ATV

Category: Lajme

  • Guvernatori Ismaili zhvillon dialog të frytshëm me zyrtarë të nivelit të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar

    Guvernatori Ismaili zhvillon dialog të frytshëm me zyrtarë të nivelit të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar

    Governatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Z. Fusha, është angazhuar në një sërë takimesh konstruktive me përfaqësues të nderuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), gjatë takimeve pranverore që po mbahen në Washington D.C. Këto sesione të takimeve ofruan një mundësi të shkëlqyer për të diskutuar zhvillimet e rëndësishme dhe progresin e vazhdueshëm brenda BQK-së.

    Në një takim me Zëvendësdrejtorin Menaxhues Z. Bo Li, Guvernatori Ismaili zhvilloi diskutime të cilat ishin të fokusuara në zhvillimet kryesore brenda sektorit financiar. Duke theksuar rolin vendimtar të FMN-së, Guvernatori Ismaili theksoi mbështetjen e dhënë BQK-së nga FMN-ja në forcimin e kapaciteteve të saj institucionale dhe zbatimin me sukses të rekomandimeve nga misionet e FMN-së.

    Guvernatori Ismaili mori pjesë në Plenarin e Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar (IMFC), si përfaqësues i Republikës së Kosovës në Bordin e FMN-së. Ky forum i nivelit të lartë, i cili përfshinte pjesëmarrjen e Drejtoreshës Menaxhuese të FMN-së, Znj. Georgieva, Guvernatori Ismaili paraqiti argumentet mbi çështjet urgjente të stabilitetit financiar, jetike për përkushtimin e BQK-së në rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit financiar.

    Një aspekt i dukshëm i takimeve pranverore ishte bashkëbisedimi i Guvernatorit Ismaili me Z. Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit Evropian në FMN. Gjatë këtij diskutimi, Guvernatori Ismaili ritheksoi kontributin e konsiderueshëm të FMN-së në agjendën reformuese të BQK-së. Ai vlerësoi asistencën teknike të ofruar nga FMN-ja dhe theksoi rolin kritik të bashkëpunimit ndërkombëtar në avancimin e objektivave të BQK-së. Gjatë gjithë këtyre diskutimeve, Guvernatori Ismaili rikonfirmoi rëndësinë kryesore të ruajtjes së stabilitetit dhe qëndrueshmërisë financiare. Teksa ai vazhdon të shtyjë përpara reformat dhe të nxisë partneritetet strategjike, BQK-ja mbetet e përkushtuar në misionin e saj për të siguruar stabilitetin financiar të Republikës së Kosovës.

  • Ndihmëssekretari O’Brien në Beograd, Vuçiq e nis takimin e “vështirë dhe të rëndësishëm” me të

    Ndihmëssekretari O’Brien në Beograd, Vuçiq e nis takimin e “vështirë dhe të rëndësishëm” me të

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka nisur takimin me James O’Brien, Ndihmëssekretar për Çështje Evropiane dhe Euroazisë në Departamentin Amerikan të Shtetit.

    Duke folur për këtë takim të premten, Vuçiq paralajmëroi se do të jetë një “bisedë e rëndësishme dhe e vështirë”, pa dhënë më shumë detaje.

    Siç ka njofton zyra e shtypit e presidentit të Serbisë, Vuçiq dhe O’Brien pas takimit do t’u drejtohen mediave.

    Diplomati amerikan sot në Beograd do të ketë takim edhe me Ana Bërnabiq kryetare e Parlamentit të Serbisë.

  • Votimi për largimin e kryetarëve në veri, KQZ mblidhet sot – ky është rendi i ditës

    Votimi për largimin e kryetarëve në veri, KQZ mblidhet sot – ky është rendi i ditës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhje, me fillim nga ora 14:00.

    Në rend dite janë aktivitetet e Sekretariatit të KQZ’së, siç është njoftimi lidhur me organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet nesër.

    Rendi i plotë i ditës:

    1. Hyrje: z.Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së
    1. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit Nr.24/2024
    2. Aktivitetet e SKQZ

    – Njoftim lidhur me organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit

    të kryetarëve të komunave në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë

    e Veriut, që do të mbahet më 21.04.2024.

    1. Shqyrtimi dhe miratimi i Procedurave të QNR-së
    2. Të ndryshme
  • Nagavci: Çelësi për të përmirësuar cilësinë në arsim është Ligji i ri për tekstet shkollore, pres të finalizohet në Kuvend

    Nagavci: Çelësi për të përmirësuar cilësinë në arsim është Ligji i ri për tekstet shkollore, pres të finalizohet në Kuvend

    Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar protestë më 1 Maj.

    Ata kanë paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj sindikate kanë bërë të ditur se më 1 maj do të organizohet një protestë, kurse në rast se kërkohet nga anëtarësia, do të vazhdohet edhe me grevë të përgjithshme në sistemin arsimor.

    Ministrja e Arsimit Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se nuk ka dëgjuar asnjë mësimdhënës që është i interesuar për protesta. Ajo ka ftuar SBASHK-un dhe të gjithë të tjerët që të punojnë bashkë për të përmirësuar rezultatet e nxënësve, raporton Ekonomia Online.

    “Problem është mënyra se si po u adresohen edhe mësimdhënësve edhe si kryesi. SBASHK-u po flet në emër të të gjithë mësimdhënësve. Unë nuk kam dëgjuar asnjë mësimdhënës që janë shprehur që janë të interesuar ose se janë të gatshëm për protesta dhe unë e ftoj edhe SBASHK-un dhe të gjithë të tjerët që të punojmë bashkë, për të përmirësuar rezultatet e nxënësve tanë sepse kjo është më e rëndësishme dhe më se e domosdoshme”, ka thënë Nagavci.

    E pyetur se a kanë pasur ndonjë thirrje për takim me ministren ose dikë tjetër në Ministri, Nagavci ka thënë se nuk i kujtohet ndonjë kërkesë për ndonjë çështje specifike që e kanë paraqitur për tu trajtuar.
    “Jo nuk më kujtohet që kanë pasur ndonjë takim, nuk më kujtohet as edhe për ndonjë kërkesë, nuk më kujtohet as për ndonjë çështje specifike që e kanë paraqitur për tu trajtuar nga e Ministrisë”, ka thënë ministrja Nagavci.

    Ministrja ka folur edhe për tekstet e reja eventuale që pritet të jenë në duart e nxënësve në vitin e ri shkollor. Ajo ka theksuar se çelësi për të përmirësuar përfundimisht cilësinë e teksteve është Ligji i ri për tekstet dhe mjetet mësimore i cili është në Kuvend e që ajo pret të finalizohet sa më shpejt nga deputetët.

    “Siç jeni në njohuri ne për herë të parë kemi bërë një rishikim, një vlerësim shumë dimensional të teksteve shkollore të teksteve të gjuhës shqipe dhe të matematikës që janë në përdorim të nxënësve nga klasa e 1 deri në klasën e 9. Këto teste të rishikuara tashmë i kanë raportet dhe të njëjtat do të ndahen me shtëpitë botuese në mënyrë që të përmirësohen të gjitha ato që janë evidentuar se kanë nevojë për përmirësim.

    Përveç teksteve të gjuhës shqipe dhe të matematikës të cilat do të jenë më të mira këtë vit për nxënësit tanë po synojmë dhe jemi duke punuar që të fillojmë edhe me rishikimin e teksteve të tjera. Por çelësi për të përmirësuar përfundimisht cilësinë e teksteve është Ligji i ri për tekstet dhe mjetet mësimore i cili është në Kuvend e që unë pres që të finalizohet sa më shpejt nga deputetët”, ka thënë Nagavci.

  • BE paralajmëron Kosovën dhe Serbinë: Nëse nuk i përmbushni detyrimet, do të ketë pasoja serioze

    BE paralajmëron Kosovën dhe Serbinë: Nëse nuk i përmbushni detyrimet, do të ketë pasoja serioze

    Bashkimi Evropian tha të premten se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është urgjente, ndërsa u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e deritashme. Në terren udhëheqësit e të dyja palëve akuzuan njëri tjetrin në distancë për dështim në përmbushjen e tyre.

    Kosova dhe Serbia u morën vesh me 19 prill të vitit 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

    Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projekt statut të Asociacionit. Udhëheqësit e të dyja vendeve i thanë po në parim dokumentit, por gjërat nuk kanë lëvizur nga vendi. Themelimi i tij është pjesë e marrëveshjes së arritur mes tyre më 27 shkurt të vitit të kaluar në Bruksel dhe me 18 mars në Ohër.

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha të premten se çështja e Asociacionit, është një prej çështjeve thelbësore dhe urgjente dhe dështimi për ta zbatuar atë “nënkupton pasoja për Kosovën”.

    Ai theksoi po ashtu se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian janë dokumente të vlefshme dhe të detyrueshme për të dyja palët.

    “Nëse palët nuk i përmbushin detyrimet e tyre, atëherë do të ketë pasoja serioze. E të vetmit që do t’i ndiejnë këto pasoja, do të jenë njerëzit të cilët ata pretendojnë se po i mbrojnë. Të vetmit, pra, që do të paguajnë çmimin për mos zbatimin e detyrimeve, do të jenë qytetarët në Kosovë dhe në Serbi”, tha ai.

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiç i quajti të premten “gënjeshtarë” Prishtinën dhe Bashkimin Evropian për mosthemelimin e Asociacionit, duke kujtuar se marrëveshja është nënshkruar 11 vjet më parë.

    “Njëmbëdhjetë vjet terror dhe gënjeshtra të udhëheqjes së Prishtinës dhe Bashkiit Evropian së bashku”, tha ai.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkroi ndërkaq se, marrëveshja e vitit të kaluar “në njërën anë, sjell njohjen reciproke de facto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj ‘Asociacionit’.

    “Nuk mund të flasim e diskutojmë vetëm për ‘Asociacionin’: pa e pranuar dhe respektuar Marrëveshja Bazike me Aneksin e Zbatimit, pa përfshirë të gjitha 39 marrëveshjet e dakordimet në Bruksel dhe pa konstatuar që marrëveshja e vitit 2013 është shkelur dhe vijon të shkelet nga Serbia, kurse vazhdimi i saj i vitit 2015 është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese”.

    Autoritetet në Serbi që janë vënë në një fushatë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, thonë se argumenti kryesor është “mosthemelimi i Asociacionit”.

    Të martën Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin për anëtarësim të Kosovës në këtë këshill, duke i hapur rrugën vendimit që duhet të merret në muajin maj në Këshillin e Ministrave të 46 vendeve anëtare të organizatës. Ndonëse në raport nënvizohet se themelimi i Asociacionit duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, vendet e “Quint-it”, siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e shohin çështjen e këtij anëtarësimi si një mundësi për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti rreth kësaj çështjeje.

    Kosova akuzon Serbinë për shkelje të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve duke kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, me gjithë zotimin se nuk do ta bëjë këtë. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha te premten se Serbia është faktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai e bëri këto komente ndërsa Forcat e Armatosura Serbe po kryenin stërvitjet vjetore në një poligon ushtarak në rajonin e Novi Pazarit në jug të Serbisë.

    “Ata sot do të bëjnë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë dhe vendi ku do të bëhen këto ushtrime, përveç se është 30 kilometra larg kufirit të Kosovës, është vetëm 3 kilometra larg kufirit të Serbisë me Malin e Zi. Kjo është edhe një dëshmi që Serbia është autoriteti, instanca, faktori e aktori kryesor i përpjekjeve destabilizuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe paraqet kërcënim edhe për Republikën tonë, që ata nuk e njohin, por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve në rajonin tonë”, tha kryeministri Kurti.

    Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, thanë se komandanti i KFOR-it Ozkan Ulutas, ndoqi nga afër stërvitjet në Serbi, për të cilat Serbia e kishte njoftuar misionin e tij.

    Në një njoftim paraprak KFOR-i tha se vazhdon të zbatojë mandatin e tijpër të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

    “KFOR-i gjithashtu vazhdon të vëzhgojë të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe qëndrueshmërinë rajonale, dhe mban një prani të dukshme dhe të përshtatshme në terren për të trajtuar të gjitha rastet, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”, thuhej në komunikatë.

    NATO-ja vendosi shtimin e trupave në Kosovë vjeshtën e kaluar pas një sulmi në veri të Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, që vrau një oficer policie, duke nxitur shqetësimin për qëndrueshmërinë në rajon.

    Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore, ndërsa Serbia e mbështetur nga Rusia kundërshton shtetësinë e saj. Ndonëse e ka shpallur anëtarësimin në Bashkimin Evropian si aspiratë të saj, Serbia ruan lidhje të ngushta me Moskën dhe nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër saj për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve të Beogradit mbi Kosovën.

  • Moti sot me diell dhe vranësira, temperaturat minimale 0 gradë Celsius – maksimalja deri në 16

    Moti sot me diell dhe vranësira, temperaturat minimale 0 gradë Celsius – maksimalja deri në 16

    Moti sot parashihet të jetë me diell dhe vranësira të pakta në orët e para të mëngjesit.

    Më pas pritet shtim i vranësirave, të cilat gjatë ditës dhe në mbrëmje pritet të gjenerojnë reshje të pakta lokale shiu.

    Në zonat e larta malore reshje bore.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 0 deri në 3°C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 16°C.

    Era do fryjë kryesisht nga drejtimi i perëndimit me shpejtësi prej 15-38 km/h, njofton Meteo Kosova.

  • Në të gjitha shkollat e Prishtinës u ligjërua kundër dhunës me bazë gjinore

    Në të gjitha shkollat e Prishtinës u ligjërua kundër dhunës me bazë gjinore

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Shpjegimet që po i dëgjojnë nga mësimdhënësi janë ndryshe nga të zakonshmet. Për këtë ligjëratë, libra e fletore i larguan nga bankat, por sy e vesh i patën nga mësimdhënësit.

    Nxënësit e shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, po dëgjojnë ligjëratën sensibilizuese kundër dhunës me bazë gjinore, nga e cila thanë se kuptuan shumë gjëra.

    “Kemi mësuar që dhuna nuk është zgjidhje për konfliktet e mundshme, sepse mund të çojë deri te vrasja. Nëse kemi dhunë të vazhdueshme duhet të raportojmë atë në shkollë te mësuesit, te prindërit ose te policia”, tha Morea Krasniqi, nxënëse.

    Tema e njëjtë u trajtua në të gjitha shkollat e komunës së Prishtinës.

    “Nuk ka arsye në botë që duhet me e ekzistu që dikush e ka të drejtën me ia marrë jetën dikujt tjetër, jo vetëm që janë vra gratë, por edhe fëmijët kanë mbetur pa nënë. Për këtë është tepër mirë që edhe në shkolla me pasë dialog dhe me diskutu që fenomeneve të tilla me iu shpallë luftë një herë e përgjithmonë, mos me pranu si prezente. Vrasja vjen edhe si konsekuencë e dhunës së përhershme në familje. Prandaj, para se me ndodhë vrasja duhet gjithmonë dhunës m’i shpallë luftë, edhe mos me pranu që në familjet tona me pasë dhunë ndaj asnjë anëtari të familjes”, tha Jehona Lushaku nga DKA Prishtinë.

    Me po kaq rëndësi të madhe ligjëratën po e sheh edhe njohësi i arsimit, Rinor Qehaja. Ai thotë se ligjëratat e tilla të futen në plan-programet shkollore.

    “Na nevojitet në mënyrë të centralizuar të ofrohet planprogrami mësimor për parandalimin e dhunës në familje dhe ndaj gruas. Ka shumë opsione, ato duhet të kthehen në mënyrë të prekshme për nxënësit, është një lëndë me zgjedhje me një fond të orëve të mjaftueshme që me rritë vetëdijen për këto mosha”, tha Qehaja.

    Qehaja thotë se as librat aktualë me të cilat mësohet kundër dhunës nuk ofrojnë material të mjaftueshëm për parandalimin e saj.

    Vendimi i komunës së Prishtinës, që në orën e parë në të gjitha shkollat në kryeqytet të mbahet ligjërata sensibilizuese kundër dhunës me bazë gjinore, vjen pas vrasjes së dy grave brenda pak ditësh në Ferizaj dhe në Pejë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Zgjerim i rrugës, jo autostradë Prishtinë – Pejë

    Zgjerim i rrugës, jo autostradë Prishtinë – Pejë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kryeministri Albin Kurti bashkë me disa anëtarë nga kabineti i tij, dolën sot për të parë punimet në rregullimin e rrugës Prishtinë – Pejë, konkretisht segmentin Kijevë – Dollc.

    Kreu i Qeverisë tha se punimet do të zhvillohen për 10.9 km rrugë të ndara në tri llote, që buxhetit të shtetit do t’i kushtojnë rreth 20 milionë euro.

    Ndërkaq, rregullimi i tërë rrugës që lidh Prishtinën me Pejën, gjegjësisht pjesën nga Kijeva deri në Zahaq kap vlerën e 90 milionë eurove. Andaj Kurti tha se ia kanë shpëtuar shtetit 150 milionë euro, meqë e njëjta rrugë me projektin e qeverisë Haradinaj do të kushtonte 240 milionë.

    Por, sipas ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, projekti i tyre ishte për autostradë, e jo për zgjerim të rrugës nacionale siç po bën kjo qeveri.

    Pakënaqësi në devijimin e rrugës pati edhe nga disa pronarë biznesesh përgjatë këtij segmenti, të cilët vizitën e kryeministrit e pritën me protestë.

    Ata, kryeministri tha se nuk i ka takuar, por zëvendësministri Durmishi tregoi se ua ka shpjeguar disa herë arsyet e devijimit të rrugës.

    Zgjerimi i rrugës nga Kijeva në Dollc, sipas kontratës, duhet të përfundojë brenda 9 muajve. Projekti për rrugën Kijevë – Zahaq ka filluar më 2019 dhe nuk ka datë se kur përfundon në tërësi.

    Procesi i shpronësimit dhe i tenderimit është përcjellë me parregullsi të shumta.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Gjykimet në mungesë, kthesë e re në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës

    Gjykimet në mungesë, kthesë e re në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës

    Përgatiti: Nora Luta

    Tetë aktakuza në mungesë për krime lufte janë ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

    Në nëntor filloi gjykimi i parë në mungesë ndaj Çedomir Aksiq, e gjatë këtij viti nisën edhe dy procese të tjera në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Nga Fondi për të Drejtën Humanitare në publikimin e raportit të monitorimit u theksua se fillimi i gjykimeve në mungesë shënon kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës.

    Teksa u tha se mungesa e bashkëpunimit me Serbinë ndikon në mosefikasitet në ngritjen e aktakuzave.

    Nga Prokuroria Speciale thanë se në bashkëpunim me Policinë në baza ditore janë të angazhuar që hetimet të jenë sa më cilësore. Por, përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë thanë se për trajtimin e rasteve të gjykimeve në mungesë kërkohet kujdes i dyfishtë.

    Gjatë vitit 2023 Policia e Kosovës, Njësiti për Hetimin e Krimeve të Luftës ka ngritur 17 kallëzime penale, arrestoi dhjetë persona, dhe ka identifikuar 13 viktima të dhunës seksuale.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Dështon të nisë shqyrtimi fillestar ndaj Albert e Mentor Beqirit dhe të tjerëve

    Dështon të nisë shqyrtimi fillestar ndaj Albert e Mentor Beqirit dhe të tjerëve

    Përgatiti: Nora Luta

    Për aktakuzën e ngritur në vitin 2015 nga EULEX-i, të premten ishte planifikuar të fillojë gjykimi ndaj Mentor, Albert e Arianit Beqirit, dhe Vesat Imerit. Ata akuzohen për shmangie nga tatimi, shpëlarje parash dhe krim të organizuar.

    Por, gjykimi për lëndën e cila u bart nga Gjykata e Mitrovicës në Departamentin Special për shqyrtim, dështoi të nisë në mungesë të Mentor Beqirit dhe Vesat Imerit.

    Beqiri nga dita e enjte ndodhet në paraburgim nën dyshime për përfshirje në rastin e gjuajtjes me armë zjarri mes dy veturave në lëvizje në Graçanicë.

    Për zhvillimin e shqyrtimit fillestar kushtet nuk u plotësuan edhe për shkak që dy të akuzuarit tjerë u paraqitën pa avokatë, e Vesat Imeri mungoi.

    Aktakuza e ngritur nga prokurorja e EULEX-it, Pascale Kael, po përfaqësohet nga prokurorja Habibe Salihu.

    Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2011 – 2012 Albert, Mentor dhe Arianit Beqiri, duke qenë pronarë të “Oil Kosova”, i janë shmangur tatimit mbi 15 mijë euro, duke paraqitur informata jo të vërteta në ATK.

    Ndërsa Vesat Imeri akuzohet për ndihmë në shmangie të tatimit.

    “Konvertuan, ose transferuan, ose tentuan të konvertojnë apo transferojnë pasurinë me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë; duke shmangur në këtë mënyrë pagesën e llojeve të ndryshme të taksave (Taksave të pagave, tatimi për të ardhurat personale dhe tatimi mbi vlerën e shtuar), në shumën e përgjithshme prej 1,690,541 Euro”, thuhet në Aktakuzë.

    Vepra për të cilën akuzohen është e dënueshme me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej gjashtë muajve deri në pesë vjet.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: