ATV

Category: Lajme

  • Themelimi i Fondit Shëndetësor, Behrami: Vendim elektoral i minutave të fundit

    Themelimi i Fondit Shëndetësor, Behrami: Vendim elektoral i minutave të fundit

    Të hënën ka hyrë në fuqi zbatimi i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

    Ndërsa, me hyrjen në fuqi të tij ka nisur edhe hapi i parë i zbatimit të këtij ligji, e që është themelimi i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Ish-anëtari i Komisionit për Shëndetësi, tani kandidat për deputet nga radhët e PDK-së, Artan Behrami ka thënë për Ekonomia Online, se si parti e kanë mbështetur këtë ligj, por nuk beson që i njëjti do të implementohet.

    “Po si parti ne e kemi mbështetur këtë ligj në Kuvendin e Republikës së Kosovës, megjithatë, ne nuk i besojmë Albin Kurtit, sepse zoti Kurti çdo ligj që është krijuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, çdo iniciativë që është krijuar në Kuvendin e Kosovës, madje edhe çdo vendim që ka marrë në qeveri, ai kurrë nuk i ka implementu, kështu që as sigurimet shëndetësore Albin Kurti nuk do t’i implementojë në praktikë, njëjtë çysh nuk i ka kry autostradat, njëjtë çysh nuk e ka kry infrastrukturën, njëjtë çysh nuk i ka kry edhe 100 punë tjera të shtetit të Kosovës. Prandaj, ne nuk i besojmë këtyre, këto janë vendime të sekondave të fundit, këto janë vendime të minutave të fundit për të blerë edhe ndonjë votë të mbetur, tezgat e pazaret e votave ai tashmë i ka hapur, mirëpo qytetarët e Republikës së Kosovës janë duke bojkotuar këto tezga, sepse ata kanë dinjitet, ata nuk shiten, ata nuk blihen dhe ata kërkojnë ndryshim dhe kërkojnë që të dalim nga kjo krizë që na ka fut zoti Kurti”, u shpreh ai.

    Sipas tij, ky ligj do të implementohet në praktikë vetëm nga PDK-ja, dhe kandidati i saj për kryeministër Bedri Hamza.

    “Patjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka investuar shumë në këtë ligj, ka punuar shumë në këtë ligj, ka bërë shumë amandamentime të këtij ligji, ka pasur vizionin sesi duhet të implementohet ky ligj edhe është premtim elektoral i Bedri Hamzës që ky ligj do të implementohet pikë për pikë në praktikë në Republikën e Kosovës, por këtë mund ta bëjë vetëm Bedri Hamza dhe PDK-ja dhe këtë nuk mund ta bëjë kurrë Albin Kurti, ashtu siç nuk e ka bërë as me autostrada, as me projekte të tjera”, tha ai.

    Behrami, ka folur edhe gjendjen e shëndetësisë në vend, duke thënë se shëndetësia është në krizë të thellë.

    “Po, shëndetësia për tash e gjashtë vite është në një krizë të thellë të cilën e ka fut zoti Kurti, nuk kemi barna në shumicën e ambulantave, nuk kemi barna në qendrën kryesore spitalore, në shumicën e qyteteve të Kosovës, kemi probleme shumë të mëdha me gjëra elementare, kemi shumë pacientë të cilët nuk trajtohen në Kosovë dhe ikun nga Kosova për tu trajtuar jashtë, kemi pasiguri shumë të madhe të pacientëve në Kosovë. Prandaj, është shumë me rëndësi që ky ligj të jetësohet dhe të implementohet, por kjo mund të bëhet vetëm me PDK-në, vetëm më kryeministrin Bedri Hamza”, ka shtuar ai.

  • The Guardian: Shtohen protestat në Shqipëri për shkak të resortit luksoz të mbështetur nga Jared Kushner

    The Guardian: Shtohen protestat në Shqipëri për shkak të resortit luksoz të mbështetur nga Jared Kushner

    Protestat në Shqipëri mbi një vendpushim luksoz të propozuar të mbështetur nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner , pritet të intensifikohen pasi kundërshtarët refuzuan një ofertë nga kryeministri i vendit “për të diskutuar zgjidhjet”.

    Mijëra njerëz dolën në rrugët e Tiranës për të tretën ditë radhazi të mërkurën, disa prej tyre duke tundur flamingo të fryra në shenjë nderimi ndaj dëmit të frikshëm mjedisor, mes thirrjeve në rritje për bllokimin e projektit, shkruan The Guardian.

    Protesta janë planifikuar gjithashtu për në jug të vendit, ku punimet themelore për kompleksin prej 1.6 miliardë dollarësh (1.19 miliardë paund) filluan kohët e fundit në një zonë që prej kohësh është parë si një nga më të ndjeshmet mjedisore të Mesdheut, transmeton Sinjali.

    “Nga fillimi deri në fund ka pasur një mungesë totale transparence”, tha Aleksandr Trajce, drejtor ekzekutiv i grupit kryesor të ruajtjes në vend, Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). “Nuk kemi parë asnjë konsultim publik apo dokumentacion publik në lidhje me lejet, kështu që tani ajo që po themi është se nëse ata heqin buldozerët, heqin gardhin dhe i rikthejnë habitatet në gjendjen e tyre të mëparshme, atëherë mund të fillojmë të flasim”.

    Kryeministri, Edi Rama, i cili e ka mbrojtur zhvillimin si një moment historik në trajektoren e vendit të vogël ballkanik nga një shtet stalinist në një destinacion luksoz pushimesh, propozoi të martën që të takohej me protestuesit në një përpjekje për të thyer bllokimin. Por udhëheqësi socialist gjithashtu qëndroi në qëndrimet e tij, duke thënë: “Nuk ka absolutisht asnjë shans që investimi të ndalet për sa kohë që unë jam këtu”.

    Si grupi më i vjetër mjedisor në Shqipëri, PPNEA ngriti alarmin kur dolën paralajmërime se një rajon me biodiversitet dhe trashëgimi kulturore unike ishte në rrezik shkatërrimi.

    Më herët këtë vit, Ivanka Trump bëri një vizitë surprizë në vend me një ekip arkitektësh, duke vizituar vendin e caktuar për zhvillim nga firma e investimeve e bashkëshortit të saj, Affinity Partners.

    Resorti synon të mbulojë një zonë që përfshin jo vetëm daljen e pabanuar të Sazanit, ishullit të vetëm të Shqipërisë, por edhe ligatinat dhe habitatet bregdetare në parkun kombëtar detar që e rrethon atë. Ujërat janë ndër strehat e fundit për fokën mesdhetare, me zonën që strehon gjithashtu më shumë se 200 lloje zogjsh shumë prej të cilave janë të rrezikuara duke përfshirë flamingot dhe pelikanët dalmatë, sipas BirdLife International.

    Zona të peizazhit bregdetar të mbrojtur, në veri të fshatit Zvërnec, midis lagunës së Nartës dhe detit, janë gjithashtu të destinuara për zhvillim.

    “Nuk kemi parë kurrë diçka të tillë në rajonet e mbrojtura të Shqipërisë”, tha Trajce. “Nuk është thjesht e paprecedentë, ka pasur një kolaps të plotë të sundimit të ligjit pa marrë parasysh shoqërinë, pa konsideratë mjedisore, pa leje kontraktuale, vetëm buldozerë që hyjnë brenda”.

    Alarmi, tha ai, ishte shndërruar në zemërim publik kur punëtorët filluan të ngrinin një gardh me tela me gjemba me bazë betoni rreth vendit pranë Zvërnecit, instaluan një firmë private sigurie për ta mbrojtur atë dhe makineritë e rënda filluan të shkatërronin dunat e lashta dhe pyjet e pishave mesdhetare për të hapur rrugën për rrugët hyrëse.

    “Atëherë vendasit u zemëruan shumë”, tha ai. “Njerëzit që kanë tokë atje, ose që punojnë në tokë atje, papritmas nuk mund ta zgjidhnin më… Tani kjo ka shkuar përtej të qenit një çështje mjedisore. Është një çështje qytetare. Është shumë më e madhe”.

    Këtë javë, organi special i ndjekjes penale kundër korrupsionit në Shqipëri, SPAK, njoftoi se kishte nisur një hetim mbi ndryshimet legjislative të diskutueshme të miratuara në vitin 2024 në lidhje me zonat e mbrojtura.

    Zhvilluesit thonë se do të përparojnë me përgjegjësi. “Fokusi ynë mbetet në administrimin e përgjegjshëm, përmirësimin e mjedisit, krijimin e vendeve të punës dhe krijimin e vlerës afatgjatë për komunitetet lokale. Ne i respektojmë proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale”, tha Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC, e cila po zhvillon planet në partneritet me firmën e Kushner.

    Rama, i cili fitoi një mandat të katërt vitin e kaluar me premtimin për ta futur Shqipërinë në BE deri në vitin 2030 dhe është i etur të tërheqë investime në një vend që mbetet ndër më të varfrit e Evropës, gjithashtu mohon se zhvillimi do të rrezikojë vijën bregdetare të saj të virgjër.

