ATV

Category: Lajme

  • Aliu: Nganjëherë s’po kemi ujë mjaftueshëm, e shpesh rrezikohemi nga vërshimet shkaku i ndryshimeve klimatike

    Aliu: Nganjëherë s’po kemi ujë mjaftueshëm, e shpesh rrezikohemi nga vërshimet shkaku i ndryshimeve klimatike

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka deklaruar se Kosova shpesh herë vuan për ujë të pijes, e nganjëherë rrezikohet nga vërshimet si shkak i ndryshimeve klimatike, raporton EO.

    Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Ujërave dhe Ditën Ndërkombëtare të Meteorologjisë, Aliu tha se Kosova ka mungesë të ujit dhe ndryshimet klimatike do të kenë ndikime të mëdha në Kosovë. Për këtë, ai kërkoi që të bëhet adaptimi me ndryshimet klimatike.

    “Besoj që tashmë kemi shenja të qarta se ndryshimet klimatike ndikojnë në Kosovë. Faktin që ne kemi pak ujë, tregon që nuk do ta kemi lehtë që të përballemi me thatësira që do të ndikohemi nga ndryshimet klimatike. Do të kemi vërshime që nuk e dimë se si do t’i menaxhojmë. Pra në momente të caktuara do të kemi tepër ujë, dhe atëherë kur do të na duhet nuk do të kemi ujë. Prandaj adaptimi në ndryshimet klimatike është një ndër prej problemeve dhe sfidat kryesore që përballet vendi ynë. Jemi shumë të kufizuar sepse nuk njihemi nga Kombet e Bashkuara dhe nuk kemi qasje në fondet për ndryshime klimatike, vendet e tjera kanë qasje në këto fonde dhe ne duhet të përballemi me mjete tona. Po përpiqemi që të bëjmë studime të fizibilitetit jemi duke shkuar mbarë”, tha Aliu.

    Alex Albertine, ushtrues detyre i zëvendësdrejtorit të USAID-it në Kosovë, tha se puna e Institutin Meteorologjik të Kosovës është shumë e rëndësishëm për parashikimet që ajo jep, pasi sipas tij, mund të merren masa që të shpëtohen jetë njerëzish dhe mjedisi.

    “Ndryshimi klimatik është një çështje urgjente e planetit tonë, kësisoj na nevojiten veprime të menjëhershme. Ende nuk jemi të përgatitur, këto ndikojnë tekë komunitete dhe duhet të përgatitemi që komunitet të përballen më këtë. Të dhënat na fuqizojnë që të bëjmë vendime duke ruajtur jetën dhe mjedisin”, tha ai.

    Afrim Berisha, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit ka thënë se duke marr parasysh se monitorimi dhe të dhënat e sektorit të ujërave, AMMK-ja i ka dhënë prioritet forcimit të monitorimit dhe procesit të mbledhjes së të dhënave nga këto fusha.

    “AMMK në kuadër të angazhimeve të saja e bën monitorimin e mjedisit dhe mbledhjen e të dhënave dhe informacionin për vlerësimin e gjendjes së mjedisit për të mbështetur procesin e hartimit të politikave dhe marrjen e masave përkatëse. Pa dyshim se monitorimi dhe të dhënat e sektorit të ujërave, sektorit meteorologjisë dhe klimës, luajnë një rol shumë të rëndësishëm dhe pjesën me të rëndësishme të dhënave mjedisore. Duke ditur këtë fakt, AMMK i ka dhënë prioritet forcimit të monitorimit dhe procesit të mbledhjes së të dhënave nga këto fusha duke ngritur sisteme përkatëse dhe duke forcuar kapacitete profesionale”, ka thënë ai.

  • Mustafa kërkon lirimin e krerëve të UÇK-së: Gjykata Speciale duhet t’i mbyllë gjithë ato të pa vërtetat e prodhuara për luftën e drejtë

    Mustafa kërkon lirimin e krerëve të UÇK-së: Gjykata Speciale duhet t’i mbyllë gjithë ato të pa vërtetat e prodhuara për luftën e drejtë

    Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa ka kërkuar që ish-krerët e UÇK-së dhe shtetit të lirohen në procedurë të rregullt dhe të kthehen në atdhe, pasi sipas tij, Gjykata Speciale u themelua nën presion të vendeve të errëta të bllokut politike, të cilit i printe Rusia.

