ATV

Category: Lajme

  • Fejohet vajza e Bekim Jasharit, fotosesionin e bën tek varrezat në Prekaz

    Fejohet vajza e Bekim Jasharit, fotosesionin e bën tek varrezat në Prekaz

    Vajza e Bekim Jasharit, Feridja, i ka dhënë fund beqarisë duke kurorëzuar dashurinë me fejesë.

    Ajo po nis një kapitull të ri me Orgesin.

    Lajmin e bëri të ditur vet Bekimi me anë të disa fotografive në rrjetet sociale.

    Aty shihet se Feridja e cila mban emrin e gjyshes, e ka realizuar fotosesionin tek varrezat në Prekaz.

    ‘Vajza jonë Feridja, që me krenari mbanë emrin e gjyshes, pas përfundimit të studimeve si një studente dhe vajzë e mrekullueshme, po nis një kapitull të ri të jetës së saj bashkë me Orgesin.Unë, bashkëshortja dhe gjithë familja jemi krenar me Feriden e re, kulturën dhe edukatën e lartë të saj, ashtu siç do të ishte edhe babushi Hamëza dhe nëna Feridja.Familja jonë për çdo vit po rritet e zgjerohet duke përtrirë emrat e më të dashurve tonë të rënë për Liri dhe duke qenë mirënjohës ndaj gjithë bashkëkombasve tanë për nderin dhe respektin e ndersjelltë.Vajza jonë Feride, urime fejesa me Orgesin, qofshi përherë të lumtur!’, shkroi ai në postim.

  • Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

    Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

    Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale.

    Drejtues të kësaj sindikate kanë bërë të ditur se më 1 maj do të organizohet një protestë, kurse në rast së kërkohet nga anëtarësia, do të vazhdohet edhe më grevë të përgjithshme në sistemin arsimor.

    Një protestë më datë 1 maj pritet të organizohet nga Sindikata e Arsimit si paralajmërim për Ministrinë e Arsimit, se mund të ndërmerren hapa të tjerë sindikalë nëse nuk ka gatishmëri për të biseduar, gjë të cilën e kanë kërkuar tash e sa kohë përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit.

    Nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala, u shpreh se hapat e paralajmëruar janë detyruar t’i marrin pasi po mungon dialogu social ndërmjet SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit.

    “Meqenëse po e shohim që nuk po vendoset dialogu social ndërmjet sindikatës dhe ministrisë së Arsimit në fillimisht ndoshta do të fillojmë me një protestë e cila do të mbahet më 1 maj. Mandej do të fillohet me grevë një orësh, pastaj dy orësh e pastaj një ditësh. Urojmë që të mos shkojmë me grevë të përgjithshme e gjithë procesi mësimor të ndërpritet në Kosovë”, ka theksuar ajo.

  • ​Maqedonia e Veriut mbështet hyrjen e Kosovës në KiE

    ​Maqedonia e Veriut mbështet hyrjen e Kosovës në KiE

    Në kuadër të edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

    Maqedonia e Veriut, sipas presidentes Osmani është shtet fqinj dhe njëkohësisht mbështetëse e Kosovës.

    Osmani tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut mund t`i shkëmbejnë përvojat në procesin e integrimit evropian dhe në të njëjtën kohë shfaqu bindjen se ky shtet do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane.

    Në këtë kontekst, presidentja tha se Kosova llogarit në përkrahjen e mëtejme të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sikurse edhe në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare.

    Në prag të votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, kryeministri Xhaferi njoftoi presidenten Osmani se mbështetja e Maqedonisë së Veriut është e plotë.

    Në këtë takim u diskutua edhe për finalizimin e pikave të përbashkëta kufitare përpara fillimit të sezonit veror, sikurse edhe lehtësimin e të bërit biznes.

  • Kryeministri Kurti takoi zëvendëspresidenten e organizatës Vital Voices nga Washington D.C., Manira Alva

    Kryeministri Kurti takoi zëvendëspresidenten e organizatës Vital Voices nga Washington D.C., Manira Alva

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurit, priti sot në takim zëvendëspresidenten e organizatës Vital Voices nga Washington D.C., Manira Alva.

    Vital Voices është organizatë, e cila për më shumë 25 vite investon në gratë lidere, duke identifikuar ato me vizion dhe guxim për të ndryshuar dhe për ta bërë vizionin realitet.

