ATV

Category: Lajme

  • Hovenier këshillon Kosovën për raportin me Amerikën: Nëse i thoni jo për gazin, SHBA e humb interesin edhe më shumë

    Hovenier këshillon Kosovën për raportin me Amerikën: Nëse i thoni jo për gazin, SHBA e humb interesin edhe më shumë

    Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump ka dëshmuar se është transaksionale në qasjen e saj ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

    Në një intervistë për Rubikon ai tha se administrata e Trumpit është e gatshme të bëjë marrëveshje me palët që tregojnë interes, ndërsa mungesa e gatishmërisë për bashkëpunim mund të ndikojë në nivelin e angazhimit amerikan dhe të çojë potencialin diku tjetër.

    “Administrata e Trumpit është dëshmuar si transaksionale. Nëse jeni të gatshëm të bëni marrëveshje, bëni; nëse jo, nuk jeni të interesuar. Nëse Kosova nuk i përgjigjet ofertës së administratës së Trumpit për LNG, atëherë administrata e Trumpit do të humbë edhe më shumë interes për Kosovën, dhe çdo veprim sa i përket dialogut dhe partneritetit energjetik e forcon Kosovën si partner. Çdo veprim në kundërshtim me këtë e çon potencialin diku tjetër”, ka deklaruar Hovenier.

  • Pesë raste të dhunës në familje raportohen për 24 orë në Kosovë, 4 persona arrestohen

    Pesë raste të dhunës në familje raportohen për 24 orë në Kosovë, 4 persona arrestohen

    Policia e Kosovës ka raportuar pesë raste të dhunës në familje gjatë 5 qershorit në Prishtinë, Obiliq, Malishevë dhe Gjakovë.

    Në Prishtinë, një çift bashkëshortor u arrestua pasi pas një mosmarrëveshjeje sulmuan fizikisht njëri-tjetrin. Pas intervistimit, të dy u liruan në procedurë të rregullt.

    “Prishtinë / 05.06.2026-01:30. Janë arrestuar dy të dyshuar kosovarë (burrë e grua) bashkëshort në mes vete pasi të njëjti pas një mosmarrëveshje, kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin. Të dyshuarit nuk kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa në konsultim me prokurorin pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

    Po ashtu, është raportuar edhe një rast i dhunës psikologjike, ku një burrë dyshohet se kishte ushtruar vazhdimisht presion dhe dhunë psikike ndaj partneres me të cilën bashkëjeton. Rasti mbetet nën hetime.

    “Prishtinë 19.05.2026, 20:00. I dyshuari m/k me të cilin bashkëjeton ankuesja f/k, në vazhdimësi dyshohet se kishte shkaktuar dhunë psiqike ndaj saj. Rasti nën hetime nga njësitet kompetente policore.
    Në Obiliq, një person u arrestua nën dyshimin se kishte tentuar të sulmonte familjarët e tij. Pas trajtimit mjekësor dhe vlerësimit në repartin e neuropsikiatrisë në QKUK, ai u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit”, thuhet ne raport.

    “Obiliq / 05.06.2026-07:20. Është arrestuar i dyshuari m/k, nën dyshimin se i njëjti ka tentuar t’i sulmoj familjarët e tij. Të dyshuarit fillimisht i është ofruar tretman mjekësor, pastaj me rekomandim është dërguar edhe në QKUK në repartin e neuropsikiatrisë. Me vendim të prokurorit, pasi i dyshuari është trajtuar, është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe është dërguar në mbajtje.
    Në Malishevë, një i dyshuar në gjendje të dehur u arrestua për ushtrim të dhunës në familje dhe pas trajtimit mjekësor u dërgua në mbajtje”.

    “Malishevë / 05.06.2026-09:50. Është arrestuar i dyshuari m/k pasi që i njëjti në gjendje të dehur, dyshohet se ka ushtruar dhunë në familjen e tij. I dyshuari, fillimisht është dërguar në QKMF- për tretman mjekësor, pastaj me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhe në raportin e policisë.

    Ndërkaq, në Gjakovë, një burrë u arrestua pasi dyshohet se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij pas një mosmarrëveshjeje. Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje.

