ATV

Category: Lajme

  • ​Lajçak për takimin e kësaj jave në Bruksel: Shpresoj të tejkalohen mosmarrëveshjet

    ​Lajçak për takimin e kësaj jave në Bruksel: Shpresoj të tejkalohen mosmarrëveshjet

    I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq do të jenë në Bruksel këtë javë. Lajçak ka thënë se të enjten shpreson se do të jenë në gjendje të kapërcejnë mosmarrëveshjet e mbetura.

    Lajçak ka shkruar në Facebook se të hënën e kaluar ka pritur në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe drejtorin Petkoviq.

    “Vazhduam diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Në përgjithësi, ka qenë një takim i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Në fund erdhëm në përfundim se do të nevojitet një takim tjetër. Të dy palët do të jenë në Bruksel këtë javë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë mosmarrëveshjet e mbetura të enjten”, ka shkruar ai.

  • ​Arrestohet për kërcënim dhe armëmbajtje pa leje në Zubin Potok

    ​Arrestohet për kërcënim dhe armëmbajtje pa leje në Zubin Potok

    Një person është arrestuar dje pasdite në Zubim Potok, pasi që dyshohet se ka kanosur viktimën mashkull kosovar. Tek i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 12 fishekë.

    Sipas Policisë, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti procedohet në procedurë të rregullt.

  • Kandiq: Vuçeviq të tregojë ku janë varrosur trupat e Rukije dhe Feriz Krasniqit

    Kandiq: Vuçeviq të tregojë ku janë varrosur trupat e Rukije dhe Feriz Krasniqit

    Shefi ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq dhe ministri i Mbrojtjes, tashmë i mandatuar për kryeministër të Serbisë, Millosh Vuçeviq, duhet të tregojnë se ku janë varrosur Rukije dhe Feriz Krasniqi, që ishin vrarë më 27 mars 1999 në fshatin Sushicë të Shtërpcës.

    Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, në platformën “X” ka shkruar se këta dy zyrtarë serb duhet të përgjigjen në këtë pyetje.

    “Le të kërkojmë nga shefi i ushtrisë serbe, gjenerali Milan Mojsiloviq dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, të zbulojnë vendin ku u varrosën trupat e Rukije dhe Feriz Krasniqit, të vrarë nga pjesëtarët e Ushtrisë së Jogosllavisë, më 27 mars 1999 në fshatin Sushicë (Kosovë)”, ka shkruar ajo.

    Ndryshe, Millosh Vuçeviq, ish-ministri serb i Mbrojtjes, njëherësh udhëheqës i partisë në pushtet në Serbi, është mandatuar për formimin e Qeverisë së re të Serbisë.

    Historia e vrasjes së çiftit Rukije dhe Feriz Krasniqi

    Kur një batalion i ushtrisë Jugosllave i drejtuar nga Kapiteni Petroviq mbërriti në fshatin Sushicë në Kosovë në fund të muajit mars 1999, ai urdhëroi të gjithë shqiptarët të dalin nga shtëpitë. Feriz Krasniqi dhe gruaja e tij e paralizuar Rukija nuk kanë mundur të dalin. Mosbindja u ka kushtuar atyre jetën.

    I zemëruar nga lutjet e Ferizit se ai nuk mund të shkonte askund dhe nuk mund të linte vetëm gruan e tij të paralizuar, Petroviq ka urdhëruar rezervistët e ushtrisë Nenad Stamenkoviq dhe Tomica Joviq të vrisnin çiftin. Një njësi speciale e ushtrisë jugosllave e krijuar me qëllimin e vetëm për të djegur dhe zhdukur trupat i ka larguar më pas kufomat e tyre.

    Historia e Feriz dhe Rukije Krasniqit dhe mizoria me të cilën janë vrarë ata do të ishte varrosur me siguri së bashku me kufomat e tyre si shumë shqiptarëve tjerë, nëse nuk do të ishte një oficer i ushtrisë Jugosllave.

    Zëvendës koloneli Ljubisha Miçiq, i dislokuar aty pranë pasi ka dëgjuar për këtë vrasje ka shkuar në fshatin ku banonte çifti Krasniqi dhe ka mbledhur prova.

    Më 20 Dhjetor, gjykata ushtarake në Nish ka dënuar Stamenkoviq dhe Joviq me katër vjet e gjysmë burgim për vrasjet.

    Petroviq është dënuar me katër vjet e dhjetë muaj burgim sepse ka urdhëruar vrasjet.

  • Ambasadori i Zvicrës: Investitorët zviceranë duan garanci ligjore si kusht për të investuar në Kosovë

    Ambasadori i Zvicrës: Investitorët zviceranë duan garanci ligjore si kusht për të investuar në Kosovë

    Garanci ligjore është njëra nga kërkesat kryesore që po kërkojnë investitorët zviceranë. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jurg Sprecher.

    Kryediplomati zviceran ka bërë të ditur se komuniteti i biznesit të këtij shtetit e sheh të rëndësishme të ketë garanci në Kosovë, në mënyrë që të shtohen investimet.

    “Mendoj se është shumë e rëndësishme të kemi rolin e garancive ligjore për investimet dhe që ne shohim se Zvicra është investimi i dytë i rëndësishëm në vend dhe ajo që dëgjoj nga komuniteti i biznesit është shumë e rëndësishme të ketë garanci dhe rolin e ligjit”, u shpreh ambasadori.

    “Mendoj se ajo që investitorët zviceranë duhet të bëjnë këtu në Kosovë, janë njerëzit dhe prandaj ne jemi këtu. Kemi nevojë për njerëz të trajnuar që duan të investojnë dhe të mësojnë dhe kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme”, deklaroi ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jurg Sprecher.

  • Pejë: Dikush gjuan me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së tyre, dy persona njoftojnë policinë

    Pejë: Dikush gjuan me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së tyre, dy persona njoftojnë policinë

    Dy persona në Pejë kanë raportuar mbrëmjen e së shtunës në polici, se kanë dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së tyre, nga persona ende të paidentifikuar.

    Të shtënat dyshohet se kanë ndodhur për shkak të disa mosmarrëveshjeve-borxheve.

    “Nga predhat janë dëmtuar dy tjegulla dhe një gyp-ujëmbledhës. Rasti po hetohet nga ekipet përkatëse policore”, thuhet në raporton e policisë.

  • Erath: Kosova dhe Bosnja më të rrezikuarat nga konflikti, të rritet vëmendja e Perëndimit

    Erath: Kosova dhe Bosnja më të rrezikuarat nga konflikti, të rritet vëmendja e Perëndimit

    Situata e sigurisë në rajonin e Ballkanit po vlerësohet se është shumë e ndjeshme.

    Drejtori i lartë i politikave për qendrën për kontrollin dhe mospërhapjen e armëve, John Erath, thotë se Perëndimi duhet ta rris vëmendjen në rajon sepse situata mund të përshkallëzoj nga retorika nacionaliste.

    Javë më parë në raportin e publikuar nga inteligjenca amerikane thuhet se përgjatë vitit 2024 mund të ketë konflikte etnike në Ballkanin Perëndimor.

    Situatë e ndjeshme e sigurisë vlerësohet të jetë në Bosnje Hercegovinë dhe ne veriun e Kosovës.

    Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e ka përjashtuar mundësinë që Serbia ta sulmojë sërish në veriun e vendit.

    Se situata është shumë e serioze në Ballkan e thotë edhe eksperti amerikan, John Erath.

    “Situata e sigurisë është shumë serioze në rajon, andaj duhet të rritet vëmendja e Perëndimit që situata të mos përshkallëzoj. Vetëm të kujtojmë se çfarë ndodhi përgjatë viteve të 90-ta, çfarë luftëra të ashpra u zhvilluan në rajon. E gjitha ndodhi për shkak të nacionalizmit. Nuk duhet lejuar në asnjë formë që tragjedi të tilla të përsëriten. Kyçe për sigurinë e rajonit është që Kosova dhe Serbia ta njohin njëra-tjetrën. Nuk mundet SHBA-ja e vetme ta mbaj paqen në rajon, pa pasur bashkëpunim te ngushtë me liderët e vendeve të Ballkanit”, vlerëson John Erath – drejtor i lartë i politikave për qendrën për kontrollin dhe mospërhapjen e armëve.

    Drejtor i lartë i politikave për qendrën për kontrollin dhe mospërhapjen e armëve, John Erath, i ka ndërlidhur zhvillimet ne Ballkan edhe me luftën e Rusisë ndaj Ukrainës.

    Sipas tij nëse Rusia shënon sukses ne fund të luftës me Ukrainën, atëherë do të krijohet një precedent i rrezikshëm.

