ATV

Category: Lajme

  • BSPK: Mbetemi të palëkundur në angazhimin për promovimin e barazisë gjinore

    BSPK: Mbetemi të palëkundur në angazhimin për promovimin e barazisë gjinore

    Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka uruar të gjitha gratë si dhe anëtaret e BSPK-së për Ditën Ndërkombëtare të Gruas. përmes një deklarate me shkrim ka uruar

    “Ju shpreh përshëndetjet e mia më të ngrohta të gjitha grave të jashtëzakonshme brenda organizatës sonë po edhe të gjitha grave edhe më gjerë. Sot është një moment për të njohur dhe pranuar përparimin që kemi bërë në mbrojtjen e të drejtave të grave, por është gjithashtu një thirrje për veprim për të vazhduar shtytjen për barazi, fuqizim dhe drejtësi që vendi ynë ka shumë nevojë”, shkroi Hykolli.

    Ai ka thënë se qëndrojnë të bashkuar në angazhimin sindikal për të krijuar një mjedis ku çdo grua mund të lulëzojë dhe të arrijë potencialin e saj të plotë.

    “Ndërsa reflektojmë për të kaluarën, le të riafirmojmë përkushtimin tonë për të formuar një të ardhme ku gratë nuk janë vetëm pjesëmarrëse të barabarta, por janë edhe lidere në çdo aspekt të rrugëtimit tonë të përbashkët drejt zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë sonë dhe të vendit tonë”, ka shtuar tutje ai.

    Tutje Hykolli shtoi se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mbetet i palëkundur në angazhimin e vet për të promovuar barazinë gjinore, për të mbrojtur paga të drejta dhe për të krijuar mundësi për gratë që të shkëlqejnë në karrierën e tyre.

  • Si po u shmanget Serbia masave ndëshkuese të BE-së për Banjskën?

    Si po u shmanget Serbia masave ndëshkuese të BE-së për Banjskën?

    Bashkimi Evropian nuk ka gatishmëri për t’i vënë masa ndëshkuese Serbisë, pas sulmit të armatosur që ndodhi në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, dhe standardet e dyfishta të bllokut evropian nuk përbëjnë asgjë të re – kështu i kanë thënë Radios Evropa e Lirë burime diplomatike në Bruksel dhe ekspertë të huaj.

    Sipas tyre, thirrjet në aspekte procedurale, dhe në mungesën e një raporti përfundimtar nga autoritetet e Kosovës, janë vetëm arsyetime për zvarritjen e rastit.

    “Perëndimi nuk ka apetit për të marrë ndonjë masë kundër [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, dhe ndaj kujtdo që ka qenë i përfshirë… Perëndimi ka nevojë për Serbinë dhe nuk dëshiron ta dëmtojë këtë marrëdhënie delikate”, vlerëson analisti Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Kosova, në anën tjetër, ngulmon në vendosjen e masave ndaj Serbisë, pasi deklaron se ndaj saj është kryer sulm terrorist.

    Çfarë ndodhi në Banjskë?

    Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serbësh vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në Banjskë të komunës së Zveçanit.

    Si pasojë e përleshjeve të mëtejme u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova e mban përgjegjës shtetin e Serbisë për këtë sulm, ndërsa Beogradi zyrtar e kundërshton këtë qëndrim.

    Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – Millan Radoiçiq, më vonë e mori përgjegjësinë për sulmin.

    Autoritetet e Serbisë kanë nisur një proces gjyqësor kundër tij, por e kanë liruar nga masa e paraburgimit, me kushtin që të mos shkojë më në Kosovë.

    Organizata Ndërkombëtare e Policisë, e njohur më shumë si INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim kundër tij.

    Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë, por masat ndëshkuese të kërkuara aq shumë prej autoriteteve të Kosovës nuk janë vënë kurrë.

    Në pritje të raportit të Kosovës…

    Bashkimi Evropian e ka pranuar vitin e kaluar një raport prej 48 faqesh nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës për sulmin në Banjskë.

