ATV

Category: Lajme

  • Opozita për raportin e DASH-it: Qeveria po e mbron korrupsionin

    Opozita për raportin e DASH-it: Qeveria po e mbron korrupsionin

    Deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për mosluftim të korrupsionit brenda ekzekutivit dhe, siç thanë, për mbrojtjen e të akuzuarve për rastet korruptive.

    Seanca u mbajt lidhur me publikimin e raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, në të cilin, ndër të tjera, si problem ishte theksuar “korrupsioni serioz në Qeveri”.

    Shefi i Grupit Parlamentar të subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, gjatë seancës së jashtëzakonshme të enjten, që u thirr për të diskutuar për këtë raport, tha se gjetjet e raportit janë edhe një arsye më shumë që vendi të shkojë në zgjedhje sa më shpejt.

    “Kërkojmë që t’i trajtojmë gjetjet dhe t’i japim rekomandime kësaj qeverie për t’i adresuar deri në kohën kur vendi do t’i drejtohet kutive të votimit dhe vendi do ta krijojë një qeveri, e cila do të jetë shpresë për qytetarët”, tha ai.

    Sipas tij, Kosova me ekzekutivin aktual, nuk mund të anëtarësohet as në organizata ndërkombëtare, në kohën kur, sipas tij, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, përballet me akuzë për mosdeklarim të pasurisë.

    Në raportin e fundit të DASH-it për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2023, që u publikua javën e kaluar, thuhet se në Kosovë ka pasur “disa raportime për korrupsion në Qeveri” dhe se “zyrtarët, nganjëherë, përfshihen në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.

    Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), tha se raporti është krejtësisht normal dhe nuk ka “asgjë të jashtëzakonshme” në të.

    Duke folur për korrupsionin në qeveri, Kusari-Lila tha se raporti i DASH-it është bazuar në hetime penale dhe jo aktakuza.

    “Në raport përmendet korrupsioni në Qeveri duke u bazuar në hetime penale, pra nuk flitet për aktakuza sepse nuk ka të tillë, as për procese gjyqësore as dënime për korrupsion, vetëm për kallëzime. Këto kallëzime mund të bëhen nga individ, opozita apo trupa të kontrolluar prej tyre”, tha ajo.

    Armend Zemaj, nga subjekti opozitar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se raporti i publikuar më 22 prill ka konfirmuar edhe njëherë mendimin e partisë së tij se Qeveria Kurti nuk e lufton korrupsionin.

    “Raporti rrënoi përtokë një propagandën e shumicës se e kemi luftuar korrupsionin. Në fakt ju po i luftoni ata që e luftojnë korrupsionin, tani që kemi raportin i cili e ka konfirmuar secilin shqetësim si LDK, tani me vulën e SHBA-së jeni hajna të certifikuar, sepse Qeveria juaj po emërtohet korrupsion serioz qeveritar”, tha ai.

    Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tha se Qeveria Kurti është “rrethuar me terrin e arbitraritetit dhe arrogancës”.

    “Në të gjitha aferat që lidhen me keqmenaxhimin e parasë publike, aferat korruptive që janë publike, ka pasur mbrojte në formë të një luftëtari të një mbrojte të një të zeze”, tha ai.

    Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2023 ka konstatuar se Kosova vazhdon të përballet me probleme serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe me problemin e dhunës me bazë gjinore.

    Në raportin e DASH-it u përmend se më 2023 nuk ishte raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë. /REL

  • Macroni përsëri s’e hedh poshtë mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë

    Macroni përsëri s’e hedh poshtë mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e përsëriti të enjten se nuk e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë, duke shtuar se kjo çështje do të bëhej “legjitime”, nëse Rusia depërton përtej vijave ukrainase të frontit dhe nëse Kievi e bën një kërkesë të tillë.

    Ai i bëri këto deklarata në një intervistë për Economist, që u publikua më 2 maj.

    Ekonomist tha se Macron e dha këtë intervistë, pasi e mbajti një fjalim javën e kaluar, kur deklaroi se Evropa është “e vdekshme” dhe “mund të vdesë”, pjesërisht për shkak të kërcënimit që paraqet agresioni rus, pasi Moska e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt 2022.

    “Nuk e hedh poshtë asnjë mundësi, sepse ne po përballemi me dikë i cili nuk e hedh poshtë asnjë mundësi”, tha Macron kur u pyet nëse ende u qëndron komenteve që i bëri në fillim të këtij viti, kur tha se nuk e përjashton mundësinë që Perëndimi të dërgojë trupa në Ukrainë.

    Disa analistë besojnë se Rusia mund të jetë buzë fillimit të një ofensive të re shumë të madhe në Ukrainë.

    Macroni tha se “nëse Rusia vendos të shkojë më larg, ne do të detyrohemi, në çdo rast, t’ia bëjmë vetes këtë pyetje” për dërgimin e trupave në Ukrainë. Ai e përshkroi një lëvizje të tillë si “paralajmërim strategjik për homologët e mi”.

    Ai e përshkroi Rusinë si një “fuqi e destabilizimit rajonal” dhe si “kërcënim për sigurinë e evropianëve”.

    “E kam një synim të qartë strategjik: Rusia nuk mund të fitojë në Ukrainë”, theksoi Macron.

    “Nuk do të ketë siguri në Evropë, nëse Rusia fiton në Ukrainë. Kush mund të pretendojë se Rusia do të ndalet aty? Çfarë sigurie do të ketë për vendet e tjera fqinje, Moldavinë, Rumaninë, Poloninë, Lituaninë dhe të tjerët?” pyeti ai./REL/

  • Stano: Masat hiqen kur vendosin shtetet anëtare dhe jo kur duan politikanët e Kosovës

    Stano: Masat hiqen kur vendosin shtetet anëtare dhe jo kur duan politikanët e Kosovës

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se diskutimet për heqjen apo jo të masave ndaj Kosovës janë duke vazhduar teksa shton se të njëjtat do të hiqen në momentin kur vendet anëtare të BE-së vendosin

    Lidhur me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili tha se shteti i ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për heqjen e masave kufizuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, ka reaguar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Ai ka thënë se diskutimet për heqjen apo jo të masave ndaj Kosovës janë duke vazhduar teksa shton se të njëjtat do të hiqen në momentin kur vendet anëtare të BE-së vendosin.

    Stano ka potencuar se ky vendim i takon vendeve anëtare e jo politikanëve të Kosovës.

    “Kur BE-ja paraqiti masat kundër Kosovës, shkaku i krizave, vendimeve të njëanshme eskalimet në raport me Serbinë, Bashkimi Evropian ishte i qartë se ato janë të kthyeshme. Kështu që ato do të hiqen në momentin që vendet anëtare vendosin, e përsëris kur vendet anëtare vendosin, e jo kur politikanët e Kosovës vendosin. Pra, kur vendet anëtare vendosin se nuk ka më arsye për t’i mbajtur masat në fuqi. Dhe kjo nuk ka ndodhur deri tani, vendet anëtare vazhdojnë diskutimet dhe këto janë procese të brendshme”, tha ai në një konferencë për media.

    Stano rikujton se masat janë ende në fuqi.

    “I kemi parë zgjedhjet në katër komunat si një prej elementeve që dërguan në vendosjen e masave, por mbetet te vendet anëtare, siç edhe thuhet në Konkluzat e Këshillit të Punëve të Përgjithshme nga dhjetori i vitit të kaluar. U mbetet vendeve anëtare të rivlerësojnë situatën dhe më pas me institucionet evropiane të vendosin nëse duhet hequr masat ose jo. Mund vetëm të konfirmoj se diskutimet ende po vazhdojnë dhe rikujtoj se masat nuk janë hequr”.

    Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.

    Kurti tha se javën e kaluar BE-ja miratoi Planin e Rritjes ekonomike – në vlerë prej 6 miliardë eurosh – për Ballkanin Perëndimor, i cili një ndër synimet ka edhe përshpejtimin e anëtarësimit të rajonit në bllok.

    “Masat, që janë në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në Planin e Rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit ministror për integrim evropian më 2 maj.

    Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

    Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

    Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

  • Aliu për borxhet e kompanive që ambalazhojnë ujin: Nuk ka asnjë vendim për falje borxhi

    Aliu për borxhet e kompanive që ambalazhojnë ujin: Nuk ka asnjë vendim për falje borxhi

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit deri sa ka folur për borxhet e kompanive që ambalazhojnë ujin, ka thënë se nuk ka asnjë vendim për falje borxhi, raporton EO.

    “Në lidhje me borxhin e kompanive që ambalazhojnë nuk ka asnjë vendim për falje të asnjë borxhi. Qysh njëjtë nuk ka asnjë vendim i cili përcakton çfarë pretendohet, çka ka pagesa të rregullat, normale siç kanë qenë në secilën qeveri. Sipas raportimeve të kompanive për sasitë e ujit që kanë pasur për kompanitë që nuk kanë raportuar dhe kanë borxhe, në cilëndo qeveri ka pasur kalkulime të një borxhi të supozuar në bazë të udhëzimit administrativ që thotë me marrë sasinë maksimale të ujit që shpenzohet. Kjo është në shpërputhje me vet udhëzimin administrativ”, ka thënë ministri Aliu.

  • Haliti: Të gjitha vendet e Ballkanit janë përballur me raporte të tilla të DASH-it, por ne s’jemi përballur kurrë me vetveten

    Haliti: Të gjitha vendet e Ballkanit janë përballur me raporte të tilla të DASH-it, por ne s’jemi përballur kurrë me vetveten

    Deputeti i PDK-së. Xhavit Haliti tha se Kosova dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor “janë përballur me raporte të tilla”, ndërsa foli në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për raportin kritik të Departamentit amerikane të Shtetit dhe atë të Freedom House për Kosovën.

    “Por nuk jemi përballur asnjëherë me vetveten”, theksoi Haliti. “Nuk kemi diskutuar asnjëherë se a kemi përnjëmend korrupsion në Kosovë, apo nuk kemi. Jemi vërtetë aq të pastër ne krahasuar me këto vendet tjera që i kemi përreth, ose që qeveritë tona kanë qenë të gjitha të pastra, siç po diskutohet këtu dhe edhe kjo është shumë e pastër dhe pa pikën e korrupsionit?”, pyeti ai.

    “Mendoj që ne do të duhej vërtetë të diskutonim, jo për elektoratin, jo për ta bindur njëri-tjtetrin se kush është më i korruptuar ose kush ka qenë më i korruptuar, por të diskutojmë se si raporti i DASH-it dhe raporti i Freedom House vitin e ardhshëm të mos jetë kështu”, tha Haliti.

    Ky raport, Haliti tha se “është për këtë qeverisje”, duke shtuar se “për qeverisjet e kaluara ka pasur edhe raporte të ngjashme”.

    “Asnjëherë deri sot nuk jemi përballë me këtë fenomen”, tha ai.

    Më tej, iu drejtua Qeverisë.

    “Kam pa edhe njerëz të sëmurë që keni bë filma me kamera e me televizione. Pasi që i keni arrestu, i keni kthy edhe një herë për me i qitë në televizor. Pra, filma s’dojmë me bë. Duhet me vepru, dhe ju s’keni vepru”.

  • Ministrja Haxhiu: Nuk ka ministra të korruptuar, Kurti nuk është i korruptuar

    Ministrja Haxhiu: Nuk ka ministra të korruptuar, Kurti nuk është i korruptuar

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë seancës së Kuvendit ka thënë se Kosova ka ende probleme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar për fatin që nuk mjafton vetëm puna e qeverisë por duhet edhe puna e institucioneve të drejtësisë, raporton EO.

    Haxhiu deri sa ka folur për punën e qeverisë Kurti ka theksuar se nuk ka ministra të korruptuar dhe se Kurti nuk është i korruptuar.

    “Është hera e parë që Kuvendi diskutoi për raporte të tilla. Përtej raporteve unë vlerësoj që askush nuk mund të theksoj që nuk ka një përkushtim më të madh se qeveria e Kosovës për të luftuar krimin dhe korrupsionin. Kosova ka ende probleme për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar për fatin që nuk mjafton vetëm puna e qeverisë por duhet edhe puna e institucioneve të drejtësisë. Janë mbi 200 lëndë që qeveria Kurti i ka dërguar çoftë në Polici apo Prokurori dhe për asnjërën prej këtyre rasteve nuk ka aktakuza ndaj personave që ne i kemi kallëzuar. Në qeverinë Kurti nuk ka ministra të korruptuar, Kurti nuk është i korruptuar. S’ka më ministra që kërkojnë favore në tender. Ju e dini si ka funksionuar në Kosovë, ka qenë rregull i pa shkruar 10 përqindëshi, 12 përqindëshi. Nuk ka ministra që bëhen milionera vetëm duke qenë ministër. Ka ministra që jetojnë prej pagës së ministrit. Kur të doni shkojmë në zgjedhje, shpërndani Kuvendin. Rrëzimi nuk mund të bëhet, dorëheqja nuk bëhet. Nëse doni me shku në zgjedhje shpërndani Kuvendin, aty do të dëshpëroheni më shumë se sa jeni dëshpëruar në vitin 2021”, ka thënë ministrja Haxhiu.

  • 24-vjetori i masakrës së Studimes – Krerët e shtetit kërkojnë drejtësi e bëhet thirrje për unitet

    24-vjetori i masakrës së Studimes – Krerët e shtetit kërkojnë drejtësi e bëhet thirrje për unitet

    Komuna e Vushtrrisë të enjten organizoi Akademi përkujtimore në përvjetorin e masakrës së Studimes, ku morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e shumë familjarë të dëshmorëve të rënë për liri, qytetarë nga e gjithë Kosova.
    Akademia filloi me një minutë heshtje në nderim të të rënëve në masakrën e Studimes.

    Presidentja Vjosa Osmani, tha se masakrat e kryera nga Serbia janë dëshmi e fuqishme se Serbia ka kryer krime në Kosovë, kurse Kosova ka qenë viktimë.

    “Jemi sërish këtu për t’i përkujtuar 116 civilë. Fëmijë e gra shtatzëna, makineria serbe i vrau brenda dy orëve vetëm se ishin shqiptarë. Si shtet e si komb ne ende duhet të përballemi me plagë të hapura dhe dhimbje të përballueshme. Njësoj si në Studime qytetarët kanë përkujtuar edhe shumë të rënë të tjerë e që janë dëshmi e fuqishme e të drejtës sonë dhe konfirmimit të faktit se Kosova ishte viktimë, ndërsa Serbia shoviniste”, tha Osmani.

    “Këtë të vërtetë do ta mbrojmë kudo e kurdo, sepse lufta jonë ishte e drejtë për mbrojtjen e shtëpisë sonë siç bëri secili hero, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Jemi në përkrahje të familjarëve të dëshmorëve për t’ju siguruar drejtësi. 2 maji ishte i kobshëm, Serbia ekzekutoi shqiptarë nga gjakftohtësia. Liria nuk dhurohet por fitohet me sakrificë, Studimja është ringritur përderisa banorët me drejtësi shikojnë nga e ardhmja dhe punojnë për Kosovën. Studimja dhe e gjithë Kosova e mbajnë dhimbjen e përbashkët”, ka thënë më tej presidentja Osmani.

    Ndërsa kryeministri, Albin Kurti, tha se numri i masakrave është dëshmi e karakterit gjenocidal serb dhe se vrasjet janë kryer nga ushtria e rregullt serbe.

    “Krahas sakrificës së të rënëve e çmojmë qëndresën e popullit. I përulemi popullit të Kosovës që nuk iu përkul kurrë Serbisë. Vrasjet janë kryer nga ushtria e rregullt serbe. Dëshmitarët thonë, duke i dëgjuar në radio-lidhje thoshin se “pak është”, sa janë vrarë. Këta muaj u përkushtohemi viktimave të masakrës së Izbicës, familjes Berisha, e Korenicës”, tha kryeministri Kurti.

    Kryeministri shtoi se i vetmi kusht për paqe është drejtësia për viktimat.

    “Numri i masakrave është dëshmi e karakterit gjenocidal serb. Krimet kanë ndodhur para një çerek shekulli, kemi mungesë të dënimit për kriminelët serb, duhet drejtësi për viktimat përballë terrorizimit shtetëror. Drejtësia për viktimat është kushti i vetëm për paqe”, tha ai.

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në një fjalë rasti, tha se 25 vite më parë ky vend është larë me gjak e që ky gjak ia solli lirinë Kosovës.

    “Për të gjithë që na ndihmuar për lirinë dhe pavarësinë u jemi mirënjohës, miqve dhe aleatëve. Derisa sot po përkujtojmë Masakrën, kriminelët enden të lirë. Sot jemi me ju sepse ky gjak u derdh për liri dhe ky vend është i të gjithëve”, tha Idrizi.

    “Ne si kem rendet të flejmë dhe të kotemi sepse e kemi hasmin kojshi. Këtë na e rikujton edhe shtatori i vitit të kaluar kur bandat serbe na sulmuan dhe ra dëshmor heroi, Afrim Bunjaku”,tha Idrizi.

    Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se Maskara e Studimes është dëshmia e gjallë e asaj çka ka kaluar populli i Kosovës për liri.

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se deri më tani kemi bërë shumë si shtet për ndërtimin e demokracisë por ka edhe shumë për të bërë.

    “Pas lirisë e kishim demokracinë, kemi bërë më të mirën për me ndërtu demokracinë. Kishim pavarësinë si destinacion, e kemi arritur. Kjo është që i nderon të gjithë martirët e rënë për liri, destinscioni ynë është NATO. Shoh dobësi dhe shumë punë në këtë rrugë”, tha Haradinaj.

  • Tensione në kuvend: Bogujevci e fton sigurimin t’i largojë nga salla Zybën dhe Shalën

    Tensione në kuvend: Bogujevci e fton sigurimin t’i largojë nga salla Zybën dhe Shalën

    Nënkryetarja e Kuvendit, Saradnda Bogujevci ka kërkuar që sigurimi ta largojë nga salla e Kuvendit deputetin e LVV-së, Sali Zyba dhe deputetin e PDK-së, Ferat Shala.

    Thirrja erdhi pasi situata u tensionua paksa ndërsa PDK-ja kërkonte ta vazhdonte diskutimin me mazhorancën dhe Bogujevci tha se rregullorja s’lejonte që diskutimi të vazhdonte në atë mënyrë.

    “Mimoza kundër-replikë. Jo, më falni, nuk mundem secilën herë në bazë të kërkesave të juaja, me dalë jashtë rregullores. Ishte replikë dhe kundër-replikë. Nuk mund t’ia japë fjalën dikujt në kundër-replikë të dikujt tjetër”, tha Bogujevci dhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila e mori fjalën.

    Pasi doli në foltore, deputeti i PDK-së e kapi mikrofonin, ndërsa për të ndërhyrë shkoi deputeti i LVV-së.

    “I nderuar, e shkelë rregulloren. E shkelë rregulloren. Uluni të gjithë në vendin e juaj. Zoti Zyba në vendin tuaj. Z. Shala në vendin tuaj. Zoti Zyba ju lutem në vendin tuaj dhe zoti Shala a mundeni… mos më detyroni ta thërras sigurimin për të dy. Sigurimi e hiqni prej sallës zotin Shala dhe zotin Zyba. Tani! Tani! Sigurimi (futuni) tani në sallë dhe i largoni të dy deputetët që i përmenda me emër”, tha Boguevci.

    “E kam të pamundshme në secilën seancë ku burrat çohen në këmbë dhe më tregojnë mua se si ta bëj interpretimin e rregullores”, tha ajo.

    Nënkryetarja e Kuvendit tha se “sigurimi s’po hyn”, duke konfirmuar se kërkesa e saj nuk u përfill.

  • Ali Ahmeti shpallet ‘Qytetar Nderi’ i Tiranës, Rama: Një shqiptar ndër më të mirët

    Ali Ahmeti shpallet ‘Qytetar Nderi’ i Tiranës, Rama: Një shqiptar ndër më të mirët

    Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, u nderua këtë të enjte me titullin “Qytetar Nderi” në Tiranë.

    Të pranishëm në ceremoni ishin, veç tjerësh, kryeministri Edi Rama, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla.

    “Një shqiptar ndër më të mirët, një luftëtar që politikën e diplomacinë i ka kthyer në një mjeshtëri të admirueshme, një udhëheqës që i ka bërë vend të veçantë vetes në historinë e shqiptarëve dhe në zemrat e në mendjet e të gjithëve, përfshirë edhe mendjet e kundërshtarëve e armiqve të tij”, shkroi Rama në Facebook për Ahmetin.

    Kryebashkiaku i Tiranës, në nisje të ceremonisë tha se “nuk është Tirana që nderon Ali Ahmetin me titullin ‘Qytetar nderi’ është nder në historinë e Tiranës që ju na jepni duke qenë pjesë e familjes sonë, e skuadrës sonë dhe e misionit tonë”.

    “Nuk është vetëm Tirana që nderon burrin, që e ka shqiptarinë bosht të ekzistencës së vetë, por Tirana vetë nderohet duke vlerësuar një figurë të jashtëzakonshme, si miku ynë, vëllai ynë, kryetari ynë Ali Ahmeti”, tha Veliaj.

  • ​Ngritet aktakuzë për rastin me fatalitet të trefishtë në Autostradë

    ​Ngritet aktakuzë për rastin me fatalitet të trefishtë në Autostradë

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.S., dhe I.H., të cilët gjenden në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit A.S., dhe I.H., me datë 16. dhjetor 2023 rreth orës 22:30, në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren, nga aksi rrugor “Prizren-Veri” në drejtim të aksit rrugor “Prizren Jug” ku shpejtësia e lejuar e lëvizjes është 120 km/h, në bashkëkryerje kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor duke organizuar gara të kundërligjshme automobilistike.

    “I pandehuri i parë, A.S me automjetin A rreshtohet në shiritin e majtë të rrugës, derisa i pandehuri i dytë, I.H me automjetin B rreshtohet në shiritin e djathtë të rrugës dhe fillojnë zhvillimin e garës, me ç’rast duke lëvizur paralelisht me automjetet e tyre, me një shpejtësi dukshëm më të madhe në raport me shpejtësinë e lejuar, i akuzuari i parë humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin C, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës, gjegjësisht viktimat: N.B., M.D., dhe L.S., dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime të rënda trupore të dëmtuarve: M.Z., dhe B.P., si dhe lëndime të lehta trupore të dëmtuarit S.Z., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke ndjekur zhvillimin e garës së kundërligjshme”, thuhet në aktakuzë.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.