    “Bota është bërë e paparashikueshme dhe kemi një luftë shumë të rëndë që po zhvillohet mes Rusisë dhe Ukrainës. Nëse Rusia lejohet të arrij sado pak sukses ndaj shtetit fqinj atëherë do te jetë një sinjal i keq për botën, sepse do t’i shtyje edhe vendet e tjera të mendojnë për përdorimin e forcës në vend të diplomacisë. Pra, konsideroj se është shume e rëndësishme që të ndalohet Rusia, dhe të gjithë ne kemi përgjegjësi që ta ndihmojmë Ukrainën”, thotë Erath.

    Së fundmi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërcënuar hapur se në një moment të favorshëm Serbia edhe mund ta sulmojë Kosovën.

  • Kurti bën iftar në Pejë në kuzhinën popullore “Dera e Mëshirës”

    Kurti bën iftar në Pejë në kuzhinën popullore “Dera e Mëshirës”

    Iftarin e mbrëmshëm, Kryeministri Albin Kurti e priti bashkë me qytetarë në kuzhinën humanitare “Dera e Mëshirës”, në Komunën e Pejës, e cila kuzhinë shërben ushqim dhe shujta të ngrohta për mbi 250 persona apo rreth 39 familje në 6 ditë të javës.

    I shoqëruar nga Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi dhe deputetja Fatmire Kollçaku, Kurti tha se kishte kënaqësinë që sonte të ishin aty bashkë për të ndarë këtë moment së bashku dhe për të përcjellë porosinë e ndihmës për njëri – tjetrin, solidaritetit e tolerancës.

    “19 kuzhinat popullore të cilat shërbejnë ushqime dhe shujta të ngrohta për qytetarët janë mbështetur nga Qeveria përmes masës 3.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Qeveria do ta ketë qytetarin gjithmonë prioritet duke iu qëndruar afër dhe punuar për të gjithë që pa dallim të ketë mirëqenie dhe zhvillim”, thuhet në njoftimin zyrtar.

    Pas iftarit, Kurti bëri edhe një shënim në kuzhinën humanitare, duke shprehur falënderimin e tij për mikpritjen e përzemërt sonte ndaj përfaqësuesit të shoqatës, Ferdi Xhaferi dhe gjithë familjes së tij.

    “Falënderoj Derën e Mëshirës, në Pejë për mikpritjen e përzemërt sonte për iftar dhe për kontributin që japin: 38 familje përditë marrin ushqim dhe 250 anëtarë të tyre gjithsej. Falënderoj Ferdin dhe familjen e tij të mrekullueshme Xhaferi”, thuhet në shënimin e kryeministrit.

  • ​Franca në alarm të kuq për shkak të rrezikut të përmbytjeve

    ​Franca në alarm të kuq për shkak të rrezikut të përmbytjeve

    Departamenti perëndimor francez Indre-et-Loire mbetet në alarm të kuq të hënën për shkak të rrezikut të përmbytjeve, sipas autoritetit të motit të vendit, Meteo France.

    Qytetet dhe lumenjtë francezë në Francën perëndimore u përmbytën gjatë fundjavës dhe banorët u evakuuan, sipas mediave lokale.

    Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimin për një person që u zhduk në lumin La Vienne të përmbytur të shtunën, raportoi gazeta La Depeche.

    La Vienne u ngrit të dielën në mbrëmje deri në 5.24 metra, dhe lumi Creuse u ngrit në 6.78 metra, duke tejkaluar rekordin e vitit 1982. (AA)

  • 43 vjet nga demonstratat e vitit 1981

    43 vjet nga demonstratat e vitit 1981

    Pas demonstratave të 11 marsit dhe 26 mars, më 1 e 2 prill 1981, në Prishtinë u organizua demonstrata më e madhe politike nga rinia e organizuar e asaj kohe, që ishte edhe fillimi i shkatërrimit të Federatës Jugosllave.

    Me kërkesat e demonstruesve: Kosova Republikë, Duam Liri, Barazi, Drejtësi, Duam Bashkim, të lirohen të burgosurit politike, e shumë kërkesa të tjera, u solidarizua i gjithë populli shqiptar i Kosovës e më gjerë, duke u organizuar më pas demonstrata nga rinia edhe në qytetet e tjera të Kosovës.

    Këto demonstrata po ashtu konsiderohen një frymë nacionaliste për krijimin e shteteve të pavarura kombëtare.

