ATV

Category: Lajme

  • Në cilësinë e të dyshuarës, prokuroria interviston ministren Hajdari

    Në cilësinë e të dyshuarës, prokuroria interviston ministren Hajdari

    Përgatiti: Nora Luta

    Në cilësinë e të dyshuarës, ministrja Rozeta Hajdari në mëngjesin e së hënës u paraqit në Prokurorinë Speciale.

    Hajdari u ftua për intervistim nga prokurorët specialë, që janë i duke hetuar dyshimet rreth keqpërdorimeve me rezervat shtetërore.

    Ministrja që e udhëheq dikasterin e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, po dyshohet se e keqpërdori detyrën zyrtare.

    Hajdari pas tri orë qëndrimi në PSRK, foli shkurt për mediat duke thënë se ka disa paqartësi.

    “Sepse është fjala për intervistë për rezervën shtetërore, e cila kërkon qartësi në legjislacionin në fuqi… dhe ligjet e tjera, prandaj derisa t’i marrim qartësitë përkatëse ne do të bëjmë kërkesën të vijmë dhe do t’ua japim përgjigjet që kanë nevojë t’i marrin”, tha Hajdari.

    Nga Prokuroria Speciale treguan se Hajdari ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

    “Rozeta Hajdari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar në cilësinë e të pandehurës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me rezervat shtetërore. Mirëpo, ajo sot nuk është deklaruar dhe, siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale, ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

    Hetimet nën dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore nisën vitin e kaluar, pas dyshimeve të ngritura në publik se një sasi e vajit dhe e grurit e porositur nga Polonia, nuk kishte ardhur në Kosovë.

    Në gusht të vitit të kaluar ishin arrestuar tre persona, dy zyrtarët e MINT-it, Hafiz Gara, Irfan Lipovica, dhe biznesmeni i njohur në publik për afërsinë me Vetëvendosjen, Ridvan Muharremi.

    Ata pas vendimit të Apelit, mbrohen në liri.

    Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se nuk kanë sjellë vaj e sheqer, derisa është pranuar 52.5 tonë më pak grurë sesa sasia e kontraktuar, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 600 mijë euro.

  • Fillon edicioni i dytë i forumit ndërkombëtar për gratë paqen dhe sigurinë

    Fillon edicioni i dytë i forumit ndërkombëtar për gratë paqen dhe sigurinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Me iniciativë të presidentes Vjosa Osmani, në Prishtinë filloi edicioni i dytë i Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Gjatë dy ditëve, do të trajtohen shumë çështje që ndërlidhen me gratë, trajtimin e tyre dhe të drejtat.

    “Jemi bërë bashkë për dhunën që flitet për konfliktet, gratë e vajzat preken më së shumti. Ndërsa jemi bërë bashkë për t’i diskutuar këto çështje, ndiej inspirim të thellë nga gratë e Kosovës…”, tha Osmani.

    Në këtë ngjarje mori pjesë virtualisht edhe ish-sekretarja e Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton. Ajo vuri theksin te dy gra që u zgjodhën presidente në Kosovë.

    “Pas shumë vitesh ia keni dalë që të siguroni për viktimat e dhunës seksuale, ju keni zgjedhur presidenten e parë dhe tani të dytën që janë të përkushtuara për ruajtjen dhe forcimin e paqes, zgjerimin e mundësive ekonomike dhe duke dëshmuar që bashkëpunimi sjell më shumë rezultat”, tha Clinton.

    Rëndësi iu dha edhe viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, për të cilat liderët e shteteve fqinje kërkuan drejtësi.

    “Ne dënojmë fuqishëm të gjitha llojet e dhunës seksuale. Nuk duhet përdorur. Është e papranueshme dhuna seksuale si instrument i luftës dhe frikësimit. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për këto krime”, tha presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar.

    “Ndër ata që kanë bartur barrën më të rëndë të konflikteve janë gratë”, tha presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Shembull i forcës në këtë aspekt, është Vasfije Krasniqi.

    Presidentja Osmani ka ndarë medalje presidenciale për gratë e Afganistanit, siç tha ajo, për trimërinë dhe kontributin e tyre.

    Pastaj, u mbajt edhe ceremonia e nënshkrimit të Qendrës Rajonale të Ekselencës.

    Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë mblodhi në Prishtinë rreth 1 mijë pjesëmarrës nga e gjithë bota. Tema si këto të së hënës do të diskutohen edhe të martën, në ditën përmbyllëse të edicionit.

    Ky është forumi i dytë i llojit të vet në historinë moderne të Kosovës.

  • Gjykimi ndaj Pjetër Shalës drejt fundit

    Gjykimi ndaj Pjetër Shalës drejt fundit

    Përgatiti: Nora Luta

    Procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës, i akuzuar për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, është drejt fundit.

    Këtë të hënë në Gjykatën Speciale ZPS-ja ka paraqitur fjalën përfundimtare, duke kërkuar dënim maksimal për Shalën.

    Gjatë paraqitjes së deklaratave përmbyllëse u tha se Shala kreu krime ndaj civilëve në një fabrikë në Kukës që përdorej si shtab lokal i UÇK-së.

    Të rrahësh persona që nuk mund të mbrohen nuk është luftë, është një akt frikacak i pajustifikueshëm dhune. I akuzuari nuk bëri asgjë për t’ua lehtësuar dhimbjet. Ai rrahu njërin pas tjetrit dhe koha nuk e ka ndryshuar karakterin e tij. Për të gjitha këto arsye, ai meriton dënim të rëndë!”, tha prokurori i ZPS-së, Filippo De Minicis.

    Prokuroria pretendon se një prej viktimave të Shalës vdiq nga maltretimet në fabrikën e Metalit në Kukës, ndërsa të tjerët që mbijetuan kanë shenja të përhershme fizike.

    “Viktimat e krimeve të të akuzuarit nuk mund të largoheshin. Një prej tyre, vdiq në fabrikën e metalit të Kukësit e të tjerat kanë shenja të përhershme fizike e përndiqen prej asaj përvoje. Ata nuk mund të harrojnë. Ata dhe familjet e tyre na kanë përshkruar traumën e gjatë dhe të thellë prej të cilës vuajnë”, tha De Minicis.

    Pjetër Shala akuzohet për krime lufte gjatë periudhës maj-qershor 1999 dhe pretendimet e ZPS-së janë se ai mban përgjegjësi penale individuale rreth ndalimit të disa civilëve në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

    Shala ishte arrestuar në mars të vitit 2021, ndërsa gjatë gjykimit i cili nisi në shkurt të vitit të kaluar, janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë.

    Seanca pritet të vazhdojë edhe të martën, gjatë së cilës do të paraqitet fjala përfundimtare nga mbrojtja.

  • 4 bijat e dëshmorit Gafurr Hyseni vizitojnë varrin e babait, rrëfejnë për ditën e trishtë

    4 bijat e dëshmorit Gafurr Hyseni vizitojnë varrin e babait, rrëfejnë për ditën e trishtë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Dhimbja e krenaria i bashkoi edhe këtë përvjetor katër bijat e dëshmorit Gafurr Hyseni, nga fshati Sllovi i Lipjanit.

    Tash e 25 vjet bashkë me pranverën thonë se iu kthehen edhe kujtimet e trishta, ato të momentit të ndarjes nga babai i tyre.

    Dhimbja qe e madhe për të gjithë, por më së rëndi e përjetoi Elifja, që në atë kohë ishte 8 vjeçe.

    “Kamioni i ka pasë do cerada të biruara, përmes tyre kom shikua, e kom pa si fëmijë kur babin e ka marrë e e kam pa që diçka ka me ndodhë. Vetëm i kam dëgjua krismat dhe e kam ditë që babin e kanë vra. Edhe sot dhimbja është e njëjtë, isha vetëm 9 vjeçe kur armiku hyri në fshatin tonë dhe i vrau shumë njerëz”, tha Elife Hyseni, vajza e dëshmorit Gafur Hyseni.

    “Sa kemi qëndruar tri javë në fshatin Smallushë, e kemi lypë shumë ku është aga pse krejt po vinë e ai s’po vjen, rast shumë i rëndë e në fund e kemi kuptua. Vinin organizatat na thoshin po ju çojmë jashtë ku doni te familjarët, po nëna e gjyshja s’kanë pranuar se thonin e kemi agën këtu pa varros. E le që e kanë mbytë po ia kanë kallë edhe kufomën”, tha Ganimete Hyseni, vajza e dëshmorit Gafur Hyseni.

