ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet një 20-vjeçar në Ferizaj, ishte i kërkuar për ‘dhunim’

    Arrestohet një 20-vjeçar në Ferizaj, ishte i kërkuar për ‘dhunim’

    Është arrestuar një 20-vjeçar në Ferizaj i cili po kërkohej për veprën penale “dhunim” me dënim burgimi prej 18 muajve.

    Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari me iniciale E.H., është arrestuar në rrugën “Driton Islami”

    Pas kompletimit të dokumentacionit, i dyshuari është dërguar në vuajtje të dënimit.

  • ​Kurti: Beteja e Koshares përcjell imazhin e pothuajse tërë luftës së Kosovës

    ​Kurti: Beteja e Koshares përcjell imazhin e pothuajse tërë luftës së Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se panorama e madhe e historisë së Betejës së Koshares përcjell imazhin e pothuajse tërë luftës së Kosovës, derisa shtoi se nga kushtrimi dhe beteja për liri vjen çlirimi dhe krijohet shteti.

    Në seancën solemne të mbajtur sot në nderim të 25 vjetorit të Betejës së Koshares, Kurti ka deklaruar se në luftimet e kësaj beteje janë të përfshirë luftëtarë dhe njësite nga të gjitha zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë.

    Kurti potencoi se në mes të këtij viti do të përmbushet një çerekshekull prej kur Kosova dhe populli i saj u çliruan nga Serbia pushtuese dhe regjimi kriminal e terrorist i Beogradit.

    “Zhvillimet e së kaluarës, qoftë edhe të saj para pak vitesh sot i shohim si procese historike e i lexojmë si histori në të tashmen. Kjo është arsyeja kryesore pse një histori e para 25 viteve na ka mbledhur sot këtu në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës në këtë seancë solemne për 25 vjetorin e Betejës së Koshares. Në mes këtij viti do të përmbushet një çerekshekull prej kur vendi ynë Kosova dhe populli i saj u çliruan nga Serbia pushtuese dhe regjimi kriminal e terrorist i Beogradit… Beteja e Koshares zgjati mes luftimesh nga 9 prilli e do të mund të thoshim deri më 10 qershor të vitit 1999. Pranoma e madhe e historisë së Betejës së Koshares përcjell imazhin e pothuajse tërë luftës së Kosovës si në një format miniature. Aty e shohim se ne luftimet e betejës së Koshares, janë të përfshirë luftëtarë dhe njësite nga të gjitha zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe nga të gjitha trevat e banuara me shqiptarë. I shohim të përfshirë me gryka artilerie dhe ushtarët shqiptarë të divizionit të Kukësit, ndërsa në qiell i shohim avionët bombardues të NATO-s që hidhnin predha mbi caqet e ushtrisë së Serbisë e që quhej aso kohe Jugosllavi e Millosheviqit”, tha Kurti.

    Përveç këtyre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti potencoi se liria e brendshme e popullit është parakushti më total i çlirimit nga okupatorët e jashtëm dhe mundësia më reale e shtet formimit integral.

    Kurti tha se gjatë betejës së Koshares, në radhët e Ushtrisë së Serbisë luftonin edhe mercenarë rus, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftonin edhe luftëtarë nga Evropa dhe jo vetëm.

    Ai ka shprehur mirënjohje dhe lavdi për të gjithë dëshmorët dhe të plagosurit në betejat për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

    “Në betejën e Koshares, teksa në radhën e Ushtrisë së Serbisë luftonin edhe mercenarë rus, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftonin edhe luftëtarë nga Evropa dhe jo vetëm. Liria e brendshme e popullit është parakushti më total i çlirimit nga okupatorët e jashtëm dhe mundësia më reale e shtet formimit integral. Nga kushtrimi dhe beteja për liri vjen çlirimi e krijohet shteti. Andaj, nga Kuvendi i Kosovës sot u shprehim mirënjohje të thellë të gjithë luftëtarëve të lirisë që morën pjesë në luftimet e betejës së Koshares nga të cilët 380 u plagosën. Lavdi 114 dëshmorëve të rënë në betejën e Koshares dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë mbarë”, theksoi Kurti.

    Ndryshe në Betejën e Koshares, ranë 114 dëshmorë të Kombit, prej të cilëve ka të dekoruar me Urdhrin Hero i Kosovës.

    Në këtë betejë kishin marrë pjesë edhe vullnetarë ndërkombëtar, shtetas të huaj nga: Italia, Franca etj./kp

  • Iftari i deputetëve të VV’së, u ftuan edhe Kurti edhe Osmani s’shkuan “për shkak të agjendës”

    Iftari i deputetëve të VV’së, u ftuan edhe Kurti edhe Osmani s’shkuan “për shkak të agjendës”

    Kryeministri Albin Kurti e as ministra të tij nuk kanë marrë pjesë në iftarin e sivjetmë që kanë shtruar disa prej deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ndryshe nga viti i kaluar. Bëhet fjalë për deputetët që i kanë dalë kundër lidhur me dy projektligje shumë të rëndësishme, Projekt-Kodin Civil dhe Projektligjin për Fertilizim të Asistuar Mjekësor. Ftesë për këtë iftar ka pasur edhe Presidentja Vjosa Osmani, por as ajo nuk ka shkuar.

    Në një restaurant në Obiliq, të martën është shtruar iftar nga disa prej deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, me pikëpamje më të shquara fetare. Deputetët Gramos Agusholli, Fjolla Ujkani, Labinotë Demi-Murtezi, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani kanë mbledhur atë natë familjarë, miq e kolegë të tyre. Salla shihet të ketë qenë plot.

    Një iftar të tillë e kishin shtruar edhe vjet, ku kishin marrë pjesë edhe Kryeministri Albin Kurti, Shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lila, si dhe ministra. Madje, kishte mbajtur edhe një fjalim. Sivjet, në fotografitë që kanë shpërndarë vetë deputetët, nuk shihet asnjëri prej tyre.

    Visar Korenica, një prej deputetëve që e ka shtruar këtë iftar ka konfirmuar për Gazetën Express se kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani kanë pasur ftesa për këtë iftar.

    Korenica thotë se shkaku i agjendës nuk kanë marrë pjesë.

    “Po, kanë qenë të ftuar Presidentja dhe Kryeministri ku kanë falënderuar për ftesën, por për shkak të agjendës kanë kërkuar falje për mospjesëmarrje”, ka deklaruar Korenica për Express.

    Sipas agjendës që u kishte përcjellë mediave Zyra e Kryeministrit të hënën, Kurti nuk kishte ndonjë angazhim pas mbledhjes së Qeverisë për të martën, që është mbajtur në orën 14:30.

    Ndryshe, këta deputetë kanë dalë kundër për disa projekltligje të rëndësishme që pushteti s’po arrin t’i kalojë pa votat e tyre.

    Ata janë shprehur kundër Projekt-kodin Civil dhe Projektligjit për Fertilizim të Asistuar Mjekësor. Saherë që këto projektligje kanë shkuar për votim në Kuvend, këta deputetë bashkë me disa të tjerë kanë votuar kundër ose nuk kanë marrë pjesë fare në votim.

    Në fotografitë e publikuara, shihet se pjesëmarrës në këtë iftar kanë qenë Myftiu Naim Tërnava, ish-Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani e hoxha Shefqet Krasniqi.

  • Berisha: Kosharja i hapi rrugë pavarësisë së shtetit të Kosovës

    Berisha: Kosharja i hapi rrugë pavarësisë së shtetit të Kosovës

    Hisen Berisha nga Grupi Parlamentarë i Partisë Demokratike të Kosovës ka uruar përvjetorin jubilarë të Betejës së Koshares.

    Berisha në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës tha se Kosharja i dha një dimension të sigurtë fitores së lirisë ndaj siç tha ai, krimit të barbarisë serbe mbi popullin shqiptar.

    “Në emrin tim dhe deputetëve të Grupit Parlamentarë të PDK-së, lidershipit të saj prezent dhe atyre që janë në Hagë për ta mbrojtur pastërtinë e luftës dhe shtetit tonë Republikën e Kosovës, të i’u urojë sot në përvjetorin jubilar të Betejës së lavdishme në Koshare. Koshares që i dha një dimension të sigurtë fitores së lirisë ndaj krimit shtetëror dhe barbarisë serbe mbi shqiptarët, për t’i hapur rrugën pavarësisë së shtetin tonë Kosovës. Koshares që e mposhti atë ushtrinë hyjnore siç e cilësonte regjimi i Millosheviqit duke ia marrë që në sulmin e parë kazermën ushtarake në Koshare, për të vazhduar me luftimet në Qafë të Morinës”, tha deputeti i PDK-së në foltoren e Kuvendit.

  • ShSKUK: Për herë të dytë është kryer ndërprerja e gjakderdhjes masive nga stomaku me metodat e reja

    ShSKUK: Për herë të dytë është kryer ndërprerja e gjakderdhjes masive nga stomaku me metodat e reja

    Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka bërë të ditur se në Klinikën e Gastroenterologjisë, Njësia Endoskopisë, për herë të dytë është kryer ndërprerja e gjakderdhjes masive nga stomaku me metodat më të reja endoskopike, siç është “Ovesco Klip”.

    Në njoftim thuhet se kjo procedurë është kryer tek pacientja femër, 73-vjeçare, me inicialet L.S.

    “Gjendja e pacientes është stabile dhe procedura është kryer pa komplikime”.

    “‘Ovesco Clip’ është një pjesë akcesore endoskopike inovative që siguron një kapje dhe komprimim të fortë të indeve pa shkaktuar ishemi ose çarje,i cili përdoret gjerësisht për mbylljen e defekteve jatrogjene gastrointestinale, perforimeve dhe gjakderdhjeve gastrointestinale”, thuhet në njoftim.

  • Maqedoni e Veriut, ndalohet një kosovar për kontrabandim të mallrave

    Maqedoni e Veriut, ndalohet një kosovar për kontrabandim të mallrave

    Një kosovar është ndaluar në Straçin të Kratovës në Maqedoni të Veriut për kontrabandim të mallrave.

    Në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut thuhet se në veturën me targa të Kosovës që ishte duke e vozitur personi në fjalë janë gjetur dhe konfiskuar një sasi e madhe mallrash të ndryshëm akcizë, për të cilat nuk ka pasur asnjë dokumentacion dhe as të paguar taksa doganore.

    Malli dhe vetura janë konfiskuar dhe i janë dorëzuar zyrtarëve policorë në Kumanovë për procedurë të mëtutjeshme. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj kosovarit do të ngrihet një kallëzim përkatës.

  • Kadrijaj: Në front u mobilizuan qytetarë nga fshati e qyteti mjekë, mësues që i dolën zot vendit

    Kadrijaj: Në front u mobilizuan qytetarë nga fshati e qyteti mjekë, mësues që i dolën zot vendit

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 25 vjetorin e Betejës së Koshares, ka thënë se në front u mobilizuan qytetarë nga fshati e qyteti mjekë, mësues, të tjerë nga diaspora që i dolën zot vendit, raporton EO.

    “ Kufiri që ndau vëllezërit e një gjaku dhe një gjuhe, Epopeja e UÇK-së e në fillimin e muajt mars në Prekaz ra për të mos vdekur kurrë komandanti Adem Jashari, për të vazhduar në Epopenë e Dukagjinit dhe në gjithë Kosovën. Ishte e vetmja formë e përgjigjes, lufta e armatosur. Në front u mobilizuan qytetarë nga fshati e qyteti mjekë, mësues, tjerë nga diaspora që i dolën zot vendit. Ishte bekim që kishim përkrahjen edhe nga Shqipëria. Nuk ka ndjenjë më të mirë se mu beku me flamurin kuq e zi. Unë ushtar i UÇK-së betohem se do luftoj për çlirimin e tokave shqiptare do jem përherë besnik vigjilent e i disiplinuar i gatshëm në çdo kohë do luftojë për të mbrojtur atdheun. Të gatshëm ishim edhe ne mjekët në natë të errët dhe acar ecëm për të mos u vërejtur nga forcat e armikut”, ka thënë Kadrijaj.

    Deputetja Kadrijaj ka shtuar se për ne të gjallët më e pakta që mund të themi është nderim për heronjtë e këtij vendi Kosova është amanet i dëshmorëve”,

    “Kohët e vështira sjellin njerëz të zotë e njerëz të zotë kohët e mira. Përballë rrugës ranë mbi 423 të plagosur ndanë jetën me vdekjen për t’i dhënë lirinë Kosovës. Për ne të gjallët më e pakta që mund të themi është nderim për heronjtë e këtij vendi Kosova është amanet i dëshmorëve”, ka shtuar Kadrijaj.

  • Sulmohen fizikisht dy gazetare në Prishtinë

    Sulmohen fizikisht dy gazetare në Prishtinë

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar si të papranueshëm një sulm fizik ndaj dy gazetareve të një portali lokal në Prishtinë të mërkurën, duke e cilësuar atë si kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve.

    Gazetaret e portalit Lajmi.net, Fjolla Hyseni dhe Lindita Berisha, u sulmuan fizikisht të mërkurën nga një çift në Rrugën C në kryeqytet, sipas AGK-së dhe portalit.

    Portali e publikoi një video e cila shfaq një grua dhe një burrë duke iu vërsulur gazetareve në fjalë dhe duke tentuar t’ua ndalojë xhirimin atyre.

    Sipas portalit Lajmi.net, gazetaret e tij u sulmuan “pasi që taksi në të cilin ndodheshin gazetaret ua kishte bllokuar rrugën atyre, dhe të njëjtit kishin filluar që ta sulmonin fizikisht taksistin”.

    Lajmi.net tha se e ka paraqitur rastin në Polici.

    AGK-ja u bëri thirrje Policisë dhe Prokurorisë t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në mënyrë urgjente, për të adresuar sulmin që ka ndodhur.

    Asociacioni i Gazetarëve i regjistroi 10 rasteve të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në vitin 2023.

    Në fund të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë i dënoi me nga dy vjet burgim tre të akuzuarit për sulm ndaj gazetarit Valon Syla.

    Ata u dënuan për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.

    Vitin e kaluar, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2022 regjistroi 33 raste, ku gazetarët ishin viktima të dhunës fizike, të sulmeve apo kërcënimeve ndërkaq në vitin 2021 u regjistruan 29 raste të tilla.

    Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, në raportin e publikuar në vitin 2023 për të drejtat e njeriut në botë, përmendi “reagimin e dobët të organeve të shtetit” ndaj “çështjes së keqtrajtimit të gazetarëve në Kosovë”.

    Në raportin për vitin 2022, organizata Gazetarët Pa Kufij e radhiti Kosovën në mesin e vendeve problametike sa u përket lirisë së mediave.

    Në indeksin që përfshin 180 vende, Kosova radhitet në vendin e 56-të – një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin paraprak.

  • LDK: Do të vazhdojnë të hedhim dritë mbi manipulimin dhe propagandën e qeverisë aktuale

    LDK: Do të vazhdojnë të hedhim dritë mbi manipulimin dhe propagandën e qeverisë aktuale

    Lidhja Demokratike e Kosovë ka bërë të ditur se ka nisur ciklin e prezantimit “Faktet para Propagandës” që i kushtohet punës së Qeverisë së Kosovës.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se në këtë prezantim do të paraqiten fakte zyrtare, të cilat “demantojnë propagandën dhe manipulimin e Qeverisë”.

    “Investimet kapitale të vitit 2023, janë propaganda e fundit për të cilën ka folur Qeveria, duke thënë se janë më të lartat në historinë e Kosovës. Këto deklarata janë të pavërteta. Janë gënjeshtra, sepse përgjatë tre viteve të shkuara, investimet kapitale të nivelit qendror janë në nivelin më të ulët historik. Por, për të marrë merita të pamerituara, Qeveria po gënjen, duke llogaritur investimet e komunave, si të vetat”.

    “Të dhënat zyrtare tregojnë se në mesatare, gjatë tre viteve, vetëm 11% e buxhetit të shtetit janë investime qendrore. Gjatë pandemisë, në mbyllje totale e krizë botërore, investimet ishin 10%. Sikurse në mbyllje totale, sikurse në këto tre vite, thuhet në njoftim.

    Tutje, LDK shton se “do të vazhdojë të hedh dritë mbi manipulimin dhe propagandën e qeverisë aktuale, duke vënë në pah të dhënat zyrtare dhe që janë lehtë të verifikueshme”.

  • EULEX-i ndihmon për riaktivizimin e nënstacionit të Policisë së Kosovës në Suhodoll

    EULEX-i ndihmon për riaktivizimin e nënstacionit të Policisë së Kosovës në Suhodoll

    Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) i ka dorëzuar sot dy kontejnerë që do të përdoren për riaktivizimin e nënstacionit policor në Suhodoll.

    Në njoftimin e EULEX-it thuhet se duke bërë të mundur riaktivizimin e nënstacionit, EULEX-i mbështetë Policinë e Kosovës në angazhimet e saj me shërbime policore të orientuara drejt komunitetit.

    “Dhurimi i kontejnerëve po ashtu ka për qëllim rritjen e besimit të banorëve në institucione. Sapo të riaktivizohet, nënstacioni policor në Suhodoll do t’ua mundësojë të gjitha komuniteteve që jetojnë në atë zonë të kenë qasje më të mirë në shërbimet policore të orientuara në komunitet në të dyja gjuhët zyrtare të Kosovës dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt Policinë e Kosovës për dorëzimin e aplikacioneve apo të ankesave, si dhe të marrin mbështetje policore”.

    “Tutje, prania e vazhdueshme e Policisë së Kosovës në nënstacionin policor në Suhodoll pritet të përmirësojë gjendjen e sigurisë përmes avancimit të kapacitetit të policisë për promovimin dhe mbrojtjen e sigurisë së të gjithë atyre që jetojnë në atë zonë, në një mënyrë të orientuar drejt komunitetit”, thuhet në njoftim.

    Donacioni nga EULEX-i është në pajtueshmëri me mandatin e Misionit për mbështetjen e institucioneve të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnisë dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat evropiane më të mira.