    Kurti foli për vizionin e Qeverisë dhe veprimet konkrete të ndërmarra nga Qeveria për fuqizimin e vajzave dhe grave drejt barazisë, duke filluar nga përfaqësimi në kabinetin qeveritar e deri te politikat e punësimit për gra, mbështetjen për gratë ndërmarrëse, bursat studimore për vajzat dhe gratë në fushat STEM, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e pjesëmarrjes në 50% të vajzave dhe grave në këto fusha të studimit, shtesat për nënat lehona dhe fëmijë, e kështu me radhë. Theksoi se fitorja elektorale 3 vjet më parë, në zgjedhjet shkurtit 2021, ka qenë rezultat i angazhimit dhe pjesëmarrjes së lartë të grave, rinisë dhe diasporës. Andaj, edhe angazhimi politik i grave është i domosdoshëm për reforma të suksesshme, për drejtësi, paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm, u tha në takim.

    Më tej, u përmenden edhe sfidat aktuale globale të sigurisë dhe paqes në botë, me të cilat shumë gra e fëmijë ballafaqohen. Në këtë kontekst, u nënvizua rëndësia e mekanizmave të mbështetjes për gratë, për qëndrueshmërinë e pjesëmarrjes në jetën politike dhe krijimin e rrjeteve mbështetëse dhe mbrojtëse, që gratë dhe vajzat të mos të jenë të parat që pësojnë ose largohen nga pozitat në momente të krizave dhe vështirësive.

    Znj. Alva shprehu gatishmërinë për të mbështetur agjendën progresive për barazi të Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti përmes programeve të Vital Voices në të drejtat e njeriut, mundësitë ekonomike dhe udhëheqjen e politikave publike për gratë dhe vajzat. Ajo theksoi se sulmet online ndaj grave dhe vajzave kanë shënuar në rritje në tërë botën, në platformat, të cilat kryesisht janë në pronësi dhe menaxhohen nga burrat, andaj masat e Kosovës, të cilat synojnë të angazhojnë vajzat në STEM, do të kenë ndikim të drejtëpërdrejtë në përmirësimin e përmbajtjes së platformave online.

    Shprehu gjithashtu mirënjohje për angazhimin e Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti për barazi, teksa theksoi se agjenda e barazisë nuk mund të ketë sukses pa angazhimin e plotë të burrave në shoqëri në përgjithësi e të burrave në pozita drejtuese në veçanti. Ajo shtoi se modeli që Qeveria e Kosovës prezanton, është modeli që duhet të zgjerohet dhe aplikohet nga të tjerët në rajon dhe më gjerë.

    Në këtë takim e pranishme ishte edhe kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDSOJE!, Mimoza Kusari Lila.

  • KMDLNJ: Kosova duhet ta ketë ligjin për amnesti

    KMDLNJ: Kosova duhet ta ketë ligjin për amnesti

    Komisioni për të drejtat e njeriut në Kosovë në një komunikatë për media mes tjerash ka treguar se si pasojë e mungesës së mëshirës së shtetit ndaj të privuarve nga liria të cilët sipas ligjeve në fuqi në Kosovë nuk përjashtohen nga falja, në institucionet korrektuese dhe të paraburgimit në Kosovë është rritur numri e vetvrasjeve apo vetlëndimeve.

    “Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, kohë më parë votoi Ligjin për Amnesti me propozim të Ministrisë së Drejtësisë nga i cili përfitues të drejtpërdrejtë janë afërsisht 700 të privuar nga liria. Me këtë Ligj pakësohet dukuria e mbipopullimeve të burgjeve në Shqipëri sikur që kursehen mjete të konsiderueshme të buxhetit të shtetit. Ministria e Drejtësisë në Kosovë nuk e ka mundësinë ligjore të propozojë një Ligj për Amnisti ndonëse asnjëherë nuk ka treguar interesim apo vullnet për këtë ligj përkundër kërkesave të vazhdueshme të organizatave që i monitorojnë institucionet e privimit nga liria dhe njohësve të kësaj çështjeje. Aktualisht në Kosovë vetëm Paneli për Lirim me Kusht ka rezultate në këtë drejtim ndërkaq që mundësia e dytë apo falja nga presidentja është thuaja mision i abortuar dhe i dështuar. Në institucionet e privimit nga liria në Kosovë ka të dënuar me diagnozë terminale ku shteti – burgu, jo që nuk ka mundësi t'i trajtojë por as të sigurojë vdekje pa vuajtje përmes terapisë paliative. Ka të privuar nga liria që mbahen në kundërshtim me të drejtat e njeriut sikur që janë ata me çrregullime të rënda të shëndetit mendor apo vartësit nga mjetet narkotike të cilët, në vend se të mbahen në burg, domosdoshmërisht duhet të dërgohen në institucionet përkatëse shëndetësore”, thuhet në komunikatë.

    Tutje thuhet: “Me kërkesë të Shërbimit shëndetësorë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, adresohen këto raste te Gjykatat kompetente, të argumentuara mirë por që gjykatat thuaja në asnjë rast nuk i marrin në shqyrtim duke e bërë më të rëndë punën e SHKK si dhe duke e përkeqësuar shëndetin e të privuarve nga liria, jeta e të cilëve më nuk llogaritet me muaj por me javë apo ditë. Si pasojë e mungesës së mëshirës së shtetit ndaj të privuarve nga liria të cilët sipas ligjeve në fuqi në Kosovë nuk përjashtohen nga falja, në institucionet korrektuese dhe të paraburgimit në Kosovë është rritur numri e vetvrasjeve apo vetlëndimeve. KMDLNj sikur edhe organizatat tjera monitoruese kanë kërkuar që masa e paraburgimit të shqiptohet vetëm si masë e skajshme dhe kjo të zëvendësohet me një masë alternative por se kjo kërkesë po shpërfillet nga institucionet vendimmarrëse. Për këtë arsye, në raportet ndërkombëtare po adresohet ky problem, shqiptimi i masës së paraburgimit, kur duhet dhe kur nuk duhet. Me këtë mënyrë po shpërfillet puna e madhe e SHKK sikur që po demotivohen të privuarit nga liria ta pranojnë programin e risocializimit sepse po mungon një ofertë e qartë dhe e besueshme e shtetit për të privuarit nga liria. Tash, e vetmja adresë e shpresës për ta fituar lirinë, qoftë edhe të kushtëzuar mbetet Panelu për Lirim me Kusht. KMDLNj mendon se disa kritere që i zbaton ky Panel janë të paqarta dhe nuk janë të

    matshme sikur që mendon se edhe përbërja e këtij Paneli duhet të ndryshojë duke përfshirë më shumë ekspertë të fushave sociale. Kosova nuk përfiton asgjë duke mbajtur në paraburgim në vend se privimi nga liria të zëvendësohet me një masë më të butë, harxhon mjete të konsiderueshme të buxhetit në vend se t’i kursejë ato, dhe, që është me e rëndësishme, paraburgimi i shpeshtë aspak nuk ka efekt parandalues, nuk e ulë shkallën e recidivizmit apo përsëritjes së veprës penale. Në fund të fundit, kur Kisova të anëtarësohet në Këshill të Evropës pashmangshëm do të përballet me këtë çështje. KMDLNj e ka të qartë se disa vepra nuk mund të falen dhe ndaj kryerësve të tyre shteti duhet të jetë i vendosur por, në anën tjetër ka shumë raste që meritojnë të falen, qoftë duke i liruar apo duke ua shkurtuar dënimin. Kosova duhet të nxjerrë mësime nga përvojat e mira të shteteve tjera sa i përket Ligjit për Amnesti e jo të veprojë siç po vepron tani”, thuhet në njoftim.

  • Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca nderoi të rënët në Sllovi të Lipjanit

    Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca nderoi të rënët në Sllovi të Lipjanit

    Në përkujtim dhe nderim të të vrarëve dhe masakruarve shqiptarë në masakrën e Sllovisë së Lipjanit, të kryer nga forcat pushtuese serbe, sot në 25-vjetorin e saj Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti bëri homazhe në Kompleksin Memorial të varrezave në këtë fshat.

    Gjatë bashkëbisedimit me familjarë të dëshmorëve dhe martirëve të këtij fshati, Kryetari Konjufca theksoi se masakrat e kryera gjithandej Kosovës janë akte të qarta të gjenocidit që shteti i Serbisë ushtroi mbi popullin shqiptar të Kosovës, për të cilat Kosova nuk do të pushojë asnjëherë së kërkuari drejtësi.

    Kreu i Kuvendit tha se këto ditë janë ditë të dhimbjes, por edhe të krenarisë, për arsye se gjaku i dëshmorëve dhe martirëve qëndron në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë.

    Më 15 dhe 16 prill të vitit 1999 policë, ushtarë e paramilitarë serbë në kuadër të operacioneve gjenocidale kundër popullatës civile shqiptare në Kosovë, vranë dhe masakruan në Sllovi të Lipjanit 45 civilë të pafajashëm shqiptarë dhe plagosën shumë të tjerë.

  • Nënshkruhet marrëveshja, Kosova bëhet me Qendrën e Ekselencës

    Nënshkruhet marrëveshja, Kosova bëhet me Qendrën e Ekselencës

    Presidentja Vjosa Osmani dhe zëvendësdrejtoresha e Zyrës së Sekretarit të Shtetit për Çështjet Globale të Grave, Katrina Fotovat, kanë nënshkruar memorandum te mirëkuptimit për Qendrën e Ekselencës për gratë, paqen dhe sigurinë në Kosovë, raporton EO.

    Marrëveshja u nënshkrua me praninë e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Ndërkaq Fotovat ka deklaruar se ky memorandum është dëshmi e partneritetit jetëgjatë mes SHBA-ve dhe Kosovës.

    “Kosova është shembulli se çka mund të bëhet kur gratë udhëheqin shoqëritë civile, jetën politike dhe aktivizmin për të mbijetuarit e dhunës”, ka thënë ajo.

    Teksa ka folur për Qendrën e Eskelencës, ajo ka kujtuar mundin e Sekretares Madeline Albright për çlirimin e Kosovës.

    Ndërkaq presidenten Vjosa Osmani e ka quajtur heroinë të vërtetë.

  • Osmani e Xhaferi takohen në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë

    Osmani e Xhaferi takohen në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, raporton EO.

    Në margjina të Forumit Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë, që po zhvillohet në Prishtinë presidentja Osmani takoi kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

    Takimi është realizuar në ambientet ku po mbahet edicioni i dytë i këtij Forumi.

  • Krasniqi: Kam mbijetuar armën më mizore të luftës, përdhunimin

    Krasniqi: Kam mbijetuar armën më mizore të luftës, përdhunimin

    Heroinat, gratë e mbijetuara të dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi -Goodman dhe Shyrete Tahiri – Sulejmani, kanë rrëfyer për tmerrin që kanë përjetuar në luftën e fundit të Kosovës, duke kërkuar drejtësinë ende të paardhur.

    Si armën më mizore siç e quajtën ato, ishte përdhunimi, me ç’rast Vasfije Krasniqi-Goodman, tha se i ka mbijetuar.

    “Qëndroj para gjithë njerëzve të botës për t’i rikujtuar që Kosova asnjëherë s’ka luftuar për hakmarrje apo për shkatërrim të të tjerëve. Ne kemi luftuar për liri nga regjimi i Millosheviqit dhe krimet që u kryen ndaj popullit tonë”, tha Krasniqi në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Kërkesa e saj ka qenë mos duartrokitja për guximin e saj për rrëfimin e dhunimit, por kërkimi i llogarisë për historinë e saj dhe të mijëra grave e burrave që kanë pasur të njëjtin përjetim.

    “Unë kam mbijetuar armën më mizore të luftës, por për ne si të mbijetuar shumë prej këtyre përjetimeve nuk marrin fund kurrë. Drejtësia nuk është ndarë, bëjë thirrje ndaj institucioneve që t’i thërrasin në llogari të gjithë kryerësit e krimeve ndaj meje dhe dhjetëra mijëra të tjerëve si unë”, u shpreh Krasniqi – Goodman.

    Vasfije Krasniqi – Goodman ka bërë kthesën e madhe, duke qenë e para e mbijetuar e dhunës seksuale që në mënyrë publike ka treguar rrëfimin e saj të përdhunimit, duke u bërë zë i mijëra të mbijetuarve burra e gra.

    Ndërkaq Shyrete Tahiri – Sulejmani ishte gruaja e parë që në mënyrë publike dorëzoi kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, për të rrëfyer më vonë edhe historinë e saj në mënyrë të plotë.

  • Marsh protestues në Ferizaj pas vrasjes së 21-vjeçares, merr pjesë edhe vëllai i saj i plagosur

    Marsh protestues në Ferizaj pas vrasjes së 21-vjeçares, merr pjesë edhe vëllai i saj i plagosur

    Në Ferizaj ka nisur një marsh protestues pas vrasjes së një gruaje në Qendrën për Punë Sociale në këtë qytet pasditen e së premtes.

    Protestuesit nisën marshimin nga afër kësaj qendre, duke mbajtur në duar parulla si “Vrasja është krim, jo justifikim” dhe “Institucionet janë bërë rrezik i grave”. Para tyre po mbajnë një parullë të ku shkruan “A duhet të armatosemi edhe ne, për ta mbrojtur veten?!”.

    Në këtë protestë po merr pjesë edhe vëllai 15-vjeçar i gruas së vrarë, i cili mbeti i plagosur atë ditë.

    21-vjeçarja Erona Cokli u vra nga ish-bashkëshorti i saj, 36-vjeçari Valon Aliu. Ajo u varros dje, ndërsa ish-bashkëshorti u arrestua ditën e krimit dhe ndaj tij u caktua masa e paraburgimit.

    Një protestë e thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të mbahet edhe në Prishtinë. Është planifikuar të fillojë në 17:30 në sheshin “Zahir Pajaziti”.