainas të Luhanskut, të pushtuar nga Moska, në muajin maj.

    Zyrtarët lokalë thanë se më shumë se 20 persona u vranë në qytetin Starobilsk. Autoritetet ruse e akuzuan Ukrainën se kishte shënjestruar qëllimisht një objekt civil.

    Zyrtarët ushtarakë ukrainas thanë se forcat e tyre kishin goditur selinë e një njësiti rus të dronëve, duke hedhur poshtë pretendimet se kishin shënjestruar ndërtesa civile./REL

  • Antonio Costa mbërrin në Tiranë, takohet me Edi Ramën

    Antonio Costa mbërrin në Tiranë, takohet me Edi Ramën

    Presidenti i Këshillit të Europës, Antonio Costa, ka mbërritur të martën në Tiranë, si pjesë e turit të vizitave diplomatike në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në prag të Samitit BE–Ballkani Perëndimor që pritet të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi.

    Costa është pritur në ambientet e Kryeministrisë nga kryeministri Edi Rama, me të cilin do të zhvillojë një takim zyrtar.

    Samiti vjen gjashtë muaj pas atij të fundit në Bruksel, duke theksuar vijimin e forcimit të marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Pas takimit mes dy delegacioneve, Rama dhe Costa pritet të dalin në një konferencë të përbashkët për media.

    Në kuadër të vizitës, delegacionet e drejtuara nga Rama dhe Costa do të zhvillojnë një takim bilateral, ndërsa më pas dy liderët do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të flasin për temat kryesore të diskutimeve dhe zhvillimet në rajon.

  • KEDS-i gjobitet me 110 mijë euro për njehsorë të skaduar

    KEDS-i gjobitet me 110 mijë euro për njehsorë të skaduar

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka gjobitur me 110 mijë euro Kompaninë Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) për shkak të njehsorëve elektrikë të skaduar.

    MINTI tha se pas ankesave të qytetarëve në maj dhe verifikimeve të kryera është gjetur se 18 njehsorë kanë qenë me afat të skaduar të vlefshmrëisë, dy janë tërhequr, ndërkaq 30 njehsorë u gjet se kishin pasaktësi në datë dhe orë.

    “Bazuar në gjetjet e evidentuara dhe në përputhje me Ligjin për Metrologjinë, Inspektorati Qendror i Tregut ka shqiptuar ndaj KEDS-it gjoba në vlerë prej 110.000 eurosh. Ndërkohë, raportet zyrtare të verifikimit janë dorëzuar edhe te KESCO [Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike], me qëllim të kompensimit të konsumatorëve të dëmtuar”, u tha në njoftimin e MINTI-t, institucion që njoftoi se verifikimet e njehsorëve do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

    Por, kush mund të kompensohet nga dëmet e shkaktuara nga problemet me njehsorët e energjisë elektrike?

    Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji të gjithë konsumtorët që vërtetohet se janë dëmtuar do të “kompensohen plotësisht”.

    Kjo zyrë ka thënë më herët se për të përfituar kompensim, qytetarët duhet fillimisht të paraqesin ankesë në MINTI, pastaj te KEDS-i. Nëse nuk pajtohen me përgjigjen e tyre, atëherë ankesën mund ta vetë ZRRE-ja.

    Në prill, Radio Evropa e Lirë pyeti rregullatorin e energjisë se sa mund të jetë vlera e kompensimit dhe nga ZRRE-ja thanë se vlerat financiare mund të ndryshojnë, por se ato janë të vogla.

    Sipas ZRRE-së, një numër i vogël i konsumatorëve mund të përfitojnë nga kompensimi, pasi pa vetëdije ata kanë përfituar tarifa të ulëta gjatë ditës.

    “Në pjesën më të madhe të rasteve, korrigjimet financiare nuk kanë rezultuar në favor të konsumatorëve, por pavarësisht kësaj çdo rast do të trajtohet me seriozitet”, u tha në një njoftim të ZRRE-së më 21 prill.

    Kjo nuk është hera e parë që KEDS-i gjobitet. MINTI e kishte gjobitur për shkak të njehsorëve të skaduar.

    Në prill, ministria tha se gjeti njehësorë të skaduar – por, nuk tregoi numrin e saktë të tyre – duke thënë se gjoba për KEDS-in ishte nga 1.500 deri në 5.000 euro për secilin njehsorë.

    Në fillim të prillit, autoritetet nisën të verifikonin njehësorët elektrikë ku u gjet se disa kishin afat të skaduar të vlefshmërisë, pasaktësi në ditë dhe orë. Po atë muaj, Prokuroria Themelore në Prishtinë e autorizoi Policinë të kryente hetime lidhur me parregullsitë e njehsorëve elektrikë.

    Parregullsitë në njehsorët elektrikë u gjetën së pari nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – që mandatin e kaluar ishte në opozitë – dhe media lokale Nacionale, të cilat publikuan gjetjet e hulumtimeve të tyre – rreth 2 mijë mostra në përgjithësi – për mospërputhjet mes orës në njehsorët e rrymës me orën lokale.

    Sipas autoriteteve, standardi i lejuar për pasaktësi është +/- 0.5 sekonda në ditë, varësisht prej temperaturës dhe kohëzgjatjes së njehsorit, ndërsa ka qytetarë që pretendojnë se pasaktësia shkon në disa orë.

    Ora që shfaqet në njehsorët elektrikë të konsumatorëve në Kosovë është e rëndësishme, pasi çmimi i rrymës është i ndryshëm, varësisht se kur shpenzohet.

    Aktualisht, në Kosovë ka tarifa të larta, që janë gjatë ditës, dhe ato të ulëta, gjatë natës. Sipas tarifave, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kWh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 centë nëse e tejkalojnë këtë prag. Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 centë kilovatin, ndërsa 7.28 centë nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.

    KEDS-i ka mohuar se ka bërë shkelje, duke argumentuar se mospërputhjet në njehsorë janë çështje teknike dhe jo manipulim.

    Kjo kompani e shpërndarjes të energjisë elektrike ka thënë se nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë. Por, kompania tha se, në rast të gjetjes së pasaktësive jashtë normave të lejuara, “qytetarët do të kompensohen deri në centin e fundit”./REL

  • Qeveria themelon Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndan mbi 550 mijë euro për shëndetësi dhe teknologji

    Qeveria themelon Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndan mbi 550 mijë euro për shëndetësi dhe teknologji

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e saj të 22-të në formë elektronike, ku ka marrë disa vendime që lidhen me sektorin e shëndetësisë dhe mbështetjen e aktiviteteve të teknologjisë dhe inovacionit.

    Në këtë mbledhje, ekzekutivi ka themeluar Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës, një mekanizëm i paraparë për financimin dhe menaxhimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore.

    Po ashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për ndarjen e 400 mijë eurove për zbatimin e marrëveshjes me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

    Qeveria ka miratuar edhe ndarjen e 153 mijë eurove për mbështetjen e realizimit të tri ngjarjeve në kuadër të iniciativës “OctoberTech”, e cila bashkon aktivitetet më të mëdha të teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë.

    Vendimet janë marrë në kuadër të mbledhjes elektronike të mbajtur nga Qeveria në detyrë, ndërsa detaje shtesë për zbatimin e tyre pritet të bëhen publike nga institucionet përgjegjëse.

  • Mbi 1.6 milion fletëvotime gati për zgjedhje, të shtunën shpërndahen në qendra komunale

    Mbi 1.6 milion fletëvotime gati për zgjedhje, të shtunën shpërndahen në qendra komunale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është duke vazhduar me përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë vendosur fletëvotimet të cilat janë shtypur në Slloveni, e të cilat janë sjellë në Kosovë gjatë këtyre ditëve.

    Duke folur për votimin që organizohet brenda vendit, ai ka treguar se janë shtypur 1 milionë e 641 mijë e 450 fletëvotime, të cilat janë të planifikuara të përdoren në vendvotime të rregullta, ato me kusht, për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe një pjesë e tyre do të shërbejnë si rezervë.

    “Sipas vendimit të KQZ-së, për zgjedhjet e 7 qershorit janë shtypur 1 milionë e 778 mijë e 300 fletëvotime. Nga ky numër, 1,605,000 fletëvotime janë të planifikuara për votimin në vendvotimet e rregullta; 19,450 për votimin me kusht; 13,500 fletëvotime rezervë; dhe 3,500 për votimin e personave me nevoja të veçanta. Edhe në këto zgjedhje, si në të kaluarën, KQZ ka shtypur më pak fletëvotime se numri i përgjithshëm i votuesve dhe kjo mbështetet në analizat e pjesëmarrjes së qytetarëve në votime. Këto fletëvotime, aktualisht janë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe në kuadër të përgatitjeve logjistike, të shtunën në mëngjes do të bëhet shpërndarja e tyre në qendrat komunale të numërimit dhe nga aty të dielën në mëngjes në qendra të votimit”, ka deklaruar Elezi.

    Ndërkaq, duke folur për votimin jashtë vendit, Elezi ka treguar se fletëvotimet tashmë janë nisur për tu dërguar në përfaqësi diplomatike, një pjesë janë shpërndarë për votuesit e regjistruar për votim me postë dhe pjesa tjetër do të përdoret për votim në përfaqësitë diplomatike, më 6 qershor.

    “Po ashtu, nga numri i përgjithshëm i fletëvotimeve, për votimin me postë jashtë Kosovës janë shtypur 108 mijë fletëvotime, ndërsa për votimin në përfaqësi diplomatike 28,850 fletëvotime. Siç e kemi shpjeguar më herët, fletëvotimet për votimin me postë, i cili ka nisur më 21 maj dhe përfundon më 6 qershor, janë dërguar në adresa të votuesve të regjistruar, ndërkaq fletëvotimet dhe materialet tjera zgjedhore janë nisur për tu dërguar në përfaqësi diplomatike, në të cilat do të zhvillohet votimi më 6 qershor”, ka deklaruar ai.

    “Më 6 qershor, procesi i votimit do të zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike për 27,724 votues e regjistruar paraprakisht. Votimi do të mundësohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës. Më 6 qershor përfundon votimi jashtë vendit, përkatësisht votimi me postë, për 104,488 votuesit e regjistruar për këtë lloj votimi”.

    “Më 7 qershor është dita e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Procesi i votimit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit me gjithsej 2,550 vendvotime. Në 911 Qendra Votimi me 2,498 Vendvotime do të mundësohet votimi i rregullt, ndërkaq në 38 qendra të tjera, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime, do të mundësohet votimi me kusht. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milionë e 959 mijë e 962 votues”, ka shtuar ai.

  • Gjest human: E mitura në Mitrovicë dorëzon kuletën me 2000 euro në polici, pronarit i kthehen paratë

    Gjest human: E mitura në Mitrovicë dorëzon kuletën me 2000 euro në polici, pronarit i kthehen paratë

    Një e mitur në Mitrovicë ka treguar një gjest të rrallë ndershmërie pasi ka dorëzuar në polici një kuletë të gjetur në rrugën “Lah Nimani”, e cila përmbante dokumente personale dhe 2000 euro para të gatshme.

    Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, kur vajza ka gjetur kuletën dhe menjëherë e ka dorëzuar në stacionin policor lokal, pa tentuar ta mbajë për vete.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, pas verifikimit të dokumenteve, është arritur të identifikohet pronari i kuletës, të cilit më pas i janë kthyer sendet dhe shuma e parave.

    Pronari ka shprehur mirënjohje për veprimin e të miturës, duke vlerësuar ndershmërinë e saj dhe reagimin profesional të zyrtarëve policorë.

    Në një deklaratë zyrtare, Policia e Kosovës ka vlerësuar lart këtë rast, duke e cilësuar si një shembull pozitiv për shoqërinë dhe për forcimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve të rendit.

    Sipas policisë, raste të tilla kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe promovimin e vlerave të ndershmërisë dhe përgjegjësisë në komunitet.