ATV

Category: Lajme

  • Rafuna dhe Shahini: Deklaratat për luftë, i frikësojnë investitorët

    Rafuna dhe Shahini: Deklaratat për luftë, i frikësojnë investitorët

    Deklaratat e vazhdueshme të liderëve politikë për rrezik për luftë në Kosovë, po i frikësojnë investitorët e huaj për investime në Kosovë. Kështu thonë për Radio Kosovën përfaqësues të bizneseve dhe njohës të ekonomisë.

    Deklarimet e fundit të zyrtarëve shtetërorë të Kosovës, ku theksojnë se në Kosovë mund të ketë luftë, janë një frikësim për investitorët e huaj dhe të gjithë ata që duan të zhvillojnë bizneset e tyre në Kosovën.

    I fundit që ka folur për një gjë të tillë është zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili për mediumin ukrainas “European Pravda” ka thënë se mund të përsëritet një sulm i ngjashëm me atë në Banjskë.

    Duke folur për Radio Kosovën, kryetari i Aleancës Kosovare të bizneseve, Agim Shahini, tha se deklaratat e tilla vetëm sa e dëmtojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës.

    “Të gjithë zyrtarët pothuajse pa përjashtime, janë duke përdorur një fjalim të vrazhdë, qoftë në mediume vendore apo ndërkombëtare që Kosova është e pasigurt. Pasiguria e Kosovës vjen nga liderët të cilët nuk krijojnë kushte të punës, nuk krijojnë kushte për investime dhe të gjitha këto për investitorët potencialë janë mesazhe pasigurie, jo-besueshmërie për Kosovën dhe tregun e saj”, tha Shahini.

    Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, duke folur për Radio Kosovën thotë se këto deklarata nuk sjellim investime në Kosovë.

    “Ne duhet të kemi shumë kujdes në deklarimet tona, sepse deklarimet për sulme nuk sjellin investime në Kosovë. Ne duhet ta përçojmë mesazhin që Kosova është një vend i sigurt, një vend i mirë i të bërit biznes, një vend i stabilitetit jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë”, tha Rafuna.

    Sipas statistikave zyrtare, shumë biznese të Kosovës kanë zhvendosur aktivitetin në shtetet fqinje si në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

  • Përbërja e re e Qeverisë serbe: Daçiq ministër i Brendshëm, Vulin zv/kryeministër

    Përbërja e re e Qeverisë serbe: Daçiq ministër i Brendshëm, Vulin zv/kryeministër

    Mandatari për formimin e Qeverisë së Serbisë, Millosh Vuçeviq, propozoi të hënën emrat e ministrave të rinj në kabinet.

    Siç paralajmëroi, Qeveria e tij do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.

    Në pozitën e zëvendëskryeministrit do të rikthehet Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – mes tjerash për shkak të lidhjeve me Rusinë.

    Shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratisllav Gashiq, deri më tash ministër i Policisë.

    Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në SHBA dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën në Serbi, do t’i bashkohet Qeverisë si ministër i Punëve të Jashtme.

    Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviq, do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol. /REL

  • Ekonomia gjermane sheh tkurrjen vjetore të pestë radhazi

    Ekonomia gjermane sheh tkurrjen vjetore të pestë radhazi

    Ekonomia gjermane është tkurrur me 0.2% në tremujorin e parë të vitit 2024 në bazë vjetore, deklaroi të martën departamenti i statistikave të vendit Destatis. Që nga fillimi i vitit të kaluar, ekonomia gjermane është tkurrur çdo vit për pesë tremujorë radhazi.

    Vitin e kaluar, ekonomia gjermane u tkurr me 0.2% në tremujorin e parë, të dytë dhe të katërt, dhe 0.4% në tremujorin e tretë, në bazë vjetore. Në bazë tremujore, produkti i brendshëm bruto (PBB) i vendit u rrit lehtësisht me 0.2% në periudhën janar-mars.

    PBB-ja u tkurr me 0.5% në tremujorin e fundit të vitit 2023. Për shkak të dy rënieve të njëpasnjëshme të PBB-së, ekonomia gjermane kishte hyrë edhe në një recesion teknik vitin e kaluar./AA

  • Haradinaj bën homazhe pranë arkivolit të ish-deputetit Ali Lajçi

    Haradinaj bën homazhe pranë arkivolit të ish-deputetit Ali Lajçi

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj se bashku me deputetë të partisë kanë bërë homazhe pranë arkivolit të ish-deputetit Ali Lajçi, raporton EO.

    Ish-veprimtari i çështjes kombëtare, Ali Lajçi ka vdekur ditën e hënë.

    Lajçi ishte i dënuar politik nga regjimi i Serbisë. Në vitin 1981 ai ka qenë organizator i demonstratave, arsye për të cilën është dënuar me 15 vite burg.

    Që nga viti 2001 deri në vitin 2007 ai ka qenë kryetar i Komunës së Pejës, ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2010 deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

  • Vushtrria dhe MMPHI-ja nënshkruajnë memorandum në vlerë prej 600 mijë euro

    Vushtrria dhe MMPHI-ja nënshkruajnë memorandum në vlerë prej 600 mijë euro

    Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka pritur në takim ministrin e Mjedisit, Planifikimit hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrin, Hysen Durmishi, raporton EO

    Të dy kanë nënshkruar memorandum bashkëfinancimi në vlerë prej 600,00.00euro.

    Projektet që do të realizohen nga kjo marrëveshje në bashkëfinancim nga Komuna e Vushtrrisë dhe MMPHI janë:

    Projekti i rrugës R220 nga Ura e Sitnicës deri tek Llamkos;

    Projekti i rehabilitimit të rrugëve në fshatrat Akrashticë-Balincë;

    Projekti i rehabilitimit të rrugës nga magjistralja N2 Dumnicë e Ulët-Dumnicë e Epërme;

    Projekti i rehabilitimit të rrugës “Dëshmorët e Kombit.

    Ministri Aliu deklaroi se marrëveshja e nënshkruar kap vlerën e 590 mijë euro për katër projekte duke u shprehur i lumtur nga mundësia e realizimit të këtyre projekteve.

    “Sapo patëm kënaqësinë që së bashku me kryetarin e Vushtrrisë të nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi për katër projekte në vlerë diku prej 590 mijë euro, është shumë kënaqësi që do të kemi mundësi ti zhvillojmë këto projekte po ashtu edhe projekte tjera që janë në realizim e sipër që po synojmë ti realizojmë në të ardhmen. Bashkëpunimin me komunën e Vushtrrisë e kemi jashtëzakonisht të mirë kështu që po uroj që këto punë të na ecin mbarë dhe të realizojmë përpos këtyre projekteve edhe projekte tjera që na presin”, ka thënë ministri Aliu.

    Aliu shtoi se përveq marrëveshjes së nënshkruar sot, bashkëpunimi me komunën e Vushtrrisë do vazhdojë tutje me projekte që ndërlidhin komunat përrreth.

    “Përpos bisedës që e patëm me kryetarin për këto projekte që i nënshkruam sot patëm diskutime tjera, pra kemi një projekt i cili ka qenë si ide nga kryetari i komunës së Vushtrrisë në vizitat e mëhershme që i kemi pas i cili po merr përkrahje nga komunat që i lidh disa komuna e që jemi në përmbyllje të marrëveshjeve mes komunave e i cili pastaj do të mund të merr mbështetje nga ana e ministrisë për realizimin e që është një ide jashtëzakonisht e mirë e që e falënderoj kryetarin e Vushtrrisë për këtë marrëveshje”, ka thënë Aliu.

  • Kurti me ministra bëjnë homazhe për ish-deputetin Ali Lajçi

    Kurti me ministra bëjnë homazhe për ish-deputetin Ali Lajçi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me një pjesë të kabinetit qeveritar, kanë bërë homazhe pranë arkivolit të ish-deputetit Ali Lajçi, i cili vdiq të hënën, raporton Ekonomia Online.

    Kurti nënshkruaji edhe në librin e zisë.

    Më herët, homazhe kanë bërë edhe presidentja Vjosa Osmani e kryeparlamentari Glauk Konjufca.

    Ish-veprimtari i çështjes kombëtare, Ali Lajçi ka vdekur ditën e hënë.Lajçi ishte i dënuar politik nga regjimi i Serbisë.

    Në vitin 1981 ai ka qenë organizator i demonstratave, arsye për të cilën është dënuar me 15 vite burg.

    Që nga viti 2001 deri në vitin 2007 ai ka qenë kryetar i Komunës së Pejës, ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2010 deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

  • Gjobë ndaj shoferit në Ferizaj që drejtoi veturën nën masën mbrojtëse

    Gjobë ndaj shoferit në Ferizaj që drejtoi veturën nën masën mbrojtëse

    Policia e Komunikacionit Rrugor në rrugën “Ahmet Kaçiku” në Ferizaj ka ndaluar shoferin S.M (M/K) i moshës 26 vjeçar, i cili po drejtonte veturën e tij Opel me targa vendore nën masën mbrojtëse, ku me ligjin e ri parashihet gjobë, vazhdim i masës mbrojtëse, pikë negative dhe konfiskim i automjetit.

    Ndaj tij policia i ka shqiptuar një gjobë kundërvajtëse prej pesëqind (500) euro, pesë (5) pikë negative, vazhdim i masës mbrojtëse edhe për gjashtë (6) muaj, si dhe i është konfiskuar përkohësisht automjeti.

  • Klinë: Dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me familjaren, arrestohet

    Klinë: Dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me familjaren, arrestohet

    Një person është arrestuar nga policia, pasi që dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me familjaren.

    I dyshuari dhe femra, sipas policisë i takojnë komunitetit ashkali.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima është dërguar në strehimore.

    Ngjarja raportohet të ketë ndodhur të hënën e kaluar, më 22 prill në Klinë.

    Rasti ka ndodhur në Klinë.

  • Dy gra e rrahin një burrë në Mitrovicën e Veriut

    Dy gra e rrahin një burrë në Mitrovicën e Veriut

    Dy gra dyshohet se e kanë rrahur një burrë.

    Ngjarja ka ndodhur të hënën në rrugën “Çlirimi” në Mitrovicën e Veriut. Sipas ankuesit, i njëjti ishte në prokurori lidhur me një rast ku ishte i pandehur.

    Të dyshuarat pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt, njofton raporti 24 orësh i policisë.

    Rasti është iniciuar si “Sulm”.

  • Gjendet e vdekur një grua në banesën e saj në Fushë Kosovë

    Gjendet e vdekur një grua në banesën e saj në Fushë Kosovë

    Një grua është gjetur e vdekur në banesën e saj në Fushë Kosovë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet policore dhe ekipi mjekësor ku edhe ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Trupi i pajetë i viktimës me vendim të prokurorit është dërguar në IML për obduksion.

    Raporti i plotë:

    Rr. Drenica, Fushë Kosovë 29.04.2024-23:12. Është raportuar se nga familjarët, se viktima femër kosovare, në banesën e saj është gjetur pa shenja jete. Njësit relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.