ATV

Category: Lajme

  • Vuçiq konfirmon se do të shkojë në Mal të Zi për samitin BE-Ballkani Perëndimor

    Vuçiq konfirmon se do të shkojë në Mal të Zi për samitin BE-Ballkani Perëndimor

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se do të udhëtojë për në Mal të Zi për të marrë pjesë samitin e Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    “Po shkoj në Mal të Zi. Është shumë e rëndësishme që atje ta përfaqësoj Serbinë”, tha Vuçiq gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.

    Ky konfirmim vjen në një kohë të tensioneve të rritura mes Beogradit dhe Podgoricës si dhe pas porosisë nga shërbimi serb i inteligjencës se Vuçiqi nuk duhet të shkojë në Mal të Zi, për shkak të rreziqeve të sigurisë.

    Vuçiq tha se është i informuar për njoftimin e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), e cila e ka këshilluar të mos udhëtojë në Mal të Zi për shkak të, siç u tha, “veprimit armiqësor të shërbimeve të huaja dhe klaneve kriminale” në atë vend.

    Ai shtoi se për çështje të tjera do të flasë në Mal të Zi.

  • Mbi 2 mijë gjoba trafiku për 24 orë, Policia njofton për dhjetëra aksidente e disa të arrestuar

    Mbi 2 mijë gjoba trafiku për 24 orë, Policia njofton për dhjetëra aksidente e disa të arrestuar

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, ka shqiptuar 2248 gjoba trafiku.

    Në raport shtohet edhe se, gjatë kësaj kohe janë raportuar 19 aksidente me të lënduar, ndërsa, 30 me dëme materiale.

    Po ashtu, shtohet se janë arrestuar 14 persona, ku, 3 janë dërguar në mbajtje.

  • Marrëveshja Kosovë – Serbi, Costa: Ka pasur përparim, të sigrojmë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit

    Marrëveshja Kosovë – Serbi, Costa: Ka pasur përparim, të sigrojmë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha gjatë vizitës në Prishtinë se dialogu i Kosovës me Serbinë mbetet “prioritet thelbësor” për sigurinë dhe prosperitetin rajonal.

    “Normalizimi është thelbësor për të ardhmen evropiane si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë. Duhet të ndërtojmë mbi të dhe të sigurojmë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit”, tha Costa.

    Zyrtari i lartë i Brukselit rikonfirmoi gjithashtu se “e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian”.

  • Haradinaj mbështet protestën studentore për mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut

    Haradinaj mbështet protestën studentore për mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut

    Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se mbështesin protestën e Këshillit Studentor të Fakultetit të Filologjisë në mbrojtje të përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut, e cila do të mbahet të premtën në Prishtinë.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se e drejta themelore për përdorimin e gjuhës shqipe, e garantuar me Kushtetutë, është e pacenueshme dhe nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga askush. Çdo përpjekje për ta cenuar atë përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore.

    Postimi i tij i plotë:

    Mbështesim protestën e studentëve në kërkesat e tyre të drejta për mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Nesër, në ora 14:00, në Prishtinë.

    E drejta themelore për përdorimin e gjuhës shqipe, e garantuar me Kushtetutë, është e pacenueshme dhe nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga askush. Çdo përpjekje për ta cenuar atë përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore.

    Jemi krah studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në kërkesat e tyre të drejta dhe legjitime.

  • Zhduket një grua në Vushtrri, rasti po hetohet

    Zhduket një grua në Vushtrri, rasti po hetohet

    Një person ka raportuar se një grua është larguar nga shtëpia dhe ende nuk është kthyer.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosoëvs bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 02.06.2026, në Vushtrri.

    Tutje bëhet e ditur se lidhur me rastin eshte njoftuar prokurori kujdestar, ndersa rasti po hetohet nga ekipet kompetente.

    “Vushtrri / 02.06.2026 – 09:00. Ankuesi mashkull kosobar ka raportuar se viktima femer kosovare është larguar nga shtepia dhe ende nuk është kthyer. Lidhur me rastin eshte njoftuar prokurori kujdestar, ndersa rasti po hetohet nga ekipet kompetente”, thuhet në raport. /Telegrafi/

  • Dhoma e Përfaqësuesve miraton rezolutën për kufizimin e veprimeve ushtarake të Trumpit ndaj Iranit

    Dhoma e Përfaqësuesve miraton rezolutën për kufizimin e veprimeve ushtarake të Trumpit ndaj Iranit

    Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së ka miratuar një masë që synon të ndalojë presidentin, Donald Trump nga ndërmarrja e veprimeve të mëtejshme ushtarake kundër Iranit.

    Votimi me rezultat 215–208 ishte i suksesshëm pasi katër republikanë iu bashkuan demokratëve në një shfaqje publike kundërshtimi ndaj luftës, e cila filloi në shkurt.

    Ky është përpjekja e katërt e Dhomës së Përfaqësuesve për të kufizuar kompetencat e Trumpit për zhvillimin e luftës, për të cilën kritikët thonë se nuk e kanë miratimin e Kongresit.

  • Palatova viziton KGjK-në, ritheksohet përkushtimi i Zyrës së BE-së për drejtësinë

    Palatova viziton KGjK-në, ritheksohet përkushtimi i Zyrës së BE-së për drejtësinë

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi, ka pritur në takim Shefen në Detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova.

    Sipas një njoftimi për media, Thaqi dhe Palatova diskutuan për zhvillimet në sistemin gjyqësor dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.

    “Fillimisht, Palatova e uroi Kryesuesin Thaqi për zgjedhjen në krye të KGJK-së, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e mandatit dhe në zhvillimin e mëtejmë të sistemit gjyqësor në Kosovë.

    Kryesuesi Thaqi falënderoi shefen në detyrë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj institucioneve të drejtësisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në funksion të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.

    Nga ana tjetër, znj. Palatova ritheksoi përkushtimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për të vazhduar mbështetjen ndaj institucioneve të drejtësisë dhe proceseve reformuese në vend.

    Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe konfirmuan angazhimin në drejtim të avancimit të mëtejmë të këtyre proceseve me qëllim forcimin e sundimit të ligjit, jetësimin e proceseve reformuese në drejtësi si dhe realizimin e Agjendës Legjislative dhe asaj evropiane të reformave”, thuhet në njoftim.

  • “Pse na le kaq herët bre bir”, babai i Leonit Aliut prek me fjalët pas tragjedisë në Shëngjin

    “Pse na le kaq herët bre bir”, babai i Leonit Aliut prek me fjalët pas tragjedisë në Shëngjin

    Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik pasditen e djeshme në zonën bregdetare të Rana e Hedhur, ku si pasojë e dallgëve të fuqishme humbën jetën dy të rinj nga Kosova, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të lënduar.

    Në mesin e viktimave është edhe Leonit Aliu, i cili nuk arriti t’u mbijetojë kushteve të rrezikshme në det.

    Pas lajmit tragjik ka reaguar babai i të ndjerit, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e djalit të tij.

    “Ah djali jem Leonit ike shpejt nga kjo bot pse na le kaq heret bre biri im do te kujtoj gjithmon me mall shpirti im bir”, ka shkruar ai.

    Leonit Aliu ishte pjesë e KF Fushë Kosova dhe kishte përfunduar studimet e tij, duke lënë pas familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të shumtë të pikëlluar nga humbja e parakohshme.

    Në këtë tragjedi jetën e humbi edhe Jetmir Binaku nga Drenasi.

  • Sekretari amerikan i Shtetit: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

    Sekretari amerikan i Shtetit: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por shtoi se kjo nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në të ardhmen.

    Gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Rubio tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mbështesin kandidatin italian për postin e ri të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, duke thënë se besojnë se ai “do ta kryente mirë punën dhe do të ndihmonte në sjelljen e stabilitetit në këtë funksion”.

    Sekretari amerikan i Shtetit iu përgjigj pyetjeve të kryetarit të Nënkomitetit për Evropë në Dhomën e Përfaqësuesve, Keith Self, i cili së fundmi ka vizituar Bosnje e Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën. Gjatë seancës, Self e cilësoi situatën në Ballkanin Perëndimor si “jashtëzakonisht të brishtë”.

    Self tha se mes Serbisë dhe Kosovës ekziston një “problem i pazgjidhur” dhe i kërkoi Rubios që, në bisedimet me katër vendet anëtare të NATO-s që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe që, rrjedhimisht, e bllokojnë anëtarësimin e saj në aleancën ushtarake perëndimore, të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO.

    Rubio tha se, bazuar në takimet e tij me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të aleancës, NATO-ja “është e përqendruar në çështje të tjera” dhe se “zgjerimi, posaçërisht në rastin e Kosovës, por edhe në raste të tjera, nuk është në krye të agjendës së këtyre vendeve”. Megjithatë, ai shtoi se kjo “nuk do të thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë”.

    “Kjo nuk ka pasur vend të rëndësishëm në bisedimet e fundit me aleatët tanë të NATO-s”, tha Rubio.

    Kosova synon të bëhet pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Por, shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj, të shpallur më 2008, vazhdojnë të jenë pengesë në integrimin euroatlantik të Prishtinës.

    Self, së bashku me dy kolegë të tij në Kongres, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Në këtë rezolutë thuhet se prania e Kosovës në aleancë është e domosdoshme për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-së në Evropën Juglindore.

    “Zotëria nga Italia” për Bosnje e Hercegovinën
    I pyetur nga Self për zgjedhjen e përfaqësuesit të ri të lartë në Bosnje e Hercegovinë, pas dorëheqjes së Christian Schmidtit, Rubio tha se SHBA-ja mbështet “zotërinë nga Italia”, pa e përmendur emrin e tij.

    Diplomati italian Antonio Zanardi Landi përmendet si kandidat që gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ndërsa vendet evropiane kanë kandidatët e tyre.

    “Përtej kësaj, ne mbetemi të angazhuar në këtë çështje, siç e theksuat edhe ju, dhe këtë e kemi bërë edhe privatisht. Gjëja e fundit që duam të shohim është çfarëdo lloj konflikti atje, çfarëdo ndarjeje, kufizimi apo gjëra të kësaj natyre që do të shkaktonin konflikt të mëtejshëm”, tha Rubio.

    Në Sarajevë, të mërkurën, nisi mbledhja e Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), në të cilën pritet të diskutohet për zgjedhjen e përfaqësuesit të ri të lartë në Bosnje e Hercegovinë, si dhe për përcaktimin e mandatit të tij të ardhshëm.
    Përveç Zanardit, ndër kandidatët e përmendur janë edhe i dërguari i posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, si dhe të dërguarit aktualë dhe të mëparshëm britanikë për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce dhe Stuart Peach.

    Nëse nuk arrihet marrëveshje, përfaqësuesi aktual i lartë, Schmidt, do të mbetet në detyrë deri në një vendim tjetër, siç ka paralajmëruar edhe vetë gjatë dorëheqjes së tij.

    Përfaqësuesi i lartë, i cili emërohet nga PIC-u, ka mandat për të mbikëqyrur zbatimin civil të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, me të cilën, më 1995, u ndal lufta në Bosnje e Hercegovinë. Atij i janë dhënë të ashtuquajturat kompetenca të Bonit, që përfshijnë mundësinë e imponimit të vendimeve dhe ligjeve, si dhe shkarkimin e zyrtarëve në Bosnje e Hercegovinë.

  • MINT publikon çmimet, shtrenjtohen nafta dhe benzina

    MINT publikon çmimet, shtrenjtohen nafta dhe benzina

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara të derivateve të naftës për datën 4 qershor 2026.

    Sipas vendimit të ri, nafta dhe benzina janë shtrenjtuar për nga 2 centë për litër krahasuar me një ditë më parë, ndërsa gazi është liruar për 1 cent.

    Çmimi maksimal i lejuar i naftës (dizelit) është caktuar 1.51 euro për litër, ndërsa benzina do të tregtohet me çmim maksimal prej 1.43 euro për litër.

    Ndërkaq, çmimi maksimal i gazit është 0.71 euro për litër.

    Krahasuar me çmimet e publikuara një ditë më parë, nafta është shtrenjtuar nga 1.49 në 1.51 euro për litër, benzina nga 1.41 në 1.43 euro për litër, ndërsa gazi është liruar nga 0.72 në 0.71 euro për litër.

    Çmimet e reja hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe vlejnë deri nesër.

    Vendimi është marrë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit në kuadër të përditësimit të rregullt të çmimeve maksimale të lejuara të derivateve të naftës në treg.

    Qytetarët mund të paraqesin ankesa përmes kanaleve zyrtare të ministrisë.