ATV

Category: Lajme

  • Prokuroria Speciale ende pa aktakuzë për Masakrën e Prekazit edhe 26 vjet pas

    Prokuroria Speciale ende pa aktakuzë për Masakrën e Prekazit edhe 26 vjet pas

    Forca të shumta paramilitare serbe rrethuan familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt, më 1998.

    Më 5, 6 dhe 7 mars të atij viti, pas një rezistence të hekurt, u vra Komandanti legjendar Adem Jashari, me 58 familjarë e të afërm të tij, përfshirë fëmijë, gra e pleq.

    Janë mbushur 26 vjet që nga ky sulm. Por, për ngjarjen që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, ende nuk ka aktakuzë, ndonëse Prokuroria Speciale thuhej se kishte filluar hetimet qysh në vitin 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ishte ish-prokurorja speciale Drita Hajdari e cila kishte deklaruar se në 2019 kishin filluar hetimet dhe se ishin në fazën e grumbullimit të provave.

    “Kam verifikuar nëse rasti është hapur nga EULEX-i apo UNMIK-u apo nga Tribunali i Hagës dhe pasi që kam kuptuar se nuk ka rast të hapur, kam vendosur për hapjen e hetimit me qëllim të zbardhjes së këtij rasti dhe të përgjegjësisë penale për krimet e luftës në rastin konkret”, kishte deklaruar ajo në media.

    E kontaktuar tash, Hajdari tha se meqenëse më nuk është prokurore, s’ka kompetencë të përgjigjet lidhur me këtë temë.

    Por në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj ka thënë se s’ka shumë kohë që janë hapur hetimet zyrtarisht.

    “Kanë fillu, nuk është kohë e gatë kur zyrtarisht, por po, ka. Veç muj me konfirmu që i kemi hetimet e aktivizume me vendim, por kurgjo ma shumë”, tha Isufaj.

    Se kur kanë filluar këto hetime dhe nëse ka pasur pezullime në ndonjë periudhë, nuk është përgjigjur as prokurori i rastit, Valdet Gashi.

    Edhe në marsin e kaluar, që shënonte 25 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), PSRK nuk ishte përgjigjur se kur kanë filluar dhe se në çfarë faze ishin hetimet.

    Sipas Kodit të Procedurës Penale, afatet kohore të hetimeve janë deri në dy vjet, por që me kërkesë të prokurorit, ky afat mund të zgjatet edhe për një vit, pra në total tre vjet.

    Mirëpo, Kodi parasheh edhe disa rrethana kur mund të pezullohen hetimet.

    -Nëse i pandehuri pas kryerjes së veprës penale vuan nga ndonjë çrregullim ose paaftësi e përkohshme mendore ose nga ndonjë sëmundje tjetër e rëndë,

    -Nëse është arratisur,

    -Nëse është bërë kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare ose ekzistojnë rrethana të tjera objektive në zhvillimin e hetimeve të cilat përkohësisht e pengojnë ndjekjen me sukses të të pandehurit.

    Koha derisa hetimi është pezulluar, nuk llogaritet në kohën për zbatimin e hetimit, e as në kohën për parashkrimin e veprës penale.

    Në vitin 2016, Prokuroria Speciale kishte themeluar një Departament të Posaçëm për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës nga prokurorët vendorë. Para themelimit të tij, rastet më herët ishin hetuar nga prokurorët e UNMIK-ut dhe EULEX-it.

    Për krime makabre të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje, ndër to edhe masakra ndaj familjes Jashari.

    Ndaj, familjes Jashari ishin kryer tri sulme nga forcat paramilitare serbe. Nga të dhënat, më 30 dhjetor 1991, ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari.

    Sulmin e dytë, forcat paramilitare serbe e kishin kryer më 22 janar 1998. Edhe kësaj beteje, familja Jashari i kishte rezistuar.

    Mirëpo, në këto luftime kishin mbetur të plagosura Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

    Sulmit të marsit i kishte shpëtuar Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5- 6 mars të largohet nga rrethina si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoi tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj.

