ATV

Category: Lajme

  • Rreth 8 mijë maturantë kanë aplikuar deri tani për testin e maturës shtetërore

    Rreth 8 mijë maturantë kanë aplikuar deri tani për testin e maturës shtetërore

    Që nga 1 qershori e deri tani, në platformën online kanë aplikuar rreth 8 mijë maturantë nga 18 mijë sa pritet të aplikojnë për testin e maturës shtetërore, i cili do të mbahet më 20 qershor. Kështu kanë bërë të ditur drejtues të Ministrisë së Arsimit. Ndërkaq, njohës të fushës së arsimit vlerësojnë se ligji i ri i maturës do të rrisë kontrollin sa i përket mbarëvajtjes së testit. Rezultatet e testit do të shpallen, më 29 qershor.

    Më 20 qershor rreth 18 mijë maturantë do t’i nënshtrohen testit të maturës shtetërore. Edhe këtë vit aplikimi po bëhet në platformën online eKosova. Udhëheqësi i divizionit për vlerësim, standarde dhe monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, në një përgjigje për Radio Kosovën dha detaje rreth zhvillimit të këtij procesi.

    “Që nga 1 qershori ka filluar aplikimi për testin e maturës përmes platformës eKosova dhe deri tani kanë aplikuar rreth 8 mijë maturantë. Koordinatorët e shkollave kanë filluar aprovimin e këtyre aplikimeve, që do të thotë se përgjegjës për aprovimin janë koordinatorët e shkollave. Aplikimi do të zgjasë deri më 12 qershor. Testi i maturës, siç e dini, do të organizohet më 20 qershor, kurse rezultatet pritet të publikohen më 29 qershor”, tha Elezi.

    Elezi bëri thirrje që të gjithë maturantët që hasin probleme gjatë aplikimit të kontaktojnë koordinatorët e shkollave, në mënyrë që të mos e lënë aplikimin për ditën e fundit.

    “Të gjithë nxënësit që ende nuk e kanë kryer aplikimin, nëse kanë probleme me llogarinë në eKosova, të kontaktojnë koordinatorët e shkollave dhe sigurisht do të gjejnë zgjidhje, në mënyrë që të mos e lënë për ditën e fundit aplikimin për maturë”, theksoi ai.

    Ndërkaq, sa i përket ligjit të ri të maturës, që këtë vit i jep kompetenca më të mëdha Inspektoratit Arsimor, njohës të fushës së arsimit vlerësojnë se ai do të ketë efekt pozitiv në menaxhimin e testit.

    Xhavit Rexhaj, në një përgjigje për Radio Kosovën, e vlerësoi si të nevojshëm ligjin e ri të maturës, por tha se është e domosdoshme të ndryshohet tërësisht koncepti i testit të maturës.

    “Ligji i ri i maturës besoj që ndihmon shumë, sepse ata që dëshirojnë t’i thyejnë rregullat tash e kanë parasysh çka mund t’i gjejë dhe se mund të ketë sanksione. Sanksionet janë ato që kanë munguar më parë. Mirëpo, unë konsideroj që ministria duhet ta rimendojë krejt konceptin e maturës, në mënyrë që të bëhet ashtu siç duhet për të reflektuar dijen dhe shkathtësitë e vërteta të nxënësve, duke i rishikuar pyetjet, duke i riformuluar ato dhe duke e rishikuar administrimin e testit”, theksoi Rexhaj.

    Në testin e maturës shtetërore, nxënësit do t’i nënshtrohen testit në tri lëndë të përgjithshme: Gjuhë shqipe, Matematikë, Gjuhë angleze, si edhe në një lëndë me zgjedhje që përzgjidhet nga nxënësi. Rezultatet e testit të maturës shtetërore do të shpallen më 29 qershor.

  • 65 aksidente dhe mbi 2 mijë gjoba brenda 24 orëve – Policia me aksion të gjerë në trafik

    65 aksidente dhe mbi 2 mijë gjoba brenda 24 orëve – Policia me aksion të gjerë në trafik

    Brenda 24 orëve të fundit në vend janë regjistruar gjithsej 65 aksidente trafiku, prej të cilave 26 me persona të lënduar dhe 39 me dëme materiale.

    Sipas të dhënave zyrtare, në të njëjtën periudhë janë shqiptuar 2,132 gjoba për shkelje të rregullave të komunikacionit rrugor, në kuadër të kontrolleve të shtuara në terren.

    Po ashtu, policia ka arrestuar 14 persona, ndërsa 12 prej tyre janë dërguar në mbajtje për shkelje të ndryshme ligjore në trafik.

    Autoritetet kanë bërë të ditur se kontrollet do të vazhdojnë me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

  • Sorensen pas vizitës në Kosovë dhe Serbi: Pashë përkushtim për normalizimin e marrëdhënieve

    Sorensen pas vizitës në Kosovë dhe Serbi: Pashë përkushtim për normalizimin e marrëdhënieve

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka komentuar vizitën e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Kosovë dhe Serbi, duke theksuar se ka parë përkushtim për procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

    Sorensen tha se ishte kënaqësi ta shoqëronte Costan gjatë takimeve të zhvilluara në të dy vendet, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut, pajtimit dhe fqinjësisë së mirë në rajon.

    Ai shtoi se perspektiva evropiane mbetet një synim i përbashkët për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa publikoi edhe fotografi nga vizita zyrtare në Kosovo dhe Serbia.

  • Ambasada amerikane përsërit thirrjen: Kosova të hyjë në partneritet afatgjatë për LNG me SHBA-në

    Ambasada amerikane përsërit thirrjen: Kosova të hyjë në partneritet afatgjatë për LNG me SHBA-në

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka ripërsëritur mesazhin e e Ngarkuarës me Punë, Anu Prattipati, duke theksuar nevojën që Kosova të përfshihet në projektet rajonale të gazit natyror të lëngshëm (LNG) të mbështetura nga SHBA.

    Në opinionin e saj, Prattipati vlerëson se kërkesa për energji në Kosovë po rritet ndjeshëm, ndërsa shpenzimet për importin e energjisë elektrike vazhdojnë të rëndojnë ekonominë e vendit.

    Ajo thekson se LNG amerikan do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve energjetike, uljen e varësisë nga importet dhe forcimin e sigurisë energjetike, duke e lidhur këtë edhe me thellimin e partneritetit ekonomik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Sipas saj, Kosova duhet të veprojë shpejt për t’u përfshirë në projektet rajonale të infrastrukturës së gazit, pasi vonesat mund të kufizojnë mundësinë për qasje në furnizimet amerikane.

    Ambasada thekson se siguria energjetike është pjesë e sigurisë kombëtare dhe se investimi në gaz natyror mund të ndihmojë në stabilizimin e çmimeve dhe rritjen e pavarësisë energjetike të vendit.

  • Kryetari i Mitrovicës së Veriut shoqërohet në Polici

    Kryetari i Mitrovicës së Veriut shoqërohet në Polici

    Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, së bashku me kryesuesin e Kuvendit Komunal, Ivan Zaporozaq, janë shoqëruar në Policinë e Kosovës, në një rast që lidhet me veprime të Inspektoratit Komunal.

    Lajmi është konfirmuar për Gazetën Sinjali nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur pasi Inspektorati Komunal ka shkuar në një lokacion në Mitrovicën e Veriut për heqjen e një tabele me mbishkrimin “E dua Mitrovicën”, e cila dyshohet se ka qenë subjekt i kontestimeve në terren.

    Pas ndërhyrjes, dy zyrtarët komunalë janë shoqëruar në polici në kuadër të procedurave hetimore për dyshime lidhur me vandalizëm.

    Ndërkohë, para stacionit policor në Mitrovicë të Veriut janë mbledhur anëtarë të Listës Serbe, ndërsa rasti po trajtohet nga organet kompetente.

  • Oda Ekonomike Amerikane: Gazi i lëngshëm natyror amerikan duhet të bëhet prioritet strategjik për Kosovën

    Oda Ekonomike Amerikane: Gazi i lëngshëm natyror amerikan duhet të bëhet prioritet strategjik për Kosovën

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që qasjen në gazin e lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (LNG) dhe zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme të gazit ta trajtojë si prioritet strategjik kombëtar. Përveç përfitimeve ekonomike dhe energjetike, një orientim i tillë do të forconte edhe më tej bashkërendimin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partnerin e saj më të rëndësishëm strategjik.

    Nw njw komunikatw pwr media thuhet se sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet në masë të madhe në termocentralet e vjetruara me linjit, ndërsa importi i energjisë elektrike vazhdon të jetë barrë e konsiderueshme për ekonominë. Remontet e planifikuara të kapaciteteve ekzistuese gjeneruese, rritja e kërkesës për energji dhe ekspozimi gjithnjë e më i madh ndaj luhatjeve të tregut e theksojnë edhe më shumë nevojën për një miks energjetik më të diversifikuar dhe më rezistent.