    Më 1 qershor ai i tha parlamentit shqiptar se negociatat ishin ende në vazhdim, me një propozim përfundimtar që ende nuk është arritur. Dhe në një deklaratë të mërkurën, ai tha se ishte “shumë e rëndësishme që ne të mbetemi mikpritës, të mbetemi të drejtë dhe që në asnjë rrethanë të mos na stigmatizojë fakti që jemi një vend ku investitorët përballen me armiqësi”.

    Në një intervistë me Guardian përpara se projekti të miratohej fillimisht, Rama zbuloi se interesi i Kushnerit për Shqipërinë datonte që prej vitesh “kur Trump nuk ishte afër bërjes president i SHBA-së dhe ai dukej më afër burgut sesa Shtëpisë së Bardhë”.

    “Nuk lidhej me Trumpin, por me Jaredin si një investitor amerikan me një projekt të shkëlqyer”, tha ai.

    E mbyllur për gati 50 vjet nën sundimin e hekurt të një regjimi që ndalonte udhëtimet, Shqipëria është bërë gjithnjë e më popullore në mesin e vizitorëve të joshur nga bukuria e saj natyrore dhe çmimet e përballueshme.

    Për mbështetësit, shtytja e Ramës për të tërhequr investitorë të nivelit të lartë shihet si një domosdoshmëri nëse destinacioni dëshiron të shmangë grackat e turizmit të tepërt. Por për kundërshtarët, polemika është ushqyer gjithashtu në rritjen e pakënaqësisë me qeverinë. “Zemërimi nuk është aq shumë i drejtuar kundër Kushnerit apo Ivanka Trumpit, por qeverisë dhe mënyrës se si e ka trajtuar këtë“, tha Trajce.

  • Moti sot i ndryshueshëm, me reshje shiu dhe vranësira

    Moti sot i ndryshueshëm, me reshje shiu dhe vranësira

    Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot i ndryshueshëm, herë pas here me reshje shiu, me periudha me diell si dhe vranësira të shumta.

    Që në orët e para të ditës do të ndihet ndikimi i masave më të freskëta ajrore që depërtojnë nga perëndimi, duke sjellë reshje në pjesën më të madhe të vendit. Në zona të caktuara, reshjet mund të jenë më intensive dhe të shoqërohen me shkarkesa të forta elektrike.

    Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1–7 m/s.

    Temperaturat do të shënojnë rënie të ndjeshme. Vlerat minimale do të lëvizin nga 11 deri në 14 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 21 deri në 25 gradë Celsius.

  • Arrestohet një person në Graçanicë, policia i gjen armë dhe drogë

    Arrestohet një person në Graçanicë, policia i gjen armë dhe drogë

    Një person është arrestuar në Graçanicë pasi tentoi t’i ikte policisë gjatë një kontrolli.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 2 qershor 2026, rreth orës 21:47. Gjatë tentimit të zyrtarëve policorë për ta kontrolluar të dyshuarin, ai ka nisur të ikë nëpër oborret e shtëpive përreth.

    Policia bën të ditur se gjatë ikjes, i dyshuari kishte hedhur disa sende. Pas kontrollit të lokacionit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri – pistoletë me një fishek, si dhe një sasi të vogël të substancës së dyshuar narkotike.

    I dyshuari është arrestuar dhe është intervistuar, kurse me vendim të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt.

    “Graqanicë / 02.06.2026 – 21:47. Më 03.06.2026 raportohet se njësiti policor gjatë tentimit për ta kontrolluar të dyshuarin mashkull kosovar, i njëjti ka filluar ikjen në oborret e shtëpive përreth, dhe gjatë ikjes ka hedhur disa gjera. Gjatë kontrollit të lokacionit, janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri pistoletë me një fishek, dhe një sasi e vogël e substancës narkotike. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedure të rregullt”.

  • Tragjedia në Shëngjin – ndërrojnë jetë dy të rinj pasi u morën nga dallgët, dy në gjendje të rëndë

    Tragjedia në Shëngjin – ndërrojnë jetë dy të rinj pasi u morën nga dallgët, dy në gjendje të rëndë

    Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në bregdetin e Shëngjinit, ku katër shokë që kishin hyrë në det janë përballur me dallgët e forta.

    Siç raporton Top Chanel, dyshohet se të rinjtë janë marrë nga rrymat dhe dallgët e detit, ndërsa dy prej tyre kanë humbur jetën dhe dy raportohet se janë në gjendje të rëndë.

    Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet lidhur me rrethanat e ngjarjes dhe gjendjen e personave të tjerë.

    Në vendngjarje pritet ndërhyrja e forcave të kërkim-shpëtimit dhe policisë për të sqaruar plotësisht situatën.

    Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje në orët në vijim.

  • Komiteti i PE-së: Kriza politike në Kosovë mund të rezultojë me humbje financiare

    Komiteti i PE-së: Kriza politike në Kosovë mund të rezultojë me humbje financiare

    Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian (AFET) ka miratuar raportin vjetor për Kosovën, në të cilin përsëritet se viti 2025 ishte një vit i humbur për vendin, ndërsa tërhiqet vërejtja se edhe muajt e vitit 2026 po rrezikohen për shkak të krizës politike.

    Këto humbje, sipas dokumentit, do të rezultojnë edhe me humbje të mjeteve financiare nga Plani i Rritjes i BE-së, pasi ekziston frika se Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i përmbushë kriteret e nevojshme.

    Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nga kjo shumë, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se vendi përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.

    Fundi i qershorit të këtij viti është momenti kur secili shtet i rajonit hyn në të ashtuquajturin moment të humbjes së përhershme, nëse nuk i përmbush reformat e dakorduara më herët.

    Burimet në Bruksel i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se nëse nuk ndërmerren të gjitha reformat, Kosova mund të humbasë 68.8 milionë euro.

    Gjatë krizës politike vitin e kaluar në Kosovë – kur u mbajtën dy palë zgjedhje parlamentare për shkak të pamundësisë së formimit të institucioneve – u vunë në dyshim fondet nga Plani i Rritjes, por edhe fonde nga mekanizma të tjerë ndërkombëtar.

    Vendi do të mbajë zgjedhje të reja parlamentare më 7 qershor të këtij viti, pasi legjislatura paraprake nuk arriti të zgjidhte një president të ri, duke bërë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

    Autori i dokumentit, eurodeputeti, njëherësh raportuesi për Kosovën në PE, Riho Terras, ka vlerësuar se 18 muajt e fundit kanë qenë të vështirë për Kosovën.

    “Ngërçi politik ka një ndikim të rëndësishëm në të ardhmen e vendit. Është e rëndësishme që Kosova të qëndrojë në rrugën evropiane dhe të ecë përpara me integrimin”, ka deklaruar Terras pas miratimit të dokumentit.

    Ai ka theksuar se raporti i miratuar ofron një vlerësim objektiv dhe të drejtë të situatës në Kosovë.

    “Ne theksojmë çështjet që lidhen me lirinë e medias, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu theksojmë zhvillimet pozitive – miratimin e vendimeve të nevojshme për Planin e Rritjes nga Kuvendi i Kosovës dhe, natyrisht, heqjen e masave të Komisionit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë lajme shumë të mira”, ka shtuar eurodeputeti Terras.

    Në të ashtuquajturën deklaratë shpjeguese, të cilën Terras ia ka bashkëngjitur dokumentit zyrtar në formë aneksi, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian vlerëson se zgjedhjet e vitit 2025, si ato parlamentare ashtu edhe ato lokale, janë zhvilluar në mënyrë të rregullt.

    “Megjithatë, procesi normal politik është cenuar thellësisht”, ka vlerësuar Terras.

    Ai, para votimit të raportit, tha se shpreson Kosova pas këtyre zgjedhjeve do të dalë nga qorrsokaku politik.

    Përmes këtij dokumenti shprehet mbështetje e fuqishme për synimet e Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, shprehet keqardhje për ngërçin politik dhe, siç u tha, polarizimin që po e shoqërojnë vendin, si dhe për proceset e shumta zgjedhore të viteve të fundit.

    Në raport mbështetet, mes tjerash, aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat dhe u bëhet thirrje shteteve anëtare që, pa vonesa të panevojshme, ta mandatojnë Komisionin Evropian për përpilimin e pyetësorit.

    Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të dhjetorit të vitit 2022, por aplikimi i saj ende nuk është shqyrtuar nga BE-ja.

    Këshilli i Bashkimit Evropian, sipas raportit, ftohet, të veprojë me shpejtësi dhe t’ia japë Kosovës statusin e kandidatit, pasi të jenë përmbushur kriteret përkatëse.

    Po ashtu, u bëhet thirrje pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Evropian – Rumanisë, Greqisë, Sllovakisë, Spanjës dhe Qipros – që ta njohin pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të mundësohet avancimi i barabartë i Kosovës me shtetet e tjera kandidate.