    Në këtë sulm janë vrarë 22 anëtarë të ngushtë bashkë me Komandanti legjendar Adem Jashari, banorë të fshatit Prekaz edhe mysafirë të Kullës së Jasharëve.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në raportin e publikuar në shtator të vitit 2020 me titull “Amnistia e krimeve të luftës në Kosovë”, ka pasqyruar kronologjikisht hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Republikën e Kosovës ku ishin trajtuar edhe sukseset dhe dështimet e të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që kanë pasur dhe kanë kompetenca në fushën e hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës.

  • Vazhdojnë punimet me kapacitete të plota në rrugën Prishtinë-Mitrovicë

    Vazhdojnë punimet me kapacitete të plota në rrugën Prishtinë-Mitrovicë

    Me kapacitete të plota po vazhdojnë punimet në ndërtimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë, projekt ky i nisur që nga viti 2009. Ekonomia Online ka qëndruar në një segment të kësaj rruge, ku shihen dhjetëra makineri duke punuar.

    Më 8 shkurt, Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratë me konsorciumin “HIDROSTROY AD SOFIJA dhe ESKAVATORI L.L.C.”, kompani nga Bullgaria dhe Kosova, për përfundimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë.

    Në ditën e nënshkrimit të kësaj kontrate, ministri i Infrastrukturës në Prishtinë, Liburn Aliu, ka theksuar se sipas marrëveshjes, kompanisë i është dhënë afat që punimet t’i përfundojë brenda 12 muajve.

    Ky projekt financohet nga huamarrja nga Fondi OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar me bashkëfinancim me Fondin Saudit të Zhvillimit, në vlerën 25 milionë euro.

  • Shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas

    Shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas

    Sot shënohet 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas, e njohur edhe si Dita e Nënës, ku për nder të kësaj dite, në Kosovë do të ketë aktivitete të shumta.

    Kjo ngjarje zë fill më 8 mars 1857, kur rrobalarëset e Nju ­Jorkut u ngritën në protestë për të drejtat e tyre kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër që u bëhej atyre dhe fëmijëve në punë.

    Kurse 100 gra nga shumë vende evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbledhura në Kopenhagë të Danimarkës, nën kryesinë e Klara Cetkinit, vendosen që 8 Marsi të shënohet si Dita Ndërkombëtare e Grave.

    Për nder të kësaj dite, nënave dhe grave u jepen dhurata të ndryshme, ku dhurata më e shpeshtë është lulja, e cila ka simbolin e respektit dhe dashurisë.

    Kosova të drejtën e gruas e ka të garantuar me ligj, ku në shumë institucione shtetërore, pjesëmarrja e gruas është e përcaktuar me ligje.

  • Kurti: Mezi presim t’i mirëpresim ushtarët suedezë në Kosovë për mbrojtjen e kufirit tonë kundër agresionit të Serbisë

    Kurti: Mezi presim t’i mirëpresim ushtarët suedezë në Kosovë për mbrojtjen e kufirit tonë kundër agresionit të Serbisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Suedinë për anëtarësim në NATO.

    Ai përmes një reagimi në platformën “X”, ka thënë se tani Evropa është edhe më e sigurt.

    Më tutje, Kurti tha se mezi presin që ushtarët suedezë të vijnë në Kosovë në kuadër të KFOR’it.

    Urime Suedisë që u bë pjesë e NATO’s si anëtari i 32. Një NATO më e fortë do të thotë një Evropë më e sigurt dhe një shans më i madh për paqe pas pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia. Mezi presim të mirëpresim ushtarët e parë Suedisë në kuadër të KFOR-it në Kosovë për të ndihmuar në mbrojtjen e kufirit tonë kundër agresionit të Serbisë”, ka shkruar Kurti.

  • Osmani uron Suedinë për anëtarësimin në NATO

    Osmani uron Suedinë për anëtarësimin në NATO

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se bashkë me ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, dhe aleatë të tjerë po festojnë anëtarësimin e Suedisë në NATO.

    Osmani thotë se anëtarësimi jo vetëm që siguron që forcon sigurimin e Suedisë, por edhe strukturën e paqes dhe sigurisë evropiane.

    “Së bashku me ambasadorin e Suedisë në Kosovë dhe miq dhe aleatë të tjerë, ne po festojmë këtë ditë historike pasi Suedia i bashkohet NATO-s zyrtarisht.

    Ky hap i rëndësishëm përpara forcon jo vetëm sigurinë e Suedisë, por edhe strukturën e paqes dhe sigurisë evropiane. Falas, Sverige!”, ka shkruar Osmani në X.

  • Dështon sërish miratimi i projektligjit për shëndetin riprodhues

    Dështon sërish miratimi i projektligjit për shëndetin riprodhues

    Përgatiti: Benita Zeneli

    30 pika ishin në rend dite në seancës e së enjtes në Kuvend. Duke marrë për shkas Ditën e Mësuesit, disa deputetët e shfrytëzuan foltoren për t’i uruar ata.
    Të tjerë megjithatë kërkuan kushte më të mira pune për mësimdhënësit.

    Përplasjet vazhduan edhe për tema të tjera. Në ditën e fundit të manifestimit “Epopeja e UÇK-së” pushteti u kritika për mospërfshirje të komunës së Skenderajt në organizim.

    Por akuzat e saj i mohoi i pari i kulturës, Hajrullah Çeku.

    Ndërkohë, gjatë pyetjeve parlamentare nga ministrat u kërkua votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Por sërish në mungesë kuorumi, ato janë shtyrë për një seancë të ardhshme.

    Në radhë ishte edhe votimi në lexim të dytë i projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor. Sërish në amendamentin e katërt të propozuar nga deputeti Visar Korenica dështoi miratimi.

    Ndërkohë, deputetët arritën të miratojnë Projektligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave e atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Shpeshtohet tenderimi me procedurë të mbyllur, shoqëria civile me kritika

    Shpeshtohet tenderimi me procedurë të mbyllur, shoqëria civile me kritika

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Nga viti në vit, procedura e mbyllur e tenderimit po përdoret më shumë. Gjatë vitit 2023, në nivel vendi përmes prokurimit janë lidhur 1097 kontrata, nga to 554 përmes procedurës së negociuar pa publikim për kontratë.

    Krahasuar me vitin 2022, ku vlera ishte 78 milionë, shuma e përgjithshme e kontratave të negociuara, gjatë vitit 2023 ka arritur në mbi 116 milionë euro.
    Për shoqërinë civile, kjo është shqetësuese.

    Me përdorimin e kësaj procedure të tenderimit, vlerësohet se minohet transparenca teksa rritet edhe mundësia për keqpërdorim të parasë publike.

    Mundësinë për keqpërdorim të buxhetit në këto raste e theksoi edhe një ish-ministre e Financave.

    Pikërisht për kontrata njëburimore, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës për raportim në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave.

    Në vitin 2021, ishin mbi 50 milionë euro kontrata të negociuara.

    Ndryshe, javë më parë, ATV-ja kishte raportuar se si Ministria e Mbrojtjes me procedurë të negociuar brenda një viti kishte shpërblyer me dy tenderë kompaninë “BENI DONA”. Tenderët për furnizim me ushqim, kapnin vlerën e mbi 5 milionë eurove.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Kobra” e të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen e kuksianit

    “Kobra” e të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen e kuksianit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    I buzëqeshur hyri në sallë, edhe pse ndaj tij rëndon akuza për vrasje të rëndë.

    Krahas Dibran Hoxhës që njihet me nofkën Kobra, u paraqitën edhe Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, që akuzohen për manipulim me prova, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në rrahje.

    Pasi u konstatua prania e palëve, prokurorja e lexoi aktakuzën në të cilën shpjegoi se si ndodhi vrasja për motive të ulëta.

    “Pasi i ndjeri nuk e kishte paguar faturën, Dibran Hoxha, ka qëlluar me pistoletë në këmbë njërin nga viktimat, derisa duke qëlluar në veturë ka pësuar tanimë i ndjeri V.C”, tha prokurorja Merita Bina – Rugova.

    Sipas aktakuzës, të cilën e posedon edhe ATV-ja, xhirimet e asaj nate janë zhdukur, për çka akuzohet Roland Susuri.

    “Është gjetur pistoleta me të cilën dyshohet se është kryer vepra. Por DVR.. nuk është gjetur askund…”, tha Bina – Rugova.

