ATV

Category: Lajme

  • Shkurtohet kohëzgjatja e procesit për azil në Gjermani

    Shkurtohet kohëzgjatja e procesit për azil në Gjermani

    Kohëzgjatja e procedurave të azilit në Gjermani vitin e kaluar u shkurtua, pavarësisht se u rrit numri i aplikimeve.

    Aplikimi zyrtar zgjati mesatarisht 6.8 muaj më 2023, krahasuar me 7.6 muaj në vitin paraprak, sipas të dhënave të Qeverisë të prezantuara gjatë pyetjeve parlamentare.

    Qeveria gjermane tha se kohëzgjatja e procedurave gjyqësore për apelimet kundër vendimeve për azil po ashtu ka rënë me rreth pesë muaj në vitin 2023.

    Megjithatë, duke zgjatur mesatarisht prej 20.7 muajsh, krahasuar me 26 muaj në vitin 2022, i gjithë procesi i azilit është ende i gjatë dhe dallon shumë në vende të ndryshme të shtetit.

    Në shtetin perëndimor të Rhineland-Palatinate zgjat rreth pesë muaj, ndërkaq në shtetet sikurse Hese dhe Saksoninë e Ulët kohëzgjatja mesatare e procesit të azilit zgjat në një mesatare prej më shumë se dy vjetësh. Ndërkaq në Brandenburg është kohëzgjatja më e madhe, ku azilkërkuesit kryesisht presin mbi tre vjet.

    Duke folur për rrjetin RND, Calra Bunger, anëtare e partisë së krahut të majtë, Die Linke, subjekt që kërkoi nga Qeveria këto të dhëna, bëri thirrje për “kuadër më të mirë të punonjësve dhe operim më efektiv të gjykatave administrative, në veçanti në reduktimin e kohëzgjatjes së procedurave gjyqësore”.

    Procedurat e gjata për azil janë rënduese për refugjatët sepse ato ua parandalojnë atyre integrimin dhe krijojnë ndjenjën e pasigurisë, tha Bunger.

    “Është e papranueshme që azilkërkuesit duhet të presin një mesatare prej një viti e gjysmë derisa statusi i tyre të bëhet i qartë”, tha ajo./REL

  • “U gjetën gjashtë gëzhoja”, detaje të reja për vrasjen e boksierit kosovar në Gjermani

    “U gjetën gjashtë gëzhoja”, detaje të reja për vrasjen e boksierit kosovar në Gjermani

    Besar Nimani, ish-boksieri profesionist nga Mitrovica, dyshohet të jetë vrarë mbrëmë në një lokal në Bielefeld të Gjermanisë. Nga vrasja e tij janë zbardhur detaje të reja.

    Mediumi gjerman ‘NiUS’ raporton se në vendin e ngjarjes autoritetet gjermane kanë gjetur gjashtë gëzhoja plumbash, përcjell Gazeta Insajderi.

    Nimani ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, sipas informacioneve të mediumit.

    Nga ajo çka kanë thënë dëshmitarët, Nimani ka qenë i ulur me një grup prej 4-6 personash të tjerë në kafene në atë mbrëmje. Teksa ata po largoheshin nga restauranti, tashmë i ndjeri u qëllua me armë.

    Në mbrëmjen e së shtunës familja e ish-boksierit mitrovicas ka mbërritur në vendin e krimit. Një familjar i shpjegoi NIUS-it se motivi i krimit ishte një problem i viteve më parë.

    Sipas informacioneve të mediave gjermane, dy autorët e krimit janë larguar nga vendngjarja me një motor skuter. Aktualisht nuk ka asnjë gjurmë të asnjërit prej tyre.

    Nimani ishte përfshirë në një shkëmbim zjarri një herë në vitin 2013. Në atë kohë bëhej fjalë për beteja të supozuara për pushtet midis grupeve rivale në Bielefeld.

  • Tërnava uron besimtarët myslimanë për fillimin e muajit të Ramazanit

    Tërnava uron besimtarët myslimanë për fillimin e muajit të Ramazanit

    Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava ka uruar besimtarët myslimanë për fillimin e muajit të Ramazanit.

    Ai ka ftuar besimtarët që gjatë këtij muaji të bekuar t’i përkushtohen me bindje, adhurim, sinqeritet dhe solidaritet, duke i ruajtur e kultivuar lidhjet familjare dhe duke e shtrirë dorën e ndihmës ndaj të varfërve dhe skamnorëve, duke thirrur në forcim të unitetit dhe vëllazërisë dhe duke refuzuar të gjitha format e ndasisë dhe përçarjes ndërmjet vete.

    Njoftimi i plotë:

    Të nderuar vëllezër e motra,

    Të dashur qytetarë!

    Nesër fillon muaji i bekuar Ramazan, muaji i agjërimit, i mirësisë dhe i faljes. Çdo vit, të gjithë ne e presim këtë muaj me padurim, ngase Zoti na ka nderuar me të. Është muaj në të cilin me të madhe përçohen mesazhe urimi e përgëzimi, është muaj i lutjeve dhe adhurimeve, ku shtohen dashuria për fenë dhe Zotin, muaj me mirësi dhe begati më të shumta seç dikush mund t’i numërojë. Është muaj në të cilin besimtari i sinqertë, përmes agjërimit, synon përsosjen e tij morale dhe etike, synon ngritjen e nivelit të solidaritetit material në pikat më të larta, muaj që me veprat dhe përkushtimin e lartë, synon lehtësimin e rrugës së besimtarit për në Xhenet.

    Në çdo Ramazan, ne mbushemi me më shumë shpresë e dhembshuri, ngase ky është një muaj i bujarisë dhe mirësisë, një muaj madhështor në të cilin përkushtimi dhe devotshmëria shtohen dhe besimtarët ndjejnë gëzim edhe më të madh në zemrat dhe shpirtrat e tyre, muaj i cili edhe më shumë na bashkon dhe na e forcon unitetin ndërmjet nesh.

    Ramazani vjen për t’i rikthyer shpirtrat e uritur në tryezën e Mëshirëplotit, për të futur mëshirë dhe devotshmëri në zemra, për të forcuar krijesën njeri me durim, qëndresë, vullnet, bujari e vendosmëri, për t’i rrënjosur në kraharorët e fëmijëve tanë dashurinë, bindjen dhe besimin në Zotin e Madhëruar.

    Muaji i bekuar Ramazan është muaj që Zoti xh.sh. e veçoi nga muajt e tjerë të vitit, duke e dalluar atë me virtyte të larta dhe mirësi të pakufishme. Në Ramazan, që me të drejtë quhet zotëria i muajve të tjerë, përmes melekut Xhibril, tek i Dërguari Muhamed a.s., u zbrit edhe shpallja fisnike, siç Zoti xh.sh. e thotë:

    “Muaji Ramazan është muaji në të cilin zbriti Kurani, udhërrëfyes për njerëzit.”

    Në Ramazan, bashkë me Kuranin, zbriti dhe zbret mëshira, shumëfishohen shpërblimet e veprave dhe punëve të mira, falen mëkatet dhe veprat e liga, hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen ato të Xhehenemit.

    Ramazani, përveçse është muaj kur shpallja e qiellit ndriçoi errësirën e tokës, është gjithashtu edhe një epokë e re në të cilën njerëzimi mori mesazhet e fundit nga Zoti, mesazhe këto që përfaqësojnë një pikë kthese në rrugën e njerëzimit.

    Është muaj i agjërimit që konsiderohet një nga pesë shtyllat e Islamit, pasi besimtarët abstenojnë nga ushqimi dhe pija dhe qëndrojnë larg nga gjërat e ndaluara nga agimi deri në perëndim.

    Agjërimi është një adhurim specifik që bëhet vetëm për Zotin xh.sh., është një nga veprimet më të mëdha të afërsisë, është praktikë e të drejtëve dhe simbol i të devotshmëve, pastron shpirtin dhe përsosë karakterin, është shkolla e devotshmërisë dhe vendbanimi i udhëzimit. Kushdo që hyn në këtë muaj me qëllim të sinqertë dhe duke e ndjekur rrugën e drejtë, do të dalë prej tij me një dëshmi të drejtë dhe do të jetë me të shpërblyerit në këtë dhe në botën tjetër.

    Të nderuar vëllezër dhe motra,

    Në këtë natë të madhe dhe në këtë atmosferë hyjnore, ftoj besimtarët tanë kudo që janë, që këtij muaji të bekuar t’i përkushtohen me bindje, adhurim, sinqeritet dhe solidaritet, duke i ruajtur e kultivuar lidhjet familjare dhe duke e shtrirë dorën e ndihmës ndaj të varfërve dhe skamnorëve, duke thirrur në forcim të unitetit dhe vëllazërisë dhe duke refuzuar të gjitha format e ndasisë dhe përçarjes ndërmjet vete.

    Përmbajuni porosive të Zotit xh.sh. dhe të Muhamedit a.s., të dijetarëve të mirëfilltë dhe institucioneve fetare islame në shtetin tonë, e mos i kushtoni vëmendje thirrjeve devijuese nga njerëz të papërgjegjshëm e të pandërgjegjshëm!

    Të nderuar vëllezër e motra,

    Njerëzit në nevojë janë amaneti i Zotit mbi supet tona, mos i privoni ata nga të drejtat e tyre në pasurinë tonë që Zoti na e dhuroi! Ndihmoni dhe mbështetni ata duke e ruajtur krenarinë dhe dinjitetin e tyre!

    Lutemi që i Plotfuqishmi ta pranojë agjërimin dhe lutjet tona, t’i japë kombit, shtetit e fesë sonë, siguri dhe stabilitet! Lutemi që konfliktet, luftërat dhe gjakderdhja ndërmjet njerëzve pa dallim race, ngjyre, feje apo kombi, të marrin fund!

    Zoti xh.sh. na bekoi dhe na nderoi që e arritëm këtë muaj, andaj, lutemi që, o Zot ashtu siç na begatove me Islamin fe, në muajin Ramazan, të na dhurosh mëshirën dhe faljen Tënde në të dy botët!

  • Muaji i shenjtë i Ramazanit, besimtarët myslimanë nisin nesër agjërimin

    Muaji i shenjtë i Ramazanit, besimtarët myslimanë nisin nesër agjërimin

    Rreth një e katërta e popullsisë së botës do të nisin një ditë ndryshe më 11 mars, pasi lindja e diellit do ti gjejë duke agjëruar.

    Besimtarët myslimanë do të nisin muajin e Ramazanit, muaji më i shenjtë i kalendarit islamik. Ramazani është muaji i nëntë i kalendarit hënor Islam, zgjat nga 29 ose 30 ditë, dhe konsiderohet si periudha ku trupi dhe shpirti pastrohet.

    Gjatë Ramazanit, besimtarët çdo ditë nuk do të konsumojnë ushqime ose pije, si dhe duhet të shmangin çdo sjellje negative të njeriut duke nisur që nga lindja e diellit e deri në perëndimin e tij.

    Përveç pastrimit të shpirtit, agjërimi mbahet për tu solidarizuar me të varfrit, për të ndarë ushqimin me to. Gjatë Ramazanit, besimtarët kërkojnë falje për mëkatet, luten për ndihmë ndaj të këqijave dhe përpiqen të pastrohen nëpërmjet vetëpërmbajtjes dhe veprave të mira.

    Por muaji i Ramazanit nuk ndryshon vetëm rutinën e personave që agjërojnë, por edhe shumë të tjerëve, të kësaj feje ose jo. Shumë njerëz solidarizohen me sakrificën që myslimanët bëjnë, duke qenë më të kujdesshëm në veprimet e tyre kundrejt agjëruesve. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët që nuk agjërojnë kanë krijuar një rutinë duke mos konsumuar ushqim para tyre, organizuar dreka pune, mirëkuptimi në shumë situata, dhe shumë veprime të tjera.

    Me anë të këtyre veprimeve amerikanët dhe shumë persona në shtete të ndryshme të botës, tregojnë mirëkuptimin e tyre me personat që e bëjnë atë sakrificë.

  • SHBA-ja nis një anije me pajisje për ndërtimin e portit në Gazë

    SHBA-ja nis një anije me pajisje për ndërtimin e portit në Gazë

    Një anije e ushtrisë amerikane që po bart pajisje për ndërtimin e një porti të përkohshëm në Gazë është nisur drejt enklavës palestineze, tri ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, bëri publike planet për të rritur dërgesat e ndihmës përmes detit në Gazë, ku qindra mijëra palestinezë po përballen me uri.

    Hapja e korridorit detar, së bashku me hedhjen e ndihmave nga ajri nga SHBA-ja, Jordania dhe të tjerët, tregojnë alarmin në rritje lidhur me krizën humanitare në Gazë dhe po ashtu paraqet një shmangie nga kontrollet tokësore që Izraeli u bën dërgesave të ndihmës.

    Izraeli ka mirëpritur dërgesat detare dhe tha se do të inspektojë anijet me dërgesa të nisur drejt Gazës në një zonë afër Qipros. Numri i anijeve që hyjnë në Gazë brenda ditës ka qenë nën 500, sa hynin në enklavë para se të niste lufta në tetor, për shkak të kufizimeve izraelite dhe çështjeve të sigurisë.

    Ndërkaq, Biden ka rritur kritikat ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Udhëheqësi amerikan tha se beson që Netanyahu “po e lëndon më shumë Izraelin sesa po e ndihmon Izraelin” në mënyrën se si ai po i qaset luftës kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, që tashmë është në muajin e gjashtë.

    Biden tha se mbështet të drejtën e Izraelit për t’iu kundërpërgjigjur Hamasit pas sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit, por tha se Netanyahu “duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi jetës së të pafajshmëve që po humbet për shkak të veprimeve që po ndërmerren”.

    Në kuadër të përpjekjeve për të rritur ndihmën humanitare dhe për të ndërtuar portin e përkohshëm, ushtria amerikane bëri të ditur se anija Gjeneral Frank S. Besson është larguar nga baza e Marinës në Virxhinia “më pak se 36 orë pasi presidenti Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë ndihmë humanitare për Gazën përmes detit.

    Anija mbështetëse logjistike “po bart pajisjet e para për krijimin e portit të përkohshëm për të dërguar furnizimet jetike humanitare”, u tha në njoftim.

    Biden bëri njoftimin për portin e përkohshëm të enjten gjatë fjalimit drejtuar kombit. Njoftimi nga udhëheqësi amerikan erdhi pas paralajmërimeve të Kombeve të Bashkuara për përhapjen e urisë në mesin e 2.3 milionë palestinezëve në Gazë, pas nisjes së luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

    Që nga sulmi fillestar i Hamasit në jug të Gazës në tetor, kur u vranë afër 1.200 persona dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë, Izraeli ka kryer ofensivë tokësore dhe ajrore në enklavën e rrethuar. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, nga ofensiva janë vrarë mbi 30.000 persona, shumica gra dhe fëmijë.

    Gaza nuk ka infrastrukturë të porteve. Fillimisht, SHBA-ja planifikon të përdorë Qipron, e cila po ofron një proces të kontrolleve të anijeve të mallrave, në të cilin proces do të përfshihen edhe zyrtarët izraelitë. Ky proces shmang kontrollet e sigurisë në Gazë.

    Shumica e banorëve të Gazës tani janë persona të zhvendosur brenda vendit dhe enklava po përballet me pengesa në dërgesat e ndihmës humanitare në pikat e kontrolleve kufitare tokësore./Radio Evropa e Lirë/

  • Ambasadori Hovenier uron Ramazanin: Uroj që ky muaj t’ju sjellë dritë, paqe dhe begati

    Ambasadori Hovenier uron Ramazanin: Uroj që ky muaj t’ju sjellë dritë, paqe dhe begati

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

    Përmes një postimi në “X”, ambasadori amerikan ka uruar që ky muaj të sjellë dritë, paqe dhe begati.

    “Me rastin e Ramazanit, ju uroj të gjithëve që e kremtojnë muajin e shenjtë në Kosovë dhe në mbarë botën. Uroj që ky muaj t’ju sjellë dritë, paqe dhe begati”, ka shkruar Hovenier.

    Besimtarët myslimanë në mbarë botën, përfshirë edhe ata në Kosovë nesër do të nisin muajin e shenjtë të Ramazanit, ku për 30 ditë ata do të agjërojnë.

  • Kurti tregon datën e fillimit të Olimpiadës Matematike Evropiane për vajza

    Kurti tregon datën e fillimit të Olimpiadës Matematike Evropiane për vajza

    Albin Kurti ka thënë se viti 2025, do të jetë viti i matematikës në Kosovë.

    Kurti në një postim në Facebook, ka shkruar se nga 11 deri më 17 prill 2025, do të mbahet Olimpiada e Matematikës Evropiane për Vajza – EGMO 2025.

    “EGMO është gara më prestigjioze ndërkombëtare e matematikës për vajza që ka për qëllim t’i inkurajojë vajzat që të merren me matematikën dhe zbatimin e saj. Gara zhvillohet çdo vit në një vend të ndryshëm të Evropës me pjesëmarrje të rreth 60 shteteve, duke i përfshirë edhe shtetet jo-evropiane që marrin pjesë si mysafirë”, ka shkruar Kurti.

    Kryeministri ka falënderuar komunitetin e matematikanëve shqiptarë, Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës dhe të gjitha organizatat e tjera për angazhimin e tyre të pandërprerë në promovimin dhe avancimin e matematikës në Kosovë.

    “EGMO 2025 do të organizohet me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, komunitetit të matematikanëve shqiptarë, Shoqatës Matematikanëve të Kosovës dhe organizatave e donatorëve të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë”, ka shkruar Kurti.

  • Ndalohet një person në Leposaviq, tentohej të fus mallra pa dokumentacione

    Ndalohet një person në Leposaviq, tentohej të fus mallra pa dokumentacione

    Njësia policore të shtunën në Leposaviq ka ndaluar një furgon që drejtohej nga një person në të cilin kishte të ngarkuara mallra të ndryshme, për të cilët nuk kishte dokumentacion.

    Sipas raportit të Policisë, thuhet se i dyshuari me furgon kishte hyrë në territorin e Kosovës nga Serbia përmes rrugëve ilegale.

    Policia ka bërë të ditur se në konsultim me prokurorin i dyshuari pas inicimit të rastit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli i është dorëzuar doganës.

    “Qirkoviq, Leposaviq / 09.03.2024 – 22:10. Njësia policore ka ndaluar një furgon që drejtohej nga i dyshuari kosovar në të cilin kishte të ngarkuara mallra të ndryshme (qeramika, radiatorë për nxemje, motosharrë, birra, disa bidonë me benzinë, etj) për të cilat nuk kishte dokumentacion. Gjatë legjitimimit është kuptuar se i dyshuari me furgon kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës nga Serbia përmes rrugëve ilegale. Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas inicimit të rastit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa malli i është dorëzuar doganës”, thuhet në raport.

  • Radojçiq takohet me ‘pretendentin’ për kryeministër të Serbisë

    Radojçiq takohet me ‘pretendentin’ për kryeministër të Serbisë

    Udhëheqësi i grupit terrorist serb, që kreu sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator në veri të Kosovës, Milan Radojçiqi është fotografuar në takim me Marko Djuriç.

    Djuriç është njëri ndër emrat e përfolur për kryeministrin e ardhshëm të Serbisë.

    Ka shërbyer si ambasador i Serbisë në SHBA, në periudhën 8 tetor 2020 deri më 3 korrik 2021.

    Si dhe ka qenë drejtor i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë, për shtatë vite.

  • Mbi 300 raste të reja me kancer brenda dy muajve në Kosovë

    Mbi 300 raste të reja me kancer brenda dy muajve në Kosovë

    Mbi 300 raste të reja me kancer janë shënuar gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti në Kosovë. Ndërkaq, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i rasteve është rritur për mbi 10 për qind. Derisa kanceri i gjirit vazhdon të dominojë tek gratë, tek meshkujt është ai i mushkërive.

    Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi, në një intervistë për KosovaPress thotë se numri i rasteve të reja me kancer është trend në rritje, derisa potencon se pritet që në fillim të muajit majit të përfundojnë renovimet e kësaj klinike.

    Kurtishi përmend disa nga faktorët që ndikojnë në shtimin e rasteve me këtë sëmundje malinje, duke përfshirë ata gjenetikë, të ambientit të jashtëm, moshën, gjininë e të tjerë.

    Përveç këtyre, Kurtishi tregon se në gjatë muajit prill ose në fillim të muajit maj pritet që të përfundojnë punimet në Klinikën e Onkologjisë, për çka thotë se do të ketë zgjerim të kapaciteteve, duke përfshirë dyfishimin e numrit të shtretërve.

    Krahas kësaj, drejtori i kësaj klinike thekson se do të bëhet edhe dixhitalizimi i shërbimeve, me ç’rast do të sigurohen informatat të sakta mbi aktivitete që zhvillohen në këtë klinikë.Kurtishi potencon se shumë shpejtë planifikohet të bëhet përgatitja më e sofistikuar e ilaçeve të cito statikëve, e cila sipas tij do ta rrisë në maksimum sigurinë e ilaçit dhe të dozimit.

    Ndër të tjera, profesionisti i shëndetësisë, Ilir Kurtishi potencon se shqetësues mbetet fakti që mbi 50 për qind e rasteve me kancer që lajmërohen në klinikë për herë të parë, janë në stade të avansuara të sëmundjes.

    Ai shton se faktorët gjenetikë, ata të ambientit të jashtëm, mosha , gjinia e të tjera ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të reja me kancer.Renovimi i Klinikës së Onkologjisë ka filluar në fund të muajit tetor të vitit 2023. Ndërkaq, tani pacientët mund të marrin shërbimet onkologjike brenda objektit të Mjekësisë Sportive./kp/