ATV

Category: Lajme

  • Donika Gërvalla veç me një deputet të partisë së vet mund të jenë në Kuvend

    Donika Gërvalla veç me një deputet të partisë së vet mund të jenë në Kuvend

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në proces të numërimit të votave të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 7 qershor.

    Nga numërimi i deritashëm, nga 10 kandidatët e partisë Guxo, të cilët garuan në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, vetëm dy prej tyre mund të sigurojnë ulëse në Parlament.

    Sipas KQZ-së, Donika Gërvalla deri më tani ka siguruar 18 mijë e 652 vota, ndërsa Blerim Gashi 3 mijë e 496 vota.

    Ndërkohë, kandidatët e tjerë si Fatos Geci, Triera Kasumi-Berisha dhe Haki Huruglica nuk kanë arritur të grumbullojnë vota të mjaftueshme deri në këtë fazë, pasi janë numëruar vetëm rreth 24% e votave.

    Triera Kasumi-Berisha 2.096 vota

    Fatos Geci 1.854 vota

    Haki Huruglica 1.747 vota

    Këtu gjeni linkun ku mund të i përcilleni numërimin nga KQZ – KËTU

  • Plenkoviq uron Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve: Presim formim të shpejtë të institucioneve

    Plenkoviq uron Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve: Presim formim të shpejtë të institucioneve

    Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviw, e ka uruar liderin e LVV-së dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për rezultatin e zgjedhjeve.

    Plenkoviw ka thënë se Kroacia mbetet përkrahëse e fuqishme e Kosovës drejt rrugës evropiane dhe se Zagrebi zyrtar pret formim të shpejtë të institucioneve për të vazhduar bashkëpunimin mes dy vendeve në të gjitha fushat.

    “Urime kryeministër Albin Kurti për rezultatet e zgjedhjeve. Kroacia mbetet e përkushtuar fuqimisht në mbështetjen e rrugës evropiane të Kosovës dhe ne presim formimin e shpejtë të institucioneve shtetërore për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit tonë dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”, ka shkruar Plenkoviq.

  • Dogana e Kosovës zbulon mbi 30 mijë euro të padeklaruara në Bërnjak, konfiskon një pjesë të shumës

    Dogana e Kosovës zbulon mbi 30 mijë euro të padeklaruara në Bërnjak, konfiskon një pjesë të shumës

    Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka zbuluar mjete monetare të padeklaruara në vlerë prej 30,328 eurosh gjatë kontrolleve të kryera në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Bërnjak.

    Sipas njoftimit, zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë ndaluar për kontroll të detajuar një automjet me targa të huaja, i cili po largohej nga territori i Kosovës dhe drejtohej nga shtetas të huaj.

    Gjatë intervistimit fillestar, personat në automjet kanë deklaruar se nuk posedonin mallra apo mjete monetare për deklarim. Megjithatë, pas kontrollit të hollësishëm të automjetit, bagazhit dhe një çante personale, autoritetet kanë gjetur para të padeklaruara.

    “Gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare të padeklaruara. Pas numërimit dhe verifikimit, është konstatuar se shuma totale e mjeteve monetare tejkalonte kufirin ligjor prej 10,000 euro, i cili obligon deklarimin pranë autoriteteve doganore. Në çantën personale janë gjetur mjete monetare në dy valuta: • 25,515 euro (EUR) • 565,060 dinarë serbë (RSD), me vlerë të përafërt prej 4,813 euro. Vlera totale e mjeteve monetare të padeklaruara: 30,328 euro”, thuhet në komunikatën e Doganës.

    Në përputhje me legjislacionin në fuqi, autoritetet kanë konfiskuar 25 për qind të shumës së përgjithshme, ndërsa 75 për qind e saj është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së prejardhjes së mjeteve monetare.

    “Në përputhje me legjislacionin në fuqi, personi është njoftuar për masat administrative të ndërmarra. Me këtë rast, është konfiskuar 25% e shumës totale, ndërsa 75% e shumës është ndaluar përkohësisht deri në verifikimin e burimit dhe ligjshmërisë së prejardhjes së mjeteve monetare. Rasti do të trajtohet nga sektori kompetent i hetimeve për procedurat e mëtejshme ligjore”, thuhet në komunikatë.

    Dogana e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në zbatimin e legjislacionit doganor dhe financiar, si dhe në luftimin e aktiviteteve të paligjshme, përfshirë pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

  • Të mërkurën, “Muharrem Fejza” dhe Bregu i Diellit do mbesin pa ujë

    Të mërkurën, “Muharrem Fejza” dhe Bregu i Diellit do mbesin pa ujë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se nesër, 10/06/2026, do të zhvillohen punime në rrugën “Muharrem Fejza”, të cilat do të ndikojnë në furnizimin me ujë të pijes në një pjesë të kryeqytetit.

    Sipas njoftimit zyrtar, për shkak të sanimit të një gypi, e gjithë lagjja Bregu i Diellit do të mbetet pa ujë nga ora 08:00 e mëngjesit deri në përfundimin e punimeve.

    “Ju njoftojmë se nesër do të intervenojmë në rrugën ‘Muharrem Fejza’”, thuhet në njoftimin e KRU Prishtina.

    Nga kompania është bërë e ditur se ndërprerja është e domosdoshme për realizimin e punimeve teknike në rrjetin e ujësjellësit.

    “Për shkak të sanimit të gypit, e gjithë lagjja Bregu i Diellit do të mbetet pa furnizim me ujë nga ora 08:00 e mëngjesit deri në përfundimin e punimeve”, thuhet më tej në njoftim.

  • Përfundon numërimi në pesë Qendra Komunale të Numërimit

    Përfundon numërimi në pesë Qendra Komunale të Numërimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se deri të hënën në mesnatë është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve, në pesë Qendra Komunale të Numërimit.

    Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat kanë përfunduar këto aktivitete janë: Junik (6/6); Shtërpcë (17/17); Hani i Elezit (11/11); Partesh (7/7); Mamushë (5/5).

    “Procesi i numërimit dhe verifikimit është duke vazhduar në 32 QKN-të tjera: Deçan, Dragash, Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Gjilan, Drenas (Gllogoc), Graçanicë, Istog, Kaçanik, Kamenicë, Klinë, Kllokot, Leposaviq, Lipjan, Malishevë, Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Obiliq, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Rahovec, Ranillug, Skenderaj, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq, në Qendrën Komunale të Numërimit në Vushtrri është zhvilluar procesi i numërimit nga 10 vendvotime, mirëpo rezultatet e numëruara nuk kanë mundur të procesohen sipas procedurave të QKN-së për shkak të disa problemeve teknike me rrjetin e internetit.

    Për rrjedhojë, kutitë e votimit janë mbyllur dhe siguruar sipas procedurave përkatëse, ndërsa procesi do të vazhdojë gjatë ditës. Këto vendvotime do të numërohen sërish për procedim të rregullt të rezultateve.

    Sipas të dhënave deri të hënën në mesnatë (8 qershor 2026, ora 23:59) numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara, që i takojnë 37 QKN-ve, është: 486 nga 2,498 vendvotime apo 19.46%.

    Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/

  • Fitore Pacolli as në top 20-she të VV-së, ky është rezultati aktual

    Fitore Pacolli as në top 20-she të VV-së, ky është rezultati aktual

    Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, e cila ishte kandidate e VV-së në zgjedhjet e 7 qershorit, nuk është as në top 20-shen më të votuar të kësaj partie, bazuar në përditësimet e mbi 20% të votave.

    Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Pacolli ka aktualisht 3 mijë e 199 vota në nivel vendi, duke u renditur e 30-ta.

    Para saj, ka emra që janë futur për herë të parë në garë dhe kanë arritur numër të madh të votave.

    Rezultatet preliminare të KQZ-së e kanë vendosur VV-në të parën me 42.91 për qind, PDK e dyta me 21.08 për qind, LDK me 17.60 për qind, Aleanca me 7.17 për qind.

