ATV

Category: Lajme

  • Krejt çka dihet deri më tani për vrasjen e gruas në Pejë nga bashkëshorti i saj

    Krejt çka dihet deri më tani për vrasjen e gruas në Pejë nga bashkëshorti i saj

    Një ngjarje tronditëse në orët e para të ditës së sotme ka ndodhur në Pejë, ku Edmond Lajçi i lindur nw vitin 1980 dyshohet se vrau gruan e tij, Gjyljeta Ukella (1981). Siç bën të ditur Policia dhe Prokuroria, tashmë i dyshuari është arrestuar për ngjarjen e rëndë që ndodhi midis qytetit të Pejës.

    Nga raportimet në media, thuhet se ishte vet Edmond Lajçi ai i cili u dorëzua në Polici dhe raportoi për vrasjen ndaj bashkëshortes në banesën ku jetonin në Pejë.
    Sipas raportimeve, Lajçi ishte i dënuar në vitin 2021 me 400 euro gjobë për dhunë në familje.

    Për ATV-nw, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, tha se në vendin e ngjarjes policia i ka kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme hetimore dhe se trupi i pajetë i viktimës është tërhequr për të bërë obdikimin e saj.

    “Sot në mëngjes jemi njoftuar për një rast të vrasjes këtu në qendër të qytetit të Pejës, me një banesë banimi, menjëherë në vendin e ngjarjes i është përgjigjur Policia e Kosovës, më pas Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës dhe prokurori i Krimeve të Rënda, ku në vendin e ngjarjes është një viktimë që dyshohet që është e privuar nga jeta nga bashkëshorti i saj, me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes policia i ka kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme hetimore dhe njëkohësisht është sekuestruar arma me të cilët është kryer vrasja. Prokurori ka urdhëruar që i dyshuar të ndalohet për 48 orë, kurse me urdhër të Prokurorit, Instituti i Miqësisë Ligjore ka tërhequr trupin e pajetë, me ç’rast duhet të bëhet obdukimi i saj”, tha Nikçi.

    ATV nga burimet jozyrtare ka mësuar se çifti kishin tre fëmijë, dhe se në kohën kur është kryer vrasja, në banës kanë qenë edhe fëmijët e tyre.

    Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, në një prononcim për ATV-në, tha se duhet të jenë të rezervuar në dhënien e informatave për shkak se sipas tij, mund të lëndohen familjarët.

    “Ne duhet të jemi të rezervuar në dhënien informatave, për shkak se mund t’i lëndojmë më shumë familjarët. Nuk është relevante fare se kush ka qenë brenda. Relevante është që personi gjendet në ndalim, i është sekushtruar arma, janë duke u kryer disa bastisje për momentin nga Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes dhe Prokurori i Shtetit, bashkë me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera, do t’i marrë të gjitha veprimet e nevojshme që kjo çështje penale të ndriçohet në plotni dhe besoj që brenda afatit ligjor prokurori i shtetit do të parashtrojë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Departamentin e Krimeve të Rënda, ku do të kërkojë nga gjyqtari se t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe njëkohësisht do të zhvillohen hetimet që kjo çështje penale të marra epilog”, tha Nikçi.

    Ai tha se vrasja është kryer në mënyrë makabre.

    “Këto detaje në këtë fazë dhe në asnjë fazë nuk duhet të bëhen publike, për shkak se mund t’i lëndojmë shumë familjarët dhe nuk janë informata të cilat mund t’i kontribuojnë opinionit publik, mirëpo çka është esenciale është se është kryer vrasja, dhe vrasja është kryer në mënyrë makabre dhe kaq mund të themi për mediat”, tha Nikçi.

    Për rastin tronditës, ka reaguar edhe Institucionet e larta shtetërore.

    Presidentja Vjosa Osmani tha se të gjithë duhet që të bëhen bashkë për tra ndalur vrasjen e grave dhe vajzave në Kosovë.

    “Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk jemi jetë vajzash e grash për të humbur”, tha Osmani.

