ATV

Category: Lajme

  • Policia shpall në kërkim Akil Gjakovën

    Policia shpall në kërkim Akil Gjakovën

    Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligj për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar më autorizimin e Prokurorisë themelore nё Pejё, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët.

    Personi i kërkuar është:

    • AKIL (Luan) GJAKOVA i lindur me 04.01.1996 nё Pejë.

    I pandehuri është i kërkuar për veprën penale:

    – “Dhunё nё familje”

    Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

    Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës:

    – 192 dhe 080019999 (pa pagesë)

    – 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë

    – E-mail adresa: [email protected]

  • Vrasja e Ukellës – nesër marsh në Pejë me moton “Kot flasim, derisa ata vrasin”

    Vrasja e Ukellës – nesër marsh në Pejë me moton “Kot flasim, derisa ata vrasin”

    Organizatat e shoqërisë civile në Pejë kanë thirrur për nesër një marsh proteste paqësore në shenjë revolte ndaj vrasjes së Gjyljeta Ukellës.

    Vrasja në Pejë është e dyta brenda pak ditësh në Kosovë, pasi në Ferizaj ditë më parë u vra Erona Cokli.

    “Nesër, e mërkurë, duke filluar nga ora 11:00 do të organizohet marshi paqësor me moton “Kot flasim, derisa ata vrasin”. Marshi fillon nga qendra e qytetit për të vazhduar tek objektet e Policisë, Gjykatës Themelore dhe Prokurorisë Themelore në Pejë,” thuhet në njoftim.

    Për t’u solidarizuar me Gjyljetën dhe të gjitha viktimat e femicidit, sonte në ora 19:30, në qendër të qytetit Pejë do të bëhet ndezja e qirinjve.

    Organizatat e shoqërisë civile në Pejë bëjnë thirrje që urgjentisht të ndalohet me mohimin e femicidit dhe dhunës në baza gjinore, duke thënë se mosndëshkimi i këtyre rasteve është inkurajim i mëtejshëm.

  • Hoxhaj: Vrasjet e grave në Kosovë duhet dënuar dhe duhet stopuar me të gjitha mjetet

    Hoxhaj: Vrasjet e grave në Kosovë duhet dënuar dhe duhet stopuar me të gjitha mjetet

    Nënkryetari i Kuvendit Enver Hoxhaj ka reaguar për vrasjen e rëndë në Pejë, që ndodhi sot, ndaj një gruaje ku dyshohet se atë e vrau bashkëshorti.

    Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Enver Hoxhaj, ish-ministri i jashtëm, ka shkruar se vrasjet e grave në Kosovë, janë alarm që duhet të zgjojë institucionet shtetërore e secilin qytetarë.

    Hoxhaj, e quajti këtë akt të tmerrshëm, për të cilin tha se dënuar dhe duhet stopuar sa më parë, me të gjitha mjetet.

    “Vrasjet e grave në Kosovë, janë alarm që duhet të zgjojë institucionet shtetërore e secilin qytetarë. Ky akt i tmerrshëm, ashtu si edhe aktet tjera jo shumë të largëta, kundër grave, duhet dënuar dhe duhet stopuar sa më parë, me të gjitha mjetet!”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

  • Abdixhiku: Kur vrasja e një gruaje zë vrasjen tjetër, femicidi në Kosovë nuk guxon të bëhet gjë e zakonshme

    Abdixhiku: Kur vrasja e një gruaje zë vrasjen tjetër, femicidi në Kosovë nuk guxon të bëhet gjë e zakonshme

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas ngjarjes së sotme ku u vra në Pejë, Gjyljeta Ukella, nga bashkëshorti i saj.

    Abdixhiku ka ftuar të gjitha organet e rendit dhe sigurisë të veprojnë më përgjegjësi e pakompromis ndaj rasteve të fundit, përcjell IndeksOnline.

    Postimi i plotë:

    “Kur vrasja e një gruaje zë vrasjen tjetër!

    Vrasja e grave në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese. Ende pa u bërë një javë, sot po zgjohemi me një lajm tjetër të trishtë. Gjyljeta Ukella, edhe një grua, sot është viktimë nga burri i saj. Kjo s’është gjendje normale, e ne nuk mund të normalizojmë këtë alarm nacional që na shfaqet para sysh nga dy herë në javë vetëm me reagime.

    Nuk mund të presim që cikli nga dhuna në reagim, deri në fatalitetin tjetër të na normalizohet. Femicidi në Kosovë nuk guxon të bëhet gjë e zakonshme; e asnjë deklaratë e sotme nuk e kthen dot prapa jetën e Gjyljeta Ukella.