    Në këtë kontekst rikujtohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) më 2010, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

    Përshëndetet vendimi, siç thuhet, “ndonëse i vonuar”, për heqjen e masave dhe theksohet se ato kanë qenë në kundërshtim të qartë me angazhimin e dëshmuar të Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe përafrimit me politikat e Bashkimit Evropian.

    Vlerësohet se masat kanë qenë të pajustifikuara dhe se ato kanë pasur ndikim negativ në shoqërinë e Kosovës.

    Në raport vihet në pikëpyetje mungesa e transparencës dhe e parashikueshmërisë, niveli i informimit publik, si dhe kohëzgjatja e zgjatur e masave, pavarësisht faktit se Kosova i kishte përmbushur kërkesat për heqjen e tyre.

    Ndërkaq, përshëndetet përkushtimi i vazhdueshëm i Kosovës ndaj procesit integrues. Në këtë kontekst rikujtohet se dialogu për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, mbetet pjesë integrale e perspektivës evropiane të Kosovës.

    Kosovës dhe Serbisë u bëhet thirrje që të bashkëpunojnë dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’i sjellë sa më shpejt para drejtësisë autorët e sulmit të vitit 2023 në Banjskë.

    Një grup i serbëve të armatosur vranë një polic të Kosovës gjatë sulmit në Banjskë Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon përfshirjen.

    Për sulmin në Banjskë, autoritetet në Kosovë kanë dënuar tre të akuzuar, teksa dhjetëra të tjerë gjenden në arrati. Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit, teksa Kosova kërkon vazhdimisht që Serbia ta ekstradojë atë.

    Në dokumentin e PE-së shprehet keqardhje për faktin se Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht përgjegjësit për këtë sulm, veçanërisht Radoiçiqin.

    Dokumenti i miratuar në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian do të prezantohet gjatë verës në njërën nga seancat plenare të Parlamentit Evropian, ku sërish do të hidhet në votim. Me atë rast, dokumenti do të marrë formën e Rezolutës së Parlamentit Evropian.

  • Fakulteti i Shkencave Shëndetësore në Kolegjin AAB: Vendi ku Formohen profesionistët e shëndetësisë për Kosovën dhe tregun ndërkombëtar

    Fakulteti i Shkencave Shëndetësore në Kolegjin AAB: Vendi ku Formohen profesionistët e shëndetësisë për Kosovën dhe tregun ndërkombëtar

    Nga: Idriz Sopjani

    Në një realitet kur sektori i shëndetësisë po përballet me ndryshime të shpejta, me kërkesa gjithnjë e më të larta profesionale dhe me nevojë të vazhdueshme për kuadro të përgatitura, zgjedhja e institucionit ku ndërtohet formimi universitar nuk është më vetëm një vendim akademik.

    Ajo është një zgjedhje që përcakton drejtimin profesional, standardin e përgatitjes dhe mundësinë reale për integrim të suksesshëm në tregun e punës.

    Në këtë kontekst, Fakulteti i Shkencave Shëndetësore në Kolegjin AAB përfaqëson një nga njësitë akademike më të rëndësishme për formimin e profesionistëve të rinj në fushën e kujdesit shëndetësor në Kosovë.

    Me programe studimi të ndërtuara mbi standarde bashkëkohore dhe në
    përputhje me direktivat evropiane, me orientim të qartë drejt praktikës profesionale dhe me vizion të hapur ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, ky fakultet është shndërruar në një hapësirë ku ndërthuren serioziteti akademik, përgjegjësia profesionale dhe perspektiva konkrete për karrierë.

    Kjo përputhje me standardet evropiane nuk është vetëm koncept teorik. Ajo reflektohet drejtpërdrejt në njohjen e shpejtë të diplomave të studentëve tanë në shumë shtete të Evropës dhe në faktin se një numër i madh i tyre janë tashmë të punësuar prej vitesh, ndërsa shumë prej tyre kanë avancuar deri në pozita udhëheqëse në institucionet ku veprojnë.

    Sot, Fakulteti i Shkencave Shëndetësore ofron katër programe të rëndësishme studimi: BSc Infermieri e Përgjithshme, BA Teknik i Radiologjisë, BSc Estetikë dhe Kozmetologji dhe MSc Menaxhment Shëndetësor.

    Infermieri e Përgjithshme: një profesion me mision, dije dhe të ardhme
    Programi i Infermierisë mbetet një nga shtyllat kryesore të fakultetit, sidomos në një kohë kur mungesa e punëtorëve shëndetësorë është bërë një nga sfidat më të mëdha globale.

