ATV

Category: Lajme

  • MINT publikon çmimet e derivateve për sot

    MINT publikon çmimet e derivateve për sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivateve për ditën e sotme.

    Sipas MINT një litër naftë sot të shitet për 1.52, kurse një litër benzinë 1.42 euro. MINT ka vendosur që një litër gas 0.71 euro.

    Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Vrasje në tentativë në Gjilan, Policia jep detaje

    Vrasje në tentativë në Gjilan, Policia jep detaje

    Policia e Kosovës, ka arrestuar një person në Gjilan.

    I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

    Sipas Policisë, viktima është dërguar në qendrën emergjente në Gjilan për tretman mjekësor.

    Njoftimi i plotë:

    VRASJE NË TENTATIVË

    Gjilan, 04.06.2026 – 20:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës mashkull kosovar. Viktima është dërguar në qendrën emergjente në Gjilan për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Sot varrosen dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht në Shëngjin

    Sot varrosen dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht në Shëngjin

    Familjarë, miq dhe të afërm do t’u japin sot lamtumirën e fundit dy të rinjve nga Kosova, Jetmir Binakut dhe Leonit Aliut, të cilët humbën jetën tragjikisht në bregdetin e Shëngjinit.

    Sipas njoftimeve të publikuara nga familjet, ceremonia e varrimit të Jetmir Binakut do të mbahet në orën 14:00 në varrezat e fshatit Gllobar të Drenasit.

    “Me dhimbje dhe pikëllim të thellë, i njoftojmë të gjithë farefisin, miqtë dhe dashamirët se ka ndërruar jetë tragjikisht djali, vëllau dhe nipi ynë i dashur, Jetmir Binaku. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër pas namazit të xhumasë në ora 14:00 në varrezat e fshatit Gllobar”, thuhet në njoftimin e familjes Binaku.

    Ndërkaq, Leonit Aliu do të përcillet për në banesën e fundit në orën 15:00, në fshatin Rezallë, lagjja Aliu.

    Babai i të ndjerit, përmes një njoftimi prekës, ka bërë të ditur kohën e ceremonisë së varrimit.

    “Na ike shumë herët, në lulen e rinisë, por kujtimi yt, buzëqeshja jote dhe mirësia jote do të mbeten përgjithmonë me ne. Largimi yt la një boshllëk që nuk do të mbushet kurrë. Pusho në paqe, djali im Leonit”, ka shkruar.

    Jetmir Binaku dhe Leonit Aliu humbën jetën në një ngjarje tragjike në Shëngjin, ku dyshohet se u morën nga rrymat dhe dallgët e forta të detit.

    Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, kur pesë shokë nga Kosova kishin hyrë në det, por dy prej tyre nuk arritën të mbijetonin, ndërsa tre të tjerët u dërguan në spital për trajtim.

  • Arrin në Kosovë grupi i parë i haxhilerëve

    Arrin në Kosovë grupi i parë i haxhilerëve

    Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se kanë nisur të kthehen në Kosovë haxhilerët që këtë vit kryen obligimin e Haxhit në vendet e shenjta.

    “Me lot në sy dhe emocione të papërshkrueshme, sot në Aeroportin e Prishtinës kanë filluar të kthehen haxhilerët nga Kosova, të cilët këtë vit e kryen obligimin e Haxhit në vendet e shenjta. Ata kujtojnë me emocione Qabenë e bekuar, Xhaminë e Pejgamberit a.s., Ditën e Arafatit, Muzdelifen, si dhe shumë momente të tjera të veçanta gjatë këtij rrugëtimi”, thuhet në njoftimin e Bashkësisë Islame.

  • Përdorimi i shqipes në provimet shtetërore, studentët protestojnë sot në Prishtinë

    Përdorimi i shqipes në provimet shtetërore, studentët protestojnë sot në Prishtinë

    Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë do të mbajë një protestë paqësore në mbrojtje të përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut.

    Protesta do të zhvillohet para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe synon të shprehë kundërshtimin ndaj çdo kufizimi të përdorimit të gjuhës shqipe.

  • Tivati i Malit të Zi mbledh liderët në samitin BE–Ballkani Perëndimor

    Tivati i Malit të Zi mbledh liderët në samitin BE–Ballkani Perëndimor

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, do ta përfaqësojë Kosovën në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet sot në Tivat të Malit të Zi.

    Samiti mbledh udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit.

    Në njoftimin e Presidencës thuhet se në këtë samit,Haxhiu do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit.