    Megjithatë, burimet e Brukselit kanë thënë se ai nuk është i mjaftueshëm, duke vlerësuar se në të ka tone politike, dhe se nga Kosova nevojitet një raport i hartuar prej sistemit të drejtësisë.

    Autoritetet e Kosovës e kanë kritikuar disa herë Prokurorinë e Shtetit që ende nuk ka dalë me një raport për ngjarjet në Banjskë dhe nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

    Këshilli Prokurorial i Kosovës, në anën tjetër, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të mos ndërhyjë në punët e sistemit të drejtësisë, duke pretenduar se deklaratat e pushtetit janë tendencioze.

    Pse nuk i kryen BE-ja hetimet e veta?

    Brukseli pohon se nuk ka mandat për një gjë të tillë. Nga BE-ja kanë thënë që sulmi ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe se autoritetet atje janë kompetente.

    Kur kanë folur publikisht, zyrtarët e BE-së e kanë cilësuar sulmin në Banjskë si terrorist.

    Por, në Raportin e Progresit të BE-së për vitin 2023, në pjesën për Serbinë, sulmi në Banjskë përshkruhet se është kryer vetëm prej “individëve të armatosur rëndë”.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk ka kthyer përgjigje për pyetjen e Radios Evropa e Lirë se pse blloku evropian ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë rast.

    Në të kaluarën, ai e ka përsëritur disa herë që janë në pritje të raportit përfundimtar nga Kosova.

    Parlamenti Evropian ka kërkuar ndëshkimin e Serbisë, mirëpo diçka e tillë është në dorën e Këshillit dhe të Komisionit Evropian.

    Alejandro Esteso Perez, analist dhe studiues i politikave të Ballkanit dhe zgjerimit të BE-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se BE-ja nuk dëshiron ta vendosë Serbinë përpara pasqyrës.

    “Nuk dëshiron të rrezikojë një reagim potencial të Vuçiqit, qoftë duke u afruar me Rusinë apo Kinën – që ai veçse po e bën – dhe e kupton që pa Serbinë nuk mund të ketë dialog Kosovë-Serbi”.

    Ndërkaq, analisti Vogel thotë se ka dëgjuar prej ligjvënësve në BE që Serbia kritikohet nëpër biseda private. Por, sipas tij, “nëse diçka nuk thuhet publikisht, është sikur të mos ishte thënë fare”.

    Çfarë masash do të duhej të merreshin ndaj Serbisë?

    Vogel përmend dy masa, që për të janë minimumi:

    Masa të ngjashme me ato që i janë vënë Kosovës, pas rritjes së tensioneve në veri, në majin e vitit 2023

    Një deklaratë të qartë prej udhëheqësve perëndimorë që incidenti do të hetohet në hollësi dhe që Vuçiq duhet të heqë dorë publikisht prej çfarëdo aktiviteti ushtarak afër Kosovës.

    Analisti Perez, ndërkaq, konsideron se duhen të tjera masa:

    Nisja e menjëhershme e një hetimi të pavarur

    Masa ekonomike

    Masa që shënjojnë individët – ngrirje pasurish, ndalesa në udhëtime.

    Burimet në Bruksel vlerësojnë se BE-ja e përdor mosvendosjen e masave ndaj Serbisë “për t’i bërë presion” Beogradit për procese që dëshiron t’i çojë përpara.

    Megjithatë, Serbia vazhdon të mos e koordinojë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së. Mossanksionimi i Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë është vetëm njëri prej shembujve.

    A do të ketë ndikim në Kosovë kjo qasje e BE-së?

    Perez beson që po.

    “Jam i befasuar prej përpjekjeve aq të vogla të BE-së për të kuptuar situatën e Kosovës. Nëse nuk ka lëvizje edhe në muajt e ardhshëm, besimi i popullatës në të do të zvogëlohet dhe ata do të jenë edhe më të pashpresë sesa tani”, thotë ai.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 2022, dhe aktualisht ka të nënshkruar vetëm Marrëveshje për Stabilizim-Asociim me bllokun evropian. /REL

  • Këto janë dhjetë gratë më të pasura në botë

    Këto janë dhjetë gratë më të pasura në botë

    Revista prestigjioze Forbes ka publikuar listën e grave më të pasura në botë, ku shumica prej tyre vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Faqja “World of Statistics” në platformën X ka publikuar këtë listë.

