ATV

Category: Lajme

  • Dëgjohet një dëshmitar në rastin e vrasjes së 18 vjeçarit Lulzim Fejzullahu

    Dëgjohet një dëshmitar në rastin e vrasjes së 18 vjeçarit Lulzim Fejzullahu

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Të akuzuarit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut kanë dalë sërish para gjykatës.

    Në seancën e shqyrtimit fillestar, që u mbajt e mbyllur për media, sipas avokatit të viktimës, është deklaruar vetëm njëri nga dy dëshmitarët e planifikuar.

    “Seanca është e tipit të mbyllur, ne mundemi me iu thënë se është vazhdimi sipas propozimit të Gjykatës Themelore për shqiptimin e vendimit dhe Gjykata ka urdhëruar që detajet e gjykimit të mos shpalosen. Seanca e radhës është me 15 dhe 16 prill të këtij viti, ndërsa nuk është e ndaluar me iu tregu se kanë qenë dy dëshmitarë njëri është marrë në pyetje, ndërsa tjetri në mungesë të asaj s’e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt apo jo ka mbetur për seancën e radhës”, tha Tomë Gashi, avokat i familjes së Lulzim Fejzullaut.

    Lidhur me seancën fare shkurt u deklarua avokati i të akuzuarit E.K.

    “Çka ka ndodhur në seancë është e ndaluar është marrë aktvendim. Gjendja është përcjellë nga ana e psikologut ndaj dy të miturve”, tha Skender Musa, avokat i të akuzuarit E.K.

    Sidoqoftë, xhaxhai i të viktimës u shpreh të ketë besim në punën e organeve të drejtësisë.

    Sipas aktakuzës, të dielën e 14 janarit, Lulzim Fejzullahu u rrah rëndë nga dy persona të moshës së mitur. 6 ditë më vonë, më 20 janar, 18-vjeçari vdiq në qendrën klinike universitare, derisa më 1 prill, Prokuroria të dyshuarit i ngarkoi me veprën penale “vrasje e rëndë”.

  • Policët i fituan paditë, por nuk i morën ende rrogat e 13-ta

    Policët i fituan paditë, por nuk i morën ende rrogat e 13-ta

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Mbi një mijë zyrtarë të Policisë së Kosovës e kanë fituar deri tash padinë ndaj qeverisë, për ta marrë pagën e 13-të, për vitet 2018-2021. Mirëpo, asnjë prej tyre nuk i ka marrë këto para, meqë ende nuk i ka ekzekutuar Ministria e Financave.

    Paditë e policëve nisën në nëntorin e vitit të kaluar, bazuar në Udhëzimin Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës. Kjo u nxit edhe nga mendimi juridik që e dha Gjykatës Supreme.

    Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, tha se nga janari i këtij viti janë aktivizuar edhe përmbaruesit, prandaj katër pagat e 13-ta mund t’u dalin së shpejti.

    “Tani më ka ndërhyrë përmbaruesi privat dhe përmes tij do të realizohen këto pagesa, kam informacione se veç është dërguar një listë e cila duhet të ekzekutohet”, tha Zeqiri.

    Ministria e Financave nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje.

    Në anën tjetër, Zeqiri tregon se vlera totale e këtyre pagave për zyrtarët policorë është afër 30 milionë euro. Pjesa më e madhe, sipas tij, tashmë i kanë dorëzuar paditë.

    “Të gjithë pjesëtarët e policisë e kanë të drejtë, mund të themi sa ka ba padi unë mendoj se deri tani shumica kanë bërë padi, është numër shumë i vogël të cilët nuk e kanë adresuar padi në drejtim të gjykatës për të realizuar këtë të drejtë”, tha Zeqiri.

    Udhëzimi Administrativ mbi Marrëdhënien e Punës i miratuar në 2018, i cili u jep këtë të drejtë policëve, u shkëput njëanshëm nga Qeveria më 2022.

  • Kosova nuk shënon përparim në rrugën drejt demokratizimit

    Kosova nuk shënon përparim në rrugën drejt demokratizimit

    Përgatiti: B. Zeneli/K. Tahiri

    Në rrugën drejt demokratizimit, Kosova nuk ka përparuar në krahasim me vitin paraprak.

    Në këtë aspekt vendi ka mbetur në pozitën e njëjtë, ku në vlerësimin për vitin 2023, nga 7 pikë sa janë maksimale, Kosova vazhdon t’i ketë 3.29 pikë.

    Kështu është vlerësuar në raportin më të ri të organizatës ndërkombëtare, Freedom House për nivelin e demokracisë në disa rajone të Evropës dhe Azisë.

    “Kur vendi është në një situatë konflikti reflekton në vendimmarrje dhe zhvillim të vendit. Pra kur situata është e tillë reflekton edhe në raport me vendet e tjera fqinje dhe BE, sepse nuk mund të nxjerrë rezultate pozitive. Është fat që Kosova nuk ka rënë më poshtë, por vazhdon të jetë në pozitë të njëjtë”, tha Bekim Kabashi, analist.

    “Bashkësia ndërkombëtare ka qenë e hapur dhe e qartë Kosova është nën sanksione të BE-së, Kurti është izoluar nga ShBA në aspektin politik, ka një konflikt të hapur me perëndimin dhe bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo ndikon në zhvillimin e raporteve që kish me interferua dhe brenda”, tha Kabashi.

    Telashet me Serbinë janë përmendur si ndër pengesat kryesore në rrugën e Kosovës përpara.

    Në raport është përmendur, gjithashtu, reagimi i partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës ndaj “qasjes së ashpër të Kurtit në negociatat me Beogradin, dhe mungesën e konsultimeve me komunitetin e serbëve të Kosovës”, që sipas raportit, “i ka komplikuar përpjekjet e Qeverisë për t’u çliruar prej kësaj sfide afatgjatë”.

    “Është me rëndësi që ta marrim këtë gjë si pjesë e problemit dhe jo vetëm si faktorë i jashtëm, sepse problem është te serbët e Kosovës që fatkeqësisht nuk pranojnë të integrohen në institucione dhe të bëhen pjesë e demokracisë së Kosovës. Nuk është problem i Serbisë, por i Kosovës që duhet të adresohet nga institucionet tona me urgjencë. Në raport të Freedom House e kemi një vend si Kosova që është Estonia aty duhet me provu Kosova që me u rangu, sepse Estonia po ashtu ka rrezik nga agresioni rus, kërcënimi është jashtëzakonisht i madh”, tha Jetmir Buja, analist.

    Sa u përket vendeve të rajonit, gjithashtu Shqipëria e Kroacia nuk kanë ndryshuar pozitë, ndërsa Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina kanë shënuar rënie në rrugën drejt demokratizimit.

    Në raport thuhet se Ukraina e ka shënuar përparimin më të madh në procesin e demokratizimit, ndërsa Serbia rënien më të madhe.

  • Hidhet poshtë kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për zëvendësimin e gjykatësit të procedurës paraprake

    Hidhet poshtë kërkesa e mbrojtjes së Thaçit për zëvendësimin e gjykatësit të procedurës paraprake

    Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Ekaterina Trendafilova ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për të hequr ose zëvendësuar gjytqtarin e procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

    “Më 8 prill, kryetare Trendafilova rrëzoi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për të hequr ose zëvendësuar gjykatësin Nicolas Guillou si gjykatës të vetëm”, tha zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle përmes informimit javor.

    Sipas Doyle, kërkesa është bërë mbi bazën se Guillou është betuar si gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe mbrojtja e Thaçit ka argumentuar se pavarësia e këtij gjyqtari cenohet.

    “Kërkesa u bë mbi bazën se gjykatësi Guillou, bëri betimin si gjykatës në GJPN më 8 mars 2024 dhe do të ushtrojë funksionet e tij gjyqësore në GJPN, duke filluar nga 19 gushti 2024. Zotëri Thaçi argumentoi, ndër të tjera, se pavarësia e gjykatësit Guillou cenohet nga fakti që ai përgjigjet para dy gjykatave dhe meqenëse do të përgatitet për të punuar me çështjet që do t’i ngarkohen në GJPN, nuk do të jetë i disponueshëm për të punuar në DhSK”, tha ai, transmeton “Betimi për Drejtësi”.

    Tutje, Doyle theksoi se në vendimin e saj, kryetarja ka konstatuar se nuk ka kompetencë për zëvendësimin e një gjykatësi përveç në disa raste.