    Pikërisht kjo e bën këtë profesion jo vetëm të kërkuar, por edhe një nga më të sigurtit për të ardhmen. Studentët përgatiten në mënyrë të integruar, me teori, praktikë dhe simulime klinike, duke qenë të gatshëm për tregun e punës menjëherë pas diplomimit.

    Teknik i Radiologjisë: profesion i teknologjisë dhe precizitetit
    Në një sistem shëndetësor që po investon gjithnjë e më shumë në infrastrukturë dhe pajisje moderne, radiologjia zë një rol kyç. Studentët aftësohen për përdorimin profesional të teknologjisë më bashkëkohore, duke u përgatitur për një profesion konkret dhe shumë të kërkuar
    në praktikë.

    Estetikë dhe Kozmetologji: një mundësi reale për sukses dhe pavarësi.

    Ky program përfaqëson një hap të ri në arsimin universitar në Kosovë, duke u fokusuar në një treg në rritje të vazhdueshme. Ai u jep studentëve jo vetëm kompetenca profesionale, por edhe mundësi reale për të ndërtuar biznese të pavarura në fushën e estetikës, kujdesit ndaj lëkurës dhe
    trajtimeve të bukurisë.

    MSc Menaxhment Shëndetësor: për ata që duan të udhëheqin
    Sistemi shëndetësor ka nevojë jo vetëm për profesionistë të mirë klinikë, por edhe për menaxherë që dinë të udhëheqin, planifikojnë dhe menaxhojnë resurset njerëzore dhe financiare.

    Ky program përgatit pikërisht këtë profil, duke krijuar liderët e së nesërmes në shëndetësi. Duke filluar nga viti i ri akademik 2026/27 startojmë me dy programe të reja bachelor: BSc Teknik Laboratori dhe BSc Logopedi. Këto programe janë ndërtuar në përputhje me nevojat aktuale të sistemit shëndetësor dhe kërkesat në rritje të tregut të punës, si në Kosovë ashtu edhe në vendet evropiane.

    Programi BSc Teknik Laboratori do të përgatisë profesionistë të aftë për diagnostikën laboratorike, analizat biokimike, mikrobiologjike dhe hematologjike, duke luajtur një rol thelbësor në procesin e diagnostikimit dhe monitorimit të pacientëve.

    Ndërkohë, programi BSc Logopedi do të fokusohet në përgatitjen e specialistëve për vlerësimin, diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të komunikimit, të folurit, gjuhës dhe gëlltitjes, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve dhe të rriturve që kanë nevojë për këto shërbime.

    Me hapjen e këtyre dy programeve të reja, Fakulteti i Shkencave Shëndetësore në Kolegjin AAB po kompleton mozaikun e profesioneve teknike dhe klinike shëndetësore, duke krijuar një gamë të plotë profilesh që i përgjigjen nevojave të sistemit modern shëndetësor dhe kërkesave të tregut vendor e ndërkombëtar të punës.

    Mësim praktik dhe përgatitje reale për profesionin Fakulteti tashmë ka krijuar të gjitha kapacitetet për një përgatitje dinjitoze të studentëve, përmes laboratorëve funksionalë, pajisjeve moderne dhe metodave të avancuara të mësimdhënies.

    Për më tepër, në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, është ndërtuar programi i karrierës dhe punësimit, ku studentët kanë mundësi të mësojnë gjuhën gjermane dhe angleze gjatë gjithë periudhës së studimeve, duke rritur ndjeshëm mundësitë e tyre për punësim ndërkombëtar.

    Perspektivë profesionale e sigurt Në një kohë kur tregu i punës kërkon gjithnjë e më shumë profesionistë shëndetësorë, studimet në këtë fakultet përkthehen drejtpërdrejt në mundësi konkrete punësimi. Çdo student që
    përfundon studimet këtu ka një perspektivë reale për një të ardhme të sigurt profesionale, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.

    Një fakultet që formon profesionistë dhe ndërton të ardhmen Fakulteti i Shkencave Shëndetësore në Kolegjin AAB nuk synon vetëm diplomimin, por formimin e plotë të profesionistëve me dije, etikë dhe kompetencë. Në një sektor ku përgjegjësia është e drejtpërdrejtë ndaj jetës së njeriut, kjo qasje është ajo që bën dallimin.

    Zgjedh drejt – zgjedh Fakultetin e Shkencave Shëndetësore në Kolegjin AAB.
    Zgjedh një profesion me të ardhme.
    Zgjedh siguri. Zgjedh AAB.
    E ardhmja jote fillon këtu.

  • Costa për anëtarësimin në BE: Është e rëndësishme që Kosova t’i përmbushë të gjitha reformat

    Costa për anëtarësimin në BE: Është e rëndësishme që Kosova t’i përmbushë të gjitha reformat

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka folur për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), duke theksuar se përmbushja e reformave të dakorduara është thelbësore për avancimin e procesit, raporton Ekonomia Online.

    Costa tha se në momentin që Kosova i realizon reformat e kërkuara, nuk do të ketë pengesa nga ana e Bashkimit Evropian për anëtarësim.

    “Ne kemi rënë dakord për agjendën e reformave, kemi rënë dakord në procesin e anëtarësimit evropian dhe është shumë e rëndësishme që Kosova të përmbushë, hap pas hapi, atë për të cilën tashmë jemi pajtuar. Dhe bindja ime është se, në fund të procesit, nuk do të kemi asnjë problem nga ana e Bashkimit Evropian. Por, për momentin, ajo që na nevojitet është që konsensusi i gjerë kombëtar për anëtarësimin evropian të përkthehet në veprime konkrete dhe që ne të arrijmë të ruajmë një rrugë të qartë për ta çuar përpara këtë proces drejt Kosovës”, tha Costa.

    I pyetur se a do të kërkohet përgjegjësi nga Serbia për sulmin në Banjskë, Costa tha se të dy vendet duhet të fokusohen tek e ardhmja siç ka bërë vet Bashkimi Evropian pas luftës së dytë botërore.

    “Udhëheqësit e Bashkimit Evropian, ky është një projekt i paqes. Bashkimi Evropian lindi nga gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore. Dhe Bashkimi Evropian lindi kur ish-ndërluftuesit, veçanërisht Gjermania dhe Franca, vendosën të tejkalojnë historinë e tyre dramatike dhe të fokusohen në një të ardhme të begatë dhe të përbashkët. Kjo është historia e Bashkimit Evropian dhe kjo është e ardhmja e Bashkimit Evropian. Pastaj, të gjithë ne kemi pasur disa probleme me fqinjët tanë në të kaluarën. Ndonjëherë probleme shumë, shumë, shumë dramatike. Por ne duhet të vendosim se çfarë duam të vlerësojmë: të ardhmen tonë të përbashkët, apo luftën tonë të kaluar kur kemi lënduar njëri-tjetrin. Ne duhet të fokusohemi tek e ardhmja. Dhe kjo që po them këtu është po ashtu ajo që po them në Beograd. Dhe nëse është e rëndësishme që BE-ja të angazhohet në këtë dialog, është thelbësore që Beogradi të angazhohet në dialog, dhe për këtë, natyrisht, të gjithë duhet të jenë në mirëbesim dhe të njohin atë që duhet njohur, por të fokusohen tek e ardhmja”, tha Costa.

  • Costa: BE-ja mund ta mbështesë Kosovën, por s’mund t’ia kryejë detyrat e shtëpisë

    Costa: BE-ja mund ta mbështesë Kosovën, por s’mund t’ia kryejë detyrat e shtëpisë

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka zhvilluar një konferencë për media në Prishtinë, ku ka folur për vizitën e tij dhe mesazhet drejtuar liderëve politikë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Costa tha se Bashkimi Evropian mbetet partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës që nga viti 1999, duke theksuar investimet e vazhdueshme në sektorë të ndryshëm.

    “Që nga viti 1999, Bashkimi Evropian ka qenë partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare. Deri më sot, ne kemi investuar 3.7 miliardë euro në edukim, infrastrukturë, energji, mjedis, biznese, të drejtat e njeriut dhe në sundimin e ligjit. Dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë, sepse besojmë që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Në kohë të pasigurisë gjeopolitike globale dhe paqëndrueshmërisë ekonomike, zgjerimi nuk është thjesht një mundësi. Ai është një domosdoshmëri gjeostrategjike për Evropën; një investim në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë. Si e tillë, unë e përgëzoj Kosovën për rreshtimin e saj të plotë dhe vullnetar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të Bashkimit Evropian. Kjo është një shenjë e qartë e orientimit strategjik të Kosovës”, tha Costa.

    Duke folur në kontekstin e zgjedhjeve që po afrohen në Kosovë, Costa tha se u ka përcjellë liderëve politikë mesazhin për përgjegjësi dhe bashkëpunim.