    “Gjakovë 05.06.2026, 23:00. Është arrestuar i dyshuari m/k pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën f/k bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Zhduken dy të mitura në Gjakovë

    Zhduken dy të mitura në Gjakovë

    Dy vajza të mitura janë raportuar të zhdukur në Gjakovë, ka bërë të ditur policia.

    Familjarët e tyre kanë deklaruar në polici se nuk e dinë vendndodhjen e tyre.

    “Rr. UÇK dhe RR. Dëshmorët e Dujakës, Gjakovë 05.06.2026, 09:00/15:00. Dy ankueset f/k kanë raportuar se dy viktimat f/k, të mitura, motra dhe vajza e ankueseve kanë dalë nga shtëpia dhe nuk dinë për vendndodhjen e tyre. Rasti nën hetime”.

  • Parandalohet futja e kontrabandës në Dubravë, zbulohet drogë e dyshuar në automjet

    Parandalohet futja e kontrabandës në Dubravë, zbulohet drogë e dyshuar në automjet

    Në Qendrën Korrektuese të Dubravës është parandaluar një rast i tentimit për futjen e kontrabandës brenda institucionit.

    Rasti, siç thuhet në një njoftim Facebook, ka ndodhur dje rreth orës 16:40, gjatë kontrolleve rutinore në Portën 0, kur zyrtarët korrektues, në bashkëpunim me Njësitin K9 të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), kanë ndaluar për kontroll një kamionetë pune që po kthente të burgosurit nga puna jashtë institucionit.

    Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit, janë zbuluar dy qese të kamufluara me substancë të dyshuar narkotike, të fshehura në dyshemenë e automjetit.

    Sipas SHKK-së, bazuar në rrethanat e rastit dyshohet se përfshirë janë disa të burgosur që gëzojnë të drejtën e punës jashtë institucionit. Ndaj tyre janë marrë masa disiplinore dhe u janë ndaluar beneficionet deri në përfundimin e procedurave hetimore.

    “Pas identifikimit të rastit, zyrtarët korrektues kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme procedurale, kanë iniciuar hetime të brendshme dhe kanë njoftuar Policinë e Kosovës, e cila po zhvillon hetimet përkatëse lidhur me këtë rast.Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive të kundërligjshme dhe në garantimin e rendit, sigurisë dhe integritetit institucional në të gjitha institucionet korrektuese”, thuhet në njoftim.

  • Sulm me dronë pranë Shën Petersburgut, autoritetet nisin evakuim të pjesshëm

    Sulm me dronë pranë Shën Petersburgut, autoritetet nisin evakuim të pjesshëm

    Një sulm me dronë ukrainas në shkallë të gjerë ka shënjestruar Shën Petersburgun dhe rajonin përreth Leningradit të shtunën në mëngjes, kanë bërë të ditur zyrtarët lokalë, duke theksuar aftësinë në rritje të Kievit për të goditur thellë brenda territorit rus.

    Në rajonin e Leningradit është njoftuar evakuim i pjesshëm pasi një zjarr ka shpërthyer në objekte ushtarake, ka deklaruar guvernatori rajonal Alexander Drozdenko, raporton AP. Ai ka thënë se masa është e përkohshme dhe se banorët pritet të kthehen në shtëpitë e tyre brenda pak orësh, duke shtuar se situata është nën kontroll dhe ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët.

    Ndërkohë, guvernatori i Shën Petersburgut, Alexander Beglov, u ka bërë thirrje banorëve të mos dalin jashtë dhe ka paralajmëruar për ndërprerje të mundshme të shërbimit të internetit.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka njoftuar se mbrojtja e saj ajrore ka rrëzuar 376 dronë ukrainas gjatë natës.

    Sulmi i së shtunës vjen pas një tjetër sulmi me dronë ukrainas që kishte shkaktuar zjarr në një terminal nafte në qytet dhe kishte goditur një bazë detare aty pranë të mërkurën, vetëm disa orë para hapjes së Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut.

  • KQZ: Deri në orën 9:00, votuan 11.24% e votuesve të regjistruar

    KQZ: Deri në orën 9:00, votuan 11.24% e votuesve të regjistruar

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e parë për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Në këtë konferencë, Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se në orën 06:00, sipas kohës lokale në Kosovë, procesi i votimit ka filluar në ambasadën dhe konsullatën e Republikës së Kosovës në Ankara dhe Stamboll, ndërkaq, në orën 07:00, gjithashtu sipas kohës lokale në Kosovë, votimi ka filluar edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike që ndodhen në Europë.

    Gjithashtu, u njoftua se votimi në dy përfaqësitë diplomatike në ShBA (Washington – ambasadë dhe New York – konsullatë) dhe në dy të tjera në Kanada (Otavë – ambasadë dhe Toronto – konsullatë), do të fillojë në orën 07:00 sipas kohës lokale në këto shtete, përkatësisht në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.

    Sipas të dhënave gjatë këtyre orëve të para të votimit nga 25 përfaqësi diplomatike ku ka filluar dhe po zhvillohet votimi, deri në orën 09:00, nga 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar 11.24% % apo 3 117 votues.

    Përfaqësitë diplomatike, në të cilat ka filluar dhe po zhvillohet procesi i votimit, janë:

    1. GJERMANI:

    – Berlin – ambasadë;

    – Frankfurt – konsullatë;

    – Hamburg – konsullatë;

    – Mynih – konsullatë;

    – Shtutgart – konsullatë; dhe

    – Dyseldorf – konsullatë.

    2. ZVICËR

    – Bernë – ambasadë;

    – Gjenevë – konsullatë; dhe

    – Cyrih – konsullatë.

    3. MBRETËRIA E BASHKUAR

    – Londër – ambasadë.

    4. FRANCË

    – Paris – ambasadë; dhe

    – Strasburg – konsullatë.

    5. BELGJIKË

    – Bruksel – ambasadë.

    6. NORVEGJI

    – Oslo – ambasadë.

    7. AUSTRI

    – Vjenë – ambasadë.

    8. SUEDI

    – Stokholm – ambasadë.

    9. SLLOVENI

    – Lubjanë – ambasadë.

    10. DANIMARKË

    – Kopenhagë – konsullatë.

    11. ITALI

    – Romë – ambasadë; dhe

    – Milano – konsullatë.

    12. TURQI

    – Ankara – ambasadë; dhe

    – Stamboll – konsullatë.

    13. KROACI

    – Zagreb – ambasadë.

    14. HOLANDË

    – Hagë – ambasadë.

    15. REPUBLIKA ÇEKE

    – Pragë – ambasadë.

    16. HUNGARI

    – Budapest – ambasadë.

    Ndërkaq, procesi i votimit, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, do të fillojë në këto shtete:

    17. SHBA

    – Ëashington – ambasadë; dhe

    – Neë York – konsullatë.

    18. KANADË

    – Otavë – ambasadë; dhe

    – Toronto – konsullatë.

    Në përgjithësi, votimi do të zhvillohet në 47 vendvotime që u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme.

    Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 27,724 votues.

    Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 6 qershor 2026, pasi në listën votuese e cila është dërguar në përfaqësi dipomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026).

    Verifikimi i statusit mund të bëhet në çdo kohë përmes platformës elektronike: https://diaspora.kqz-ks.org/sq/AbroadVoter/AbroadVoterStatuses

    Konferenca e dytë e KQZ-së do të mbahet në orën 14:00.

  • Çmimi i naftës rritet për dy centë në Kosovë

    Çmimi i naftës rritet për dy centë në Kosovë

    Çmimi tavan i naftës në Kosovë është rritur për dy centë krahasuar me të premten.

    Sipas vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, një litër naftë sot mund të shitet më së shumti me 1.54 euro, ndërsa një ditë më parë çmimi maksimal ishte 1.52 euro për litër.

    Çmimi i benzinës ka mbetur i pandryshuar dhe vazhdon të shitet me 1.42 euro për litër.

    Ndërkohë, çmimi i gazit është ulur për dy centë. Nga 0.71 euro sa ishte, sot një litër gaz shitet me 0.69 euro.

  • KQZ nis shpërndarjen e materialit zgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit

    KQZ nis shpërndarjen e materialit zgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar shpërndarjen e materialit zgjedhor në të gjithë territorin e Kosovës, në prag të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen nesër.

    Në materialet e shpërndara përfshihen fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve dhe vulat, të cilat fillimisht vendosen në Qendrat Komunale të Numërimit, ndërsa një ditë para votimit do të dërgohen në qendrat e votimit.

    Sipas vendimit të KQZ-së, për këto zgjedhje janë shtypur gjithsej 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime. Prej tyre, 1 milion e 605 mijë janë për vendvotimet e rregullta, 19 mijë e 450 për votim me kusht, 13 mijë e 500 si rezervë, si dhe 3 mijë e 500 për personat me nevoja të veçanta.

    KQZ ka bërë të ditur se numri i fletëvotimeve të shtypura është më i ulët se numri i përgjithshëm i votuesve me të drejtë vote. Sipas institucionit, kjo praktikë bazohet në analizat e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset e kaluara zgjedhore.

  • Sulmi izraelit vret ‘disa’ ushtarë libanezë

    Sulmi izraelit vret ‘disa’ ushtarë libanezë

    Një sulm izraelit ka vrarë “disa ushtarë”, përfshirë një oficer, sipas forcave të armatosura të Libanit.

    Sulmi ajror ka shënjestruar një automjet ushtarak në rrugën Khardali-Nabatieh në jug të Libanit, ka bërë të ditur ushtria.

    Ndërsa Izraeli vazhdon të luftojë me milicinë e mbështetur nga Irani, Hezbollah, në Liban, forcat e armatosura të vendit kanë shmangur përfshirjen.

    Izraeli kishte rënë dakord të zbatonte një armëpushim me Libanin këtë javë, por Hezbollah (i cili nuk ishte pjesë e bisedimeve) e ka refuzuar atë.

  • PZAP anulon vendimin e KQZ-së, diaspora s’lejohet të votojë me dokumente të skaduara

    PZAP anulon vendimin e KQZ-së, diaspora s’lejohet të votojë me dokumente të skaduara

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shfuqizuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili kishte lejuar votimin me dokumente identifikimi të skaduara në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.

    Sipas PZAP-së, ankesa e paraqitur nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është aprovuar si e bazuar, në kuadër të zgjedhjeve të 7 qershorit.

    “ANULOHET vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr.01/1198/2026 i datës 03.06.2026, lidhur me Miratimin e Rekomandimit për Lejimin e Votimit me Dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në Qendrat e Votimit në Përfaqësitë Diplomatike”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

    Në arsyetimin e vendimit, paneli ka theksuar se pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve, përgjigjes së KQZ-së dhe dokumentacionit përkatës, ka konstatuar se ankesa është e bazuar.

    “Paneli, pasi shqyrtoi pretendimet ankimore, përgjigjen në ankesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendimin e kontestuar dhe shkresat e tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e bazuar. Paneli ka gjetur se nga shkresat e lëndës rezulton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 01/1198/2026, të datës 03.06.2026, ka miratuar rekomandimin për lejimin e votimit me dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike”.

    Sipas PZAP-së, KQZ-ja nuk ka pasur bazë ligjore për të lejuar votimin me dokumente të skaduara, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon dokumente të vlefshme identifikimi.

    Paneli i referohet nenit 90, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, ku përcaktohet se votuesit duhet të identifikohen me dokument të vlefshëm si letërnjoftim, pasaportë ose leje vozitjeje.

    Po ashtu, PZAP vlerëson se dispozita ligjore është e qartë dhe nuk lejon interpretime që do të trajtonin dokumentin e skaduar si të vlefshëm për votim.

    “Në këtë rast ligji nuk ka përdorur vetëm termin “dokument identifikimi”, por shprehimisht ka kërkuar “dokumente të vlefshme të identifikimit”. Prandaj, vlefshmëria e dokumentit nuk është vetëm element formal i rëndësishëm, por një kusht ligjor për identifikimin e votuesit në ditën e votimit dhe dhënies së mundësisë për të votuar”.

    Paneli ka trajtuar edhe argumentin e KQZ-së se gjatë regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës janë pranuar aplikime me dokumente të skaduara.

    “Në përgjigjen e dhënë KQZ ka theksuar se gjatë fazës së regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, ka lejuar që aplikues të caktuar të regjistrohen duke paraqitur dokumente të identifikimit me afat të skaduar. Mirëpo PZAP vlerëson se kjo rrethanë nuk mund të interpretohet si e drejtë për të votuar me dokument të skaduar në ditën e votimit, pasi regjistrimi dhe votimi janë dy faza të ndryshme të procesit zgjedhor”.