ATV

Category: Lajme

  • Vdes historiani dhe fituesi i çmimit Pulitzer, Gordon S. Wood – U përplas nga një makinë

    Vdes historiani dhe fituesi i çmimit Pulitzer, Gordon S. Wood – U përplas nga një makinë

    Autori dhe historiani fitues i çmimit Pulitzer, Gordon S Wood humbi jetën të dielën pasi u përplas nga një makinë në parkingun e një supermarketi në Rhode Island.

    Wood, fitoi çmimin Pulitzer në vitin 1993 në kategorinë e historisë për librin “Radikalizmi i Revolucionit Amerikan”, një libër historik që çoi përpara teorinë e ndarjes me Britaninë si një transformim i brendshëm shoqëror dhe politik sa edhe një dëshirë për t’u çliruar nga sundimtarët kolonialë.

    Sipas policisë së East Providence, Wood u godit nga një makinë ndërsa po kalonte parkingun e supermarketit. Shoferi qëndroi në vendngjarje dhe bashkëpunoi.

    Policia tha se Wood u dërgua në spitalin e Rhode Island me “lëndime të rënda”, nga të cilat më vonë vdiq.

    Wood ishte Profesor i Universitetit Alva O Way dhe Profesor emeritus i historisë në Universitetin Brown. Librat e tij të tjerë të shquar përfshinin Krijimin e Republikës Amerikane, 1776-1787, i cili u shkrua në vitin 1969; Perandoria e Lirisë, një rrëfim i viteve të para të Shteteve të Bashkuara; dhe Personazhe Revolucionare, një biografi e etërve themelues që formësuan republikën e re.

    Ndër çmimet e tjera të tij ishin çmimi Bancroft i vitit 1970 për letërsi rreth historisë së Amerikës; dhe Medalja Kombëtare e Shkencave Humane, e dhënë në Shtëpinë e Bardhë nga Barack Obama në mars 2011, për studime që ofrojnë njohuri mbi themelimin e kombit dhe hartimin e kushtetutës së SHBA-së.

    Wood ishte një kritik i shquar i Projektit 1619 të New York Times dhe pretendimit të tij, i cili u ndryshua më vonë, se ruajtja e skllavërisë ishte një motivim kyç për Revolucionin Amerikan.

    Ai pretendoi se projekti inkurajoi një ndjenjë “viktimizimi” dhe ndjenje “të lënduar”, edhe pse pranoi se nuk e kishte lexuar pjesën më të madhe të tij.

  • Ushtari kosovar nderohet me çmime prestigjioze në ShBA

    Ushtari kosovar nderohet me çmime prestigjioze në ShBA

    Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Toger Arijanit Elshani, ka diplomuar me sukses të lartë në kursin e udhëheqjes për oficerët e Policisë Ushtarake i cili u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Gjatë vijimit të këtij programi profesional ushtarak, FSK përmes një komunikate për media tha se toger Elshani ka demonstruar nivel të lartë të njohurive profesionale, aftësi udhëheqëse dhe përkushtim të vazhdueshëm në përmbushjen e detyrave dhe standardeve të kërkuara.

    Në shenjë vlerësimi për performancën e tij të shkëlqyer, ai është nderuar me çmimet prestigjioze “Honor Graduate” dhe “Iron Man”, të cilat u ndahen oficerëve që dallohen për rezultate të larta akademike, disiplinë, qëndrueshmëri fizike dhe përkushtim të jashtëzakonshëm gjatë shkollimit.

    “Ky sukses përfaqëson një arritje të rëndësishme personale për Toger Elshanin, si dhe një dëshmi të profesionalizmit dhe përgatitjes së lartë të personelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në institucionet më prestigjioze ushtarake ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

  • Top 10-shja e PDK-së me e votuar deri tani për deputetë

    Top 10-shja e PDK-së me e votuar deri tani për deputetë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur publikimin e rezultateve të kandidatëve për deputetë.

    Deri tash janë procesuar 19,46% e votave.

    Në top 10-shë e Partisë Demokratike të Kosovës, janë Bedri Hamza, i pasuar nga Përparim Gruda, i ndjekur nga Arian Tahiri. Në vend të katër dhe të pestë janë Uran Ismaili dhe Sala Jashari.

  • Numërimi i votave, këta janë 10 më të votuarit për momentin në AAK

    Numërimi i votave, këta janë 10 më të votuarit për momentin në AAK

    Komisionit Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon të publikoj rezultatet e para të kandidatëve për deputetë.

    Deri tash janë procesuar 486 vendvotime.

    Kandidatët më të votuar në AAK, deri më tani janë: Ardian Gjini, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri dhe Bekë Berisha.

  • Lista e 10 më të votuarve të LDK-së

    Lista e 10 më të votuarve të LDK-së

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar numërimin e votave për kandidatët për deputetë, pas përfundimit të numërimit të votave për subjektet politike që kanë garuar në zgjedhjet e 7 qershorit.

    Kur janë numëruar 19,46%e votave, listës së LDK-së, i prin Vjosa Osmani, pasuar nga Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica-Xhelili, Hykmete Bajrami e Avdullah Hoti.

  • Çfarë ndodh pas zgjedhjeve?

    Çfarë ndodh pas zgjedhjeve?

    Dita e zgjedhjeve në Kosovë kaloi dhe rezultatet e para u morën vesh. Por çka tutje? Cila është rruga deri në formimin e institucioneve të reja?

    Aktualisht Kosova nuk ka kuvend funksional, është me qeveri në detyrë dhe me ushtruese të detyrës së presidentit. Këto tre institucione pritet t’i bëjnë deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës.

    Fillimisht duhet pritur çertifikimin e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që zakonisht zgjat deri në 30 ditë. Seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda 30 ditësh nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve. Në qershorin e vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese kishte sqaruar se kjo seancë jo vetëm që duhet të fillojë por duhet edhe të përmbyllet brenda këtij afati.

    Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi parashohin që kjo procedurë të përmbyllet gjatë korrikut.

    “Deri nga data 4 korrik, 6 korrik mund të çertifikohen rezultatet zgjedhore. Pra po flasim për një afat maksimal pas përfundimit të kësaj periudhe, ushtruesja e detyrës së presidentes duhet ta thërrasë seancën konstitutive. Kryetarja e legjislaturës së kaluar ti thërras partitë politike përfaqësuesit të subjekteve për me përgatit rendin e ditës dhe organizimin e seancës. Konsitutimi maksimumi i përmbylljes mund të jetë fundi i i korrikut”, tha Naim Jakaj për Radio Evropa e Lirë.

    Vetëm pasi kuvendi të jetë i konstituuar deputetët mund të votojnë për ta zgjedhur qeverinë dhe presidentin.

    Mospajtimet për presidentin e quan në zgjedhjet e 7 qershorit. Por a munden deputetët zgjedhin së pari presidentin e pastaj qeverinë? Sipas Naim Jakajt juridikisht këto çështje janë të pavarura nga njëra-tjetra dhe nuk ka një rend ligjor se cila duhet të bëhet e para.

    “Kushtetuta edhe rregullorja dhe praktika kushtetuese nuk përcaktojnë ta zëmë që presidenti duhet të zgjidhet vetëm pas formimit të qeverisë ose para formimit të qeverisë. Për formimin e qeverisë ekziston, ka detyrim kushtetues ushtruesja e detyrës së presidentit që menjëherë pas konstituimit me mandatu kandidatin për kryeministër. Ndërkaq procedura për zgjedhjen e presidentit aktivizohet vetëm në rastin kur deputetët kolektivisht 60 deputetë që i paraqesin dy kandidatura pra njëri 30 njeri 30 dhe atëherë aktivizohet seanca për zgjedhjen e presidentit”, tha Jakaj

    Në një situatë të ngjashme në vitin 2021 kur të tre institucionet nuk kishin fuqi të plota, kuvendi kishte zgjedhur së pari ekzekutivin e pastaj presidentin. Por kësaj radhe përqindjet që partitë i fituan në garën e 2026-s tregojnë nevojën për një marrëveshje për të siguruar votat për presidentin e madje edhe për qeverinë sipas analistëve. A mund të arrihet një e tillë?

    Ditët në vijim pritet ta qartësojnë më shumë situatën.

  • Numërohen mbi 90 për qind të votave, ky është rezultati

    Numërohen mbi 90 për qind të votave, ky është rezultati

    Janë numëruar mbi 90 për qind të votave nga vendvotimet në Kosovë.

    Lëvizja Vetëvendosje nga numërimi i 92.51 për qind të vendvotimeve, ka marrë 43.52 për qind të votave si partia më e madhe. Ajo ka marrë më shumë se 279 mijë vota.

    Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21.43 për qind të votave, apo mbi 137 mijë vota.

    Lidhja Demokratike ka 17.93 për qind të votave apo mbi 115 mijë vota.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 7.22 për qind të votave apo më tepër se 46 mijë vota.

    Në total, më 7 qershor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare pati rënie të daljes së votuesve. Aktualisht, LVV-ja është e vetmja me rezultat më të dobët se në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

  • Të dhënat e fundit nga KQZ: Rreth 10% më pak votues se në zgjedhjet e dhjetorit

    Të dhënat e fundit nga KQZ: Rreth 10% më pak votues se në zgjedhjet e dhjetorit

    Në zgjedhjet e sotme parlamentare, 35,78% e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar deri në orën mbylljen e vendvotimeve, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 97,04% e vendvotimeve të procesuara.

    Rreth 10% më shumë votues kishin dalë deri në zgjedhjet paraprake parlamentare, më 28 dhjetor. Atëherë pjesëmarrja ishte 44,99%.

    Kosova mbajti sot sërish zgjedhje – të tretat brenda rreth një viti e gjysmë. Këtë herë, vendi shkoi në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së Presidentit.

  • Këtu mund t’i shikoni rezultatet preliminare të zgjedhjeve

    Këtu mund t’i shikoni rezultatet preliminare të zgjedhjeve

    Linku i platformës elektronike për publikimin e rezultateve preliminare dhe statistikave për pjesëmarrjen në votime për çdo komunë, qendër votimi dhe vendvotim në zgjedhjet e parakohshme është publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Këtu mund t’i gjeni rezultatet që do të përditësohen: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/turnout

  • Mbyllen venvdotimet në Kosovë

    Mbyllen venvdotimet në Kosovë

    Mbyllen vendvotimet në Kosovë. Qytetarët kanë pasur mundësi të votojnë nga ora 07:00 deri në ora 19:00.

    Vlen të potencohet se rreth dy milionë qytetarë të Kosovës kanë pasur të drejtë vote sot më 7 qershor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të organizuara pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit.

    Kosova ka mbajtur zgjedhjet e treta parlamentare në më pak se një vit e gjysmë.