ATV

Category: Lajme

  • ​Ministri kroat i Mbrojtjes nesër në Kosovë

    ​Ministri kroat i Mbrojtjes nesër në Kosovë

    Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anusiq nesër do ta vizitojë Kosovën, ku ndër të tjera do ta vizitojë edhe Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.

    Sipas njoftimit, ai do të jetë në ministri në orën 16:30.

     

  • Osmani përkujton masakrën në familjen Berisha në Suharekë: 25 vjet më parë, 46 anëtarë të kësaj familje u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre

    Osmani përkujton masakrën në familjen Berisha në Suharekë: 25 vjet më parë, 46 anëtarë të kësaj familje u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën në Suharekë, 25 vjet më parë, ku 46 anëtarë të familjes Berisha u masakruan në pragun e shtëpisë së tyre nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë.

    Osmani ka shkruar se edhe më e rëndë është dhimbja nga fati i pazbardhur i një pjese të anëtarëve të familjes Berisha.

    “Nga kjo masakër e tmerrshme, Vjollca me të birin Gramozin dhe Shyhretja, shpëtuan dhe janë dëshmi e brutalitetit të regjimit kriminal serb. Në kërkim të drejtësisë, respektit ndaj viktimave dhe familjeve nuk do të heshtim asnjëherë. Drejtësia për viktima dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë synim i vazhdueshëm!”, thuhet në postim.

  • Shembet një urë në Baltimore të ShBA-së, veturat bien në ujë

    Shembet një urë në Baltimore të ShBA-së, veturat bien në ujë

    Një urë e madhe në Baltimore të Shteteve të Bashkuara është shembur pasi u godit nga një anije e madhe të martën në mëngjes, dhe si pasojë disa vetura ranë në lumin nën të.

    Ekipet e shpëtimit thanë se janë duke i kërkuar së paku shtatë njerëz në ujë.

    Anija e goditi njërën prej shtyllave mbajtëse të urës Francis Scott Key, duke e shkaktuar shembjen e saj. Anija shpërtheu në zjarr për pasojë.

    “Kjo është një gjendje serioze emergjente”, tha Kevin Cartwright, drejtor për komunikim në Departamentin e Zjarrfikësve në Baltimore.

    “Përqendrimi ynë tani është të tentojmë t’i shpëtojmë këta njerëz”, tha Cartwright.

    Ai tha se është shumë herët të dihet se sa njerëz janë prekur nga ky incident, por ekipet e shpëtimit janë duke i kërkuar shtatë njerëz në ujë dhe e cilësoi shembjen e urës si “një ngjarje që mund të ketë shumë viktima”.

    Carwright tha se anija quhej “Dali”. Ajo po lundronte përmes Baltimore në drejtim të Kolombos në Shri Lankë, sipas autoriteteve. Sipas një zyrtari të Rojës Bregdetare të Baltimore, anija po lundronte nën flamurin e Singaporit, raportoi radio WTOP.

    “Të gjitha korsitë nga të dyja drejtimet janë mbyllur për shkak të incidentit në I-695 Bridge”, thanë autoritetet e transportit në Mariland.

    Kryetari i Baltimore, Brandon Scott, tha se ekipet emergjente janë në vendin e ngjarjes dhe se kanë nisur operacionet e shpëtimit./REL/

  • Taksitë ilegalë e linjat e autobusëve, cak i Inspektoratit dhe Policisë – Konsiderohen shkaktarë të tollovisë në komunikacion

    Taksitë ilegalë e linjat e autobusëve, cak i Inspektoratit dhe Policisë – Konsiderohen shkaktarë të tollovisë në komunikacion

    Taksitë ilegale, linjat e autobusëve e kombibusët, kanë qenë cak të martën i Inspektoratit të Komunës së Prishtinës dhe Policisë së Kosovës. Aksionin gjatë ditës së sotme ka përcjellë nga afër Ekonomia Online.

    Aksioni që ka nisur të hënën, ka për qëllim t’i identifikojë taksitë ilegale, linjat e autobusëve e kombibusët, pasi konsiderohen si shkaktarë të tollovisë në Kryeqytet.

    Drejtori i Inspektoratit të Kryeqytetit, Florian Dushi, vlerësoi lartë mbështetjen që kanë marrë nga Policia e Kosovës. Tha se kjo dukuri është e shfaqur tejmase në rrugët e Prishtinës.

    “Jemi sot në një aksion i cili po vazhdon që nga dje në bashkëpunim edhe me Policinë e Kosovës, i cili ka për qëllim linjat e autobusëve, taksitë ilegalë, taksitë që punojnë me pa leje pune por edhe kombibusët. Ju e dini që një nga problemet më të mëdha sipas vlerësimeve tona por edhe sipas vlerësimeve të policisë, këto janë nga disa çështjet që po e mbingarkojnë jashtëzakonisht rrjedhën e komunikacionit në Prishtinë prandaj kemi vendosur që prej dje t’i vendosim disa pika kontrolle në Kryeqytet dhe të shohim bashkërisht dhe të bëjmë kontrollin e nevojshëm për të parë sa është shfaqur kjo dukuri në Kryeqytet”, tha Dushi.