    Francezja Francoise Bettencourt Meyers: 99.5 miliardë dollarë

    Amerikanja Alice Walton: 64.8 miliardë dollarë

    Amerikanja Julia Koch: 60.1 miliardë dollarë

    Amerikanja Jacqueline Mars: 39.8b miliardë dollarë

    Amerikanja MacKenzie Scott: 34.5 miliardë dollar

    Amerikanja Miriam Adelson: 33.8 miliardë dollarë

    Australianja Gina Rinehart: 30.2 miliardë dollarë

    Indianja Savitri Jindal: 30.0 miliardë dollarë

    Zvicerianja Rafaela Aponte-Diamant: 29.4 miliardë dollarë

    Amerikanja Abigail Johnson: 28.6 miliardë dollarë

  • Përmbushet 20 përqindëshi i kërkuar për largimin e kryetarëve në veri – Më 21 prill votohet për largimin e tyre

    Përmbushet 20 përqindëshi i kërkuar për largimin e kryetarëve në veri – Më 21 prill votohet për largimin e tyre

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur i ka verifikuar listat e nënshkrimeve të peticionit për largimin e kryetarëve në katër komunat në veri të vendit, raporton Ekonomia Online.

    Sipas KQZ-së, nga listat e pranuara rezulton se në të katër komunat është përmbushur 20 për qindëshi i kërkuar në peticion për të nisur procedurat e largimit të kryetarëve.

    Në komunën e Leposaviqit, lista e nënshkruesve përmban 3 mijë e 30 nënshkrime, ndërsa pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve, rezulton se 2 mijë e 905 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote.

    “Pra, numri i votuesve për komunën e Leposaviqit është 13 mijë e 441 votues, ku 20 për qind e votuesve për këtë komunë i bie të jetë 2 mijë e 689 votues. Andaj, këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind të votuesve për këtë komunë”, u tha në mbledhjen e KQZ-së.

    Në komunën e Zubin Potokut, lista nënshkruese e peticionit përmban 1 mijë e 567 nënshkrime, ku pas krahasimit me të dhënat e listës së votuesve rezulton se 1 mijë e 380 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote.

    “Numri i votuesve është 6 mijë e 732 votues, ku 20 për qind e votuesve për komunë i bie që të jetë 1 mijë e 347 votues, andaj, këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind të votuesve të kërkuar për peticion”, tha kryetari i KQZ-së.

    20 për qindëshin e kërkuar në peticion e ka përmbushur edhe komuna e Zveçanit, ku peticionin e kanë nënshkruar 1 mijë e 834 njerëz.

    Pas krahasimit me listën e votuesve, ka rezultuar se 1 mijë e 714 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në komunën e Zveçanit.

    “Numri i votuesve për komunën e Zveçanit është 7 mijë e 52 votues, ku 20 për qind e votuesve i bie të jetë 1 mijë e 411 votues. Andaj këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind të votuesve të kërkuar për peticion”, tha tutje ai.

    Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, janë mbledhur 3 mijë e 148 nënshkrime në listën e peticionit, ku pas krahasimit me listën votuese ka rezultuar se 3 mijë e 563 nënshkrues të peticionit janë qytetarë të Kosovës me të drejtë vote në Mitrovicë të Veriut.

    “Numri i votuesve është 18 mijë e 199 votues, ku 20 për qind e votuesve për komunë i bie të jetë 3 mijë e 640, andaj këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind të votuesve të kërkuar në peticion”, tha ai.

  • Dënohet me 25 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e djalit për çështje pronësore në Podujevë

    Dënohet me 25 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e djalit për çështje pronësore në Podujevë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Naim Smajli, i akuzuar për vrasjen e djalit të tij E.S., duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim.