  • Osmani në CNN: Qytetarët thanë se duhet kompromis mes partive, s’ka vend për “one man show”

    Osmani në CNN: Qytetarët thanë se duhet kompromis mes partive, s’ka vend për “one man show”

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për CNN ka folur për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për bllokadën politike.

    Osmani ka thënë se qytetarët përmes vullnetit të tyre të shprehur në zgjedhje kanë kërkuar që partitë politike të bëjnë kompromis dhe sipas saj s’ka vend për “shou të një njeriu”.

    “Mendoj se zëri i qytetarëve këtë herë është edhe më i qartë se ata duan kompromis mes forcave politike dhe s’ka vend për “onë man shoë””, ka thënë Osmani.

    Sipas saj, Kosova gjithmonë ka treguar shembull se si kur është e nevojshme forcat politike janë bashkuar për të ecur përpara dhe për të tejkaluar bllokadat.

  • KQZ nis sot verifikimin e​ votave me postë nga diaspora

    KQZ nis sot verifikimin e​ votave me postë nga diaspora

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot, më 9 qershor, do të fillojë procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës.

    Sipas njoftimit, aktiviteti do të nisë në orën 17:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

    “Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) do të fillojë procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës, të cilat deri më tani janë tërhequr dhe sjellur në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

    Komisioni ka bërë të ditur se gjatë këtij aktiviteti mediat do të informohen edhe për ecurinë e proceseve që po zhvillohen në Qendrat Komunale të Numërimit.

    “Gjithashtu, mediat do të informohen për ecurinë e zhvillimit të aktiviteteve në Qendrat Komunale të Numërimit”, njofton KQZ.

    KQZ ka ftuar mediat që të përcjellin nga afër këtë aktivitet.

  • DnV: Kosova shënoi përqindjen më të ulët të daljes në zgjedhje në pothuajse një dekadë

    DnV: Kosova shënoi përqindjen më të ulët të daljes në zgjedhje në pothuajse një dekadë

    Demokracia në Veprim ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike për zgjedhjet e lira, konkurruese dhe të qeta.

    Eugen Cakolli nga “DnV”, përmes një konference për media potencoi se procesi zgjedhor është administruar në mënyrë profesionale dhe efikase.

    “Megjithatë, zgjedhjet janë mbajtur në një proces të pazakontë politik dhe institucionale, meqenëse janë zgjedhjet e treta parlamentare që zhvillohen në më pak se një vit e gjysmë”, tha Cakolli.

    Fjalë të mira pati edhe për punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku Cakolli tha se puna e tyre është përmirësuar dukshëm.

    Ndërsa sipas tij, në zgjedhjet e 7 qershorit ka pasur ulje të motivimit të qytetarëve për të dalë në zgjedhje, e siç thotë ai, Kosova shënoi përqindjen më të ulët të daljes në zgjedhje në pothuajse një dekadë.

  • Begaj kalon transit në Kosovë, priten bllokime të shkurtra në disa akse rrugore

    Begaj kalon transit në Kosovë, priten bllokime të shkurtra në disa akse rrugore

    Policia ka njoftuar qytetarët se me rastin e kalimit transit nëpër Kosovë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit kufitar të trafikut në intervale të shkurtra kohore.

    Përmes një njoftimi në Facebook, Policia thotë se me datën 9 qershor, ndërprerja do të bëhet nga pika e kalimit kufitar Vërmicë deri në pikëkalimin kufitar Hani i Elezit dhe anasjelltas, gjatë kthimit me datën 11.06.2026, ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative.

    “Me datën 09.06.2026, Policia e Kosovës, me rastin e kalimit transit nëpër Kosovë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bajram Begaj, ka ndërmarrë paraprakisht të gjitha veprimet e nevojshme operative duke angazhuar njësitë përkatëse policore, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe rrjedhës së lirë të komunikacionit rrugor përgjatë rrugëve ku lëviz eskorta”, thuhet në njoftim.