    Në foto Hydajet Hyseni, njëri nga organizatoret, me megafon në dorë, me kapelë e me mustaqe të kamufluara duke mbajtur fjalim mobilizues para masës popullore.

    Demonstratat e vitit 1981, më 11 mars, mandej më 24 mars, si dhe më 1 e 2 prill, ndodhën me tërë masivitetin, duke inkuadruar më në fund në mesin e studentëve edhe klasën punëtore atë kohë. Inkuadrimi nisi së pari individualisht me studentët, e u bë masovikisht me punëtorët e Kombinatit Ndërtimor “Ramiz Sadiku” në Prishtinë.

    Në ato ngjarje të rënda, por të lavdishme në historinë e popullit tonë, pushteti vrau 9 demonstrues, plagosi 15, e me qindra arrestoi e burgosi, ndëshkoi e dënoi me vite e vite burg të rëndë politik. Forcat e pushteti patën dy të vrarë dhe 17 të plagosur.

  • ​15 vjet nga hyrja e Shqipërisë në NATO

    ​15 vjet nga hyrja e Shqipërisë në NATO

    Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

    Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

    Paraqitja e parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s u bë në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndërsa një ditë më vonë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri gjatë së cilës atij iu akordua titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës.

    Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26 krerët e shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht, nëpërmjet të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin.

    Ky vendim erdhi pas mbylljes të ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes të një sërë reformave që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë.

    Më 25 prill 2008 Shqipëria dhe Kroacia nisën zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO. Agjenda e këtyre bisedimeve përfshinte çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore që të dy vendet trajtuan me ekspertët e Aleancës, me qëllim rikonfirmimin e vullnetit të tyre për të përmbushur në të ardhmen të gjitha detyrimet që lidheshin me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë.

    Nëpërmjet një serie takimesh dypalëshe midis ekipeve të ekspertëve të NATO-s dhe ekipeve të institucioneve shqiptare u trajtua dhe u konfirmua zyrtarisht interesi, vullneti dhe mundësitë e Shqipërisë për të plotësuar detyrimet dhe angazhimet politike, ligjore dhe ushtarake të anëtarësimit në NATO. Produkt final i këtyre diskutimeve ishte një kalendar me afate kohore për përmbushjen e kritereve dhe reformave të domosdoshme.

    Periudha e përgatitjes për anëtarësim shërbeu për intensifikimin e përpjekjeve nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të thelluar në të gjitha drejtimet reformën e mbrojtjes, duke përshpejtuar realizimin e prioriteteve sipas standardeve të NATO-s. Kështu, u punua me përparësi për plotësimin e kuadrit të dokumenteve bazë strategjike të rishikuara, si Strategjia Ushtarake, Plani Afatgjatë i Zhvillimit të FARSH 2007-2020, Udhëzimi për Planifikimin Strategjik 2008, etj.

    Më 9 korrik 2008, të 26 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan gjatë një ceremonie në selinë e NATO-s në Bruksel Protokollet e Anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë, akte këto juridike që i bashkëngjiten Traktatit të Uashingtonit duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm institucional për anëtarësimin e të dy vendeve në Aleancën Atlantike.

    Pas anëtarësimit në NATO, përpjekjet e Shqipërisë u fokusuan në transformimin e forcave të armatosura në një forcë me përmasa më të vogla, tërësisht profesioniste, e aftë për t’u dislokuar dhe e ndërveprueshme me NATO-n. Ky integrim dhe modernizimi i Forcave të Armatosura është shoqëruar me angazhimin për reduktimin e depove të municioneve, si dhe shkatërrimin e një sasie të madhe municionesh.

    Gjithashtu, Shqipëria zgjeroi kontributin e saj në operacionet e Aleancës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Afganistan, si në ISAF dhe Misionin Resolute Support, pas vitit 2014. Gjatë kësaj periudhe, me qindra ushtarakë shqiptarë shërbyen me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë dhe sakrifica në disa prej komandave rajonale të ISAF-it, duke përmbushur më së miri detyrat e ngarkuara nga komanda e ISAF-it.

    Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka rritur kontributin e saj në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në Kosovë. Shqipëria i ka kushtuar dhe kushton vëmendje të veçantë mbështetjes së bashkëpunimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe procesit politiko-ushtarak të ridimensionimit të rolit të KFOR-it në Kosovë.