    Aktgjykimi ndaj Smajlit u shpall të premten nga gjykatësja Alltën Murseli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Smajli akuzohej se ka vrarë djalin e tij E.S., në vitin 2022 në fshatin Bajçinë të Podujevës, për çështje pronësore.

    Gjykatësja Murseli tha se për veprën penale “Vrasje e rëndë”, Smajli dënohet me 24 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje dy vite burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik me 25 vjet burgim.

    Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi.

    Po ashtu, gjykatësja theksoi se konfiskohet arma e zjarrit me të cilën është kryer vepra.

    I akuzuari obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

    Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit Smajli.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 22 dhjetor 2022, Naim Smajli rreth orës 17:00 në fshatin Bajçinë, Komuna e Podujevës për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore, me dashje e ka privuar nga jeta djalin e tij tani të ndjerin E.S.

    I akuzuari Smajli, sipas aktakuzës, në një distancë të afërt ka shtënë në drejtim të djalit të tij tani të ndjerit E.S.

    Me këto veprime, Smajli akuzohej nga Prokuroria për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 të Kodit Penal.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Naim Smajli nga data e pacaktuar e deri më 13 qershor 2022, ka mbajtur në e armën e llojit “pushkë automatike” në kundërshtim me ligjin, një mjet shpërthyes, granatë dore dhe me posedimin e tyre i akuzuari Smajli ngarkohej se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.

  • Asambleja Parlamentare e KiE voton që Shqipëria të kalojë në dialogun e postmonitorimit

    Asambleja Parlamentare e KiE voton që Shqipëria të kalojë në dialogun e postmonitorimit

    Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka njoftuar se Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës ka bërë votimin unanim që mbështet këtë vend për kalim në dialogun e postmonitorimit.

    “Pas 29 vjetësh nën monitorim të plotë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropë, që kur Shqipëria u anëtarësua në këtë organizatë më 1995, Komiteti Monitorues ka vendosur unanimisht që ta mbështesë Shqipërisë që të lëvizë në dialogun postmonitorues”, ka shkruar Hasani.

    “Ky vendim është indikacion i qartë i progresit domethënës të forcimit të rendit dhe ligjit, të drejtave të njeriut dhe demokracisë”.

    Hasani ka thënë se ripohojnë dedikimin për përmirësim të mëtejmë në standardeve demokratike dhe avancimit në rrugën evropiane.

    “Qytetarët shqiptarë e meritojnë”, përfundon ai.

    Qëllimi kryesor i dialogut postmonitorues është parandalimi i frenimit apo edhe kthimit të mundshëm të progresit të arritur gjatë procedurës së monitorimit dhe zgjidhjes së problemeve të mbetura pas mbylljes së monitorimit.

  • Biden e nominon diplomatin shqiptar për ambasador të Amerikës në Mal të Zi

    Biden e nominon diplomatin shqiptar për ambasador të Amerikës në Mal të Zi

    I nominuari nga Presidenti Biden, B. Bix Aliu do të jetë ambasadori i parë shqiptaro-amerikan i SHBA-ve, një hap drejt një përfaqësimi dhe përfshirjeje më të madhe për komunitetin shqiptar në ShBA.

    Bix Aliu, i nominuar për postin e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Malin e Zi, para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë se nëse konfirmohet, do të punojë për përshpejtimin e procesit të integrimit të Malit të Zi dhe forcimin e luftës kundër ndikimeve të huaja keqdashëse.

    Për këtë nominim ka reaguar edhe Drilon Gashi, shef i Misionit të Kosovës në Poloni. Ai ka shkruar në ‘Facebook”, se kjo është dëshmi shumë e mirë e dhënë nga i emëruari për ambasadorin e SHBA-së në Mal të Zi, B. Bix Aliu. Z. Aliu do të jetë një ambasador i shkëlqyeshëm i SHBA-së dhe do të vazhdojë t’i bëjë shqiptaro-amerikanët krenarë me shembullin e tij të ndritshëm.

