ATV

Category: Lajme

  • Dy vjet pritje, s’pritet ndryshim në përmbajtjen e Kodin Civil

    Dy vjet pritje, s’pritet ndryshim në përmbajtjen e Kodin Civil

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas më shumë se dy vjetësh, për Projekt-Kodin Civil pritet të diskutohet në Kuvend, në qershor të këtij viti.

    Kjo nismë legjislative ishte kundërshtuar bindshëm nga disa deputetë, përfshirë edhe ata të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, me ç’rast kishte dështuar të miratohej.

    Por pritja për gjithë këtë kohë, nuk prite të sjell rezultat ndryshe.

    Qeveria si sponsorizuese e projekt-kodit, nuk ka bërë ndonjë ndryshim përmbajtësor që do të ndryshonte qëndrimin e deputetëve e do shtynte përpara votimin.

    “Nga diskutimet që i kemi me qeverinë nuk është thënë e do të ketë ndryshime përmbajtësore por do të jetë një rikthim i Kodit Civil ashtu siç ka qenë në rast se qeveria vendos në ndërkohë atëherë me siguri do të behte njoftimi publik, por deri më tani nuk ka pasur diskutim për plotësim ndryshime të versionit I cili më herët ka qenë në Kuvend”, tha shefja e GP të LV-së, Mimoza Kusari-Lila.

    Kjo po konsiderohet e pritshme nga monitoruesit e legjislativit. Përveç kësaj, ata japin edhe kritika për mungesë të dialogut me kundërshtuesit në Kuvend.

    “Duhet të kritikohen Ministria e Drejtësisë që nuk ka nxitur dialog qoftë përbrenda grupit parlamentar apo përbrenda kuvendit të tërësi që të josh deputetët e tjerë të partive politike sepse kemi të bëjmë me të drejta civile të qytetarëve dhe jo një dokument që përfaqëson bindjet apo përcaktimet ideologjike”, tha Arbër Thaçi nga IKD.

    Mospajtime dhe debate të ashpra e kishin përcjellë leximin e parë të projekt-Kodit Civil, në mars të 2022-tës, ku nuk arriti të miratohej, pasi mori 29 vota kundër, 28 për dhe katër abstenime. Të gjitha kritikat lidheshin me nenin që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

    Për t’u miratuar kjo nismë, pushtetit i duhen edhe votat e opozitës. Herën e kaluar, e gjithë leanca për Ardhmërinë e Kosovës ishte pozicionuar kundër projekt-kodit, sikurse edhe deputeti Mërgim Lushtaku i Partisë Demokratike.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Trepça” mbyll marsin me zero prodhim, humb 1 milion euro

    “Trepça” mbyll marsin me zero prodhim, humb 1 milion euro

    Përgatiti: Armand Hoti

    Njësia kryesore e ndërmarrjes “Trepça”, po e mbyll marsin me zero prodhim të koncentratit të plumbit dhe zinkut.

    Humbjet nga ndërprerja e prodhimit, sipas kryeshefit të ndërmarrjes, Bashkim Kurti, kapin një vlerë prej diku 1 milion eurove.

    “Është fitim i humbur, realisht diku një milion është humbja, në ditë i bie rreth 30 e ca mijë, apo 40 mijë euro humbje”, ka thënë Kurti.

    Puna në horizontet e Stan Tërgut u ndërpre për shkak të mungesës së furnizimit me eksploziv për thuajse tërë muajin.

    As flotacioni, ku xehja shndërrohet në koncentrat, nuk qe furnizuar me reagencat e nevojshme.

    Kryeshefi Kurti thotë se furnizimi me lëndë shpërthyese e reagenca mund të bëhet në javën që vjen.

    “Për eksploziv e dijmë që nuk kemi, por me fillim të javës së ardhshme na kanë premtuar se do furnizohemi. Reagenca diçka kemi marrë, ndërsa të martën apo të mërkurën pritet të nënshkruhet kontrata”, ka thënë Kurti.

    Profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, thotë se humbja e 1 milionshit do ta shtojë nevojën për intervenimin e Qeverisë në ndërmarrje.

    “1 milion euro mungesë të hyrave do të ketë pasoja jo vetëm mospagesën e detyrimeve të së kaluarës, punëtorët i kanë kontratat dhe ndërmarrja ka detyrim t’i paguaj pagat. Kjo do krijoj një gjendje ku Qeveria do duhet që sërish t’i subvencionoj pagat”, tha Qerimi.

    Sipas Qerimit, menaxhmentit dhe Qeverisë i duhet një plan i ri.

    “Do duhej që Qeveria të ulet bashkë me menaxhmentin, të krijoj një plan të qëndrueshëm të likuiditetit…dhe bashkë me menaxhmentit të prioritizojë pagesat të cilat pa tjetër duhet të kryhen”, tha Qerimi.

    Borgjet e ndërmarrjes ndaj furnitorëve kapin një vlerë prej rreth 6 milion eurove.

    Burime brenda ndërmarrjes, i thanë ATV-së, se nga miniera më e madhe e gjigantit metalurgjik, këtë muaj u eksploatuan vetëm rreth 800 tonë xehe, nga rreth 13 mijë sa ishin planifikuar.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ministria e Mjedisit kontrakton si ekspertë aktivistët e Vetëvendosjes

    Ministria e Mjedisit kontrakton si ekspertë aktivistët e Vetëvendosjes

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Për jetësimin e programit për banim të përballueshëm, për të cilin Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor tashmë ka hartuar projektligjin, janë angazhuar dhjetë ekspertë – disa prej tyre aktivistë të partisë në pushtet.

    Ekspertët e angazhuar përmes një tenderi, për 12 muaj do të përfitojnë nga 8400 deri në 11 mijë euro.

    Njëri nga ata që nënshkroi kontratë, i angazhuar si profesionist i fushës së ekonomisë është edhe Abdyl Gashi, ish-kryetar i degës së Vetëvendosjes në Artanë. Aktualisht ai është anëtar i kësaj partie.

    Gashi nuk i ka kthyer përgjigje televizionit as pas dy ditësh pritjeje.

    I angazhuar si ekspert i ndërtimit është edhe Ibrahim Ajupi, gjithashtu aktivist i Vetëvendosjes. Megjithatë, Ajupi tha se kjo nuk ka ndikuar në përzgjedhjen e tij. Ai shtoi se konkurrenca nuk ishte e madhe.

    “Unë jam inxhinier me shumë përvojë, kandidat në doktoratë dhe kam ekspertizë të madhe në projektim dhe menaxhim të projekteve. Mendoj që edhe po të kishte konkurrencë do të isha favorit në konkurs. Por pasi që nuk kishte interesim e as konkurrencë, nuk kisha as nevojë për favorizim, të jeni të sigurt që ishte thjesht një konkurrim i imi në një projekt në të cilin do të mundohem të jap kontribut”, tha Ajupi.

    Në tenderin që kap vlerën prej 100 mijë eurosh, kishte aplikuar edhe Donjeta Alloqi, e cila ishte diskualifikuar pas ankesave.

    “Ministria e Mjedisit, me 20 shkurt pezulloi lëndën dhe ktheu përgjigje për tre pjesëmarrësit të cilët janë ankuar. Dy prej tyre marrin përgjigje negative, ndërsa një tjetër i cili në vendimin e datës 14 shkurt ishte refuzuar sepse nuk e ka pasur dokumentacionin të kompletuar, duke i munguar “Deklarata nën Betim”, tani ministria thotë që personi në fjalë e paska pasur Deklaratën, por s’e kemi pa. Me këtë arsyetim (që duket banal) e bënë rishqyrtimin edhe një herë, ku mua më largojnë duke e shpërblyer personin në fjalë me kontratë”, ka thënë Alloqi.

    Meqë, nuk kishte shpresë se do ta fitojë lëndën, Alloqi vendosi të mos i ndjekë procedurat deri në fund.

    “Më 14 mars është refuzuar kërkesa ime, e cila është konsideruar si e pabazuar. Pas kësaj kam mundur t’i drejtohem OSHP-së, por nuk e kam bërë, sepse pas konsultimit me avokatin, nuk më dha shumë shpresë që mund të fitohet një lëndë e tillë. Nuk besoj që duhet ta theksoj se sa e dëshpëruar jam me gjithë këtë proces”, ka thënë më tej Alloqi.

    Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ktheu përgjigje se me çfarë kriteresh janë përfituar kontratat. Sidoqoftë, për të gjithë të kontraktuarit pritet t’i shpenzojë 105 mijë e 600 euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Murati paralajmëron “boom” të investimeve kapitale këtë vit

    Murati paralajmëron “boom” të investimeve kapitale këtë vit

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Ministri i Financave, Hekuran Murati po krenohet me investimet kapitale të vitit që lamë pas.

    Sipas tij, viti 2023 ishte përmbyllur me një rritje të tyre prej 33%, apo në total 561 milionë euro investime, nivel i cili nuk është arritur më parë.

    Por jo vetëm kaq. Murati po paralajmëron që në këtë vit, të ketë ngritje edhe më të lartë.

    “Lajmi akoma më i mirë është se trendi i vitit 2024 deri më tani tregon për performancë edhe më të mirë sesa viti 2023 dhe pritet që sivjet të kemi “boom” të investimeve kapitale”, ka thënë Murati.

    Krejt këto të dhëna, opozita po i quan manipulime. Deklaratat e shifrat prezantuara nga Murati po vlerësojnë të rreme.

    “Vlera e shpenzimeve kapitale e vitit 2023 është e ngjashme me nivelin e shpenzimeve kapitale të vitit 2012, kur buxheti i Kosovës ka qenë sa gjysma e atij të vitit 2023. Nëse e marrim parasysh inflacionin prej rreth 30% që nga viti 2012, atëherë e kuptojmë se investimet kapitale të vitit 2023 madje vlejnë më pak se ato të vitit 2012 për rreth 30% në terma real”, tha Arben Mustafa, koordinator i Departamentit për Financa në PDK.

    Sipas, anëtarit të kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi tij 349 milion euro ishin investimet kapitale në vitin 2023, e njëjtë edhe në 2017-tën.

    Madje Rukiqi po akuzon qeverinë Kurti edhe për nepotizëm.

    Buxheti i Kosovës për vitin 2024 është paraparë të jetë mbi 3 miliard e 300 mijë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Lajçak lë dialogun, pritet të emërohet ambasador i BE-së në Zvicër

    Lajçak lë dialogun, pritet të emërohet ambasador i BE-së në Zvicër

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Miroslav Lajcak pritet ta ndërrojë zyrën, por edhe angazhimin e tij, nga shtatori i këtij viti.

    Politikani sllovak që aktualisht shërben si i dërguar special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, po raportohet se do të emërohet ambasador i bllokut në Zvicër.

    Ai ndërmjetësoi në takimet mes Prishtinës e Beogradit për katër vjet, për çka ka kritika për punën e tij. Njohësi i dialogut, Gëzim Qerimi, thotë se Lajcak ishte i njëanshëm në këtë proces.

    Andaj, edhe përfundimi i mandatit në këtë post, nuk po vlerësohet se do të ketë ndonjë ndikim për dialogun.

    Gjatë kohës së tij, u arrit Marrëveshja Bazike për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në shkurt të vitit të kaluar, si dhe aneksi i saj në Ohër, një muaj më vonë.

    “nuk është që ka pas ndonjë efekt shumë të madh sepse s’ka diçka përveç arritjes së një marrëveshje, e cila po kontestohet nga të dyja palët dhe zbatimin e saj në praktikë nuk e kemi dmth që puna e tij nuk është se ka qenë jashtëzakonisht e mirë”, tha Arbnor Sadiku, njohës i dialogut.

    Arbnor Sadiku thotë se vetë posti i ri, është shenjë e vlerësimit të BE-së ndaj Lajcakut.

    “Vendet anëtare të unionit evropian për vetë faktin që ja kanë ndërruar pozicionin e tij në një vend praktikisht Zvicra nuk ka ndonjë telash të brendshëm politike”, tha Sadiku.

    Para postit si i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak ishte ministër i Jashtëm i Sllovakisë. Nëse e merr pozitën e re si ambasador në Zvicër, ai do t’i lë angazhimet në dialog, në muajin gusht. Ndërkaq ende nuk dihet më pas kush do të ulet në mes përfaqësuesve të Prishtinës e Beogradit, në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mbahet mesha e pashkëve katolike

    Mbahet mesha e pashkëve katolike

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Po i shtrëngojnë duart e po i urojnë njëri-tjetrit harmoni e paqe.

    Besimtarët krishterë në meshën e pashkëve nga katedralja Shën nënë Treza në Prishtinë uruan njësoj për të gjithë njerëzit e botës.

    “Është më të vërtetë një moment i bukur që të bashkëndajmë harenë dhe gëzimin dhe vullnetin tonë për paqe dhe dashurinë dhe të gjithë njerëzve që jetojnë në këtë vend duke i ftuar të gjithë të ndërtojmë së bashku harmoninë dhe paqen dhe të lutemi për paqen në botë për të gjithë ata njerëz që janë duke vuajtur nga lufta dhashtë Zoti që princi i paqes të shërojë zemrat e të gjithë njerëzve dhe të mos ketë më luftëra dhe vdekje të pa nevojshme”, tha ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.

    Të krishterëve, festën e pashkëve ua uroi edhe kryetari I kryeqytetit, Përparim Rama.

    “I uroj të gjithë besimtarët e krishterë , urime Pashkët, është, sot morëm pjesë në këtë ditë cermoniale, ditë e besimit të krishterë e cila na tregon për reflektim. është ri jetësim për paqe për harmoni, për lumturi ndaj njerëzve e për këtë arsye me nderu këtë ditë të madhe, ishim bashkë sot këtu me Kristalen, shfrytëzoj rastin të iu uroj të gjithëve besimtarëve krishterë, urime Pashkët, paqshit një jetë të gjatë, të lumtur me harmoni të mrekullueshme, jo vetëm për të krishterët por për te gjithë”, tha Rama.

    Pas meshës solemne nga ora 19:00 është planifikuar edhe pritja solemne në Qendrën “BogdaniPolis”, organizuar nga ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

    Ndërkaq, pashkët u kremtuan edhe të shtunën mbrëma. Ipeshkvia e Prishtinë- Prizren, organizoi meshën solemne që përkon me ringjalljen e Krishtit.
    Aty, në frymë të festës, u fol edhe për diplomaci.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Dalin imazhet e para të mbretit Charles që nga diagnoza e kancerit

    Dalin imazhet e para të mbretit Charles që nga diagnoza e kancerit

    Mbreti britanik Charles ka mbërritur në kishën e Shën Gjergjit në Kështjellën Windsor të dielën pasdite për festën e Pashkëve.

    Kjo është dalja e tij e parë publike që nga diagnoza e tij me kancer, siç pritej, Princesha Kate nuk do të jetë e pranishme në shërbimin e Pashkëve.

    Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja, Camila.

  • LVV e bindur se Kushtetuesja do të mundësojë Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

    LVV e bindur se Kushtetuesja do të mundësojë Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

    Lëvizja Vetëvendosje është optimiste që Kushtetuesja do të mundësojë Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Deputeti Adnan Rrustemi konsideron se është e pashembullt kohëzgjatja prej kur kjo gjykatë po merret me vlerësimin e kushtetueshmërisë së këtij ligji. Sipas tij, vonesat në shqyrtimin e projektligjeve kanë impakt të drejtpërdrejt në qeverisjen.

    Në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese nuk janë dhënë detaje se kur pritet vendimi, veçse thuhet se kjo lëndë është duke u shqyrtuar.

    “Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Sapo të merret vendimi, për këtë do të njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim dhe Informim të Gjykatës Kushtetuese.

    Gjykata Kushtetuese duhet të trajtojë brenda dy muajve një projektligj, kështu thotë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

    Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi deklaron se janë adresuar tri rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe se po presin që Kushtetuesja të mundësojë zbatimin e këtij ligji.

    Edhe avokati Ardian Bajraktari konsideron se kohëve të fundit ka numër të madh të nismave legjislative, të cilat po adresohen në Gjykatë Kushtetuese.

    Miratimi i këtij ligji mundëson krijimin e mekanizmit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Verifikimi i pasurisë do të bëhet për të gjithë ata zyrtarë që ekzistojnë dyshimet se kanë fituar pasurinë kundërligjshëm.

    Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është miratuar në shkurt të vitit të kaluar, ku ka marrë përkrahjen e 66 deputetëve. Më pas, Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë. /kp

  • Ministrja Gërvalla në komunat arbëreshe të Kalabrisë në vigjilje të Pashkëve

    Ministrja Gërvalla në komunat arbëreshe të Kalabrisë në vigjilje të Pashkëve

    Zëvendëkryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla bashkë me Zëvëndësministren, Liza Gashi dhe Ambasadoren e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim ka vizituar komunat arbëreshe në rajonin e Kalabrisë duke zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Komunës Shën Sofia, Daniele Attanasio Sisca, kryetarin e Komunës Strigari, Damiano Baffa dhe atë të Shën Mitrit, Ernesto Madeo, i cili njëherit është edhe Komisioner i Fondacionit të Institutit Rajonal të Komunitetit arbëresh të Kalabrisë.

    Gjatë këtyre takimeve Ministrja Gërvalla vlerësoi lartë rolin historik të këtyre komunave në ruajtjen dhe promovimin e identitetit, kulturës dhe gjuhës së tyre përgjatë më shumë se 500 vite.

    Identifikimi i nevojave dhe mundësive reale për bashkëpunim në projekte konkrete mes Republikës së Kosovë, përkatësisht komunave të Kosovës dhe komunave arbëreshe në Kalabri, në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore si dhe rritjes së bashkëpunimit në shkëmbime tregtare mes dy vendeve.

    Gjatë qëndrimit në komunat arbëreshe të Kalabrisë, Ministrja Gërvalla vizitoi shtëpinë e themeluesit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Jeronim De Rada, shtëpinë e poetit Zef Serembe, kishën dhe kolegjin e Shën Adrianit, kishën e Shën Thanasit, kishën e Shën Kosmait dhe Damianit, famullinë e Shën Mitrit ku së bashku me komunitetin arbëreshë mori pjesë në meshën e së premtes së shenjtë.

    Gjatë vizitave Ministrja Gërvalla shprehu falënderimet e saj për mikpritjen dhe dashamirësinë e pranuar nga motrat dhe vëllezërit arbëresh dhe u shprehë që së shpejti do të takohen në Kosovë për të konkretizuar projektet për të cilat u diskutua gjatë takimeve në komunat arbëreshe të Kalabrisë.

  • Prishtinë: Shoferi i kamionit për grumbullimin e mbeturinave godet kolegun e tij, pëson lëndime të rënda trupore

    Prishtinë: Shoferi i kamionit për grumbullimin e mbeturinave godet kolegun e tij, pëson lëndime të rënda trupore

    Punëtori i një kompanie në Prishtinë, derisa ishte duke e vozitur kamionin për grumbullimin e mbeturinave, e ka goditur punëtorin e kompanisë.

    Policia njofton se viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar në QKUK, ndërsa i dyshuari fillimisht është arrestuar e më pas është liruar në procedurë të rregullt.

    “AKSIDENT TRAFIKU – Rr. Tahir Zajmi, Prishtinë 30.03.2024-08:00. I dyshuari mashkull kosovar, punëtor i një kompanie, deri sa ishte duke drejtuar automjetin (kamion për grumbullimin e mbeturinave) nga pakujdesia ka goditur punëtorin e kompanisë, viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar në QKUK. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”