    “UÇK për shkak të kauzës së drejtë për çlirimin e Kosovës nga makineria vrastare serbe ka fituar përkrahjen me aleancen e NATO-s, dhe në këtë mënyrë prishi balancat politike strategjike për Ballkanin dhe më gjërë. Ajo arriti që këto politika t’i orientoi kah perëndimi duke u larguar nga blloku ruso-sërb dhe ai i lindjes.”, tha ai.

    Mustafa foli edhe për fushatën kundër UÇk-së që nga paslufta.

    “Produktet e kësaj fushate anti UÇK dhe anti-shqiptare në pergjithësi, janë evidente dhe më substanciale ndër to është vet Gjykata Speciale, por ajo çfarë nuk arritën kurrë, është tendenca e pakompromis për të zhbërë aleancën e shteteve mike e pro-demokratike, me pasuesit e UÇK-së dhe me shtetin e Kosovës. Udhëheqësit e UÇK, padyshim do të hyjnë në analet e historisë si kulmi i përpjekjeve për të çliruar shqiptarët njëherë e mirë, por edhe si goditja më e fortë bllokut ruso-sërb dhe aleatëve të saj, duke fituar e bardha mbi të zezën.”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë:

    Në vend te Kryeministrit!

    Të lirohen me procedurë të rregullt dhe të kthehen në atdhe mbi premisat e së vertetës se vendimi për themelimin e giykatës u bë nën presion të vendeve të bllokut të erret politik dhe ushtarak që i printe Rusia.
    UÇK dhe e vërteta!

    Gjykata Speciale duhet t’mbyllë gjithë ato të pa vërtetat e prodhuara për luftën e drejtë të UÇK-së, Kombi Shqiptar të marrë përsipër angazhime të reja racionale dhe zhvillimore…

    UÇK për shkak të kauzës së drejtë për çlirimin e Kosovës nga makineria vrastare serbe ka fituar përkrahjen me aleancen e NATO-s, dhe në këtë mënyrë prishi balancat politike strategjike për Ballkanin dhe më gjërë. Ajo arriti që këto politika t’i orientoi kah perëndimi duke u larguar nga blloku ruso-sërb dhe ai i lindjes.

    Veçantia e luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosoves, nëse analizohet në një paralele me historikun e luftërave për liri, ishte fuzionimi i UÇK-së dhe NATO përkundër kritikëve të kësaj aleance nga vende të fuqishme pro-ruse e antishqiptare.

    Këto dy fuqi, UÇK e vogël e në kërkim të lirisë, NATO e madhe e në shërbim të demokracisë, me objektiva të ngjashme, e nje partneritet për të ndalur gjenocidin dhe për të vendosur demokracinë, arritën të paralizojnë forcat e errëta e të dirigjuara nga Kremlini që nuk kurseheshin në investimet e tyre kundrejt lirisë së Kosovës.

    Periudha pas çlirimit, poashtu karakterizohet me veçantinë e luftës së ashpër të uzinave anti-shqiptare, nëpërmjet shërbimeve inteligjente të infiltruara në çdo cep të Kosoves.

    Sado të paralizuara, ato arritën të ngrejnë kurthe, të prodhojnë propagandë anti UÇK, të shantazhojnë e mashtrojnë, e cka jo tjetër, me qëllim të rrënimit të amalgamës UÇK-NATO dhe në funksion të zhbërjes së lirisë së fituar me gjak.

    Produktet e kësaj fushate anti UÇK dhe anti-shqiptare në pergjithësi, janë evidente dhe më substanciale ndër to është vet Gjykata Speciale, por ajo çfarë nuk arritën kurrë, është tendenca e pakompromis për të zhbërë aleancën e shteteve mike e pro-demokratike, me pasuesit e UÇK-së dhe me shtetin e Kosovës.

    Udhëheqësit e UÇK, padyshim do të hyjnë në analet e historisë si kulmi i përpjekjeve për të çliruar shqiptarët njëherë e mirë, por edhe si goditja më e fortë bllokut ruso-sërb dhe aleatëve të saj, duke fituar e bardha mbi të zezën…

  • IKD: Qeveria nuk përmbushi planin e saj kaotik

    IKD: Qeveria nuk përmbushi planin e saj kaotik

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Rockefeller Brothers Fund të premten ka publikuar raportin “PRIORITETET – që vazhdojnë të mos arrihen”. IDK thotë se ky raport është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë që IKD i ka bërë Qeverisë së Republikës së Kosovës gjatë vitit 2023.

    “Kreu i Qeverisë kishte deklaruar se “Karakteri i planifikimit tregon për karakterin e qeverisjes”. Por, jo stabiliteti i programit legjislativ i shprehur në ndryshimet e shpeshta të këtij programi, miratimi i projektligjeve jashtë planifikimit dhe moszbatimi i plotë i këtij planifikimi flasin për dështim të Qeverisë në fushën e planifikimit qeverisës”, thotë IKD.

    Ky institut thotë se në Programin e Qeverisë së Kosovës për vitin 2021-2025, Qeveria proklamoi synimin për përgjegjshmërinë institucionale në planifikim dhe në zbatim.

    “Kjo nuk u reflektua në programin legjislativ, i cili u karakterizua nga mos-stabiliteti i tij. Brenda vitit 2023, ky plan u ndryshua plot 7 herë. Kështu, Qeveria më tepër pati “planifikim dymujor” sesa planifikim vjetor legjislativ. Madje, mos-stabiliteti i Programit Legjislativ u shfaq menjëherë pas miratimit të tij. Kjo pasi Qeveria e ndryshoi këtë plan vetëm gjashtë ditë pas miratimit të tij”, thuhet në komunikatë.

    IKD thotë se dështimi për përmbushjen e Agjendës Legjislative të vitit 2022 u bart në vitin 2023.

    “Kjo pasi IKD gjen se 44% e agjendës legjislative për vitin 2023 është bartje e agjendës nga viti 2022. Këtu nuk bëjnë pjesë plot 26 Projektligje, nga miratimi i të cilave Qeveria u zmbraps në vitin 2023, edhe pse planifikoi që të njëjtat t’i miratojë në vitin 2022. Edhe pse programin legjislativ e miratoi me vonesë, Qeverinë e ka karakterizuar jo-stabiliteti për t’iu përmbajtur programit legjislativ. Ajo në shtatë raste ndryshoi këtë program dhe përkundër këtyre ndryshimeve ajo nuk arriti ta përmbushë në plotëni programin legjislativ. Kështu, gjatë vitit 2023, Qeveria më tepër pati Agjendë Legjislative “dymujore” sesa vjetore”.

    “Qeveria e Kosovës, deri në fund të vitit 2023 arriti të realizojë 58% të programit legjislativ. Nga 99 projektligjet e planifikuara, Qeveria i miratoi vetëm 57 prej tyre, përderisa 42 të tjera nuk janë miratuar. Qeveria miratoi edhe 21 projektligje të tjera jashtë planifikimeve në Programin Legjislativ”.

    Kjo përqindje, thotë IKD, ka ardhur si rezultat i ndryshimeve të shumta të Programit Legjislativ.

    “Me 8 nëntor kur kaloi më shumë se 83% e vitit, nga Programi Legjislativ u tërhoqën 25 projektligje të pamiratuara, ndërsa 34 projektligjeve iu ndryshua afati. Kjo lëvizje e qeverisë solli këtë rezultat. Kështu, pa këtë ndryshim, përqindja reale e zbatueshmërisë së planit legjislativ është 46%”.

    “Në raport me planifikimet sipas afateve të përcaktuara në programin legjislativ, rezulton se nga 57 projektligjet e miratuara: 48 janë miratuar sipas planifikimit ndërsa 9 projektligje janë miratuar duke mos e respektuar afatin e planifikuar. Kështu, nëse shohim miratimin e Projektligjeve dhe afatit e miratimit të tyre, përballë planifikimit të bërë, atëherë shohim se Qeveria nuk përmbushi plotësisht dhe brenda afateve të parapara në Agjendë Legjislative 84% të Agjendës Legjislative”.

    Pos Agjendës Legjislative, Qeveria dështoi të përmbushë planin e saj edhe në raport me miratimin e Koncept Dokumenteve, sipas IKD-së.

    Deri në fund të vitit 2023, Qeveria e Kosovës ka miratuar gjithsej 17 koncept dokumente nga 36 sa kishte planifikuar. Shprehur në përqindje i bie se Qeveria ka përmbushur më pak se 50% të planifikimeve të saja në fushën e miratimit të koncept dokumenteve.

    “Sa i përket projektligjeve të miratuara sipas Programit Legjislativ për vitin 2023 dhe të proceduara në Kuvendin e Kosovës, ky i fundit ka arritur të miratojë 34 nga 55 apo 62% e projektligjeve që i kanë plotësuar kushtet për t’u proceduar për miratim në lexim të dytë, që i bie 44% e totalit të ligjeve të dërguara në Qeveri dhe vetëm 34% e Ligjeve të planifikuara në Agjendën Legjislative të Qeverisë për vitin 2023. Siç mund të shihet mos efikasiteti i Qeverisë ka vazhduar edhe në Kuvendin e Kosovës. Për më tepër një përqindje e tillë u arrit falë miratimit në lexim të dytë të dhjetë projektligjeve me procedurë të përshpejtuar duke i shmangur afatet e përcaktuara procedurale”.

    Në këtë raport, IKD ka pasqyruar edhe shkeljet Kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në ligjbërje, ku në shumë raste, gjetjet e IKD u konfirmuan edhe nga Gjykata Kushtetuese.

  • Certifikohen noterët e rinj, Haxhiu: Ky proces ka qenë meritor dhe transparent

    Certifikohen noterët e rinj, Haxhiu: Ky proces ka qenë meritor dhe transparent

    Rreth 59 kandidatë nga 437 që e kanë kaluar provimin e noterisë, janë certifikuar sot nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Haxhiu thotë se ky proces ka qenë meritor dhe transparent.

    “Kam kënaqësinë t’ju uroj që në të ardhmen do t’i shërbeni sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës. Nga 437 kandidatë janë zgjedhur 59 veta”, tha ajo, duke treguar se së shpejti do të hapin edhe konkurse të tjera për noterë.

    Ndërsa, kryetarja e Komisionit për dhënien e provimit për noteri, Filloreta Lekiqi uroi që të gjithë që të kenë sa më shpejtë mundësinë që ta ushtrojnë këtë detyrë me nderë dhe profesionalizëm.

  • Tahiri: Në trevjetorin e keqqeverisjes, Kurti është dorëzuar dhe po kërkon zgjedhje

    Tahiri: Në trevjetorin e keqqeverisjes, Kurti është dorëzuar dhe po kërkon zgjedhje

    Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiti, ka thënë se në trevjetorin e Qeverisë Kurti, Kosova ka pësuar dëme e kthim në pikën më të errët, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media, Tahiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti është dorëzuar dhe se po kërkon zgjedhje të parakohshme.

    “Ne kemi përgatitur një kërkesë për një debat parlamentar në trevjetorin e kësaj keqqeverisje, e cila realisht ka arritur t’i bëjë vetëm dëme Kosovës dhe ta kthejë në pikën më të errët që nuk e ka besuar askush ndonjëherë”, ka thënë Tahiri.

    “Mirëpo unë jam i kënaqur që dje kryeministri Albin Kurti e tha edhe vetë dhe e ka kuptuar edhe vetë se ai duhet të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Kur në fillim të këtij mandati, kryetari Haradinaj thoshte se ky është një mashtrues, njerëzit shikonin me habi të madhe. Ajo çka karakterizohet këto tri vite është me të vërtetë një qeverisje që nuk i qëndron asnjë vendimi mbrapa dhe siç e patë edhe vetë, kryeministri u dorëzua në mandatin e tij të tretë dhe duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje”, u shpreh ai.

  • Rama: ​Binjakëzimi i Prishtinës me Kaohsiung të Tawanit, hap dyert e bashkëpunimit ndërkombëtar

    Rama: ​Binjakëzimi i Prishtinës me Kaohsiung të Tawanit, hap dyert e bashkëpunimit ndërkombëtar

    Prishtina dhe qyteti Kaohsiung i Taiwanit, kanë nisur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare duke u binjakëzuar zyrtarisht. Binjakëzimi mes dy qyteteve u shënua me nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit mes Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama dhe Kryetarit të Qytetit Kaohsiung, Chen Chi – mai, për bashkëpunim ekonomik dhe industrial.

    Në njoftim thuhet se këto marrëveshje sinjalizojnë fillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimit të njohurive dhe teknologjive. “Po ashtu u diskutua mundësia që kompanitë nga Prishtina të zgjerojnë praninë e tyre në tregun aziatik përmes hapjes së hapësirave fizike në Kaohsiung”, thuhet në njoftim.

