ATV

Category: Lajme

  • Gashi: VV ka krijuar situatën që kur flasim për problemet e vendit t’u referohemi institucioneve të huaja

    Gashi: VV ka krijuar situatën që kur flasim për problemet e vendit t’u referohemi institucioneve të huaja

    hefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, ka akuzuar pushtetin se ka pamundësuar themelimin e komisioneve hetimore parlamentare, duke thënë se kështu është rritur mosbesueshmëria në Kuvend saqë kur flitet për problemet në Kosovë duhet t’u referohen institucioneve të huaja, raporton EO.

    Gashi tha se Lëvizja Vetëvendosje ka sabotuar çdo punë që ka të bëjë me mbikëqyrjen institucionale.

    “Qëllimisht kjo shumicë parlamentare ka pamundësuar funksionin mbikëqyrës të këtij Kuvendit, duke sabotuar çdo punë që ka të bëjë me mbikëqyrjen institucinale dhe duke rritur shkallën e mosbesueshmërisë dhe të konfliktit brenda këtij institucioni ka krijuar situatën kur ne kur flasim për problemet e vendit tonë, t’u referohemi institucioneve të huaja. Kjo është fatkeqësi”, tha Gashi në Kuvend.

    Ai përmendi Komisionin Hetimor për Rezervat Shtetërore dhe tentativën për Komisionin Hetimor për zjarrin në IML dhe zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

    “Është pamundësuar puna e Komisionit Hetimor për Rezervat Shtetërore për gjashtë muaj, qëllimisht. ëShtë pamundësuar themelimi i disa komisioneve hetimore qëllimisht. Është pamundësuar themelimi i komisionit hetimor parlamentar për të hetuar lidhur me djegjen dhe zhdukjen e mostrave ne IML. Ky është parlamenti që ju udhëhiqni”, deklaroi Gashi.

  • Ministri Maqedonci udhëton në Hungari, pritet t’i zhvillojë disa takime

    Ministri Maqedonci udhëton në Hungari, pritet t’i zhvillojë disa takime

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka udhëtuar për vizitë pune në Hungari.

    Gjatë qëndrimit në Hungari, Maqedonci do të takoj Ministrin e Mbrojtjes të Hungarisë, si dhe do të marr pjesë në Takimin e Ministrave të Mbrojtjes të iniciativës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (Central European Defense Cooperation, CEDC), si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB), që zhvillohet në Budapest.

    Gjithashtu do të marr pjesë në Kongresin e Sigurisë (Budapest Security Dialog), ndërsa do të zhvilloj dhe një sërë takimesh tjera, thuhet ndër të tjera në njoftim.

  • ​PDK kërkon debat parlamentar për raportin e DASh-it, nuk përkrahet nga LVV

    ​PDK kërkon debat parlamentar për raportin e DASh-it, nuk përkrahet nga LVV

    Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar debat parlamentar lidhur me të gjeturat e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri tha se të gjeturat janë shqetësuese për Qeverinë e Kosovës. Ai kërkoi që rendi i ditës të plotësohet me mocion për debat parlamentar, teksa ftoi deputetët që ta përkrahin një gjë të tillë. Me këtë janë pajtuar edhe partitë tjera opozitare, por jo edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Për këtë mocion kanë votuar 26 deputetë për, 40 kundër dhe një ka abstenuar.

    Tahiri kërkoi që ky debat parlamentar të fillojë pas pyetjeve parlamentare dhe deklarimeve jashtë rendit të ditës.

    Tahiri ka kërkuar që të plotësohet rendi i ditës me mocion për debat parlamentar

    “Kërkojmë që të plotësohet ky rend i ditës me një debat parlamentar në lidhje me të gjeturat e raportit të DASh-it. Ashtu siç e keni parë, siç jeni njoftuar para tri ditëve, Departamenti Amerikan i Shtetit ka prezantuar një raport i cili ka të gjetura mjaft shqetësuese për Qeverinë e Kosovës dhe për institucionet e Republikës së Kosovës. Pra, një përshkrim ku tashmë kemi një korrupsion serioz në kuadër të Qeverisë së Kosovës, ku përshkruhet numri i saktë i ministrave të cilët janë të përfshirë në afera korruptive. Pra, tashmë duke ju referuar atij raporti nga 15 ministra, pesë prej tyre janë nën hetime dhe dy zëvendësministra. 1/3 e kësaj qeverie është nën hetime nga Prokuroria e Shtetit. Nuk po e themi ne, por po e thotë Departamenti Amerikan i Shtetit”, u shpreh ai.

    Më tej, Tahiri tha se ky raport i publikuar më parë flet edhe për dhunën ndaj gazetarëve dhe ndaj grave.

    Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila theksoi se ky raport ka disa lëshime të vogla. Ajo propozoi që të caktohet një seancë e veçantë për ta diskutuar këtë raport.

    “Ka disa lëshime të vogla në raporte statistikore, në veçanti me prezencën e numrit të grave në qeveri. Përmend që Qeveria e Kosovës ka vetëm një zëvendëskryeministre, Qeveria e Kosovës ka dy zëvendëskryeministre dhe gjashtë ministre e jo pesë. Gjithashtu ky Kuvend dhe mazhoranca e këtij Kuvendi ka grupin më të madh të grave ndonjëherë përfshirë këtu të gjitha të zgjedhura pa kuotë. Do të thotë raporti ka gjetje shumë interesante, që ja vlen të bëhen edhe krahasime me ato raporte që janë publikuar më herët dhe aty mund të vërehet progresi ose dështimi. Jo mbi vënien e fokusit të një paragrafi, deklaratë ose një emër që mendohet. Prandaj, duke e ditur kompleksitetin, rëndësinë dhe peshën e këtij raporti ne si grup parlamentar propozojmë që të caktohet një seancë të veçantë ku të gjithë do të jemi të përgatitur që të diskutojmë”, shtoi ajo.

    Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se sot Kuvendi duhet të diskutojë për të gjeturat në raportin e DASh-it.

    “Ne duhet të flasim sot për censurën dhe kufizimet e mediave, raporti thotë ‘Autoritetet kufizuan lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacionin në mënyrë të drejtë, duke censuruar mediat, duke bllokuar faqet e internetit, duke kufizuar qasjen në informacion’. Presioni dhe ndërhyrjet politike, ndërhyrjet politike në drejtësi dhe në veprimtarinë e gjyqësorit kanë rritur frikën dhe ndikimin mbi gjykatësit dhe prokurorët. Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në procese gjyqësore dhe në procese qeverisëse ka degraduar kualitetin qeverisës dhe përfaqësimin”, u shpreh ai.

    Edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, është pajtuar që të mbahet debat parlamentar.

    “Në historinë e qeverisjes në Kosovë, asnjëherë vendi ynë dhe qeveria nuk ka marrë një klasifikim kaq të rëndë, kaq serioz, kaq keq në raport me gjendjen e vendit tonë. Për të kuptuar se sa keq është dhe sa e rëndësishme është që ky parlament të diskutojë këtë raport, ju lutem hapeni vetëm faqen e parë. Në faqe të parë ky raport flet në radhë të parë për një korrupsion serioz në qeveri, as nuk thotë në qeverisje, as më gjerë, thotë ‘korrupsion serioz në qeveri’. Thotë kështu ‘Kosova ka probleme serioze me pavarësinë e institucioneve të drejtësisë’”, përfundoi Tahiri.

    Sipas tij, ky raport është letërnjoftim i Qeverisë Kurti dhe se kjo çështje është e rëndësishme që të diskutohet në Kuvend.

  • Së paku pesë të vrarë, përfshirë fëmijë, nga sulmet izraelite në Rafah

    Së paku pesë të vrarë, përfshirë fëmijë, nga sulmet izraelite në Rafah

    Së paku pesë njerëz janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite në qytetin Rafah në Rripin e Gazës të enjten, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

    Në mesin e të vrarëve në sulmet e mëngjesit të së enjtes ishin edhe dy fëmijë, të identifikuar nga regjistrat spitalore si Sham Najjar, 6 vjeç, dhe Jamal Nabahan, 8 vjeç.

    Më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës, prej 2.3 milionë, ka kërkuar strehim në Rafah, ku Izraeli po kryen sulme pothuajse ditore teksa po përgatitet për një pushtim tokësor të qytetit.

    Pak ditë më parë, një foshnjë u nxor e gjallë përmes prerjes cezariane nga barku i një gruaje palestineze, e cila u vra nga një sulm izraelit në Rafah.

    Ndërkohë, në Gazën qendrore u vranë katër njerëz nga granatimet izraelite me tanke. Familjarët e tyre thanë për Associated Press se ata u vranë derisa po tentonin të zhvendoseshin në veri të Gazës, ku ushtria izraelite po përpiqet të mos i lejojë njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre.

    Lufta e Izraelit në Gazë kundër Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nisi më 7 tetor, kur pjesëtarët e këtij grupi palestinezë u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

    Më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej atëherë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, e nënshkroi të mërkurën një ligj me ndihmë rreth luftës në vlerë 95 miliardë dollarë, i cili i përfshin 9 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Gazën, për të cilën ekspertët thonë se është buzë urisë absolute, si dhe miliarda të tjerë ndihmë për Izraelin./REL/

     

  • Lansohet projekti që avancon Barazinë Gjinore dhe Përfshirjen në Sport të Kosovë dhe Shqipërisë

    Lansohet projekti që avancon Barazinë Gjinore dhe Përfshirjen në Sport të Kosovë dhe Shqipërisë

    Sot në Prishtinë u lansua Projekti “Gruaja Udhëheqëse në Sport për Promovimin e Aktivitetit Fizik të Pavarur nga Gjinia (GEIN)” i cili ka për qëllim të avancojë barazinë gjinore në sport dhe në parasport.

    Ky projekt ndërkombëtar aspiron të thyejë barrierat gjinore dhe të përfshijë në mënyrë të barabartë sportistët nga të dy gjinitë, me një fokus të veçantë në fuqizimin e grave dhe personave me aftësi të kufizuara. Iniciativa synon të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit, duke i përgatitur ata për sukses dhe udhëheqje në arena ndërkombëtare.

    Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, në fjalën e saj në hapje të konferencës, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për përfshirjen e grave dhe përsonave me aftësi të kufizuara në sport: “Në Shqipëri, Kosovë dhe në gjithë rajonin, ne përballen me sfida të shumta në përfshirjen e grave dhe parasportistëve. Bashkëpunimi dhe angazhimi ynë janë thelbësor për të kapërcyer këto sfida dhe për të siguruar që çdo person, pavarësisht gjinisë ose aftësive të kufizuara, të ketë mundësinë të shkëlqejë dhe të udhëheqë.

    Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, mirëpriti angazhimin e vazhdueshëm dhe theksoi se projekti është një “fener shprese” për bashkëpunimin mes dy vendeve, duke shtuar se: “Aftësimi dhe arsimimi janë esenciale për të sfiduar stereotipet dhe për të ndërtuar një të ardhme ku barazia gjinore është jo vetëm një ideal, por një realitet.”

    Dr. Agron Kasa, Rektori i Universitetit të Sporteve në Tiranë, theksoi se sporti është një mjet jetik për ndryshime pozitive: “Përmes mbështetjes së komunitetit evropian, ne po punojmë për të ndryshuar qasjet dhe për të promovuar liderët e ardhshëm, duke u përqendruar veçanërisht në rritjen e numrit të grave në pozita drejtuese.”

    Projekti GEIN është një partneritet ndërkombëtar midis Universitetit të Sporteve në Tiranë, Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Finlandës Juglindore, Universitetit Katolik të Leuven në Belgjikë dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ky projekt mbështetet financiarisht nga programet Erasmus+ të Bashkimit Evropian. Qëllimi i tij është të rrisë kapacitetet në fushën e sportit në Shqipëri dhe Kosovë, për të promovuar barazinë gjinore përmes aktiviteteve edukative dhe mentorimit.

  • “Kur jemi bashkë, arrijmë shumë”: Bogujevci falënderon edhe opozitën për suksesin në KiE

    “Kur jemi bashkë, arrijmë shumë”: Bogujevci falënderon edhe opozitën për suksesin në KiE

    Nënkryetarja e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Saranda Bogujevci ka falënderuar opozitën për kontributin në votimin e suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, raporton Ekonomia Online.

    Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Bogujevci ka thënë se kjo tregon që kur janë ekip, arrijnë shumë.

    “Kjo është një arritje e madhe dhe historike për vendin tonë dhe demokracinë. Kjo është fitore e Republikës e themeluar mbi vlera demokratike ku respektohen të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Ky është rezultat i punës dhe angazhimit të punës së delegacionit të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë punuar pa ndalë dhe me përkushtim me qëllime të përbashkëta. Ky sukses i Kosovës tregon më së miri se kur jemi bashkë mund të arrijmë shumë. Kemi qenë ekip dhe ashtu njihemi në asamble. Ky votim është një fitore e madhe për Kosovën. Ka mbete pjesa finale unë jam shumë optimiste në vendim që do të merret unë kam besim te plote por duhet shumë punë”, ka thënë ajo.

  • Komisioni për Integrim Evropiane miraton Projektligjet për tekste shkollore dhe për performancën energjetike të ndërtesave

    Komisioni për Integrim Evropiane miraton Projektligjet për tekste shkollore dhe për performancën energjetike të ndërtesave

    Pa vota nga opozita, Komisioni për Integrime Evropiane miratoi Projektligjin për tekste shkollore  dhe Projektligjin për performancën energjetike të ndërtesave.

    Pavarësisht kërkesës së deputetit, Driton Hyseni nga radhët e pushtetit, nuk u votuan projektligjet nga opozita.

    Deputeti Hyseni, bëri një lutje drejtuar opozitës për t’i votuar këto ligje.

    “Të votojnë për këto ligje sepse e dërgojmë besimin e qytetarëve në nivele që ata presin”, tha ai.

    Deputetja nga PDK, Blerta Deliu, tha se vendi duhet t’i hap rrugët për zgjedhje dhe nuk ka diçka që duhet të votojnë. Ajo përmendi raportin e DASh-it dhe Freedom House, ku flitet për korrupsion nga Qeveria.

    “Kësaj qeverie i ka humbur kuptimi goditja e dy raporteve të DASh-it dhe Freedom House tregojnë se kjo qeveri ka probleme me gjyqësorin, cenim në institucione të drejtësisë. Ka zyrtarë që kanë qenë të zënë në fushata te shteti fqinjë. Konsideroj se vendi duhet të hap rrugë për zgjedhje të reja, nuk kemi çfarë të votojmë”, tha ajo.

    Deputeti Hyseni, duke replikuar, tha se nuk e sheh të arsyeshme referimin e raporteve ndërkombëtare e të mos votohen ligjet që janë më shërbim të qytetarëve.

    “Qeveria ka marrë hapa konkret dhe serioz në luftimin e korrupsionit. Nuk e shoh të arsyeshme të referoheni në ato raporte, ligjet që janë të rëndësishme për qytetarët duhet t’i votojmë. Kjo qeveri ka marrë hapa serioz. Nuk mund të jemi peng i raporteve ndërkombëtare që të mos votohen ligjet që janë më shërbim të qytetarëve. Ne e kemi privilegj t’i votojmë”, tha ai.

    Ndërsa, deputetja nga AAK, Time Kadrijaj tha se ky komision nuk mund të kërkojë përkrahjen e opozitës kur nuk i merr seriozisht mbajtjet e mbledhjeve të Komisioneve.

    “Nuk po e merrni me seriozitet shqyrtimin e projektligjeve, po shihet këtu. Nuk mund të kërkoni votë dhe përkrahjen e opozitës kur keni mungesë të seriozitetit,” tha Kadrijaj.

    Ndërsa, Projektligjet u votuan nga pozita me 6 vota për, në mungesë të opozitës.

  • Arrestohet një person i dyshuar për sulm seksual në Ferizaj

    Arrestohet një person i dyshuar për sulm seksual në Ferizaj

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Sulmi seksual” sipas KPRK-së.

    Në njoftim thuhet se ekziston dyshimi se i njëjti ishte në lidhje dashurie me viktimën e moshës se mitur tani e një vit, andaj, me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulmi seksual” nga neni 229 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të dyshuarit Xh.I., brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente”, thuhet në komunikatë.

  • Komuna e Deçanit e fiton të drejtën për shfrytëzimin e tokave në “Bjeshkët e Nemuna”

    Komuna e Deçanit e fiton të drejtën për shfrytëzimin e tokave në “Bjeshkët e Nemuna”

    Komuna e Deçanit e ka fituar të drejtën për shfrytëzimin e tokave në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

    Lajmin e dha kryetari i komunës së Deçanit Bsahkim Ramossaj, i cili e publikoi në Facebook edhe vendimin e shtypur të këtij rasti.

    “Në bazë të Vendimit Nr. 10663 për hartimin e Planit Rregullues të Hollësishëm për pronat e shpallura me interes publik në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, miratuar nga Kuvendi Komunal i Deçanit, datë 29.03.2024, pranuar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në pajtim me Rregulloren (QRK) Nr. 06/2021 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores (QRK) Nr.10/2019 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave dhe miratuar nga MAPL. Çdo ditë e më shumë po arrijmë atë që kemi ëndërruar gjithmonë”, ka shkruar ai.

  • Rriten çmimet e naftës, ndikuan dy faktorë

    Rriten çmimet e naftës, ndikuan dy faktorë

    Çmimet e naftës u rritën të enjten. Nafta e papërpunuar ndërkombëtare Brent u tregtua me 88,21 dollarë për fuçi në orën 09:32 të mëngjesit me orën lokale (0632 GMT), një rritje prej 0,21% nga çmimi i mbylljes prej 88,02 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare.

    Standardi amerikan West Texas Intermediate (WTI) tregtohej me 82,95 dollarë për fuçi në të njëjtën kohë, një rritje prej 0,17% nga seanca e mëparshme që u mbyll me 82,81 dollarë për fuçi.

    Rënia e stoqeve komerciale të naftës së papërpunuar në SHBA, konsumatori më i madh në botë i naftës, dhe tensionet në Lindjen e Mesme ishin faktorë kontribues në mbështetje të rritjes së çmimeve. /AA