    “Teksa Kosova shkon drejt zgjedhjeve këtë vikend, mesazhi im për të gjithë liderët politikë që i takova sot ishte i thjeshtë: partneriteti vjen me përgjegjësi. Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund ta bëjë detyrën e shtëpisë së Kosovës. Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabile dhe funksionale, të afta për të jetësuar reformat dhe për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian. Prandaj, në takimet e mia të sotme, i kam inkurajuar të gjithë aktorët politikë që ta bëjnë integrimin evropian prioritet, mbi ndasitë politike, dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët”, tha ai.

    Costa theksoi gjithashtu rëndësinë e vlerave evropiane, dialogut ndërpartiak dhe normalizimit të marrëdhënieve në rajon.

    “Kushtetuta e Kosovës lartëson vlerat evropiane. Dialogu ndërpartiak dhe respekti për të gjitha komunitetet në diversitetin e tyre janë thelbësore. Liderët politikë duhet të sigurojnë që këto vlera të funksionojnë në praktikë. Nxitja e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë gjithashtu një prioritet thelbësor për të siguruar sigurinë dhe prosperitetin ekonomik të rajonit. Dialogu Beograd-Prishtinë është kritik në këtë aspekt. Më lejoni të nënvizoj: normalizimi është i domosdoshëm për të ardhmen evropiane të të dyja palëve, si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë”, tha Costa para mediave.

  • Rama: SPAK-u verifikoi pronësinë e investitorëve të huaj mbi tokën në Zvërnec

    Rama: SPAK-u verifikoi pronësinë e investitorëve të huaj mbi tokën në Zvërnec

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se pas verifikimeve të kryera nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), investitorët e huaj rezultojnë pronarë të një toke ku është planifikuar të ndërtohet një projekt turistik në Zvërnec, pranë Vlorës.

    Sipas të dhënave zyrtare, pronare e zonës së rrethuar me gardh metalik në Zvërnec rezulton të jetë kompania Albania Land Development, e regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Shqipëri, më 27 maj 2025.

    Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se pronarë të kësaj kompanie janë vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.

    “Një zhvillim që unë e konsideroj shumë pozitiv lidhur me procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec, që do të thotë me sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të kaluara përmes bankës dhe me çlirimin përfundimtar të investitorëve që tanimë janë dhe pronarë”, tha Rama pas mbledhjes së Qeverisë shqiptare më 3 qershor.

    Ai vlerësoi edhe faktin që SPAK-u ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kalojnë te shitësi, për të cilin ka një proces hetimor.

    “Kjo, në këndvështrimin tim, është shumë pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territor, pasi çështja do të mbulohet nga një hetim tërësisht i pavarur nga SPAK-i, dhe në të dyja rastet rezultati do të jetë i padiskutueshëm nga pikëpamja ligjore dhe do t’i japë fund çdo pretendimi që nuk është i bazuar në ligj”, tha Rama.

    Në lidhje me hetimet për çështjen e pronësisë ndaj tokës në Zvërnec, zyra për mediat e SPAK-ut sërish të mërkurën tha se “çështja ndodhet në një fazë procedurale, detajet e saj nuk mund të bëhen publike në këtë moment”.

    Kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, tha se hetimi do të tregojë nëse shitësi ka një origjinë legjitime të pronës dhe më pas do të marrë paratë. Nëse do të rezultojë e kundërta,“paratë do t’i mbeten Republikës së Shqipërisë dhe patjetër që ato do të përdoren për cilindo që do të provojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar”.

    Ditët e fundit ka pasur protesta kundër punimeve në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, ku është paraparë të ndërtohet një resort, mes shqetësimeve për ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

    Kjo zonë është mjedis i mbrojtur dhe konsiderohet si një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe ata shtegtar, përfshirë flamingot.

    Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump. Në mars të vitit 2024, Kushner kishte njoftuar se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

    E pyetur lidhur me protestat kundër projektit në Zvërnec, kompania e lidhur me investimet e Kushnerit në Shqipëri, Affinity Partnerm i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i respekton “proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale” dhe se “është e gatshme të ecë përpara, ndërsa ato zhvillohen”.

    “Fokusi ynë mbetet te kujdesi i përgjegjshëm, përmirësimi mjedisor, krijimi i vendeve të punës dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale”, tha për Radion Evropa e Lirë Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC.

    Qeveria shqiptare ka thënë se investimi në Zvërnec është në vlerë prej 4 miliardë eurosh dhe ai synon ta vendosë Shqipërinë në “listën e kampionëve” të turizmit.