    “Përveç nëse gjykatësi nuk është më në gjendje të kryejë detyrat e veta dhe ky nuk është rasti me gjykatësin Guillou, sepse ai do të ushtrojë funksionet gjyqësore në GJPN duke filluar nga 19 gushti 2024”, tha Doyle.

    Zëdhënësi i DhSK-së shtoi se sipas Trendafilovës, Thaçi nuk ka argumentuar se pse është cenuar pavarësia e gjyqtarit Guillou.

    “Dhe se asnjë gjykatës nuk mund të hiqet mbi bazën e pretendimeve të përgjithshme apo abstrakte që nuk janë as të bazuara dhe as të detajuara. Ajo doli në përfundimin se disponueshmëria e gjykatësit Guillou për të ushtruar funksionin si gjykatës i vetëm është aspekt që vlerësohet nga kryetarja dhe është i natyrës administrative dhe jo objekt apelimi prej palëve”, tha zëdhënësi i DhSK-së.

    Doyle shtoi se seanca e radhës në këtë çështje gjyqësore është planifikuar të mbahet më 22 prill.

    Ndërsa, në javën tjetër (15-18 prill 2024) pritet që të bëhen deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

    Në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, deklaratat përmbyllëse do të mbahen nga data 15-18 prill 2024, ku do të fillojë Prokuroria më 15 dhe 16 prill, e pasuar nga deklaratat përmbyllëse të mbrojtësit të viktimave dhe të mbrojtjes. Zotëri Shala gjithashtu do të bëjë një deklaratë pasi të kenë përfunduar parashtrimet e tyre palët dhe mbrojtësi i viktimave. Pasi, kryegjykatësja ta deklarojë çështjen të mbyllur, gjykatësit e trupit gjykues do të kuvendojnë në mënyrë konfidenciale për të dalë me një aktgjykim në lidhje më akuzat në aktakuzë. Aktgjykimi do të shqiptohet brenda 90 ditësh nga mbyllja e gjykimit, përveç nëse rrethanat kërkojnë më shumë kohë”, tha ai.

  • Gjykata Speciale me një tjetër vendim për Haxhi Shalën dhe Sabit Januzin

    Gjykata Speciale me një tjetër vendim për Haxhi Shalën dhe Sabit Januzin

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për Haxhi Shalën dhe Sabit Januzin.

    Kjo është bërë e ditur gjatë konferencës javore të DhSK-së të enjten (11 prill 2024), raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Paneli i Gjykatës Kushtetuese përbëhet nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti. Më 8 prill, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës”, tha zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle.

    Sipas tij, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka konstatuar se për dy të akuzuarit ekziston rreziku i pengimit të procesit gjyqësor si dhe i arratisjes.

    “Ai konstatoi për të dy të akuzuarit se ekziston ende rreziku i arratisjes, pengimit të procesit gjyqësor si dhe rreziku i kryerjes së krimeve të tjera, veçanërisht duke pasur parasysh se me ecurinë e procesit të nxjerrjes së materialeve, të akuzuarit kanë më shumë qasje në informacione të ndjeshme”, tha ai.

    Ndërsa, në të njëjtën çështje gjyqësore është caktuar edhe paneli i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve për kundërshtimin e ndryshimeve në Rregulloren e Ndihmës Jurdike nga Zyra Administrative.

    “Në çështjen gjyqësore Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala, kryetarja e Dhomave të Specializuara, më 5 prill caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur lidhur me kërkesën referuese të të akuzuarve me të cilën kundërshtojnë ndryshimet në Rregulloren e Ndihmës Juridike nga Zyra Administrative. Paneli i Gjykatës Kushtetuese përbëhet nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti. Më 8 prill, Gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës”, tha Doyle.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

  • Shkon në vend pakoja mbështetëse me mjete ushtarake nga Kosova për Ukrainën

    Shkon në vend pakoja mbështetëse me mjete ushtarake nga Kosova për Ukrainën

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se pakoja e parë mbështetëse për Ukrainën me kamionë dhe automjete ushtarake ka arritur.

    Lajmin e ka bërë të ditur Maqedonci përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

    “Shfrytëzoj rastin që t’ju njoftoj këtu që pako e parë mbështetëse me kamionë dhe automjete ushtarake tashme ka arritur në Ukrainë dhe jemi në fazën e përgatitjeve përfundimtare për dërgimin e pakos së dytë mbështetëse”, ka shkruar Maqedonci.

  • Gjykata Kushtetuese publikon statistikat mujore për vendimmarrjen gjatë muajit mars 2024

    Gjykata Kushtetuese publikon statistikat mujore për vendimmarrjen gjatë muajit mars 2024

    Në përputhje me objektivat e Planit Strategjik të Gjykatës Kushtetuese (2021 – 2025) për informimin më të mirë të publikut, në ueb-faqen e Gjykatës është publikuar raporti mujor me statistika dhe përmbledhjen e vendimeve të publikuara gjatë muajit mars 2024.

    Raporti mujor përmban informata të përmbledhura përkitazi me numrin e seancave të mbajtura, numrin e lëndëve të shqyrtuara/zgjidhura, si dhe numrin dhe llojin e vendimeve të publikuara në ueb-faqen e Gjykatës.

    Të dhënat rreth vendimeve të publikuara përmbajnë informata të përgjithshme përkitazi me palën parashtruese, datën e publikimit dhe pretendimet e palëve parashtruese, ndërkaq aktgjykimet e publikuara janë shoqëruar edhe me përmbledhje të shkurtra të vendimmarrjes dhe arsyetimit të Gjykatës.

    Raporti me statistikat mujore për vendimmarrjen e Gjykatës, krahas gjuhës shqipe dhe serbe, publikohet edhe në gjuhën angleze dhe frënge.

    Për të lexuar raportin e statistikave mujore për muajin mars 2024, mund të vizitoni ueb-
    faqen e Gjykatës Kushtetuese www.gjk-ks.org ose të klikoni në linkun në vijim: https://gjk-
    ks.org/vendimet-e-publikuara-gjate-muajit-mars-2024/

  • Dy shtete futen në sherr për elefantët

    Dy shtete futen në sherr për elefantët

    Elefantët kanë acaruar së fundmi marrëdhëniet mes Kenias dhe Tanzanisë. Të dyja vendet kritikohen për shkelje të moratoriumit të trofeve, pasi në kullotat të cilat ndodhen pranë kufirit mes këtyre dy vendeve, prej disa javësh po dëgjohen krisma armësh të gjuetarëvë të Tanzanisë.

    Mes dy vendeve fqinje të Afrikës, menaxhimi i tufave të elefantëve është e ndryshme. Tanzania po licencon gjahtarët për të gjuajtur përtej kufirit të tyre, ndërsa Kenia, ku edhe ndodhet kullota, ka miratuar prej vitit 1995 moratoriumin e kafshëve të egra, me rëndësi për atë vend.

    Megjithëse zyrtarët kenianë dhe aktivistët po i kërkojnë Tanzanisë të mos vrasë elefantët, muajt e fundit janë qëlluar disa prej tyre. Shtatorin e kaluar, një elefant kenian u qëllua nga gjuetarët e licencuar rreth 23 km brenda kufirit me Tanzaninë, e pas kësaj vrasje në Zonën e Menaxhimit të Kafshëve të Egra Enduimet, pasuan edhe disa të tjera.

    “Linja e gjakut Amboseli e tuskëve është ndoshta një nga më të mirat në botë, kështu që nga pikëpamja gjenetike është vërtet e rëndësishme”, tha Richard Bonham, bashkëthemelues dhe kryetar ekzekutiv i Fondacionit Big Life në Kenia, një grup ruajtjeje.

    Ndërsa aktivistë të tjerë të mbrojtjes së jetës së egër në Kenia thonë se është e padrejtë të licencosh këta lloj gjuetarësh. Ata propozojnë që moratoriumi i gjuetisë të shtrihet 40 km në Tanzani nga kufiri kenian.

    Tanzania kërkon një tarifë prej 10 000-20 000 dollarë për një licencë për të gjuajtur elefantë, i cili ndahet midis qeverisë dhe komunitetit. Turizmi për shkak të këtyre kafshëve të mëdha është një nga sektorët kryesorë ekonomikë në Kenia dhe punëson miliona njerëz drejtpërdrejt dhe tërthorazi.

    Konservatorët thanë se nuk po bënin thirrje për ndalimin e gjuetisë në të gjithë Tanzaninë, por për mbrojtjen e tufave të çmuara keniane që enden pranë kufirit: “Problemi është se elefantët e gjuajtur ishin ndër të paktët elefantë me fildish kaq të madh”.

  • Miliarderja nga Vietnami dënohet me vdekje për mashtrim me 44 miliardë dollarë

    Miliarderja nga Vietnami dënohet me vdekje për mashtrim me 44 miliardë dollarë

    Ishte gjyqi më spektakolar i mbajtur ndonjëherë në Vietnam, që i përshtatet një prej mashtrimeve bankare më të mëdha që bota ka parë ndonjëherë. Pas portikut të verdhë madhështor të gjykatës së epokës koloniale në Ho Chi Minh City, një agjente e pasurive te paluajtshme vietnamez 67-vjeçare u dënua me vdekje të enjten për grabitjen e një prej bankave më të mëdha të vendit gjatë një periudhe 11-vjeçare. Është një vendim i rrallë – ajo është një nga gratë e pakta në Vietnam që është dënuar me vdekje për një krim mashtrimi.

    Vendimi është një pasqyrim i shkallës marramendëse të mashtrimit. Truong My Lan u dënua për marrjen e 44 miliardë dollarëve në kredi nga Banka Tregtare Saigon. Vendimi kërkon që ajo të kthejë 27 miliardë dollarë, një shumë që prokurorët thanë se mund të mos rikthehet kurrë. Disa besojnë se dënimi me vdekje është mënyra e gjykatës për ta inkurajuar atë të kthejë disa nga miliardat e humbura. Autoritetet komuniste ishin jokarakteristikisht të çiltër në lidhje me këtë rast, duke hyrë në detaje të vogla për mediat. Ata thanë se 2,700 njerëz u thirrën për të dëshmuar, ndërsa 10 prokurorë të shtetit dhe rreth 200 avokatë ishin të përfshirë.

    Provat ishin në 104 kuti që peshonin gjithsej gjashtë tonë. Tetëdhjetë e pesë të tjerë u gjykuan me Truong My Lan, i cili mohoi akuzat. Të gjithë të pandehurit u shpallën fajtorë. Katër janë dënuar me burgim të përjetshëm për përvetësim. Të tjerëve iu dhanë dënime me burg nga 20 deri në tre vjet me kusht. Burri dhe mbesa e Truong My Lan morën respektivisht nëntë dhe 17 vjet burg. “Nuk ka pasur kurrë një gjyq të tillë, mendoj unë, në epokën komuniste”, thotë David Brown, një zyrtar i pensionuar i Departamentit të Shtetit të SHBA me përvojë të gjatë në Vietnam. “Sigurisht që nuk ka pasur asgjë në këtë shkallë”. Gjyqi ishte kapitulli më dramatik deri më tani në fushatën kundër korrupsionit “Furrat e ndezura” të udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, Nguyen Phu Trong. /BBC

  • Policia i largon me forcë protestuesit nga dyert e Rektoratit

    Policia i largon me forcë protestuesit nga dyert e Rektoratit

    Policia e Kosovës i ka shpërndarë me forcë aktivistët e Lëvizjes Feministe Studentore dhe aktivistë të tjerë të cilët janë duke protestuar që nga mëngjesi para Rektoratit për shkarkimin e profesorit Xhevat Krasniqi i cili dyshohet për ngacmime seksuale ndaj studenteve.

    Në mesin e të arrestuarve është edhe Rron Gjinovci, drejtori i Organizatës Jo-qeveritare ORCA.

    Aktivistët kishin bllokuar hyrjen e Rektoratit duke pamundësuar hyrjet dhe daljet nga ky objekt.

    Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës (UP), pas tri jave pas raportimit të rastit, ka nisur më 28 mars shqyrtimin për herë të parë të denoncimeve të paraqitura nga 27 studente për ngacmim seksual kundër profesorit të Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi.

    Ani se rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj stafit akademik parasheh që palët të intervistohen brenda pesë ditësh që pas denoncimit të një shkeljeje, Këshilli ende nuk ka marrë vendim për rastin.