    “Gjithashtu është me rëndësi që të theksohet se si Inspektorat ne kemi pasur kontrolle edhe në të kaluarën ndaj këtyre problematikave në Kryeqytet por megjithatë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë që koordinimin që e kemi me Policinë dhe mbështetjen, veçanërisht këtë aksion që ka filluar dje”, tha tutje Dushi.

    Ndërsa zëvendëskomandanti rajonal për Komunikacion Rrugor, Sylejman Halili, tha se Policia e përkrah aksionin e përbashkët për këtë dukuri negative.

  • Jamie Shea: Nuk do të ketë luftë në Kosovë, Kryeministri Kurti të tregojë se është partner i besueshëm i ShBA-së dhe BE-së

    Jamie Shea: Nuk do të ketë luftë në Kosovë, Kryeministri Kurti të tregojë se është partner i besueshëm i ShBA-së dhe BE-së

    Ish-zëdhënësi i NATO-s, gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea ka siguruar të gjithë se nuk do të ketë luftë në Kosovë.

    Pavarësisht se inteligjenca lëshoi paralajmërimin për një rrezik të lartë për konflikte ndëretnike në Ballkanin Perëndimor, Shea mendon se nuk duhet dramatizuar situata.
    “Nuk shoh perspektivë për një luftë mes Serbisë dhe Kosovës. Por ka tensione, sigurisht, dhe kjo është një nga arsyet pse NATO dërgoi forca shtesë në KFOR vitin e kaluar, si para incidentit në Banjskë, ashtu edhe pas incidentit në Banjskë, për t’u siguruar që ka mjaft ushtarë të NATO-s në Kosovë, përfshirë këtu në veri, për të parandaluar çdo lloj agresioni, për të parandaluar çdo lloj sulmi. Pra NATO është shumë vigjilente”, ka thënë Shea.

    Ai pohon se situata është e tensionuar, por sipas tij NATO është plotësisht e mobilizuar.

    “Kështu është edhe BE-ja, për të menaxhuar krizat, për të parandaluar incidentet, për të ulur tensionet dhe mbi të gjitha, për të rikthyer në shina dialogun politik me Beogradin dhe Prishtinën”.

    Për ta arritur këtë, sipas Sheas është e rëndësishme që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ta dëshmojë se është partner i besueshëm i SHBA-së e BE-së, ashtu siç ishin qeveritë e kaluara.

    “Është shumë e rëndësishme që kryeministri Kurti të tregojë se ai është gjithashtu një partner i besueshëm përballë Shteteve të Bashkuara dhe ndaj Bashkimit Europian. Ajo që ka qenë e suksesshme në të kaluarën është se qeveria e Kosovës ka punuar shumë, shumë ngushtë me miqtë e saj të mëdhenj në BE, në NATO, me Shtetet e Bashkuara, me vendin tim, Britaninë e Madhe. Ne kemi qenë partnerë të mirë dhe duhet ta ruajmë këtë partneritet edhe në vazhdim”, tha Shea për A2cnn.

  • Kaplohet nga zjarri një veturë me targa të huaja në autostradë

    Kaplohet nga zjarri një veturë me targa të huaja në autostradë

    Një veturë me targa të huaja është raportuar se është djegur tërësisht në autostradën në Obiliq.

    Sipas të dhënave, përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.

    Njoftimi i plotë:“Obiliq / 25.03.2024 – 21:15. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se derisa ka qenë në lëvizje në autostradë, vetura e tij me targa të huaja papritmas është kapluar nga zjarri dhe më pas është djegur tërësisht. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe zjarrfikësit. Perveq dëmeve materiale nuk eshte raportuar per te lenduar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti procedohet ne procedure te rregullt”.

  • Gjendet e vdekur një grua në Rahovec, Policia nis hetimet

    Gjendet e vdekur një grua në Rahovec, Policia nis hetimet

    Një grua është gjetur e vdekur dje në Rahovec.

    Policia njoftoi se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor trupi i pajetë, derisa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

    Tutje, në raport thuhet se Policia ka nisur hetimet për rastin.

  • Shahini: 400 biznese janë mbyllë për tre muaj

    Shahini: 400 biznese janë mbyllë për tre muaj

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, thotë për Ekonomia Online se brenda tre muajve, në Kosovë janë shuar afër 400 kompani dhe se kjo po bëhet për shkak të borxheve e konkurrencës jo ferr.

    Këtë fakt, Shahini e sheh shqetësuese, teksa pret veprime institucionale.

    “Është shqetësim për vendin, po flasim aktualisht për tre muajt e fundit ku mesatarisht janë mbyllur rreth 400 kompani e që këto kompani kryesisht janë mbyllur për shkaqe të problemeve të njëpasnjëshme që kanë pas për shkak të humbjes së fuqisë në treg të borxheve dhe të konkurrencës jo ferr”, thotë Shahini.

    “Prandaj shuarja e bizneseve nuk mund të jetë vullnetare përderisa ata nuk kanë arritur objektivat e veta. Asnjë biznes nuk mbyllet vullnetarisht që i ka punët mirë por që i ka punët keq dhe kjo e bën që Kosova të mos jetë një vend atraktiv për bizneset e reja por edhe bizneset me traditë janë duke shkuar drejt falimentimit për arsye të ndryshme të goditjeve të njëpasnjëshme që vijnë në biznes”, shtoi ai.

    Mundësitë e reja zhvillimore ato të investimit si dhe mbështetëse janë tre faktorë tejet të rëndësishëm për tu zhvilluar një biznes, thotë Shahini.

    Shahini numëron edhe ngarkesat që bizneset i kanë në vend, përfshirë ato tatimore e infrastrukturore.

    “Qeveria e vendit duhet të bëjë edhe më shumë, për të krijuar mundësi të reja zhvillimore, mundësi të reja investuese dhe mbështetëse duke i pasur këta tre faktorë të rëndësishëm për të mbajt aktiv ekonominë e vendit. Bizneset janë tepër të angazhuar dhe të bëjë gjithçka që ata të mos mbyllen, por në fund vjen momenti kur edhe mund të dorëzohen dhe nuk mund t’i përballen qoftë ngarkesave të njëpasnjëshme duke përfshirë këtu ngarkesat e larta tatimore, ato të larta të interesit bankar, infrastruktura shpesh e bën ajo fizike që disa biznese mund të mbyllen edhe për këtë çështje po ashtu për humbje të fuqisë konkurruese, humbja e tregjeve dhe mungesa e punëtorëve që kohët e fundit një fenomen po bëhet i zakonshëm”, thotë ai.

    Shahini kërkon që termi “bizneset po mbyllen vullnetarisht” të mos përdoret, pasi siç thekson ai, askush “nuk shkon te shtëpia me prit ndonjë ndihmë sociale”.

    “Bizneset zakonisht pas përfundimit të dorëzimit dhe aktivitetit të vetë ekonomik para konkurrencës, para fuqisë konkurruese ata mund të fillojnë procedurat për mbylljen e bizneseve dhe atyre askush nuk shkon me e mbyll biznesin por ata në mënyrë vullnetare që duhet ta përmbyllin procesin por vullnetarisht ata nuk e kanë mbyll punën e vetë, biznesin dhe aktivitetin e vetë”.

    “Nuk duhet përdoret termi ‘vullnetar’, për arsye se vullnetarisht ata i kanë hap bizneset por ka ardhur momenti kur ata edhe duhet të dorëzohen në mënyrë ligjore të paraqesin ç’regjistrimin e biznesit dhe të shikojnë të gjejnë alternativa tjera për tu punësuar ata njerëz ose për të krijuar ndonjë mundësi tjetër ose largim nga vendi ose të gjejnë mundësi tjetër të bashkojnë kapitalin e vetë në ndonjë biznes tjetër apo ndonjë individ tjetër por prape së prape askush vullnetarisht nuk e mbyll biznesin e vetë dhe askush nuk shkon te shtëpia me prit ndonjë ndihmë sociale përderisa ai është i aftë për punë”, thotë Shahini.

  • ​25 vjet nga masakra në familjen Berisha në Suharekë

    ​25 vjet nga masakra në familjen Berisha në Suharekë

    25 vjet më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreth 50 anëtarëve të familjes Berisha, e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetojë.

    E tëra nisi kur te shtëpitë e kësaj familjeje, që nuk gjendet më larg se 100 metra nga stacioni policor i Suharekës, do të shfaqeshin paramilitarët serbë, që disa do t’i vrisnin në pragun e shtëpisë e të tjerët do t’i dëbonin nga shtëpia e tyre, duke i dërguar në lokalin kafiteri, ku edhe do të ndodhte masakra.

    Nga kjo masakër kanë mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha. Këta të tre gjatë transportit të viktimave të drejt Prizrenit, kanë kërcyer nga kamioni që ishte në lëvizje për të shpëtuar. Sipas rrëfimeve të Vjollca Berishës, në kamionin kishte edhe të tjerë që ishin gjallë, por të plagosur.

    Para pak vjetësh disa prej anëtarëve janë gjetur dhe janë varrosur eshtrat e Bujar Berishës, Faton Berishës, Nexhat Berishës dhe Arta Berishës, nën nderimet ushtarake. Por, ende nuk janë gjetur të gjithë anëtarët e familjes Berisha.

  • Sot fillon punimet takimi i 11-të i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim

    Sot fillon punimet takimi i 11-të i Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim

    Takimi i 11-të i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë do të mbahet sot e nesër në mjediset e Kuvendit të Kosovës.

    Sipas njoftimit nga Kuvendi, hapja do të bëhet nga Mimoza Kusari-Lila dhe Lukas Mandl, bashkëkryesues të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë.

    Në vazhdim, pikëpamjet e tyre mbi gjendjen e marrëdhënieve BE-Kosovë, do t’i paraqesin: Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit; Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog; Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim; AnnaCarin Platon, shefe e Sektorit Politik, Ekonomik për Integrim Evropian, në emër të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë dhe në emër të Komisionit Evropian.