  • Kundërshtohet nisma e Lushtakut për lejim të importit të veturave më të vjetra se 10 vjet

    Kundërshtohet nisma e Lushtakut për lejim të importit të veturave më të vjetra se 10 vjet

    Në tryezën e diskutimit rreth nismës ligjore lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete, iniciuar nga deputeti Mërgim Lushtaku, përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane dhe ekspertë të komunikacionit ishin kundër heqjes se kritereve për importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet, kjo për arsye siç u shprehen ata të ruajtjes së mjedisit në vend.

    Ndonëse, deputeti Lushtaku gjatë arsyetimit të kësaj nisme ligjore, theksoi se në asnjë vend të Evropës nuk ka kufizim të importit të veturave me dhjetë vjet. Ai tha se në vendet evropiane ka vetëm standard të euro diesel 4, dhe shtoi se janë edhe për ruajtjen e ambientit në Kosovë.

    “Në vendet evropian kemi vetëm standard të euro diesel 4, nuk ka standard me dhjetë vjet ose 15 vjet. Në Evropë në bazë të hulumtimeve që kemi pasur edhe me ekspert të ndryshëm nuk qëndron asnjë herë ndalesa me vjet, por ndalesa është vetëm me euro diesel 4. Prandaj, edhe ky kufizim ka qenë një dënim për qytetarët, sepse derisa veturat vijnë sidomos nga Gjermania dhe Zvicra, ato sigurisht se duhet t’i plotësojnë kriteret, standardet që i ka edhe Evropa dhe sigurisht që ato standarde i synojmë edhe ne. Te pjesa e vjetërsisë së veturave në Kosovë sigurisht që është e vjetër dhe besoj që kjo do t’i kishte mundësuar qytetarëve që nëse e ka një veturë 2005, ta blen një veturë të vitit 2007-2008 për shkak të standardit ekonomik, por gjithmonë duke ruajtur ambientin, sepse edhe fokusi im si deputet nuk është vetëm të kursehet xhepi i qytetarëve, por në të njëjtën kohë të kemi një ambient ku edhe ne i rrisim familjet tona në Kosovë”, theksoi Lushtaku.

    Në këtë tryezë u trajtuan me fokus të veçantë nenet (44, 63) ku përcaktohen kriteret për importin e veturave dhe ndërrimin e pronësisë.

    Nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Vesa Sahatçiu theksoi se qëndrimi i OEAK mbetet që nuk mund të importohen vetura më te vjetra se dhjetë vjet, për shkak sic u shpreh ajo të ruajtjes së ambientit.

    “Ne vazhdimisht si odë kemi pasur qëndrime saktësisht për nenin 44 që nuk mund të importohen vetura më te vjetra se dhjetë vjet, dhe prapë e kemi të njëjtin qëndrim që nuk duhet të importohen këto vetura, për shkak se vendi i Kosovës veç përballet me nivele shumë të larta të ndotjes. Kështu që duhet me menduar më shumë për mjedisin”, theksoi ajo. Edhe oda ekonomike gjermane është pro mbrojtjes së ambientit”, theksoi ajo.

    Edhe përfaqësues nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare patën mendim të njëjtë sikur ajo Amerikane. Ndërsa, për këtë qëndrim të odave, deputeti nga PDK-ja, Lushtaku ka sfiduar këto oda se nëse ka ndonjë shtet në Evropë, do ta tërheqë këtë nismë ligjore.

    “Prandaj, unë e kuptoj edhe shqetësimin e disa organizatave por nuk është e arsyeshme që të arsyetohet edhe mungesa e kontrollit të institucioneve të Kosovës dhe paaftësisë së tyre dhe pastaj të dënohen qytetarët pse nuk kanë mundësi me i kontrolluar ato automjete nëse nuk janë me standard konform të Evropës… (Fund gati) Ju ftoj edhe juve Odave Ekonomike të më sfidoni në aspektin se nëse ekziston në BE dhe ndonjë shtet tjetër që ka ndalim të veturave në vite, atëherë edhe unë jam në rregull dhe sigurisht se do të tërheqë këtë nismë. Aq sa jam i informuar nga ekspert të ndryshëm, kemi vetëm kushte në standard, ku jam edhe unë me i rritë standardet euro-diesel 5-6”, theksoi ai,

    Eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi tha se e kupton shqetësimin e deputetit Lushtaku, por shtoi se Kosova nuk duhet të bëhet deponi lëvizëse e mjeteve motorike.