    Dibran Hoxha, i cili përballjen me drejtësi nuk e ka për herë të parë, u deklarua i pafajshëm, derisa të akuzuarit tjetër Roland Susurit i kërkoi t’i gjejë xhirimet e kamerave të sigurisë.

    “Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës. I akuzuari tjetër duhet ta gjejë DVR-në…”, deklaroi Dibran Hoxha.

    Pak pasi Kobrën e kthyen brenda, seanca fillestare u mbyll, për të vazhduar pas një kohe. Vrasja e Visar Cengu kishte ndodhur më 3 janar të vitit 2023, në afërsi të lokalit të Hoxhës, “Kobra City”.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Specialja bastis shtëpinë e ish-komandantit Sylejman Selimi

    Specialja bastis shtëpinë e ish-komandantit Sylejman Selimi

    Përgatiti: Armand Hoti

    Njësitet e EULEX-it, e nisën herët të enjten.

    Me urdhër të dhomave të specializuara të Kosovës me seli në Hagë, ata bastisën në Prishtinë shtëpinë e ish-komandantit të zonës operative të Drenicës, Sylejman Selimi.

    Përmes telefonit familjarët e Selimit mohuan se kryefamiljari i tyre është intervistuar. Edhe avokati i ish-ushtarakut tregoi se klienti i tij, nuk e ka statusin e personit të dyshuar.

    Referuar urdhrit të Gjykatës Speciale, avokati thotë se është menduar se në shtëpinë e Selimit ka prova që e ndërlidhin atë me veprën penale, “Pengim i Drejtësisë”.

    “Sipas urdhrit të gjykatës mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova të cilat ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”, tha Artan Qerkini, avokat i Sylejman Selimit.

    Por Avokati Qerkini thotë se urdhri i dhomave të specializuara, shkel disa të drejta të klientit që përfaqëson.

    “Ne i kemi disa vërejtje në vetë urdhrin, mendojmë se nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore dhe i cenon disa të drejta kushtetuese të personave, sepse nuk mund të cenohet privatësia e një personi, me një urdhër të gjykatës nëse ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar”, tha Qerkini.

    Ende nuk dihet nëse diçka është sekuestruar nga prona e ish-komandantit. Po ashtu, pikëpyetje ka se edhe me cilin rast ndërlidhet bastisja.

    “Prokuroria është në fazën e hetimeve, nuk jep detaje kështu që nuk kisha dashtë me spekulu se për cilin rast bëhet fjalë, mirëpo në momentin që një gjë e tillë të bëhet publike do t’ju njoftojmë”, tha Qerkini.

    Prokuroria Speciale, me seli në Hagë të Holandës, deklaroi gjatë ditës se në Kosovë po kryen operacione të vazhdueshme.

    Gjatë vitit të kaluar, prokuroria speciale kishte zhvilluar një seri bastisjesh ndaj personave për të cilët hetuesit e Speciales dyshonin se po pengojnë drejtësinë.

    Në vitin 2015, Gjykata Themelore në Mitrovicë, shpalli fajtor Sylejman Selimin, duke e dënuar me gjashtë vjet burg, për një vepër penale që ndërlidhet me krime lufte kundër popullatës civile.

    Ndërsa, në janar të 2019-ës, Selimi u lirua me kusht nga vuajtja e dënimit, pasi kaloi mbi 5 vjet në burg.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Me ndezjen e flakadanëve të lirisë në Prekaz, përfundon Epopeja e UÇK-së

    Me ndezjen e flakadanëve të lirisë në Prekaz, përfundon Epopeja e UÇK-së

    Me ndezjen e flakadanëve në “Natën e Zjarreve” sonte në Prekaz dhe koncertin në Skenderaj ka përfunduar manifestimi në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    Ndezja e flakadanëve u bë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Njëherësh në orën 18:00 në shtatë rajone të Kosovës janë ndezur flakadanë në kujtim të Epopesë së lavdishme të UÇK-së dhe familjes Jashari, në 26-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

    Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mposhti frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5, 6, 7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.

    Ndryshe, Epopeja e UÇK-së, më 5, 6 e 7 mars u shënua me aktivitete të shumta.

    Më poshtë po ju sjellim fotot nga ndezja e flakadanëve të lirisë në Prekaz, të realizuara nga fotografi i ATV-së, Arlind Gruda: