ATV

Category: Lajme

  • Kryeministri, vizita të shpeshta të bashkëpartiakëve dhe injorim kryetarëve të “Opozitës”

    Kryeministri, vizita të shpeshta të bashkëpartiakëve dhe injorim kryetarëve të “Opozitës”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në vizitën e bujshme në katër komunat në veri të vendit, kryeministri Albin Kurti takoi vetëm dy kryetarët nga partia e tij.

    Ai nuk tregoi se pse nuk i takoi dy kryetarët tjerë, anëtarë të Partisë Demokratike.

    Derisa bashkëpartikëve u shkuan më shpesh, në tre vjet, në organizime e vizita të ndryshme, jo pak herë pushteti qendror la jashtë e nuk ftoi udhëheqësit lokalë.

    Pasi tregoi se këtë shqetësim e kanë diskutuar në takime me kryetarët, drejtori Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, e vlerësoi të gabuar praktikën që po ndjek Qeveria.

    “Në disa raste, delegacione të ndryshme nga niveli qendror shkojnë në vizita nëpër komuna pa e njoftuar kryetarin e komunës. Dhe, më duhet të theksoj se të gjithë kryetarët e komunave, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre partiake, e kanë vullnetin që të takohen me nivelin qendror, sepse është rast dhe mundësi e mirë për t’ia elaboruar në detaje problemet me të cilat kryetarët e komunave po ballafaqohen”, tha Ibrahimi.

    Krahas ndarjes së hises për investime, në Iniciativën për Progres përmendën rëndësinë e qartësimit të veprimeve, si kryeministër dhe kryetar partie.

    “Një vërejtje nga raporti i progresit, më konkretisht kemi pasur vërejtje si shtet në atë se granti i performancës nuk ndahet në nivelin e duhur, siç e dimë edhe granti i performancës shkon direkt për investime kapitale te komunat. Andaj nuk ka pasur ndarje të barabartë”, tha Qëndrim Ilazi nga Iniciativa për Progres.

    Teksa foli për rëndësinë e vullnetit të dyanshëm për takime, njohësi i qeverisjes lokale Qëndrim Arifi theksoi se nga mungesa e bashkëpunimit vuajnë qytetarët.

    “Historikisht është bërë ky dallim, madje jo vetëm në vizita, por edhe në shpërndarjen e mjeteve dhe investimeve që është shumë më e rëndësishme sesa një vizitë, them kështu, krejt formale. Për fat të keq këtë avaz e ka vazhduar edhe Qeveria Kurti, posaçërisht kjo vërehet me vizitën e djeshme në komunat veriore”, tha Arifi.

    Kryetarë të komunave, anëtarë të partive opozitare në pushtetin qendror, janë ankuar vazhdimisht për shpërfillje dhe ndarje jo të drejtë të buxhetit.

  • Lindja e katërnjakëve, e rrallë në Kosovë

    Lindja e katërnjakëve, e rrallë në Kosovë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Në vitin 1996 u regjistrua një rast i lindjes së pesënjakëve nga një nënë kosovare, që ishte rasti i vetëm i tillë në Kosovë. 28 vjet pas, një rast i ngjashëm, me katërnjak, ndodhi të mërkurën, në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

    Drejtori i klinikës, Zef Ndrejaj, thotë se rastet e tilla janë të rralla në vendin tonë.

    “Katërnjakët janë lindje të rralla, 1 rast në 700 mijë lindje, rasti i fundit ka qenë një pesënjak nga Vushtrria para luftës, këto janë shumë të rralla… Me binjakë dhe trinjakë kemi shpesh, p.sh. 3-4 raste, por me katërnjak s’kemi pasur vitin e kaluar… Katërnjakët kanë lindë me pesha të vogla dhe kanë mbijetu”, tha Ndrejaj.

    Më tej Ndrejaj thotë se 26-vjeçarja nga Podujeva bashkë me katërnjakët, tre djem e një vajzë, tashmë gëzojnë shëndet të mirë dhe se po vazhdojnë të jenë në mbikëqyrje të stafit mjekësor në klinikën e Neonatologjisë.

    “Rasti është shtri në kliniken tonë në javën e 26-të të shtatzënisë, ka qëndru në klinikë 6 javë. Operacioni ka ndodhur me prerje cezariane, tani është e shtrirë në klinikën e neonatologjisë dhe kanë gjendjen e mirë shumë bebat dhe nëna. Shtatzania ka ndodhë me proces natyral me rrugë natyrore, ka raste kur nëna kryen pa operacion lindjet por për shkak të komplikimeve është më mirë me operacion në mënyrë që bebat të nxirren në mënyrë të duhur”, tha Ndrejaj.

    Vetëm gjatë vitit 2023 në këtë klinikë janë regjistruar 11 lindje të trinjakëve dhe 225 lindje me binjakë.

    Megjithatë, Ndrejaj shprehet i shqetësuar me rënien e numrit të lindjeve që nga paslufta e tutje. Bazuar në statistikat e menaxhmentit të klinikës Obstetrike Gjinekologjike në QKUK, gjatë vitit 2023 në të gjitha spitalet publike të Kosovës janë kryer gjithsej 8 mijë e 100 lindje, prej tyre me prerje cezariane janë 3 mijë e 10.

    Shqetësues mbetet edhe numri i ulët i punëtorëve shëndetësorë në Klinikën e Gjinekologjisë, ku në repartin e lindjeve punojnë vetëm 5 mami dhe më shumë se 20 infermierë.

  • Rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-deputetit të LDK-së, Shkumbin GashiI

    Rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-deputetit të LDK-së, Shkumbin GashiI

    Përgatiti: Nora Luta

    Shfaqja e këtyre fotografive, në fjalën përfundimtare nga Prokuroria Speciale në rastin e ish-deputetit të LDK-së, Shkumbin Gashi dhe Sylë Balaj, ka bërë që të rihapet shqyrtimi gjyqësor në këtë rast.

    Para se ta japë verdiktin rreth akuzave për manipulim me vota në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Gjykata Themelore e Prishtinës për të vërtetuar kohën dhe vendin e shkrepjes së tyre ka urdhëruar Agjencinë e Forenzikës për verifikim.

    Për të sqaruar edhe disa paqartësi rreth provave, gjykata do ta ftojë për të dëshmuar edhe një zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Në fotografitë që janë kontestuar nga mbrojtja, Prokuroria Speciale pretendon
    se shihet i akuzuari Balaj bashkë me katër të dënuar duke plotësuar vota.

    Sipas PSRK-së, ish-deputeti Gashi dhe Balaj abuzuan me të dhënat e 71 bashkatdhetarëve në Austri, duke mbushur fletëvotimet pa pëlqimin e tyre në favor të rezultatit zgjedhor të Gashit.

    Përveç tyre, në këtë rast akuzoheshin edhe Kastriot Balaj, Shpetim Shala, Milot e Dardan Blakaj, të cilët e kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me burgim me kusht.

    Ndërsa, procedura ishte veçuar ndaj Kushtrim Gjevukajt, pasi akuzohej për veprën penale “Kanosja”.

  • Përfundon aksioni për konfiskimin e banesës dhe restorantit të Radojçiqit në Veri

    Përfundon aksioni për konfiskimin e banesës dhe restorantit të Radojçiqit në Veri

    Ka përfunduar aksioni për konfiskimin e banesës dhe restorantit të kryeterroristit Milan Radojçiq.

    Këtë e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Po, aksioni ka përfunduar pas orës 17:00”, tha Elshani.

    Pak më parë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar listën e aseteve të Radojçiqit që janë konfiskuar dhe sekuestruar deri tani.

  • ​Themelohet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore

    ​Themelohet komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore

    Kuvendi i Kosovës, pas debatit mbi katër orësh ka themeluar sot Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

    Pro themelimit të komisionit votuan 61 deputetë, ndërsa 4 sosh ishin kundër.

    Kryesues i komisionit do të jetë deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

  • ​Takimi për dinarin, Bislimi: Pala serbe nuk ka vullnet për kompromis

    ​Takimi për dinarin, Bislimi: Pala serbe nuk ka vullnet për kompromis

    Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi ka folur sot për media në Bruksel pas takimit me palcën serbe me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ku temë diskutimi ishte zgjidhja e problemit të përdorimit të dinarit.

    Bislimi ka thënë se pala serbe nuk brengoset për qytetarët e saj dhe se nuk ka treguar vullnet për arritjen e një kompromisi. AI shpreson se një gjë e tillë do të arrihet pas dy javësh, në të kundërtën do të jetë pala serbe ajo që do të mbetet fajtor për bllokimin e gjetjes së një zgjidhjeje.

    “Asnjëra nga ne nuk është pjesë e BQK-së dhe ne nuk mund të marrim vendime dhe të diskutojmë mbi përfshirjen e diçka që s’është pjesë e asaj fushëveprimtarie dhe po ashtu e bëmë të qartë se diçka që nuk është legale në Kosovë nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes. Lajçak ka kuptuar se nuk ka vullnet nga pala serbe për të ecur përpara për të arritur kompromisin. AI na e dha propozimet e tija që ishin ide ekzistuese të konsoliduara. KY propozim është konstruktiv, për të ecur në qasje të drejtë, sidoqoftë nga pala serbe, askush prej tyre nuk ka kompetencë për të marrë vendime dhe për t’u kthyer prapa, dhe ne do të kemi takim pas dy javësh, por atyre iu është bërë e qartë se do të jetë takimi i fundit dhe duhet të reflektojnë ose ata do të mbesin fajtor për bllokimin e zgjidhjes,” ka thënë Bislimi.

    Ndryshe, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimitme ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka theksuar se është diskutuar për të gjetur një zgjidhje të përkohshme për personat që atakohen nga rregullorja e BQK-së, e cila ndalon dinarin.

    “Ia dolëm të mbushim disa boshllëqe mes propozimeve të të dyja palëve.Kam në plan t’i vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, ka shkruar ai në X.

  • Komisioni për Legjislacion formon grupet punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar

    Komisioni për Legjislacion formon grupet punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar

    Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, mbajti mbledhjen e rregullt, kryesuar nga Adnan Rrustemi, kryetar.

    Në këtë mbledhje u miratua raporti me amendamente i komisionit funksional për Projektligjin nr. 08/L-262 për ndryshim plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre.

    Po ashtu, në këtë mbledhje u formuan grupet punuese për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 05/L-049 për Administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08/L-034; të Kodit nr. 06/L-006 i Drejtësisë për të Mitur, si dhe të Ligjit nr. 08/L-132 për ekzekutimin e sanksioneve penale.

  • Këmbësorëve u ndalohet përdorimi i telefonit kur kalojnë rrugën

    Këmbësorëve u ndalohet përdorimi i telefonit kur kalojnë rrugën

    Me Ligjin e ri për rregullat e trafikut rrugor, i cili ka hyrë në fuqi nga 1 prilli, këmbësorëve u është ndaluar përdorimi i telefonave kur e kalojnë rrugën, shiritin apo shtegun e biçikletave ose binarët.

    Dënimi për shkelje të kësaj ndalese është 50 euro. Policia e Kosovës u ka bërë thirrje këmbësorëve dhe shoferëve që të mos e përdorin telefonin kur janë pjesë e trafikut.

    “Gjatë kalimit të rrugës, të shiritit apo të shtegut të biçikletave ose të binarëve, këmbësorit nuk i lejohet përdorimi i telefonit mobil, shfrytëzimi i dëgjueseve në veshë apo i pajisjeve të tjera të ngjashme që mund ta hutojnë. Mosrespektimi i kësaj rregulle ndëshkohet me gjobë 50 euro”, thuhet në thirrjen e Policisë.

    Shoferëve u është bërë thirrje që gjatë kohës së drejtimit i ndalohet mbajtja e telefonit të dorës dhe pajisjeve të tjera të cilat do ta zvogëlonin mundësinë e reagimit dhe drejtimit të sigurt të mjetit.

    “Mosrespektimi i kësaj rregulle ndëshkohet me masë dhe gjobë: 1 pikë negative dhe gjobë prej 100 eurosh, kur vepron për herë të parë në shkelje të rregullit, 2 pikë negative, 3 muaj ndalesë në drejtim të mjetit motorik dhe 200 euro gjobë kur vepron për herë të dytë, 3 pikë negative, 6 muaj ndalesë në drejtim të mjetit motorik dhe 500 euro gjobë kur vepron për herë të tretë”, thuhet në thirrjen e Policisë.

  • Kritika për futjen e “VV” në zgjedhje në RMV: Përçan shqiptarët, mobilizon ekstremin e djathtë

    Kritika për futjen e “VV” në zgjedhje në RMV: Përçan shqiptarët, mobilizon ekstremin e djathtë

    Të dëmshëm dhe të pamenduar mirë po e konsiderojnë analistët në Kosovë vendimin e kryeministrit Albin Kurti, që së paku nëpërmjet tre anëtarëve të saj, të hyjë në garë për zgjedhje në Maqedoninë e Veriut. Analisti politik Rrahman Pacarizi vlerëson se ky vendim do ta mobilizojë edhe më shumë politikën maqedonase atje, kur dihet edhe ndikimi që ka Serbia dhe Rusia në këtë vend.

    “Ndikon për të homogjenizuar partinë e ekstremit të djathtë në Maqedoninë e Veriut, VMRO-në, e cila do të jetë problematike me numrat që parashihet të fitojë. Të gjitha këto, duke pas parasysh ndikimin e madh që ka Serbia në këtë vend dhe në një mënyrë edhe Rusia, e bëjnë situatën të komplikuar, pjesëmarrjen e Vetëvendosjes të pamenduar mirë dhe të dëmshme”, thotë Pacarizi.

    Analisti tjetër Bekim Kabashi konsideron se ky vendin do të ketë ndikim negativ edhe në raportet ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Pjesëmarrja e Vetëvendosjes në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut po vlerësohet se do të ketë ndikim negativ në përçarje të faktorit shqiptar atje, e që pastaj do të ketë pasoja edhe në avancimin e të drejtave të tyre në këtë shtet.

    Analistët thonë se do të ketë inate dhe hatërmbetje edhe pas zgjedhjeve. Këshilltari i kryeministrit Bekim Qoku ka njoftuar një ditë më parë se ai dhe dy gra nga Vetëvendosje do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 8 Majit në RMV me koalicionin e partive opozitare VLEN./Tv Klan

  • ​Takimi për dinarin, Lajçak: Kam në plan t’i vazhdojmë diskutimet për kompromis

    ​Takimi për dinarin, Lajçak: Kam në plan t’i vazhdojmë diskutimet për kompromis

    Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka folur me takimin e sotëm me ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

    Ai në rrjetin social Xka shkruar se në takim është diskutuar për të gjetur një zgjidhje të përkohshme për personat që atakohen nga rregullorja e BQK-së, e cila ndalon dinarin.

    “Ia dolëm të mbushim disa boshllëqe mes propozimeve të të dyja palëve.Kam në plan t’i vazhdoj diskutimet tona së shpejti bazuar në idetë e BE-së për kompromis”, shkroi Lajçak.

    Ndryshe, pas takimit të kryenegociatorëve në Bruksel, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u deklarua se Kosova është pajtuar me propozimin e BE-së për dinarin duke e quajtur propozim konstruktiv, derisa sipas tij pala serbe ka kërkuar kohë shtesë.

    “Propozimet tona për zgjidhje kanë qenë që nga fillimi brenda rregullores së BQK-së dhe në pajtim me legjislacionin e Kosovës e gjithashtu dhe propozimi i BE-së konsiderohet nga ana e jonë si propozim konstruktiv dhe në drejtimin e duhur. Edhe kësaj radhe, pala serbe refuzoi të bashkëpunonte e të vendoste si prioritet interesin e qytetarëve, duke insistuar në licencimin e një entiteti ilegal si “Postanska Banka”. Pas propozimit nga ana e BE-së, përsëri pala serbe nuk ka qenë e gatshme që të reflektojë në këtë propozim dhe kanë kërkuar kohë shtesë. Takimi i radhës pritet të mbahet pas dy javëve përsëri në Bruksel”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

    Ndryshe, ky ishte takimi i tretë në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë nga komuniteti serb në Kosovë.