ATV

Category: Lajme

  • ​Gruaja sulmohet nga dy qenë dhe pëson lëndime, pronari intervistohet

    ​Gruaja sulmohet nga dy qenë dhe pëson lëndime, pronari intervistohet

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më 15 prill në fshatin Brod në Shtërpcë një grua është sulmuar nga dy qenë dhe si pasojë është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime.

    Viktima sipas policisë ka pranuar tretman mjekësor.

    “Lidhur me rastin, është intervistuar i dyshuari mashkull kosovar pronar i qenve dhe me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • ​Një person kanoset përmes telefonit nga persona të panjohur, rasti në hetime

    ​Një person kanoset përmes telefonit nga persona të panjohur, rasti në hetime

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një person në Leposaviq është kanosur së bashku me familjen e tij përmes telefonit nga persona të panjohur.

    “Lidhur me rastin është njoftuar prokurori teksa rasti i nënshtrohet procedurave hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Vrasje në Pejë: Dyshohet se burri vrau gruan

    Vrasje në Pejë: Dyshohet se burri vrau gruan

    Një vrasje dyshohet se ka ndodhur në Pejë.

    Lajmin për Insajderin e ka konfirmuar, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

    Nikçi tha se personi i dyshuar ndodhet në statcion policor, dhe prokurori i rastit është në vendin e ngjarjes.

    Tutje ai tha se arma e zjarrit është kofiskuar.

  • ​Vazhdon Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

    ​Vazhdon Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

    Edicioni i dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën organizimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani do të mbahet edhe sot në Prishtinë, në kohën kur paqja dhe siguria sulmohen në pjesë të ndryshme të botës, ku gratë dhe vajzat janë në qendër të dhunës, torturës dhe trajtimit çnjerëzor.

    Ky edicion po mirëpret pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete botërore me rreth një mijë pjesëmarrës.

    Forumi WPS 2024 ka sjell liderë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, ndikues, të rinj dhe grupe të tjera të interesit së bashku në zemër të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar sfidat aktuale globale të paraqitura në agjendën e WPS gjatë kohërave të pasigurta, si dhe për të elaboruar rëndësinë e kësaj agjende për paqen e qëndrueshme.

    Ky edicion i forumit do të fokusohet ekskluzivisht në ndërtimin e përpjekjeve të përbashkëta për të trajtuar dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, si dhe në identifikimin e mjeteve dhe politikave për të ndihmuar gratë dhe vajzat të lundrojnë më të sigurta në kohën e kërcënimeve gjithnjë në rritje të sigurisë klimatike.

    Objektivi i forumit është të adresojë kërcënimet historike për sigurinë e grave së bashku me sfidat e reja të sigurisë, me qëllimin përfundimtar për të bashkuar forcat për të avancuar më tej agjendën e WPS.

    Si iniciativë e presidentes Osmani, ky forum përfaqëson një nga angazhimet në anën e institucioneve të Kosovës për Samitin për Demokraci dhe do të shërbejë për shkëmbimin e praktikave më të mira, si dhe për zhvillimin e strategjive dhe hartimin e kornizave të reja veprimi në vazhdën e një arkitekture gjithnjë në ndryshim të sigurisë dhe paqes në Evropë dhe përtej.

    Agjenda e forumit për ditën e dytë:

    Dita e dytë e punimeve nis me tryezën e rrumbullakët: Nga legjislacioni në veprim: Parlamentarët në ballë të agjendës së WPS (08:15-09:15), për të vazhduar me “Mendoj për ty” nga Alketa Xhafa Mripa me praninë e presidentes Osmani, një ftesë e hapur për të gjithë për t’iu bashkuar nismës kushtuar adresimit dhe sfidimit të stigmave që rrethojnë dhunën seksuale në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, Medica Kosova, Medica Gjakova & Qendra për Promovim të të Drejtave të Grave (09:30-09:45), Zërat e Trimërisë: Gratë e Rezistencës së Kosovës (10:20-11:20), Zgjidhjet revolucionare klimatike për komunitetet e vijës së parë (11:30-12:30, salla Beethowen), Formësimi i rrëfimeve, rritja e ndërgjegjësimit dhe promovimi i llogaridhënies – roli i medias në adresimin e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin (11:30-12:30, salla Strauss 1), Ngjarja anësore: Udhëtimi i të mbijetuarve meshkuj nga lufta trauma për t’i dhënë fund heshtjes (11:30-12:30, salla Strauss 2), Refugjatët, ndryshimet klimatike dhe dhuna seksuale: Adresimi i dobësive dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë (12:45-13:45, salla Strauss 1), Sigurimi i mbrojtjes për gratë mbrojtëse të të drejtave të njeriut në kohën e konfliktit (12:45-13:45, salla Strauss 2), Rimendimi i sigurisë përmes financimit adekuat: Përparimi qasje efektive për të trajtuar kërcënimet e sigurisë (15:15-16:15, salla Strauss 1), Siguria e klimës: Si të adresohen sfidat klimatike duke vendosur gratë në zemër të proceseve të sigurisë? (15:15-16:15, salla Strauss 2), Ngjarja anësore: Gratë e Afganistanit (15:15-16:15, salla Verdi).

    Ceremonia e mbylljes së WPS 2024 – Udhëzime të reja për Agjendën e grave, paqes dhe sigurisë (WPS): Çfarë vjen më pas, ora 16:30-17:30.

  • ​Anëtarësimi i Kosovës, sot votimi në Asamblenë Parlamentare të KiE

    ​Anëtarësimi i Kosovës, sot votimi në Asamblenë Parlamentare të KiE

    Të martën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të zhvillohet diskutimi dhe votimi për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo vjen pas miratimit me sukses të raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, përmes të cilit u konstatua që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

    Në Strasburg ndodhet shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla dhe zëvendësministri, Kreshnik Ahmeti, për të zhvilluar takime dhe koordinuar veprimet me partnerët dhe aleatët, të cilët po e mbështesin Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

    Po ashtu ndodhet edhe një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i cili udhëhiqet nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci. Kosova ka aplikuar në maj 2022 për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Serbia është kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

    Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se propaganda dhe fushata e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është jashtëzakonisht e egër dhe bie në kundërshtim të plotë me marrëveshjet e vitit të fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Por shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të KiE-së vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës,” thuhet në komunikatë.

    Nevojiten 2/3 e votave të Asamblesë për t’i rekomanduar Këshillit Ministror të KiE pranimin e Kosovës. Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Kosovës në KiE do të mbetet hapi i fundit, i cili do të ishte vendimi i Këshillit Ministror më 16 maj.

  • ​25-vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

    ​25-vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

    Sot shënohet 25-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.

    Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra-mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

    Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës përkujtohet, e në dy vjetët e fundit edhe simbolikisht prej pandemisë, kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.

    Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi), transmeton KosovaPress.

    Me datë 27 mars, në orën 13:20, në pikëkalimin doganor të Vërmicës/Morinës kalojnë në Kukës 187 refugjatët e parë nga Kosova ku shumica ishin fëmijë dhe gra, të cilët ishin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore dhe të plagosur me mjete të forta si: qyta pushke, shkopinj gome etj. U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga drejtuesit e Prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina.”

    Deri në orën 24.00 të datës 27 mars 1999 ne Kukës mbërritën 12.721 kosovarë. Ndihmat e para ushqimore erdhën nga Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë ku me datë 27 mars në Kukës, u dërguan kontingjente me ushqime (vaj, miell, sheqer, makarona, oriz, sapunë etj.) për 2.500 persona në muaj.

    Më datë 28 mars vazhdoi fluksi i kosovarëve drejt Kukësit, të dëbuar me forcë prej trojeve nga pushtuesit serbë. Numri i tyre ishte 13.000 banorë. Refugjatët kosovarë hynin në Kukës nga pikëkalimi i Vërmicës/Morinës ku edhe ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe zhveshur nga policët serbë, duke u marrë paratë, bizhuteritë dhe çdo send me vlerë që ato kishin.

    Vendstrehimi i tyre përkohshëm ishte Pallati i kulturës “Hasan Prishtina”. Më pas pushteti lokal në Kukës hapi dyert e disa mjediseve shkollore, çerdhesh, kopshtesh, magazinash dhe deposh për strehimin e të dëbuarve. Refugjatët e tjerë u strehuan në familje kuksiane ku edhe u mikpritën nga to. Mesatarisht çdo familje në qytetin e Kukësit kishte rreth 14 kosovarë. Ata flinin në çdo pjesë të shtëpisë.

    Në krye të javës në Kukës mbërriti karvani i dytë i të dëbuarve me rreth 70.000 kosovarë. Nga këto 40.000 u sistemuan pranë familjeve qytetare, 10.000 në mjedise të ndryshme publike të qytetit, 6.000 në komunat Bicaj, Kolsh, Tërthore dhe Shtiqën, 12.000 në qytetin e Krumës dhe 300 në komunën Golaj. Në Kukës mbërritën 16 automjete për të evakuuar një pjesë të kosovarëve në qytete të tjera. Dita-ditës numri i të dëbuarve rritej. Pavarësisht strehimit në shtëpitë e banorëve kuksianë, një numër i madh kosovarësh strehoheshin në kampe.

    16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.

    Një nga simbolet kryesore të 16 Prillit është edhe Obelisku. Kulla u ndërtua si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar. Ajo është ndërtuar në vendin ku ishin vendosur çadrat qe strehonin popullatën kosovare. Kulla është 23.5 metra e gjatë dhe është e mbushur me foto, të cilat paraqesin ngjarjet e asaj kohe. Kulla është një nga pikat më të vizituara turistike në Kukës. Gjatë datës 16 prill kulla është pika që vizitohet me shpesh.

    Për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit qëndron monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.

    Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë e pavarësinë e shumëpritur.

  • ​Përvjetori i lindjes së Ismet Jasharit – komandant Kumanova

    ​Përvjetori i lindjes së Ismet Jasharit – komandant Kumanova

    Sot është datëlindja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – komandant Kumanova.

    Ai u lind në Orizare të Kumanovës më 16 prill 1967. Ishte i biri i Jashar Jasharit e i nënë Nuries. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa në vitin 1982 u regjistrua në Gjimnazin e Kumanovës.

    Ismeti ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ky fond u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Menjëherë pas epopesë së Prekazit, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, militanti i përkushtuar i luftës çlirimtare Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë. Më 11 mars të po atij viti, ai, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arrin në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e UÇK-së.

    Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari caktohet me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të ushtrisë çlirimtare.

    Më 23 gusht 1998, pasi ushtria armike kishte ndërmarrë të gjithat masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizon rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, në Bajrak të Luzhnicës.

    Më 24 gusht në mbrëmje, luftëtarët e lirisë kishin depërtuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte, luftëtarët militantë, Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj, nuk kishin arritur të tërhiqeshin.

    Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, bie trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – komandant Kumanova. Në altarin e atdheut kishin rënë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj.

    Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.

  • 25 vjet nga rënia e Shkëlzen Haradinajt

    25 vjet nga rënia e Shkëlzen Haradinajt

    Sot shënohet 25-vjetori i rënies së luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral Shkëlzen Haradinaj, i cili ishte komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit dhe tre eprorët e lartë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, të rënë në betejën e Maznikut.

    Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars 1970 në Gllogjan dhe konsiderohet si njëri ndër figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sinonim i shumë betejave të Dukagjinit.

    Rënia e Shkëlzenit që kishte bërë gjashtë vjet luftë pa kompromis, ishte një humbje e madhe për UÇK-në, familjen dhe mbarë popullin shqiptar.

    Shkëlzen Haradinaj është vëllai i gjeneral Luan Haradinajt, i cili kishte rënë më 6 maj të vitit 1997 në kufirin shqiptaro-shqiptare, deri sa me një grup bashkëluftëtarësh po hynin në Kosovë./KP/

  • Kryenegociatorët sërish në Bruksel, “LS-ja nuk tërhiqet nga bojkoti”

    Kryenegociatorët sërish në Bruksel, “LS-ja nuk tërhiqet nga bojkoti”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Një rund i ri bisedimesh në nivel kryenegociatorësh, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në Bruksel, me temë kryesore rregulloren e BQK-së për pagesa me para të gatshme është në agjendë këtë javë.

    Gjetja e një zgjidhjeje të përkohshme për, siç u shpreh, “njerëzit e prekur nga vendimi”, është shpresa e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajcak.

    “Pres që të dyja palët të vijnë në takim me mendje të hapur, fleksibilitet dhe qasje për të gjetur zgjidhje, bazuar në idetë e propozuara gjatë takimeve të kaluara”, tha Lajcak.

    Nuk ka informacione zyrtare, nëse te çështjet e tjera do të diskutohet vendimi i Listës Serbe për bojkotimin e votimeve të 21 Prillit, për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe në veri.

    Pavarësisht rezultatit, opinionisti Ognjen Gogic nuk pret lëvizje nga qëndrimi.

    “Edhe nëse kryenegociatorët arrijnë ndonjë lloj marrëveshje lidhur me çështjen e pagesave, nuk do të mjaftonte që Lista Serbe të ndërrojë qëndrimin lidhur me votimin për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore. Vendimi për bojkotin ka të bëjë më shumë me kushtet e votimit sesa me çështjet e tjera politike”, tha Gogic.

    Bojkotin, sipas tij, Lista Serbe po e përdor vetëm si mbulesë.

    “Lista Serbe është e shqetësuar që referendumi nuk do të ketë sukses. Në fakt, ata mendojnë nuk do të dalin mjaftueshëm votues për t’i shkarkuar kryetarët, prandaj ata mendojnë se është më mirë që, paraprakisht, të thërrasin për bojkotim të referendumit, sesa të marrin pjesë duke e ditur se do të dështojnë. Lista Serbe është e shqetësuar se regjistri i votuesve është i fryrë dhe që përmban më shumë votues të regjistruar sesa njerëz që jetojnë në komunat veriore. Dhe, e dinë që serbët janë shumë të hidhëruar me të dyja, Prishtinën, por edhe me Listën Serbe, kështu që do të ishte vështirë të mobilizohen”, tha Gogic.

    Teksa vuri në pah se nuk mund të ketë ndërlidhje mes dinarit dhe bojkotit, Fitim Mulolli nga POLCON vlerësoi se përsëritja e skenarit të 23 Prillit 2023, për Listën Serbe, do të ishte humbje e arsyes dhe e argumentit kundër kryetarëve.

    “Një mundësi e patën kur janë mbajtur zgjedhjet, tani iu dha një rast që e kanë kërkuar tash e sa kohë dhe nëse e shfrytëzojnë edhe Qeveria e Kosovës do të jetë legjitime në mbështetjen që kryetarët të vazhdojnë punën e tyre. Në anën tjetër, prapë në qoftë se vendosin të bojkotojnë këtë proces, automatikisht është edhe një dëshmi që Serbia tenton ta prolongojë, pra ta shtyjë dialogun, sa më shumë që është e mundur, sepse është në favor të saj”, tha Mulolli.

    Të dielën, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok do të mbahen votime për shkarkimin e kryetarëve, të cilët morën drejtimin e këtyre komunave me numër të ulët votash në zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe.

  • Një ditë para votimit, Kosova e akuzon Serbinë për fushatë të egër

    Një ditë para votimit, Kosova e akuzon Serbinë për fushatë të egër

    Raporti: Fatlum Jashari

    Të martën, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në rend dite është votimi lidhur me aplikimin e Kosovës, në atë që vlerësohet si hapi i parafundit në rrugën e anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme për të drejtat e njeriut.

    Në prag të këtij zhvillimi, krahas përmendjes së përmbushjes së kritereve për anëtarësim, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës shprehu brengën për angazhimin e shtuar destruktiv të Serbisë.

    “Propaganda dhe fushata e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës janë jashtëzakonisht të egra dhe bien në kundërshtim të plotë me marrëveshjet e vitit të fundit mes Kosovës dhe Serbisë. Por, shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të KiE-së vendimin e tyre do ta marrin, jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

    Në anën tjetër, presidenti i shtetit fqinj, Aleksandar Vucic, u shpreh i zhgënjyer për, siç tha, mbështetjen e perëndimin për Kosovën, teksa këmbënguli se kundërshtimi i Serbisë do të vazhdojë më 16 Maj, në Këshillin e Ministrave.

    “Ata kanë bërë një truk të ri. Më 10 maj do të thonë se do t’i referohen Gjykatës Kushtetuese për vlerësim të draftit të evropianëve. Ata do të thonë që kjo është arsye që ne të votojmë për Kosovën në Këshillin e Evropës. Kështu që kjo do të ndodhë”, ka thënë Vucic.

    Suksesi eventual në votimin e 16 Prillit, për çka nevojitet mbështetja e së paku dy të tretave të 46 vendeve anëtare, do t’i hapte rrugë vendimmarrjes përfundimtare në Këshillin e Ministrave, një muaj më vonë.

    Në maj të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa muajin e kaluar tre krerët e shtetit nënshkruan një listë zotimesh, përfshirë lëvizjen drejt themelimit të asociacionit, si kusht në këtë rrugë.