ATV

Category: Lajme

  • ​Masat dhe aktivitetet e BQK-së kundër parave të falsifikuara, vazhdon luftimi i kësaj dukurie

    ​Masat dhe aktivitetet e BQK-së kundër parave të falsifikuara, vazhdon luftimi i kësaj dukurie

    Falsifikimi i parasë është një ndër veprat më të vjetra kriminale dhe paraqet rrezik dhe brengë për të gjitha vendet pa përjashtim. Banka Qendrore e Kosovës njofton se me qëllim të ruajtjes së integritetit të parasë në qarkullim, lufta kundër kësaj dukurie është një aktivitet i përditshëm i të gjitha institucioneve përgjegjëse pa përjashtuar këtu edhe publikun e gjerë.

    “Në fund të vitit 2023, Banka Qendrore e Kosovës ka koordinuar me sukses takime ndër-institucionale për të hartuar dhe zbatuar strategji efektive për luftimin e qarkullimit të monedhave të falsifikuara, veçanërisht monedhave 2 euro. Përmes masave të qarta dhe veprimeve të koordinuara, si heqja e tarifave për deponimin e monedhave, sigurimi i furnizimit të ekonomisë me monedha të reja përmes bankave komerciale dhe ndryshimet rregullative të transportit ndërkufitar të monedhave është arritur të tërhiqen nga qarkullimi sasi e konsiderueshme e monedhave të falsifikuara”, thuhet në njoftim.

    Sipas BQK-së, konkretisht nga dhjetori 2023 deri në mars 2024, janë tërhequr nga qarkullimi dhe deponuar në BQK rreth dy milionë copë monedha të denominimeve prej 2 euro, monedha këto të deponuara nga bizneset dhe qytetarët në bankat komerciale.

    “Po ashtu, BQK-ja dhe bankat komerciale kanë detektuar dhe parandaluar hyrjen në sistemin financiar, duke i tërhequr nga qarkullimi rreth 47 mijë e 168 copë monedha të denominimeve prej 2 euro, të dyshuara si të falsifikuara. BQK-ja ka furnizuar ekonominë e Kosovës përmes bankave komerciale me afër 6.75 milionë copë monedha euro plotësisht të reja të të gjitha denominimeve pa asnjë tarifë të aplikuar. Ky angazhim ka kontribuar në zvogëlimin e qarkullimit të monedhave false, ka lehtësuar identifikimin dhe ka ngritur ndërgjegjësimin e publikut për këtë çështje”, thuhet në njoftim.

    Për më tepër thuhet se në zbatim të masave rregullative, përmes Rregullores për Operacione me Para të Gatshme, sa i përket rregullimit të transportit ndërkufitar të monedhave me qëllim të parandalimit të futjes së parave të falsifikuara, personat fizikë dhe personat juridikë që nuk ushtrojnë veprimtari financiare, janë të obliguar që të bëjnë deklarimin e monedhave nëse bartin më shumë se 100 copë/njësi, pavarësisht që vlera e tyre është nën kufirin e deklarimit prej 10,000 (dhjetëmijë) euro.

    “Gjithashtu, si rezultat i masave përkatëse, deri më tani numri i kartëmonedhave prej 500 (pesëqind) euro të tërhequra nga qarkullimi dhe deponuara në BQK ka kaluar mbi 230,000 (dyqind e tridhjetë mijë) copë/njësi apo mbi 115 (njëqind e pesëmbëdhjetë) milionë euro. Ky veprim, përveç që ka ndikuar aspektin e reduktimit të rrezikut të parave të falsifikuara, ka kontribuar dhe ndihmuar në strategjinë përkatëse kundër informalitetit dhe dukurive të ndërlidhura”, thuhet në komunikatë.

    BQK vazhdon të nxitë qytetarët dhe bizneset të deponojnë monedhat e tyre në bankat komerciale pa kosto dhe çdo dyshim për tentim të futjes në qarkullim të parave të falsifikuara nga falsifikatoret ta raportojnë tek autoritetet përgjegjëse. Po ashtu, bizneset nxiten që të furnizohen me monedha vetëm përmes bankave komerciale dhe te shmangin kanalet jozyrtare.

    Prandaj, BQK ripërsërit qëndrimin dhe rekomandon që:

    Të shmanget sa më shumë përdorimi i parasë së gatshme në blerje dhe të zëvendësohet me pagesa elektronike dhe kartelave bankare;

    Të tregohet vëmendje e veçantë ndaj monedhave të pranuara;

    Bankat dhe institucionet financiare jobankare të promovojnë pagesat elektronike dhe shtrijnë rrjetin e pajisjeve për pagesa me kartela bankare;

    Bizneset të cilat pranojnë para të gatshme të shtojnë përpjekjet e tyre duke investuar në teknologjitë që bëjnë detektimin e parave të falsifikuara dhe lëvizin drejt reduktimit të parasë së gatshme si mjet pagese; dhe

    Qytetarët në bazë të ligjit të raportojnë te autoritetet përgjegjëse (Policia e Kosovës) çdo dyshim për tentim të futjes në qarkullim të parave të falsifikuara nga falsifikatorët.

    “BQK rikonfirmon angazhimin e saj të plotë për të mbështetur çdo përpjekje për të luftuar kundër parave të falsifikuara dhe nxit vazhdimin e masave parandaluese dhe edukative. Gjithashtu, shpreh mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që kanë kontribuar dhe ndihmuar në këto aktivitete të luftës ndaj këtij fenomeni, krahas institucioneve shtetërore përgjegjëse dhe bashkëpunuese në këto përpjekje, që me gjithë rezultatet pozitive, duhet te vazhdojnë dhe janë sfida të përhershme”, thuhet në raport.

  • KQZ-ja siguron zyrat për votimin për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat veriore

    KQZ-ja siguron zyrat për votimin për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat veriore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e sotme ka konfirmuar se janë siguruar zyrat për procesin për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat veriore, raporton EO.

    Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se ky proces do të mbahet në hapësirat e objekteve të administratës komunale.

    “Në fillim të mbledhjes, u prezantua një raport lidhur me përgatitjet për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024. Me qëllim të funksionalizimit të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, me përkrahjen e komunave përkatëse, janë siguruar zyret në hapësirat e objekteve të administratës komunale”, tha ai.

  • Pacolli: Unë do të votoj pro rrëzimit të Qeverisë Kurti

    Pacolli: Unë do të votoj pro rrëzimit të Qeverisë Kurti

    Deputeti i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se do të votojë pro rrëzimit të Qeverisë Kurti, nëse një mocion mosbesimi kundër saj iniciohet në Kuvendin e Kosovës.

    Në një deklarim për portalin Indeksonline të premten, kryetari i Aleancës Kosova e Re tha se nëse nuk i shkakton ndonjë dhimbje Kosovës, do të votojë për rrëzimin e qeverisë.

    “Sigurisht që vota ime do të jetë pro, nëse nuk do t’i shkaktojë ndonjë dhembje Kosovës. Të gjithë e dinë se jam munduar të mos shkaktoj ndonjë traumë politike për proceset në Kosovë. Kjo qeveri e ka sjellur Kosovën në një pozitë të paprecedentë dhe meriton dënimin e merituar. Gjithmonë kam shpreuar se do t’i kthehet realitetit, gjë që nuk ndodhi për më shumë se tre vite”, ka thënë Pacolli.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë të enjten në mbrëmje se është gati ta ndihmojë opozitën nëse dëshiron ta çojë vendin në zgjedhje.

  • Aksident te rrethi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë

    Aksident te rrethi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë

    Sot në orët e paradites ka ndodhur një aksident trafiku te rrethi në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, ndërsa një person është lënduar.

    Lajmin e ka konfirmuar nga Policia e Kosovës.

    Në aksident janë përfshirë dy automjete.

    “Rreth orës 09:20 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Fushë Kosovë ka ndodhur një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar një person. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, thuhet në raport.

  • Rishikimi i teksteve shkollore, dorëzohet raporti i fazës së parë që përfshin vlerësimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës së klasave 1-9

    Rishikimi i teksteve shkollore, dorëzohet raporti i fazës së parë që përfshin vlerësimin e teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës së klasave 1-9

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci i ka dorëzuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, raportin e fazës së parë të rishikimit të teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës në takimin e mbajtur dje. Aty të pranishëm ishin edhe zëvendësministri, Taulant Kelmendi, përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, zyrtarë të MAShTI-it dhe anëtarë të Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore-KEPShT.

    Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se tema e këtij takimi është çështje thelbësore për arsimin, pasi rishikimi i teksteve është vendimtar për cilësinë e arsimit dhe edukimit, ku me kërkesë të MAShTI-it ka filluar procesi i rishikimit të 38 teksteve, 21 të gjuhës shqipe dhe 17 të matematikës.

    Lënda e gjuhës dhe ajo e matematikës janë vendimtare për formimin e nxënësve dhe për karrierat e tyre në të ardhmen, veçoi ai.

    Në lidhje me raportin e përgatitur, kryeministri u shpreh se ai paraqet një bazë të mirë për korrigjimin dhe avancimin e teksteve mësimore.

    “Shpresojmë dhe besojmë se ky raport do të nxisë debat publik të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve, ekspertëve të arsimit dhe të gjithë atyre që e kuptojnë që ardhmëria e vendit tonë varet nga ngritja e cilësisë së arsimimit dhe të edukimit”, tha kryeministri.

    Ndërsa, ministrja Nagavci tha se kërkesa për fillimin e këtij procesi ka qenë insistim i MAShTI-it dhe me mbështetjen e BE-së ka përfunduar faza e parë, ku janë rishikuar tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës, ndërsa janë në proces të fillimit të rishikimit tekstet e shkencës.

    Ajo bëri të ditur se tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës janë zgjedhur duke pasur parasysh rezultatet e testit PISA duke i ditur rezultatet e nxënësve në këto lëndë.

    Ministrja shtoi se përveçse do të vazhdojmë me rishikimin e teksteve të tjera, po ashtu planifikojmë që të gjitha këto raporte t’i ndajmë më shtëpitë botuese me autorët e teksteve dhe do të jetë obligim i tyre që t’i përmirësojnë në bazë të gjetjeve të cilat janë bërë.

    Mihaela Singer nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se, qëllimi kryesor i gjetjeve është përmirësimi i cilësisë së teksteve shkollore. Singer ka folur për fazën e parë të procesit të rishikimit të teksteve shkollore dhe gjetjet të cilat janë përfshirë në Raport.

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Projektin “KosEd: Përkrahje për Arsimin Fillor dhe të Mesëm të Lartë”, i ndihmuar nga Bashkimi Evropian vitin e kaluar kanë filluar procesin e rishikimit të teksteve shkollore të gjuhës shqipe dhe matematikës në arsimin e obligueshëm (klasat 1-9), me qëllim të përmirësimit të cilësisë së arsimit parauniversitar.

    Procesi i rishikimit të teksteve shkollore udhëhiqet nga Këshilli i Ekspertëve për Tekste Shkollore dhe Planprograme Mësimore i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendorë.

  • OEAK reagon për suspendimin e një përmbarues privat: Të shqetësuar që Qeveria po e sulmon gjyqësorin

    OEAK reagon për suspendimin e një përmbarues privat: Të shqetësuar që Qeveria po e sulmon gjyqësorin

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me suspendimin së fundmi të një përmbaruesi privat nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Ky veprim, siç perceptohet nga Oda Amerikane dhe anëtarët e saj, përbën një shembull shqetësues të ndërhyrjes në proceset e pavarura gjyqësore të Kosovës. Si avokuese prijëse për interesat e bizneseve dhe investitorëve në Kosovë, Oda Amerikane beson fuqishëm se sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit janë shtylla themelore për një mjedis të fortë dhe të favorshëm biznesi. Është thelbësore të theksohet se sundimi i ligjit në thelb përfshin kufizimin e ushtrimit arbitrar të pushtetit duke iu nënshtruar kornizës së mirëfilltë ligjore.

    “Gjithashtu, Oda Amerikane shpreh shqetësimet e saj lidhur me sulmet verbale të përfaqësuesve të ekzekutivit dhe legjislativit ndaj pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe gjykatat e tjera. Sulmet e tilla gërryejnë më tej besimin në pavarësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor të Kosovës, i cili është thelbësor për sigurimin e procedurave të drejta dhe transparente ligjore për bizneset dhe investitorët”, thuhet në reagimin e OEAK-së.

    Themelimi i funksionit të përmbaruesit privat, i mbështetur nga USAID-i, ka qenë instrumental në asistimin e institucioneve të Kosovës për të përmirësuar përmbarimin e aktvendimeve civile, duke reduktuar në mënyrë dramatike numrin e lëndëve të pazgjidhura përmbarimore në sistemin gjyqësor të Kosovës. “Ky funksion jo vetëm që rrit efikasitetin e proceseve gjyqësore, por gjithashtu kontribuon në nxitjen e një mjedisi më të favorshëm për bizneset dhe investitorët, duke siguruar zbatimin në kohë dhe efektiv të vendimeve ligjore”, thuhet në komunikatë.

    Sipas OEAK, ndërhyrja e Ministrisë së Drejtësisë jo vetëm që i minon këto shtylla, por gjithashtu i kontribuon rritjes së paparashikueshmërisë dhe mungesës së transparencës rreth kuadrit ligjor dhe rregullativ të vendit dhe respektimin e normave dhe praktikave ndërkombëtare për përmbarimin e aktvendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar.

    “Suspendimi i përmbaruesit, për herë të dytë, si vijimësi e rasteve të mëparshme të ndërhyrjeve të perceptuara, dërgon një sinjal shqetësues për investitorët vendase dhe ndërkombëtarë. Ai vë në dyshim garantimin e mbrojtjes ligjore dhe zbatueshmërisë së kontratave në Kosovë. Një klimë e tillë e pasigurisë është e dëmshme për mjedisin e biznesit, duke penguar investimet, rritjen ekonomike e rrjedhimisht edhe përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme. Dështimi për të respektuar ndarjen e pushteteve cenon parimet demokratike dhe proceset integruese euroatlantike. Respektimi i këtij parimi mbron nga përqendrimi i pushtetit si dhe mbron pavarësinë e institucioneve kyçe, përfshirë gjyqësorin”, thuhet në komunikatë.

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të marrë parasysh implikimet më të gjera të veprimeve të saj në klimën e biznesit në Kosovë. “Rikonfirmimi i përkushtimit ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit është imperativ për zhvillimin ekonomik dhe besimin e investitorëve”, thuhet në reagim.

  • Ministria e Ekonomisë nënshkruan marrëveshje me IFC për zhvillimin e ankandit të erës

    Ministria e Ekonomisë nënshkruan marrëveshje me IFC për zhvillimin e ankandit të erës

    Ministria e Ekonomisë dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) kanë nënshkruar marrëveshjen për zhvillimin e ankandit të erës, raporton Ekonomia Online.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha projekti shërben në krijimin e një sektori më të sigurt të energjisë në rast të sfidave që mund të hasen në këtë drejtim, teksa e quajti këtë vit ‘si fantastik në aspektin e energjisë’.

    “Viti 2024 ka qenë fantastik për energjinë në Kosovë. Sot po nënshkruajmë marrëveshjen me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC) për zhvillimin e ankandit të radhës të Republikës së Kosovës, ankandin tonë të parë të erës”, tha Rizvanolli

    Rizvanolli theksoi se kanë paraparë në këtë projekt një komponent të partneritetit publiko-privat.

    “Ky është një shembull që do të ndiqet edhe në projektet tjera në të ardhmen, është mënyrë që në rast të krizave që mund të përjetojmë të kemi edhe një sasi të energjisë të prodhuar në publike për të ndërhyrë më lehtë”, tha tutje Rizvanolli.

    Në anën tjetër, edhe menaxheri Regjional, IFC, Nicolas Marquier deklaroi se ky projekt është i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit energjetik në Kosovë.

  • Mesazhi i Baba Mondit për festën e Sulltan Nevruzit: Uroj ta doni më shumë njëri-tjetrin

    Mesazhi i Baba Mondit për festën e Sulltan Nevruzit: Uroj ta doni më shumë njëri-tjetrin

    Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi uroi sot besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit.

    Gjatë fjalës së tij, Baba Mondi uroi që Sulltan Nevruzi të sjellë mbarësi dhe bekime nga Zoti për të gjithë.

    “Secili duhet të njohë vetën, të mundë egon dhe urrejtjen e të mbjellë paqe. Në këtë ditë të veçantë uroj ta doni më shumë njëri tjetrin, të bëni mirë e të përparoni duke pasur dashamirësi në zemrat tuaja”, ishte mesazhi i Baba Mondit.

    Një urim për besimtarët bektashinj në të gjithë vendin erdhi po ashtu edhe nga Kryeministri Edi Rama. Përmes rrjetit social “Facebook”, Kryeministri uroi Gëzuar Sulltan Nevruzin, për të gjithë besimtarët.

    Edhe Lulzim Basha uroi të gjithë bektashinjtë shqiptarë.

    “Nga zemra i uroj të gjithë besimtarët bektashinj Gëzuar Sulltan Novruzin. Zoti e bëftë dritë për zemrat dhe shtëpitë e shqiptarëve dhe mbarë kombin”, shkruan Basha në Facebook.

    Ndërsa Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka zgjedhur të festojë këtë ditë të shënuar me besimtarët bektashinj përmetarë.

    Nga Teqeja e Baba Aliut në Alipostivan, Presidenti Begaj do të përcjellë urimet e tij për të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë në orën 12.00.

    22 marsi është Dita e Nevruzit ose Dita e Sulltan Nevruzit. Që nga viti 1996, Dita e Nevruzit është festë zyrtare në Shqipëri.
    Nevruzi është një festë e lashtë pagane, me prejardhje persiane.

    Sot, kjo ditë në Shqipëri është festë fetare zyrtare për Komunitetin Bektashi. Një simbol i njohur i kësaj feste është edhe ëmbëlsira e ashures/vizionplus.tv.

  • Trevjetori i qeverisjes, Kurti dhe Murati mbajnë konferencë për media

    Trevjetori i qeverisjes, Kurti dhe Murati mbajnë konferencë për media

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati mbajnë sot konferencë për media.

    Konferenca e cila fillon në orën 15:00 sipas njoftimit zyrtar, mbahet për trevjetorin e qeverisjes.

  • Nagip Arifi: Vuçiqi për hakmarrje ndaj Kosovës mund ta përdor Luginën

    Nagip Arifi: Vuçiqi për hakmarrje ndaj Kosovës mund ta përdor Luginën

    Mision të pamundur ndërhyrjen në Kosovë me forcë nga Serbia po e sheh, kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

    Arifi, thotë se deklarata e presidentit serb është më shumë për konsum politik të brendshëm.

    “Ai e din mirë se në Kosovë operojnë forcat e NATO-s, dhe ndërhyrja me forcë në Kosovë është mision i pamundur. Kjo deklaratë vie si rezultat i presionit ndërkombëtar për ta zgjidhur problemin me Kosovën dhe duku qenë në situatë të vështirë provon që me deklarata populiste të paraqitet si mbrojtës i serbëve”, është shprehur ai për Front Online.

    Por, Arifi mendon se Vuçiqi për hakmarrje ndaj Kosovës mund ta përdor Luginën e Preshevës.

    “Por, kjo deklaratë gjithsesi që mund të destabilizojë rajonin, kur dihet se për hakmarrje ndaj Kosovës mund ta përdor rajonin e Luginës së Preshevës”, ka thënë shkurt Arifi.

    Sipas tij, ky është një sinjal për bashkësinë ndërkombëtare që të ndalojë së përkëdheluri Serbinë dhe të marrin masa serioze për mos destabilizimin e rajonit.

    Ndaj, deklaratës së presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka pasur reagime të shumta.

    Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë se Vuçiqi do të dështojë, ashtu si të gjitha përpjekjet e dështuara të Serbisë deri tani.

    Për deklaratat kërcënuese të Aleksandër Vuçiqit ndaj Kosovës ka folur edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

    Hovenier tha se populli i Kosovës nuk duhet të ndihet i shqetësuar nga këto deklarata.

    Ai ka thënë se aleanca më e suksesshme ushtarake është në Kosovë, duke iu referuar NATO-s.