ATV

Category: Lajme

  • Osmani priti në takim Sekretaren e Përgjithshme të Alwaleed Philanthropies

    Osmani priti në takim Sekretaren e Përgjithshme të Alwaleed Philanthropies

    Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed Philanthropies, cila udhëheq delegacionin e kësaj organizate që po viziton Kosovën.

    Zyra e Presidentes ka njoftuar se Alwaleed Philantropies janë në Republikën e Kosovës për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nën patronatin e Presidentes së Kosovës ku do të dorëzohet një donacion i rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve tanë në QKUK nga ana e Alwaleed Philanthropies.

    Presidentja Osmani ka falënderuar në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës Alwaleed Philanthropies të udhëhequr nga Princi Alwaleed Bin Talal Al Saud, për këtë donacion që do të ketë efekt të jashtëzakonshëm në shëndetin e qytetarëve tanë si dhe ka ofruar bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për realizimin e projekteve të tjera që janë në interes të qytetarëve të Republikës.

  • Komuna e Prishtinës del me sqarim për orarin e punës së barnatoreve

    Komuna e Prishtinës del me sqarim për orarin e punës së barnatoreve

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se orari i punës për barnatoret në kryeqytet, mbështetur në rregulloren bazike e cila është në fuqi, fillon në orën 07:00 dhe mbaron në orën 22:00 (përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare).

    Sipas njoftimit të komunës, kujdestaria e barnatoreve fillon në orën 22:00 deri në orën 07:00, sipas orarit që do të përgatitet nga drejtoria e Shëndetësisë.

    “Së shpejti pritet edhe vendosja në përdorim të aplikacionit, nga ku mund të dihet saktë orari dhe barnatorja kujdestare në kryeqytet për datën përkatëse”, thuhet në njoftim.

    Më tej theksohet se drejtoria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar të kontribuojë që shëndeti i qytetarëve të jetë parësor në çdo rast.

  • ​Rreth 22 miliardë euro llogariten dëmet materiale nga lufta e fundit në Kosovë

    ​Rreth 22 miliardë euro llogariten dëmet materiale nga lufta e fundit në Kosovë

    Institucioni i Avokatit të Popullit po mban një tryezë diskutimi me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.

    Këshilltari juridik në këtë institucion, Labinot Sheremeti, tha se Avokati i Popullit gjatë vitit 2023 ka publikuar raportin për drejtësinë tranzicionale dhe zbatimin e mekanizmave të saj, ku qëllimi i tij ka qenë në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat e këtyre krimeve.

    “Avokati i Popullit gjatë vitit 2023 ka publikuar raportin për drejtësinë tranzicionale dhe zbatimin e mekanizmave të saj me qëllim të vlerësimit të se sa kanë qenë institucionet e Republikës së Kosovës në nivël të përmbushjes së detyrave sa i përket zbatimit të mekanizmave të drejtësisë tranzicionale me fokus në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat e këtyre krimeve”, tha ai.

    Duke folur për numrin e viktimave gjatë luftës së fundit në Kosovë, Sheremeti tha se edhe pse nuk kanë të dhëna zyrtare, sipas organizatave vendore e ndërkombëtare, del se mbi 13.500 persona janë vrarë ose zhdukur gjatë viteve 1998-2000.

    Ai tha se prej tyre kanë 10 mijë civilë, e prej tyre 1133 fëmijë të vrare ose të zhdukur, ku fati i afër 1600 personave vazhdon të mbetet i pazbuluar.

    Ndërkaq, duke folur për dëmet materiale të luftës, Sheremti tha se sipas llogaritjeve del se dëmet janë vlerësuar rreth 22 miliardë euro, përfshirë 120 mijë shtëpi të shkatërruara.

    “Edhe pse nuk kemi të dhëna zyrtare sa i përket krimeve të kryera gjatë luftës, bazuar në të dhënat e mbledhura dhe të publikuara nga organizatat e shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare dhe ekspertë të ndryshëm të fushës, del se rreth 13.535 persona janë vrarë apo zhdukur gjatë viteve 1998-2000. Mbi 10 mijë prej tyre kanë qenë civilë, 1133 prej tyre kanë qenë fëmijë të vrarë apo të zhdukur, ende vazhdon të mbetet i paditur fati i rreth 1.600 personave të zhdukur. Në varresat masive në Serbi deri në vitin 2021 janë gjetur rreth 950 trupa të personave që janë zhdukur në Kosovë. Përllogariten afro rreth 20 mijë viktima të dhunës seksuale, mbi 2 mijë persona janë dërguar në mbajtje në burgje në Serbi pas përfundimit të luftës. Së paku 810 mijë qytetarë të Kosovës kanë qenë refugjatë, përllogariten rreth 120 mijë shtëpi të shkatërruara dhe dëmet materiale sipas ekspertëve janë vlerësuar rreth 22 miliardë euro”, tha ai.

    Ai përmendi edhe ndryshimin e Kodit të procedurës penale me të cilin është mundësuar gjykimi në mungesë për të dyshuarit që kanë kryer krime lufte dhe se aktakuzat e para veç se janë ngritur.

  • Rama: Expo Albania, xhevahir i koleksionit të arkitektëve bashkohorë në Tiranë

    Rama: Expo Albania, xhevahir i koleksionit të arkitektëve bashkohorë në Tiranë

    Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga projekt-ideja fituese e arkitektit të famshëm amerikan Steven Holl, në finalen e konkursit ndërkombëtar për Expo Albania.

    Rama thekson se kjo qendër do të jetë një kompleks modern për organizimin e panaireve, ekspozitave të artit, kulturës, historisë, konferencave e takimeve të shumëllojshme.

    Ai thekson se Expo Albania është një tjetër xhevahir i koleksionit të arkitektëve bashkohorë në Tiranë, për një ofertë të re për Shqipërinë 2030

    Në fazën finale të konkursit ndërkombëtar për ndërtimin e kësaj qendre morën pjesë 5 skuadra prestigjoze në botën e arkitekturës bashkëkohore, të përzgjedhura mes afro 60 konkurentësh nga e gjithë bota.

    Ndërsa në fazën finale ishin në garë studio të famshme të arkitektëve amerikanë Steven Hall dhe Jeanne Gang, studio gjermane Kuehn Malvezzi, skuadra belge e Office KGDV dhe studio e mirënjohur italiane edhe në Shqipëri e Stefano Boerit.

    Kryeministri Rama u shpreh një ditë më parë se “ky projekt është i rëndësishëm në rrugën e transformimit të vendit dhe në një fazë të re zhvillimi ku ka hyrë vendi ynë”.

    Ai ka theksuar se kjo qendër do jetë “edhe një destinacion për banorët e Tiranës, por edhe vizitorët e turistët gjithnjë e më të shumtë, të cilët do të gjejnë arsye për të vizituar këtë hapësirë të re që po ndërtojmë”.

  • Kurtishi: Vetëm tre muajt e parë 515 persona janë prekur me kancer, 10 për qind më shumë se vitin e kaluar

    Kurtishi: Vetëm tre muajt e parë 515 persona janë prekur me kancer, 10 për qind më shumë se vitin e kaluar

    Drejtori i Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi ka thënë për Ekonomia Online se deri më 20 maj pacientët do të fillojnë ti marrin trajtimet në Klinikën e Onkologjisë e cila i ka rritur kapacitetet dhe ka dyfishuar numrin e shtretërve për pacientët ambulantorë.

    Kurtishi ka theksuar se deri vitin e kaluar i kanë pasur vetëm 45 shtretër, ndërsa nga maji mund të trajtohen rreth 100 pacientë, me 100 shtretër ose karrige onkologjike, raporton Ekonomia Online.

    “Klinika e onkologjisë ka filluar rinovimin qysh nga tetori i vitit 2023, dhe ka pasur dy faza dhe rinovimin e dy kateve, katit përdhesë dhe katit të parë dhe jemi në fazën finale kur shumica e punëve kanë përfunduar dhe maksimumi deri më 20 maj pacientët do të fillojnë ti marrin trajtimet në Klinikën e Onkologjisë e cila i ka rritur kapacitete dhe ka dyfishuar numrin e shtretërve për pacientët ambulantorë. Ne deri vitin e kaluar i kemi trajtuar pacientët me shërbimin e kimioterapisë me 45 shtretër nga maji do të trajtojmë rreth 100 pacientë, me 100 shtretër ose karrige onkologjike të cilat do të sigurohen të reja. Për fillim do ti kemi ato ekzistuese dhe disa shtretër kurse shumë shpejt do ti kemi edhe karriget e reja të cilat do të japin një komoditet shumë të mirë dhe një siguri shumë më të madhe për trajtimin e pacientëve. Të njëjtën kohë kemi pasur edhe rinovim të ambulantave specialistike për mjekët specialistë të cilët punojnë në klinikë ku do të ketë privatësi më shumë. Gjatë muajve në vazhdim do të kemi një digjitalizim të shërbimeve dhe do të kemi sistem kompjuterik të regjistrimit të këtyre pacientëve të cilët pastaj do të shpërndahen nëpër mjekë dhe do të marrin shërbimet sipas rekomandimeve dhe udhëzimeve të mjekëve”, ka thënë Kurtishi.