    “Vendi ynë duhet me u orientuar drejt politikave të qarta dhe lehtësirave për importin e automjeteve të reja, jo për inkurajimin e qytetarëve për me i marrë automjetet më të vjetra se dhjetë vjet. Në vendet e zhvilluara industria e automjeteve ka filluar gradualisht me i ndal prodhimet e automjeteve me derivat-naftë…Kështu që është momenti që ne më shumë duhet me menduar rreth mbrojtjes së shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve rreth integrimit të transportit tonë publik në transportin e gjelbër dhe krijimit të kushteve, përfshirë edhe infrastrukturën ligjore. E kuptoj shqetësimin e deputetit dhe të një grupit tuaj këtu. Edhe unë e kam një automjet të vitit 1988, dhe me shumë dashni e mbaj atë veturë. Por, ne duhet të mendojmë se si Qeverinë duhet me krijuar lehtësira qytetarëve për me pasur automjete të reja. Kosova me këto veprime që ne me lejuar importimin e automjeteve të vjetra, ne vendin po e shndërrojmë deponi të lëvizshme me automjete motorike. Përderisa, Evropa i pastron rrugët e veta nga automjetet e vjetra po i bien në Kosovë dhe ne po merremi me ato automjete”, theksoi ai.

    Kjo iniciativë e deputetit Lushtaku gjeti përkrahje nga Shoqata e Kontrolleve Teknike në Kosovë.

    Rrustem Nika nga kjo shoqatë theksoi se heqja e kufizimit të vjetërsisë së automjeteve nuk paraqet problem, por shtoi se sfiduese mbeten derivatet.

    “Në kuadër të kontrolleve teknike, për neve nuk paraqet problem ky ligj as ky nen e as neni 44. Duke u nisur prej parimeve që çdo automjet ka specifika e veta. Për neve shqetësimi më I madh është tek derivatet. Ne nuk kemi problem me Euro-4, por problemet ne I kemi me veturat e reja për shkak që derivatet jo kualitativ”, theksoi ai./KP/

  • Edhe dy muaj paraburgim ndaj të dyshuarit se mbyti me thikë vjehrrin

    Edhe dy muaj paraburgim ndaj të dyshuarit se mbyti me thikë vjehrrin

    Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit Edon Bujupit, i cili dyshohet për vrasjen e vjehrrit të tij, A.K., me thikë.

    Kjo është bërë e ditur r për “Betimi për Drejtësi” nga mbrojtësi i Bujupit, avokati Driton Muharremi.

    “Po edhe dy muaj i është vazhduar, konkretisht deri me 28 prill 2024”, tha avokati Muharremi.

    “Betimi për Drejtësi”, kishte siguruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ku ndër të tjera thuhej se i dyshuari kishte shkuar në banesë dhe pas një mosmarrëveshje me babën dhe vëllain e gruas fillojnë përleshjet fizike mes tyre.

    Gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorisë, i dyshuari pastaj e ka goditur vjehrrin e tij me thikë, i cili pastaj vdes në QKUK.

    I dyshuari për vrasjen e vjehrrit të tij ishte dorëzuar vet në polici me 1 dhjetor të 2023/BetimipërDrejtësi

  • Murati: Drejt barazisë përmes fuqizimit ekonomik të grave

    Murati: Drejt barazisë përmes fuqizimit ekonomik të grave

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka publikuar grafikonin ku njofton se për tri vjet, nga viti 2020 deri në vitin 2023 ka pasur rritje të punësimit të grave në Kosovë.

    Sipas tij, në vitin 2023 numri i grave të punësuara ka arrit 151 mijë e 260.

    “Drejt barazisë përmes fuqizimit ekonomik të grave. Urime 8 marsi!” ka shkruat Murati në Facebook.