ATV

Category: Lajme

  • Debat i ashpër në komisionin për Integrime Evropiane, shkak ftesa e prokurorisë speciale për Hajdarin

    Debat i ashpër në komisionin për Integrime Evropiane, shkak ftesa e prokurorisë speciale për Hajdarin

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ftesa nga Prokuroria Speciale për Ministren e Industrisë, Rozeta Hajdari, nën dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare nxiti debat të ashpër gjatë raportimit të saj në Komisionin për Integrime Evropiane.

    Ishte pyetja e kryetares së Komisionit e cila kërkoi më shumë detaje rreth intervistimit të ministres, gjë që e revoltoi Hajdarin, e cila u tregua e rezervuar në përgjigje.

    Debati u ashpërua kur pjesë e tij u bënë edhe anëtarët e komisionit. Por, ishin bashkëpartiakët e ministres të cilët i dolën në përkrahje.

    Pati kërcënim edhe për ndalim të fjalës.

    Megjithatë, dorëheqja e ministres u kërkua.

    Gjatë këtij raportimi, ministrja tha se misioni i Ministrisë së Tregtisë është përmirësimi i mjedisit për të bërë biznes, përmirësimi i zhvillimit dhe konkurrueshmërisë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kapitulli 35: Të hënën, BE-ja kushtëzon Serbinë me zbatimin e marrëveshjes bazë

    Kapitulli 35: Të hënën, BE-ja kushtëzon Serbinë me zbatimin e marrëveshjes bazë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit pritet të shtohet si kusht zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

    Burime zyrtare në Bruksel i konfirmuan ATV-së se të hënën, në takimin e Këshillit për Punë të Jashtme, në agjendë do të jetë aprovimi i amendamentimit të Kapitullit 35 të Serbisë me BE-në.

    Për një ndryshim të tillë, paraprakisht ka pasur dakordim në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm dhe pritjet janë që të mos ketë probleme në finalizimin e ndryshimeve.

    Referuar tekstit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësi i BE-së Peter Stano përsëriti se kjo tashmë është e paevitueshme.

    “Përfaqësuesi i Lartë dhe shtetet anëtare të BE-së ishin shumë të qartë: përparimi në zbatimin e marrëveshjes tani është pashmangshëm i lidhur me përparimin në rrugën e anëtarësimit në BE për të dyja, Kosovën dhe Serbinë. Nëse ata nuk përmbushin zotimet, do të ketë pasoja shumë serioze”, tha Stano.

    Të premten, kryeministri Albin Kurti përsëriti se nuk mund të flitet për zbatim, pa pranimin zyrtar nga Serbia të marrëveshjes dhe shtojcës.

    Pasi përmendi se në Kapitullin 35 veçse ekzistojnë obligime për Serbinë në raport me Kosovën, profesori Dritëro Arifi theksoi se ndryshimet janë eksplicite dhe se mos-përmbushja e tyre mund të përcillet me pasoja.

    “Nuk ka shpëtim as për Serbinë as për Kosovën. Për Kosovën është e mirëseardhur kjo marrëveshje, për Serbinë do të jetë një punë shumë e vështirë. Por, besoj që ata nuk mund të lëvizin tutje, sepse po besoj që çdo veprim tutje kundër i Serbisë do të ishte edhe sanksionim i Serbisë dhe eventualisht ndërprerje e fondeve të BE-së”, tha Arifi.

    Këtë formë kushtëzimi politologu Fidan Ukaj e ndërlidhi me mungesën e nënshkrimit dhe përpjekjeve të Serbisë për sabotim të marrëveshjes.

    “Shpresat janë që do të kalojë diçka e tillë dhe rruga e Serbisë për në BE pashmangshëm se do të kalojë edhe përmes zbatimit të marrëveshjeve të dakorduar më herët. BE-ja si duket nuk ka gjetur një alternativë apo mundësi tjetër, dhe kemi pasur një destruktivitet të vazhdueshëm të Serbisë implementimit të marrëveshjeve”, tha Ukaj.

    Pika e tretë e asaj që njihet si aneksi i Ohrit, saktëson që zbatimi Marrëveshjes bazë të Brukselit dhe Shtojcës do të bëhen pjesë integrale e procesit të anëtarësimit në BE për të dyja, Kosovën dhe Serbinë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Sadik Duraku, i ndaluari nga Serbia nën dyshimet për krime lufte

    Sadik Duraku, i ndaluari nga Serbia nën dyshimet për krime lufte

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Nga Brightoni i Anglisë ku jetonte prej kohësh, Sadik Duraku kishte marrë rrugë për në fshatin e lindjes, Damjan të Gjakovës. Në kufirin Hungari – Serbi, Duraku u ndalua bashkë me qindra qytetarë të tjerë për një kontroll rutinore, e cila rezultoi me arrestimin e tij më 16 prill.

    Sipas familjarëve të kosovarit që ka edhe nënshtetësinë e Britanisë së Madhe, ai dyshohet për krime lufte.

    “E kanë arrestue. Kur jau kanë marrë dokumentat të gjithëve. Masi e kanë arrestu, ia kanë ngritë aktakuzën gjoja se ka ba krime lufte në Prizren, Suharekë e Gjakovë”, tha Avdyl Duraku, vëlla i Sadik Durakut.

    Gjatë të premtes, Avdyl Duraku, duke pritur vendimin për caktimin e masës së paraburgimit nga gjykata serbe, deklaroi se akuzat ndaj vëllait të tij nuk qëndrojnë.

    Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës, Sadik Duraku nuk ishte i angazhuar në Ushtrinë Çlirimtare dhe nuk gëzon statusin e veteranit.

    Arrestimi i qytetarëve nën dyshimet për krime lufte, sipas njohësve të sigurisë, nuk po bëhet pa qëllim.

    “Shteti serb po tenton ta nxisë sentimentin e luftës, që më pas familjarët të nxiten dhe të reagojnë ndaj komunitetit serb…”, tha Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Sadik Duraku nuk është i arrestuari i parë në vitin 2024 nga Serbia. Në fillim të janarit, nën dyshimet për krime lufte u arrestua edhe Hasan Dakaj ndaj të cilit është duke vazhduar gjykimi.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Shpërthime e vetura të djegura, policia e vlerëson situatën të qetë para 21 prillit

    Shpërthime e vetura të djegura, policia e vlerëson situatën të qetë para 21 prillit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Një shpërthim tjetër u dëgjua në veri të Kosovës edhe të premten.

    Sikurse një ditë më parë që cak i një granate dore ishte një shtëpi në Zveçan, një mjet shpërthyes u hodh edhe para derës hyrëse të një shtëpie në Mitrovicën e Veriut. Por, këto nuk ishin incidentet e vetme në katër komunat veriore që e shënuan javën.

    Një veture dyshohet se iu vu zjarri qëllimisht në Leposaviq. Megjithatë, siguria në prag të votimit për shkarkimin e kryetarëve ose jo, është në nivel të kënaqshëm, vlerësoi Policia.

    VOX: Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë, rajoni – Mitrovicë e Veriut
    “Këto ngjarje nuk kanë të bëjnë aspak me procesin e votimit që është planifikuar të mbahet të dielën. Ne konsiderojmë që situata është e qetë, por delikate duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet, sidomos që 1 vit e këndej. Sidoqoftë për çfarëdo situate ne jemi të përgatitur”, tha zëvendësdrejtori i Policisë, rajoni – Mitrovicë e Veriut, Veton Elshani.

    Situatë e qetë në katër komunat veriore po vlerësohet edhe nga njohës të sigurisë.

    Kurse, kryeministri Albin Kurti tha se kryetarëve shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut, nuk mund t’iu merret mandati ndryshe, përpos rrugës demokratike.

    “Njëzet e një prilli është shansi dhe unë i ftoj të gjithë qytetarët në veri, pa dallim etnie, moshe e gjinie që të dalin e të votojnë më 21 prill për t’ua ndërprerë këtyre katër kryetarëve mandatin, ata që mendojnë se nuk kanë qeverisur mirë, apo mendojnë se ka njerëz më të mirë që një orë e më parë duhet të jenë në ato zyra. Por, gjithçka duhet me proces demokratik ligjor, e jo me bandat e dhunshme që rrethojnë ndërtesat e komunave. Ashtu, nuk mund të hysh në zyra”, tha Kurti.

    Sipas udhëzimit të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote, teksa Lista Serbe u ka bërë thirrje serbëve që t’i bojkotojnë edhe votimet e 21 prillit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Vrasja e intelektualëve të Mitrovicës në 1999, Kurti: Serbia ende ua mohon të vërtetën familjeve të tyre

    Vrasja e intelektualëve të Mitrovicës në 1999, Kurti: Serbia ende ua mohon të vërtetën familjeve të tyre

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar zhdukjen e intelektualëve të Mitrovicës, 25 vjet më parë.

    Ndër të tjera Kurti thotë se Serbia vazhdon t’ua mohojë familjeve të drejtën për të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, njofton.

    I pari i qeverisë shprehet se nuk do të harrohen asnjëherë sakrifica e madhe për lirinë e Kosovës.

    “Grupi i intelektualëve të Mitrovicës për herë të fundit u pa më 19 prill 1999 në Dreth të Zubin Potokut. Derisa po largoheshin për në Mal të Zi, nga forcat e ushtrisë jugosllave u ndaluan: Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkelzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu, Xhemail Meziu. Pas vrasjes, në përpjekje të zhdukjes së gjurmëve të krimit, iu zhdukën trupat”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    “Bashkë me mohimin e krimeve gjenocidale, Serbia vazhdon t’ua mohojë familjeve të drejtën për të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë”.

    “Në përvjetorin e zhdukjes, përkujtojmë grupin me 23 doktorë, profesorë e veprimtarë të çështjes kombëtare e të të drejtave të njeriut nga Mitrovica”.

    “Nuk harrojmë asnjëherë sakrificën e madhe për lirinë e Kosovës”.

  • Botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane, Vehbi Bajrami lobon për Kosovën në Kongresin Amerikan

    Botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane, Vehbi Bajrami lobon për Kosovën në Kongresin Amerikan

    Nga Ruben Avxhiu

    Botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami vazhdon lobimin për Kosovën në Kongresin Amerikan.

    Pas disa takimeve në New York, në këto muajt e fundit, dje ka udhëtuar në kryeqytetin amerikan Washington, për një sërë takimesh me kongresistë në zyrat e tyre.

    Botuesi Bajrami u prit nga Jim Himes, kongresist nga Connecticut, Anëtari Më i Lartë I Komitetit të Përhershëm për Inteligjencën dhe anëtar i hershëm i Kaukusit të Interesave Shqiptare në Kongresin Amerikan; Seth Moulton kongresist nga Massachusetts dhe ish-oficer i marinsave amerikanë, anëtar i Komitetit të Dhomës për Shërbimet e Armatosura; Ritchie Torres, kongresist nga New York-u dhe bashkëkryetar i Kaukusit të Interesave Shqiptare; si dhe me Maeve Healy, shefe e stafit dhe këshilltare kryesore e kongresistes Grace Meng, nga New York-u, anëtare e Komitetit të Përcaktimeve, e cila nuk ndodhej atë ditë në Washington.

    Në këto takime botuesi i gazetës “Illyria” informoi kongresistët dhe këshilltarët e tyre të afërt për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe kërkoi një angazhim më të madh të Kongresit Amerikan në ndihmë të Kosovës. Ndonëse një nga kongresistët e siguroi se Serbia nuk gëzon mbështetje në Kongres, botuesi Bajrami përsëriti se lënia në harresë e Kosovës dhe Ballkanit mund të ketë pasoja të rënda.

    Nga kongresisti Seth Moulton, i Komitetit që mbulon forcat e armatosura amerikane, ai kërkoi në veçanti ndihmë për forcimin e Ushtrisë së Kosovës. Një Kosovë më kapacitete të mëdha mbrojtëse është garanci edhe për interesat amerikane në rajon.

    “Mënyra më e mirë do të ishte forcimi i shpejtë i Ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO”, tha Bajrami. “Kjo ndalon njëherë e përgjithmonë ambicjet territoriale të Serbisë”.

    Me kongresistët e tjerë ai foli gjerësisht për situatën në Kosovë dhe rolin destruktiv të Serbisë jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje dhe Mal të Zi.

    “Serbia e ka zemrën në Moskë. Ajo do vetëm fondet e BE-së. As politika e as shumica e popullit nuk duan të jenë pjesë e bashkësisë europiane. Janë të kota përpjekjet e BE-së e të Amerikës që duke e toleruar e përkëdhelur Serbinë shpresojnë se do të heqë dorë nga lidhjet e saj të ngushta me Rusinë dhe Kinën”, tha botuesi shqiptaro-amerikan.

    Kongresisti Seth Moulton premtoi se do të bëhej së shpejti anëtar i Kaukusit Shqiptar në Kongres. Të dy, bashkë me kongresistin Jim Himes premtuan se do të bëjnë një vizitë në Kosovë, për të mësuar për situatën dhe nevojat e saj.

    Vehbi Bajrami (djathtas), me kongresistin Jim Himes, nga Connecticut, Anëtari Më i Lartë I Komitetit të Përhershëm për Inteligjencën dhe anëtar i hershëm i Kaukusit të Interesave Shqiptare në Kongresin Amerikan.
    Pas takimit me Maeve Healy, shefe e stafit dhe këshilltare kryesore e kongresistes Grace Meng, nga New York-u, anëtare e Komitetit të Përcaktimeve.

     

    Vehbi Bajrami dhe Ritchie Torres, kongresist nga New York-u dhe bashkëkryetar i Kaukusit të Interesave Shqiptare

     

    Gjatë takimit me Seth Moulton kongresist nga Massachusetts dhe ish-oficer i marinsave amerikanë, anëtar i Komitetit të Dhomës për Shërbimet e Armatosura.

     

  • O’Brien zbarkon në Beograd, nesër mban takim me Vuçiqin

    O’Brien zbarkon në Beograd, nesër mban takim me Vuçiqin

    Ndihmëssekretari i Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike i Departamentit të Shtetit Amerikan, James O’Brien, nesër do qëndrojë në Beograd.

    Ai madje raportohet se me fillim nga ora 9.00, do mbajë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Pas takimit, sipas raportimeve është planifikuar deklarim për media.

  • Këta janë pesë politikanët kosovarë me performancën më të lartë në rrjetet sociale në tre muajt e parë të këtij viti

    Këta janë pesë politikanët kosovarë me performancën më të lartë në rrjetet sociale në tre muajt e parë të këtij viti

    Kompania Terra ka publikuar statistikat e performancës në media sociale për 20 profilet e politikanëve kosovarë që e kanë përformancën më të lartë në rrjetet sociale.

    Profilet e politikanëve kosovarë janë vlerësuar në bazë të metrikave të ndryshme në Facebook, duke përfshirë numrin total të fansave/ndjekësve, numrin e postimeve, feedback-un mesatar për postim, dhe trendet në angazhimin e përdoruesve.

    Prezenca në Facebook:

    Albin Kurti udhëheq me numrin më të lartë të reagimit te fansave në Facebook, që sugjeron një prezencë të fortë dhe potencial për një arritje të gjerë në platformë. Vjosa Osmani ndjek pas, me një bazë të madhe të fansave, që tregon një popullaritet dhe ndikim të lartë. Ramush Haradinaj është politikani i tretë me numrin më të lartë të reagimeve në Facebook, pasuar nga Mefail Bajqinofci, i cili zë pozitën e katërt si politikani me më së shumti reagime të fansave në Facebook, ndërsa politikani i pestë me aktivitetin më të madh në facebook është deputeti i PDK-së, Elmi Reçia. /atvlive.tv

  • Arifi: Nuk ka ndonjë dokument që e detyron Kosovën ta dërgojë Asociacionin në Kushtetuese

    Arifi: Nuk ka ndonjë dokument që e detyron Kosovën ta dërgojë Asociacionin në Kushtetuese

    Profesori universitar, Dritëro Arifi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë dokument që detyron Kosovën që të dërgoj në Gjykatën Kushtetuese, për shqyrtimin e draftit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Kjo pas raportimit në media se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mund të shtyhet, nëse Asociacioni nuk dërgohet në Gjykatë Kushtetuese.

    Megjithatë sipas tij, një gjë e tillë mund të ndodhë por që është vendim politik i vendeve anëtare.

    “Për momentin nuk është ndonjë procedurë e saktë apo ndonjë dokument që ka potencuar se Kosova duhet gjithsesi ta dërgojë Asociacionin në Kushtetuese. Mendoj që mund të ndodh një gjë e tillë, por ende nuk mund të dihet, është një vendim politik i vendeve anëtare dhe është kusht politik, nuk ka lidhje me çështjet procedurale dhe ligjorë të cilat Kosova i ka plotësuar”, ka thënë ai.

    Arifi ka thënë se dërgimi i Asociacionit në Kushtetuese dhe implementimi i tij është edhe zotimi publik që është dhënë nga krerët e shtetit.

    “Mbetet të shihet së si do shkojë e gjithë procedura edhe pse ka një zotim publik nga kryeministri, kryeparlamentari dhe presidentja që do ta marrin në konsideratë dhe do ta zbatojnë realisht çështjen e Asociacionit e që do t’i kontribuojë pra mirëqenies së komunitetit serb në Kosovë. Kjo mbetet të shihet por gjithsesi kjo është një kusht që do të plotësohet dhe është çështje kohësh a do të shkojë në maj apo më herët apo më vonë kjo është vështirë ta parashohim por që është obligim ndërkombëtarë”, tha Arifi për EO.

    Arifi shtoi se me formimin e Asociacioni “nuk është fundi i botës” për Kosovën dhe se vendi nuk do të ndahet sepse Gjykata Kushtetuese mund të rregullojë disa nene konform ligjeve dhe Kushtetutës aktuale.

    “Politika është gjithmonë fleksibile, gjithmonë do ketë kushte tjera por jo në kontekstin që ne po mendojmë që mund t’i bëjmë dikujt ndonjë favor ato kushtet janë gjithmonë për ta përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë mendoj se nuk është humbje e madhe që po portretizohet në mediumet kosovare apo te Qeveria e Kosovës së nëse bëhet Asociacioni do përfundojë gjithçka dhe do ndahet Kosova. Nuk ndodh ashtu sepse Gjykata Kushtetuese krejt çka mund të bëjë është t’i rregullojë disa nene konform ligjeve dhe Kushtetutës aktuale dhe mendoj se kjo do të ndodhë sepse Gjykata Kushtetuese do ta refuzojë një marrëveshje ndërkombëtare sepse Qeveria e Kosovës veçse e ka pranuar dhe është zotuar ndërkombëtarisht”.

    “Krejt çka mund të bëjë Gjykata Kushtetuese është që ta rregullojë dhe adaptojë me ligjet aktuale, por mendoj që Qeveria e Kosovës e ka një përgjegjësi të madhe tash këto dy muaj të ardhshëm apo një muaj e gjysmë sa kanë mbetur që të vendos se si do procedojë tutje me këtë çështje por unë e kisha inkurajuar që mos të frikësohet nga veprimet apo zotimet e veta sepse ato në fund të ditës nuk duhet parë nga këndvështrimi partiak por këndvështrimi nacional”, tha Arifi për EO.

  • ​Dhuna në familje, IPK rekomandon suspendimin e kapitenit policor në Mitrovicë

    ​Dhuna në familje, IPK rekomandon suspendimin e kapitenit policor në Mitrovicë

    Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një kapiteni police, respektivisht shefit të sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz.

    Rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së pasi që kapiteni policor është i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”.

    Hetuesit e IPK-së janë në komunikim të vazhdueshëm lidhur me këtë rast me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, të cilës i janë përcjellë raporte/ deklarata lidhur me veprimet hetimore.

    IPK në kuadër të veprimeve hetimore, sipas procedurave të parapara ka njoftuar edhe mbrojtësin e viktimave të cilët kanë parashtruar kërkesën për urdhër mbrojtës në gjykatën kompetente.

    Duke marrë për bazë dyshimin për veprën penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, është rekomanduar suspendimi i kapitenit policor.

    Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.