    Osmani tha se kjo ngjarje ndodhi një ditë pas nisjes së edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqe dhe Siguri, ku u diskutua për dhunën ndaj grave.

    “Ju bëj thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë e drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore, që po e njollos shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda”, shtoi Osmani.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se është e patolerueshme se si brenda 4 ditëve u vranë dy gra nga bashkëshortët e tyre.

    Reagim ka pasur edhe nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila shprehet e shqetësuar për ngjarjet e tilla tronditëse në vend. Ajo thotë se situata është alarmante.

    E shokuar për vrasjen në Pejë, ka reaguar edhe deputetja Blerta Deliu e cila ka përmendur edhe faktin se si kjo ngjarje e tmerrshme ndodhi edhe në kohën kur pikërisht në Kosovë po mbahet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

  • ​Shpërthen zjarri në ndërtesën historike të Bursës së Vjetër në Kopenhagë

    ​Shpërthen zjarri në ndërtesën historike të Bursës së Vjetër në Kopenhagë

    Një zjarr i madh shpërtheu të martën në mëngjes në ndërtesën historike të Bursës së Vjetër të Aksioneve të Danimarkës në qendër të Kopenhagës.

    Pak pas orës 08:00 (06:00 GMT), ndërtesa 400-vjeçare e Bursës, ose Borsen, u përfshi tërësisht nga zjarri dhe maja e famshme qendrore e saj u shemb në orën 8:30 të mëngjesit (0630 GMT), raportuan mediat lokale.

    Oficerët e policisë kanë rrethuar zonën e Knippelsbro dhe Christiansborg Slotsplads, me rrugë që ka të ngjarë të mbyllen për një periudhë të gjatë kohore, sipas transmetuesit shtetëror danez DR.

    “Është e tmerrshme. Ishte një nga ndërtesat më të bukura të qytetit. Kaloj këtu çdo ditë. Është përsëritur Notre Dame”, i tha transmetuesit një mjeshtër vendas Henrik Grage, duke iu referuar zjarrit të vitit 2019 në katedralen e famshme të Parisit.

    Drejtori i ndërtesës Brian Mikkelsen së bashku me banorët vendas iu bashkuan shërbimeve të urgjencës në një përpjekje për të shpëtuar artin e Borsen.

    “Ne jemi përballur me një pamje të tmerrshme. Tregu i aksioneve është në flakë. Ne i kërkojmë të gjithëve të qëndrojnë larg zonës përreth Slotsholmen”, Dhoma Daneze e Tregtisë, e cila zotëron ndërtesën shkroi në X.

    Ndërtesa historike ndodhet pranë parlamentit të Danimarkës Folketing dhe Christiansborg, pallati mbretëror.

    Bursa, e cila përmbante një majë të formësuar nga bishtat e ndërthurur të katër dragonjve dhe tre kurora që simbolizonin tre mbretëritë e Danimarkës, Norvegjisë dhe Suedisë, ishte në rinovim kur shpërtheu zjarri.

    Borsen në Slotsholmen daton që nga viti 1625. Është ndërtuar nga mbreti Christian IV dhe është ndërtesa më e vjetër në Kopenhagë./AA/

  • Reagime për vrasjen e gruas në Pejë, situata cilësohet alarmante

    Reagime për vrasjen e gruas në Pejë, situata cilësohet alarmante

    Përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe partiake kanë reaguar për vrasjen e një gruaje në Pejë që ndodhi të martën e edhe për vrasjen e së premtes në Ferizaj, duke e konsideruar situatën alarmante.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se dënimi maksimal është minimumi për vrasësit pasi ata “po e konsiderojnë të drejtë absolute vrasjen e grave”.

    Sipas Kusarit, dhuna ndaj grave po shpërfaqet brutalisht çdo ditë.

    “Viktima e dytë e femicidit në Kosovë brenda pak ditëve, nga Ferizaji në Pejë. Viktima e sotme prapë e vrarë nga bashkëshorti në shtëpinë e saj. Kjo është alarmante dhe tregon për çrregullim të rëndë social dhe një rrugë tranzicioni pa mekanizma sigurues në shoqërinë tonë në rrugëtimin drejt barazisë. Numër alarmant i burrave në shoqëri po e konsiderojnë të drejtën absolute deri në vrasje, ndaj gruas dhe kjo kërkon trajtim serioz në të gjitha nivelet. Denimi maksimal është minimumi për vrasësit, ndërsa trajtimi i normave shoqërore në thelbin e tyre duhet rishikuar dhe ridefinuar. Nuk mund të humbim vajzat dhe gratë ndaj dhunës së pakontrollë që po shpërfaqet brutalisht çdo ditë e më shumë”, ka shkruar në Facebook deputetja e partisë në pushtet.

    Alarmante e ka konsideruar situatën edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.

    “Edhe një grua u vra sot në Pejë. Nga bashkëshorti. Situata është alarmante. S’po mundem me gjetë as fjalë”, ka shkruar ajo në Facebook.

    Për rastin ka reaguar edhe Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë.

    “Të tronditur thellë nga vrasja makabre e koleges tonë, punëtores shëndetësore te stomatologjisë të ndjerës Gjyljeta Ukella. E ndjera Gjyljetë per dy dekada shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë. Do të mbetet ne kujtimet e secilit koleg për punën dhe urtësinë që e ka karakterizuar personalitetin e Gjyljetes”, thuhet në reagim.

  • Gjermania emëron Zëvendës Atashe të Mbrojtjes në Kosovë

    Gjermania emëron Zëvendës Atashe të Mbrojtjes në Kosovë

    Në shenjë të bashkëpunimit dhe miqësisë së ngushtë ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, përfshirë në fushën ushtarake dhe të politikës së sigurisë, nënkoloneli Oliver Palkoëitsch merr pozitën e sapokrijuar të Zëvendës Atasheut të Mbrojtjes në Ambasadën Gjermane në Prishtinë.

    Siç njofton ambasada gjermane në Prishtinë, javën e kaluar, ai u informua për detyrat e tij nga atasheu i mbrojtjes, nënkoloneli Franz-Josef Nolte, i cili ka zyrën e tij kryesore në Ambasadën Gjermane në Bosnje dhe Hercegovinë dhe prej andej kujdeset për Kosovën dhe u prezantua në udhëheqjen e Ministrisë të Mbrojtjes dhe të FSK-së.

    “Akreditimi i nënkolonelit Palkoëitsch është një tullë ndërtimi e mëtejshme në bashkëpunimin e fortë dypalësh dhe do ta bëjë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer që tash ekziston edhe më efektiv”.

    “Ministria gjermane e Mbrojtjes dhe ajo kosovare aktualisht janë duke punuar së bashku në tri fusha kryesore të bashkëpunimit: Programi Vjetor Bilateral, Ndihma për Trajnimin Ushtarak dhe Iniciativa për Përmirësim dhe Mundësim. FSK-ja i është bashkuar Iniciativës Gjermane për Përmirësim dhe Mundësim në vitin 2019, që kur Gjermania u ka ofruar institucioneve të sigurisë në Kosovë pajisje në vlerë prej 5.8 milionë euro, duke përfshirë një fabrikë për pastrimin e ujit, dy transportues të mallrave të rrezikshme, dhjetë kostume për mbrojtjen nga bomba dhe – vetëm dje – pesë kamionë për regjimentin logjistik të FSK-së”, thuhet në komunikatë.

    Ka gjithashtu plane për pajisjen e plotë të Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit të Kërkimit dhe Shpëtimit përpara fundit të këtij viti, njofton gjithashtu ambasada gjermane.

    Si pjesë e Asistencës së saj për Trajnim Ushtarak, Gjermania ofron deri në 15 vende trajnimi të financuara plotësisht për pjesëtarët e FSK-së në programe të tilla si kurse trajnimi për oficerë dhe kurse master.

    Së fundi, Programi Vjetor Bilateral përbëhet nga rreth 20 aktivitete në vit, të cilat kryhen në mënyrë alternative nga Gjermania dhe Kosova. Kjo mund të përfshijë diskutime ekspertësh, seminare ose aktivitete të tjera të përbashkëta.

    “Prania e një zëvendës atasheu të mbrojtjes në Prishtinë është shprehje e bashkëpunimit të intensifikuar dhe në rritje ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës. Një partneritet dhe miqësi e fortë për të cilën të dyja palët mund të jenë shumë krenare!”.

  • Ministri Murati udhëton për në SHBA, merr pjesë në takimet pranverore të BB-së dhe FMN-së

    Ministri Murati udhëton për në SHBA, merr pjesë në takimet pranverore të BB-së dhe FMN-së

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të marrë pjesë në takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat mbahen në Washington DC. Këto takime mbledhin ministrat e financave, guvernatorët e bankave qendrore, përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare financiare, përfaqësuesit e sektorit privat si dhe shoqërisë civile të mbi 100 shteteve në mbarë botën. Kështu bëhet e ditur në një njoftim nga MF-ja.

    Njëra ndër pikat kryesore të këtyre takimeve do të jetë edhe nënshkrimi i marrëveshjes për Financimin e Politikave Zhvillimore për Politikën Fiskale, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore, që i sjellë Kosovës mbi 90 milionë euro me kushte të buta financimi.

    Gjithashtu, me ftesë të Drejtoreshës Menaxhuese për Operacione të Bankës Botërore, Ministri Murati do të marrë pjesë në tryezën e diskutimeve ministeriale me temë “zbatimin e projekteve për rezultate më të shpejta dhe ndikim më të madh”.

    Gjatë qëndrimit në Washington DC, Ministri Murati pritet të takojë edhe përfaqësues nga menaxhmenti i lartë i Bankës Botërore dhe FMN-së, si dhe institucioneve tjera që marrin pjesë në këtë ngjarje.

  • Laws: Viktimat duan që Pjetër Shala të dënohet

    Laws: Viktimat duan që Pjetër Shala të dënohet

    Simon Laws, mbrojtës i viktimave në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka thënë se të mbrojturit e tij duan që i akuzuari të dënohet.

    Ai tha se viktimat e njohin Shalën shumë mirë pasi sipas tij ai është njëri prej personave që është përgjegjës për dëmin e shkaktuar ndaj tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Viktimat pjesëmarrëse në këtë çështje kanë këmbëngulur dhe ata kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë gjykim. Në mënyra individuale, ata janë dëmtuar nga ajo se çfarë ka ndodhur në Kukës dhe dëshira e tyre mbi të gjitha është që ata të shohin që drejtësia të vendoset në vend. Në këtë çështje, kjo do të thotë se i akuzuari duhet të dënohet, të cilin ata e njohin shumë mirë, pasi ai është njëri prej personave që është përgjegjës për dëmin e shkaktuar ndaj tyre”, tha ai.

    Po ashtu, Laws tha se disa prej të ndaluarve në Kukës kanë vdekur përpara se të fillonte gjykimin ndaj Shalës.

    “Disa prej të ndaluarve në Kukës kanë vdekur përpara se kjo gjykatë kishte mundësi t’iu ofronte një mundësi për gjykimin e Pjetër Shalës, megjithatë zërat e tyre janë dëgjuar në formën e dëshmive që ata kanë lënë pas tyre. Fatmirësisht, të tjerët janë ende gjallë. Ata kanë ardhur këtu që ata të ndajnë përvojën e tyre me ne”, tha mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

    Ndryshe, deklarata përmbyllëse e mbrojtjes së viktimave sipas avokatit Laws do të zgjasë më shumë se një orë.

    Laws: Disa njerëz duan të hiqen sikur s’ka ndodhur asgjë në Kukës, këmbëngulja e viktimave bën që drejtësia të vihet në vend

    Në deklaratën përmbyllëse në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, mbrojtësi i viktimave Simon Laws ka thënë se disa njerëz duke përfshirë edhe dëshmitarët e mbrojtjes, kanë dashur të shtiren sikur nuk ka ndodhur asnjë krim në Kukës.

    “Disa njerëz, duke përfshirë këtu edhe dëshmitarë të cilët janë thirrur nga mbrojtja duan të hiqen sikur nuk ka ndodhë asnjë krim atje, por fatkeqësisht kjo është një gënjeshtër. Atje janë kryer krime kundër njerëzve të cilët nuk e kanë pasur asnjëherë mundësinë që të dalin përpara një gjyqi si ky. Nuk kanë pasur asnjëherë mundësinë që t’i shikojnë provat kundër tyre dhe aq më pak t’i kundërshtojnë ato, por në fakt janë mbajtur në vende ndalimi në mënyrë arbitrare”, tha Laws.

    Ai tha se viktimat kanë këmbëngulur në këtë çështje dhe sipas tij nëse kjo ndodh, bën që drejtësia të vihet në vend, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Ka pasur shumë viktima që kanë folur. Shumë prej tyre kanë pasur fuqinë dhe guximin për të na treguar se çfarë iu ka ndodhur sepse ekzistenca e fabrikës së Metalit në Kukës përtej shtetit të së drejtës ka qenë vetëm e përkohshme. Njëra prej gjërave që është demostruar në këtë çështje është që viktimat janë përgatitur dhe në qoftë se viktimat përgatiten që të këmbëngulin drejtësia mund të vihet në vend edhe pas shumë vitesh. Viktimat në këtë çështje kanë këmbëngulur dhe ata kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë gjykim”, tha Laws.

    Madje, Laws foli edhe për deklaratën e tij hyrëse në fillim të këtij gjykimit, ku kishte thënë se provat në këtë lëndë tregojnë se fabrika e metalit në Kukës ishte përtej sundimit të ligjit.

    “Në deklaratën time hapëse për këtë lëndë gjyqësore unë fillova duke thënë këtë: Provat në këtë lëndë tregojnë se në periudhën e përcaktuar në aktakuzë, fabrika e Metalit në Kukës ishte një vend që ekzistonte përkohësisht përtej sundimit të ligjit dhe ajo se çfarë doja të thoja me këtë ishte që Fabrika e Metalit në Kukës ishte një vend krimi dhe mizorie. Një vend ku nuk ishte asnjë mundësi për një të ndaluar ose një të burgosur që të bënte ankesë dhe ku nuk dukej që kishte asnjë lloj mundësie që të bëhej ndonjë ndërhyrje nga një organ gjyqësor apo organ gjyqësor. Përgjegjëse aty ishte UÇK-ja dhe anëtarët e UÇK-së ishin personat që kanë kryer këto krime”, tha Laws.

    Madje, sipas tij, situatat në të cilat ndodhej fabrika e Metalit në Kukës çojnë shpesh në abuzim, torturë dhe vrasje.

    “Provat e paraqitura në gjykim, ne parashtrojmë se e kanë justifikuar këtë përshkrim që sapo bëra të Fabrikës së Metalit në Kukës. Pra, që funksiononte përkohësisht përtej sundimit të ligjit. Ky i akuzuar dhe persona të tjerë nga njëra anë kanë punuar nga një vend i cili ishte afër një shoqërie të zakonshme dhe funksionale, por nga ana tjetër ishin tërësisht të shkëputur prej saj. Fabrika gjendej shumë pranë rrugës nga qendra e qytezës së Kukësit, megjithatë në të njëjtën kohë, çelitë ku mbaheshin të burgosurit e UÇK-së mund të gjendeshin edhe në fushat më të djerra apo xhungla me të thella të planetit. Ata ishin përtej arritjes së sundimit të ligjit… këto situata shpesh çojnë në abuzim, qojnë në torturë dhe në vrasje”, tha Laws.

    Sipas tij, një prej të këqijave lidhur me krimet që kryhen në konflikte janë që vendet e ndëshkueshmërisë lulëzojnë dhe kjo sipas tij është ajo se çfarë ka ndodhur saktësisht në Kukës.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Ndërsa, seancat për deklaratat përmbyllëse të palëve në këtë çështje janë caktuar për në muajin prill.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

  • Nisin punimet e Komitetit Politik në KiE

    Nisin punimet e Komitetit Politik në KiE

    Në Strasburg të Francës kanë nisur punimet e Komitetit Politik në kuadër të Këshillit të Evropës ku do të diskutohet amendamentet e propozuara për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në këtë Komitet do të diskutohet edhe amendamenti i Italisë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Aktualisht janë gjithsej 16 amendamente që pritet të diskutohen e të hidhen në votim, ku shumica prej tyre janë nga pala serbe.

    Nisin punimet e Komitetit Politik, diskutohen amendamentet për anëtarësimin e Kosovës në KiE, përfshirë atë për Asociacionin.

    Në këtë Komitet nuk kanë kaluar asnjë prej amendamenteve të propozuara nga Serbia dhe as ai i Italisë që fliste për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

  • Bieber: Nuk është kusht formimi i Asociacionit për anëtarësim e Kosovës në KiE, për të cilën insiston pala serbe

    Bieber: Nuk është kusht formimi i Asociacionit për anëtarësim e Kosovës në KiE, për të cilën insiston pala serbe

    Profesori i Universitetit të Gracit, Florian Biber, vlerëson se të gjitha raportet dhe korniza ligjore e Kosovës tregojnë se është e gatshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por ai nuk sheh se kjo do të ndryshojë rrënjësisht diçka, pra që vendet që nuk kanë e njohur deri tani do të ndryshojë qëndrimin e tyre.

    Ai gjithashtu beson se vendosja e Rezolutës së OKB-së për Srebrenicën në rendin e ditës pothuajse në të njëjtën kohë nuk është diçka që ishte planifikuar, sepse “kështu nuk funksionon bashkësia ndërkombëtare – që disa forca të errëta të ulen së bashku dhe të kuptojnë se si ta poshtërojnë Serbinë, kjo është një teori konspirative”.

    Ai thekson se ka shumë probleme që Kosova duhet t’i zgjidhë, veçanërisht sa i përket komunitetit serb, por kjo nuk duhet të pengojë anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës. Ai po ashtu thekson se kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës janë shumë më të ulëta se sa për anëtarësim në BE dhe se nuk është kusht formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe (Asociacioni) për të cilën insiston pala serbe.

    “Serbia ka pranuar se nuk do ta mohojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Mund të argumentohet se Këshilli i Evropës është instrumenti kryesor për sigurimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave në Evropë, madje Serbia ka interes që Kosova të jetë pjesë e tij”, thotë Biber.

    Ai shton se qëndrimi i autoriteteve serbe është se asnjëherë nuk do ta pranojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se nuk ka shumë mirëkuptim për atë qëndrim të Serbisë në atë institucion evropian.

    “Edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën nuk e ndjekin gjithmonë qëndrimin serb për këtë. Serbia është mjaft e izoluar në përpjekjen e saj për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës… Më duket se Serbia nuk do ta kalojë këtë qasje. Qeveria serbe po shtiret si rezistencë, por nuk mendoj se do të jetë e suksesshme në fund,” beson ai.

    Ai thekson se qëndrimi i vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën nuk ka ndryshuar rrënjësisht, “prandaj anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare ende varet nga dialogu dhe duhet të presim formimin e qeverisë së re evropiane”.

    “I gjithë procesi do të duket ndryshe në vjeshtë dhe dimër.” “Pyetja është se si mund të vazhdojmë me atë proces (dialog) nëse rezultatet deri më tani janë mjaft modeste”, thotë Bieber.

  • Osmani: Institucionet shëndetësore e arsimore, arsyeja që “Termokosi” zgjat furnizimin me ngrohje

    Osmani: Institucionet shëndetësore e arsimore, arsyeja që “Termokosi” zgjat furnizimin me ngrohje

    Ndonëse sezona e ngrohjes është dashur të përfundojë dje, Ndërmarrja Publike “Termokos” ka njoftuar të gjithë konsumatorët se është zgjatur furnizimin me ngrohje për shkak të paralajmërimeve për rënie të temperaturave. Kështu ka bërë të ditur për EO, kryeshefi i ngrohtores Fisnik Osmani.

    Osmani ka deklaruar se ky vendim është marrë për shkak se “Termokos” ofron shërbime edhe për institucionet më vitale të shtetit, krahas njësive të banimit.

    “Sipas Ligjit të Ngrohjes, sezona duhet të përfundojë më 15 prill të vitit vijues, që në këtë rast do duhej të përfundonte dje. Ne si zakonisht në koordinim të ngushtë me institucionet përkatëse relevante siç është Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe në rastin e djeshëm edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, kemi pasur deklarata të tyre të cilat tregonin që brenda kësaj jave do të ketë ulje të ndjeshme të temperaturave në raport me këtë që e kemi pasur në ditët e kaluara dhe ne për shkak të ndjeshmërisë së punës sonë ndaj qytetarëve dhe shërbimin që ofrojmë, kemi vendosur në koordinim me institucionet përkatëse që ta shtyjmë sezonin jo për një javë, dy javë apo një muaj por edhe për disa ditë për aq sa temperaturat do të jenë më të ultë”, u shpreh Osmani.

    Osmani ka thënë se rasti i njëjtë ka ndodhur edhe vitin e kaluar ku janë detyruar që ta zgjasin furnizimin me ngrohje. Ai ka përmendur edhe institucionet shëndetësore e arsimore që nevojitet shërbimi i ngrohjes.

    “Duhet të kemi parasysh që ‘Termokosi’ nuk jep shërbim vetëm për njësitë e banimit, nuk jep shërbim vetëm për bizneset por jep shërbim edhe për institucionet vitale të shoqërisë, siç janë: shkollat, çerdhet, Qendrat e Mjekësisë Familjare, QKUK, të cilët gjatë kësaj periudhë do ta kishin potencialisht problem pjesën e furnizimit me ngrohje dhe kjo ka qenë arsyeja që ne kemi vendosur që edhe për disa ditë të lëvizim tutje me vazhdim të sezonës. Është viti i dytë më radhë që po na ndodh një gjë e tillë, është e vërtetë që kemi pasur temperatura të larta gjatë kësaj periudhe, mirëpo edhe ne kemi qenë të kujdesshëm që kjo të reflektojë në fatura, që përveç reflektimit në fatura, ne kemi punuar me një kapacitet minimal të ofrimit të ngrohjes. Për krejt Prishtinën kemi pasur kapacitet dikund 55 MGW, që nënkupton kemi operuar me temperatura të ulëta”, ka thënë Osmani.

  • ​“Kosova nuk duhet të shndërrohet në një vend ku nuk vlen jeta e gruas”, Krasniqi reagon pas vrasjes në Pejë

    ​“Kosova nuk duhet të shndërrohet në një vend ku nuk vlen jeta e gruas”, Krasniqi reagon pas vrasjes në Pejë

    Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vrasjes së gruas në Pejë në mëngjesin e sotëm.

    Krasniqi tha se rastet e fundit të vrasjeve të grave janë alarm që duhet të zgjojë secilin person që ka sado pak përgjegjësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

    Kreu i PDK-së bëri gjithashtu thirrje për krijimin e një task-force me kompetenca të plota për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe vrasjet, teksa tha se Kosova nuk duhet të shndërrohet në një vend ku jeta e grave nuk vlen aspak.