ATV

Category: Lajme

  • Lajçaku thotë se anëtarësimi në BE, është nxitja më e fortë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve siç ka Kosova dhe Serbia

    Lajçaku thotë se anëtarësimi në BE, është nxitja më e fortë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve siç ka Kosova dhe Serbia

    Ndërmjetësuesi i BE-së, për dialogun, Miroslav Lajçak ka thënë sot se perspektiva e qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është nxitja më e fortë për zgjidhjen e çështjeve të hapura siç janë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Ne duhet të kapërcejmë frikën e zgjerimit. Ne kemi futur rregulla në BE dhe po e vështirësojmë fillimin e procesit. Por duhet të gjejmë një ekuilibër midis nevojës gjeopolitike dhe përparimit të merituar. Procesi duhet të jetë i besueshëm dhe transparent, i cili nuk ishte rast më parë”, tha Lajçak.

    Ai këto komente i dha nga Sllovenia, si pjesëmarrës i konferencës ”Ballkani Perëndimor në BE”.

    Lajçak theksoi se të gjithë janë në një epokë të vështirë në të cilën mungojnë rregullat globale dhe arkitektura globale pas Luftës së Dytë Botërore nuk funksionon më.

    Siç tha ai, mungesa e autoritetit global, i cili mund të ndalojë proceset negative, inkurajon “disa lojtarë” që t’i zgjidhin gjërat në mënyrë të njëanshme, duke mos respektuar rregullat.

    “Kjo është një situatë e re për të gjithë ne. Agresioni rus kundër Ukrainës është situata më e dukshme dhe më tragjike”, tha Lajçak.

    Ai vuri në dukje se nuk ka asnjë përpjekje për të përcaktuar rregulla të reja që do të ishin në përputhje me shekullin 21.

    ”Të gjithë ankohen, por nuk ka asnjë iniciativë reale për këtë”, shtoi Lajçak.

    Sipas Lajçakut, zgjerimi tani shihet si një nevojë gjeopolitike që BE të jetë më e fortë dhe më elastike.

  • Gjykata refuzon t’ia caktojë masën e paraburgimit Akil Gjakovës, i ndalohet t’i afrohet gruas së tij prej 50 metrash

    Gjykata refuzon t’ia caktojë masën e paraburgimit Akil Gjakovës, i ndalohet t’i afrohet gruas së tij prej 50 metrash

    Gjykata Themelore në Pejë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Akil Gjakova që dyshohet për vepër penale.

    Atij i është ndaluar t’i afrohet gruas së tij në një distancë prej 50 metrash apo vendit ku ajo banon.

    “Të pandehurit i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që të njëjtit i është ndaluar për t’iu afruar vendit ku e dëmtuara banon si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra, e në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga ana e të pandehurit, gjykata ndaj të njëjtit do të caktojë masën e paraburgimit. Pasi pala e dëmtuar të njoftohet me aktvendim edhe ajo duhet të respektoj vendimin e gjykatës dhe nëse qëllimisht cenon kufizimet që i ka i pandehuri, gjykata mund ta dënojë personin e mbrojtur me gjobë”.

    Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

  • ​Haradinaj Qeverisë: Autostrada e Dukagjinit do të bëhet herë-do-kur

    ​Haradinaj Qeverisë: Autostrada e Dukagjinit do të bëhet herë-do-kur

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratave të qeverisë lidhur me projektin e zgjerimit të rrugës Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren.

    Ai ka thënë se investimi i 90 milionë eurove vetëm për zgjerimin e rrugës ekzistuese është çmim shumë i lartë dhe mbi vlerën e tregut.

    “Me projektin e autostradës së Dukagjinit, ka qenë e paraparë ndërtimi i një autostrade të re, sipas standardeve evropiane e jo vetëm harrnimi i rrugës ekzistuese edhe me dy shirita. Investimi i 90 milionë eurove vetëm për zgjerimin e rrugës ekzistuese, është një çmim shumë i lartë e mbi vlerën e tregut, dhe nuk i kursen buxhetit të Kosovës asgjë. Përkundrazi, shpenzohen miliona euro dhe nuk zgjidhet problemi”, ka thënë Haradinaj.