    Me lot në sy, djersa ia mbuloi ballin, Gafurr Sopa tregon për 6 familjarët e tij që ia vranë para syve.

    “Këtu e kam djalin e vëllait, djalin e mixhës, djalin e hallës, tre kushëri. Na jemi kanë në atë masakër vetë e kemi përjetuar, në duar tona kanë vdekur. Jemi mundu të plagosurve me iu ofrua ndihmë e të vdekurit me i varrosë. Secila datë është e ranë se na kthejnë në atë kohë, çdo rivarrim ka qenë plagë për krejt fshatin”, tha Sopa.

    Në kujtim të 45 dëshmorëve e martirëve të fshatit Sllovi të komunës së Lipjanit, homazhe bënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kryeparlamentari Glauk Konjufca. Nga ky fshat kërkuan drejtësi, duke thënë se të masakruarit janë dëshmia e së drejtës.

    Për vrasjen e 13 civilëve në këtë masakër, Gjykata Themelore në Prishtinë, në vitin 2021 e kishte dënuar Goran Stanishiqin, me 20 vjet burg.

  • ASK regjistron gjashtë kosovarë që i kanë mbi 100 vjet

    ASK regjistron gjashtë kosovarë që i kanë mbi 100 vjet

    Për dhjetë ditë, Agjencia Statistikave i ka regjistruar mbi 200 mijë banorë rezidentë në Kosovë. Sipas ASK-së, që organizoi konferencë të hënën, në këto shifra hyjnë edhe qytetarë të komunitetit serb, në komunat veriore të vendit.

    “Këto ditë që kanë kaluar, kemi pjesëmarrje edhe nga komuniteti serb. Përkundër pengesave, ata u regjistruan vullnetarisht”, tha U.D. i kryeshefit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati.

    Lista Serbe kishte bërë thirrje që serbët e Kosovës të mos i përgjigjen procesit të regjistrimit të popullsisë. Madje, disa regjistrues të këtij komuniteti dhanë dorëheqje, pak para nisjes së punës në terren.

    Mirëpo, nga ASK-ja thanë se për këtë kanë aplikuar gjashtë serbë të tjerë.

    Në gjithë territorin e Kosovës, u tha se kanë përfunduar mbi 110 mijë intervista, ku përfshihen edhe zonat rurale.

    Gjatë intervistave, ASK-ja ka veçuar gjashtë persona.

    Ndërsa, nga diaspora, u tregua ku prin numri më i madh i mërgimtarëve.

    Regjistrimi i popullsisë ka filluar më datë 8 prill dhe pritet të zgjasë deri më datën 17 maj. /atvlive.tv

  • Osmani e Begaj vlerësojnë lart “marrëdhëniet vëllazërore” mes Kosovës e Shqipërisë

    Osmani e Begaj vlerësojnë lart “marrëdhëniet vëllazërore” mes Kosovës e Shqipërisë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj, i cili do të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë që po mbahet në Prishtinë.

    Në një konferencë për media pas takimit, Osmani falënderoi shtetin shqiptar për përkrahje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se së bashku me liderët e tjerë të Shqipërisë do të sigurohet që Kosova ta ketë përkrahjen e vazhdueshme.

    Ajo tha se synimi i Kosovës është anëtarësimi në strukturat euro-atlantike dhe se për këtë do ta ndjekë shembullin e Shqipërisë.

    Ajo shtoi se çdo sukses i Kosovës është edhe sukses i Shqipërisë si dhe anasjelltas.

    Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, duke vlerësuar raportet mes dy vendeve, tha se marrëdhëniet janë vëllazërore dhe se e kanë për detyrë për të qëndruar afër në çdo moment.

    Në fjalën e tij, Begaj u zotua se Shqipëria do të vazhdojë të jetë mbështetëse e Kosovës në politikën e jashtme, duke përmendur njohjet e reja dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

    Kreu i shtetit shqiptar gjithashtu foli edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se ai shpreson se votimi do të jetë në favor të Kosovës.

  • Qeveria e Kosovës mbështet Këshillin Kombëtar Shqiptar me rreth 17 mijë euro

    Qeveria e Kosovës mbështet Këshillin Kombëtar Shqiptar me rreth 17 mijë euro

    Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje elektronike, në të cilën ka ndarë 16.880 euro në mbështetje të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve të tyre avokuese.

    Këshilli Kombëtar Shqiptar merret ekskluzivisht me çështjet e shqiptarëve në Serbi, specifikisht, simbolet shqiptare, gjuhën dhe shkrimin shqip, arsimin dhe informimin.

    Ndryshe, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 31.530 euro për mbështetje të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit më 26 mars 2024.

  • 40 vite burg për shqiptarin në Mal të Zi/ Vrau ish-bashkëshorten 19 vjeçe dhe plagosi babanë e saj

    40 vite burg për shqiptarin në Mal të Zi/ Vrau ish-bashkëshorten 19 vjeçe dhe plagosi babanë e saj

    Ilir Gjokaj u dënua me 40 vjet burg për vrasjen e Shejla Bakijës (19-vjeçare) dhe plagosjen e babait të saj Shabanit, të kryer në shtator të vitit 2021, në fushën e Karabushkos në Tuzi.

    Gjykata e shkallës së parë në Podgoricë e dënoi Gjokajn me 40 vjet burgim për vrasje të rëndë, katër vjet për vrasje në tentativë dhe plagosje të Shaban Bakijës dhe një vit burg për armëmbajtje pa leje.

    Pas kësaj, gjykata vendosi një dënim të unifikuar me 40 vjet burgim.

    Aktgjykimin e shkallës së parë e shpalli kryetari i këshillit, gjyqtari Veljko Radovanoviç, shkruan sot Vijesti.me. Ai në shpjegimin e aktgjykimit tha se Gjokaj e ka vrarë Shejla Bakijën për motive të ulëta dhe egoiste.

    Sërgjan Leshkoviç, avokati mbrojtës i Gjokajt, u tha gazetarëve pasi gjykata shpalli vendimin sot, se aktgjykimi është sjellë nën presion dhe se gjykatat i marrin vendimet e tilla lehtë. Ai theksoi se në këtë procedurë nuk është paraqitur asnjë provë e mbrojtjes. Ai shtoi se gjykata i hodhi poshtë të gjitha provat e mbrojtjes.

    “Sigurisht që mbrojtja do të parashtrojë ankesë, aq më tepër që çdo kërkesë për paraqitjen e provave është refuzuar. Besoj se provat që i kemi propozuar, nëse do t’i kishim paraqitur, aktgjykimi me siguri do të ishte ndryshe”, përfundoi Leshkoviç.

    Avokatja Tijana Zhivkoviç, përfaqësuese e familjes së viktimës, u tha gazetarëve se aktgjykimi është një lloj satisfaksioni për familjen. Ajo beson se aktgjykimi është i bazuar në prova.

  • ​Nikolla: Populli i Kosovës për shkak të së kaluarës meriton paqe dhe siguri

    ​Nikolla: Populli i Kosovës për shkak të së kaluarës meriton paqe dhe siguri

    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka thënë se populli i Kosovës për shkak të së kaluarës meriton paqe dhe siguri.

    Në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ajo tha se lufta kundër dhunës seksuale dhe mbrojtja e grave është çështje preokupuese, porse kërkon një qasje më vizionare.

    Nikolla potencoi se mbrojtja e grave dhe vajzave, integriteti dhe siguria e tyre janë pjesë e sigurisë së përgjithshme në shoqëri.

    Tutje ajo shtoi se duhet të bëhet më shumë sesa përfshirja e grave nëpër institucione, derisa shtoi se duhet ofruar atyre mundësi për pjesëmarrje në të gjitha sferat jetësore.

    “Populli i Kosovës për shkak të së kaluarës meritojnë me të vërtetë paqen dhe sigurinë… Mbrojtja e grave dhe vajzave, integriteti, siguria e tyre, janë pjesë e sigurisë së përgjithshme në shoqërinë tonë dhe në vendet tona. Nuk mund të ketë siguri për gratë në një rajon të pa sigurtë, nuk mund t’i gëzohemi dhe t’i shijojmë lirinë dhe sigurinë nëse gjysma e popullsisë ka përjetuar padrejtësi të llojeve të ndryshme… Duke marrë parasysh vendin ku jemi në të vërtetë në zemër të Evropës Juglindore, që është një shprehje tjetër për Ballkanin Perëndimor. Vendet tona për më shumë se tre dekada janë ballafaquar me procese transformative demokratizimi, transformimi, ekonomi të tregut, globalizimi, evropianizimi drejt bashkimit me familjen evropiane, integrimet atlantike rajonale të bashkëpunimit për të kontribuuar në paqe dhe siguri”, tha Nikolla.

    Ndër të tjera, kryeparlamentarja, Lindita Nikolla tha se në Shqipëri 70 për qind e qeverisë dhe 30 për qind e deputetëve janë gra, porse sipas saj kjo nuk është e mjaftueshme.

    Nikolla theksoi se lufta kundër dhunë seksuale dhe mbrojtja e grave dhe vajzave kërkon më shumë përkushtim, përtej zgjidhjes teknike të çështjes siç pretendohet zakonisht sipas saj.

    “Lufta kundër dhunës seksuale dhe mbrojtja e vajzave dhe grave është çështje preokupuese në të gjitha vendet tona, por për mua, unë mendoj se kjo çështje kërkon një qasje më vizionare sesa thjeshtë zgjidhje teknike se çfarë zakonisht pretendohet. Shumëçka është thënë për kuotat e përfaqësimit, për përqindjet e grave dhe vajzave në institucione lidhur me të arriturat individuale të shumë prej tyre në vendet tona në nivel global. Por, mund të konfirmoj se në Shqipëri 70 për qind e qeverisë dhe 30 për qind e deputetëve janë gra, por jo nuk është e mjaftueshme ngase duhet të bëhet me shumë sesa të imponohet të përfshirja e grave, jo vetëm në institucione por janë të gjitha sferat jetësore, duke ofruar mundësi për pjesëmarrjen në jetën qoftë ekonomike apo familjare”, theksoi Nikolla./kp

  • ​Clinton: Kosova arriti të sigurojë dëmshpërblime për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

    ​Clinton: Kosova arriti të sigurojë dëmshpërblime për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

    Ish-sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton në një përshëndetje virtuale në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ka thënë se Kosova pas disa vitesh lobimi arriti të sigurojë dëmshpërblime për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës si dhe zgjodhi presidenten e parë grua, për të vazhduar edhe me të dytën.

    Clinton potencoi se gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës dhe pabarazisë, por janë agjente të paqes dhe progresit.

    “Gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës dhe pabarazisë, gratë janë agjente të paqes dhe progresit. Në dekadat që nga ajo kohë, Kosova ka qenë një vend i pavarur, aktivistët për të drejtat e grave, shumë prej tyre në këtë dhomë, siguruan përparim domethënës drejt arritjes së barazisë gjinore në sektorin publik dhe në politikë. Pas vitesh lobimi, ju arritët të siguroni dëmshpërblime për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, dhe zgjodhët presidenten tuaj të parë, dhe tani të dytë femër, të përkushtuar për ruajtjen dhe forcimin e paqes, zgjerimin e mundësive ekonomike dhe vërtetimin se bashkëpunimi jep dividendë shumë më të mëdhenj se konflikti. Jam e kënaqur që do të punoni me Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe Institutin Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në krijimin e një qendre rajonale të ekselencës për gratë, paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ky zhvillim i ri do t’ju mundësojë juve dhe rajonit të realizoni më mirë premtimin e kornizës së ËPS të krijuar nga Kombet e Bashkuara”, tha Clinton.

    Ndër të tjera, Clinton tha se demokracitë tona janë më të forta dhe më të qëndrueshme kur gratë përfshihen dhe trajtohen si të barabarta, e veçanërisht sipas saj kur gratë udhëheqin.

    Ajo shtoi se të drejtat janë të rëndësishme, por ato nuk janë asgjë pa fuqinë për t’i kërkuar dhe mbrojtur ato.

    “Së bashku, gratë e përkushtuara për ndërtimin e paqes udhëheqin përmes veprimit, por ne gjithashtu udhëheqim me shembull. Demokracitë tona janë më të forta dhe më të qëndrueshme kur gratë përfshihen dhe trajtohen si të barabarta, dhe veçanërisht kur gratë udhëheqin. Por, thjeshtë përqafimi i konceptit të të drejtave të grave, e lëre më për t’i ngulitur ato të drejta në ligje dhe kushtetuta nuk është e njëjtë me arritjen e barazisë së plotë. Të drejtat janë të rëndësishme, por ato nuk janë asgjë pa fuqinë për t’i kërkuar dhe mbrojtur ato”, theksoi Clinton.