    “Kjo lëvizje strategjike pritet të lehtësojë qasjen e kompanive të Prishtinës në tregun e gjerë Taieanez dhe të forcojë më tej lidhjet ekonomike dhe kulturore ndërmjet dy qyteteve”, citohet në kryetarkrryetari i kryeqytetit, Përparim Rama. Ndërsa, Qendra e Inovacionit në Kosovë (ICK) ka bërë hapa konkretë duke nënshkruar marrëveshje me Institute for Information Industry (III) dhe Megabay.

  • Blinken në Izrael për bisedime me Netanyahun lidhur me luftën në Gazë

    Blinken në Izrael për bisedime me Netanyahun lidhur me luftën në Gazë

    Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken arrin sot në Izrael si pjesë e një shtytjeje intensive diplomatike për të arritur një “armëpushim të qëndrueshëm dhe të menjëhershëm” në Gaza dhe për të penguar një ofensivë izraelite në Rafah.

    Planet janë që ai të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe kabinetin e luftës izraelite.

    Udhëtimi i tij përkon me rifillimin e bisedimeve në Doha që synojnë të sigurojnë një marrëveshje për një armëpushim të lidhur me lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

    Ai gjithashtu përkon me një votim në OKB për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të sponsorizuar nga SHBA, që bën thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm” në konfliktin e Gazës.

    Takimet e Blinken me Netanyahun pritet të jenë të tensionuara, pasi ai premtoi të kryejë një inkursion ushtarak izraelit në Rafah. “Pozicioni ynë është se një operacion i madh ushtarak në Rafah do të ishte një gabim, diçka që ne nuk e mbështesim”, tha Blinken të enjten.

    Diplomati më i lartë amerikan pritet që përsëri të bëjë presion mbi Izraelin për nevojën urgjente për më shumë ndihmë humanitare për të arritur njerëzit në Gaza.

  • Knaus: Raportuesja Bakoyannis ka rekomanduar që Kosova të pranohet në maj në KiE

    Knaus: Raportuesja Bakoyannis ka rekomanduar që Kosova të pranohet në maj në KiE

    Gerald Knaus nga European Stability Initiative ka thënë se Raportuesja Dora Bakoyannis ka rekomanduar në raportin e saj pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

    Ai ka thënë se Kosova e ka hequr edhe një pengesë për pranim në këtë organizatë. Në profilin e tij në X, ai ka publikuar edhe pjesë nga raporti.

    Knaus, thotë se Bakoyannis ka rekomanduar që Kosova aty të pranohet me emrin Kosova, pa u përmendur Republika.

    “Raporti nga ish-Ministrja e Jashtme greke, Dora Bakoyannis: “17. Prandaj, Asambleja i rekomandon Komitetit të Ministrave: 17.1. Të ftohet Kosova që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës me emrin “Kosova”; 17. Të ndahen 3 ulëse”, ka shkruar Knaus.

    Udhëheqësi i ESI-it, instituti i cili gjatë muajit mars doli me një raport për Manastirin e Deçanit, ku Kosovës i kërkohej të zbatojë vendimin për t’ia regjistruar Manastirit 24 hektarët, nëpërmjet një videoje në nga Athina, ka thënë se sot është një ditë e mirë për Evropën.

    “Kosova e ka hequr edhe një pengesë për t’u bërë në maj të këtij viti, si demokracia e fundit në kontinent që nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, e klubit më të vjetër të demokracive që mbush 75 vjet këtë prill. Pas 12 vjetësh, Kosova ka zbatuar vendimin rreth pronës së Manastirit Ortodoks të Deçanit. Kjo është bërë e qartë nga raportuesja e Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare Dora Bakoyannis, ish-ministrja e Jashtme e Greqisë. Ajo ka rekomanduar anëtarësimin, ka definuar kushtet e pasanëtarësimit, kjo do të jetë e mirë për sundimin e ligjit, për pakicat, për vetë Kosovën. Por, gjëja më e rëndësishme është se do të ketë përkrahje të fuqishme siç duket nga Asambleja Parlamentare dhe pastaj shtetet anëtare në maj mund t’i ndjekin ata, bazuar në të gjitha detajet që janë gjetur dhe ta pranojnë Kosovën. Gjë e mirë për Ballkanin, për Evropën, për Këshillin e Evropës dhe win- win – win për të gjithë”.