    Reagimi i plotë:

    Deklaratat bombastike të Qeverisë sikur me projektin e zgjerimit të rrugës Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, qeveria po ia kursen buxhetit të Kosovës 150 milionë euro, janë rrenë e kulluar elektorale.

    Me projektin e autostradës së Dukagjinit, ka qenë e paraparë ndërtimi i një autostrade të re, sipas standardeve evropiane e jo vetëm harrnimi i rrugës ekzistuese edhe me dy shirita. Investimi i 90 milionë eurove vetëm për zgjerimin e rrugës ekzistuese, është një çmim shumë i lartë e mbi vlerën e tregut, dhe nuk i kursen buxhetit të Kosovës asgjë. Përkundrazi, shpenzohen miliona euro dhe nuk zgjidhet problemi. Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet herë-do-kur!

  • Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, kritikohet Kurti për përçarje të shqiptarëve

    Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, kritikohet Kurti për përçarje të shqiptarëve

    Më 24 prill do të mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Dy kandidatët shqiptarë, Bujar Osmani nga Fronti Evropian, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Arben Taravari, nga koalicionit VLEN, që përbëhet nga katër parti opozitare shqiptare pritet ta kenë të vështirë të arrijnë në raundin e dytë të votimit, që do të mbahen më 8 maj. Sipas analistëve politikë në Maqedoninë e Veriut, gjasat më të mëdha i kanë presidenti aktual, Stevo Pendarovski dhe kandidatja opozitare nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova. Në anën tjetër, të njëjtin kritikojnë partinë në pushtet në Kosovë, Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti për përfshirjen në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

    Analisti politik në Maqedoninë e Veriut, Sefer Selimi, thotë për KosovaPress se nuk ka pritshmëri për dalje të madhe të votuesve në zgjedhjet e 24 prillit, mirëpo thekson se do të jetë një tregues i qartë se cili kamp shqiptar do të peshojë më shumë në zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

    “Gjasat për të kaluar në një raund të dytë janë shumë të vogla. Në teori ekzistojnë, por në praktikë për shkak të numrave është po thuajse e pamundur që ndonjëri prej kandidatëve të kalojë në raundin e dytë. Megjithatë, këta dy kandidatë janë kryesorët e kampeve të tyre politike, kësaj radhe ato përdorën për të mobilizuar votuesin që do të pasojë më 8 maj… Sipas të gjitha gjasave në raundin e dytë do të kalojë presidenti aktual, Stevo Pedarovski dhe Davkova e kandiduar nga kampi opozitar maqedonas. Kjo garë po ripërsëritet nga viti 2019 dhe duket që partitë politike nuk mund të gjejnë kandidatë më të përshtatshëm”, tha ai.

    Skeptik për rezultate pozitive të partive shqiptare në zgjedhjet presidenciale është edhe analisti tjetër në Maqedoninë e Veriut, Xhelal Neziri.

    Ai thotë se gjasat janë të vogla që dy kandidatët shqiptarë për president të arrijnë raundin e dytë të votimit, por shton se Bujar Osmani mund të arrijë një rezultat që t’i afrohet kandidatit të dytë në këto zgjedhje.

    “Gjasat janë të vogla, por përderisa garojnë asgjë nuk është e përjashtuar. Të mërkurën do të nisë çdo gjë nga zero dhe deri atëherë nuk dihet sesi do të votojnë dhe kush sa vota do të marrë. Megjithatë ka shumë pak gjasa, mendoj se koalicioni që është krijuar nga ana e BDI-së dhe Aleancës për shqiptarët që grumbullon edhe disa parti të vogla ka gjasa që të arrijë një rezultat më të kënaqshëm që do t’i afrohej kandidatit të dytë që do të del në këto zgjedhje. Mirëpo, mbetet të shihet sesa ky rezultat do t’i mundësojë kandidatit shqiptar që të rezultojë i dyti dhe me këtë të shkojë në raundin e dytë”, deklaron Neziri.

    Duke folur për përfshirjen direkte të kryeministrit Albin Kurti në zgjedhje, analisti Sefer Selimi, thotë se ky implikim mund të ketë ndikim në raportet Kosovë-Maqedoni e Veriut dhe vetë marrëdhëniet ndër-shqiptare në rajon.

    Sipas tij partitë opozitare shqiptare në Maqedoni të Veriut po dëshirojnë të përdorin figurën e Kurtit për vota.

    “Kampi politik opozitar (shqiptar) mundohet me çdo kusht dhe çdo formë të përdorë autoritetin e Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Mundësohet që në mungesë të potencialit të liderëve brenda në front të fshihen pas figurës së Kurtit. Megjithatë, nuk pres që përfshirja direkt e LVV do të ndikojë në rezultat zgjedhor, sa do të ketë implikime në të ardhmen jo vetëm ndërmjet të dy shteteve tona Kosovë-Maqedoni e Veriut, sa për marrëdhëniet ndër-shqiptarë në rajon. Po thyhet një praktikë dhe një standard parimor që është mbajtur gjithë këto vite”, tha Selimi.

    Mendim të njëjtë shpreh edhe analisti Xhelal Neziri.

    “E gjithë kjo përfshirje mendoj se do të paraqes problem më shumë për shtetin e Kosovës sesa për faktorët politikë në Maqedoninë e Veriut, qofshin shqiptarë apo maqedonas. Ka një shqetësim te bashkësia ndërkombëtare në Shkup për shkak se ata frikësohet të mos krijohet një precedent i rrezikshëm i zyrtarëve të shteteve të tjera jashtë kufijve të tyre. Mund të ndodhë që ky precedent të përdorët dhe keqpërdorët edhe nga ana e Vuçiq që të ndikojë më haptas në zgjedhjet në Bosnje, Mali të Zi, Kosovë dhe pse jo Maqedoninë e Veriut”, tha Neziri.

    Në bazë të ligjit, në raundin e parë, president mund të zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave nga numri i përgjithshëm i trupit votues, që arrin 1.8 milionë zgjedhës.

    Në raundin e dytë, kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, ndërsa zgjidhet ai që arrin të sigurojë mbi gjysmën e votave të atyre që kanë dalë në votime, me kusht që pjesëmarrja të jetë 40 për qind e trupit votues.

  • ​Konjufca nderon viktimat në Hallaq të Vogël: Krimet e Serbisë nuk do të harrohen

    ​Konjufca nderon viktimat në Hallaq të Vogël: Krimet e Serbisë nuk do të harrohen

    Në përkujtim dhe nderim të shqiptarëve të vrarë e të masakruar nga forcat pushtuese serbe gjatë prillit 1999, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri sot homazhe dhe vendosi lule në kompleksin e varrezave në dy fshatra të Komunës së Lipjanit, Hallaq i Vogël dhe Rufc i Ri.

    Pas homazheve pranë lapidarëve me emrat e skalitur të të rënëve, Konjfuca bashkëbisedoi me familjarë të heronjve e martirëve dhe banorë të tjerë të fshatrave.

    Duke vlerësuar lart sakrificën e të rënëve, kryetari i Kuvendit theksoi se krimet e Serbisë nuk do të harrohen asnjëherë dhe se Kosova kurrë nuk do të resht së kërkuari drejtësi.

    Konjufca tha se të rënët do të kujtohen me krenari brez pas brezi, duke mbetur lapidarë të përjetshëm në memorien e popullit shqiptar.

  • ​Borrell kërkon ndalimin e luftës në Gaza

    ​Borrell kërkon ndalimin e luftës në Gaza

    Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell ka marrë sot në pjesë në takimin me ministrat e G7 në Capri.

    Ai ka thënë se nga ky takim edhe një herë është bërë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët e përfshira në konfliktin e Lindjes së Mesme.

    Kryediplomati evropian po ashtu kërkoi që të ndalen luftimet në Gaza, në mënyrë që të mos vijë deri te përhapja e luftës në rajon.

    “Ne përfunduam G7 mes raporteve për sulme në Lindjen e Mesme. G7 u bën thirrje edhe një herë të gjithë aktorëve të tregojnë përmbajtje maksimale. Ne duhet të ndalojmë luftën në Gaza dhe të shmangim zgjerimin e saj në pjesën tjetër të rajonit,”, ka shkruar Borrell në X.

  • Gjykata e Nju-Jorkut zgjedh 12 juristët, që do të japin vendimin final për Donald Trump

    Gjykata e Nju-Jorkut zgjedh 12 juristët, që do të japin vendimin final për Donald Trump

    Janë 12 juristë të shtetit të Nju-Jorkut, të cilët do të japin vendimin për gjyqin historik dhe të tejzgjatur ndaj ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

    Ata do të vlerësojnë pafajësinë apo fajësinë e akuzave ndaj Trump, e cila lidhet me pagesën e bërë nga ky i fundit për ish-yllin e filmave për të rritur për heshtjen e saj përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

    Disa ligjvënës menduan se përzgjedhja e jurisë për gjykimin e Trump mund të zgjaste me disa javë, por gjërat lëvizën shpejt pasi ekipit të ish-presidentit i mbaruan argumentet.

    Donald Trump reagoi i indinjuar pas daljes nga gjykata.

    “Është një zemërim i jashtëzakonshëm dhe të gjithë janë të indinjuar për këtë proces. Ju keni vrasje që ndodhin pikërisht jashtë Nju-Jorkut dhe askush nuk reagon. Ky është një turp. E gjithë bota po e shikon këtë mashtrim në Nju-Jork. Ju keni një gjyqtar që është shumë i konfliktuar. Joe Biden është një mashtrues. Ai duhet të jetë në gjyq me të gjitha gjërat që ka bërë ai dhe familja e tij”, tha Donald Trump, ish-President i SHBA-së.

    Trump, kandidati republikan presidencial në zgjedhjet e 5 nëntorit, përballet me çështje penale në Uashington, Xhorxhia dhe Florida, por rasti i Nju-Jorkut është i vetmi i sigurt që do të dalë në gjyq këtë vit.

    Zyrtarët e përfshirë në ato raste kanë raportuar se kanë marrë kërcënime me vdekje dhe ngacmime pasi janë kritikuar nga Trump.

    Trump është deklaruar i pafajshëm në të katër rastet dhe ka thënë se akuzat janë pjesë e një përpjekjeje të gjerë të aleatëve të presidentit demokrat, Joe Biden, për të penguar kandidaturën e tij.

    Ekspertët theksojnë se një dënim ndaj Donald Trump nuk do ta pengonte, këtë të fundit, të merrte detyrën.

  • Kapiti: Krenarë me përkushtimin e FSK-së në trajnimin e ushtarëve ukrainas në Britani të Madhe

    Kapiti: Krenarë me përkushtimin e FSK-së në trajnimin e ushtarëve ukrainas në Britani të Madhe

    Ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Ilir Kapiti ka shkruar se ndihet jashtëzakonisht krenarë me ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pjesë e INTERFLEX që janë duke trajnuar ushtarë ukrainas në Britaninë e Madhe.

    Kapiti në një postim në rrjetin social “X” shkruan se përkushtimi dhe angazhimi i tyre për të mbështetur aleatët është vërtet i lavdërueshëm.

    “Ndihemi jashtëzakonisht krenarë që kemi vizituar ushtarët tanë, të Kosovës, pjesë e INTERFLEX, duke trajnuar ushtarë ukrainas në Mbretëri të Bashkuar. Përkushtimi dhe angazhimi i tyre për të mbështetur aleatët tanë është vërtet i lavdërueshëm…”, ka shkruar Kapiti.

  • Vuçiq flet për stërvitjen Vihor, arrestimet e fundit, Bakoyannis

    Vuçiq flet për stërvitjen Vihor, arrestimet e fundit, Bakoyannis

    Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në 11-vjetorin e marrëveshjes së Brukselit, është ankuar për mos zbatimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Ai në fjalimin e tij pas stërvitjes ushtarake “Vihori 2024” në Peshter ka komentuar përvjetorin e njëmbëdhjetë të marrëveshjes së Brukselit.

    “Pas njëmbëdhjetë vjetësh, lind pyetja se çfarë lloj besimi mund të ndërtojmë,” vuri në dukje presidenti.

    Ai theksoi se nuk ka njeri në botë që nuk ka reaguar pasi policia serbe ka ndaluar katër anëtarë të Policisë së Kosovës.

    “Nuk ka njeri që nuk ka reaguar, njoftimi i Departamentit të Shtetit, gjermanëve, EULEX-it, të gjitha të mundshme, për dhjetë muaj e treqind ditë është bllokuar të gjitha mallrat që duhet të vijnë nga Serbia qendrore në Kosovë. Arrestimi i Sreçko Sofronijeviq, nuk ka asnjë deklaratë në paraburgim muaj, nuk mund ta lironi më herët, sepse është aq i rrahur me lëndime aq të rënda sa nuk duhet parë, nuk shkruani asnjë njoftim”, ka theksuar Vuçiq.

    Ai ka thënë se njëri nga policët e ndaluar nga organet serbe ishte pjesëtar i UÇK-së dhe dyshohet se ka kryer vepër penale, ndërsa tjetri është mbajtur 24 orë.

    I pyetur nëse Greqia është vend mik apo partner pas sjelljes së përfaqësuesve të saj në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Vuçiq tha se në periudhën e ardhshme do të ndjekë votimin dhe do të deklarohet në përputhje me rrethanat.

    “A jam i kënaqur me sjelljen e Bakoyannis? Nuk jam. Mendoj se është turp kjo që bëri ajo”, tha Vuçiq.

    Vuçiq ka deklaruar se ka pasur një marrëveshje për t’u takuar me Bakoyannis më 21 shkurt, por se kanë hequr dorë nga kjo. Më pas, shton ai, është dashur të bisedojnë përmes video-lidhjes, por u është thënë se kjo nuk është e mundur për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

    I pyetur për të komentuar deklaratat e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, EJup Maqedonci se Serbia po mban stërvitje ushtarake që ngritin tensionet, Vuçiq komentoi me ironi se “nuk e kanë idenë se çfarë (stërvitjesh) janë sulmuese dhe mbrojtëse”.

  • ​Përmbytje të mëdha në Kazakistan, evakuohen mbi 117 mijë njerëz

    ​Përmbytje të mëdha në Kazakistan, evakuohen mbi 117 mijë njerëz

    Pothuajse 117 mijë njerëz janë evakuuar për shkak të përmbytjeve në Kazakistan, njoftoi Ministria e Emergjencave të vendit të Azisë Qendrore.

    Rreth 16 mijë njerëz janë kthyer tashmë në shtëpitë e tyre, tha ministria në një deklaratë, pasi uji është zvogëluar në disa rajone.

    Sipas kësaj ministrie, gjendja e “emergjencës lokale” vazhdon në 38 vendbanime në tetë rajone për shkak të përmbytjeve. Operacionet e shpëtimit kanë evakuuar me sukses 117.694 individë nga zonat e prekura nga përmbytjet, me 18.651 të kthyer në shtëpitë e tyre dhe 6.887 të strehuar në strehimore të përkohshme. Për më tepër, 113.852 bagëti janë zhvendosur në zona të sigurta.

    Në provincat Akmola, Aktobe, Atyrau, Kostanay dhe Kazakistani i Veriut, 5.718 shtëpi janë zhytur nën ujë. Një total prej 44.156 personeli, përfshirë forcat ushtarake, janë mobilizuar për të mbështetur përpjekjet për lehtësimin e përmbytjeve në mbarë vendin.