    Oda Amerikane rikujton se projekte të rëndësishme të infrastrukturës së LNG-së dhe të ndërlidhjes energjetike po zhvillohen në mbarë Evropën Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për shtetet që të sigurojnë qasje në burime të diversifikuara të gazit dhe të forcojnë sigurinë e tyre energjetike. Ndërsa vendet fqinje po pozicionohen brenda këtyre korridoreve të reja energjetike, Kosova rrezikon të mbetet jashtë një arkitekture rajonale që po bëhet gjithnjë e më përcaktuese për konkurrueshmërinë ekonomike dhe sigurinë afatgjate të furnizimit.

    Sfida me të cilën përballet Kosova nuk është më disponueshmëria e furnizimit, por gatishmëria e vendit për ta shfrytëzuar atë. Kjo kërkon investime strategjike në infrastrukturë, modernizimin e kornizës ligjore dhe rregullatore për gazin natyror, si dhe angazhim më të fuqishëm me partnerët strategjikë. Investimi në infrastrukturën që mundëson qasjen në LNG nga SHBA-ja do të kontribuonte edhe në forcimin e bashkërendimit strategjik të Kosovës, në një kohë kur siguria energjetike dhe siguria gjeopolitike janë gjithnjë e më të ndërlidhura.

    Përtej forcimit të sigurisë energjetike, qasja në gaz do të ndihmonte në uljen e varësisë nga importet e kushtueshme të energjisë elektrike, do të ofronte fleksibilitet më të madh për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe do të rriste konkurrueshmërinë e industrive të Kosovës në një kohë kur kërkesat rregullative të Bashkimit Evropian, që lidhen me emetimet e karbonit po bëhen më rigoroze dhe si të tilla do të afektojnë eksportuesit.

    Rrjedhimisht, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje Qeverisë që të demonstrojë vullnetin politik duke ndërmarrë hapa konkretë drejt integrimit të Kosovës në rrjetet rajonale të gazit. Mungesa e veprimit rrezikon të zgjasë cenueshmërinë energjetike të vendit dhe të kufizojë potencialin e tij ekonomik, ndërsa veprimi në kohë mund të ndihmojë në sigurimin e një të ardhmeje energjetike më të qëndrueshme, më konkurruese dhe më të sigurt.

  • Rreth 28 mijë qytetarë votojnë nesër në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

    Rreth 28 mijë qytetarë votojnë nesër në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

    Nesër, më 6 qershor, do të zhvillohet votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, për zgjedhjet e së dielës.

    Sipas një njoftimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha qendrat e votimit hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00, sipas kohës lokale të çdo shteti.

    “Vetëm 27,724 votuesit e regjistruar në 30 përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 6 qershor 2026, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026)”.

    “Procesi i votimit do të zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme”, thuhet në njoftim.

  • Ryshfet për vota, prangoset i dyshuari në Graçanicë

    Ryshfet për vota, prangoset i dyshuari në Graçanicë

    Është arrestuar një person në Graçanicë nën dyshimet për veprën penale të dhënies ose marrjes së ryshfetit në lidhje me procesin e votimit.

    Në raportin 24-orësh të policisë, bëhet e ditur se arrestimi është kryer mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 20:00.

    Në kuadër të hetimeve, policia ka intervistuar edhe dy dëshmitarë, ndërsa ka realizuar kontroll edhe në shtëpinë e të dyshuarit.

    Njoftimi i plotë:

    DHËNIA OSE MARRJA E RYSHFETIT NË LIDHJE ME VOTIMIN

    Graqanicë, 04.06.2026 – 20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën e lartcekur. Në lidhje me rastin janë intervistuar dy dëshmitar meshkuj kosovarë. Është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit ku si prova materiale janë konfiskuar material për votim dhe katër telefona mobil. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • MINT publikon çmimet e derivateve për sot

    MINT publikon çmimet e derivateve për sot

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, tregtisë dhe Inovacionit ka publikuar çmimet e derivateve për ditën e sotme.

    Sipas MINT një litër naftë sot të shitet për 1.52, kurse një litër benzinë 1.42 euro. MINT ka vendosur që një litër gas 0.71 euro.

    Këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Vrasje në tentativë në Gjilan, Policia jep detaje

    Vrasje në tentativë në Gjilan, Policia jep detaje

    Policia e Kosovës, ka arrestuar një person në Gjilan.

    I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

    Sipas Policisë, viktima është dërguar në qendrën emergjente në Gjilan për tretman mjekësor.

    Njoftimi i plotë:

    VRASJE NË TENTATIVË

    Gjilan, 04.06.2026 – 20:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës mashkull kosovar. Viktima është dërguar në qendrën emergjente në Gjilan për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.