    Onkologu Kurtishi ka thënë se ministria e Shëndetësisë kanë ndarë rreth 600 mijë euro për rinovimin e objektit. Ai ka treguar se janë rinovuar afër 2000 metra katror hapësira brenda Klinikës.

    “Ministria e shëndetësisë në bazë të projektit që ne kemi këtu dhe ShSKUK-ja kanë ndarë rreth 600 mijë euro për rinovimin e objektit që janë rinovu gati 2000 metra katror që është një rinovim shumë i domosdoshëm për klinikën tonë pasi që vazhdimisht kemi pasur kërkesa të tilla për zgjerimin e hapësirave duke u bazuar në faktin se numri i pacientëve të cilët kërkojnë shërbime onkologjike në Kosovë nga dita në ditë dhe nga viti në vit është në rritje dhe kjo sado pak do ti zbusë kërkesat e pacientëve tanë dhe do të krijojë një hapësirë shumë më moderne dhe shumë më efektive për trajtimin e pacientëve”, ka thënë Kurtishi.

    Onkologu Kurtishi ka përmendur faktin se edhe në këtë klinikë si kudo në Kosovë ka mungesë të stafit por që sipas tij pritet që shumë shpejtë të zëvendësohen.

    “Klinika e Onkologjisë ka staf mirëpo edhe ne sikur në klinikat tjera të QKUK-së kemi disa mungesa kur bëhet fjalë për pushimet e lehonisë, pushimet mjekësore të stafit dhe pushimet vjetore në raste të caktuara dhe kjo na komplikon punën gjatë shërbimeve ditore sidomos në marrjen e kimioterapive. Edhe pse kemi pasur vetëm tre infermierë të cilët janë larguar nga Kosova për arsye të një jete më të mirë të tyre dhe kanë vazhduar profesionin në vendet e Bashkimit Evropian dhe shumë shpejtë ShSKUK-ja do ti kompensojë këta infermierë të cilët janë larguar nga Klinika dhe ndoshta do të kemi infermierë shtesë dhe brenda dy tre muajve ne do të stabilizohemi edhe më mirë dhe do të kemi numër të mjaftueshëm të stafit infermierorë”, ka thënë Kurtishi.

    Kurtishi ka thënë po ashtu se ata kanë një staf relativisht të madh me rreth 70 punëtorë të cilët kryejnë shërbime onkologjike në më shumë se 500 pacientë çdo ditë.

    “Ne jemi 20 specialistë 7 specialistë të radioterapisë dhe 13 specialistë të onkologjisë mjekësore ndërkaq në stafin infermierorë ne kemi 26 infermierë në shërbimin e kimioterapisë dhe kemi 13 teknikë të radioterapisë të cilët kryejnë shërbime radioterapeutike dhe të njëjtën kohë kemi një psikolog dhe dy fizioterapeutë dhe 7 fizikantë që e bëjnë një klinikë me një staf relativisht të madh rreth 70 punëtorë të cilët kryejnë shërbime onkologjike në më shumë se 500 pacientë çdo ditë”, është shprehur mes tjerash Kurtishi.

    Sa i përket furnizimit me medikamente, Kurtishi ka treguar se qëndrojnë mirë në këtë aspekt por se siq ka thënë ai numri i të prekurve me këtë sëmundje po rritet vit pas viti dhe nevojat për medikamente janë të mëdha. Vetëm për tre muajt e parë janë identifikuar rreth 515 pacientë të prekur me kancer ka thënë ai.

    “ Për momentin që flasin kemi diku rreth 92 përqind të furnizimit të barnave nga lista esenciale dhe presim shumë shpejtë që me ardhjen e disa barnave të cilët janë kontraktu nga ministria e Shëndetësisë dhe të cilët më herët kanë pasur probleme me autorizim marketingu ne do të kemi një furnizim me 97 ose 98 përqind, furnizimi është i rregullt është më i mirë se viteve të kaluara mirëpo edhe fakti që çdo ditë ne kemi numër të lartë të pacientëve të cilët kërkojnë shërbime onkologjike mund të ketë ndonjëherë edhe mungesa të kohë pas kohshme të vogla por këto katër muajt e parë të vitit 2024 ne jemi të mbuluar gati mbi 92 ose 93 përqind të barnave të listës esenciale. Për tre muajt e parë që ne flasim kemi identifiku ose regjistru në klinikën e Onkologjisë rreth 515 vetë me kancer ose tumore te të rriturit që në krahasim me vitin e kaluar është diku 10 përqind më shumë do të thotë nëse ky trend vazhdon ne do të kalojmë edhe vitin 2023 i cili ka qenë viti me më së shumti raste të regjistruara të tumoreve, ka kapur shifrën e 2 100 pacientëve dhe këtë vit ky numër mund të kemi ndoshta numër edhe më të lartë”, ka thënë ai për Ekonomnia Online.

  • Rusia thotë se nuk ka interes ushtarak të sulmojë shtetet e NATO-s

    Rusia thotë se nuk ka interes ushtarak të sulmojë shtetet e NATO-s

    Rusia nuk ka asnjë interes ushtarak apo gjeopolitik për të sulmuar shtetet e NATO-s, ka thënë ministri i saj i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

    Por trupat e NATO-s kanë krijuar kërcënime shtesë për Rusinë duke u afruar më pranë kufijve të saj, shtoi Shoigu, sipas agjencisë së lajmeve TASS, shkruan Skynews.

    Ai u citua gjithashtu të ketë thënë se Uashingtoni po e zvarrit qëllimisht konfliktin në Ukrainë duke ushtruar presion të paprecedentë.

    Lidhur me termocentralin bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainën juglindore, sulmet e supozuara të Ukrainës rrezikojnë pasoja katastrofike, pretendoi Shoigu.

    Shoigu pohoi se këshilltarët e huaj po ndihmojnë Ukrainën për të përgatitur akte sabotimi në territorin rus, por nuk dha prova.

    Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për sjellje të pamatur ushtarake në Zaporizhzhia.

  • Filloi instalimin e njehsorëve smart në pjesën veriore të Kosovës

    Filloi instalimin e njehsorëve smart në pjesën veriore të Kosovës

    Kontraktori i KEDS-it, Elektrosever, ka filluar vendosjen e njehsorëve smart (të mençur) në pjesën veriore të vendit. Këta njehsorë, që janë fjala e fundit e teknologjisë, do të rregullojnë tutje distribuimin dhe furnizimin me energji elektrike për konsumatorët kosovarë të asaj pjese.

    Në procesin që ka filluar sot do të vendosen gjithsej 5 mijë njehsorë smart me fokus te konsumatorët që kërkojnë lidhje të reja dhe tek ata që nuk kanë njehsorë.

    Operimi me njehsorët smart është treguar tejet efikas dhe ka avancuar në mënyrë të vazhdueshme shërbimet dhe sigurinë e shpërndarjes dhe furnizimin me energji elektrike për konsumatorët. Rrjedhimisht, avantazhet dhe mundësitë që ofrojnë këta njehsorë janë të shumta.

    KEDS-i deri tash ka vendosur mbi 100 mijë njehsorë të tillë anekënd territorit të vendit.

    Ky shërbim është pjesë e sistematizimit edhe të konsumatorëve në veri të vendit dhe paraqet një hap të madh përpara për funksionimin në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirës për tërë rrjetin distributiv të Kosovës.

    Integrimi elektroenergjetik i pjesës veriore të vendit filloi në pjesën e parë të dhjetorit të vitit të kaluar kur KEDS kishte nënshkruar kontratën me Elektroseverin me qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.

    Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022.

  • ​Sekuestrohet duhan i kontrabanduar

    ​Sekuestrohet duhan i kontrabanduar

    Policia e Kosovë ka parandaluar një rast të kontrabandës me duhan gjatë patrullimit të pikës kufitare Hani i Elezit në fshatin Krivenik.

    Drejtuesi i automjetit sipas policisë, pasi e ka vënë re se është pikasur nga patrullat policore, ka braktisur automjetin dhe ka ikur në drejtim të territorit të Maqedonisë.

    “Policia ka tërhequr automjetin me targa të dhe Maqedonisë së Veriut dhe gjatë kontrollit të automjetit është vërejtur se kishte të ngarkuar: 360 pako x 800 gr = 288 kg, të llojit lord, 79 pako x 500 gr = 39.5 kg, të llojit marlboro, 60 pako x 500 gr = 30 kg, të llojit llord, 60 pako x 500 gr = 30 kg të llojit dunhill, 80 pako x 500 gr = 40 kg të llojit davidof, 80 pako x 500 gr = 40 kg të llojit ëest, 20 pako x 500 gr = 10 kg të llojit royal dhe 20 pako x 500 gr = 10 kg të llojit virginia”, thuhet në nkomunikatë.

    Gjithsej sipas policisë janë sekuestruar 487.5 kg duhan i gatshëm për treg.