    Ftoj të gjitha organet e rendit dhe sigurisë të veprojnë me përgjegjësi e pakompromis ndaj rastit të sotëm dhe jo vetëm. Shteti duhet të jetë mburojë për gratë. Jeta e tyre nuk guxon të mbetet jetë për mbijetesë.

    Nga lehtësia e posedimit të armës së zjarrit, te gjendja reaktive e institucioneve tona, kushtet strehuese të grave që kërkojnë mbrotje, e gjuha denigruese ndaj grave; problemet i kemi të shumta e veprimet plotësisht të pamjaftueshme.

    LDK do ta shqyrtoj çdo mundësi institucionale që të ngris diskutimin rreth vendimmarrjes institucionale për parandalimin e rasteve të tilla.”

  • Avokati i Pjetër Shalës thotë se një dëshmitar deklaroi se në të kaluarën deklaratat e tij ishin manipuluar nga prokurori përgjegjës në hetime

    Avokati i Pjetër Shalës thotë se një dëshmitar deklaroi se në të kaluarën deklaratat e tij ishin manipuluar nga prokurori përgjegjës në hetime

    Në gjykimin ndaj Pjetër Shalës ka filluar deklaratat përmbyllëse mbrojtja e tij e përfaqësuar nga avokati Jean-Louis Gilissen i cili tha se një dëshmitar kishte deklaruar se prokurori përgjegjës për hetime në të kaluarën kishte manipuluar me deklaratat e tij.

    “Dëshmitari nuk hezitoi që të pohonte se prokurori që ishte përgjegjës në të kaluarën për hetime në këtë lëndë i kishte manipuluar deklaratat e tij”, tha ai.

    Përpara kësaj, Gilissen tha se janë evidentuar disa parregullsi gjatë procesit pasi sipas tij, ky dëshmitar kishte deklaruar se ka dhënë afërsisht rreth 100 deklarata për autoritete të hetuesisë e që sipas avokatit ato nuk janë.

    Avokati thotë se dëshmitari ka thënë se dosjet e lëndës së tij janë të paplota. Ai tha se mbrojtja nuk ka qasje në dokumentet e mbledhura gjatë hetimeve në këtë çështje gjyqësore. Sipas tij, një situatë e tillë është shumë e rendë.

    Ai tha se ka mundësi që këto deklarata kanë humbur apo edhe ka gënjyer dëshmitari e që kjo është një indikator që konteston besueshmërinë e këtij dëshmitari. Megjithatë, Gilissen tha se kjo është në dëm të të drejtave të Shalës dhe në dëm të provuarit të drejtësisë.

    Ndryshe, Gilissen tha se nuk i konteston ato që kanë ndodhur në fabrikën e Metalit në Kukës mirëpo, baza e gjykimit të Shalës është të vërtetohet nëse i akuzuari ka qenë ose jo pjesëmarrës.

    “Me duhet të them, ju lutem; vuajtja dhe plagët nuk… asnjëherë. Por ato, nuk kanë asnjë lidhje me provën e pjesëmarrjes dhe sigurisht me duhet të them që ajo që ka ndodhur në fabrikën e Metalit në Kukës ne e dimë këtë gjë se në fakt dy vendime gjyqësore janë marrë lidhur me këtë. Kanë ndodhur ngjarje të tmerrshme. Nuk është në diskutim kjo. Nuk ka të bëjë me diskutimin tonë, far. Nuk ka të bëjë fare sepse baza e këtij gjykimi është që të dihet në qoftë se zoti Shala ka marrë pjesë në atë që ka ndodhur në Kukës apo jo”, tha ai.

    Ai po ashtu tha se edhe disa hetues kanë bërë përzgjedhje hetimore jo të mirë të provave.

    “Mungesa e provave duket që vjen si rezultat i përzgjedhjeve hetimore. Disa hetues kanë ndodhur të bëjnë përzgjedhje hetimore jo të mirë. Megjithatë, rezulton që shumë njerëz, emrat e të cilëve paraqitën në deklarata ose në dosje të prokurorisë, asnjëherë nuk janë dëgjuar e as nuk janë ftuar të japin deklaratë. Hetuesit nuk kanë kontaktuar fare me këta persona”, tha Gilissen duke specifikuar rastin e Shani Berishës i cili sipas tij, është përmendur nga dy dëshmitarë të Prokurorisë dhe është profilizuar si person me ndikim në fabrikën e Metalit në Kukës.

    Madje, Gilissen kontestoi edhe parashtrimet e ZPS-së të cilët në deklaratën përmbyllëse thanë se ka të ngjarë që Shala është larguar nga Kosova për në Belgjikë në mënyrë që t’i ikte përgjegjësisë penale.

    “Zotëri Shala ka qenë gjithmonë i gatshëm që të përgjigjet. Ai është larguar nga Kosova, por arsye nuk ka qenë që ai të i shmanget përgjegjësisë. Nuk është ky rasti që ai ka ardhur në Belgjik. Absolutisht jo! Por, siç e dini z.Shala ka jetuar në Belgjikë përpara se të kthehej atje. Kështu, që nuk ka arsyeje që ta prezantoni që ai është larguar nga Kosova për në Belgjikë për të iu shmangur përgjegjësisë”, tha ai duke theksuar se po ashtu edhe shpjegimet e dhëna nga Shala për këtë çështje gjyqësore janë shtrembëruar e po ashtu një pjesë e argumenteve janë keqpërfaqësuar.

    Gilissen theksoi se për disa persona, deklarata e pavarësisë së Kosovë ishte një katastrofë dhe si rezultat hetimet ishin një mundësi për t’i larë hesapet.

    “Shumë njerëz e gjejnë vetën në situata që janë tërësisht të ndryshme nga situata ku ata janë gjendur në të shkuarën, përpara luftës së vitit 1999. Pjesa dërrmuese e popullsisë së Kosovës, sigurisht e konsideron situatën si shume herë më të mirë tani se sa situata që ka qenë në vitin 1999. Megjithatë, për disa gjerat janë të ndryshme. Për disa, ata kanë humbur të ardhurat e tyre, kanë humbur statusin e tyre dhe për disa ata kanë humbur privilegjet në atë kohë. Për disa prej tyre deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte një katastrofë e vërtetë sepse ajo i vendosi ata në kampin e të humburve-humbësve. Si rezultat, nuk është befasuese se për disa, hetimet ishin një mundësi e papritur për të larë hesapet”, tha ai.

    Avokati mbrojtës i Shalës tha se edhe koha e ka pas efektin e vetë në këtë çështje gjyqësore pasi që disa persona që kanë qenë dëshmitar në uzinën e Kukësit sot nuk janë të përshtatshëm të dëshmojnë.

    “Efektet e kohës dhe rrjedhja e kohës janë reale dhe janë domethënëse në këtë çështje. Në të gjithë e dimë këtë. Ne i kemi parë pasojat e gjithë kësaj dhe sikur e dini kalimi i kohës i ka pasojat e veta. Disa prej njerëzve që kanë qenë në fabrikën e Metalit në Kukës me 1999, sot janë sëmur dhe sëmundja e tyre nuk i bënë ata të përshtatshëm që të jenë dëshmitar e as të japin një deklaratë, duke pasur ndikim mbi cilësinë e dëshmive që mund të thuhen prej palëve”, tha Gilissen.

    Ai tha se një rast i tillë është edhe Ruzhdi Saramati i cili sipas tij është i sigurt që ka pas informacione të drejtpërdrejta lidhur me atë që ka ndodhur në Kukës.

    “Dua të iu jap një shembull të vetëm; ne jemi përpjekur që të kontaktojmë me Ruzhdi Saramati… Ky person ka qenë i rëndësishëm në Kukës dhe në veçanti ka qenë i rëndësishëm në fabrikën e Metalit në Kukës me 1999. Është e sigurt që ai ka pasur informacion të drejtpërdrejtë lidhur me jetën dhe me organizimin e Fabrikës e Metalit të Kukësit në kohën e aktakuzës dhe për muaj të tërë nuk ka pasur pikë vlerë të përpiqeshim që të takohemi më atë. Ai nuk është plotësisht me ne. Ai është i paaftë për të kujtuar Ai nuk ka mundësi të i përgjigjet asnjë pyetje apo për të pranuar ose refuzuar çdo propozim për t’u takuar me atë dhe pavarësisht kësaj, ky është realiteti”, tha ai duke thënë që kjo është një humbje për kërkimin e së vërtetës duke përmendur edhe të gjithë ata persona që tashmë kanë vdekur përpara e të fillojë ky proces gjyqësor./BetimipërDrejtësi

  • Presidentja Osmani e shpall të mërkurën ditë zie

    Presidentja Osmani e shpall të mërkurën ditë zie

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 17 prill 2024, të shpallet ditë zie, në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovë si rezultat i dhunës në baza gjinore.

    Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

  • Begaj në Prishtinë, takim me akademikun Rexhep Qosja

    Begaj në Prishtinë, takim me akademikun Rexhep Qosja

    Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në shtëpinë e akademikut Rexhep Qosja, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë.

    Presidenti Begaj vlerësoi krijimtarinë e tij shkencore, letrare, artikujt kritikë me vlerë, si dhe veprimtarinë intelektuale.

    Nga ana e tij, Qosja i shprehu Presidentit Begaj mbështetje në përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e identitetit kombëtar nëpërmjet respektimit të standardit të gjuhës letrare shqipe në Shqipëri dhe Kosovë.

    Ndërsa evokoi figurat e Rilindjes Kombëtare, në veçanti veprimtarinë atdhetare, politike dhe letrare të Abdyl, Sami dhe Naim Frashërit, dhe të Naum Veqilharxhit, akademik Qosja theksoi nevojën për vepra konkrete, që nxjerrin në pah vlerat e rilindasve dhe personaliteteve të shquara shqiptare, me synim ndërgjegjësimin e brezave të rinj.

    Gjatë bisedës kujtuan me nderim sakrificat e bëra gjatë luftës së Kosovës dhe heroizmin e familjes Jashari, anëtarët e së cilës, burra, gra e fëmijë, dhanë jetën për Kosovën, duke u shndërruar në një shembull unik në botë./atsh

  • Deputetja e LDK-së: Të gjithë këta vrasës janë me të kaluar kriminale, shteti ishte në dijeni për dhunën ndaj grave

    Deputetja e LDK-së: Të gjithë këta vrasës janë me të kaluar kriminale, shteti ishte në dijeni për dhunën ndaj grave

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pas vrasjes së grave në Ferizaj e Pejë, duke e quajtur të frikshme dhe të tmerrshme.

    Krasniqi ka thënë se vrasësit ishin me të kaluar kriminale dhe se shteti ka qenë në dijeni për dhunën ndaj grave.

    “Dy vrasje të grave brenda një jave në Kosovë. E frikshme. E tmerrshme. E papranueshme. Të gjithë këta vrasës janë me të kaluar kriminale, shteti ishte në dijeni për dhunën ndaj grave, është bashkëfajtor sistemi i drejtësisë. Të rizgjohet pushteti e të mos mjaftohet vetëm me deklarata. Vrasja e grave është urgjencë kombëtare”, ka shkruar Krasniqi.

  • Konjufca pas vrasjes në Pejë: Vërtetë e papranueshme që në shoqërinë tonë të ndodhin krime të cilat kryhen nga bashkëshortët

    Konjufca pas vrasjes në Pejë: Vërtetë e papranueshme që në shoqërinë tonë të ndodhin krime të cilat kryhen nga bashkëshortët

    Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka reaguar pas rastit të vrasjes së një gruaje sot në Pejë nga bashkëshorti i saj, raporton EO.

    Konjufca tha se ajo që është urgjente dhe që duhet të ndodhë është konsolidimi i mekanizmave të sigurisë dhe gjyqësisë, që sipas tij, raste të tilla mos të ndodhin më.

    “Mendoj që gjithmonë institucionet e sigurisë duhet të mblidhen për raste te tilla. Është, mendoj edhe kjo arsye për faktin që vetëm këtë javë i patëm dy vrasje të grave, që është tronditëse edhe e trishtueshme kur ngrihesh në mëngjes edhe dëgjon se sa ishim duke e trajtuar rastin e Ferizajt ndodh edhe rasti i Pejës. Është vërtetë e pa pranueshme që në shoqërinë tonë të ndodhin krime të tilla të cilat kryhen nga bashkëshortët ose ish bashkëshortët edhe brenda institucioneve që janë për shërbime sociale. Unë dhashë mesazhin që patjetër duhet një konsolidim më i madh i institucioneve tona të sigurisë dhe drejtësisë. Sepse shumica prej kryerësve të krimeve edhe ajo që i ndodhi Marigonës më herët, edhe ajo në Ferizaj ndodhi prej një ish bashkëshorti apo bashkëshorti i cili ka të kaluar kriminale”, ka thënë ai.

  • Tahiri: Kultura e dhunës në pushtet e ushqen dhunën në shoqëri

    Tahiri: Kultura e dhunës në pushtet e ushqen dhunën në shoqëri

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se në vitin 2023 ka pasur rritje për 40 për qind të vrasjeve në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

    Në postimin e bërë në Facebook, Tahiri ka thënë se kultura e dhunës në pushtet e ushqen dhunën në shoqëri.

    “Në pushtet e kemi një kryeministër dhe një ministër të brendshëm që deri dje e kanë sulmuar dhunshëm Policinë”, ka shkruar ai mes tjerash në Facebook.

    Postimi i plotë: