Përgatiti: Armand Hoti
Njësitet e EULEX-it, e nisën herët të enjten.
Me urdhër të dhomave të specializuara të Kosovës me seli në Hagë, ata bastisën në Prishtinë shtëpinë e ish-komandantit të zonës operative të Drenicës, Sylejman Selimi.
Përmes telefonit familjarët e Selimit mohuan se kryefamiljari i tyre është intervistuar. Edhe avokati i ish-ushtarakut tregoi se klienti i tij, nuk e ka statusin e personit të dyshuar.
Referuar urdhrit të Gjykatës Speciale, avokati thotë se është menduar se në shtëpinë e Selimit ka prova që e ndërlidhin atë me veprën penale, “Pengim i Drejtësisë”.
“Sipas urdhrit të gjykatës mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova të cilat ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”, tha Artan Qerkini, avokat i Sylejman Selimit.
Por Avokati Qerkini thotë se urdhri i dhomave të specializuara, shkel disa të drejta të klientit që përfaqëson.
“Ne i kemi disa vërejtje në vetë urdhrin, mendojmë se nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore dhe i cenon disa të drejta kushtetuese të personave, sepse nuk mund të cenohet privatësia e një personi, me një urdhër të gjykatës nëse ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar”, tha Qerkini.
Ende nuk dihet nëse diçka është sekuestruar nga prona e ish-komandantit. Po ashtu, pikëpyetje ka se edhe me cilin rast ndërlidhet bastisja.
“Prokuroria është në fazën e hetimeve, nuk jep detaje kështu që nuk kisha dashtë me spekulu se për cilin rast bëhet fjalë, mirëpo në momentin që një gjë e tillë të bëhet publike do t’ju njoftojmë”, tha Qerkini.
Prokuroria Speciale, me seli në Hagë të Holandës, deklaroi gjatë ditës se në Kosovë po kryen operacione të vazhdueshme.
Gjatë vitit të kaluar, prokuroria speciale kishte zhvilluar një seri bastisjesh ndaj personave për të cilët hetuesit e Speciales dyshonin se po pengojnë drejtësinë.
Në vitin 2015, Gjykata Themelore në Mitrovicë, shpalli fajtor Sylejman Selimin, duke e dënuar me gjashtë vjet burg, për një vepër penale që ndërlidhet me krime lufte kundër popullatës civile.
Ndërsa, në janar të 2019-ës, Selimi u lirua me kusht nga vuajtja e dënimit, pasi kaloi mbi 5 vjet në burg.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Leave a Reply