    “Vlera e malit dhe e akcizës mbetet të përcaktohet nga Dogana e Kosovës. Malli dyshohet të jetë sjellë kontrabandë nga Maqedonia Veriore përmes rrugëve malore”, thuhet tutje.

    Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, ku me urdhër të tij, malli i kontrabandë dhe automjeti janë sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor Hani i Elezit.

  • Puna e Kuvendit gjatë 2023, vlerësohet në kundërshtim me Kushtetutën

    Puna e Kuvendit gjatë 2023, vlerësohet në kundërshtim me Kushtetutën

    Puna e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2023 është karakterizuar nga vendimmarrja në kundërshtim me Kushtetutën, thuhet në raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, që u publikua të premten.

    Hulumtuesi në IKD, Naim Jakaj, tha se legjislativin e ka përcjell edhe mungesa e transparencës në çështje kyçe të punës, derisa të zgjedhurit e popullit shpesh herë kanë përdorur gjuhë joparlamentare, homofobe dhe seksiste.

    Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pjesërisht Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe atë për Zyrtarët Publikë, ndërsa rrëzoi në tërësi Ligjin për Këshillin Prokurorial. Krahas kësaj, ai shtoi se kushtetuesja rrëzoi edhe Ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg si dhe vendimin për shkarkimin e tetë anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    “Puna e këtij institucioni është karakterizuar edhe nga vendimmarrja në kundërshtim me Kushtetutën, në disa raste nga vendimmarrja e kundërligjshme dhe në disa raste nga mungesa e transparencës së plotë në çështje kyçe të punës së Kuvendit. Më tutje puna e Kuvendit është përcjell edhe nga gjuha jo parlamentare, gjuhë raciste, seksiste, mizogjene dhe homofobe. Ndërkohë gjatë vitit 2023 përfaqësuesit e qytetarëve u përplasën fizikisht gjatë punimeve të seancës plenare ndërmjet veti dhe kabinetit qeveritar”, tha ai.

    Jakaj po ashtu tha se Kuvendi ka zhvilluar punimet pa planifikim adekuat, derisa s’ka pas as efikasitet në miratimin e Projektligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

    “Kuvendi ka zhvilluar punime pa planifikim adekuat, ku në krahasim me vitin paraprak Kryesia e Kuvendit kishte autorizuar draft-planin për sesionin, këtë vit një propozim i tillë nuk u diskutua fare. Kjo për pasojë pati fenomenin e mosefikasitetit në shqyrtimin dhe miratimin e pikave të rendit të ditës. Mosefikasitet që u bart nga një vit në tjetrin…Në lidhjen me aktivitetin legjislativ ai u përshkrua nga mosefikasiteti në miratimin e projektligjeve dhe pikave të tjera, përgjithësisht pati mungesa kronike e kuorumit, ku në shumicën e rasteve u shkaktua nga deputetët e shumicës dhe më pas tek deputetët opozitarë. Në anën tjetër edhe këtë vit, përveç në masë të madhe u shfaq fenomeni i mosmarrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat në procesin e vendimmarrjes nuk merrnin pjesë deputetët e opozitës. Shumica parlamentare është treguar arrogante sa i përket bashkëpunimit me deputetët opozitarë, veçanërisht për Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024”, shtoi ai.

    Ndërkaq, potencoi se Kuvendit gjatë vitit 2023 keqpërdori edhe mekanizmin e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme për miratimin e pikave të rregullta të rendit të ditës./KP/

  • Vuçiq ankohet nga New York-u: Truk i neveritshëm, duan t’ia heqin sanksionet Kosovës

    Vuçiq ankohet nga New York-u: Truk i neveritshëm, duan t’ia heqin sanksionet Kosovës

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është “ankuar” ndaj Bashkimit Evropian sipas tij për nisjen e heqjes së sanksioneve ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë të fundit si një “truk të neveritshëm”.

    Sipas tij kjo që po bëhet ndaj Serbisë është e pakuptimtë, e çmendur, e pafytyrë dhe e vrazhdë.

    “Shikoni trukun e neveritshëm që përdorin gjatë gjithë kohës. Shqiptarët marrin një vendim krejtësisht të kundërligjshëm që “të gjithë e kritikojnë”, dhe pas një muaji kur serbët nuk pranojnë të thonë “rroftë heqja e dinarit”, ata thonë “nuk ka konsensus të vullneteve, nuk ka gatishmëri për marrëveshje dhe kompromis”, ka pretenduar Vuçiqi nga Nju Jorku.

    “Por kanë kaluar 16 vjet, qe 16 vjet një vend i vogël ka luftuar për lirinë dhe territorin e tij me të gjitha mjetet politike dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”.