ATV

Category: Lajme

  • ​Rrëzohen propozimet serbe që anëtarësimi i Kosovës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit

    ​Rrëzohen propozimet serbe që anëtarësimi i Kosovës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit

    Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të votojë rekomandimin për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Siç po raportohet, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Evropës i ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Në komitetet për çështje politike dhe demokraci të Këshillit të Evropës janë duke u diskutuar amendamentet që janë të përfshira në raportin e Dora Bakoyannis lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.

    Ky opinion i Bakoyannis pritet të votohet sot pasdite.

    Një votim i suksesshëm do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit.

    Kosova bëri një hap para në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatën e të drejtave të njeriut në fund të muajit të kaluar kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

    Këtij votimi të suksesshëm i parapriu edhe urdhri i Qeverisë së Kosovës ndaj Kadastrit që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit, duke zbatuar kështu një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

    Më 27 mars 2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës.

  • ​Vrasja në Pejë, flet Kryeprokurori: I dyshuari po intervistohet, çifti ka 3 fëmijë

    ​Vrasja në Pejë, flet Kryeprokurori: I dyshuari po intervistohet, çifti ka 3 fëmijë

    Sot, në orët e para të mëngjesit u raportua për vrasjen një gruaje një Pejë, që dyshohet se aktin e kreu bashkëshorti i saj.

    Lidhur me këtë rast, Kryeprokurori i Pejës, Agim Krumehaj ka deklaruar se të dyshuarit i është sekuestruar arma dhe se aktualisht është duke dhënë informacione lidhur me aktin.

    Për KP, Krumehaj tregoi se ende nuk dihen motivet e vrasjes dhe se i dyshuari gjendet në stacion policor, për çka po intervistohet lidhur me ngjarjen.

    Kurmehaj tha se ka qenë në vendin e ngjarjes, derisa e cilësoi si rast të rëndë, duke treguar se çifti janë prindër të tre fëmijëve.

    “Kryesorja është në stacion policor duke dhënë informata, për informata të sakta do të dalim tash pak më vonë me komunikatë, mos t’i paraprijë informatave të pa verifikuara. Kryesorja është i arrestuar, arma i është sekuestruar e kryerjes.. Pak më vonë do të dalim për informata shtesë…As motivi, nuk mund të prononcohem për motiv njëherë. Ka ndodhur rasti i vrasjes, unë kam qenë aty, rast shumë i rëndë, tre fëmijë i kanë pasur”, tha Kurmehaj.

    Ndërkaq, është raportuar se i dyshuari është dorëzuar në polici, duke pranuar se ka kryer vrasjen ndaj gruas së tij.

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist pas vrasjes së një gruaje nga bashkëshorti i saj në Pejë kanë protestuar në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që po mbahet nën organizimin e presidentes Vjosa Osmani.

    Ndërsa, nuk ka kaluar as një javë nga vrasja e 21 vjeçares në Ferizaj, që dyshohet se krimi u krye nga ish bashkëshorti i saj në Qendrën për Punë Sociale.

  • Vrasja e gruas në Pejë, drejtori i Policisë: Të gjithë njerëzit që kryejnë akte të tilla duhet të marrin dënimin e merituar

    Vrasja e gruas në Pejë, drejtori i Policisë: Të gjithë njerëzit që kryejnë akte të tilla duhet të marrin dënimin e merituar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Pejë.

    Dyshohet se një burrë e ka vrarë gruan e tij në banesën ku jetonin në rrugën “Bill Clinton” të këtij qyteti.

    I dyshuari është arrestuar nga organet e rendit dhe është sekuestruar arma e krimit.

    Në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe drejtori i policisë Gazmend Hoxha.

    Hoxha para mediave tha se të gjithë njerëzit që kryejnë të tilla duhet merr dënimin e merituar.

    “Ajo se çfarë ne dimë është se nga viti 2021 nuk kemi raste të dhunës në familje në këtë familje. Tash ne po i analizojmë raportet tona dhe do të shohim se cili ka qenë roli dhe puna e policisë në këtë rast. Në qoftë se ka pasur ndonjë lëshim, normalisht secili do të vihet para përgjegjësisë”, tha Hoxha para mediave.

  • Osmani thotë se secili që beson në demokraci dhe të drejtat e njerëzve do të votojë pro Kosovës në KiE

    Osmani thotë se secili që beson në demokraci dhe të drejtat e njerëzve do të votojë pro Kosovës në KiE

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se përmes aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, mund të jepet një mesazh i fortë nga Evropa.

    “Sot anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u është dhënë mundësia për të dërguar një mesazh të fortë, që Evropa qëndron fuqishëm në angazhimin e saj për demokracinë dhe të drejtat e njerëzve”, është shprehur ajo.

    “Secili që beson vërtetë në një të ardhme me këto vlera, do të votojë në favor të anëtarësimit në Kosovës në KiE”.

    Pasditen e kësaj së marte do të zhvillohet debati dhe pritet të miratohet raporti nga asambleja. Paraprakisht nuk kanë kaluar disa amandamente të propozuara nga Serbia, si dhe një nga delegacioni italian për Asociacionin e Komunave Serbe.

  • Kalon në Komisionin për Arsim Projektligji për Provimin e Maturës, Nagavci: Evidentohet mundësia për të kopjuar

    Kalon në Komisionin për Arsim Projektligji për Provimin e Maturës, Nagavci: Evidentohet mundësia për të kopjuar

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nxënësit të së njëjtës klasë do të shpërndahen në Provimin e Maturës, në mënyrë që t’i ikin mundësisë së kopjimit, dukuri kjo që sipas tij ka ndodhur në të kaluarën, raporton Eo.

    Këtë deklarim, ministrja e Arsimit e ka bërë gjatë raportimit në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ku me shtatë vota për kaloi në lexim të parë Projektligji për Provimin e Maturës Shtetërore.

    Nagavci tha se ky vendim ka të bëjë me përjashtimin e mundësisë së kopjimit të Provimit të Maturës.

    “Ajo që kemi bërë dhe po mendojmë të bëjmë edhe në provimin e radhës është që kemi sjellë pjesërisht dixhitalizimin në aspekt të aplikimit online të sistemit të nxënësve në mënyrë se si do të vendosen ata në klasa. Nuk do të jenë të së njëjtës klasë në një klasë por kemi nxënës që do të shpërndahen në klasa të ndryshme që të mos kopjojnë me njeri-tjetrin por edhe një çështje që është e rëndësishme është edhe çështja e organizimit të masave që do të merren në rast të evidentimit të shkeljeve nga ana e ministrisë, menaxhereve edhe kështu me radhë të cilat e kane lejuar se në raste të caktuan edhe kanë përkrah kopjimin”, ka thënë Nagavci, teksa përmendi edhe komunat ku janë evidentuar shkelje të tilla.

    E sqarime për këtë Projektligj kërkoi, kryetari i Komisionit, Ardian Gola, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

    “Mendoj që është një Projektligj jashtëzakonisht i rëndësishëm. Në pikat që duhet menduar është ndarja e përqindjes së nxënësve për të sistemuar në arsimin e lartë. Suksesi është 30 për qind dhe 40 për qind është testi pranues, ndoshta këtu duhet me u fokusu më shumë se njëri prej problemeve kyçe është kur studentet janë gabimisht mandej edhe ambiciet që mund t’i kenë duke futur në sistem pa pasur përgatitje paraprake që marrin formë përmes përqindjes. Nëse këtu do të kishim mujt me bo një shpërndarje të mirë, besoj që do të kishim arrit me zgjedh një problem mjaft të madh”, tha Gola.

    Ndërsa ministrja Nagavci, tha se problem kyç mbetet kopjimi i testeve, teksa përmendi edhe rastet kur janë evidentuar shkelje të tilla.

    “Unë besoj që nuk ka të bëjë me përqindjen, dilemat që i kemi të gjithë por ka të bëjë me menaxhimin e testit gjerësisht në mungesën e përgjithësisë dhe llogaridhënies që ju besohet një detyrë shume e rëndësishme. Unë e përmenda, viteve të kaluar kemi pasur raste që janë evidentuar edhe në kohë reale se kush kanë qenë mësimdhënësit, profesorët që kanë qenë në klasë ku është bërë kopjimi dhe ku është bërë kopjimi i testeve. Kemi dërguar edhe njoftim që të marrin masa gjoba që duhet paguar në këtë rast”, u shpreh Nagavci.

  • Kusari-Lila pas tragjedisë në Pejë: Dënimi maksimal është minimumi për vrasësit

    Kusari-Lila pas tragjedisë në Pejë: Dënimi maksimal është minimumi për vrasësit

    Shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas vrasjes së gruas nga burri i saj në Pejë.

    Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila, shkruan se vrasjet e dy grave brenda pak ditësh në Kosovë, është alarmante dhe tregon për çrregullim të rëndë social dhe një rrugë tranzicioni pa mekanizma sigurues në shoqërinë tonë në rrugëtimin drejt barazisë.

    “Viktima e dytë e femicidit në Kosovë brenda pak ditëve, nga Ferizaji në Pejë. Viktima e sotme prapë e vrarë nga bashkëshorti në shtëpinë e saj. Kjo është alarmante dhe tregon për çrregullim të rëndë social dhe një rrugë tranzicioni pa mekanizma sigurues në shoqërinë tonë në rrugëtimin drejt barazisë. Numër alarmant i burrave në shoqëri po e konsiderojnë të drejtën absolute deri në vrasje, ndaj gruas dhe kjo kërkon trajtim serioz në të gjitha nivelet”, ka shkruar ajo.

    Kusari-Lila, po ashtu tha se dënimi maksimal është minimumi për vrasësit, ndërsa ngushëlloi edhe familjen e gruas që u vra sot në Pejë.

    “Dënimi maksimal është minimumi për vrasësit, ndërsa trajtimi i normave shoqërore në thelbin e tyre duhet rishikuar dhe ridefinuar. Nuk mund të humbim vajzat dhe gratë ndaj dhunës së pakontroll që po shpërfaqet brutalisht çdo ditë e më shumë. Ngushëllime familjes të së ndjerës për humbjen e madhe”, shkroi Kusari-Lila.

  • Aktivistët e PSD-së dorëzojnë një plumb para Qeverisë, si shenjë proteste për vrasjet e grave në Kosovë

    Aktivistët e PSD-së dorëzojnë një plumb para Qeverisë, si shenjë proteste për vrasjet e grave në Kosovë

    Partia Socialdemokrate ka mbajtur të martën një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë. Aktivistët e PSD-së, kanë dorëzuar një plumb në hyrje të objektit, si shenjë proteste për vrasjet e grave në Kosovë, raporton EO.

    Aktivistja e Partisë Socialdemokrate, Donjeta Demolli, tha se institucionet nuk po bëjnë mjaftueshëm për mbrojtjen e grave në Kosovë.

    “Përderisa kjo Qeveri dhe Presidenca po defilojnë nëpër samite të paqes duke i treguar botës se çka është paqja e duke kompozuar këngë në jetë paralele ku gratë po përballen me plumba është duke ndodhur në Kosovë. Kjo është treguesi më i qartë që performanca dhe simbolikat e Qeverisë dhe Presidencës nuk ua kanë nderuar jetën grave”, u shpreh ajo.

  • Vrasja në Pejë, reagon Haradinaj: Është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe, drejtësia të ashpërsohet në këtë drejtim

    Vrasja në Pejë, reagon Haradinaj: Është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe, drejtësia të ashpërsohet në këtë drejtim

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vrasjes së fundit në Pejë.

    Haradinaj ka thënë se vrasjet duhet të ndalen, shoqëria të reflektojë e drejtësia ta kryej punën e saj.

    “Është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe. Vrasjet duhet të ndalen, shoqëria duhet të reflektojë, ndërkaq drejtësia ta kryej punën e saj dhe të ashpërsohet në këtë drejtim”, ka thënë Haradinaj.

    Reagimi i plotë:

    I trishtueshëm lajmi për vrasjen e gruas që ndodhi sot në Pejë. Raste të tilla që fatkeqësisht po ndodhin shpesh në vendin tonë, janë të papranueshme dhe është tejkaluar çdo limit njerëzor.

    Është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe. Vrasjet duhet të ndalen, shoqëria duhet të reflektojë, ndërkaq drejtësia ta kryej punën e saj dhe të ashpërsohet në këtë drejtim.

    Ngushëllime familjes që humbi më të dashurën e tyre.

  • ​Muhaxheri: Ditë e trishtë për Pejën sot, dhuna nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë

    ​Muhaxheri: Ditë e trishtë për Pejën sot, dhuna nuk duhet të ketë vend në shoqërinë tonë

    Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar pas rastit tragjik ku mbeti e vrarë një grua duke thënë se në këtë ditë të trishtë duhet të kërkohet drejtësi për viktimën.

    Në llogarinë e tij në Facebook, Muhaxheri ka ngushëlluar familjen e të ndjerës, ndërsa ka shtuar se dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë, dhe se është përpjekje e dëshpëruar për të zëvendësuar autoritetin e humbur.

  • “Shpalleni gjendjen emergjente tani” – protestohet pas vrasjeve të grave

    “Shpalleni gjendjen emergjente tani” – protestohet pas vrasjeve të grave

    Para Forumit të Gruas, Paqes dhe Sigurisë është protestuar të martën me kërkesën që të shpallet gjendja emergjente menjëherë. Protesta e së martës vjen pas vrasjes së një gruaje në Pejë, e që ndodhi vetëm katër ditë pas një tjetër vrasjeje në Ferizaj, raporton EO.

    Në një aksion para ambienteve ku po mbahet ky forum, është protestuar me thirrjen që të shpallet gjendje emergjente menjëherë.

    Liridona Sijarina nga Qendra Kosova për Studime Gjinore ka thënë se kanë kërkuar që të hyjnë brenda Forumit e të përballen me presidenten dhe t’i tregojnë se duhet në mënyrë urgjente të thirret mbledhja e Këshillit të sigurisë e të shpallet gjendje emergjente.

    “Presidenca edhe neve asnjë prej shoqërisë civile këtu që jemi nuk e kanë ftuar. Kjo neve na lënë pa alternativa të tjera, ne nuk është që mundemi me ndejt të heshtur përderisa shteti vazhdon me mbajt konferenca që janë të izoluara e që janë për një audiencë goxha të filtruara të cilët ata vetë i vendosin edhe i injorojnë komplet thirrjet tona”, ka thënë Sijarina.

    Sijarina i ka bërë thirrje shtetit që “të mos merret me aktiviste, por me problemet e shoqërisë”.

    “Kështu që bëjmë thirrje edhe prej këtu edh prej Qeverisë edhe Presidencës që mos me u marr me neve aktivisteve por me u marr me problemet e kësaj shoqërie dhe që është pasiguria e thellë në të cilën jetojnë vajzat edhe gratë e Kosovës. Bëjmë thirrje edhe një herë që shteti me shpall gjendje emergjente. Dje protestuam për vrasjen e grave dhe sot u quam me një lajm që edhe një grua u vra ne Pejë. Kjo është gjendje që duhet me na alarmua jo vetëm neve por edhe shtetin. Me këtë rast kërkojmë reagim edhe veprim të menjëhershëm. Çdo vonës nga shteti është duke i vrarë vajzat edhe gratë”, ka thënë ajo.