Në vitin 2011, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duke njohur 50-vjetorin e fluturimit të parë njerëzor në hapësirë, shpalli 12 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Fluturimit të Njeriut në Hapësirë.
Rezoluta e datës 7 prill 2011, e quajti atë “një ditë për të festuar çdo vit, në nivel ndërkombëtar, fillimin e epokës së hapësirës për njerëzimin, duke riafirmuar kontributin e rëndësishëm të shkencës dhe teknologjisë hapësinore në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, rritjen e mirëqenies së shteteve dhe popujve, si dhe sigurimin për të ruajtur hapësirën e jashtme për qëllime paqësore”.
Data 12 prill u vendos në nder të 12 prill të vitit 1961, kur Yuri Gagarin, shtetas sovjetik, kreu fluturimin e parë njerëzor në hapësirë, një ngjarje historike që hapi rrugën për eksplorimin e hapësirës për të mirën e mbarë njerëzimit.
Të enjten pas mesnate në Vushtrri është arrestuar një person, pasi i njëjti kishte shtënë disa herë me armë zjarri.
Siç njoftohet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, të njëjtit gjatë kontrollit i është sekuestruar një pistoletë dhe një karikator.
Derisa, në vendin e ngjarjes janë gjetur tetë gëzhoja.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që kishte shtënë disa herë në ajër me armë zjarri. Gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar; një pistoletë dhe një karikator, ndërsa në vend të ngjarjes janë gjetur tetë gëzhoja. I dyshuari me vendim të prokurorit lirohet, rasti shkon në procedurë të rregullt”.
Sot mbahet aktiviteti ‘Java Ndërkombëtare e Kadetëve” në objektin e Akademisë së Mbrojtjes në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Përveç kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës pjesë e këtij aktiviteti gjatë kësaj jave do jenë edhe kadetë nga Kanada, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia.
“Përveç kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës pjesë e këtij aktiviteti gjatë kësaj jave do jenë edhe kadetë nga: Kanada, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia, me ç ‘rast do të shkëmbejnë eksperiencat dhe përvojat ushtarake të shteteve të tyre”, thuhet në njoftimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sot duke filluar nga ora 10:00 mblidhet Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.
Deputetët në këtë komision pritet të shqyrtojnë Projektligjin për tekste shkollore.
Kujtojmë se në mbledhjen e kaluar ka pasur tensione.
Pretendimet e disa deputetëve të Vetëvendosjes, se gjatë seancës plenare të mbajtur më 7 mars nuk ka pasur kuorum për t’u votuar në parim Projektligji, kanë shkaktuar debat të ashpër në mbledhjen e Grupit punues të Komisionit për arsim.
Deputetët e LVV-së, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani pretendonin se atë ditë në sallë nuk kanë qenë 62 deputetë por vetëm 60, dhe rrjedhimisht projektligji nuk kishte kaluar.
Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme gjatë ditës. Vonë pasdite mund të ketë reshje të izoluara në verilindje të vendit, kryesisht në viset kodrinoro-malore.
Meteo Kosova njofton se era do fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, e cila kohë pas kohe pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 14-42 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 7 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 23 deri në 26°C.
Emisari gjerman Manuel Sarrazin ka publikuar pamje nga takimet me Presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, përfaqësues të Listës Srpska dhe të shoqërisë civile.
Takimet me të përmendurit më lartë, Sarrazin i ka quajtur të rëndësishme.
“Takime të rëndësishme në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, Listën Srpska dhe anëtarë të shoqërisë civile”, ka shkruar Sarrazin.
Këta kontejnerë që në zgjedhjet e fundit në veri u përdorën si qendra të votimit mund të vihen në funksion përsëri. Madje, për të njëjtën arsye.
Votimi i 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve veriorë nga pozita, mund të mbahet përsëri në objekte të improvizuara.
Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, doli publikisht kundër këtij procesi, duke bërë thirrje për bojkot.
Për këtë arsye, kryesuesi i Kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Ugljanin, beson se pjesëtarët e komunitetit serb nuk do të lejojnë të përdoren objektet që janë nën menaxhimin e tyre.
“Do të kthehemi mbrapa si në zgjedhje kur i kemi pasur vendet alternative për mbajtjen e referendumit, sepse ju siç e dini shkollat janë nën udhëheqjen e strukturave paralele serbe”, tha Ugljanin.
Megjithatë, zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ditë më parë miratuan listën e vendvotimeve, nuk e pohojnë e as mohojnë se do të ketë ndryshim.
Mirëpo, kudo që të mbahen ato, vendvotimet do të jenë nën vëzhgim të kamerave të sigurisë.
“Ky nuk është vendim që përfshin vetëm votimin më 21 prill në veri, por do të vlejë për të gjithë procesin e ardhshëm zgjedhor. Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Kamera po, por vëzhgues të partisë më të madhe serbe me gjasë nuk do të ketë, pasi ata dhanë dorëheqje vullnetarisht. Por procesi mund të vazhdojë edhe pa ta, meqë sipas njohësve të qeverisjes lokale, kjo nuk e pengon punën e komisioneve zgjedhore.
“Obligim ligjor i KQZ-së është që secili subjekt i regjistruar dhe i cili ka aplikuar të përfaqësohet në këshillat komunalë zgjedhorë, mirëpo jo që anëtarët e tyre të mbahen me zor, pra dorëheqja është një akt i vullnetit të vetë anëtarëve të subjektit të caktuar politik, të cilët nuk mund ta pengojnë në aspekt ligjor këtë proces”, tha Qëndrim Arifi, njohës i qeverisjes lokale.
E njëjta praktikë ishte edhe në zgjedhjet e fundit nga të cilat, qeverisjen në komunat veriore e morën kryetarët shqiptarë.
Serbët të cilët bojkotuan pjesëmarrjen, nuk i lëshuan as shkollat të cilat gjithmonë qenë përdorur si qendra të votimit.
E enjtja do të duhej të ishte dita e gjashtë e regjistrimit të popullsisë në gjithë vendin.
Por, në komunat veriore, puna nuk po shkon sipas planit fillestar të Agjencisë të Statistikave.
Në tri komuna të banuara me shumicë serbe, sipas zyrës së zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviç, procesi nuk pritet të nisë deri më 15 prill.
“Procesi ka filluar në Mitrovicën e Veriut. Ndërsa, sa i përket komunave tjera: Leposaviq, Zveçan, Zubin-Potok pritet që në këtë javë regjistruesit ta mbajnë trajnimin, dhe nga e hëna të fillojnë punën në terren”, tha Ibrahim Delija, asistent i zëvendësministrit Radoica Radomiroviq.
Megjithatë, procesi i regjistrimit nuk dukej të ketë nisur as në Mitrovicë të Veriut. Gjatë së enjtes, televizioni nuk ka hasur në fletushka njoftuese, që ASK-ja i shpërndan në hyrje të objekteve të banimit, për t’i njoftuar qytetarët rreth këtij procesi.
Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjet e Televizionit rreth kësaj çështjeje.
Lista Serbe njoftoi se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, që nisi të premten e 5 prillit.
Por në një konferencë informuese të disa ditëve më parë, kreu i Agjencisë e Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, deklaroi se pavarësisht thirrjes së Listës Serbe, te popullata serbe në veri të vendit ka gatishmëri për regjistrim.
Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.
Terrenet e vështira dhe misionet logjistike e taktike, nga dita e enjte do të jenë më të lehta për ushtarët e Kosovës.
E gjitha kjo pasi që Kosova ka tashmë në dispozicion pesë kamionë ushtarakë gjermanë të llojit “Rheinmetall MAN”.
Automjetet ushtarake të enjten i provuan edhe vetë ushtarët e FSK-së.
Vlera e këtij donacioni është diku rreth 3 milionë euro.
“Do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të FSK-së. Jemi shumë mirënjohës. 2,7 milionë euro që pranuam sot janë në vazhdën e donacioneve prej 3 milionë e 500 mijë eurove që pranuam vitin e kaluar nga Republika Federale e Gjermanisë, tha ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimit të pesë automjeteve, Ambasadori gjerman në Kosovë, John Rohde, konkretizoi se qëllimi është të mbështesë kapacitetet fillestare të Kompanisë së Transportit të Regjimentit të Logjistikës.
“Mendoj se dua të nënvizoj sërish sot se marrëdhëniet Gjermani-Kosovë janë të shkëlqyera dhe bashkëpunimi ynë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në po bëhet gjithnjë e më i ngushtë, veçanërisht në fushën e sigurisë. Qëllimi i masës është të mbështesë aftësinë fillestare operacionale për kompaninë e transportit të regjimentit të logjistikës”, tha Rohde.
Automjete si këto, FSK-ja pritet t’i ketë edhe 10 të tjera, të cilat i ka blerë me mjete të buxhetit të shtetit.
Kamionët e dhuruar nga Gjermania gjithashtu mund të përdoren për mbrojtje ajrore.
Por në të duhet të montohet sistemi “Skyranger 30”. Sistemi kundër-ajror duhet të blihet veçmas nga kamionët. Ndërkaq, nuk ka pasur njoftim që Kosova e ka blerë edhe këtë sistem së bashku me kamionët.