  • Ministria e Bujqësisë mbyll përfundimisht pompën e derivateve “Patroni”, asistimi bëhet nga Policia e Kosovës

    Ministria e Bujqësisë mbyll përfundimisht pompën e derivateve “Patroni”, asistimi bëhet nga Policia e Kosovës

    Inspektorë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, të premten kanë shkuar sërish në pompën e derivateve “Patroni”, pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale vendosi në favor të ministrisë së udhëhequr nga Faton Peci, raporton EO.

    Inspektorë të asistuar nga Policia e Kosovës kanë vendosur përfundimisht shiritat në pronën që gjendet përballë objektit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë në Prishtinë.

    Më 1 shkurt të këtij viti, Ministria e Bujqësisë ndërmori aksion për lirimin e dy pronave në afërsi të objektit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë.

    Njëra nga pronar shfrytëzohej me qira nga pompa e derivateve ‘Patroni’. Megjithatë, Ministria e Bujqësisë vendosi që kontrata e qirasë për pompën e derivateve të mos vazhdohej.

    Ministri Peci ka paralajmëruar se në të njëjtin lokacion pritet të nisin procedurat për ndërtimin e objektit të ri të Ministrisë së Bujqësisë.

  • Sot Sulltan Nevruzi, dita e shpresës dhe ringjalljes për bektashinjtë

    Sot Sulltan Nevruzi, dita e shpresës dhe ringjalljes për bektashinjtë

    Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

    Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët në këtë ditë feste, ndërsa ka ndarë edhe pamje nga teqja Kuzum Baba në Vlorë.Një urim për më shumë geati e shëndet e pati edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

    “MIRËMËNGJES dhe nga Kurora e Malit Sevaster në Selenicë, ju uroj gëzuar festën e Sulltan Nevruzit”, shkruan Rama.

    Nga ana tjetër, sekretari amerikan Antony Blinken ka uruar besimtarët në gjithë botën, që ky vit të sjellë paqe e shëndet për të gjithë.

    Çfarë është Sulltan Nevruzi

    Fjala “Nevruz“ do të thotë “Dita e re” (nga persishtja) dhe ’Sulltan’, është titull i lartë. Kjo ditë, e ka origjinën që herët. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Dita e Sulltan Nevruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut.

    Prandaj kjo festë, për bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuara të vitit. Ai ka lindur më 22 mars dhe është një nga shenjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe, i pari i dymbëdhjetë imamëve.

    Si festohet Sulltan Nevruzi?

    Në këtë ditë feste, pihet një gotë qumësht, i cili simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë.

    Gatimet për festën e Sulltan Nevruzit

    Me këtë rast bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh. Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike.

    Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur, sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe.

    Festa e Sulltan Nevruzit, uron Blinken: Gëzuar, ky vit sjelltë më shumë paqe e shëndet

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka uruar besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit. Blinken uron që ky vit i ri të sjellë më shumë paqe, shëndet e begati.

    “Gëzuar Nevruzin! Në emër të Departamentit të Shtetit, u uroj Gëzuar Nevruzin të gjithë atyre që festojnë këtë traditë të lashtë dhe ardhjen e pranverës. Për shekuj me radhë, bashkësi përreth botës, përfshirë në Iran, Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe të Jugut, Europë dhe përtej, janë mbledhur për të festuar përtëritjen e natyrës dhe premtimin e një viti të ri. Nevruzi ofron një mundësi për të përtëritur marrëdhënie të rëndësishme, për të vlerësuar bekimet dhe për të parë përpara, drejt asaj që e ardhmja sjell. Teksa reflektojmë mbi këtë vit të shkuar, ne shpresojmë që ky vit i ri të sjellë më shumë paqe në botë, e gjithashtu shëndet, begati dhe gëzim.” – Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony J. Blinken.

    Festa e Sulltan Nevruzit, Veliaj: Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në shtëpitë tuaja

    Kryebashkiaku Veliaj uron për festën e Sulltan Novruzit: Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë tuaja.

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar besimtarët bektashianë për Ditën e Sulltan Novruzit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shkruan: “Gëzuar Ditën e Sulltan Novruzit të gjithë Komunitetit Bektashian! Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë tuaja”, thekson Veliaj.