ATV

Category: Lajme

  • Projektligji për kriptoasetet dërgohet në kuvend

    Projektligji për kriptoasetet dërgohet në kuvend

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Afro 100 mijë euro është shuma që 7 deputetë të Kuvendit kanë në kripto-valuta.

    Edhe pse këto para i deklaruan, për rregullimin e tregtisë me kriptovaluta ende nuk ka ligj në Kosovë. Por pas dy vjetësh punë projektligjit për kriptoastet iu dha drita e gjelbër për votim në Kuvend, në lexim të parë.

    Anëtarë të Komisionit për Ekonomi thanë se me këtë projektligj do të krijohen parametra të sigurisë për parandalimin e shpëlarjes së parasë.

    Por, projektligji i cili parasheh mënyrën e funksionimit për ata që posedojnë kriptovaluta në 31 nene, zor që mund të kalojë në Kuvend. Sipas opozitës, ndonëse ka bazë është i paqartë.

    Kuvendi i Kosovës ka ndërmarrë nismën për hartimin e ligjit të kriptovalutave në verë të vitit 2021.

  • Viti i shkuar, sfidues për lirinë e shtypit në Kosovë

    Viti i shkuar, sfidues për lirinë e shtypit në Kosovë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është më 3 maj, mirëpo Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nisi ta shënojë atë një ditë më herët.

    Në diskutimin e së enjtes, u tha se ky viti i fundit ka qenë i rëndë për lirinë e medias, meqë gazetarët janë përballur me kërcënime e deri tek sulmet brutale, sidomos në veri të vendit.

    Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se puna në ndëshkimin e autorëve të këtyre sulmeve nuk është e mjaftueshme.

    Gazetarë dhe studiues të kësaj fushe, thanë se liria e medias është e çmuar, ndërsa thirrën në respektim të ligjit, që e garanton atë.

    Pjesë e këtij takimi ishte edhe karikaturisti Armend Ajredini, i cili ka zbërthyer elemente të ndryshme mbi fuqinë e gazetarëve, përmes artit.

    Diskutimet për Lirinë e Shtypit vazhdojnë edhe të premten.

  • Zgjidhet Qeveria e re pro ruse në Serbi

    Zgjidhet Qeveria e re pro ruse në Serbi

    Kuvendi i Serbisë e ka zgjedhur Qeverinë e re të vendit të enjten pas debatit disaorësh dhe me kritikat e shumta nga opozita. Kështu, Serbia ka zgjedhur qeverinë e re që do të vazhdojë qëndrimet e saj pro ruse.

    Me 152 vota për, 61 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Serbisë votuan për Qeverinë e re të Serbisë më 2 maj. Paraprakisht me shumicë votash ishte vendosur që programi i Qeverisë të votohej publikisht.

    Debati parlamentar për Qeverinë e re zgjati më shumë se gjashtë orë.

    Qeveria e re do të betohet tani dhe do ta fillojë mandatin e ri katërvjeçar.

    Përfaqësuesi i përbërjes së Qeverisë së Serbisë dhe lideri i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millosh Vuçeviq, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë deklaroi se Serbia e ka ende synim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).

    Së fundi, BE-ja zyrtarisht ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën.

    Vuçeviq tha se pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta “poshtërojë” veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

    Por, ai theksoi që Serbia nuk do t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.

    “Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione”, tha Vuçeviq.

    “Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha ai.

    Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – do të jetë zëvendëskryeministër në Qeverinë e re serbe.

    Një zyrtar tjetër nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, Nenad Popoviq, do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se SHBA-ja është “e zhgënjyer” nga propozimi i Vulinit dhe Popoviqit dhe shtoi se të dy mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i njohur mirë”.

  • Regjistrohet Kurti, e quan proces vendimtar për dekadën e ardhshme të politikave të shtetit

    Regjistrohet Kurti, e quan proces vendimtar për dekadën e ardhshme të politikave të shtetit

    Kryeministri Albin Kurti është regjistruar në kuadër të procesit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

    Sipas njoftimit që ka lëshuar Zyra e Kryeministrit, Kurti e ka quajtur këtë proces të lehtë, të thjeshtë dhe të shpejtë, dhe të rëndësishëm saqë vendimtar për dekadën e ardhshme të politikave të shtetit dhe progresit shoqëror.

    Kryeministri Kurti u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të regjistrohen.

    Procesi i regjistrimit ka filluar me 5 prill dhe vazhdon deri më 17 maj.

  • Rama thumbon Kurtin: Ndërhyrjet në Maqedonin e Veriut synojnë destabilitet

    Rama thumbon Kurtin: Ndërhyrjet në Maqedonin e Veriut synojnë destabilitet

    Kryeministri i Shqipërisë porositi shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që “ta mbrojnë republikën e tyre nga ndikime të jashtme”, duke iu referuar jo direkt pjesëmarrjes së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare atje. Edi Rama tha se këto ndikime “synojnë gjëra që s’kanë asnjë lidhje me stabilitetin dhe me mirëqenien”, dhe se mund t’i dëmtojnë shqiptarët. Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti s’ka hequr dorë. Këshilltari i tij dhe dy gra nga partia e tij do të garojnë për deputetë në zgjedhje atje me koalicionin e partive opozitare shqiptare.

    Ali Ahmeti sot u shpall qytetar nderi i Tiranës. Në ceremoninë e mbajtur në kryeqytetin shqiptar, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e përshkroi kryetarin e BDI-së, partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si “një shqiptar ndër më të mirët”.

    Rama tha nga Kuvendi se Ahmeti është “mjeshtri ynë më i madh në përdorimin e armës së diplomacisë për të afirmuar botërisht subjektivitetin tonë kombëtar”.

    “Pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë e atij shteti dhe as nuk do të kishin dot një pluralizëm demokratik, aq dinamik brenda perimetrit të jetës së partive shqiptare sa që t’i lejonin vetes edhe shpërfilljen e rrezikut të mbytjes ne lugun e ujit të sherrit për më shumë pushtet, duke nënvlerësuar mundësinë reale të dobësimit politik të faktorit shqiptar”, tha ai.

    Rama tha se nuk dëshiron ta shtjellojë mëtej këtë mendim, ndërsa tha se nuk ka asnjë qëllim të ndikojë në vendimmarrjen e zgjedhësve të Maqedonisë së Veriut. Ai porositi shqiptarët që “ta mbrojnë republikën e tyre si shqiptarë nga ndikime të jashtme, të cilat synojnë gjëra që s’kanë asnjë lidhje me stabilitetin dhe me mirëqenien e shtetit fqinj”.

    “Ky mund të jetë rasti, por nuk është momenti që unë ta shtjelloj më tutje këtë që sapo thashë, sepse nuk dua në asnjë mënyrë që një shprehje e plotë e opinionit tim sot të lexohet si ndërhyrje në fushatën zgjedhore të vendit fqinj ku ne nuk kemi asnjë qëllim të ndikojmë në vendimmarrjen e zgjedhësve të atij vendi, qofte edhe të shqiptarëve, të cilëve u them vetëm të shohin interesin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që sot është më shumë se kurrë ndonjëherë edhe e tyrja, krahpërprah me bashkëqytetarët e tyre maqedonas dhe të gjitha minoritetet që jetojnë në atë republikë, dhe ta mbrojnë republikën e tyre si shqiptarë nga ndikime të jashtme, të cilat synojnë gjëra që s’kanë asnjë lidhje me stabilitetin dhe me mirëqenien e shtetit fqinj, e që në asnjë rast nuk mund t’u sillen shqiptarëve asgjë më të mirë sesa atë që ata e kanë arritur, por përkundrazi, mund t’u shkaktojnë atyre dëme mbi ato që janë arritur”, tha Rama.

    Ai tha se Ahmetit mund t’i bëhen “kritika plot brenda vendit”, por përmendi se ai “nuk është ulur kurrë në një karrige zyreje, përveç atij kolltuku të vjetër të partisë së tij”. Për kryetarin e BDI-së, Rama tha se “historia do ta thotë me zë edhe më të fortë sesa kushdo sot dhe që është se: atë që ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj, për afirmimin e tyre si qytetarë të barabartë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për ngritjen lart të shqiptarëve në sytë e krejt botës, të gjithë ne të tjerët nuk mund ta diskutojmë, vetëm duhet ta pranojmë dhe nëse jemi të mençur ta marrim si mësim, nga një shqiptar ndër më të mirët”.

    Në mbyllje të fjalës së tij ku u shpreh i lumtur që “Tiranës i shtohet një qytetar nderi i përmasave të Ali Ahmetit”, Rama zgjodhi ta citojë një “politikan dhe udhëheqësi të madh”: “Djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët”.

    Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është angazhuar në garën për të marrë pak pushtet edhe në Maqedoninë e Veriut.

    Në koalicionin e partive opozitare shqiptare në shtetin fqinj, LVV merr pjesë me tre kandidatë për deputetë në zgjedhjet parlamentare që mbahen më 8 maj, ndër të cilët edhe Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit të Kosovës.

    Qeveria e Kosovës ishte angazhuar në fushatën për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut për ta ndihmuar kandidatin Arben Taravarin dhe koalicionin VLEN.

    Përtej kësaj, ishte planifikuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të merrte pjesë personalisht në tubimet e koalicionit VLEN në Cyrih dhe Berlin para rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Por s’shkoi me arsyetimin se “obligimet dhe detyrat e shumta në Kosovë”, dhe “kërcënimet e vazhdueshme nga fqinji verior” ia pamundësuan pjesëmarrjen. Në vend të tij atje e çoi ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Përmes një video-mesazhi, porosiste që në zgjedhjet presidenciale të votohet masivisht, ndërsa shprehej se “Republika jonë, por edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, ka nevojë për një faktor politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili në këto kohëra të ballafaqimit të përditshëm e sistematik me Serbinë agresore, do të jetë krah i fortë i Kosovës, në mbështetje të paqes e sigurisë, mirëqenies e demokracisë”.

    “Ju përshëndes të gjithëve e në veçanti mikun tim e presidentin tuaj Dr. Arben Taravarin që e kam shok ngahera dhe i besoj si për nga orientimi ashtu edhe për nga karakteri. Energjia e re është e mirëseardhur në skenën politike shqiptare për shumë arsye. Ajo gjithsesi ia vlen, sidomos në situatat që po i përjetojmë e jetojmë tani. Suksese të mërkurën e zgjedhjeve dhe në çdo ditë pune e pushimi”, thoshte Kurti.

    Më herët, ai mohonte se po përzihej në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe nga Shkupi kishte thënë se LVV nuk garon e se shqiptarët duhej të vendosnin vetë për çështjen e presidentit, por më pas i kishte sjellë në Prishtinë përfaqësuesit e VLEN-it me të cilët ishin pajtuar se presidenti i radhës në Shkup duhet të jetë shqiptar.

    “Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit më 30 janar.

    Taravari ka pranuar para pak javësh se Kurti e ka inkurajuar që të garojë për president të Maqedonisë së Veriut.

    Për koalicionin jo shumë zyrtar të LVV-së me partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut bënte të ditur për herë të parë kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti në fund të vitit të kaluar. Ky njoftim kishte ardhur disa muaj pasi këtë mbështetje kryeministri i Kosovës ua kishte ofruar atyre edhe fizikisht gjatë një vizite shumë të diskutueshme në RMV në verë të vitit 2023.

  • ​Vihet gurthemeli i Klinikës së Hematonkologjisë e Nefrologjisë

    ​Vihet gurthemeli i Klinikës së Hematonkologjisë e Nefrologjisë

    Sot kanë nisur punimet për ndërtimin e objektit të ri të Klinikës së Hematonkologjisë dhe Nefrologjisë me hapësira moderne për pacientët, në vlerë prej 4 milionë e 299 mijë e 23 eurosh.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se përmes këtij investimi do të sigurohen më shumë shërbime cilësore për qytetarët dhe së shpejti do të shtohet shërbimi i Plazmaferezes, derisa po vazhdon edhe angazhimi që të ofrohet shërbimi për biopsinë e veshkës.

    “Për herë të parë në Klinikën e re të Hematonkologjisë do të mundësohet transplantimi i palcës kockore te leukemitë akute, shërbim ky që deri më tani nuk është arritur të bëhet në Kosovë dhe pacientët tanë nuk do të kenë më nevojë që të kërkojnë trajtim jashtë vendit për transplantimin autolog të palcës kockore”, tha ai.

    Drejtori i SHSKUK Elvir Azizi dhe drejtorët e këtyre dy klinikave morën pjesë në fillimin e punimeve për ndërtimin e objektit të ri të Klinikës së Hematonkologjisë dhe Nefrologjisë.

  • ​Arizona voton për shfuqizimin e ndalimit të abortit

    ​Arizona voton për shfuqizimin e ndalimit të abortit

    Ligjvënësit e Arizonës votuan të mërkurën për të shfuqizuar një ndalim të abortit që u miratua për herë të parë në vitin 1864, kur shteti ishte ende një territor.

    Projektligji i shfuqizimit kaloi me një votim 16-14 në Senatin e Shtetit të kontrolluar nga republikanët, me dy senatorë republikanë që thyen radhët për ta mbështetur atë së bashku me çdo senator demokrat, duke krijuar një mosmarrëveshje brenda Partisë Republikane, e konsideruar tradicionalisht si pro abortit.

    Ndalimi i diskutueshëm lejonte vetëm abortet për të shpëtuar jetën e një pacienti, pa përjashtime për viktimat e përdhunimit.

    Guvernatorja Katie Hobbs, një demokrate që pritet të nënshkruajë shfuqizimin të enjten, tha: “Gratë e Arizonës nuk duhet të jetojnë në një shtet ku politikanët marrin vendime që duhet të jenë midis një gruaje dhe mjekut të saj”.

    Shfuqizimi nuk do të hyjë në fuqi deri në 90 ditë pas shtyrjes së legjislaturës për verën. Në fillim të këtij muaji, republikanët denoncuan vendimin e Gjykatës së Lartë të Arizonës që shpalli të zbatueshëm ndalimin 160-vjeçar të abortit. /AA

  • Gjermania thyen zinxhirin më të madh të mashtrimit me ‘call center’, përfshirë Kosovën Policia gjermane

    Gjermania thyen zinxhirin më të madh të mashtrimit me ‘call center’, përfshirë Kosovën Policia gjermane

    Autoritetet në Gjermani, me ndihmën e Europolit, kanë thyer zinxhirin më të madh të mashtrimit përmes ‘call center’ të cilat ishin të vendosura në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, dhe në Liban.

    Ministri i Brendshëm i Republikës së Baden-Wuerttembergut, Thomas Strobl, e ka konsideruar si “rastin më të madh të mashtrimit në Evropë deri më sot”.

    Autoritetet gjermane, me ndihmën e Europolit dhe forcave lokale të policisë, kanë kryer kontrolle në 12 qendra telefonike në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Liban më 18 prill dhe kanë arrestuar 20 persona.

    Siç shkruan “Stuttgarter-Zeitung”, punonjësit e ‘call centerave’ kanë telefonuar njerëz në Gjermani duke u paraqitur si anëtarë të familjes, anëtarë të shërbimeve qeveritare apo qendrave financiare dhe zhvatnin para nga viktimat duke përdorur metoda të ndryshme. Të dyshuarit kërkonin para nga viktimat me pretekstin për të nxjerrë një të afërm nga telashet, ose kërcënuan me dënime për shkeljet e dyshuara të kryera nga viktimat.

    Mashtrimet u zbuluan pasi një punonjës banke vuri re se një klient dëshironte të transferonte 100 mijë euro në një llogari të panjohur jashtë vendit. Që nga dhjetori, hetuesit kanë regjistruar mbi 1 milion telefonata, dhe mashtrimi ka ndodhur në 6000 raste, me dëme mbi 10 milionë euro.

    “Këto akte kriminale janë të ndyra dhe të pamëshirshme, sepse luajnë me frikën dhe vështirësitë e njerëzve”, ka thënë Strobl. Ka paralajmëruar se autoritetet do të veprojnë kundër autorëve “me të gjitha mjetet” në dispozicion të shtetit ligjor.

    Në Gjermani zbulohen rregullisht raste të mashtrimit përmes ‘call centerave’, ku viktimat janë kryesisht të moshuar ose emigrantë.

  • Petkoviq: Serbia mbështet përpjekjet e Lajçakut në procesin e formimit të Asociacionit

    Petkoviq: Serbia mbështet përpjekjet e Lajçakut në procesin e formimit të Asociacionit

    Drejtori i zyrës serbe për Kosovën Petar Petkoviq ka deklaruar se Beogradi vlerëson dhe mbështet shumë përpjekjet që emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka investuar në fillimin e procesit të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Këto komente ai i bëri pas një takimi që pati së bashku me ambasadorin e Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq me ambasadorët e vendeve të Quintit si dhe përfaqësuesin e Delegacionit të Bashkimi Evropian në Beograd.

    Siç bën të ditur zyra e Petkoviqit, ai dhe dhe Gjuriq në takim siç u tha, përsëritën qëndrimin e Beogradit se drafti i Statutit të Asociacionit i hartuar nga BE-ja, mund të jetë një bazë e mirë për vazhdimin e diskutimeve dhe marrëveshjeve për përfundimin e këtij statute.

    Lidhur me çështjen e dinarit, Petkoviq theksoi se bisedimet në Bruksel kanë qenë të vështira dhe se sipas tij delegacioni i Beogradit ka paraqitur propozimet dhe komentet e tij për këtë çështje.

  • Pas 22 vjetësh, 1 euro vlen më pak se 100 lekë

    Pas 22 vjetësh, 1 euro vlen më pak se 100 lekë

    Për herë të parë që nga viti 2002 kur hyri në Shqipëri, euro po këmbehet për më pak se 100 lekë këtë të enjte.

    Sipas kursit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, valuta europiane po këmbehet për 99.94 në blerje. Pra nëse shkoni në pikat e këmbimit valutor apo banka të nivelit të dytë, për një euro do të merrni më pak se 100 lekë, raporton A2CNN.

    Nga ana tjetër, në shitje euro vijon të qëndrojë mbi nivelin e 100 lekëve. Me më pak se 94 lekë po këmbehet dollari ndërsa paundi me 117.31 lekë.