ATV

Category: Lajme

  • Zemaj në ceremoninë e 75-vjetorit të NATO-s: Nder të jem pjesë e kësaj ngjarjeje historike

    Zemaj në ceremoninë e 75-vjetorit të NATO-s: Nder të jem pjesë e kësaj ngjarjeje historike

    Ambasadori i Kosovës në NATO, Astrit Zemaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 75-vjetorit të themelimit të kësaj aleance ushtarake.

    Ai duke shprehur vlerësim për pjesëmarrjen, ka shpërndarë fotografi ku shihet afër me Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberb.

    “Nder i madh të isha sot pjesë e kësaj ngjarjeje historike për ta shënuar 75-vjetorin e NATO-s, aleancës më të suksesshme dhe më të fortë në histori”, ka shkruar Zemaj.

    “Kosova është gjithmonë falënderuese ndaj NATO-s për lirinë dhe paqen, për KFOR-in, për shërbimin dhe angazhimin vetëmohues përgjatë 25 vjetëve”.

  • Kosova pajtohet me propozimin e BE-së për dinarin, Serbia kërkon kohë shtesë

    Kosova pajtohet me propozimin e BE-së për dinarin, Serbia kërkon kohë shtesë

    Kosova është pajtuar me propozimin e emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslan Lajçak, sa i përket çështjes së dinarit, ndërsa Serbia ka kërkuar kohë shtesë, ka thënë pas takimit në Bruksel, kryenegociatori Besnik Bislimi.

    Të enjten u takuan kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për dinarin. Kryenegociatori serb Petar Petkoviq ka thënë se s’ka pasur marrëveshje. Ishte takimi i katër për një muaj rreth kësaj çështje.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se janë pajtuar me propozimin e Lajçakut, ndërsa Serbia nuk ishte e gatshme të bënte kompromis.

    “Ky takim është caktuar me idenë që palët të reflektojnë, gjegjësisht pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk kanë pasur kompetenca në vendimmarrje. Javën e kaluar i është bërë e qartë palës serbe se takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse vijnë me ide për kompromis. Fatkeqësisht, edhe sot kemi pas dallime të mëdha. Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet me të cilat qytetarët serbë mund të marrin mbështetje financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka vepruar si avokate e Bankës së Postës serbe dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes e palëve të përfshira. Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçaku ka nxjerr një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së”, ka thënë Bislimi pas takimit.

    Takimi i radhës do të mbahet në Bruksel pas dy javëve.

    E kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, ka thënë se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.

    “Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, ka theksuar ai.

    Ai i bëri këto deklarata pas takimit trepalësh mes tij dhe kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

  • ​Nuk ka marrëveshje në Bruksel për dinarin, pritet edhe një takim

    ​Nuk ka marrëveshje në Bruksel për dinarin, pritet edhe një takim

    Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë, as pas takimit të tretë radhazi të enjten në Bruksel, tha kryenegociatori serb, Petar Petkoviq.

    Duke folur për gazetarë në kryeqytetin belg, Petkoviq tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.

    “Ne përsëritëm edhe një herë qëndrimin dhe propozimin tonë, i cili është i balancuar dhe nënkupton një zgjidhje kompromisi. Nga ana tjetër, nuk kishte vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës. Nuk do të flas më shumë për këtë, duke qenë se do të ketë një takim tjetër për këtë temë”, tha ai.

    Ai i bëri këto deklarata pas takimit trepalësh mes tij dhe kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

    Në takimin e kaluar në Bruksel, Petkoviq kishte thënë se pala serbe do të përpiqet që të vazhdojë funksionimi i bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimora e Postës, në mënyrë që serbët të marrin pagat, pensionet dhe ndihmën tjetër.

    Petkoviq theksoi gjithashtu se pret që Lajçaku të bëjë një ftesë të re për diskutime për pagesat brenda dhjetë ditëve.

    “Më pas do të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, shtoi ai.

    Ai përsëriti se kjo çështje do të ishte e zgjidhur, sikur të ekzistonte Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Të enjten më herët në mëngjes, Lajçak e zhvilloi një takim dypalësh me kryenegociatorin serb Petkoviq.

    Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

    Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, shpresonte se do të tejkaloheshin dallimet në qasje mes palëve dhe të arrihej një zgjidhje, sipas së cilës qytetarët serbë në Kosovë do të mund të vazhdojnë t’i pranojnë beneficionet nga shteti serb./REL/

  • Ende pa rrymë shumë lagje në Prishtinë, deklarohet KEDS-i

    Ende pa rrymë shumë lagje në Prishtinë, deklarohet KEDS-i

    Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike, KEDS, ka njoftuar para pak çastesh se prishja në nënstacionin Prishtina 3 vazhdon.

    KEDS ka njoftuar se ka angazhuar dhjetëra punëtorë që të rikthejë në punë sa më shpejt Nënstacionin Prishtina 3 të KOSTT-it.

    Megjithatë, nuk ka treguar se kur janë gjasat që rryma të kthehet.

    “Ekipet tona tashmë kanë përgatitur asetet e KEDS-it dhe jemi në pritje të përfundimit të punimeve nga ana e KOSTT-it, të cilët gjithashtu janë në vlugun e punës që ta rikthejnë sa më shpejt energjinë elektrike”, njoftoi KEDS-i.

  • Dërgohet në mbajtje gruaja që sulmoi fizikisht dy gazetaret

    Dërgohet në mbajtje gruaja që sulmoi fizikisht dy gazetaret

    Është arrestuar gruaja që sulmoi gazetaret Lindita Berisha dhe Fjolla Hyseni të mërkurën në ‘Rrugën C’,  në Prishtinë, derisa Prokuroria Themelore në Prishtinë, njoftoi se ajo është dërguar në mbajtje, për 48 orë.

    Sipas komunikatës së Prokurorisë, e njëjta dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Kanosje dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me sulmin ndaj të dëmtuarave-gazetareve se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe grumbullimit të provave shtesë, si dhe riintervistimit të njërit nga të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e M.B., e dyshuar për shkak të veprave penale “Kanosja” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, sipas KPRK-së. E njëjta është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa është intervistuar edhe një person i dyshuar i përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

    Po ashtu, në këtë çështje penale sipas prokurorisë janë marrë deklaratat e palëve të dëmtuar dhe në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime të tjera hetimore.

    LEXONI EDHE:

    Sulmohen fizikisht dy gazetare në Prishtinë

  • Në BE arrihet marrëveshje për planin 6 miliardësh për rritje ekonomike në Ballkan

    Në BE arrihet marrëveshje për planin 6 miliardësh për rritje ekonomike në Ballkan

    Parlamenti Evropian (PE) dhe Këshilli i Bashkimit Evropian, të cilat përfaqësojnë 27 vendet anëtare të bllokut, kanë arritur marrëveshje të enjten për tekstin e vendimit për planin e BE-së për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, konfirmuan zyrtarët evropianë.

    Negociatorët e Parlamentit Evropian, Tonino Picula dhe Karlo Resler, thanë se me këtë marrëveshje sigurohen 6 miliardë euro për reforma serioze ekonomike dhe strukturore, përmes së cilave vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shënojnë përparim më të madh në procesin e integrimeve evropiane.

    Nga 6 miliardë euro, 2 miliardë do të jepen si grante pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme.

    Negociatat ndërmjet këtyre dy institucioneve të BE-së u zhvilluan nën një presion të madh kohor.

    Tani, për miratimin formal të këtij plani duhet të votojë edhe Parlamenti Evropian. Kjo pritet të ndodhë në seancën e fundit plenare para se të shpërbëhet Parlamenti Evropian në prag të zgjedhjeve të reja që zhvillohen në qershor.

    Për shkak të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në qershor, seancat e fundit plenare do të mbahen nga 21 deri më 24 prill.

    Nëse plani dështon të votohet deri atëherë, ai do t’i mbetet në dorë përbërjes së re të Parlamentit Evropian, pra kah fundi i këtij viti.

    Sipas marrëveshjes, vendet e rajonit për të përfituar nga kjo paketë e ndihmës financiare duhet t’i përmbushin një varg kriteresh jo edhe aq të lehta.

    Në mesin e tyre janë kriteret bazike të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrja e hapave të domosdoshëm për të garantuar se mjetet nuk do të keqpërdoren.

    Pos kritereve që kanë të bëjnë me reforma dhe sundimin e ligjit, ka edhe kritere të natyrës politike.

    Për Kosovën dhe Serbinë parakusht tjetër do të jetë angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre me qëllim të zbatimit të plotë të obligimeve përkatëse që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksit për zbatimin, që u arritën më 2023 nën ndërmjetësimin e BE-së.

    Ndërkohë, është tejkaluar mospajtimi rreth kushtëzimit apo jo të këtyre mjeteve me përshtatjen me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Ka dominuar qëndrimi i Komisionit Evropian dhe një numri më të madh të shteteve anëtare se ky nuk duhet të jetë parakusht specifik./REL/

  • Përfundon takimi trepalësh në Bruksel për dinarin

    Përfundon takimi trepalësh në Bruksel për dinarin

    Ka përfunduar një takim trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petak Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ku u bisedua për gjetjen e një zgjidhjeje për pagesat me para të gatshme në Kosovë në valutën dinar, e cila u ndalua dy muaj më parë.

    Palët pritet t’u adresohen mediave pas këtij takimi.

    Të enjten më herët në mëngjes, Lajçak e zhvilloi një takim dypalësh me kryenegociatorin serb Petkoviq.

    Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pret që të tejkalohen dallimet në qasje mes palëve dhe të arrihet një zgjidhje, sipas së cilës qytetarët serbë në Kosovë do të mund të vazhdojnë t’i pranojnë beneficionet nga shteti serb. /REL/

  • Nagavci: Subvencionimi i drejtpërdrejtë e shmang praktikën e kontratave njëburimore

    Nagavci: Subvencionimi i drejtpërdrejtë e shmang praktikën e kontratave njëburimore

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit MAShTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se akuzat nga opozita lidhur me subvencionimin për blerjen e librave, janë të pavërtetë dhe se sipas saj nuk ka pasur asnjë ankesë lidhur me furnizime me libra, raporton Ekonomia Online.

    Nagavci ka thënë se mënyra e subvencionimit të drejtpërdrejtë e shmang mënyrën e praktikave të mëhershme që sipas saj ishin dhënë me kontrata njëburimore.

    “Kemi punuar intensivisht që të gjitha këto shkelje të pamundësohen. Dhe po është e vërtetë që ia kemi arritur dhe jam shumë e kënaqur. Po, kemi filluar subvencionimin e drejtpërdrejtë. Kjo mënyrë shmang praktikën e kontratave njëburimore. Ndonëse kërkesa e PDK-së për komision hetimor është e bazuar krejtësisht në të pavërteta dhe pasaktësi, unë personalisht, mezi presim themelimin e këtij komisioni dhe të flasim për këtë temë. Duhet hetuar të gjitha abuzimet për keqpërdorime që kanë ndodhur ndër vite në kohën kur PDK-ja udhëhiqte me Ministrinë e Arsimit. Ne nuk kemi asnjë raport, asnjë kërkesë, asnjë ankesë nga asnjë drejtori e cila thotë se nuk janë furnizuar fëmijët me libra, ose se kanë mungesa”, ka deklaruar Nagavci.

    “Më vjen shumë mirë që në Kuvend po diskutohet për tekstet shkollore. Është me rëndësi të diskutojmë për përmbajtjen, për furnizimin me tekste shkollore nga viti 2008. Për 10 vite fëmijët tanë kanë mësuar me tekste që kanë pasur pasaktësi, diskriminim në baza gjinore të cilat kanë nxitur paragjykime. Personave me sindromin Down u referoheshin me terma idiot, e persona që nuk jetojnë më shumë se 10 apo 16 vjet. Libri i Sociologjisë shkruante se Kosova ende qenka nën administrimin e UNMIK-ut. Libri i Edukatës Qytetare autorët e definonin familje si e mangët, për familjet pa njërin prindër. Në librat që kanë mësuar fëmijët tanë në shkollën fillore u është caktuar ta përmendin datën e pavarësisë së Kosovës, përderisa 17 shkurti nuk ka qenë aty. Këto anomali janë denoncuar, por asnjëherë nuk janë trajtuar nga Ministria e Arsimit e as nga qeveritë”, tha ajo.

    “Proceset janë përcjellur me shumë dyshime për keqpërdorime. Është raportuar për keqmenaxhim e keqpërdorim të buxhetit ndër vite. Kemi parë fotografi e korridore të mbushur me libra. Brenda një viti të vetëm janë keqpërdorur më shumë se 500 mijë euro. Në 2008-2022 nuk është zhvilluar asnjë analizë, apo vlerësim për procedurat e shpërndarjes së librave”, deklaroi Nagavci.

  • Haxhiu: 31 mjetet transportuese që u konfiskuan pas sulmit terrorist në Banjë, iu dhanë në shfrytëzim Policisë

    Haxhiu: 31 mjetet transportuese që u konfiskuan pas sulmit terrorist në Banjë, iu dhanë në shfrytëzim Policisë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se 31 mjetet transportuese që janë konfiskuar në Banjë të Zveçanit pas sulmit terrorist të vitit të kaluar ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, iu janë dhuruar Policisë së Kosovës për shfrytëzim, raporton EO.

    Haxhiu ka thënë se këto mjete i janë dhënë për përdorim Policisë së Kosovës.

    “Para pak kohës, Agjencia për Konfiskim dhe Menaxhim të Pasurisë së Sekuestruar apo të konfiskuar ka pranuar vendimin e Gjykatës që ndërlidhet me konfiskimin e 31 mjeteve transportuese të cilat ndërlidhet me rastin që po hetohet nga Prokuroria Speciale, pra rasti Banjska. Pra janë 31 mjete të konfiskuara dhe të cilat Ministria e Drejtësisë ia ka dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës për nevojat të cilat i ka”, u shpreh ajo.

    “31 mjete transportuese i janë konfiskuar Milan Radoijiçiqit me vendim te Ministrisë së Drejtësisë, te njëjtat i janë dhënë për përdorim Policisë së Kosovës për nevojat e tyre. Jemi te befasuar se si ende pas sulmit ne Banjskë, nuk ka aktakuzë për kryekrimineli Millan Radojiçiq dhe grupin e tij. Unë i bashkohem thirrjes se kryeministrit, Serbia duhet ta ekstradojë Millan Radojiçiqin dhe grupin e tij, që të njëjtit të dalin para drejtësisë, sepse ata tashmë janë vendosur edhe në listën e Interpol-it”, ka deklaruar Haxhiu.

    Haxhiu të mërkurën ka njoftuar se ka nisur zbatimi i urdhrit ndalues përfundimtar me masë të përkohshme lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin “Banjska”.

    Ajo ka thënë se Agjencia e Administrimit të Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar ka nisur identifikimin e pasurive të përmendura në urdhër, duke përfshirë edhe vilën që konsiderohet të ketë qenë e Milan Radojiçiq.

  • Stoltenberg: NATO-ja ka rol historik në Ballkan

    Stoltenberg: NATO-ja ka rol historik në Ballkan

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka mbajtur të enjten në mëngjës nga Brukseli, një fjalim për nder të 75 vjetorit të themelimit të Aleancës veri Atlanike.

    Me këtë rast, ai përmendi dhënien fund të luftës në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë në vitet 90-ta të shekullit të kaluar.

    Stoltenberg tha se NATO-ja ka një rol historik në Ballkan.

    “Kur përfundoi Lufta e Ftohtë, NATO-ja ndihmoi të përfundojnë dy konflikte brutale –etnike në Ballkan. Kurse më 2001, pas sulmeve të 11 shtatorit, ne thirrëm artikullin 5 (pesë) të Traktatit të Uashingtonit, që thotë se sulmi ndaj një aleati është sulm në të gjithë”, tha Stoltenberg, në nisje të takimit të ministrave të punëve të jashtme të 32 vendeve anëtare të NATO-s, që zhvillon punimet më 4 dhe 5 prill.