    “Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të marrë pjesë në Samitin BE, Ballkani Perëndimor, i cili mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi. Samiti mbledh udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit. Në këtë samit, u.d. Presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftim.

  • Arrestohet një person nën ndikim akooli dhe posedim të paautorizuar të armës

    Arrestohet një person nën ndikim akooli dhe posedim të paautorizuar të armës

    Me datën 04.06.2026, stacioni policor në Ferizaj ka pranuar një informatë lidhur me një person i cili, në rrugën “Shaqir Hasani”, nën ndikimin e alkoolit, kishte shkaktuar shqetësime në rrugë.

    Gjatë ndalimit nga zyrtarët policorë, tek i dyshuari kanë gjetur dhe konfiskuar një mjet i mprehtë (thikë), ndërsa është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor nga njësitet reaguese.

    Pas testimit me alkooltest, ka rezultuar se ishte në ndikim të alkoolit 0.79 promila.

    Me vendim të prokurorit te shtetit është iniciuar rasti “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

  • PDK kërkon mbështetjen e qytetarëve, Hamza premton t’i japë fund krizës

    PDK kërkon mbështetjen e qytetarëve, Hamza premton t’i japë fund krizës

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza në ditën e tetë të fushatës zgjedhore publikoi një video-mesazh në Facebook, ku tha se Kosova po përballet me rritje të çmimeve, fatura të larta të energjisë, paga të pamjaftueshme dhe largim të të rinjve nga vendi.

    Ai prezantoi vizionin e tij për një Kosovë me paga dinjitoze, energji të qëndrueshme, infrastrukturë moderne dhe më shumë mundësi për të rinjtë. “Stop krizës. Ndrysho Kosovën. Voto PDK 125”, ishte mesazhi i tij për qytetarët.

    Në konferencën për media, Hamza shpalosi prioritetet në arsim.

    Ndërkaq, në tubimin në Prizren, ai kritikoi qeverinë për mungesë rezultatesh teksa tha se programi i PDK-së bazohet në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe mbështetjen e bizneseve.

  • Macron: Duam të zhvillojmë një partneritet ambicioz me Malin e Zi

    Macron: Duam të zhvillojmë një partneritet ambicioz me Malin e Zi

    Presidenti francez, Emmanuel Macron ka arritur në Mal të Zi dhe do të merr pjesë në samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor.

    Ai ka deklaruar se Franca është e lumtur që ndodhet sot në Mal të Zi, në një moment të rëndësishëm për vendin, por edhe në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor, shkruan vijesti.me.

    “Ne duam të zhvillojmë në mënyrë ambicioze partneritetin me Malin e Zi. Gjatë viteve të fundit kemi investuar shumë në marrëdhëniet dypalëshe dhe kemi bërë përparime të mëdha duke nënshkruar marrëveshje që lehtësojnë bashkëpunimin në fushat e shëndetësisë, energjisë dhe infrastrukturës. Nuk i harroj as kontratat për ndërtimin e dy anijeve patrulluese”, tha lideri francez.

    Macron theksoi se Franca mbetet pranë Malit të Zi për ta mbështetur në fazën përfundimtare të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    “Dua të përshëndes punën e madhe që keni bërë së bashku me kryeministrin dhe qeverinë. Keni realizuar reforma, keni mbyllur kapitujt negociues. Mendoj se Evropa duhet të jetë e bashkuar dhe Franca mbetet pranë jush për t’ju mbështetur”, u shpreh ai.

    Ndryshe, Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu. /Telegrafi/

  • Komuna e Prishtinës paralajmëron gjobë 300 euro për hedhjen e mbeturinave vëllimore dhe inerte në hapësira publike

    Komuna e Prishtinës paralajmëron gjobë 300 euro për hedhjen e mbeturinave vëllimore dhe inerte në hapësira publike

    Qytetarët janë njoftuar se hedhja e mbeturinave vëllimore dhe inerte në hapësira publike do të ndëshkohet me gjobë prej 300 eurosh, ndërsa shkelësi do të obligohet edhe t’i largojë vetë mbeturinat e hedhura.

    Sipas njoftimit, nuk do të ketë tolerim për ndotësit, ndërsa qytetarët ftohen të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë në Kryeqytet.

    “Kushdo që hedh mbeturina vëllimore apo inerte në hapësira publike do të gjobitet me 300 euro dhe do të detyrohet t’i largojë vetë mbeturinat e hedhura”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, qytetarëve u është kërkuar që shkelësit t’i raportojnë përmes numrave pa pagesë: 0800 12233dhe 0800 12244.